BUTRINT BALAJ: REFLEKSET KRIJUESE TË SHQIPES MBI GJERMANISHTEN (I)

Prishtinë, 6 maj 2019: – Abstrakti – Shqipja është gjuhë i.e që u ka shkaktuar kokëdhembje gjuhëtarëve të ndryshëm nëpër botë. Përcaktimin si gjuhë i.e e dha gjuhëtari gjerman Franz Bopp-i. Lidhja e gjermanëve me shqipen ka qenë tepër interesante dhe më e hershme. Gjermanët filluan të interesoheshin, ta studionin shqipen e ta shpërfaqnin nëpër qarqet intelektuale, përpara se Bopp-i të vinte në përfundimet e veta. Kështu, nisur nga interesi dhe profecia e Leibniz-it, pastaj duke vazhduar me Friedrich M. Müller, Xylander-it e Thunmann-it, Hahn-it etj, të cilët dhanë një kontribut për ndriçimin e fakteve shumë të rëndësishme për lashtësinë e gjuhës shqipe. Duke vënë në konsideratë këto, kemi arritje revolucionare gjuhësore nga filozofi i gjuhës Petro Zheji, i cili është themeltar i gjuhësisë simbolike, këndvështrim krejtësisht i ri mbi gjuhësinë në përgjithësi e për etimologjinë në veçanti. Reflekset krijuese të shqipes mbi gjermanishten lidhen drejtpërdrejt me motivimet etimologjike të leksikut të gjermanishtes përmes shqipes. Pra krahas bashkëpërkimeve gjuhësore në mes shqipes dhe gjermanishtes, siç janë fjalët që ngjajnë, ose siç është sufiks “en” i infinitivit të gjermanishtes, punimi shtjellon edhe motivimet tejmorfemore të fjalëve, si: ast, bein, bitte, bremse, brille, feige, hirn, hund, löschen, spalt, sputum, unter, vogel, zunder etj. Motivimet tejmorfemore janë zbërthime analitike përmes morfemave embrionale që janë fjalë të përbëra nga një zanore ose një zanore dhe bashkëtingëllore (së bashku), të cilat janë baza e ndërtimit të koncepteve (fjalëve). Zbërthimi analitik bëhet në përputhje me parimet e “Teorisë së embriomorfemave”. Reflekset e plota krijuese të shqipes mbi gjermanishten do t’i paraqes në librin me titullin “Gjermanishtja flet shqip (motivime etimologjike përmes shqipes)”.

Fjalët kyçe: Leibniz, Müller, Xylander, Thunmann, Hahn, Petro Zheji, gjuhësia simbolike, morfema embrionale, embriomorfema, bashkëpërkimet, sufiksi “en”, koncepti, fjala,, motivimi tejmorfemor, Teoria e embriomorfemave, Gjermanishtja flet shqip.
HYRJE
Volteri ka thënë: Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash. Pa çka se ky punim nuk mund t’i thotë të gjitha, gjithsesi një përpjekje e mirë është një punë ca më e vyeshme se kur iniciativa për përpjekje mungon. Tema për gjuhën shqipe dhe njëkohësisht ndërthurja e saj me simbolin jo medoemos lidhet me aspektin e teorisë së komunikimit, por ajo shkon më tutje, si një diçka e re, si një stad për të cilën gjuhësia ia ka nevojën. Kjo është etimologjia dhe procesi i pashmangshëm motivues për të njohur fjalën, rrjedhimisht për të njohur gjuhën. Fjala gjatë krijimit dhe rrugëtimit të vet nëpër kohë përveçse ka një histori ajo ka edhe një vlerë funksionale për të cilën do të diskutojmë.
Në kreun e parë do të jepen informacione të përgjithshme që lidhen me natyrën e shqipes si gjuhë me reflekse krijuese, një vështrim të shkurtër mbi gjermanët e gjermanishten dhe lidhja me shqiptarët dhe shqipen, pastaj një sinops të veprës së JR Xylander-it etj. Kreu i dytë i rezervohet një trajtimi teorik të shkurtër të simbolit gjuhësor (morfemës embrionale, baza e ndërtimit të fjalës), metodës dhe parimet e teorisë e cila na mundëson t’i kuptojmë këto reflekse krijuese (përmes motivimit etimologjik). Në fund, në kreun III do të diskutojmë shkurtimisht mbi pikëtakimet e paskajores së dialektit të gegërishtes verilindore dhe të gjermanishtes standarde (hochdeutsch), si dhe në fund shembujt argumentues mbi reflekset krijuese të shqipes, të ndërkallura në leksemat e gjermanishtes (por jo vetëm).
Lidhja mes shqipes dhe gjermanishtes dhe interesimi i mëhershëm e i vazhdueshëm i studiuesve gjermanë nuk është i rastësishëm. Shqipja si gjuhë i.e u ka shkaktuar jo me pahir kokëdhembje linguistëve anë e mbanë këtij planeti. Ajo është konsideruar sa e afërt aq edhe e largët, sa e re aq e vjetër. Kështu, nisur nga interesi dhe profecia e Gottfried W. Leibniz, pastaj duke vazhduar me J. Thunmann-it, J.R Xylander-it e Friedrich Max Müller, J.G fon Hahn-it etj, të cilët dhanë një kontribut për ndriçimin e fakteve shumë të rëndësishme për lashtësinë e gjuhës shqipe, porse ata nuk i thanë të gjitha sa kishte shqipja.
Por a ishte e nevojshme të shikohej shqipja më ndryshe nga ç’e kishin parë albanologët e huaj? Pse shqipja shpesh ka arritur të zgjidhë mistere gjuhësore e të tregojë forma zhvillimi brenda vetes krejt ndryshe nga gjuhët e tjera? Mendimi ndryshe do të thotë të shikohet se si shqipja u dha gjuhëve të tjera dhe se ka ardhur koha që mundi dhe borxhi që ajo dha të shpaguhet, ky shpagim është veçse e vërteta për gjuhën, për të cilën përpiqemi të gjithë.
1. PËR SHQIPEN E GJERMANISHTEN
1.1 Gjuha Shqipe
Në mesin e shumë familjeve të trungut të gjuhëve i.e (=indoevropiane) gjendet edhe gjuha shqipe si një degë më vete autentike dhe e lashtë. Por sa kanë arritur të tjerët ta njohin si gjuhë të lashtë? Në përsiatjen kërkimore të shumë gjuhëtarëve e studiuesve gjejmë vepra të llojeve të ndryshme dhe të interpretimeve të ndryshme. Disa studiues shqipen e vendosin si gjuhë më të hershme (në krahasim me disa të tjera) e disa të tjerë më të vonshme. Problemi i një lashtësie të tillë prek, natyrisht, edhe shumë probleme të tjerë, siç është ai i vendit që zinin paraardhësit e shqiptarëve në Evropë, trevat në të cilat qenë përhapur, nga shtegtuan, si dhe një varg çështjesh të tjera që lidhen me kulturën e lashtë, me mitet e ndryshme, me ndikimet reciproke të popujve mes tyre etj1. Por shpesh studiuesit e huaj kanë kundërthënie në pohimet e tyre dhe siç duket ata edhe pse e vendosin shqipen si gjuhë të lashtë, asaj i japin “epitetin” e një gjuhe të formuar krejt vonë…kur vjen puna për ta shpjeguar etimollogjikisht, e trajtojnë si një gjuhë të re, e madje fort të re, sikur të harronin ç’kishin thënë më parë, duke shkelur kështu, mbi një të vërtetë që sot sa vjen e po bëhet më e dukshme2. Për lashtësinë e saj flasin edhe shumë gjuhëtarë të tjerë, por le ta citojmë studiuesit Cavalli Sforza-n dhe Alberto Piazza-n, të cilët pohojnë se: …Ishim në gjendje për ta reformuar një Pemë të Re të gjuhëve. Në këtë pemë të re, rrënja e gjuhës shqipe veçohet nga ajo e gjuhëve të tjera, ajo duhet të ripozicionohet më saktë, sepse shkalla e gabimit të vendosjes së saj, është tashmë e rendit 71 përqind…3.
Duhet pasur parasysh se gjuha shqipe edhe pse ka “mungesë të dokumentimit (deri vonë)”, nuk do të thotë se asaj i humbet primati i një gjuhe të lashtë! Pse? Po, po të merret e mirëqenë kjo logjikë, atëherë pse latinishtja e gjashtë greqishtet etj. vdiqën edhe pse ato qenë të shkruara. Këtu del një problem tjetër që mbase gjuhëtarët e huaj nuk e kanë marrë përsipër ta shpjegojnë, kurse Petro Zheji pohon: gjuha paraqet në vetvete një karakteristikë mjaft të çuditshme – është edhe e vjetër, edhe e re, ka aftësinë e fosileve për të ruajtur kujtimet e së kaluarës më të hershme, edhe aftësinë e një elementi që është në gjendje të pasqyrojë fenomenet e reja4. Pikërisht këtu lidhet edhe thelbi i punimit, me këto “elemente fosile” që shqipja i ka të ndërkallura te konceptet e gjuhëve të tjera i.e. Elementi fosile gjendet në çdo leksemë dhe pikërisht ky punim lidhet me reflekset krijuese të shqipes mbi gjermanishten.
1.2 Gjermanët dhe gjermanishtja si dhe lidhja me shqiptarët e shqipen
Në rrjedhën historike nuk është rastësi se leksiku i disa gjuhëve i.e ngjason ose ka bashkëpërkime. Gjermanishtja sikundër edhe gjuhët e tjera të trungut i.e kanë bashkëpërkime në shumë aspekte. Gjermanishtja në veçanti ka një lidhje interesante leksiku me shqipen, sa për këtë të fundit, ajo (gjermanishtja) nuk është fare e panjohur. Shikuar edhe në të dhënat që sot ofrohen të formës antropologjike e historike, kuptojmë se përpos gjuhës edhe tregues të tjerë i bashkëngjitën dhe kjo nuk paraqet më rastësi, se pse gjermanët janë marrë me shqipen. Edhe të dhënat antropologjike sot dëshmojnë se raca gjermanike dhe shqiptarët kanë një tregues qafalik të njëjtë. Si gjermanët dhe shqiptarët sot janë brakicefal në pjesën më të madhe të popullsisë. Brakicefal ka qenë popullsia e Evropës që nga Paleoliti dhe Mezoliti që tregon për një autoktoni të padiskutueshme te shqiptarëve dhe gjermanëve5.
Edhe në aspektin gjuhësor përderisa fjalët ngjajnë, ato referojnë te një logjikë e përbashkët “koduese” dhe në këtë aspekt, duhet të jetë pikërisht një gjuhë që atë kod e dekodon, sikundër ndodh komunikimi në mes pajisjeve elektronike. Duke qëndruar edhe më tej në aspektin historik, dimë se është pohur se shumica e fiseve gjermanike janë ilire dhe në shumë raste jepen të dhëna interesante e mbreslënëse historike, përmendim këtu shkurtimisht edhe të dhënat për gotët. Gotët janë myzët dhe kanë etnicitet të përbashkët me trakët, dakët dhe skythët. Nga ana tjetër sipas burimeve trakët, dakët, ilirët, skythët, trojanët janë të një etnie. Gjuha shqipe është e vetmja që shpjegon dhe përkthen dakishten e vjetër6. Ky mendim duhet vlerësuar, sepse nuk është thjesht një mendim, por një gjë që edhe të tjerët më parë e kanë pikasur. Tani në këtë stad, ne do të shkojmë përtej “morfemës klasike”, që do të thotë se do ta motivojmë leksemën përtej saj si formë e ngurtësuar (nëse mund ta quajmë), duke e dërguar atë në qendrën embrionale, aty ku edhe referojnë konceptet ose fjalët.
1.2.1 Një sinops: Xylander-i, “Gjuha e albanëve ose shkipëtarëve”7
Ashtu siç e kemi trajtuar edhe më sipër, vlen të theksohet se me shqipen dhe leksikun e saj janë marrë shumë albanologë. Gjermanët, siç duket shihnin diçka te shqipja që i tërhiqte shumë. Nisur nga G.W Leibniz, i cili në fillim nuk qe dakord me mendimet se shqipja ishte gjuhë autentike dhe shumë e rëndësishme, por më vonë ai jep një pohim monumental për shqipen: Në qoftë se duam ta dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe, thënie lapidare, që sot na nxit për t’i gjetur ato të vërteta.
Duke u përpjekur ta ndërtojmë mendimin mbi bazën e albanologëve të huaj, këtu s’duhet harruar fillimisht edhe J. Thunmann-in, por veçanërisht edhe Xylander-in që sigurisht bashkë edhe me të tjerët pas tyre u munduan ta ndriçonin pak nga energjia që ka shqipja dhe nga rëndësia si gjuhë i.e. Duke qëndruar pak këtu, citojmë Xylander-in: Një përcaktim i bazuar i prejardhjes së këtij populli ose i gjuhës së tij nuk do të kontribuonte vetëm për të ndriçuar historinë e paqartë në tërësi të atyre vendeve, por ndoshta edhe disa prej historive tona më të vjetra në përgjithësi, gjithashtu do të kontribuonte edhe në ndërtimin e gjerë të shkencës sonë të re të gjuhësisë dhe për këtë, interesi i gjithanshëm historik dhe shkencor lidhet me zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe veçanërisht me njohjen e gjuhës shqipe, ku koha e sotme këtij interesi i ka shtuar edhe nevojën e praktikimit të drejtpërdrejtë të saj.8 Xylander-i e kishte të qartë se shqipja paraqet një brumë shumë të rëndësishëm i.e. Edhe pse ai kryekëput në fillim u mor me Gramatikën e Da Lecce-s e të Leak-ut, dhe për ne paraqet rëndësi kreu ku ai merret me fjalët (përmbledhje fjalësh shqip – gjermanisht dhe anasjelltas) dhe krejt në fund me kërkime mbi origjinën e shqipes dhe afërsinë fisnore të saj9. Xylander-i me veprën e vet i njohu më nga afër qarqet intelektuale evropiane me shqipen. Ai u bazua në punën e studiuesve të tjerë, nisur nga Leibniz-i, Thunmann-i, Adelung-u, J.S Vater etj.
Në të vërtetë, ky punim nuk do t’i kushtohet shumë aspektit historik të shqipes apo të gjermanishtes. Punimi ka në thelb shpërfaqjen e reflekseve krijuese dhe ndonjë pikëtakim specifik në mes shqipes dhe gjermanishtes. Me bashkëpërkimet veçanërisht janë marrë shumë studiues, duke u përpjekur kështu t’i gjenin vendin shqipes duke e dhënë të prejardhur nga kjo e ajo gjuhë. Ky raport ndërron kur në bazë vihet studimi i fjalës përmes formës së saj embrionale dhe jo konceptuale, pikërisht për këtë në vijim do të kemi shembuj për ta argumentuar dhe shpjeguar më mirë se si shqipja arrin të kuptohet e ndërkallur në konceptet (fjalët) e gjermanishtes. Pra prejardhjen e një gjuhe nuk mund ta përcaktojmë pa e ditur se nga se është ndërtuar ajo gjuhë, veçanërisht se si gjuha i shpjegon fjalët e veta që i ka ngjizur në leksikun e vet. Ky nocion shkon përtej sinkronisë dhe diakronisë, sepse në thelb ka fjalën dhe synimin për ta gjetur se si është krijuar ajo, dhe krejt kjo nëpërmjet një teorie që i përfshin të gjitha parimet, ligjet e rregullat.
2. ELEMENTI GJUHËSOR EMBRIONAL
2.1 Simboli dhe morfema embrionale

Në vazhdën e konceptimit të gjuhës si një fenomen shoqërore, e pashmangshme del të jetë simboli i përfaqësimit të gjuhës së folur në të shkruar. Simboli ose morfema embrionale në vetvete nuk paraqet thjesht një transformim tingullor në një paraqitje grafike, por para se gjithash, simboli në vetvete i ka të gjitha dhe baza për të është bashkëtingëllorja. Simboli si aspekt grafik ka marrë përmasa të studimit matematik, teknik dhe në shkencat moderen shpesh shihet si një frekuencë tingullore e shndërruar në një vijëzim logjik përmes grafikës (problemi se si janë krijuar grafemat). Pa marrë parasysh se cilat janë teoritë e reja që studiojnë simbolin (pse ekziston simboli), rëndësia është se ai lidhet direkt me të konceptuarit e gjuhës dhe ndërtimit të saj, me fjalën, me vetë morfemën.
Një rol të rëndësishëm në kuptimin e idesë së simbolizmit (nëse mund ta quajmë) si karakter i vet gjuhës të ngjizur me kohë, luan edhe “Algoritmi simbolik” i studiuesit dhe filozofit të gjuhës, Petro Zhejit. Sipas P.Zhejit, gjuha funksionon sipas një parimi logjik dhe se çdo fjalë ka karakter mitik e si e tillë ajo mund të kuptohet vetëm po të ndahet nga vetë koncepti i krijuar (zbërthimi ose motivimi etimologjik). “Algoritmi simbolik” është një artikulim logjik i mendimit mistik të stërlashtë, për të cilin Petro Zheji punoi një jetë të tërë. Qëndrimin filozofik, P.Zheji e mbështet në disa aspekte të rëndësishme, si: gjendja e fragmentuar e mendimit mistik, mundësia e artikulimit logjik të mendimit mistik, mendimi mistik edhe qendra etj. “Algoritmi simbolik” përfshin shumë rrafshe të shkencës mbi të cilat mund të zbatohet dhe nga i cili mund të nxjerrim rezultate, si: mjekësia, fizika, filozofia, gjuha etj.10 Por dy parimeve të këtij algoritmi i shtohen edhe një sërë të tjerash, si parimi embriomorfologjik, parimi ekonomik në ngjizjen e fjalës, parimi i funksionalitetit, parimet fonetike dhe në thelb pastaj kemi “Teorinë e embriomorfemave” (shih te seksioni i motivimit etimologjik) si tërësi.
Në anën tjetër, duke e ditur se gjuha përbëhet prej fjalëve, gjuhësia edhe pse e ka përkufizuar fjalën si kategori leksiko-gramatikore, ajo akoma nuk ka arritur të përcaktojë se ç’është fjala si kategori gjuhësore? Kështu, në vijim do të mundohemi të shpërfaqim ose të qartësojmë se pse ka munguar përkufzimi i thënë më sipër (fjala si kat. gjuhësore), thënë më shkoqur, do të hidhet poshtë aspekti arbitrar e konvencional mbi fjalët, dhe në vend të saj, do ta kuptojmë se fjala në fakt është bashkimi i atyre morfemave embrionale që funksionalisht rrinë të pavarura kur janë më vete dhe emërtojnë një realie ose dukuri kur ato bashkohen ose përngjiten (si koncept).
2.2 Teoria e morfemave embrionale dhe motivimi etimologjik
Morfema embrionale del të jetë forma themelore e fjalës. Në “Teorinë e embriomorfemave” gjuha shqipe del me rreth 366 embriomorfema (fjalë embrionale), që në gjuhë të tjera i.e i hasim shumë më pak. Këto fjalë të shkurta të përbëra nga bashkimi i një bashkëtingëlloreje dhe një zanoreje (forma progresive) dhe anasjelltas, bashkimi i një zanoreje e një bashkëtingëlloreje (forma regresive), përfshirë këtu edhe zanoret e vetme dhe të kombinuara ose diftongjet (p.sh. a, i, y, u, o; ai, ay etj.), japin elementet thelbësore në tabelën e embriomorfemave. Lidhja e këtyre embriomorfemave sipas një funksioni të caktuar jep konceptin. Koncepti i referohet fjalës e cila në vetvete përmban më shumë se dy embriomorfema, thënë më shkoqur, numri i bashkëtingëlloreve përcakton numrin e morfemave embrionale 11. Nuk duhet harruar të theksohet se embriomorfema përmban polisemi brenda vetes, pra ajo mund të ketë më shumë se një kuptim, çka i përgjigjet një logjike të thellë të një gjuhe të lashtë (shqipja), p.sh embriomorfema [re] del me disa kuptime: a) re=pamja, b) re=(i,e) re, c) re=”ti re nga shkalla” (folje e parregullt) etj. Pra brenda spektrit semantik të morfemës embrionale ekziston një spektër polisemie që i përgjigjet një logjike specifike. Numri i morfemave embrionale (embriomorfemave, simboleve) është relativisht i madh, për dallim nga gjermanishtja, e cila ka rreth 29 morfema embrionale.
Motivimi etimologjik lidhet kryekëput me ndarjen e një koncepti (fjale) në morfema embrionale (shih tabelat më poshtë). Ndarja dhe operimi me embriomorfema ose simbole nënkupton ndarje elementare (B+Z, Z+B, Z)12 sipas parimeve të caktuara të kësaj teorie13.
Le t’i radhisim disa nga parimet:
1. Parimi i algoritmit simbolik (P. Zheji).
2. Konceptet referojnë tek e mbramja, pra te simboli (P. Zheji).
3. Parimi i funksionalitetit dhe i vetisë kryesore në emërtimin e realieve.
4. Fjala i takon gjuhës në të cilën motivohet.
5. Parimi ekonomik në ngjizjen e fjalës.
6. Parimi embriomorfologjik.
7. Parimi fonetik.
8. Parimi i kallëpit etimologjik.
9. Parimi melodik i fjalës.
10. Parimi alegorik.

– Autori është studiues

VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura