BOTOHET NË GJERMANISHT DHE SUEDISHT ROMANI ‘1803’ I SHKRIMTARIT BESIM XHELILI

Pashtriku.org, 25 janar 2018: Shkrimtari shqiptar nga Tetova me banim në Vjenë të Austrisë arriti një sukses të madh të radhës, duke botuar romanin e tij të parë me titull “1803” në gjuhët gjermane dhe atë suedeze. Ky roman u botua në shqip në vitin 2016.
Besim Xhelili emigroi në Austri në vitin 1998, ku dhe sot e kësaj ditë jeton e vepron. Deri më tani ka botuar në gjuhën shqipe 7 vëllime me poezi dhe një roman, i cili do të vazhdojë me dy pjesë të tjera, duke u bërë kështu një trilogji. Ai gjithashtu është prezantuar në disa antologji shqipe dhe gjermane, është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011-2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë dhe pritet në një të ardhme të afërt anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Për krijimtarinë e shkrimtarit dhe poetit Xhelili kanë shkruar shumë kritikë letrarë dhe njohës e përcjellës të shkrimeve të tij. Ai dallohet për aktivitetet e ndryshme letrare e kulturore në diasporë, duke lënë vragë e shembull të mirë të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës shqipe, identitetit shqiptar, pasurisë kombëtare dhe vlerave shpirtërore patritotike. Bashkëpunon me thuajse të gjitha shoqatat relevante shqiptare në diasporë, por dhe me qarqet e rëndësishme letrare dhe kulturore austriake, me shkrimtarë e krijues vendas e të huaj në Austri etj.
Një ndër qëllimet e tij madhore është prezantimi dhe përfaqësimi i denjë e i mirëfilltë i kulturës shqiptare, i letërsisë moderne shqipe, para së gjithash i asaj që krijohet në diasporë, përballë shoqërive vendase ku janë vendosur shqiptarët në diasporë.
Me botimin e romanit “1803” në shqip dhe suedisht u realizua një ëndërr e tij e kahmotshme, kurse tani pritet përurimi i kësaj vepre në Austri, Gjermani, Zvicër dhe Suedi. Përkthimin në gjermanisht e bëri albanologu nga Universiteti i Gracit Kurt Gostentschnigg, kurse atë në suedisht e bëri albanologu Ullmar Qvick.
Ky roman në të dy gjuhët mund të gjehet çdokund në internet si libër i shtypur dhe si libër elektronik (E-Book), duke kërkuar me emrin dhe mbiemrin e autorit për shembull në Amazon etj., ose në libraritë lokale gjithandej globit. Librat mund të porositen dhe dërgohen në gjithë botën. Numri ISBN në gjuhën gjermane: 9783746066134 dhe në atë suedeze: 9789176997864. Autori mund të kontaktohet edhe gjithandej në rrjetet sociale ose duke vizituar ëebfaqen e tij personale www.besimxhelili.at, si dhe përmes postës së tij elektronike [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura