ÇARMATIMI DHE KALIMI ME DHUNË I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI NË FENË ORTODOKSE

ÇARMATIMI DHE KALIMI ME DHUNË I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI NË FENË ORTODOKSE

Nga Hajrullah Hajdari, Prishtinë 23 shkurt 2022

Përmbledhje

Në këtë punim, në bazë të dokumenteve të cilat ruhen në Arkivin Shtetë­ror të Malit të Zi në Cetinë, paraqiten fatkeqësitë e popullit shqiptar gjatë dhe pas përfundimit të luftërave ballkanike. Qëllimi i punimit është të nxjerrë në pah padrejtësitë e bëra dhe mal­treti­met ndaj popullit të pambrojtur shqiptar në krahinën e Plavës dhe të Gucisë, të shkaktuara nga ushtria zaptuese dhe bandat malazeze që kishin përmasa të gjenocidit, të cilat historiografia shqiptare asnjëherë deri më tani nuk i trajtoi si të tilla.

Fjalët kyçe: Çarmatimi, kryqëzimi, Krajl Nikolla, terrori ndaj shqiptarëve, gjenocidi

 HYRJE

Publikimi i dokumenteve arkivore me rëndësi për të kaluarën e një populli, në veçanti të popullit shqiptar, me qëllim të zbardhjes së të kaluarës së popullit tonë, ka qenë, është dhe duhet të jetë detyrë e rëndësishme dhe obligim për çdo hulumtues apo studiues. Veçanërisht kjo është e rëndë­sishme për shqiptarët në Mal të Zi, të ndarë padrejtësisht e pa vullnetin e tyre nga trungu amë e të lënë në mëshirën e një populli me të cilin nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as historia, as gjuha, as kultura apo etnografia.

Historiografia shqiptare, ajo malazeze jo se jo, deri më tani nuk ka shpre­hur interesim apo kujdes të veçantë për zbardhjen e ngjarjeve apo dukurive të ndryshme të cilat mund të kenë ndikuar dukshëm në jetën dhe zhvilli­min e tyre arsimor, kulturor apo social-ekonomik.

Me rastin e përcaktimit të kësaj teme pata parasysh se çarmatimi dhe kalimi me dhunë i shqiptarëve të rrethit të Plavës e të Gucisë në fenë ortodokse pravosllave paraqet një nga vuajtjet më të mëdha të kësaj popullate në vargun e madh të vuajtjeve të shkaktuara nga okupuesit serbo-malazezë, siç janë djegia e shtëpive apo fshatrave të tëra, rrahjet, maltre­timet, burgosjet, bartja e kapicës – kësulës malazeze me dhunë e shumë vuajtje të tjera.

Për punimin e kësaj teme kam përdorur kryesisht fondet e Arkivit Shte­tëror të Malit të Zi në Cetinë e sidomos fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme – MUD, Dhomës Administrative të UO, Ministrisë së Ushtrisë – MV dhe pjesërisht të Gjyqit Ushtarak – VS. Ngjarjet të cilave u kushtohet kjo temë janë pasqyruar edhe në shtypin serbo-malazez të kohës, në libra të autoreve të ndryshëm, si Branko Babiq, Zhivko Andri­ja­sheviq dhe Zoran Stanojeviq, Mustafa Memiq etj. Punimi më i komple­tuar i autorëve shqiptarë është libri i Zekeria Canës, “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913”.

Çarmatimi, në veçanti kryqëzimi apo kalimi me dhunë në fenë orto­dokse të shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në territorin e Plavës dhe Gucisë, ka qenë temë e disa punimeve historiografike, ndonëse të pakta, por në të gjitha ato punime është trajtuar si një segment i hulumtimit sipërfaqësor, me kundërthënie të ndryshme, por asnjëherë deri më tani këto hulumtime apo studime nuk kanë dhënë përgjigje për disa çështjeje shumë të rëndësishme.

Së pari, në asnjë punim shkencor s’është definuar politika e çarmatosjes e popullit shqiptar. Së dyti, nuk është sqaruar se a ishte kryqëzimi një incident apo ishte rrjedhojë e strategjisë dhe politikës zyrtare shtetërore, i planifikuar dhe i menduar mirë. Së treti, nuk janë sqaruar sa duhet as marrëdhëniet e qeverisë malazeze me Krajl Nikollën si pasojë e së cilës kemi veprimin e pankontrolluar dhe mizor të organeve shtetërore ndaj popullatës shqiptare dhe, së katërti, nuk është sqaruar kush ka qenë ini­cia­tori kryesor i këtij veprimi dhe cili ka qenë qëllimi e, mbi të gjitha, a është ky veprim gjenocidial ndaj shqiptarëve.Në të vërtetë, Zekeria Cana, në librin e tij “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar (1912-1913)”, të gjitha veprimet së bashku, pra çarma­timin, kryqëzimin, burgo­sjen dhe likuidimin e shqiptarëve nga shteti i Malit të Zi, në lidhje me këtë çështje i quajti gjenocid, por nuk u ndal në nxjerrjen e mendimit apo për­fundimeve të cilat mund të japin përgjigje në pyetjet e shtruara më lart.

Çarmatimi i popullsisë

Qëllimi i Malit të Zi dhe Serbisë gjatë luftërave ballkanike ishte pas­trimi etnik i territoreve të çliruara me qëllim të ndërrimit të strukturës nacionale të popullsisë. Për të arritur këtë qëllim ushtria malazeze dhe serbe gjatë rrugëtimit të saj nëpër territoret shqiptare ua vunë zjarrin shumë fshatrave e së bashku edhe fshatarëve të tyre, pasi qëllimi përfundimtar i tyre nuk ishte vetëm dëbimi i ushtrisë turke, por zaptimi i territorit shqip­tar deri në Durrës.

Çarmatimi i popullatës shqiptare është proces i cili ushtria malazeze e ushtroi gjatë okupimit dhe aneksimit të trojeve shqiptare. Natyrisht, me fillimin e zaptimit të trojeve shqiptare, veçanërisht në krahinën e Plavës dhe të Gucisë, edhe intensiteti i çarmatimit ishte më i madh dhe vazhdoi deri në prill të vitit 1913, ndonëse popullsia shfaqte pakënaqësi për shkak të çarmatosjes. Në fazën fillestare për bashkëngjitjen e këtyre territoreve shte­tit malazez, çarmatimi i popullsisë ishte parakusht i vendosjes së renditdhe qetësisë, sigurisë politike dhe ushtarake. Një pjesë e Ushtrisë malazeze iu përmbajt proklamatës të Krajl Nikollës dhe urdhëresave të komandave ushtarake mbi disiplinën, humanitetin dhe sjelljen e drejtë ndaj popullatës së territoreve të zaptuara, mirëpo pjesa tjetër e ushtrisë, madje edhe disa komandantë të saj, pavarësisht prej proklamatës dhe urdhëresave, vazh­donin vrasjet, plaçkitjet, vënien e zjarreve dhe kidnapimin e qytetarëve.

Çarmatimin e popullsisë së Plavës e të Gucisë fillimisht e ka bërë brigada e Vasojeviqëve dhe e Kollashinit.Nëkëtë proces janë përfshirë edhe njësitet vullnetare, veprimet e të cilave shpeshherë ishin të pakontrolluara.

Më 14 tetor 1912 komandanti Veshoviq nga Krusheva, me telegram e lajmëroi njërin nga komandantët e Ushtrisë malazeze, Janko Vukotiqin, se “me rastin e pushtimit të djeshëm të fshatit Nokshiq, komandanti Milija Nikoliq ua vuri zjarrin të gjitha shtëpive të fshatit dhe ndoshta u bë shkaktar që ata nuk erdhën të dorëzohen”.[1]

Përveç Nokshiqit, u dogjën e u shkatërruan edhe fshatrat Rzhanicë dhe Pepaj.[2]

Në dimrin e vitit 1912-1913 u mblodhën një numër i madh armësh.[3] Ndaj atyre që u morën armët apo të dyshuarve pushteti malazez mori masa të ashpra dhe të gjitha i arsyetonte si mjete legale për ta vendosur pushtetin. Popullata e vendeve të okupuara, etnikisht në numër më shumë se serbët e malazezët, në mënyrë të organizuar e ka kundërshtuar okupi­min dhe vendosjen e pushtetit malazez, kështu që edhe pse i okupuar, gjendja e luftës në këto treva vazhdoi së paku edhe gjashtë muaj. Vetëm deri në fund të nëntorit në territorin e Plavës dhe të Gucisë u mblodhën 1 303 armë të tipave të ndryshme.[4] Ky proces në rrethana lufte dhe aspi­ratat territoriale të Malit të Zi, nga njëra anë dhe nga ana tjetër procesi i krijimit të një Shqipërie të lirë, do të bënte këtë proces të kundërshtue­shëm. Për këtë arsye Krajli i Malit të Zi e urdhëroi Janko Vukotiqin që “pa asnjë konsideratë, në vendet e okupuara, hollësisht dhe saktë të çarmatosen turqit, ashtu që asnjë brisk nuk guxon t’ua lësh atyre. Ndryshe, nëse nuk e bën, atëherë për okupimin e atyre vendeve do të na duhen shumë njerëz”.[5]Nga kjo urdhëresë më së miri shihet motivi i çarmatimit të shqiptarëve. Në të vërtetë Mali i Zi nuk kishte prok­lamuar apo definuar ndonjë politikë zyrtare të çarmatimit të popullatës. I gjithë aksioni i çarmatimit kryhej në bazë të disa urdhrave telegrafike të Krajlit dhe të qeverisë që ua jepnin kryesisht komandave ushtarake ose drejto­rive krahinore. Pa dyshim, qëllimi i Qeverisë së Malit të Zi dhe vetë Krajl Nikollës ka qenë që së pari të bëhet çarmatimi i shqiptarëve myslimanë, pastaj të myslimanëve në territoret e okupuara.

Për procesin e çarmatimit dhe për masat dhe metodat e përdorura rregullisht janë informuar organet në Cetinë. Shpallja e Ministrisë së Punëve të Brendshme më 27 nëntor 1912, mbi ndjekjen dhe dënimin e kundërshta­rëve, e vërteton dhe e nxit procesin e filluar të çarmatimit. Vërtet, Janko Vukotiqi, nëpërmes agjutantit kujdestar, kishte urdhëruar: “Për më pak faj mos i myshketoni njerëzit, por ata menjëherë çoni në entin e ndëshkimit”.[6] Nga kjo del se për keqtrajtimet, plaçkitjet e pushkatimet e Ushtrisë malazeze dhe vullnetarëve të tyre vetë Krajli dhe Qeveria e Malit të Zi ishin në dijeni të plotë dhe të gjitha veprimet bëheshin në koordinim.

Çarmatimi në fillim u kundërshtua nga shqiptarët. Për t’u ikur masave ndëshkuese ata dilnin në mal dhe kështu filluan përndjekjet, vrasjet dhe pushkatimet individuale ose në grup. Megjithatë, me përdorimin e dhunës u arrit që ushtria të grumbullojë një numër të konsiderueshëm të armëve.

Pse shqiptarët e kundërshtuan çarmatimin?

Shqiptarët e kanë traditë mbajtjen e armëve edhe për faktin se arma ka shërbyer edhe si mjet i vetëmbrojtjes. Trojet e tyre me shekuj kishin qenë të lakmuar e sulmuar nga të tjerët, nga sllavët, nga osmanët. Arma atyre u shërbeu gjithherë për mbrojtjen e tokës së tyre arbërore nga zaptuesit e ndryshëm. Edhe ushtria e Malit të Zi i okupoi këto troje pa dëshirën e tyre, e nuk po dihej se kush do të vinte më në këto vende, prandaj zgjidhja e vetme për ata, në rast nevoje, ishte mbrojtja e trojeve të veta me forcën e armës dhe për këtë shumica e tyre mendonin se armët nuk duhet të dorëzoheshin. Me aktin e çarmatimit popullsia e kësaj ane e ndjeu veten të rrezikuar. Kundërshtimin më të rreptë të dorëzimit të armëve e shprehën fshatarët e Vuthajve, “fole e dëshmuar e rebelizmit”.[7]

Dhuna e ushtruar për çarmatimin e popullsisë nuk gëzonte përkrahjen e ndërkombëtarëve, sidomos të Austro-Hungarisë. Për këtë arsye Krajl Nikolla urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të grumbullimit të armëve.

I.1. Avro Cemoviqi dërgohet në terrenin e Plavës dhe Gucisë

Në fillim të marsit të vitit 1913, me qëllim të efikasitetit më të madh të procesit të çarmatimit të shqiptarëve të këtyre trojeve si dhe nga frika e kundërshtimit në masë të popullsisë vendase, në rajonin e Plavës dhe të Gucisë ushtria dërgoi brigadierin famëkeq Avro Cemoviqin me dy bata­lio­ne të brigadës së tij dhe një gjysmë baterie të topave malorë.[8] Pava­rësisht prej masave të rrepta për të gjithë ata që nuk i dorëzonin armët, djegiessë shtëpive, burgosjeve, marrjes së pushkëve etj., aksioni i çarmatimit të popullsisë nuk pati suksesin e duhur.

Nga dokumentet e shumta arkivore del se Mali i Zi nuk kishte një poli­tikë të caktuar në lidhje me qëllimin dhe metodat e çarmatimit. Nëse qëllimi arsyetohet me nevojën e vendosjes të rendit dhe qetësisë në terri­toret e okupuara, atëherë metodat e përdorura për këtë qëllim, edhe pse në kundër­shtim me aktet ndërkombëtare, në një formë më të butë do të ishte e kuptu­eshme. Por, nëse qëllimi i çarmatimit ishte, përveç vendosjestë rendit dhe qetësisë, bërja me dhunë e pranimit të faktit të okupimit me synim të spas­trimit etnik të këtyre territoreve, duke ditur se popullsia shqiptare këtu ishte shumicë, atëherë veprimet e dhunshme nuk e arsye­tojnë qëllimin. Në raportin e të dërguarit special për shqyrtimin e gjendjes në vendet e okupu­ara, ndër të tjera, thuhet: “Për këtë shkak secilit ushtar i ishte rrënjosur mendimi se serbi, çfarë do që do t’i bënte turkut, nuk do të bënte kurrfarë gabimi…”.

Nëse ky ishte qëllimi, atëherë mund të konstatojmë se përdorimi i dhunës në të gjitha format e saj, me qëllim të inkorporimit të shqiptarëve sa më shpejt e sa më parë në kuadër të Malit të Zi, pa marrë parasysh gjendjen dhe mundësitë reale, paraqet politikën zyrtare të Malit të Zi. Këtë e bën më kuptimplotë urdhëresa e Krajl Nikollës “pa asnjë konsideratë, në vendet e okupuara, hollësisht dhe saktë të çarmatosen turqit, ashtu që asnjë brisk nuk guxon t’u lësh atyre. Ndryshe, nëse nuk e bën, atëherë për okupimin e atyre vendeve do të na duhen shumë njerëz”.

Në këtë aspekt akti dhe veprimet arrogante të shtetit të Malit të Zi, gjatë çarmatimit të popullsisë shqiptare, nuk mund të ndahen nga akti mizor i konvertimit me dhunë të myslimaneve dhe katolikëve shqiptarë në fenë pravosllave.

Kryqëzimi me dhunë i shqiptarëve dhe kalimi në fenë pravosllave

Struktura e popullsisë në territorin e Plavës dhe Gucisë, menjëherë pas okupimit të këtyre trojeve nga Ushtria malazeze, ndryshoi në dëm të shqip­tarëve. Me mijëra shqiptarë myslimanë të këtyre trojeve e lëshuan vendin dhe u strehuan në fshatrat përreth në pjesën tjetër të Shqipërisë. Arsyeja ishte sjellja arrogante e zaptuesve të rinj – malazezëve dhe serbëve. Vuaj­tjeve të banorëve të kësaj ane me aksionin e çarmatimit iu shtuan vuajtjet që do të pësonin me aktin e konvertimit në fenë pravosllave.

Në kuptimin formal-juridik liria e personit dhe e pasurisë si dhe e predi­kimit të fesë ka qenë e garantuar me ligj për të gjithë popullatën por, fakti­kisht, këto të drejta kanë qenë të siguruara vetëm për të dëgjueshmit, pra për ata që u binden të gjitha kërkesave të pushtetit të ri. Pushteti i Malit të Zi lojalitetin e shqiptarëve, myslimanë apo katolikë, s’e kërkonte te masat e gjëra popullore, por te paria – nëpunësit, bejlerët dhe agallarët, te të pasurit dhe te klerikët – hoxhallarët e priftërinjtë. Të dëgjueshmëve Krajl Nikolla u jepte të holla, revole apo dekorata të ndryshme.

Pushteti lokal, ushtria dhe xhandarmëria me veprimet e tyre, shpeshherë jonjerëzore, kishin mbjellë frikë dhe tmerr ndër shqiptarë. Ata ishin vënë para një dileme dhe vendimi të madh, ta pranonin konvertimin fetar apo, në rast refuzimi, ta rrezikonin jetën e tyre. Zgjedhjet ishin të ndryshme. Disa zgjodhën t’u shpëtonin masakrave dhe barbarizmave malazeze, paraqitjes vullnetare të pushtetarëve vendas se, kinse, me vullnetin e tyre do të kryqëzohen.[9] Disa të tjerë më parë pëlqyen vdekjen sesa t’i nënshtroheshin konvertimit fetar, ndërsa një pjesë e tyre dolën kaçakë në mal.

Menjëherë pas okupimit të Plavës e të Gucisë, por edhe në vendet e tjera të okupuara, imamëve e deri te myftiu, nuk u lejohej ta kryenin shërbimin fetar. Pothuajse çdo kund xhamitë e mejtepet ishin mbyllur me pretekstin se “qenë çerdhe e mbjelljes së fanatizmit fetar”. Imamëve të xhamive u ishin marrë çelësat dhe para tyre ishin vendosur rojet me pushkë të gatshme për të vepruar nëse dikush tentonte të hynte në xhami apo në mejtepe. Disa mejtepe u përdorën për vendosjen e ushtrisë, për magazina apo për vendo­sjen e familjeve ardhacake. Këto veprime ishin në kundërshtim të plotë me proklamatën e Krajl Nikollës, se liria e predikimit të fesë është e lirë dhe e siguruar me ligjet e kohës, çfarë do të thotë se ishte bërë sa për sy e faqe. Veprimet e Ushtrisë malazeze, xhan­darmërisë së saj, vullnetarëve dhe sido­mos të ortodoksëve vendas, në veçanti të Vasojeviqëve ndaj popullatës shqiptare, si mbledhja e armëve, plaçkitjet e grabitjet, djegia e shtëpive, internimet e vrasjet, e bënë shumë të vështirë e të padurueshme jetën e tyre në këto troje. Nuk është e rastit se mbledhja e armëve, bastisjet e shtëpive, plaçkitjet e bagëtive dhe të mirave të tjera familjare, internimet dhe push­katimet u zhvilluan në të njëjtën periudhë kur edhe filloi kryqëzimi “vullnetar” i myslimanëve dhe shqiptarëve, gjegjësisht konvertimi i mysli­manëve dhe katolikëve në fenë ortodokse. Terrori që po ushtronin pushte­tet vendore dhe pushteti ushtarako-policor i Malit të Zi dhe vullnetarët sllavë, të cilët situatën e re të krijuar e shihnin si shans të tyre për hakmarrje ndaj armikut shekullor – shqiptarëve, kishte depërtuar thellë në palcën e njerëzve të cilët i kishte kapluar frika për jetën. E vetmja mënyrë për ta shpëtuar jetën e vet, nderin dhe pasurinë, ishte kalimi në fenë ortodokse, në fenë zyrtare të shtetit, të cilin akt pushtetet lokale e nxitnin dhe ia paraqitnin Cetinës si dëshirë e popullatës për kthim me vullnet në fenë e tyre stërgjyshore.[10]

Procesi i konvertimit të myslimanëve në fenë ortodokse filloi në fund të vitit 1912 dhe vazhdoi deri në fund të prillit 1913.

Populli i këtyre trojeve kishte mësuar se në Pejë ishte formuar një shoqatë e fshehtë për propagandimin e kryqëzimit të myslimanëve. Kjo shoqëri e fshehtë përbëhej nga tregtarët vendas, pasi mendohej se është më mirë që iniciativa për kryqëzim të niset nga shoqata civile sesa nga pushteti.[11] Fillimisht detyrë e kësaj shoqate ishte që ta përcillte disponimin dhe sjelljen e vendësve, fshe­hjen e armëve dhe pastaj edhe propagandimin e kryqëzimit të myslimanëve, madje kishte filluar edhe përpilimin e rregullores, ndërsa Drejtoria Krahinore në Pejë nëpër fshatra dërgoi mësues që të mësojnë kryqëzimindhe ftonte vendasit që të kryqëzoheshin.

II.1. Shqiptarët të frikësuar i vënë kapicat malazeze

Si rrjedhojë e këtyre vështirësive me të cilat po përballohej populli shqiptar në viset e okupuara, lindi nevoja e kërkimit të mënyrës dhe mjeteve për t’u shpëtuar masakrave e për të krijuar kushte më të mira jetësore. Lindi lufta për ekzistencë. Ndaj s’është e çuditshme se disa që në fillim kërkuan të bashkëpunojnë e të kontribuojnë për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në këto troje, shpesh edhe për të përfituar personalisht e për të shpëtuar nga të këqijat që po u bëheshin. Po përmendim vetëm rastin e fshatarëve të Arzhanicës së Epërme të cilët, pas vrasjes së 12 gucianëve, u frikësuan aq tepër sa të nesërmen, pasi kishin vënë në kokë “kapicat” malazeze, shkuan në Andrijevicë dhe dorëzuan lutjen për kalimin e tyre në fenë ortodokse.[12] Kjo argumentohet edhe në telegramin urgjent nr. 919/19, mars 1913.

T E L E G R A M urgjent

Nr. 919, 19 mars 1913

Andrijevicë-Cetinjë

DREJTORIA KRAHINORE NË ANDRIJEVICË

MINISTRISË TË PUNËVE TË BRËNDSHME

C E T I NJ Ë

E kam për nder t’ju njoftoj se sot ka ardhur një numër i madh i muha­me­danëve nga Arzhanica e Epërme të cilët mbanin kapicat malazeze dhe kërkuan të kalojnë në fenë pravosllave… nënshkrimi i pa lexueshëm.

Kapicat malazeze, për të gjithë ata që kryqëzoheshin, sado qoftë numri i tyre, duhej t’i blinte shteti pasi është e nevojshme që ata të dallohen menjë­herë nga të tjerët.[13] (Drejtoria Krahinore Pejë, ministrit Pllamenac, Teleg. nr. 1553, 19 mars)

Fillimisht pushteti vendor malazez kryqëzimin e myslimanëve e konsi­deronte si veprim personal dhe i vullnetshëm. Pushteti në Cetinë njofto­hej për çdo veprim të organeve vendore dhe ushtarako-policore jo vetëm për rendin e qetësinë, por edhe për çarmatimin dhe kryqëzimin.

2. Kërkesat e shqiptarëve për kalimin me “vullnet” në fenë pravosllave i nënshkruanin vetë malazeztë e jo kërkuesit shqiptarë

Të ndodhur para këtij veprimi johuman të pushtetit vendor në Plavë e Guci, sidomos ata që kishin mundësi financiare, kërkonin rrugë për t’i ikur kryqëzimit, siç kishte vepruar hoxha Abdullah Gruda, imam i xhamisësë Ali Pashës në Guci, i cili, për t’i ikur kryqëzimit, i dha një sasi ari Simo Foliqit.[14]Mund të jetë e mundur, referuar dokumenteve arkivore, se disa qytetarë, për t’i shpëtuar të keqes që dita-ditës po u kërcënohej nga pushte­tarët malazezë, u janë paraqitur vullnetarisht organeve shtetërore për ta ndë­rruar fenë e tyre. Gjithashtu, dihet, përsëri në bazë të dokumenteve arkivore, se pushteti jo vetëm vendor, por edhe ai në Cetinë kishte njohuri për çdo veprim që ndodhte në lidhje me keqtrajtimin, çarmatimin dhe kryqëzimin. Lutjet për konvertim i nënshkruanin kinse në emër të myslimanit shqiptar apo katolik vetë nëpunësit, ushtarakët apo edhe individëte ndryshëm të kombësisë serbo-malazeze. Nuk ka asnjë dëshmi se lutjet i kanë shkruar vetë shqiptarët, edhe pse disa kanë ditur të shkruajnë turqisht dhe e kanë përdorur nënshkrimin në çdo dokument. Kështu, për shembull, të gjithë dëshmitarët apo të akuzuarit që s’dinin të nënshkruheshin, vënin gisht, ndërsa në emrin e tij nënshkruhej dëshmitari qoftë turqisht,qoftë serbisht. Kështu, Shaqir Gruda, në cilësinë e dëshmitarit, në deklaratën e Xhemal Laliçiqit, i cili e akuzonte Dimo Niko­liqin për vrasjen e babait të tij, dhënë para Komisionit Hetues, u nënshkrua me alfabetin arab, ndërsa Xhemali vuri gisht. Të njëjtin veprim Gruda e bëri edhe në lëndën e Ajrudin Lakçeviqit dhe Selman Radonçiqit.Që të dy në vend të nënshkrimit vunë gisht; Smajl Rexhepagiqi dhe Halil Sharoviqi, në cilësinë e dëshmitarit, në procesver­balin e KH për dhënien e deklaratës së Beqo Gutiqit për pushkatimin e djalit të tij 18-vjeçar, i cili e akuzonte koman­dantin Pantoviq, u nënshkrua me shkronja arabe; Ramo Feroviqi,po ashtu, u nënshkrua me shkronja arabe në lëndën e Syme Kastratit, ndërsa Symja vuri gisht; Ramo Feroviqi, në lëndën e Hava Smajlit, u nënshkrua arabisht, ndërsa Havaj vuri gisht; Smajl Rexhepagiqi në lëndët e Zeqë Bakoviqit dhe Bektesh Shalës u nën­shkrua arabisht, ndërsa Zeqa dhe Bekteshi vunë gisht etj.

Njoftim për kalimin me vullnet të Lonçareviqit në fenë pravosllave

Nënshkrimi në gjuhën arabe apo vënia e gishtit për ata që nuk dinin të nënshkruheshin u praktikua në të gjitha lëndët e Komisionit Hetues për Plavë dhe Guci. Natyrisht, Qeveria e Malit të Zi nuk kishte dhënë asnjë urdhëresë zyrtare për kryqëzimin e shqiptarëve dhe myslimanëve, sepse ajo do ta komprometonte rëndë veten në arenën ndërkombëtare. Por fakti se pushteti vendor e lajmëronte për çdo veprim dhe se Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit dhe Punëve Kishtare, kohë pas kohe jepnin udhëzime për procesin e kryqëzimit, e bën atë përgjegjëse. Aq më tepër shtohet përgje­gjësia e Qeverisë e Malit të Zi kur ndaj akteve e presio­neve të individëve që në emër të shtetit thërritnin popullin që të kalojë në fenë ortodokse, nuk merrte asnjë masë parandalimi ose ndëshkimi ndaj tyre. Ky mosveprim i shtetit dokumentohet me telegramin e brigadierit Radomir Veshoviqit, komandant i qarkut ushtarak Pejë – Gjakovë, dërguar nga Andrijevica, më 17 maj 1913, ministrit të Punëve të Brendshme, z. Labud Gojniq, në të cilin theksohej: “Këtu u njoftova se Vukota Pantoviqi në ditën e pazarit të kaluar urdhëroi telegrafin në Cetinë dhe thirrte me zë të lartë se çdo turk deri nesër patjetër duhet të vendosë (vërejtja ime: në kokë) kësulat malazeze dhe të kryqëzohen më së largu mbrenda 10 ditëve përndryshe do të vritet, e kjo ata pak turq i shqetësoi shumë. Atëherë disa familje turke u çuan (iken) nga Berana dhe kah shkuan nuk e di. Mendoj se posa te shkoi në Pejë kishte me u dashtë t’i ndërrojë nëpunsit e postë-telegrafit, ose së paku mënjëherë të largoj Sima Sekuliqin dhe Ilija Boshkoviqin sepse edhe më heret, janë kompromentuar në kufijt e vjetër të Malit të Zi. Ju lusë për urdhëresë”.[15]

Duke u bazuar në raportet e disa organeve policore, se disa myslimanë në viset e sapoçliruara deklarojnë se me familjet e tyre duan të kalojnë me vullnet në fenë ortodokse të stërgjyshërve të tyre, ministri i Brendshëm në Cetinjë, Jovan Pllamenac, u drejtohet organeve të pushtetit në viset e porsa­çliruara dhe i njofton se i është drejtuar Mitropolisë së Hirësishme me lutje që t’u japë udhëzime organeve kishtare të dioqezës së saj prandaj, thekson ai, drejtoritë krahinore, secilin që paraqitet për këtë qëllim, ta udhëzojë te kleriku kompetent i cili do ta kryejë detyrën e tij.[16]

Në lidhje me shkresën nr. 7775, Milutin Radonjiqi, kryes i detyrës së Krahinarit të Krahinës së Plavë-Gucisë, me telegram, po ashtu me shenjën “sekret”, më 25 janar 1913 e njofton ministrin e Brendshëm, Pllamencin, për kërkesën e Beqo Osman Otasheviqit, për të kaluar në fenë ortodokse, por klerikët nuk ishin të njoftuar dhe kërkonin që përsëri t’u japë urdhëresëklerikëve sepse, si duket, thekson ai, këso kërkesash do të ketë përsëri. Sipas telegramit të dërguar më 27 janar 1913, Beqoja, pasi vullnetarisht kishte nënshkruar pajtimin e tij para myftisë së vendit, kishte kaluar në fenë orto­dokse së bashku me vëllanë dhe vajzën e tij. Ndërkaq, përfaqësuesi i krye­tarit të komunës së Plavës, me shkresën nr. 254/7, 8 mars 1913, kërkon ngakapedani Dragoviq urdhrin si të veprojë pasi Abo Rexhep Omeragiq ka paralajmëruar se me familjen e vet dëshiron të kalojë në fenë ortodokse.

Për masivitetin e kalimit “vullnetar” në fenë ortodokse dëshmon edhe telegrami i A. Cemoviqit dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga Gucia, me datë 20 mars 1913, i cili njoftonte se më 7 mars 1913 kaluan në ortodoksizëm 183 veta nga qarku i Plavës e i Gucisë.[17]

Krahinori Jovan N. Pllamenac, më 21 mars 1913, me telegram e njofton ministrin e Punëve të Brendshme, Jovan S. Pllamenac, se nga kapedani i Gucisë, Dragoviq, ishte njoftuar se sot të gjithë banorët e qytezës do të kalojnë në fenë ortodokse, ndërsa nesër të gjitha fshatrat rreth Plavës. Po ashtu, njoftonte se nga Vuthajt 17 familje kishin kërkuar të bëheshin orto­dokse. Ceremonia do të kryhej nesër, e kjo vërtetohet edhe me telegramin e datës 23 mars 1913.

Brigadieri Avro Cemoviq nga Gucia i dërgon telegram, me numër zyrtar, datë23 mars 1913, zëvendësministrit të Arsimit dhe Punëve Kishtare, ministrit të Brendshëm Jovan S. Pllamencit,[18] me këtë përmbajtje:

 T E L E G R A M

Nr. Zyrtar, 23 mars 1913

Nga Gucia në Cetinë

MINISTRIT T TË PUNËVE TË BRENDSHME

C E T I NJ Ë

“Mbasi numri i të kryqëzuarëve në Kapetaninë e Plavë – Guci, prej se kam ardhur këtu, është shtuar në 3 mijë veta, është e domosdoshme të urdhëroni dhe të dërgoni për këtë Kapetani disa klerikë, të cilët do të mësonin popullin në punë të fesë dhe do të luanin rolin policor. Atyre do t’u jepja disa ushtarë si përcjellje” / Brig. Avro Cemoviq

Se sa ishte numri i të konvertuarve në fenë ortodokse nuk ka shënime të sakta. Megjithatë, pushteti i Malit të Zi ishte vënë në hall pasi numri i të konvertuarve po rritej dhe për këtë arsye duhej rritur numri i klerikëve. Për këtë arsye krahinari Jovan Pllamenac nga Peja i dërgoi ministrit të Brend­shëm në Cetinë[19] telegramin nr. 1722, datë 23 mars 1913, me këtë përmbaj­tje:

T E L E G R A M

Nr. 1722, datë 23 mars 1913

Nga Pejë në Cetinë

KRAHINARI JOVAN PLLAMENAC PEJË

MINISTRIT TË PUNËVE TË BRËNDSHME

CETINJË

“Meqenëse popullsia e komunave të Vuthajve, Vojnosellës dhe Brezo­vicës, të Kapetanisë së Gucisë, kaluan në fenë pravosllave, është e nevoj­shme që atje të dërgohen tre klerikë për të bërë ceremoninë fetare dhe për të kryer në të njëjtën kohë detyrën e mësuesve” / Jovan Pllamenac

Zëvendëskrahinari Filip Protiq, më 25 mars 1913, po me telegram e njofton ministrin e Punëve të Brendshme në Cetinë, se “atë ditë, në kishën a këtushme, e përfaquan fenë pravosllave 15 kryefamiljarë të Arzhanicës së Epërme në krye me bajraktarin Arif Tahiroviqin- Gjekiq, pasi paraprakisht u kryen të gjitha formalitetet”.[20]

Përveç rasteve të përshkruara të cilat në dokumentet arkivore paraqiten si përqafim “vullnetar” i konvertimit në fenë ortodokse, nga disa doku­mente arkivore mund të konstatohet se konvertimi me vullnet ishte i “kushtëzuar” me arritjen e një qëllimi të caktuar, në shumicën e rasteve për të shpëtuar nga ndonjë e keqe edhe më e madhe. Në këtë kontekst po përmendim rastin e Joro Novoviqit nga Arzhanica e Epërme i cili i drej­tohet Drejtorisë Mbretërore Krahinore në Andrijevicë dhe kërkon që të angazhohet në rrugë zyrtare për kushëririn Ulo Novoviq, i cili gjendet peng në Nikshiq, pasi familja e tij dëshiron të kalojë në fenë pravosllave dhe i lutet që i përmenduri të lirohet me qëllim që të kalojë në fenë e tyre e, së bashku me Ulon, edhe familja e tij. Natyrisht, zëvendëskrahinori Filip Protiq për këtë rast e njofton ministrin e Punëve të Brendshme dhe kërkon që lutja t’i plotësohet. Për të njëjtën arsye bajraktari Arif Tahiroviq i drej­tohet Drejtorisë Mbretërore Krahinore në Andrijevicë dhe kërkon, pasi kishin kërkuar të kalonin në fenë pravosllave, t’i lironin djalin e tij Zhujë Tahiroviqin, i cili gjendet peng në Nikshiq, në mënyrë që edhe ai të kalojë në fenë pravosllave. Në emër të tij kërkesën e nënshkroi Tomica Fatiq.

Nga këto pak raste që përmendëm mund të konstatohet se nuk kemi të bëjmë me ndërrimin e fesë me vullnet. Nga ana tjetër, po ashtu mund të konstatohet se pushteti malazez ishte në dijeni të plotë se ishte ndaluar predikimi i fesë myslimane dhe përdorimi i objekteve fetare, se objektet fetare gjuheshin me gurë apo u vihej zjarri, se ndiqeshin të gjithë ata që për shkak të reprezaljeve nga organet e pushtetit vendor dhe merreshin peng, burgoseshin, torturoheshin e vriteshin.

Veprimet e tilla të pushtetit vendor i vunë shqiptarët para një vendimi sa të vështirë aq dhe human, sepse për ta shpëtuar jetën e vet dhe të fami­ljarëve të tyre duhej të pranonin kalimin me “vullnet” në fenë pravosllave. Për një gjysmë viti shteti nuk reagoi kundër veprimeve të dhunshme ndaj shqipta­rëve, përkundrazi e nxiti pushtetin vendor dhe pushtetarët, nuk mund të them në mënyrë të heshtur, që në bashkëpunim me klerikët pravosllavë t’i kryenin formalitetet e konvertimit.

II.3. A ishte në dijeni mbreti Nikollë

Pushteti qendror i Malit të Zi jo vetëm që ishte i njoftuar për kryqe­zimin e shqiptarëve, por edhe i ndihmonte zyrtarët shtetërorë në Krahinën e Plavës e të Gucisë me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, madje ndante edhe mjete në të holla për përkrahjen e këtij aksioni. Në lidhje me këtë po për­mendim telegramin e krahinarit të Pejës, Jovan N. Pllamenac, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme në Cetinë, Jovan S. Pllamencit, më 21 mars 1913, i cili shkruante: “… Paraqitja e përditshme për të kaluar në fenë ortodokse e fshatrave të tëra parashtron nevojën që të gjithë klerikët e mësuesit të vehen në shërbim të këti akti të shejtë. Si e dini deri më sot në fenë ortodokse kanë kaluar afër 5.000 veta dhe të gjitha mjetet që i kam pas në dispozicion i kam vu në shërbim të asaj çështje. Para, që me kujdes i kamë përdor për këtë çështje, nuk kam, prandaj kam nderin që t’i propozoi Ministrit që të caktoi fondin nga i cili, në mënyrë të arsyeshme, do të shpërbleheshin disa të kryqëzuar të vobekët. Kjo është më se e nevojshme dhe kushti më kryesor për suksesin e mëtutjeshëm të kësaj pune”.[21]

Është dokumentuar se shteti i paguante shpenzimet e kryqëzimit, organet lokale dhe shtetërore apo këdo që paraqiste dëshmi mbi shpenzimet e kryera.Kjo dokumentohet nga faktura e tregtarit Joko Drekaloviq i cili për shpen­­zimet e bëra për familjet e kryqëzuara (kishte dhënë raki, kafe e ushqim) i paraqiti për pagesë Drejtorisë së Rrethit në Beranë, më 14 maj 1913, faturën me vlerë prej 176 përpëresh.[22]

Edhe raporti i brigadierit Mashan Bozhoviq, komandantit të ri të emëruar për Qarkun Ushtarak të Plavës e të Gucisë, dërguar kryetarit të qeverisë, njëkohësisht ministër i Ushtrisë, Serdar Janko Vukotiqit,[23] vërteton terro­rin, keqtrajtimet dhe keqpërdorimet e pushtetit malazez ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve. Në raportin e tij, të datës 8 maj 1913, ndër të tjera, thuhej: “Për sa kam parë dhe për sa jam i informuar, për gjëndjen e kaluar dhe të tashme në këtë qark, në pika të shkurtra po paraqes gjëndjen, edhe pse jo në mënyrë detale e gjithëpërfshise, por vetëm sa për dieni:

Pasi një kohe që ju (Janko Vukotiqi) shkuat nga këtu, si duket, sipas udhëzimëve të dhëna nga Ju, punët, sipas rrjedhëve të ngjarjeve, shkuan bukur në rregull, deri në një kohë kur disa zyrtarë të caktuaru u zavëndësuan, punët ndërruan dhe ata u bënë terror i vërtetë në çdo pikëpamje.

Si ka ndodhur, dhe si janë krijuar komplotet për disa muhamedan, nuk deshoroi të hyj, edhe pse kam dyshime…. Kanë vrarë njerëz në zë dhe të pasur vetëm për të grabitur ata çka kanë në trupin e tyre, pa i kursyer aspak dhe duke i porositur që të përgaditën për çdo gjë, të shkojnë të bashkohen me Gospodarin, e pastaj në pyll, u lexonin aktgjykimin ose edhe pa ta i vritnin.

Nga kjo kanë qenë të kursyer vetëm ata të cilët kanë kërkuar të kryqëzohen ose kanë shpëtuar duke ikur, sepse këtu dhe gjithku është folur: Kush nuk don kështu do të shkoje në “kërkim”, çka do thotë do jetë i vrarë.

Që kur unë kam ardhur dhe kamë dhënë shpalljen për sigurinë e jetës dhe pasurisë si dhe për përdorimin e lirë të fesë, populli është qetësuar pak, e sidomos që kur janë çelur përseri xhamiat, kanë besimin e plotë dhe nga shkuarja në xhami shihet se sa ka qenë shtërngesa për ndërrimin e fesë. Akoma nuk mund të them, por si duket, as një e pesta e të kryqëzuarve nuk do të mbesë në fenë ortodokse…

Nga ata që kanë ikur, edhe nëse kthehen, sigurisht asnjëri nuk do të mbes i kryqëzuar edhe pse, përgjithësisht anëtarët e familjeve që kanë mbetur këtu, kërkojnë që sa më parë të kthehen, dhe atëherë rendi e qetësia do të shkonte mirë……

Po ashtu, me emblema dhe me shpata, kamë gjetur 5-6 vetë nga Vasojeviqi dhe nga nahija e Beranës, të cilët përpara kanë qenë xhandarë apo ushtarë të thjeshtë, e tani u janë dhënë në shërbim atyre komandirave të ri si një llojë agjytanti dhe përkthyesi, por para disa ditësh i ka thirur Komanda e Brigadës së Beranës”.

Pushteti kishte dijeni për të gjitha veprimet e shëmtuara të pushtetit vendor dhe ushtarako-policor në këto treva. Nga veprimet e shëmtuara ndaj popu­­llatës shqiptare, populli kishte lëshuar shtëpitë e tyre, kishte ikur e dalë në mal dhe kjo çështje po e komprometonte Malin e Zi në arenën ndërkom­bë­tare, prandaj ministri i Brendshëm kishte nxjerrë vendimin nr. 1716, datë 18/31 maj1913, me të cilin e detyronte kapedanin Gj. Vërbica, të hetonte në mënyrë të padiskutueshme punën e organeve të pushtetit në krahinën e Plavës dhe Gucisë, i cili shkoi atje dhe më 20 maj/2 qershor 1913 i raportoi ministrit në fjalë si vijon: “Gjatë qëndrimit tim atje populli nuk pati dhunë nga ana e pushtetit të atjeshëm, por me sa mora vesh nga përsona të paanshëm, pati plaçkitje dhe kërcenime nga ana e pushtetit në kohën e kapitenit të Kapetanisë së Gucisë, Milivoje Dragoviq. Pas kësaj kohe u ndërpre dhuna në pikëpamje të plaçkitjes dhe përfitimit personal. Për këto keqtrajtime përmendën, midis të tjerëve, kapiteni Mileta Grançiq dhe shefi i policisë Milan Veshoviq, po ashtu edhe Milutin Radoniqi dhe sekretari tij Bakiq. Ata e shfrytëzuan pozitën e tyre sikurse edhe kryetari i komunës, Marko Bozhoviq, të cilët ushtronin terror duke i rrahur njerzit me shkop… Sa i takon kryqëzimit të myslimanëve të atjeshëm, mësova si nga përsonat pa kompetencë ashtu edhe nga autoritetet e atjeshme ushtarake dhe civile, se pushteti i ra në gjurmë qëllimit të plavjanëve dhe gucianëve për të çuar krye e për t’i vrarë zyrtarët, prandaj erdhi ushtria së bashku me gjykatën ushtarake në krye me brigadierin Cemoviq. Atëherë kjo gjykatë zuri t’i vrasë. Nuk ia dola të informohem se cili ishte numri i saktë i të vrarëve. Thuhej se ishin vrarë 70 apo 100 veta por flitej se janë vrarë deri në 250 veta, dhe se këto vrasje i detyruan gucianët të kryqëzohen që t’u shmangën vrasjeve të reja…[24] 20 maj 1913”.

Myftiu i Kazasë së Gucisë, Shabani, i dërgon letër kryemyftiut të Malit të Zi, Ali Myrteza Efendiut[25] (shkresa nuk ka datë, vetëm është shënuar muaji maj) të cilin e lajmëron se, pasi gjenerali Vukotiq ishte larguar nga Gucia, në vend të tij filluan të qeverisin kajmekami i Kazasë së Gucisë, Milutini dhe kryetari i bashkisë së Gucisë, z. Miliq, të cilët po e mundojnë popullin me lloj-lloj torturash. “Këto pushtetar për çdo ditë dhe nga 20 herë bënin kontrollimin e qytezës tonë, keqtrajtonin dhe terrorizonin nevojtarët dhe kalimtarët e përditshëm, banorët e pafajshëm si dhe parin; dhe tregtarët, të cilët i shanin dhe poshtëronin bile edhe 80 vjeçarëve u jepnin dajak dhe i shqelmonin midis çarshisë. Popullsia e gjorë dhe e pafajshme,e pambrojtur, keqtrajtohej dhe terrorizohej deri na atë shkallë sa as penda nuk mund t’a përshkruaje. Duke menduar me lot, me zëmër të piklluar e të lënduar, me mendje të ndrydhur dhe shpirt të përvëluar se çfarë rrugëdalje duhet kërkuar nga kjo gjendje tragjike, vëndosa të njohtoi Hirësin Tuaj fisnike në mënyrë që të shkoni dhe të ndërhyni sa më parë të mbreti Nikolla i Malit të Zi”.

Më 2 mars 1913 doli një shpallje me të cilën thirrej e gjithë popullsia e krahinës së Plavës e Gucisë që ta braktisë menjëherë fenë e tashme. Në shpallje thuhej: “Të gjithë ju banorë jeni të detyruar të vini në selinë e pushtetit. Mirëpo, ne u përgjigjem me fjalë: këtë urdhëresë të pushtetit malazez e refuzojmë në mënyrë kategorike. Të nesërmen, pushteti malazez përdori mënjiherë metodat e egra dhe masakruese.

Pushtuesit bënë seleksionimin e njerëzve, duke marë më të zot e më të mirët: tetë personalitete më të njohur të Ulemasë, shtatë haxhinj (të pasur), dy profesorë, tridhjetë përsona të parisë, pesëdhjetë e dy burra – trima. Dhe jo vetëm kaq, po edhe njëqind meshkuj të tjerë i morën nga krahina e Gucisë dhe e Plavës, dhe të gjithë këta njerëz të pafajshëm i pushkatuan dhe i masakruan në mënyrë të papërshkrueshme.

Nga dhjeta mijë njerëz që pushteti malazez i kishte marrë me dhunë për t’i konvertuar, katërqind veta shpetuan duke ikur malit, kurse nga dymbdhjetëmijë veta, burra, gra, që i kishin mbledhur për t’i kryqëzuar, sëpari zgjodhën treqind veta, i poshtëruan dhe i dërguan me dhunë në kishën pravosllave. Familjet tona, ndërkaq, u nxorën nga shtepia me forcën e policisë dhe u dërguan në kishë për t’i kthyer në fenë pravosllave. Për ngjarje të tjera vertetë nuk kam çka të shtoj, vetëm se tashti mbeta pa mend. Zoti qoftë me ne!

Kryemyftiu i Malit të Zi, më 17 maj 1913, e njofton Myftiun e Gucisë, se kishin protestuar rreptë të mbreti Nikolla dhe se me urdhërin e Tij Mashan Bozhoviqi, ministër i Luftës, kishte shkuar në Plavë e Guci dhe në vise të tjera ku është bërë kryqëzimi i popullsisë.I falëm zotit të Madhërishëm dhe dhe të Gjithëfuqishëm, më ndihmen e tij”, shton më tej Kryemyftiu i Malit të Zi,gjithë popullsia islame, botërisht, u kthye përseri në fenë islame”.[26]

Edhe popullata katolike e krahinës së Plavës dhe Gucisë ishte detyruar që pa dëshirë të konvertohej në fenë pravosllave. Gjithsesi, pushteti i Malit të Zi ishte i kujdesshëm dhe nuk dëshironte që me veprimet e veta të lë të kuptohej se po bënte presion mbi katolikët. Për këtë dëshmon telegrami nr. 974, i Ministrisë të Punëve të Brendshme në Cetinjë,[27] dërguar më 1/14 mars 1913, krahinarit të Gjakovës, z. Jovan Pllamenac, në të cilin thuhej:

T E L E G R A M

Nr. 974, 1 mars 1913

Nga Gjakova në Cetinjë

“Sa i përket kalimit të familjeve katolike në fenë pravosllave, së pari le të plotësohen formalitetet e nevojshme, që mos të mendohet se u bëhet ndonjë presion”.

Presioni ekzistonte dhe mund lehtë të dokumentohet me veprimet e Ushtrisëmalazeze në terren. Vrasja e priftit katolik, patër Luigj Palaj, paraqet rastin më tragjik të presionit pasi kur një komuniteti, pa asnjë arsye, i pushkatohet prijësi shpirtëror, presioni është edhe më i madh dhe shndërrohet në frikë.

Në lidhje me ndërrimin e fesë me dhunë të katolikëve, Ministria Fuqiplotë e Austro-Hungarisë, më 22 mars 1913, i dërgoi një notë verbale Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi, në të cilën thuhej: “Pas raporteve të komunikuara për ndërrimin e fesë me dhunë nga autoritetet malazeze në Gjakovë dhe në rrethinën e tij, imzot Mjeda (Lazër) dhe administratori i Konsullatës Perandorake në Prizren, zoti Pecel, do të shkojnë së bashku në Gjakovë.kur autoritetet tuaja da t’na lejojnë. Qëllimi i këtij udhëtimi është që të rivendoset stas kuo-ja konfesionale, jo vetëm për katolikët e dërguar në kishat ortodokse nga malazeztë, më 15 të këtij muaji, por edhe për të gjitha konvertimet e tjera me dhunë, për të cilat Administratori përandorak dhe Mbretëror e bënë përgjegjës adminstratorin RL (të Malit të Zi)”. [28]

Paria e Plavës, e Gucisë e Podgoricës i dërgojnë telegram nr. 1894, më 22 qershor 1913, Lartmadhërisë së Tij, Mbretit në Cetinjë, për largimin nga ky qark të administratës dhe policisë së Vasojeviqëve, sepse janë ata që e kanë vrarë këtë popull pa drejtësinë e Zotit, janë ata që kanë shkelur fenë tonë dhe e kanë ndërruar me dhunë. Të nënshkruar në emër të qarkut të Plavë-Gucisë: “Myftiu i Gucisë Smajl efendiu, Adem Aga, Shaban beg Plava, Emrullah beg Rexhep­agiqi, bajraktari i Martinajve, Mustafa Kuçi i Vuthajve, Mulla Aso Çekiqi, Sheqo Alil Radonçiqi”.[29] Ushtria malazeze vazhdonte sjelljet arrogante ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Kështu, kapiteni Gj. Vujosheviq, më 20 gusht 1913, me telegram nr. 917, lajmëron ministrin e Brendshëm, z. Gojniq, se dje (19 gusht, H. H.), rreth orës 11:30, ushtarët e garnizonit të Gucisë vranë tre kolendarë dhe pesë vuthjanë, pa treguar motivin e vrasjes.

Po i njëjti zyrtar më 21 gusht 1913, me telegram, i shënuar si urgjent, njofton ministrin e Brendshëm se, përveç tetë turqve të vrarë, edhe mbrëmë në orën 9:00, kur turqit hynë në xhami për t’u falur, dikush nga tanët i gjuajti me gurë. “Populli është shumë i indinjuar, – vazhdonte ai, – dhe në qoftë se nuk urdhëroni që të mënjanohen ata që veprojnë ashtu, heq nga vetja çdo përgjegjësi”.

Letra e kapitenit të Gucisë, nr. 1140, 29 gusht1913, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme në Cetinë, z. Labud Gojniq, vërteton padrejtësitë që muhamedanëve u bëhen nga ana e serbëve vendas, disave nga kufiri i vjetër dhe më së shumti nga ushtarët e trupës së këtushme. Ndër të tjera, shkruan: “Zoti Ministër, duke e quajtur betimin ndaj Mbretit si të shenjtë dhe duke dashur ta përmbushë këtë për aq sa mundem, Ju them: popullata e këtushme muhamedane nuk gëzon kurrfarë të drejtash dhe lirie, madje as lirinë e jetës. Ja pse: sepse i nxjerrin natën nga shtepitë e veta dhe i rrahin për vdekje me pushkë e bajoneta nëpër rrugët e fshatrave; sepse ua zënë rrugën dhe duke shtirë me pushkë mbi kokat e tyre, i plaçkisin dhe i grabisin; sepse natën gjuhen shtepit dhe faltorët e tyre (xhamitë); sepse, nga ana e ushtarëve të trupës së këtushme u bëhën dëme në drithë, sanë, pemë, dhe bagëti; sepse jo vetëm që nuk mund të flasin lirisht, por edhe kërcenohen, u mbillet frika gjithnjë më e fortë, dhe u bëhën padrejtësi gjithnjë më të mëdha”.[30]

Në procesverbalin nr. 499, datë 11/24 mars 1913, i mbajtur në zyrën e kapedanit të Gucisë, në lidhje me lutjen e Alil Hysenbegoviqit dhe shokëve të tij nga Plava, dërguar Lartmadhërisë së Tij, Krajlit, thuhet se ata po pësojnë zullume dhe padrejtësi nga disa autoritete zyrtare të Plavës e që del se ai ishte konvertuar në ortodoks dhe e kishte marrë emrin Danillo. Pra, Emrullah Begu ishte bërë Ivan beg Rexhepagiq, Mulla Cana ishte bërë Jovan Ivanoviq, dhe hoxhë Rexhepagiqi ishte bërë Urosh Rexhepagiq. Në emër të tyre, deklaratat në procesverbal i nënshkroi Milovan Raiçeviqi, i cili ishte edhe sekretar i kapedanit. Procesverbali u përfundua dhe u nënshkrua nga kapiteni Milivoje Dragoviq dhe sekretari Raiçeviq,[31] sipas parimit “vetë shkruaj e vetë vulos”.

Krajl Nikolla, duke parë se aktiviteti i konvertimit në fenë ortodokse po i del nga kontrolli dhe se i gjithë ky veprim mund të hasë në kundërshtimin e autoriteteve evropiane, urdhëroi që të njoftohet populli i krahinës i Plavës e i Gucisë, se janë të lirë ta zgjedhin besimin e tyre. Në lidhje me këtë, koman­dant Bozhoviqi, Ministrisë së Punëve të Brendshme i ka dërguar telegramin nr. 4051/841, datë 8 shkurt 1913,në të cilin thuhet: “Dje, sipas urdhëresës tuaj nr. 2792 i kamë mbledhur të gjithë gucinjanët e pastaj edhe të gjithë plavnjanët e u kamë thënë se janë të lirë të zgjedhin besimin e tyre dhe se janë të lirë të shkojnë në cilëndo xhami apo kishë. Vërehet se shumë pak kanë mbetur pa shkuar në xhami” e qëpa dyshim e fundos tezën e konvertimit të myslimanëve dhe shqiptarëve në fenë pravosllave me vullnet.

Se konvertimi nuk ishte me vullnet, por i imponuar dhe i dhunshëm, vër­te­tohet edhe me faktin se popullata, të ikurit dhe të tjerët, pas deklarimit të pushtetit se çdokush mund lirisht të predikojë fenë e vet, po ktheheshin në shtëpitë e tyre për ta vazhduar jetën. Komandanti Mashan Bozhoviq, i Qarkut Ushtarak të Plavës e Gucisë, më 23 maj 1913, duke njoftuar kryeta­rin e qeverisë dhe ministrin e Luftës, Janko Vukotiq, për qëndrimin e mysli­manëve të cilët me “vullnet” kishin kaluar në fenë ortodokse, ndër të tjera, theksonte: “Sot u vërtetova se shumë pak do të mbesin në fenë ortodokse , pasi në mëngjes, pashë në masë njerëz që delshin nga xhamija duke thirë rroftë krajli që na dha lirinë. I njëjti rast është edhe në Plavë dhe krejt rrethinën dhe mënjëherë do të kalojnë në muhamedanë dhe se gjithku thiret rroftë krajli. Në përgjithësi këtu mbretnon qetësia dhe rendi dhe populli me kënaqësi kan filluar të punojnë punët e tyre. Tre vetë që kishin ikur në Valbonë sot janë kthyer dhe thonë se të gjithë të ikurit presin me padyrim të kthehen. Ata thonë se në Curaj të Valbonës dhe në Krasniqe ka dy mijë deri në tri mijë të ikur që aty janë grumbulluar nga të gjitha vendet për rreth”.[32]

4. Në vend të përfundimit

Nga përmbajtja e dokumenteve arkivore në lidhje me kryqëzimin e shqip­tarëve, punës së komisionit hetimor për veprimet e paligjshme të organeve shtetërore, qendrore, lokale, të individëve si përfaqësues të pushtetit dhe të popullsisë vendase pravosllave në lidhje me këtë çështje, del se shqiptarët (myslimanë dhe katolikë) u konvertuan në fenë pravosllave pa dëshirën e tyre, gjegjësisht me dhunë dhe me dijen e plotë të pushtetit dhe vetë Krajl Nikollës. Fakti se shqiptarët kërkuan vetë të kalonin në fenë pravosllave është i papra­nueshëm, për këto arsye:

– Nën presionin e përhershëm të pushtetit dhe ushtrisë malazeze dhe premtimit të tyre se ato që kalojnë në fenë pravosllave do të gëzojnë privilegje të ndryshme, do të trajtohen mirë nga pushteti, aty-këtu ndonjëri edhe do të punësohej në administratë, do t’u ulej tatimi, do të marrin ndihma të ndryshme materiale etj., disa nga shqiptarët, të udhë­hequr nga dëshira që t’i shmangen dhunës ushtarako-policore malazeze, u lajmëruan për të ndërruar fenë e tyre me fenë pravosllave. Lajmërimi vullnetar i tyre në asnjë rast nuk është shoqëruar me nënshkrimin e tyre, madje as në gjuhën osmane që, pa dyshim, shumë nga qytetarët dinin shkrim e lexim në atë gjuhë, veç se kërkesat në çdo rast janë nënshkruar nga vetë zyrtarët malazezë;

– Kundër atyre që nuk pranuan të ndërrojnë fenë e tyre e të cilët nuk kishin arritur të iknin, pushteti ushtarako-policor merrte masa nga më të egrat, rrihte, plaçkiste, burgostee pushkatonte, veprime të cilat i shtynin shqiptarët të lajmëroheshin për ndërrimin e fesë, gjithsesi nën kërcënime, me forcë dhe dhunë e në asnjë mënyrë me dëshirën e tyre;

– Gjatë procesit të kryqëzimit me dhunë, për të mos pranuar kryqëzimin, një numër i madh i shqiptarëve të krahinës së Plavës dhe Gucisë i lëshuan shtëpitë e veta stërgjy­shore:

– Pas proklamatës së Krajlit, se çdokush është i lirë të predikojë fenë e vet, po thuaj të gjithë të konvertuarit u kthyen në fenë e tyre të mëparshme – muhamedane apo katolike, veprim i cili në themel e shfuqizon mendimin e kujtdo se shqiptarët e kishin pranuar konvertimin në fenë pravosllave me vullnetin e tyre.

– Kryqëzimi në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si incident apo rastësi e kryer nga disa njerëz pa dijen e qeverisë dhe Krajl Nikollës. Fakti se me fillimin e kryqëzimit “vullnetar” u njoftuan Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit, insti­tucioni fetar dhe pushteti lokal dhe ata komunikuan ndërmjet vete, dhanë udhëzime për veprim dhe u dhanë ndihmë financiare të gjithë atyre që shpenzonin të holla për këtë çështje, ashtu si e dokumentuam me dokumente konkrete, po ashtu hedh poshtë të gjitha tezat e historiografisë malazeze se konvertimi në fenë pravosllave ka qenë incident i përkohshëm dhe është kryer pa dijeninë e pushtetit dhe Krajl Nikollës.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, të vitit 1905, e cila në kohën e kryqëzimit ishte në fuqi, Knjazi është kreu i shtetit dhe, si i tillë, ka të gjitha të drejtat e pushtetit shtetëror (neni 2); është urdhëruesi suprem i të gjitha forcave ushtarake të shtetit (neni 5); emëron të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe nën kontrollin e tij suprem, ata ushtrojnë autoritetin e tyre në të gjithë vendin (neni 8, al. 2); Këshilli Ministror qëndron drejtpërsëdrejti nën urdhrat dhe kontrollin e Knjazit (neni 105); Ministrat janë përgjegjës ndaj Knjazit për aktet e shërbimit dhe veprimet e tyre zyrtare (neni 108). Në fund, ministrat, në afatin prej pesë vjetëve nga dita e kryerjes së veprës, mund të akuzohen nga Knjazi apo Kuvendi Popullor ( neni 111, al. 1, pika 5 dhe 113). Atëherë shtrohet pyetja a ka qenë Krajl Nikolla në dijeni për fillimin dhe ecurinë e kryqëzimit? Edhe po të ishte e vërtetë se ministrat nuk e kanë njoftuar me kohë atëherë pse asnjëherë, për pesë vjet, nuk e shfrytëzoi të drejtën për denoncimin e ministrave, madje atë s’e bëri as Kuvendi Popullor. Faktet e prezantuara vërtetojnë se Krajl Nikolla ka qenë në dijeni të veprimit poshtërues ndaj shqiptarëve, përndryshe është dashur t’i denoncojë dhe dënojë ministrat qeveritarë, por këtë s’e bëri! Fakti se Krajli formoi komisionet hetuese për hetimin e veprimeve të organeve shtetërore apo individëve ndaj shqiptarëve nuk e liron Krajlin nga përgjegjësia, aq më tepër kur dihet se të procesuarit janë dënuar me dënime të lehta, madje disa nga ta janë kthyer edhe në punë!

– Nëse në relacionin këshilli ministror – Krajl Nikolla vërtet ka pasur çarje ose mos­bashkëpunim të punëve, po ashtu Krajl Nikollën nuk e liron nga përgjegjësia sepse dokumentet e paraqitura dëshmojnë për pasojat e rënda dhe vuajtjet e popullit shqiptar të këtyre trojeve, kryesisht nga organet shtetërore.

– Në krye të të gjitha veprimeve johumane ndaj shqiptarëve kanë qenë brigadierë e komandantë të ushtrisë malazeze, komandant suprem i të cilave ishte Krajl Nikolla, dhe më i theksuar ndër ata Avro Cemoviqi. Nëse Cemoviqi, brigadier i nisur për të qetësuar situatën në krahinën e Plavës dhe Gucisë nga vetë komandanti suprem, ka qenë bartës i të gjitha veprimeve barbare ndaj shqiptarëve, atëherë shtrohet pyetja: Kush ishte iniciatori dhe me urdhër të kujt veproi Cemoviqi? Në rregullimin shtetëror monar­kist, ku monarku i ka të gjitha të drejtat e komandimit civil dhe ushtarak, është e pamundur që ai të punonte krye në vete, përndryshe ai do të burgosej që në fillimin e veprimeve e jo të pritej deri kur komisioni hetimor t’i mbaronte hetimet.

– Nëse i shikojmë të gjitha dokumentet arkivore një nga një e të gjitha së bashku dhe pasojat të cilat kanë prodhuar veprimet jonjerëzore ndaj shqiptarëve dhe nëse i refe­rohemi Kushtetutës në fuqi, e gjithë përgjegjësia bie mbi komandantin suprem dhe mund të përfundojmë se iniciatori i kësaj masakre ishte vetë Krajl Nikolla.

– Të gjitha veprimet e paligjshme, si çarmatimi dhe kryqëzimi, pushkatimet e të moshuarve dhe të fëmijëve, plaçkitjet, djegia e shtëpive dhe objekteve fetare, të marra një nga një e të shqyrtuara si një tërësi dokumentesh e veprimesh, përmbajnë elemente të dhëna për gjenocidin ndaj njerëzimit dhe në rastin konkret ndaj shqiptarëve në përgjithësi e ndaj shqiptarëve, myslimanë e katolikë, të krahinës së Plavës dhe Gucisë, në veçanti.

Gjithsesi, politika e konvertimit me dhunë të shqiptarëve Malit të Zi i shërbeu si mjet i pastrimit etnik të trojeve shqiptare ose, së paku, për ndryshimin e strukturës së popullsisë në favor të malazezëve.

Në fund dua të shtoj se konstatimi im për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Krajl Nikollës dhe zyrtarëve të tij shtetërorë për krimet e bërë ndaj shqiptarëve dhe cilësimin e tij si përgjegjës dhe iniciator është krejtësisht i bazuar në dokumente arkivore të shtetit, prijës i të cilit ishte ai vetë, nuk e bëra për ta denoncuar personalitetin e tij, sepse është shumë vonë, por e bëra për të mësuar të kaluarën tonë me qëllim që të mësojmë nga ajo, sepse ka ardhur koha që gjërat të thuhen ashtu si janë, për ne e në veçanti për gjeneratat e reja.

 (Marrë nga revista “Arkivat shqiptare”)

______________________

Referenca:

Babiq, Branko, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim krajevima 1912-1914, Obod, Cetinje, Pobjeda,

Titograd, 1984

Cana, Zekeria, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë, 1966

DACG, MUD, 1913, dok. 44

DACG, MUD-UO, 1912, dok. 2979

DACG, MV, 1912, telegram i M. Radonjiqit më 24 dhe 26 nëntor 1912

DACG, MUD, 1912, IK II, fas. 2

DACG, MUD-UO,1912, f. 131, dok. 2979, 3035

DACG, MV,1913, dok. 429, 17 mars 1913

DMC, fond Nikola I, 1915, dok. 194

DACG, MUD, 1913, Komisija I

DACG, MUD, 1913, telegram nr. 919, 19 mars 1913

DACG, MUD, 1913, telegram nr. 1553, 19 mars 1913

DACG, MUD, 1913, telegram pa nr., i datës 17 maj 1913

DMCG, fond Nikola I, 1913, dok. 194, shkresa “sekret” nr. 7775, 3 janar 1913

DACG, MUD, 1913, IKPl dhe IKG

DACG, MUD, 1913, tel. 1722, 23 mars 1913

DACG, MUD, 1913, tel., pa nr., 21 mars 1913

DACG, MV – kabinet, 1913

DACG, MUD, 1913, telegram nr. 974, 14 mars 1913

DACG, MUD, 1913, tel. 974, 14 mars 1913

DACG, MV – kabinet, 1913

DACG, MUD, 1913, tel. 1894, 29 qershor 1913

DACG, fondi IKPL, 1913, procesverbal nr. 499

DACG, MUD, 1913, raporti i komandantit të Zonës Ushtarake të Plavës dhe Gucisë dërguar kryetarit të qeverisë Janko Vukotiqit

Matica muslimanska, Iseljavanje muslimana u Turskoj, Podgorica, 2011

***

[1] Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë, 1966, f. 94

[2] DACG, MUD, 1913, dok. 44

[3] DACG, MUD-UO, 1912, dok. 2979

[4] DACG, MV, 1912, telegram i M. Radonjiqit më 24 dhe 26 nëntor 1912

[5] Branko Babiq, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim krajevima 1912-1914, Obod, Cetinje, Pobjeda, Titograd,1984, f. 170

[6] DACG, MUD, 1912, IK II, fas. 2

[7] DACG, MUD-UO,1912, f. 131, dok. 2979, 3035

[8] DACG, MV,1913, dok. 429, 17 mars 1913

[9] Në asnjë dokument arkivor nuk vërtetohet se lutjet për kalimin me vullnet në fenë pravosllave janë nënshkruar me dorën e vet kërkuesit, por nënshkrimin e lutjes në emër të kërkuesit gjithmonë e ka bërë ndonjë malazias

[10] DMC, fond Nikola I, 1915, dok. 194

[11] DACG, MUD, 1913, Komisija I, f. 1

[12] DACG, MUD, 1913, telegram nr. 919, 19 mars 1913

[13] DACG, MUD, 1913, telegram nr. 1553, 19 mars 1913

[14] Matica muslimanska, Iseljavanje muslimana u Turskoj, Podgorica, 2011

[15] DACG, MUD, 1913, telegram pa nr., i datës 17 maj 1913

[16] DMCG, fond Nikola I, 1913, f. 1, dok. 194, shkresa “sekret” nr. 7775, 3 janar 1913

[17] DACG, MUD, 1913, IKPl dhe IKG [18] Po aty

[19] DACG, MUD, 1913, tel. 1722, 23 mars 1913

[20] Po aty, tel. 1139, 25 mars 1913

[21] DACG, MUD, 1913, tel., pa nr., 21 mars 1913

[22] Po aty, tel., 4 maj 1913

[23] DACG, MV – kabinet, 1913, f. 7

[24] Po aty

[25] Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë, 1977, f. 205

[26] DACG, MUD,1913, telegram nr. 974, 14 mars 1913

[27] DACG, MUD, 1913, tel. 974, 14 mars 1913

[28] DACG, MV – kabinet, 1913, f. 7

[29] DACG, MUD, 1913, tel. 1894, 29 qershor 1913

[30] Po aty, telegram nr. 1140, 29 gusht 1913

[31] DACG, fondi IKPL, 1913, procesverbal nr. 499

[32] DACG, MUD, 1913, raporti i komandantit të Zonës Ushtarake të Plavës dhe Gucisë dërguar kryetarit të qeverisë Janko Vukotiqit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura