Bazel, 24. 01. 2014 – Nga intervista e fundit e Jusuf Buxhovit në KTV, me 22 janar fatkeqësisht kam humbur çdo respekt për të. Moralisht, tani ai është një hedhurinë që me qëndrimin e tij ka rrezikuar edhe gjithë produktin e tij intelektual. Nuk kam ndonjë respekt as për gazetarin gjysmë-injorant, A. Kelmendin, i cili gjatë bisedës nuk iu referua asnjë burimi tjetër serioz që ka kontestuar deri më tash figurën morale e shkencore të Jusuf Buxhovit, duke u kufizuar vetëm në një intervistë të Hysen Gegës, padyshim njëra ndër figurat më markante të luftës së Kosovës për liri. Mirëpo pos Hysen Gegës ekzistojnë dhe faqe të tëra të argumentuara bindshëm nga dy libra të Ibrahim Kelmendit, ndërsa në listën e bashkëpunëtorëve të UDB-së, Jusuf Buxhovin e vendos edhe njëra ndër figurat kryesore të UDB-së maqedone, Nafi Cegrani, i cili madje e akuzon atë edhe si pjesëmarrës në skenarin e likuidimit të vëllezërve Gërvalla.
* * *
Për dallim nga shumë të tjerë që kënaqen duke hedhur baltë kundër të tjerëve, intervistën me Hysen Gegën, botuar në “Zërin e Kosovës” me 1994, ku zbulohet roli i UDB-ashëve kosovarë në likuidimet e kundërshtarëve politikë anti-jugosllavë, dhe ku damkoset edhe një figurë e njohur intelektuale në Kosovë, e kam pasë realizuar me një qëllim të vetëm: të zbuloj moralin politik përmes të cilit një pjesë e establishmentit politik titist të Kosovës përpiqeshin, dhe përpiqen akoma, ta arsyetojnë përkatësinë dhe besnikërinë e tyre ndaj nacionalizmit shqiptar. (Lexoni intervistën e Hysen Gegës këtu: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2280 – sh.b) Kësisoj, në prag të rënies përfundimtare të këtij establishmenti, edhe figurat e tij më përfaqësuese, si Azem Vllasi, u hodhën në prehër të nacionalizmit. Ukshin Hoti në analizat e tij, vlimet politike në Kosovë të viteve 89-90 i shpjegonte me taktikën serbe, që duke i bërë armiq edhe aleatët e tij më të ngushtë të deridjeshëm, do të siguronte pranimin/përqafimin edhe të kësaj kategorie nga populli në Kosovë, gjë që do t’ia lehtësonte Serbisë pazaret e mëtejshme me Kosovën, sepse ajo me këtë kategori do të merrej vesh më kollaj se sa me “kokëngjeshurit e vitit 81”.
Besnikët e LKJ’së dhe themeluesit e LDK’së, Jusuf Buxhovi dhe Ibrahim Rugova.
Pas daljes sime nga burgu me 1985, ndër vizitorët e mi ishte edhe një ish-bashkëpunëtor i UDB-së në pension, i cili, për dallim nga të tjerët, fliste pa qime në gjuhë. Kur unë ia përshkruaja metodat mizore që përdorte Vesel Krasniqi ndaj të arrestuarve, pjesëtarë të grupeve ilegale, ai më thoshte: “Kujdes, edhe ai është nacionalist, por kryet e ka dikund tjetër”. Lihej të nënkuptohej kështu se ekzistonin dy linja nacionaliste në Kosovë: njëra, ajo enveriste, që kokën e kishte në Tiranë, dhe e dyta, ajo ballisto-zogiste, që kokën e kishte në Amerikë.
Mirëpo ajo që nga serbët u planifikua si një shans për të transformuar zgjedhën mbi Kosovën, deri dje përmes LKJ, ndërsa prej nesër, përmes LDK, pa lejuar zëvendësim elitash, nga gjenerata e vitit 81 u keqkuptua si një shans për një unitet nacional që do të çonte drejt rezistencës së përgjithshme dhe drejt lirisë e pavarësisë. Burra e të rinj, të mbledhur sidomos rreth LPK-së, e pranuan në mënyrë romantike vitin 90 si idealin rilindas të bashkimit mbarëpopullor, duke marrë edhe flamurin patetik të pajtimit të përgjithshëm të gjaqeve në emër të njëfarë uniteti romantik për matje muskujsh me serbët.
Sipas Ukshin Hotit, kjo fushatë anakronike i jepte dorë Serbisë t’i tregonte botës se “ja me ç’kategori kam punë unë, me njerëz që nuk njohin shtetin modern ligjor por kanunet mesjetare, dhe që u duhet akoma një tutor për t’i civilizuar”. Gjenerata e vitit 81, në vend se të mobilizohej për të bërë përmbysjen e ish-elitës titiste, duke imponuar vlera të reja morale e intelektuale, pranoi të mbrehej në qerren e saj, qoftë edhe përmes formulash qesharake si “marrja e kalasë nga brenda”. Ajo i pranoi në heshtje akuzat për enverizëm, ndonëse pala tjetër nuk mërzitej kur e akuzonin si titiste. Populli i Kosovës, i terrorizuar e i frikësuar për dekada të tëra, e pranoi në heshtje konvertimin e ish-establishmentit komunist në demokrat, dhe pranoi t’i vente pas me dy gishtërinj përpjetë, duke qenë i bindur se Rugova me klanin e tij do t’ia sillnin lirinë në pjatë, pa pasur nevojë për sakrifica.
Ndërkaq klani i Rugovës, duke pasur në dorë gjithë infrastrukturën e nevojshme për veprimtari legale politike nga Serbia, filloi t’i sfidonte subjektet tjera politike që s’kishin asnjë privilegj të tillë me provokacione cinike: “s’ju ndalon kush të ndaheni e të organizoheni”.
* * *
Pseudo-historiani Buxhovi në intervistën e tij madje pohon se 99% të popullit e kishin me vete, duke harruar për një çast se shifra të tilla janë tipike për Titon, Stalinin dhe Enverin. Buxhovi thotë se kishin marrë urdhër nga amerikanët që t’ia hapnin dyert e LDK-së edhe “enveristëve” e “marksistë-leninistëve”, pa hyrë në analizë me mendjen e tij të varfër intelektuale se përse do t’ua kenë dhënë amerikanët këtë urdhër. Pastaj, duke pasur monopolin e nacionalizmit në Kosovë, përse ua kishin hapur derën atyre, që sipas Buxhovit, do të kenë qenëtë lidhur me KGB-në ruse? Në këtë situatë, mbase duke u bërë hile edhe porosive amerikane, disa nga krerët e LDK-së filluan një fushatë spastrimesh, viktima më madhore e së cilës ishte Ukshin Hoti si drejtues i një dege të LDK-së. Nuk vonoi dhe ky fat më gjeti edhe mua në qytetin tim të lindjes. Kjo do të thoshte se ish-titistët nuk donin konkurrencë demokratike vlerash brenda radhëve të veta, por parapëlqenin linçimet e fshehta, ashtu siç ishin mësuar për dekada të tëra në establishmentin titist. Në këtë kohë bashkë me Ukshin Hotin nxorëm në Lubjanë gazetën “Demokracia Autentike” ku ia bëmë të qartë të gjithëve, dhe sidomos gjeneratës së vitit 81, se s’duhej të shprersonte më në LDK-në.
Lubjanë, Korrik 1990: Bislim Elshani në mesin e studentëve të UP’s, para selisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”.
Kur shkova me 1994 në Zvicër, kryeredaktori i atëhershëm i “Zërit të Kosovës” ma tha hapur, “ishit ju nga Lubjana që na i hapët sytë edhe neve”. Fatkeqësisht, edhe vetë disa figura madhore të LPK-së së asaj kohe kishin dilema serioze mbi atë se si duhej të sillej LPK-ja. Mbase pikërisht rruga e përçarjes brenda saj dhe e ndarjes përfundimtare nga vija e LDK-së, i solli LPK-së fitoren e madhe historike të formimit të UÇK-së dhe të ndezjes së luftës çlirimtare, ndërsa atyre që krenohen me 99% pasues, disfatën e turpshme.
* * *
Në punën time të mëhershme kam pasur fatin të publikoj dy libra të jashtëzakonshëm që groposin me themel bazamentin pseudomoral të nacionalizmit kosovar me parashenjën titiste: “Filozofinë politike të çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit dhe “Letrat nga mërgimi” të Viktor Çamit”. I pari, Ukshin Hoti, kishte pasur rastin të testonte disponimin e State-Departamentit amerikan kundrejt çështjes nacionale të shqiptarëve, gjatë studimeve të tij postdiplomike të Washington DC, qysh në fund të viteve 70, pra para shpërthimeve të vitit 81, dhe kishte marrë një përgjigje cinike, por nga prizmi amerikan krejtësisht të arsyeshme, përkatësisht, se shqiptarët nuk përbënin një faktor me peshë për të tërhequr interesimin amerikan në rajon. Dhe gjithë ajo që kishte bërë Ukshin Hoti në aktivitetin e tij të mëtejshëm politik ishte bindja e amerikanëve që shqiptarët megjithatë përbënin njëfarë peshe. Demonstratat e vitit ’81 i kishin habitur amerikanët. Ndonëse bota perëndimore i dha përkrahje qëndrimeve zyrtare jugosllave, për herë të parë në sytë e Perëndimit shteti shqiptar po fillonte të merrej seriozisht. Deri atëherë, në shërbimet e fshehta amerikane e britanike, akoma kalkulohej për ndonjë integrim të mundshëm në federatën jugosllave të shtetit shqiptar. Ky argumentim gjendet i pranishëm sidomos në librin e dytë që përmenda, me autor Viktor Çamin, njeriun që kishte qenë i kyçur në shërbimet e fshehta britanike a amerikane për një periudhë shumë të gjatë kohore.
Këta dy libra bëjnë të qartë një gjë, se arsyetimi i ish-establishmentit politik titist të Kosovës, se “ne ishim nacionalistët e vërtetë të Kosovës, sepse ishim anti-enveristë, antikomunistë, dhe pro-disponimit amerikan për shqiptarët”, është një arsyetim hipokrit dhe shërben vetëm si një alibi për të arsyetuar gjirizin moral ku ishin futur. Arsyeja është e thjeshtë: qëndrimi amerikan ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në periudhën e Lutës së Ftohtë nuk ishte në kundërshtim me qëndrimet dhe interesat ruso-sovjetike në këtë zonë ballkanike. Kjo do të thotë se UDB-ashët kosovarë që kishin lidhje me CIA-n, automatikisht ishin në harmoni edhe me interesat ruse. Logjika e historisë nuk shkon në vijë lineare. Amerikanëve u pengonte diktatori i kuq, Enver Hoxha, mirëpo në politikën e tyre globale, ky diktator ishte i mirëseardhur, sepse me kritikën e tij të ashpër kundër “social-imperializmit rus”, ndihmonte në realizimin e qëllimit të madh amerikan për të mundur komunizmin në shkallë globale. Ky qëndrim i amerikanëve është i dokumentuar në një dokument të State-Departamentit amerikan të kohës pas prishjes së Shipërisë me rusët, që na e prezantoi dy vjet më parë në TV historiani Paskal Milo. Pra paradoksalisht, Enver Hoxha kishte shërbyer si një Kalë Troje në kampin komunist dhe si një aleat i fshehtë i tyre.
* * *
Shpjegimi i Jusuf Buxhovit, se në Gjermaninë e viteve 70 po përplaseshin CIA e KGB-ja përmes grupimeve të tyre përkatëse, është tejet simplifikues dhe mund të bindë vetëm një budalla.
E para, nuk kanë qenë tërralla rastet kur qëndrimet amerikane janë përputhur me ato ruse (psh. dihet se rusët e lanë në baltë Naserin në konfliktin e tij me izraelitët në fund të viteve 60, pasi u morën vesh me amerikanët).
E dyta, nëse UDB-a kishte dorë të lirë ose leje nga CIA, siç del edhe nga disa hulumtime të investigatorit Auron Tare, për të likuiduar marksistë-leninistët e lidhur me KGB-në, si shpjegohet fakti që ajo likuidonte akoma më shumë aktivistë politikë të djathtë të lëvizjes kroate? Si shpjegohet pastaj dokumenti i prezantuar nga Auron Tare para disa ditësh mbi marrëveshjen CIA-UDB, sipas së cilës amerikanët ia linin në dorë UDB-së monitorimin e shqiptarëve në Ballkan? Pastaj, nëse euro-perëndimorët do të shqetësoheshin për aktet terroriste jugosllavo-ruse, përse nuk e penalizuan asnjëherë Jugosllavinë për këto akte? Vetëm sot, pas 30 vitesh, gjermanët u kujtuan të kërkojnë urdhërdhënësin për vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit.
Paradoksi i fundit i politikës amerikane është çlirimi i Kosovës. Përkundër pritmërive se ky çlirim do të vinte si rezultat i lidhjeve perëndimore me forcat e dëshmuara antikomuniste në Kosovë, me të kaluar politike titiste, çlirimi erdhi si pasojë e lidhjeve të tyre me ata që ishin damkosur nga forcat rugoviste si “enveristë të frustruar”.
Shuplaka më e nxehtë që morën Rugova me Bukoshin, ishte ajo që u dha Presidenti Klinton në maj të vitit 1998, kur I detyroi të pranonin bashkëpunimin me kryeministrin Nano dhe të mos shpresonin në rikthimin e Berishës. Kësisoj amerikanët po u jepnin leksione provincialëve politikë të Kosovës se si funksionon politika.
Një leksion që si duket akoma nuk e kanë përvetësuar.
* * *
Pranimi i Ramush Haradinajt për të pasur si këshilltar Mahmut Bakallin dhe pranimi i tij dhe i Hashim Thaçit për të pranuar I. Rugovën si bashkëpunëtor, ndërsa më vonë edhe si shef, i hapi derën konsolidimit të ish-elitës titiste me pseudovlerat dhe me pseudomoralin e saj në periudhën e re të Kosovës së lirë. Akad. Rexhep Qosja e akuzoi kohë më parë Thaçin se ishte rrethuar me njerëz të gabuar. Me këtë ai do të thoshte se ish-komandantët e UCK-së, me Thaçin në krye, nuk kishin ditur ose nuk kishin dashur të sjellin vlera të reja në jetën politike e kulturore kosovare, por kishin preferuar, për shumë arsye, t’i përqafonin ato titiste. Vetëm në ndonjë rast të rrallë kemi pasur ndonjë paraqitje kontestuese të këtyre pseudovlerave, sidomos nga Adem Demaçi, nga pozita e pavarur, ose nga Hydajet Hyseni e Jakup Krasniqi, si deputetë të PDK-së, po pa fuqinë e duhur për të krijuar një model të ri politikë elitar.
* * *
I provokuar nga disa vërejtje në rrjetin social Facebook, se nuk duhet diskredituar moralisht figura e respektuar intelektuale e Jusuf Buxhovit, kam dhënë këtë shpjegim:
“Nuk më duket punë me mend falsifikimi i së kaluarës apo fshehja e së vërtetës sepse dikush rrezikon diskreditimin. Shkrimtari i madh gjerman, Gynter Grasi, e pohoi me gojën e vet se kishte qenë në një organizatë naziste, dhe nuk humbi gjë nga autoriteti i tij, përkundrazi, akti i tij u vlerësua nga gjermanët e thjeshtë si një akt i guximshëm. Nuk do të pësonte gjë z.Buxhovi nëse do të fliste hapur për atë pjesë të pakëndshme të jetës së tij, përkundrazi, do të vlerësohej sinqeriteti i tij dhe veprat e tij të fundit nuk do të vlerësoheshin më si një “larje mëkatesh”. Jemi në kohën kur askush nuk i shpëton dot çmitizimit, dhe vetëm nxjerrja në shesh e të metave tona mund të na çojë më shpejt përpara. Në anën tjetër, raportimi i sinqertë i UDB-ashëve kosovarë dhe bashkëpunëtorëve të tyre mbi veprimtarinë e tyre të dikurshme do të mbyllte njëherë e përgjithmonë shtegun e spekulimeve të pafundme, nga të cilat nuk ka shpëtuar dot as edhe rrethi i ngushtë familjar i vëllezërve Gërvalla.”
* * *
Nga intervista e fundit e Jusuf Buxhovit në KTV me 22 janar fatkeqësisht kam humbur çdo respekt për të. Moralisht, tani ai është një hedhurinë që me qëndrimin e tij ka rrezikuar edhe gjithë produktin e tij intelektual. Nuk kam ndonjë respekt as për gazetarin gjysmë-injorant, A. Kelmendin, i cili gjatë bisedës nuk iu referua asnjë burimi tjetër serioz që ka kontestuar deri më tash figurën morale e shkencore të Jusuf Buxhovit, duke u kufizuar vetëm në një intervistë të Hysen Gegës, padyshim njëra ndër figurat më markante të luftës së Kosovës për liri. Mirëpo pos Hysen Gegës ekzistojnë dhe faqe të tëra të argumentuara bindshëm nga dy libra të Ibrahim Kelmendit, ndërsa në listën e bashkëpunëtorëve të UDB-së, Jusuf Buxhovin e vendos edhe njëra ndër figurat kryesore të UDB-së maqedone, Nafi Cegrani, i cili madje eakuzon atë edhe si pjesëmarrës në skenarin e likuidimit të vëllezërve Gërvalla.
(shiko: http://www.albaniapress.com/lajme/8258/SI-I-ZBULOI-SHOKET-DHE-KUNDERSHTARET-E-TIJ-BRENDA-UDB-se-UDBASHI-NAFI-CEGRANI-.html)
_________________________
Prizren, (Dardanë) 1992: Ukshin Hoti (prapa shpinës së Eqrem Kryeziut), Bajram Kurti, Bislim Elshani, Afrim Hoti, Ismet Gashi, Ragip Hoti, Ismail Kryeziu etj.
Lubjanë,korrik 1990:Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu, Sali Kabashi, Bislim Elshani dhe (?)
Lubjanë, korrik 1990: Në oborrin e selisë së SHKSH: “Migjeni”, Bislim Elshani, Ali Aliu, Zekeria Cana, Shemsi Reçica…, me grupin e studentëve të Universitetit të Prishtinës.