GJOKË DABAJ: KU PO E ÇON VETEN NJERIU I SOTËM, PA LIBËR?!

Tiranë, 16 prill 2018: (Thirrje për një neoracionalizëm) – Jam shumë i shqetësuar! Jam mirëfilli i alarmuar lidhur me fatin që njeriu i sotëm po ia përgatit vetes, pa vetëdije. Sirenat e alarmit janë të shumta, filluar nga fenomeni BANKË,me rolin që ajo po luan sot në sistemin, në dukje „TË PËRSOSUR“, por në fakt një krizëprurës të parrugëdalshëm, deri te fenomeni i çiftëzimit mashkull me mashkull, që po na paraqitet si një “E DREJTË E NJERIUT”. Sirenat e alarmit, po them, janë aq të shumta, sa njeriu e ka vështirë të përqëndrohet për të MENDUAR, le më për të BËRË diçka të vlefshme.
Por unë po marr tash vetëm qëndrimin e njeriut të sotëm NDAJ LIBRIT. Është harruar LIBRI! Është lënë mbas dore më keq se kur 90% e njerëzimit ishte analfabete. Është braktisur LIBRI në mënyrën më të palejueshme!
Shtëpia ime është plot me libra. Fillo që nga hyrja e përfundo te dhoma e pritjes: gjithkund ka libra. I kam të gjithë fëmijët me shkolla të larta. Asnjërin prej tyre nuk e shoh të ndalet te ndonjëri prej raftevet dhe të shfletojë aty ndonjërin prej libravet. I kam nipërit në moshën shkollore. Ata, drejt e te pulti i televizorit, te filmat me KUKULLA njerëzish dhe kafshësh dhe te Gugëlli. Nuk i shoh asnjëherë të zgjedhin ndonjë libër, qoftë edhe nga ata që flasin për princeshat e përrallavet dhe për kopshtet e kafshët që rrethojnë. Më të rriturit mundohen t’ua ofrojnë librat, mundohen madje t’i detyrojnë për të lexuar, por ata as që duan t’ia dinë. (Përse do të duhej ta dëgjonte fëmija të rriturin për të lexuar, kur vetë i rrituri nuk e ka bërë traditë të lexojë?!) Mendja e tyre është te interneti e te lojërat që i gjejnë atje me shumicë dhe që s’u bëjnë mirë: as mendjes, as trupit (muskujvet) dhe as moralit të tyre.
Më vijnë në shtëpi miq të ndryshëm. Kur them të ndryshëm, e kam fjalën, qoftë te mosha, qoftë te shkalla e arsimimit të tyre, qoftë te afërsia farefisnore. Që të gjithë janë të dashur për mua dhe të mirëpritur. Gëzohem kur më vijnë, bisedoj me ta, i qeras ime shoqe me ç‘të na gjendet dhe e vë re që kanë qejf të rrinë. Mirëpo, mua më bren si përherë e njëjta brengë: Mysafirët e mi nuk flasin për librat dhe asnjëherë nuk ndodh që ndonjëri prej tyre të çohet e të shfletojë për shembull një libër të Servantgesit, të Fan Nolit apo, ta zëmë, të Amadeo Baçit ose të Basir Bushkashit. Mirë, për librat e mi, që ndoshta nuk e kanë forcën e duhur për t’i tërhequr, por as Shekspiri, Pushkini a Lu Sini nuk u interesokan?!
Më erdhi një ditë një djalë që është lindur e rritur në Gjermani. E kam të afërm. Është me arsim të lartë. Nuk ia hodhi as sytë bibliotekës sime! M’u duk sikur s’i pa fare gjthata libra rreshtuar nëpër rafte! Dhe kjo ndodh në një kohë që unë do të dëshiroja që të paktën njerëzit e mi t’i lexonin librat që shkruaj unë. Nuk i lexojnë! Dinë që axha i tyre apo daja i tyre, apo gjyshi i tyre, merret me punë librash, por më tutje as që duan të thellohen. Madje as onlain nuk i lexojnë!

Kjo dukuri NEGATIVE, themelisht VETËSHKATËRRUESE e species njeri, në përmasa gjithnjerëzore, në këtë shekull dhe me pasoja tepër të frikshme edhe për shekujt e ardhshëm, nuk po fillon as po mbaron te biblioteka ime, por ka filluar shumë më larg, ndoshta në bibliotekat e Parisit, Moskës, Londrës, Njujorkut, Tokios, Shanagait, dhe po mbaron, po „finalizohet“ këtu te unë, në njërin nga fshatrat periferikë të Durrësit, qytetit që qysh prej Antikitetit ka pasur akademi dhe biblioteka nga më mbresëlënëset.
Pata rastin një ditë të kaloja nëpër njërën prej lagjevet të Durrësit. Vitrina të mëdha e të vogla, mbushur me mallra nga më të ndryshmit. I shkon mendja njeriut, se s’ka artikull që prodhohet dikund në botë e të mos jetë ekspozuar këtu. Mirëpo, mua, si njeri me mendje të sertë, më çoi nepsi të gjeja një librari. I rashë lagjes kryq e tërthor, por librari nuk gjeta. Doemos, një mall që nuk kërkohet, s’ka pse sillet dhe s’ka pse ekspozohet. Kush po e ka mendjen te librat në këtë kohë?!
Në vend të libravet, ja ku i ke, që nga gomisteritë njërën mbas tjetrës e deri te sallonet e bukurisë, ku njeriu shkon dhe shtrihet për t’i larë e zbukuruar flokët „në mënyrën më moderne“, duke ia fërkuar tëmthat e çaçkën e kokës gishtat e butë e të këndshëm të frizerevet.
Ç’i duhet njeriut LIBRI, kur që të gjitha ia jep të gatshme INDUSTRIA?!
Sa për qind e njerëzvet, që i kanë bërë 8, 12 apo 16 vjet shkollë, nuk e kanë lexuar Volterin? Po them Volterin, që është më i lehtë për t’u kuptuar, por edhe Hegelin, Marksin apo Kantin, a do të ish keq që t‘i lexonin e pakta 20 për qind e atyre që e kryejnë një shkallë arsimimi?!
Sa për qind prej, ta zëmë, mbi 4 miliardë njerëzvet, që e kanë kryer aq shkollë sa të dinë të lexojnë, nuk i kanë lexuar: Platonin, Aristotelin, Lukianin?! Apo nuk i duhen sot njerëzimit Platoni, Aristoteli e Lukiani?!
Ka mendime që njeriun e sotëm e pajisin me dije të mjaftueshme të quajturat media sociale: Jutubi, Gugëlli, Fejzbuku. Por kjo nuk është më shumë se një e vërtetë relative. Dhe, e vërteta relative dihet që fillon te zeroja për qind dhe mbaron, simbas rastit, afër qindpërqindëshit. Ndërkohë, të dhënat statistikore po na i nxjerrin mbi 80 për qind të njerëzvet „analfabetë funksionalë“. Ç‘do me thënë „analfabet funksional“? „Analfabet funksional“ do me thënë, t’i kesh djegur 8, 12 apo 16 vjet shkollë dhe të mos dish, as të shkruash, as të lexosh siç duhet shkruar e lexuar. Kjo është katastrofë!
Kush është ai që i hyn Iliadës për ta lexuar në internet?! Kush po e lexon Komedinë Hyjnore në internet dhe, aq më pak, kush po e përjeton dhe analizon Komedinë Hyjnore fill e për pe, siç ndodh e duhet të ndodhë, kur lexohet një libër prej letre?! Sa është numri i ndividëvet që nuk e lexojnë Garcia Markesin onlain?! Po flas për njeriun në shkallë planeti, për specien njeri, i cili, bashkë me specie të tjera, po e çon edhe veten atje ku nuk duhet.
Le të mos ndalemi te letërsitë kombëtare, të cilat duhet t’i njohin, përjetojnë dhe adhurojnë të gjithë pjesëtarët e një kombi, përndryshe harrojnë kush janë dhe pastaj harrojnë edhe çka janë. Kush prej shqiptarëvet po i lexon onlain, Naim Frashërin, Ndre Mjedën, Andon Zako Çajupin apo De Radën?!
Në këtë mënyrë, relativiteti i vetedukimit të njeriut, i vetëfomimit të njeriut, i vetarsimimit të njeriut, i të pajisurit me dituri e kulturë solide, po shkon përditë e më shumë drejt ZEROS. Dhe, a e dini ç’do me thënë kulturë solide dhe edukatë solide ZERO?! Kulturë solide dhe edukatë solide ZERO do të thotë qind për qind kulturë dhe edukatë surrogato. Fjala surrogato vjen nga latinishtja dhe ka kuptimin e diçkaje që s’e ka vlerën e vërtetë, e diçkaje që gjason, por s’është as afër asaj që duhet. Duket fushë e është HUMNERË!
Është përhapur një mendim që LIBRIT PREJ LETRE tashmë i ka kaluar koha dhe njeriu po e marrka tashmë kulturën („aq kulturë sa i duhet“), në rrjetet socialë. Opingat po merr në rrjetet socialë! Rrjetet socialë, kur nuk përdoren mençurisht, po e shkëpusin njeriun nga jeta që e rrethon dhe po e shndërrojnë në një somnambul fantazëm…
Ulesh në autobus, 50 njerëz rrinë në 4 rreshta njëri mbas tjetrit dhe s’dëgjon njeri të shqiptojë qoftë edhe një fjalë! Që të gjithë kanë vënë kufjet në veshë dhe komunikojnë me një botë që s’është aty. Po mendoja një ditë, duke ndenjur, ashtu i heshtur, midis asaj njerëzie të heshtur: Po sikur ky autobus të përmbyset papritur, a thua ata të „ajfonit“ do të vijnë t’u lidhin gjymtyrët e thyera këtyre pasagjerëve memecë?! Ç’është gjithë kjo epidemi e mbylljes në vetëvete?!
E njëjta sëmundje e individualizmit fatal i ka mbuluar edhe banorët e pallatevet, me pak përjashtime. Mund të jetosh me vite në një apartament dhe s’i ke këmbyer dy fjalë me fqinjët që banojnë derë më derë me ty! Le më me ata që banojnë sipër teje apo poshtë terje!
Nuk është e vërtetë që LIBRIT PREJ LETRE i ka kaluar koha. Ka shumë shpikje njerëzore, të cilavet nuk u kalon koha asnjëherë. Për shembull, RROTA është një nga shpikjet më të lashta, por ajo asnjëherë nuk mund të nxirret nga përdorimi. Përsosje ka, ka edhe zgjërim përdorimi, por RROTA mbetet në të gjitha kohët një shoqërues i pandashëm i atij që e ka shpikur, domethënë shoqërues i njeriut, deri sa t’i ketë ardhur fundi edhe njeriut.
Kështu edhe LIBRI PREJ LETRE, i cili gjithashtu është një shpikje shumë e lashtë e njeriut, duhet të mbetet një shok i përjetshëm i shpikësit të vet, në mos, prite fundin edhe të vetë shpikësit!
Transmetimi i librit nëpërmjet satelitit i ka, pa dyshim, vlerat e veta. Por ai nuk duhet ta eklipsojë e, aq më tepër, ta nxjerrë nga përdorimi LIBRIN PREJ LETRE. Libri onlain ka vendin dhe rolin e vet, libri prej letre ka vendin dhe rolin e vet.
Në vend që të predikohet mospërdorimi i librit prej letre, ose të lihet në heshtje neglizhimi me të, njerëzimi e ka të domosdoshëm rikthimin te libri prej letre dhe te përsosja e përdorimit të tij pikërisht si të tillë.
Në kushtet kur arsimimi, qoftë edhe ai tetëvjeçar, është përhapur tashmë në të gjithë botën, nuk është zhvillim normal që përdorimi i librit prej letre të bjerë. Përkundrazi, përderisa njerëzimi shpenzon kaq shumë për t’u mësuar fëmijëvet lexim e shkrim, ai, pra njerëzimi, duhet të gjejë rrugët që edhe mundimi për t’ua mësuar fëmijëvet atë lexim e shkrim, të mos shkojë kot. Përse po shpenzohen gjithato para për t’u mësuar fëmijëvet lexim e shkrim?! A për të mos lexuar e për të mos shkruar?! Apo për ta reduktuar të lexuarit e të shkruarit në 50 apo 60 fjalë fluturuese, që aty shfaqen e aty zhduken në rrjetat e internetit?!
Njeriu që ka mësuar lexim e shkrim, duhet ta bëjë shprehi për të lexuar e shkruar gjithë jetën, sa të jetë gjallë.
Njeriu i shpenzon, e pakta 100 minuta në ditë, e theksoj: në ditë dhe çdo ditë, për të ushqyer BARKUN e vet me gjellë, herë cilësore e herë si t’i vijë. Njeriu ulet në tryezë tri herë në ditë, në të shumtën e rastevet edhe në mënyrë ceremoniale. Në familjet, të edukuara me traditë fetare, thuhen edhe lutje duke falenderuar Zotin që na e ka siguruar „bukën e përditshme“. Njeriu shpeshherë shtrohet edhe në gostira, për të kënaqur shijet me gjellëra e me pije, të cilat mund të zgjasin me orë të tëra. Dhe e gjithë kjo bëhet për të ushqyer STOMAKUN, në një kohë kur, për të ushqyer TRURIN në mënyrë mençurore, cilësore dhe sistematike, specia njeri nuk po bën thuajse asgjë. E ushqen barkun specia njeri simbas një rregulli të konsoliduar! Po trurin?! Trurin njeriu e ushqen në mënyrë spontane (përjashtuar institucionin shkollor) dhe shpeshherë edhe me forma spekulative. Të ushqyerit e trurit nuk ka oganikë të përditshme. Nuk ka orar të përcaktuar ditor: Kur njeriu duhet të merret specifikisht me të ushqyerit e trurit? Deri më sot njeriu s’e ka bërë fare traditë as të falenderojë Zotin, as Njeriun, atë Njeri që shkruhet me shkronjë të madhe, i cili, krahas „bukës së përditshme“, ka krijuar edhe „librin e përditshëm“. Nuk i shkon kujt mendja ta falenderojë Njeriun, atë me shkronjë të madhe, sepse na ka krijuar diturinë: gramatikën, folkloristikën, etikën, psikologjinë, filozofinë, letërsinë artistike (përzier: dituri dhe kënaqësi), fizikën, biologjinë, kiminë, astronominë. Na i ka krijuar, jo për t’i mbajtur nëpër rafte, por PËR TË USHQYER TRURIN me to, jo vetëm në klasë e në auditor, por EDHE NË SHTËPI, (a në banesë, a në kasolle, a nën çadër… të secilit individ, kudo që të jetojë individi).
Njeriu shpenzon shumë kohë për të siguruar një STREHË. Punon, sigurisht me të drejtë, për të pasur një shtëpi a një banesë. Njeriut shpeshherë s’i mjafton një shtëpi, por ia siguron vetes 2 a 3, një në bregdet, një tjetër ndër male. Po për të ditur ç’kanë thënë TË VDEKURIT kur ishin gjallë, sa kohë shpenzon njeriu?! Për të ditur dhe për ta përjetuar, si e shpiku Edisoni llambën elektrike, sa kohë shpenzon njeriu?! Domethënë, sa lexon për t’u informuar lidhur me këtë nder të madh që na ka bërë Edisoni ne, mbasardhësvet të tij?! Po për të njohur, si jetoi e si krijoi Njutoni?! Për të njohur Miçurinin?! Për të njohur Lui Pasterin?! Na kanë bërë shumë të mira të këtillë njerëz! Është mosmirënjohje, të mos ua dimë jetëshkrimet! Është e pamoralshme, të shfrytëzojmë të mirat që i kanë bërë ata njerëzimit dhe të mos ua lexojmë biografitë, që shpeshherë janë të ndërthurura edhe me peripeci!
Njeriu shpenzon kohë për të pajisur shtëpinë me orendi, me sistem ngrohjeje, me frigoriferë, me makinë larëse (për rroba dhe për pjata), me dush e me vaskë, me komplet tenxheresh, me koleksione pjatash e pjatancash, me lugë, me pirunj, me thika, me taketuke…
Njeriu shpenzon kohë dhe punon shumë për të blerë orendi për të ndenjur, që TË NDENJURAT t’i rrinë butë, të mos i vritet prapanica dhe shpina të mos i vritet kur bie për të fjetur: divanë, kolltuqe, karrike, krevatë, dyshekë dormeo, jorganë, jastëkë, çarçafë…
Njeriu shpenzon shumë kohë dhe punon shumë për t’u veshur: kostume, këmisha, brekë, çorape, këpucë, sutjena, xhinse (të grisura te gjunjët), funde (të gjatë, të shkurtër dhe shumë të shkurtër), fustanë (verorë, pranverorë, vjeshtorë). Plot raftet! Aq sa i teprojnë dhe i hedh ndër mbeturina, ende pa u vjetruar e pa u grisur askund!
Po për të lexuar veprat e Balzakut dhe ato të Tolstojit, a kujtohet njeriu i sotëm të shpenzojë kohë?! Po për të njohur deri në hollësi, nëpërmjet, ta zëmë, Dostojevskit, Servantesit, Bokaçios apo Mark Tuenit, si kanë jetuar njerëzit e atyre kohëve, sa kohë shpenzon njeriu i sotëm?!
Njeriu shpenzon kohë për t’u larë e për t’u krehur, për të prerë thonjtë e për të rruajtur mjekrën. Dhe kjo bëhet në mënyrë SISTEMATIKE. Me shumë të drejtë, sepse ndryshe njeriut i qelbet trupi dhe shëmtohet. Por, a nuk i QELBET dhe a nuk i SHËMTOHET edhe truri njeriut, nëse nuk e trajton ditë për ditë me doza të kulturës dhe të etikës gjithnjerëzore e gjithkohore, shkruar më së miri nëpër librat?!
Unë kam parë gra injorante, të cilat as që duan t’ia dinë si janë krijuar dhe nga kanë ardhur rrobat e tyre apo pajisjet e shtëpivet të tyre. Ato as që ia dinë për nder gjithatij mundimi njerëzor që është harxhuar, deri sa janë krijuar ato rroba e ato orendi aq të mrekullueshme. Madje mendojnë që KREJT merita është e tyre, që i kanë ato gjëra aq të bukura. Gra me mendje të shterpët, shterpësia e të cilavet arrin deri në dilemën për të pasur apo për të mos pasur një fëmijë. Prej të tilla grashë e burrash të tillë, nuk mund të pritet që t’u interesojë, kush kanë qenë Faradei dhe Maksvelli dhe ç’i kanë dhënë njerëzimit! Kush kanë qenë: Adam Smithi, Xhejms Vati, Aleksandër Belli?!.
Megjithatë, nuk mund të themi që njeriu i sotëm nuk i ka edhe disa fusha veprimtarie që lidhen drejtpërsëdrejti me etikën e me kulturën. Ka, madje plot të tilla, me të cilat një pjesë e madhe e njerëzimit e mbush krejt kohën që i tepron nga puna e nga gjumi. Ka muzikën, ka filmin, ka teatrin, ka shëtitjet nëpër vende me histori, ka muzeumet.
Por, a mund ta zëvendësojnë LIBRIN PREJ LETRE këto veprimtari? E marrim parasysh që një pjesë e njerëzvet i dëgjon dhe i përjeton: Moxartin, Shopenin, Çajkovskin në teatrin e operës ose në emisionet televizivë. Një pjesë e njerëzvet, por jo shumica, i shikon dhe i përjeton: Pikason, Gojën, Da Vinçin, nëpër galeritë e artevet pamorë. Por a është e lejueshme ta harrojë njeriu i sotëm librin deri në atë shkallë, sa t’i njohë fare pak ose aspak, JETËT e këtyre njerëzve që u kanë dhënë aq shumë artit dhe kulturës gjithnjerëzore?!
Unë nuk e kuptoj përse nuk është përcaktuar njeriu i sotëm ta shpenzojë të paktë 2 për qind të kohës për të lexuar, jo libra virtualë, tekste që avullojnë, por libra të mirëfilltë PREJ LETRE. A kaq i cekët qenka njeriu, sa të mos e shikojë dot rrugën nga duhet të orientohet, por të shkojë andej nga e shtyjnë vorbullat që edhe mund ta fundosin?!
Me 2 për qind të kohës 24-orëshe njeriu, i cili i ka kryer 8 klasë shkollë, do të mund të lexonte e pakta 20 faqe LIBËR PREJ LETRE dhe të thoshte: “Po e bëj këtë punë për nder të Çaj Lunit dhe për nder të Gutenbergut”. (Plaça unë, në e dinë 0,5 për qind e të gjithë atyre që kanë mbaruar një shkollë 8-vjeçare, kush kanë qenë Çaj Luni dhe Gutenbergu!) Thashë PREJ LETRE, sepse pikërisht në librin PREJ LETRE njeriu mund të shprehë edhe mendimin e vet: “Ka thënë mirë apo s’ka thënë mirë, ky që i ka shprehur me shkrim këta mendime?!”
Kjo ka shumë rëndësi! Nuk mund të bëhesh i ditur pa bashkëjetuar me tekstin që lexon. Nëse autori nuk ka thënë mirë, lexuesi e shpreh qëndrimin e vet anash, ose sipër, ose poshtë: “Unë nuk jam i këtij mendimi. Unë mendoj ndryshe.” Nëse autori ka thënë mirë, lexuesi e shpreh dakordësinë e vet me një po anash, me fjalë apo fjali miratuese ose me ndonjë konsideratë alternative.
Të lexuarit e librit është jetë, është përjetim. Është bashkëbisedim me atë që mund të ketë vdekur para një shekulli ose edhe para 20 shekujsh.
Me 2 për qind të kohës 24-orëshe njeriu mund të lexojë, në mënyrë studiuese, jo fluturimthi, jo shkarazi, por seriozisht i përqëndruar, 200 faqe në 10 ditë. Në 100 ditë atij do t’i bëhen 2000 faqe dhe në 365 ditë atij i bëhen 7300 faqe. Në 10 vjet, 73000 dhe në 50 vjet 365000 faqe. Sa litra ujë i pi njeriu, RREGULLISHT, në 10 vjet apo në 50 vjet?! Atëherë, përse të mos merret njeriu RREGULLISHT edhe me lexim libri?! Sepse për ujin e detyron instinkti?! A i lejohet njeriut që të udhëhiqet gjithë jetën nga instinkti e jo nga arsyeja?!
Askush nuk mund të thotë që, një njeri, duke lexuar libra në mënyrën që thashë, nuk vjen duke ndryshuar ndër vite, për mirë. Askush nuk mund të thotë që, një komb a krejt shoqëria njerëzore, me 50 për qind njerëzish të këtillë, nuk vjen duke u ndryshuar, PËR MIRË!
Ka pasur në histori filozofë që i kanë dhënë arsimimit rol vendimtar. Edhe unë them që, jo arsimimi i imponuar, por vetarsimimi, të kujdesurit e secilit individ për ta ushqyer mendjen e vet po me atë preokupim që kujdeset për të ushqyer barkun e vet, do t’i jepte shoqërisë njerëzore cilësi krejt të tjera.
Të “bisedosh” të paktën 30 minuta në 24 orë me “të vdekurit”, nuk është kohë e humbur. Nuk them me të gjithë të vdekurit, por vetëm me ata “të vdekur” që e kanë lënë të shkruar gjurmën e vet.
Midis atyre “të vdekurve”, që na e kanë lënë TË SHKRUAR fjalën e tyre, porosinë e tyre, përvojën e tyre, një shumicë janë njerëz të shquar. Janë të mençur, janë të atillë që do të ish krim nga ana jonë (krim ndaj vetes sonë!), në qoftë se nuk do t’i lexonim veprat e tyre.
Por, midis atyre “të vdekurve”, që na kanë lënë libra të shkruar, ka edhe përvojë të gabuar dhe orientim çorientues. Njeriu i sotëm, ashtu si njeriu i të gjitha kohëve, ka nevojë t’i kalojë nëpër mendje, në mënyrë KRITIKE, edhe praktikat apo orientimet negativë. Me këtë dua të them që, jo vetëm lexuesi i apasionuar, por cilido njeri që nuk e rendit veten në nivel qeniesh të pazhvilluara, e ka domosdo jetësore të marrë vesh me hollësi çfarë kanë thënë ata që kanë jetuar para nesh dhe ç’na kanë lënë të vlefshme, por edhe ç’na kanë lënë të pavlefshme ose të dëmshme.
Duhet të dijë njeriu ç’ka predikuar Buda, duhet të dijë njeriu ç’ka shkruar Konfuci, njeriu duhet ta njohë Martin Luterin dhe qindra të tjerë njerëz të shquar. Por si do t’i njohë njeriu paraardhësit e vet gjurmëlënës, nëse nuk lexon jetët dhe veprat e tyre?! Është mungesë serioziteti! Është vërtet mungesë serioziteti të mos e shpenzosh 2 për qind të ditës për lexim librash, në një kohë kur nuk përton të dalësh ditë për ditë në treg, për të blerë djathë, gjizë, buzëkuq, apo për të rregulluar një orë që të është prishur. Të përtosh, të mos e çash kryet fare për të lexuar diçka për Aleksandër Flemingun, mjekun që shpëtoi miliona njerëz prej vdekjes dhe që vazhdon t’i shpëtojë edhe sot! Ndoshta edhe ty! Ndoshta edhe fëmijën tënd!
Pikërisht një e këtillë moskokëçarje, një i këtillë mosangazhim për të njohur në mënyrë të thelluar përvojën gjithnjerëzore, bën që të përhapen ndër popuj ide nga më çoroditëset, deri në absurd. Sepse në mendjen e njerëzvet, thonë, nuk ka boshllëk. Në mos u mbushtë mendja e njeriut me ide të sakta racionale, ka për t’u mbushur me lajthitje e me ide fantaziste. Figurativisht do të thuhej kështu: Po s’e mbushe kryet tënd me mençuri, do të ta mbushin të tjerët me hirrë, madje me hirrë të prishur!
Të marrim rastin e nënavet të sotme. Përkundër një zhvillimi (sasior e jo cilësor!) të sistemit arsimor në shkallë botërore, edukimi i fëmijëvet në familje ka mbetur në nivelin e një empirizmi, sa të sakatuar prej largimit nga traditat popullore, aq edhe të mjerueshëm prej injorancës pedagogjike të prindërvet.
Midis qindra milionë nënave, për të cilat thuhet se i duan fëmijët si dritën e syvet, sa prej tyre, nga ato që e kanë kryer minimumi një shkollë 8-vjeçare, nuk lexojnë: Bekonin, Dekartin, Komenskin, Xhon Lokun, Helvecin, Didëroin, Rusoin, Pestalocin, Herbartin, Spenserin, Ushinskin, Montesorin, Xhon Djuin, Makarenkon?! Por këta kanë qenë, midis tjerash, pedagogë të shquar, prej të cilëvet nënat KANË ç’të mësojnë! A thua s’u duhen më këta edukatorë të mëdhenj nënavet të kohës sonë, për t’i rritur sa më mirë fëmijët e vet?! Apo ndoshta është hipokrizi e gënjeshtër, kur thuhet që nëna e do fëmijën e vet si dritën e syvet?!
Nuk mund të dish kush ka qenë Hitleri, pa lexuar jetëshkrimin e tij dhe Majn Kampfin e tij. Nuk mund të nxjerrësh mendim të saktë për Stalinin, vetëm me opinionet e njërit apo tjetrit. Duhet t’i lexosh edhe veprat e Stalinit. Por nuk mund ta njohësh Stalinin, pa lexuar edhe Ruzveltin, Çërçllin dhe Mao Ce Dunin.
Duke gjykuar në këtë vazhdë, mendja e njeriut vjen duke u kthjelluar dhe, një ditë prej ditësh, ai që e ka leximin ushqim të përditshëm të trurit, do të mund të kërkonte përgjigje edhe për të këtilla pyetje: 1.Cilët janë dallimet midis Napoleon Bonapartit dhe Adolf Hitlerit dhe pse gjermanët duhet ta urrejnë (detyrimisht) Adolf Hitlerin, ndërsa francezët nuk duhet ta urrejnë (edhe ata detyrimisht) Napoleon Bonapartin?! 2.A kanë vërtet të drejtë historishkruesit e sotëm, që i fusin në një thes edhe Adolf Hitlerin, edhe Josif Visarionoviç Stalinin?! 3,a..Në qoftë se Aleksandri i Madh do t’i kish pasur në dispozicion armët bërthamore, ç’do të kish bërë ai me ato armë?! 3,b.Nëse sulltanët e Perandorisë Osmane do t’i kishin pasur në dispozicion armët bërthamore, ç‘do të kish ndodhur me njerëzimin në shekujt e Mesjetës?!
Atëherë, në rast se mbi 50 për qind e njerëzvet, në saje të leximit TË PËRDITSHËM, do të arrinin t’i shtronin botërisht këto tri pyetje, a do të lejonin ata që shtetet e botës t’i udhëhiqnin sulltanët?! E, nëse sulltanëvet do t’u hiqej mundësia për të qeverisur shtetet, kush do ta udhëhiqte botën?! Liberalët?! Sigurisht, as liberalët nuk e çojnë dot botën në Eldorado! Kjo po shihet më së miri në kohën tonë.
Kur njeriu të lexojë ditë për ditë, jo vetëm librat që ia servirin, por shpeshherë, siç thashë më parë, pikërisht ata libra që njëra apo tjetra propagandë i anatemon ose përpiqet t’i lërë nën hije, logjika e njeriut vjen gjithnjë duke u konsoliduar. Po marr edhe dy-tre shembuj të tjerë: Nuk i mjafton njeriut të lexojë vetëm Kur’anin, sepse logjika e tij mbetet e njëanshme, rrjedhimisht, logjika e tij duhet të konsiderohet e gjymtë. Njeriu duhet të lexojë, krahas Kur’anit, edhe Dhjatën e Vjetër (Tevratin), edhe Dhjatën e Re, edhe predikimet e Budës, por edhe K.Marksin, F.Engelsin e deri ç’ka shkruar Enver Hoxha në lidhje me fenë. Leximi i njëanshëm krijon njerëz që ne shqiptarët e quajmë kuaj karroce. Njerëz që i ngjajnë pulës që e ka njërin sy të qorruar. Ndërsa mosleximi, mosmarrja me librin, mbasi t’i kesh kryer 8 vjet specializim PIKËRISHT për t’u marrë me librin, krijon gjallesa pa sy.
Dy mijë vjet më parë, në hapësirat që i zotëronte klasa e skllavopronarëvet e Perandorisë Romake, kish ardhur objektivisht koha që skllavopronaria të zëvendësohej me një rend tjetër shoqëror. Në fushën e religjionit, kjo do të thoshte që kish ardhur koha për ta zëvendësuar politeizmin me monoteizëm. Zoti, në të cilin besonin hebrenjtë, u gjend më i përshatshmi, midis tjerash, edhe sepse lidhjen me Zotin e tyre hebrenjtë e kishin TË SHKRUAR. Por edhe sepse hebrenjtë kishin një Zot të vetëm, nuk kishin dhjetë a pesëmbëdhjetë si popujt e tjerë. Përveç këtyre, hebrenjtë, për të shmangur handikapin e dinastizmit në pushtet, kishin një rregull që Zoti t’ua „gjente“ „profetin“ diku jashtë hierarkisë së pushtetmbajtësvet. Këtë punë e kryenin tradicionalisht klerikët rabinë dhe, këtë herë, ndodhi që, për vazhduesin e kësaj „mrekullie hyjnore“ të ishte përgatitur Jezusi i Nazaretit. Mirëpo, Jezusi i Nazaretit, simbas Dhjatës, nuk pranoi të jetë mbrojtës vetëm i hebrenjvet, por u tha rabinëvet: „Unë jam mbrojtësi i të gjithë njerëzvet. Të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara Atit tim, Jehovait.“ Për këto fjalë, me natyrë globaliste, Jezusi u shpall tradhtar i popullit izraelit dhe, meqë doktrina ishte antiskllavopronare, u la në duar pikërisht të njërit prej pushtetarëvet skllavopronarë që rastisi të ishte Pons Pilati. Ky është krejt thelbi i krishtërimit. Një mori Zotash të sistemit skllavopronar u zëvendësua me njërin prej atyre Zotave, që iu huazua (apo iu rrëmbye) hebrenjvet.
Suksesi i krishtërimit, i cili ua mori hebrenjvet Zotin dhe bitrin e tij, përveçse i shpalli të barabartë para Zotit si skllavopronarët ashtu edhe skllevërit, është se ai besim u predikua në gjuhët e popujvet. Në fillim greqisht e latinisht e më vonë edhe në gjuhët e popujvet të tjerë.
Kështu ka ndodhur në këta dy mijë vjet që ndryshe janë emërtuar si epoka e re, era e re apo era e jonë. Mirëpo, njeriu që ka ERUDICION, njeriu që e ushqen trurin me anë të një „furnizimi“ sistematik me dije, a mund të mos konkludojë që një epokë nuk mund të qëndrojë përjetësisht „e re“?! Një epokë dymijëvjeçre nuk është tashmë „E RE“. Përkundrazi, ajo është tejplakur tashmë.
E thashë pak parë që mosleximi, mosmarrja me librin, mbasi t’i kesh kryer 8 vjet specializim PIKËRISHT për t’u marrë me librin, krijon gjallesa pa sy.
Të tilla gjallesa pa sy (ose edhe me një sy), fatkeqësisht, ne po i shohim përditë me mijëra: 1.Nëpër mitingje të partivet gënjeshtare! 2.Në banda shkatërruesish të pasurisë njerëzore nëpër rrugët e qytetevet, të cilat mund të kenë çdo gjë, veç qytetërim nuk kanë! 3.Në turma pelegrinësh, prototip i të cilavet është haxhi në Mekë, por edhe dhjetëra „vende të shenjtë“ që i praktikojnë të krishterët! 4.Në vargje pa fund emigrantësh, në rrugëtimet e tyre kontinent më kontinent „për një jetë më të mirë“, shpeshherë duke u mbytur me mijëra nëpër detra! 5.Në eshalonet e ushtarëvet mercenarë! 6.Në qindra mijë punëtorë e specialistë (madje edhe shkencëtarë) që punojnë në industrinë e armëvet (Ata duhej të vdisnin pa bukë e të mos pranonin të bëheshin bashkëvrasës të fëmijëvet)! 7.Në qindra mijë, mbase miliona, përdorues të drogës! 8.Në defilimet e të quajturvet LGBDI, me flamuj ngjyrë ylberti! 9.Në qindra mijë apo miliona bastexhinj dhe kumarxhinj, të cilët, shpresa e verbër, krejt e vrbër, s‘i çon kund tjetër, veçse drejt e te shkatërrimi i familjevet të tyre dhe i vetes së tyre! 10.Në mijëra vajza e gra që mendojnë se, duke dalë krejt lakuriq apo kryesisht lakuriq përpara kameravet, po manifestojnë „çlirimin“ prej burravet dhe nuk e kuptojnë që pikërisht ashtu ato bëhen shumëfish skllave të burravet!
A ka nevojë të renditim këtu edhe kategori të tjera të këtilla gjallesash të verbëra?! Ka nevojë, doemos, sepse dukuritë e verbërimit mbarënjerëzor sot janë shndërruar në një rrëzik tepër të frikshëm. Le të marrim edhe një shembull, i cili s‘po pushon së kulluari gjak!
Në botën islame po ndodhin sot tragjedi shumë të mëdha! Po ndodhin tragjedi të atilla, që historiografia zor se do të mund t’ua paraqesë brezavet të ardhshëm në të gjitha nuancat dhe përmasat! Po vriten sirianët në mënyra e në masa të papërfytyrueshme! Janë vrarë e po vriten irakenët në mënyrën më të pakuptimtë! Afganët po ashtu! Janë vrarë e po vriten palestinezët, pa qenë në gjendje në dhjetëra vjet për të vendosur marrëdhënie normale me fqinjët e tyre izraelitë! Kurdët, në krahun tjetër, mbetën copa-copa pa qenë të zotët të bashkohen në dhjetëra vite përpjekjesh dhe në gjakosje pa fund!
Dihet prej kohësh që këtë tragjedi, kaq të dhimbshme dhe kaq alarmuese, po e shkaktojnë, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, lakmitarë të ndryshëm TË JASHTËM. Lakmitarë, të cilët, pa dyshim, e kanë gjetur botën islame të paaftë për t’u vetëmbrojtur.
Pyetja, nëse duam që ajo pjesë e njerëzimit të mos vazhdojë më të derdhë aq shumë gjak, sa edhe rërat e shkretëtiravet po shndërrohen në baltëra, është kjo: Ç’gjë E BRENDSHME po e bren botën islame, që po e pëson kaq keq?! Pra, cila është sëmundja e brendshme, të cilën bota islame do të duhej ta mjekonte, në mënyrë që ata popuj të mund t’i dalin zot vetes në të ardhshmen?!
Unë mendoj që, njëri nga shkaqet e kësaj katastrofe është NJËANSHMËRIA kulturore. Thënë më konkretisht: Unë mendoj që njeri ndër shkaqet e kësaj katastrofe në botën islame, është pikërisht të mbërthyerit ekskluzivisht te filozofia e islamizmit.
Sa për qind e myslmanëvet, në shkallë botërore, nuk lexojnë libra që i përkasin gjithë njerëzimit?! Për shembull, sa për qind e myslimanëvet, të atyre që i kanë kryer 8 klasë shkollë, nuk i kanë lexuar, krahas Kur’anit, edhe Biblën, edhe librat e budizmit, si edhe ata të ateizmit?! Ç’romane të letërsisë botërore, evropiane, ruse, amerikane, kineze, japoneze, lexon një mysliman i zakonshëm?!
Por unë kam edhe një përshtypje tjetër. Mua më duket se as Kur’anin dhe librat e tjerë që lidhen me besimin islam, masa e gjërë myslimane nuk i lexon. Masa e gjërë myslimane vetëmjaftohet me ato që u thonë klerikët dhe, nëse do të vazhdojë kështu, unë i kam shumë të pakta shpresat se bota islame, e cila përbën një të tretën e popullsisë së planetit Tokë, do të arrijë t’u shmanget gjakderdhjevet.
Kohët e fundit edhe Turqia, e vënë tashmë nën diktaturën e regjimit të Erdoganit, po zhytet në detin e keq të njëanshmerisë kulturore myslimane. Nuk janë pushuar kot nga puna, madje edhe arrestuar, qindra arsimtarë e profesorë!
Ndërkaq, duke u marrë me librin (PREJ LETRE!) ditë për ditë (për njerëzit e zakonshëm jo më shumë se 30 minuta), mendja e njeriut vjen duke u kthjelluar çdo ditë e më shumë dhe kështu mund dhe duhet të vijë një ditë, kur miliona njerëz të ndalen e të bëjnë edhe të këtilla pyetje: BANKA, sistemi bankar botëror, ç’të ardhshme po i sjell njerëzimit? Sistemi bankar botëror po i mbledh njerëzit nëpër qytete dhjetëramilionësh, si milingonat, dhe dihet ç’fat i pret foletë e milingonavet, kur del lumi nga shtrati ose kur kashtravet u bie zjarri. Sistemi bankar botëror po e boshatis fshatin! Atje po mbesin për të jetuar, më mirë të themi: për të gjalluar, vetëm ca shembëlltyra mjeranësh. Ndërkohë, njeriu që po shkon në qytet, po merr atje me vete, nga kafshët shtëpiake, vetëm QENIN edhe MACEN. Të tjerat kafshë fëmijët po i njohin vetëm në plastikë ose në ekran. Po lindin e po vdesin miliona njerëz, pa i prekur njëherë sisët e deles apo të dhisë. Sistemi bankar botëror po i largon popujt nga shtetet e vet dhe po i grumbullon me qindra milionë nëpër shtetet të quajtur „të zhvilluar“. Po i derdh atje, siç derdhen peshqit, nga rrjetat nëpër arka. Më kot ankohen peshqit: Ç’bëmë ne budallenjtë, që iu afruam rrjetës! Ata dihet ç’i pret. I pret përvëlimi në vaj të nxehtë. Sistemi bankar botëror po e grumbullon mbi gjysmën e kapitalit gjithbotëror në duart e 3 për qind të njerëzimit. Këta nuk janë peshkaqenë. Këta janë viruse që ngordhin së bashku me trupin që e kanë infektuar.
Të kthjelluarit e mendjes njerëzore me anë të librit (PREJ LETRE!), siç e dhashë këtu udhëzimin, në të paktën 50 për qind të banorëvet të këtij planeti, është vetëm njëri prej medikamentevet më efikasë, i cili do të mund ta shpëtonte specien njeri nga një NGORDHJE masive. Njerëzimi, pra, ka nevojë për një NEORACIONALIZËM, në mënyrë që të mos i përshtatet më fjala ngordhje dhe të fillojë ashtu, në historinë gjithnjerëzore, një epokë TJETËR.
Prill 2018. Gjokë Dabaj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura