BESNIK Z.IMERI: HIMARA – ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (2)

Vlorë, 13 Prill 2020:
Himara dhe helenizimi
Kato që u thanë më lart për mitologjinë e Himarës e nxjerrin atë padyshim me origjinë pellazgjike dhe e bën atë automatikisht një trevë shqipfolëse në kohët e reja dhe himariotët të etnisë shqiptare. Por grekët e sotëm dhe disa të shitur në Himarë tek greku, pretendojnë se Himara dhe himariotët janë grekë.

Për të freskuar kujtesën e lexuesit lidhur me etninë dhe gjuhën e banorëve të tri fshatrave të Himarës (Himarë, Dhërmi, Palasë), po përmendim disa fakte brilante dhe të pakundërshtueshëm, të marë nga libri i Rami Memushajt “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”:
Kronikani venecian Stefan Magno më 14 gusht 1488 njofton se Himariotët (Albanexi della Cimera e Sopota) ishin ngritur kundër sulltanit dhe i kishin bërë copa-copa sanxhakbeun bashkë me shumë turq… Ata të Himarës-popuj shqiptarë, i kërkuan sulltan Bajazitit (viti 1486) t’u dërgonte për qeverisje djalin e të zotit Aranit (që vdiq), i cili gjëndej në oborrin e tij…(1492) Sulltan Bajaziti dërgoi një fuste midis Korfuzit dhe Butrintit, me qëllim që Himariotët të mos iknin në Korfuz, sepse dy sanxhakbejlerë ishin nisur nga toka t’u binin Shqiptarëve të Himarës dhe të Sopotit…
Në një dokument në bibliotekën e Firences, muaji tetor 1500, thuhet: Himara është një vend i rrethuar me male, aty fillojnë malet e Epirit që quhen Akrokeraune, banorët e këtij vendi janë Ilirë, që tani quhen SHQIPTARË… megjithëse e përdorin gjuhën greke, por në një mënyrë krejt të huaj (a mund të quhen sërbë sot shqiptarët e Kosovës, Malit të ZI, Preshevës dhe Maqedonisë, ngaqë e përdorin gjuhën sërbo-kroatishte në një mënyrë krejt të huaj).
Letra që i drejtohej Papës Grigori i XIII-të më 12 korrik 1577 nga paria Himariote përfundonte me fjalët: Himara-EPIRI I SHQIPTARËVE.
Në vitin 1670 funksiononte në Himarë një shkollë katolike (Unite) në gjuhën shqipe.
Vikari apostolik (unit) i Himarës i emëruar nga Selia e Shënjtë, Nilo Katalano (1693-1694) para se të merrte detyrën “iu vu me shumë ngulm mësimit të gjuhës shqipe”…Nilo Katalano predikimet në Himarë i bënte në gjuhën shqipe…
Në letrën drejtuar careshës Elisabeta Petrovna të Rusisë në vitin 1759 nga kapedanët e 47 fshatrave të Himarës i thonë: Flasim SHQIP… Të mësuarit flasin greqisht (i vini ‘veshin’, pra të mësuarit nga librat, nga shkolla jo nga nëna), familjet më të shquara (pra më të kulturuara) përdorin edhe italishten…
Konsulli francez tek Ali Pashai, Sharl Pukëvill thotë: Himara ka sot 500 familje shqiptare, të krishtera.
Anglezi Uilliam Martin Leake oficer i Ministrisë së Marinës Mbretërore pranë Ali Pashait thotë në vitin 1804 : Gjuha greke flitet pothuajse nga të gjithë burrat në Himarë, italishtja nga ata që kanë jetuar përjashta (në Itali), por gratë në përgjithësi dinë pak nga ndonjë gjuhë tjetër përveç SHQIPES. (Pra gjuha greke në këtë kohë nuk ka qënë gjuhë amtare, kur nuk e di nëna që lind fëmijën)
Çfarë e shtyu Ikonom Zoto Himariotin t’i shkruante Mitropolisë së Drinopulit (Gjirokastrës) në atë vjeshtë të dytë të motit 1891: “…Epitropia e Kishës Qëndrore të Himarës, në një mbledhje të saj, vendosi t’ju kujtojë se nuk kini asnjë të drejtë të ndërhyni në çështjet tona…Kurrë s’kemi ndryshuar as bindje, as karakter dhe mbas vitit 1875 kemi vazhduar t’i qendrojmë besnik idealit tonë kombëtar për lirinë e popullit shqiptar. Lidhja (Lidhja e Prizrenit) është e shqiptarëve dhe Himariotët janë shqiptarë. Lidhja është e shqiptarëve dhe jo e turqve dhe vepra e qëllimi i Abdul Frashërit, Myslim Gjolekës, Koto Hoxhit, Mikel Haritos etj, janë edhe tonat. Kjo është rruga e popullit të Himarës.” Nënshkruar, Kryetari i Epitropisë Ikonom Anastas Zoto…” 14
Konsulli Austro-Hungarez në Vlorë, Zagovic në relacionin e datës 3 maj 1886 “Epiri-Shqipëria e Jugut” shkruan: Në Himarë ka vetëm Shqiptarë.

E folmja e krahinës së Himarës, sipas tipareve të saj të përgjthshme fonetike, morfologjike e leksikore, bën pjesë në grupin e të folmes LABE…. Trajtat e saj fonetike e morfologjike që i hasim dëndur në SHQIPEN e MOÇME, në të folmen e arbëreshëve të Italisë, si dhe në disa të folme të Shqipërisë së Veriut, si dhe leksiku bazë është i njëjtë me atë të folmes shqipe përreth saj (çamërishten), DËSHMOJNË qartë për hershmërinë e së folmes së krahinës së Himarës, e për përbërjen etnike SHQIPTARE të banorëve të saj.
Prof.Shaban Demiraj e shtron shumë drejt problemin për tri fshatrat dygjuhësh; Himarë, Dhërmi, Palasë. A është gjuhë e dytë për to, gjuha shqipe? Njëkohësisht sqaron se nuk ka asnjë rrethanë ose të dhënë historike për kolonizime greke në Kaoni dhe Himarë në lashtësi, ku si rrjedhojë të kishte mbetur edhe gjuha greke si gjuhë e parë. Ai pohon se: “Asnjë rrethanë historike apo shoqërore nuk do të kishte mundësuar që gjuha shqipe, në këto tri katunde, të ketë depërtuar si gjuhë e dytë në një popullsi greqishtfolëse”.15
Në vërtetim të kësaj Shaban Demiraj kap një aspekt, atë të shqyrtimit të disa emrave vetjakë të vjetër, karakteristikë për të kaluarën në mbarë shqipen. Për këtë duke ju referuar studimit të Petrika Thëngjillit mbi Defterin e rregjistrimit osman të sanxhakut të Delvinës i vitit 1583, lidhur me emrat Gjon, Gjokë, Gjin, Gjikë dhe Pal për Himarën, Dhërmiun dhe Palasën tregon se; vetëm në Himarë, nga 137 familje të rregjistruara (të gjitha me emra dhe mbiemra shqiptar), 56 prej tyre figurojnë me këto emra (dhe mbiemra); pra 40% e të gjitha familjeve himariote në vitin 1583 kishin emrat Gjon, Gjokë, Gjin, Gjikë dhe Pal.16
Por dihet që këto emra janë me taban shqiptar parakristian dhe ndoshta parahomerikë. Po të ishte një popullsi greke në vazhdimësi për mijëra vjet, çfarë donin këto emra këtu?! Duan e thonë se këto emra janë të popullsisë shqiptare të ardhur nga veriu si rezultat i pushtimit turk dhe vdekjes së Skënderbeut.
Në këtë kuadër, shtrojmë pyetjen, po Gjin Bue Shpata, Pjetër Losha dhe Gjin Zenebishi, nga veriu kishin ardhur dhe sunduan Epirin?! Po Gjin dhe Gjon Muzaka që sunduan Oparin, Beratin, Këlcyrën, Tomorricën, Korçën, Kolonjën, Leskovikun, Kosturin etj etj, nga veriu kishin ardhur?!
Dakort. Po nuk ka asnjëherë mundësi që popullsia ardhëse të jetë në numër po aq sa popullsia pritëse. Më tej. Po pse nga kjo popullsi e ardhur nuk del asnjë me emrin Zef, Fran, Pjetër dhe Frang?!. Si ka mundësi që Gjonët, Gjokët, Gjinët, Palët ishin frikacakë dhe erdhën në Himarë, ndërsa Zefët, Franët, Pjetërit dhe Frangët ishin trima dhe qëndruan në malësi?!?
Në thellim të kësaj Prof.Shaban Demiraj thotë: “Për sa i takon trajtës Gjikë, kjo për fshatrat e Himarës dëshmohet relativisht herët. Kështu në një letër, që i është dërguar papës Gregori XIII më 12 korrik 1577 “nga Himara, d.m.th. nga Epiri i Shqiptarëve”, thuhet, ndër të tjera, se ata (Himariotët) po dërgojnë pranë shënjtërisë së tij si pëfaqësues të tyre dy bashkëqytetarë, njeri nga të cilët quhet GJIKË Nikolla…Ndërsa në një letër që i dërgohet në vitin 1759 careshës së Rusisë Elisabeta Petrovna nga përfaqësuesit e krahinës së Himarës, midis të cilëve edhe himarioti GJIKA Nestor Spiro dhe dhërmiasi GJIKA Vreto, ku midis të tjerash i thoshin: “…FLASIM SHQIP, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnje, po në vënde të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht, e familjet më të shquara përdorin edhe italishten…”17
Pra emri Gjikë, një emër i lashtë mbarëshqiptar, emërton për rreth 200 vjet (1577-1759) edhe përfaqësuesit dhe drejtuesit e shqiptarëve të Himarës. Por edhe sot e kësaj dite në fshatin Qeparo dhe në fshatin Dhërmi, persona të moshatarë mbajnë emrin Gjikë. Por emri dhe mbiemri; Gjikë, Gjika janë mjaft të përhapur edhe në fshatrat Tragjas dhe Tërbaç të rrethit të Vlorës.
Gjuhëtari Rami Memushaj lidhur me gjuhën amtare të Himariotëve thotë: Për të dëgjuar për herë të parë nga goja e vetë banorëve të Himarës, se cila është gjuha e tyre amtare, duhet të presim vitin 1759, kur himariotët i shkruajnë careshës Elisabeta se “flasim shqip, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnje, po në vende të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten”.18
Por nga letra e fundit vërtetohet se në vitin 1759 në Himarë nuk flitej greqisht nga populli, por del fakti se greqishtja si gjuhë nuk është gjuhë amtare, por një gjuhë e MËSUAR. “Flasim shqip” thonë himariotët, “të mësuarit flasin greqisht”. Kjo letër, ky dokument është i jashtëzakonshëm, brilant. Vetë himariotët me gojën e tyre vërtetojnë se janë shqiptarë dhe gjuhën greke e kanë mësuar. As më pak dhe as më shumë se ajo që ka thënë Herodoti për jonianët pellazgë: “…pellazgët flisnin një gjuhë johelene… popullsia atike (duke qënë pellazge) duhet të ketë mësuar një gjuhë të re kur u helenizua…”19
Pra edhe himariotët…mësuan një gjuhë të re kur u helenizuan… Mësuan greqishten. Pra greqishtja që flitet në Himarë, nuk ka qënë gjuhë amtare. Dhe çfarë është më e rëndësishme është fakti se greqishtja nuk preferohej nga paria e Himarës, pra nga fisnikët e krahinës, të cilët quanin si gjuhë të kulturës italishten, ashtu si fisnikët e Rusisë, që quanin gjuhë të kulturës frengjishten. Pra greqishtja ka qënë një gjuhë e rëndomtë, thjesht për tregti ose ndonjë interes tjetër material.
Konstatimi objektiv dhe i paanshëm i Uilliam Martin Leake (rreth 2 breza më pas nga koha, kur vetëm të mësuarit nga burrat flisnin greqisht në Himarë); “Gjuha greke flitet pothuajse nga të gjithë burrat në Himarë, italishtja nga ata që kanë jetuar përjashta (në Itali), por gratë në përgjithësi dinë pak nga ndonjë gjuhë tjetër përveç SHQIPES” është një argument brilant, që u mbyll gojën atyre që thonë sot, se greqishtja ka qënë dhe është gjuhë amtare e banorëve të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës. Ajo vërteton atë që është thënë më lart, se këta greqishtfolës janë fabrikuar edhe nëpërmjet shkollave greke të inicuara qysh në vitin 1777 nga Kozma Etoliani.
Studiusi Irakli Koçollari lidhur me të folmen shqipe të Himariotëve që morën pjesë në kryengritjen greke, pohon se, Në vitin 1824 Milingeni shkruan: “Pak ditë mbas mbrritjes sonë në Hrisavica, u paraqitën tek Mavrokordhatua… 200 himariotë të cilët kishin një paraqitje tepër luftarake nga tërë radhët e ushtrisë. Himariotët nuk dallohen fare nga arvanitët sepse veshja e tyre dhe gjuha e tyre është komplet e njëjtë, plus faktin që edhe fenë e kanë të njëjtë, me të vetmin ndryshim që ata himarjotët nuk dinë asnjë fjalë greqisht”.20
Lexojini me vëmendje këto rreshta ju që pretendoni sot, se himariotët janë grekë… Himariotët nuk dallohen fare nga arvanitët sepse veshja e tyre dhe gjuha e tyre është komplet e njëjtë… (Gjuha shqipe)…himarjotët nuk dinë asnjë fjalë greqisht . Dhe këto i thotë një helen i atyre viteve, 1824, i cili nuk e dinte, që do të vinte një ditë, që bashkëatdhetarët dhe bashkëklerikët e tij, do të thoshin të kundërtën.
Fakti që greqishtja nuk ishte gjuhë amtare në Himarë vërtetohej edhe nga fakti se ajo flitej në mënyrë të bastarduar, pra siç mund të flitet nga një i huaj. Kujtojmë këtu se si i tha Louis Beonleut arvanitasi nga Eleusa: Unë jam një helen-bastard. Ja se si e shpjegon këtë gjuhëtari Rami Memushaj:
“Përsa i përket shkallës së përdorimit të shqipes dhe të greqishtes në fshatrat greqishtfolëse, duhet thënë se aty kemi të bëjmë me një zonë tipike të kontakteve gjuhësore, ku dukuria e ndërimit të kodeve (language shift) gjatë ligjerimit është gjë tepër normale. Por kontaktet gjuhësore në zonën e Himarës, deri më sot kanë mbetur të pastudiura. I vetmi konstatim lidhur me këtë dukuri, lidhet me emrin e studiusit Kolë Kamsi, i cili, duke bërë fjalë për gjëndjen më 1925-1926, shkruan se këto tri fshatra “flasin një greqishte kaq të bastardhueme, sa 40 % të fjalëve i kanë shqype”.21
Argumente të pakundërshtueshëm lidhur me etninë dhe gjuhën e folur nga himariotët dalin edhe nga libri i Nilo Borxhias “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII):
“…për njerin prej tyre, meshtar vendas (nga Dhërmiu), shprehet hapur se e kishte ngarkuar me detyrën e përkthimit të katekizmit në gjuhën shqipe… Ai është një meshtar i quajtur Demetrio (Dhimitër), i cili e njeh mjaft mirë gjuhën shqipe meqënëse është vendës e njëkohësisht një katolik i vërtetë…”22
Konstatim brilant për çështjen që ndjekim… e njeh mjaft mirë gjuhën shqipe meqënëse është vendës…Pra, të paktën Dhërmiasit në vitin 1637 flisnin shqip, pasi si vendës e kishin gjuhë amtare. Më saktë dhe më qartë nuk ka.
Vazhdojmë me të dhëna të tjera nga Nilo Borxhia: “…të sillnin në Romë dy të rinj nga zonat kryesore të krahinës (së Himarës) me qëllim që të mësojnë në Kolegjin Grek virtytet dhe shkrim…me qëllim që kur të kthehen në vendin e tyre, gjithësecili mund të jetë më i vlefshëm se ne të huajt, qoftë se e njohin mirë gjuhën shqipe me të cilën mund të merren vesh në të gjithë zonën dhe që ne të tjerët (priftërinjtë katolikë), ashtu si edhe grekët (priftërinjtë ortodoksë) nuk e dimë…”23
Pra, gjuha shqipe flitej në të gjithë zonën e Himarës nga populli, dhe duke e ditur këtë gjuhë priftërinjtë e rinj mund të merreshin vesh me popullin, gjë që nuk e bënin dot priftërinjtë e huaj, qoftë ata italianë, qoftë ata grekë. Më “shqip” se kaq nuk ka se si të flitet.
Vazhdojmë më tej. At Nilo Katalano para se të vinte në Himarë në vitin 1693…zuri të mësonte më shumë dashuri dhe këmbëngulje gjuhën shqipe… At Filoteo Zassi… shkoi në Pilur fshat me 500 frymë, ku e ftuan banorët që të meshonte me rastin e ditrës së Shën Thanasit dhe ku predikoi në gjuhën shqipe…në vitin 1699 At Filoteo Zassi në një relacion shprehet se…gjuha e nevojshme për këta popuj është greqishtja dhe shqipja…të gjithë janë katolikë…Në titullimin që mori arbëreshi nga Sicilia Zef Skiroi për vitet 1721-1729 u quajt: “Arqipeshkv i Durrësit dhe vikar apostolik i Himarës dhe i Arbënit”… Zef Skiroi në Dhërmi i mësonte fëmijët, por edhe popullin që ta mësonin Doktrinën e Krishterë përmendësh në sheshet publike në gjuhën greke ose shqipe…”24
Duhet të sqarojmë se priftërinjtë ose murgjit katolikë që Kongregacioni i Shenjtë i Propagandes Fides i dërgonin në territore të kishës lindore, mësonin, në atë që quhej Kolegji Grek (Kolegji i ritit bizantin grek), përveç latinishtes edhe gjuhën greke, e cila ishte gjuha e kishës në këto territore. Prandaj edhe ritet fetare i kryenin në greqisht ose thjesht në shqip.
Po ju jap një shëmbull sa të thjeshtë, por në të njëjtën kohë dhe mjaft domethënës, që vërteton se greqishtja nuk ka qënë dhe nuk është gjuhë amtare e banorëve të Himarës e Dhërmiut. Dy nga gazetarët dhe folësit më të mirë televizivë të gjuhës shqipe, që njihen deri më sot në Shqipëri janë: I ndjeri Kiço FOTIADHI dhe Dhimitër GJOKA (shikoni mbiemrin Gjoka që ruhet akoma në Himarë), të cilët pa frikë mund të quhen ikonat e gazetarisë televizive, ose në gjuhën popullore “bilbilejtë e gjuhës shqipe”; Dhe a e dini se nga janë ata? I pari është nga Dhërmiu, dhe i dyti nga Himara! Po të kishin pasur greqishten gjuhë amtare, ata do ta kishin shumë të vështirë ta flisnin mirë gjuhën shqipe, dhe as që bëhet fjalë që ta flisnin shkëlqyeshëm. Pasi si çdo i huaj, do ta flisnin me akcent.
Tjetër fakt. Neço MUKA, bilbili i këngës popullore himariote, këngët e të cilit janë maja brilante e këngës himariote në veçanti dhe këngës labe në përgjithësi, këndoheshin SHQIP.
Por jo vetëm kaq, është një hollësi e vogël, por që është një argument i madh dhe i pathyeshëm; Shqipja e teksteve të këngës himariote, nuk është shqipja e teksteve të librave shqip të kohës, madje nuk është shqipja që mësohej në shkollat shqipe në Himarë, kur janë bërë këto këngë, në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ajo është shqipja që flitet në Labëri, madje në veçanti, shqipja e krahinës së Kurveleshit; madje, madje, si për çudi, është edhe shqipja e çamërishtes. Shikoni akcentin e përdorur në këto këngë dhe menjëherë do të konstatoni akcentin e të folmes së Kurveleshit dhe të çamërishtes. Pra ajo është shqipja e Kaonisë dhe e Epirit, epirotishtja.
Poeti popullor nga Piluri i Himarës, Lefter Çipa, në një intervistë është shprehur, se kënga himariote, këngët e Neço Mukës, nuk mund të këndohen greqisht, por as nuk mund të këndohen nga greqishtfolës. Përktheje në greqisht këngën “Vajza e valave”, humbet tingujt fonetikë që e bëjnë magjepëse në gjuhën shqipe, zhvlerësohet. Ato këngë janë bërë për tu kënduar shqip dhe të kënduara nga shqipfolës. Kjo vërteton se himariotët kanë si gjuhë amtare shqipen, ndërsa greqishtja, siç thotë edhe Shaban Demiraj, është një gjuhë e dytë e huaj.
Studiuesi Dhërmias Foto BIXHILI në librin e vet “Jipet e Iperit-Himariotët” thotë:
“E folmja tradicionale, historikisht e pandërprerë, që e ka shoqëruar Himariotin në Luftë dhe në Punë, në dasma dhe në vdekje, strumbullari i unitetit dhe i bashkimit, ajo që i jipte forcë dhe moral, ishte gjuha amtare shqipe dhënë dhe mësuar mëmë pas mëme, bijve të Himarës, me timbracionet fonetike himariote të labërishtes, që Maksimilian Lamberc e quan “dialekti himariot”,(Emil Lafe, “Maksimilian Lamberci-studiusi i gjuhës shqipe”, ST.Fil.nr.4, Tiranë 1982, f,180)… Gjuha greke ju është ngjitur trupit arbëror të këtyre tri fshatrave (Himarës, Dhërmiut dhe Palasës) si MISH I HUAJ që kërkon t’i vdesë…”25
Prandaj për këta himariotë, është e vlefshme thënia e Louis Beonleu për arbanitasit që: “Ata janë shqiptarë, por SHTIREN si GREK”.
Por ka gazetarë të medias së shkruar dhe asaj vizive këtu në Shqipërinë Londineze, që kur flasin për Himarën dhe banorët e saj, si pa të keq, sikur flasin për prodhime bujqësore dhe blegtorale, dhe jo për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të vendit të tyre, flasin si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” për “minoritetin grek të Himarës”. Këta gazetarë të papërgjegjshëm flasin kështu, pasi prokuroria shqiptare është në gjumë të thellë, dhe nuk ka marrë të pandehur ndonjë nga këta gazetarë për shkelje të ligjit dhe të kushtetutës, pasi tek ne minoriteti grek dihet kush është, ai është i përcaktuar me ligj.
Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia e deri në ditët e sotme”

______________
Referencat:
1 N.A.Kun.Mitologjia Greke, Gojëdhëna dhe rrëfenja Bot.TOENA-2005,Përkth.Shpëtim Çuçka, f, 105
2 Herodoti, Historitë, Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.IV,1-12, f, 230-234
3 Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth. Frëngj.Iliriana Angoni, f, 90
4 Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth. Frëngj.Iliriana Angoni , f, 128, 136-138
5 Herodoti, Historitë,Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.VII, 165, f, 435
6 Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip. “Naimi” 2014, Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 234
7 Nermin Vlora Falaschi,”Lashtesia e Gjuhës Shqipe”, Bot.Bardi Editore,Roma-1991,f,117
8 Louis Beonleu, Greqia përpara grekëve, Bot.PLEJAD-2008, Përkth. Frëngj.I.Angoni, f, 145
9 Jacob Phlipp Fallmerayer, Elementi Shqiptar në Greqi, Bot.Saraçi-2003, f, 86,104
10 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,134
11 Homeri, Odiseja,Onufri-2006, Përkth.Gr.Pashko Gjeçi, K.X,v. 628-633, 695-698, K.XI, v.16-20
12 Mehdi Frashëri, “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, Bot. I-rë 1928, PHOENIX-2000, f, 107
13 Jacob Philipp Fallmerayer, Elementi Shqiptar në Greqi, Bot.SARAçI-2003, Përkth.Gjerm.Nestor Nepravishta, f, 94-95
14 Rami Memushaj, “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 169-182
15 Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, Bot.INFBOTUES-2008, f,132
16 Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, Bot.INFBOTUES-2008, f,133-134
17 Shaban Demiraj, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”,Bot.INFBOTUES-2008, f,137,144
18 Rami Memushaj,“Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 169
19 Herodoti, Historitë,Bot.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.I. 57, f, 41
20 Irakli Koçollari, “Arvanitët”, Bot.”Naimi”-2012, f, 307
21 Rami Memushaj,“Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, Botim i Toenës 2004, faqe 181
22 Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip. “Naimi” 2014, Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 72
23 Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII), Bot.Shqip.”Naimi” 2014,Përkth.it.Mimoza Hysa, f, 174
24 Nilo Borgia, “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri” (Shënime nga misionet në Himarë: shek.XVI-XVIII),Bot.Shqip.”Naimi” 2014,Përkth.It.Mimoza Hysa, f, 233, 256-257, 265, 316, 326
25 Foto Bixhili, “Jipet e Iperit-Himariotët”, Bot.Toena-2004, f, 146, 154
______________

BESNIK Z.IMERI: HIMARA-ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9920
***
BESNIK Z.IMERI: HIMARA – ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9922

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura