BISEDË, PESHQ TË MËDHENJ, SHEIKËT APO BANDITËT SHQIPTAR TË NAFTËS DHE POLITIKA MIDIS TYRE

BISEDË, PESHQ TË MËDHENJ, SHEIKËT APO BANDITËT SHQIPTAR TË NAFTËS DHE POLITIKA MIDIS TYRE

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike, Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier, 31 gusht 2021

Në kohën e sotme, interneti na mundësoi të komunikojmë, këtej dhe matan Atlantikut, me të afërmit tanë, miq, shok dhe koleg, shpesh dhe në çdo kohë, por sigurisht duhet të respektojmë diferencën në kohë midis dy kontinenteve, në mënyrë që të mos i prishim gjumin njeri-tjetrit.

Pikërisht para disa ditësh bisedova me një mikun tim, koleg, ku kemi punuar bashk për një kohë të gjatë në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe Gazit, Fier. Pasi u përshëndetëm, si zakonisht kaluam në pyetje midis nesh dhe i pari e mori fjalën Ai duke me pyetur, si po ja kalon dhe me çfarë merresh? …, po ja, ju përgjigja unë midis të tjerash, si pensionist që jamë, megjithëse, në fakt, më vjenë për të qeshur kur them pensionist, sepse në moshën 65-70 vjeç intelektualët janë në kulmin e krijimtarisë, analizuese, interpretuese, përgjithësuese dhe prodhuese nga eksperienca e punës disa vjeçare, por kështu e solli koha dhe kështu veprojmë, shumicën e kohës e kaloj në shtëpi, …, dhe më tej vazhdova, për të mos u mërzitur bëjë ndonjë shkrim për problemet e industrisë naftës në Shqipëri në këtë periudhë tranzicioni që s’ka të mbaruar, por e shikoj që aty ka rënë fare interesi shtetit për këtë pasuri natyrore me vlera të mëdha monetare, intelektualët e naftës nuk ndihen fare, bile dhe mediat nuk i botojnë më këto shkrime, sepse preket politika dhe qeveria, që për ato janë vijë e kuqe, por unë dhe disa nga kolegët e mi, kur analizojmë situatën na rezulton se këto probleme me pasoja kaq të rënda i ka shkaktuar vetëm politika,…, por Ai, në anën tjetër të telefonit, nuk më la të vazhdoja unë.

Por i mërzitur e mori prapë fjalën dhe midis të tjerash shtoi, këtu gjendja është bërë shumë e rëndë, e padurueshme, nuk do t`ja dijë njeri se ҫfarë bëhet në naftë apo ҫfarë shkruajmë ne, e kanë harruar dhe nuk e përmendin fare atë,…, më tej Ai vazhdoj të më thoshte,…, vërtet shumë nga ne shkruajmë për industrinë e naftës në Shqipëri, për organizimin, Albpetrolin, konçesionet, për korrupsionin dhe vjedhjet që po shkatërrojnë këtë pasuri natyrore në këto 30 vite, etj., por çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër.

Më tej vazhdoj Ai, nuk e di, por industria jonë e naftës ka ca specifika të veçanta në zhvillimin e saj, sepse gjithë ajo punë 50 vjeçare dhe ato rezerva janë zbuluar nga ne naftëtarët dhe me parat e popullit, prandaj ato i përkasin atij dhe jo kompanive konçesionare. U përqendrua tek Kompania Bankers Petroleum, që shfrytëzon falas pellgun naftë-gaz mbajtës në rajonin Patos-Marinës-Kuçovë dhe nuk paguan asgjë në shtet, ndërsa unë po e dëgjoja me vëmendje, por ndërkohë, në kokë, më qarkullonin shumë mendime dhe thosha me vehte,…, eh miku im, Bankers Petroleum, është hajdutja më e madhe e naftës tonë, ka mbi 17 vjet që po bënë kërdinë, jo se kompanitë e tjera konçesionare nuk vjedhin, ato të njëjtën skemë mashtrimi përdorin për të vjedhur dhe vjedhin, por kjo zotëron një nga pellgjet më të mëdha naftë-gaz mbajtës në Europë, dhe realizon prodhimin më të madh të naftës në vendin tonë, e cila  mbrohet plotësisht nga qeveritë dhe nuk e ndëshkon drejtësia, sepse, atje, pas saj, fshihen qeveritarë dhe kokat kryesore të politikës së lartë, të lidhur me konçesionarin dhe ndajnë midis tyre gjithë fitimin që duhet të merrte shteti.

Ata janë hajdut të rrezikshëm, politikisht të rëndësishëm, që komandojnë shtetin, qeverinë dhe gjithë konçesionarët, janë pjesë e kupolës lartë, Politikan-Deputet-Qeveri dhe sipas klasifikimit që ka bërë ish Ambasadori Amerikan z. Donald Lu, ata futen në grupin Peshq të Mëdhenj, por unë sipas pasurisë që kanë vjedhur, i krahasoj me ata në vendet Arabe dhe do i quaj Sheikët Shqiptar të Naftës, por për nga zanati ngjajnë me ata në disa vende Afrikane dhe po i quaj Banditët Shqiptar të Naftës, kjo e fundit më duket më e goditur, meqenëse dhe shteti ynë në këto 30 vite ngjan shumë me ato në Afrikë. Vetëm se midis tyre ka një ndryshim, ata, banditët e Afrikës janë hajdut endacak, naftën e grabisin me armë dhe rrezikojnë jetën, kurse këta tanët luajnë me letrat zyrtare shtetërore, nuk rrezikojnë, se grabisin bashk dhe nën ombrellën mbrojtëse të qeverive, por të dy palët për nga zanati quhen hajdut.

Që të mos humbasim fillin e bisedës, miku im, unë do të shtoj se,…, këtë Bankers Petroleum, që më përmende, mbase të kujtohet, në Mars 2016 e bleu Kompania Kineze, Geo-Jade Petroleum, pra ndërroi pronar por jo emrin dhe para një viti, kjo, me një letër të hapur, denoncoi publikisht për ndjekje penale në SPAK, ku vinte në dijeni QEVERINË dhe disa AMBASADOR se, presidenti i saj në Shqipëri, Leonidha Çobo, vidhte kompaninë, prandaj, Ai, duhej dënuar dhe sekuestruar pasuria, por nuk tha gjë se kjo dhe ish-pronarët e saj, bashk me politikanët që fshehin, me Lonin në krye vjedhin shtetin shqiptar për mbi 17 vjet, sepse si drejtues kompanie, në gjithë këtë periudhë Ai vidhte kryesisht me falsifikim faturash, merrte toka me qira nga shteti, privatët, abuzonte me investimet, etj.

Këto ishin shpenzime shtesë për kompaninë, e cila gjatë gjithë kohës ka raportuar se punon me humbje, nuk ka paguar taksat dhe fitimin e shtetit. Pra, Bankers Petroleum dhe presidenti i saj Loni, kanë vjedhur bashk naftën tonë, të dy palët janë hajdut, por tani na del se kompania akuzon hajdutin e saj, Lonin. Lindin disa pyetje, ish-pronarët e saj dhe këta që e kishin Lonin 4 vjet prapë president, pse nuk e denoncuan që në fillim? por e akuzuan në mes të vitit 2020, kur debatet publike mbi korrupsionin në naftë u acaruan shumë dhe po ndihej era drejtësisë re?

Pas kësaj letre, Kompania Kineze Bankers Petroleum, hoqi hajdutin Loni, logjikisht është rritur fitimi I saj, atëherë pse raporton prapë se punon me humbje dhe shmang detyrimet e shtetit? Kush janë hajdut ish-pronarët apo këta? apo të dy palët vjedhin? dhe pse harxhojnë parat e tyre për të nxjerr naftë në Shqipëri?, kur punojnë me humbje. Me sa duket ish-pronarët ishin më liberal ndaj korrupsionit, e donin Lonin, nuk e akuzuan se ndanin bashk pjesën e vjedhur, kurse këta kinezët qenkan më hajdut, sepse dhe atë pjesë që vidhte Loni tani e vjedhin të gjithë vet. Atëherë mund të jetë ky denoncim një marrëveshje propagandë mafiozësh politik, midis qeverisë dhe kompanisë, se gjoja i korruptuar ishte vetëm Loni, që me siguri i intereson qeverisë se mbron hajdutët e saj, por dhe kompanisë se nuk paguan detyrimet. Në atë kohë u fol se gjoja GJYKATA FIERIT dhe SPAK po hetojnë Lonin për korrupsion, por ka mbi 1 vit që çdo gjë ka rënë në heshtje. Me sa duket procesi Loni dhe dosja e tij është mbyllur.

Eh mor POPULL, zgjohu, NAFTËTAR ngrini zërin të mbrojmë punën, djersën dhe pasurinë tonë, shikoni si luajnë hajdutët dhe qeveria, tallen me ne, pasurohen me naftën dhe i mbron drejtësia. Tani s’ka gjë tjetër veçse ne ti urojmë Lonit, konçesionarit dhe politikanëve hajdut: Të gëzoni djersën tonë.

Mirëpo nën shembullin e Bankers Petroleum, me të njëjtën skemë mashtrimi, kanë po kaq vite që vjedhin dhe kompanitë e tjera konçesionare, ndërsa shteti ka qepur gojën dhe hesht. Këtu e ndërpremë bisedën tonë.

Më pas po mendoja rreth bisedës, me mikun tim, për Bankers Petroleum dhe i thirra memories se dhe unë kam shkruar disa herë për pazaret e pista, mashtrimet, vjedhjet, korrupsionin që po shkatërron vendburimet, shtëpitë, puset e ujit të banorëve, ndotjet e ambientit nga gazet helmues, fontanat e hapura, etj., si dhe për hajdutët në kompanitë e tjera konçesionare, rolin që ka Albpetroli dhe shteti në këtë industri, etj. Fillova ti shkruaj mikut tim që të mos mërzitej, sepse Ai e njihte më mirë se unë këtë kompani hajdutësh, Bankers Petroleum, se më duket ka punuar ca kohë për atë.  

I dashur miku im,

Kompania Bankers Petroleum apo të tjerat dhe hajdutët pas tyre, nuk kanë frikë nga shkrimet apo mendimet që japin specialistët për problemet e naftës, sepse i mbron qeveria dhe populli e shikon vet se nafta po vidhet, por hesht, megjithatë ka ca fakte, disa prej tyre unë po i rendisë më poshtë, që indirekt tregojnë qartë se sa është fitimi dhe korrupsioni galopant në vendburimet ekzistuese të naftës:

-Nga shkrimet tona është bërë i qartë roli kryesor investues apo kontributi, që kishte industria jonë e naftës në zhvillimin e saj dhe të ekonomisë kombëtare në tërësi, si dhe në rritjen e mirëqenies popullit që pas luftës dytë botërore dhe deri në vitin 1990, kur ra Komunizmi dhe erdhi “Demokracia”.

-Një ndryshim shumë i madh në numrin e fuqisë punëtore që punonte dhe ushqehej në naftë, në periudhën e Socializmit dhe asaj që punon në këto 30 vite “Demokraci”.

-Ndryshimi i sasisë totale të prodhimit naftës, midis Socializmit, ku në dekadën e fundit prodhohej më pak se 1.2 milion ton/vit ose 7.55 milion barela/vit, ndërsa vetëm Bankers Petroleum ka deklaruar prodhim më të lartë se kjo shifër në vendburimin Patos-Marinës, me gjithë dyshimet në raportim.  

-Ndryshimi disa fish, në rritje, i çmimit të naftës bruto në tregun botëror, midis periudhës së qeverisjes socialiste, krahasuar me atë pas vitit 1994, kur u futën kompanitë konçesionare në vendburimet tona.

-Ndryshimi shumë i madh në vlerën e investimeve që ka bërë qeveria socialiste në 50 vite për zbulimin, zhvillimin, përgatitjen e rezervave për shfrytëzim, kompletimin e puseve dhe vendburimeve me pajisje sipërfaqësore dhe nëntokësore, etj., në krahasim me investimet tepër minimale që kanë bërë disa kompani konçesionare pas vitit 1994 apo disa të tjera që s’kanë investuar fare, sepse ato çdo gjë e gjetën gati, mbasi vendburimet ekzistuese ishin plotësisht në shfrytëzim.

-Abuzimet, ku të gjitha kompanitë konçesionare raportojnë se gjoja punojnë me humbje dhe nuk i paguajnë detyrimet shtetit, kurse në periudhën socialiste nafta ishte një industri pararojë që punonte vetëm me fitim, që ishte shumë i lartë, krahasuar me industritë e tjera dhe shteti e taksonte naftën.

-Ndotja e ambientit dhe gjithë problemet sociale që kompanitë konçesionare kanë shkaktuar për rreth vendburimeve të naftës, tregojnë qartë se ato nuk kanë eksperiencën e nevojshme në përpunimin e tyre dhe nuk bëjnë asnjë investim në këtë drejtim, pra nuk shpenzojnë dhe ligjërisht janë të falimentuara.

-Kompanitë aplikojnë shfrytëzim jashtë kapacitetit prodhues dhe pa studime në vendburimet ekzistuese dhe realizojnë prodhim më të lartë se sa prodhonim ne që aplikonim shfrytëzim me regjime optimale, por nga studimet tona vërehej rënia natyrale e prodhimit të naftës në sipërfaqet me rezerva të njohura, ndërsa disa kompani në gjithë këto vite, jo vetëm nuk kanë reflektuar rënie por rritje prodhimi. -Industria e naftës, në atë kohë, bënte shumë investime të tjera, suplementare, siç ishin investimet në fushën e kërkim-zbulimit për sipërfaqe të reja naftë-gaz mbajtëse apo zgjerimet në vendburime, që kërkonin volume të mëdha punimesh sizmike, kishim dy institute studimore-shkencore model për naftën  që kërkonin shpenzime për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve bashkëkohore, ndërsa këto kompani shpenzime të tilla i kanë zero, sepse ato shfrytëzojnë vetëm rezervat që kemi zbuluar ne deri në vitin 90’.

-Kishte akoma shpenzime të tjera që bënte industria e naftës në fushën e organizimit dhe drejtimit, që sot kanë dal jashtë loje, sepse nuk i duhen këtyre kompanive konçesionare. Këto janë organizmat drejtuese shtetërore që sot kanë mbetur në anën e shtetit dhe paguhen me taksat e popullit.

-Pavarësisht se nuk i kemi trajtuar të gjitha problemet në detaje, por vetëm me kaq çdo gjë është e qartë dhe e kuptueshme se kompanitë konçesionare, dalin tërësisht zbuluar, nudo ose cullak, midis të vërtetës dhe mashtrimeve apo justifikimeve se punojnë me humbje, ato nuk duan ti paguajnë detyrimet shtetit.

Kështu pra miku im, të gjitha këto dhe ca tjera, vërtetojnë se nafta jonë ka fitime të mëdha, por gjithçka vidhet nga politikanët, qeveritarët dhe konçesionarët. Këta hajdut mafioz që fshehin konçesionarët janë mjeshtra, i kanë bërë mirë hesapet dhe janë majmur me këtë pasuri, të thyejnë kokën me para, blejnë mediat që të mos denoncojnë korrupsionin dhe nuk tremben nga shkrimet tona, sepse kanë mbrojtje të fortë, qeveritë që zgjedh populli, prandaj këto po vlejnë vetëm për ne naftëtarët dhe fukarenjtë, por dhe ne kot mbajmë sytë nga qielli se ndoshta një ditë do ndryshoj gjendja dhe kjo pasuri do ti kthehet popullit, si tek përralla e dhelprës me rrushin që kur se arrinte dot, thoshte, nuk është pjekur ose si ujku që vërtitej rreth dashit dhe pa e mbytur atë shpresonte ti binin koqet, por kur ai kulloste i tundte ato për qefin e vet.

Ka të ngjarë, që në një ditë të bukur në vapën e nxehtë të Korrikut – 20…, kur konçesionarit Bankers Petroleum, do ti përfundoj kontrata, atij me siguri do ti shtohet afati saj me 5 vite të tjera dhe më pas, të mos na duket çudi, kur këta hajdut shteti do ti bëjë pronar të ligjshëm të kësaj pasurie, duke ja falur atë.

Kjo do të ndodh në të gjitha resurset natyrore kombëtare që janë dhënë me konҫesion apo që do të jepen në të ardhmen. Ky është një gabim fatal, i rënd dhe i qëllimshëm, por shumë i rrallë në botë.

Shpesh thonë se kontratat në vendburimet e naftës kanë mangësi, sepse favorizojnë konҫesionarët dhe shteti s’merr fitim, por nuk i prishim se kompanitë na çojnë në arbitrazh ndërkombëtar dhe gjobitemi rëndë. Kompanitë, konkretisht, janë të gjitha me thyerje kontrate, atëherë pse nuk jua merr vendburimet Albpetroli? dhe shteti s’ka punë me arbitrazhin. Para ca vitesh, Kompania Transatlantik Petroleum Ltd operonte vendburimet Cakran-Mollaj, Ballësh-Hekal dhe Gorisht-Kocul, theu kontratën dhe ministri Damian Gjiknuri, sipas ligjit, vendburimet ja dha Albpetrolit. Këto ishin raste ideale që pasuritë natyrore të shpëtonin nga kthetrat e konҫesionarëve hajdut, shteti nuk gjobitej dhe korrigjoheshin gabimet. Por menjëherë ministri Damian Gjiknuri, i dha prapë ato me konҫesion tek privatët, tani loja vazhdon, ata raportojnë se punojnë me humbje dhe s’paguajnë detyrimet.

Pse u dhanë prapë këto vendburime me konҫesion, pa u korrigjuar gabimet dhe ato i kishte Albpetroli? Qeveria ka dështuar me konҫesionet në vendburimet e naftës, pse nuk analizohen gabimet dhe të jepen zgjidhje të reja, por përsëriten gabimet?

Këto allishverishe qeveritare, bëhen me dashje dhe me qëllim të caktuar që politikanë dhe qeveritarë të futen në skema mafioze korruptive. Këto janë indicie për SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Ne jemi dëshmitar, se pas viteve 90’, një pjesë e pasurisë kombëtare u privatizua, mirë apo keq, me të drejtë apo padrejtësisht një pjesë e popullit u bënë pronar të ligjshëm në pronën e përbashkët ku punonin, duke e marrë atë në përdorim ose e blenë me çmim të arsyeshëm, siç u bë privatizimi i banesave.  

Kooperativistët u bënë pronarë në tokat bujqësore, ullishte, vreshta, pemëtari, blegtori, blenë mjetet motorike bujqësore, etj., ata në ndërmarrjet tregtare u bënë pronar dyqanesh, magazinash, etj.  

Punonjësit e naftës, minierave apo uzinave të përpunimit tyre, etj., që punuan në këto industri qysh në krijimin e tyre, pas çlirimit dhe deri në vitin 90’, jo vetëm nuk përfituan gjë nga privatizimi, por shteti i hoqi nga puna dhe i hodhi rrugëve si me qenë mall pa vlerë. P.sh në industrinë e naftës vlera e pasurisë, pra rezervat gjeologjike të zbuluara në vendburimet ekzistuese, ishin të llogaritura dhe zyrtarisht të miratuara në instancat shkencore.

Në vartësi të numrit të punonjësve në sektorin e kërkim-prodhimit për periudhën 1944-1990, nafta t`i jepet në pronësi gjithsecilit sipas viteve të punës. Po ashtu, disa ndërmarrje shërbimi si, uzinat mekanike, rafineritë, naftësjellësi, elektriku, etj., shumë mirë mund t`i jepeshin në pronësi punonjësve që kishin punuar në to. Pra, kjo është një formë privatizimi e industrisë së naftës, por më e mira është që kjo industri të qëndroj pronë shtetërore, nën administrimin e Albpetrolit. Megjithatë në të dy variantet, drejtimi apo bordi organizativ i përket punonjësve të saj dhe zgjidhet nga vet ata, i cili është përgjegjës për gjithë aktivitetin e saj, financat, kontratat, detyrimet ndaj shtetit, etj.

Këto ditë k/ministri jep intervista në kanale televizive prestigjioze, diku thotë ne nuk jemi vend i pasur, diku tjetër ne jemi vend i varfër. Shqipëria z. k/ministër, është vend i bekuar, i ka gjithë resurset natyrore, ka Naftë, Gaz, Bitum, Qymyr, minerale të çmuara me rezerva kolosale si Krom, Bakër me përmbajtje Ari dhe Argjendi, ka Ar, Hekur-Nikel, Titanium, Vanad, Platin, Uranium, Zhivë, Arsenik, etj., ka një mori hidrocentralesh, ka bregdet panoramik në gjithë gjatësinë e shtrirjes nga Shkodra në Sarandë dhe zona malore piktoreske për turizëm, ka toka bujqësore pjellore, etj., që e renditin ndër vendet më të pasura në Ballkan dhe në Evropë për pasuritë natyrore, bile për nga rezervat e naftës për frymë të popullsisë renditet me Malajzinë.

Mënyra se si flet k/ministri ynë të bie në sy se Ai, nuk i njeh fare resurset natyrore të vendit tonë, rëndësinë e tyre në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e popullit. Këto nuk i njohin as ata “këshilltarët” mediokër apo ato “çupëlinat” ministresha në dikasteret përkatëse, që Ai i ka zgjedhur dhe i mban pranë vetes. Ata janë thjesht cicëron të implikuar në afera korruptive por jo specialist të fushës.

Ne nxjerrim shumë naftë por nuk marrim asnjë fitim, sepse vuajmë nga një e keqe e madhe që në këto 30 vite nuk kemi qeveri. Qeveritë tona janë të dobëta, të ndërtuara me struktura mafioze politike të zhytur thellë në korrupsion, ato i drejton oligarkia financiare dhe krimi, ndërsa k/ministrat janë formal në detyrë. Ato janë të pa afta të kullandrisin apo drejtojnë shfrytëzimin e resurseve natyrore që të sigurojnë përfitime financiare për popullin dhe ekonominë, prandaj jua falin kompanive konçesionare mafioze dhe mundohen të gjejnë forma kozmetike për zhvillimin e saj, në mënyrë që të mashtrojnë popullin dhe të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet.

Pra, resurset natyrore shteti nuk i ka në listë edhe në planin tjetër 4 vjeçar të qeverisë re që prezantoi kryeministri, sepse nuk duan ti administrojnë ato, prandaj të rregullosh këtë gjendje katastrofë me pasoja kaq të rënda për ekonominë nuk është e lehtë dhe nuk dihet sa gjatë do të vazhdoj një situatë e tillë tepër alarmante. Qeveritë që mbajnë një qëndrim të tillë me resurset natyrore, që ecin me këmbët e veta dhe i sjellin fitime shtetit për të zhvilluar ekonominë, nuk i shërbejnë popullit por oligarkisë financiare. Ky problem madhor nuk zgjidhet me këtë model qeverisje, e cila çdo ditë po shkon thellë drejtë greminës, ku opozita vjedh bashkë me qeverinë dhe drejtësia komandohet prej tyre. Kjo shpurë hajdutësh penetron në çdo qelizë të ekonomisë ku resurset natyrore jepen me konçesion.

Po ritheksojse, për vendburimet ekzistuese, ku të gjitha kompanitë operatore nxjerrin naftë dhe raportojnë se punojnë me humbje, ka vetëm një zgjidhje, qeveria duhet ti pezulloj ato dhe ti heqi liҫencën sepse ato gjithë kohën kanë shkel kontratën dhe sipas ligjit duhet të deklarojnë falimentimin ose kompanitë dhe qeveria, të denoncojnë tek drejtësia hajdutët e tyre të përbashkët dhe ato, kompanitë, ti paguajnë detyrimet shtetit.

Qeveria është përgjegjëse direkt për këtë situatë, ajo e di mirë se kjo pasuri është pronë shtetërore dhe i përket popullit, nuk ka pse t’jua fal konҫesionarëve dhe hajdutëve, n.q.se ajo nuk është e aftë të administroj atë, të japi dorëheqjen. Mendoj se populli dhe naftëtarët e ndershëm këtë kërkojnë, por Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe drejtësia duhet të veprojnë ligjërisht për këtë çështje kaq serioze.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura