DEKADENCA SIPAS MENDIMTARIT MATEI CALINESCU
Një ndër termat e rëndësishëm në sferën e shkencave sociale është edhe ai i dekadencës, që nënkupton gjendjen e rënies, shkatërrimit, kalbjes, zhezhitjes, rrëzimit, marrjes së tatëpjetës, të zhbërjes. Termi në fjalë është përdorur edhe për ta përshkruar rënien e qytetërimit që i paraprin shkatërrimit në kuadër të ciklit historik. Në fundin e shekullit XIX ka mbizotëruar ndjenja se Evropa ka arritur fundin e një epoke ose fin de siecle. Në këtë artikull do të ndalemi te pikëpamja për këtë çështje e mendimtarit dhe kritikut letrar rumun-amerikan Matei Calinescu (1934-2009), filozof ky i cili, duke e riinterpretuar dhe duke e rivlerësuar dekadencën, këtë term e ndërlidh me botën tonë të shteruar, pra asocon një botë në fazë të rënies e të degradimit, të shpërbërjes.
Nga Ali Pajaziti
A është normale të flasësh me veten, sipas psikologëveFifi i përgjigjet ndjekëses që i tha nëse i ka penguar të marrë një mashkull të martuar…Barça Femeni hakmerret për ekipin e meshkujve, shkatërrojnë Real Madridin në Superkupën…Berisha e krahason situatën me atë të Skënderbeut: Luftoi një pushtim të huaj, kurse ju…Çfarë është sëmundja X dhe pse shkencëtarët po flasin për të në forumin e Davosit?
Kush është Calinescu?
Calinescu, një erudit në mënyrën borhesiane (indiana.edu), një analist i ideve të estetikës që drejtuan krijimtarinë letrare perëndimore në 150 vjetët e fundit, është njeri i mirënjohur i letrave, i diplomuar në Universitetin e Bukureshtit (1957), autor i gjashtë librave të kriticizimit letrar, i një novele Life and Opinions of Zacharias Lichter dhe i tre vëllimeve të poezisë. Në vitin 1960 ka filluar karrierën si asistent e, më vonë, si lektor në Departamentin e Literaturës Botërore të Universitetit të sipërpërmendur. Më 1972 merr gradën e doktorit të shkencave në letërsinë e krahasuar në Universitetin e Kluzhit. Në vitin 1973 e fillon karrierën në Universitetin Indiana (ShBA) si profesor vizitor dhe ligjërues i programit Fullbright. Librat dhe artikujt e tij kapin gamën e studimeve rreth modernizmit dhe lidhjeve midis letërsisë, fesë dhe politikës. Publikimet e tij përfshijnë veprat si Duke eksploruar postmodernizmin (Exploring Postmodernism, ed. me D. W. Fokkema, Amsterdam and Philadelphia: John Benjamins, 1988), Rumunët: një histori (The Romanians: a history, Ohio State University Press, 1991), veprën më të njohur të tij Pesë fytyrat e modernitetit: Modernizmi, avangarda, dekadenca, kiçi dhe postmodernizmi (Five Faces of Modernity: Modernism, Avant-Garde, Decadence, Kitsch, Postmodernism (Duke University Press, 1997), Eugene Ionesco: Tema identitare dhe ekzistenciale (Eugene Ionesco: Teme identitare si existentiale, 2006), Enigma e Metjut (Mathew’s Enigma, Indiana University Press, 2009) etj.
Ç’është dekadenca?
Dekadenca, që rrjedh nga rrënja latine de “nga” dhe cadere “rënie”, nënkupton gjendjen e rënies së kulturës, ekzistimin e gjendjes shoqërore ose kulturore më të mirë ose më të dëshiruar. Ajo shënjon një gjendje të dërrmimit të një aspekti të ekzistencës së civilizuar, një baule të mbushur me zbrazëtirë (Gilman, 1979). Sipas A. E. Carter, dekadenca nënkupton përkeqësimin e diçkaje, rënien, kolapsin (Carter, 1958). Dekadenca është një hap normal drejt një periudhe madhështore dhe kusht i domosdoshëm për një risi kreative që do të marrë hov nesër ose pasnesër. Kur njerëzit e pranojnë kotësinë dhe absurdin si gjë normale, kultura është dekadente (Barzun, 2000:11). Në vitin 1933, Praz ka shkruar një vepër impresioniste dhe enciklopedike të reagimeve dekadente ndaj modernitetit, një histori të frymës (geistgeschichte) (Hartman, 2000:1-2).
Në pikëpamjet e historianëve të vjetër të krishterë, tek pasuesit e tyre mesjetarë dhe të mëvonshëm (J. B. Bousset) dekadenca është komentuar si dënim i pashmangshëm hyjnor. Për filozofët e progresit dhe të së drejtës universale (Jean Bodin, Montesquieu, Turgot, Kant, de Condorect, Comte) dekadenca është shmangie e rastësishme nga përparimi i paevitueshëm. Nga Ibën Halduni, Hume, në veçanti Spengleri, dekadenca është pjesë e procesit të ngritjes dhe rënies ciklike, gjegjësisht lindjes, zhvillimit, pjekurisë dhe vdekjes. Utilitaristët thonë se dekadenca ndodh për dy shkaqe: dobësia funksionale dhe udhëheqësia joadekuate. Për ata që besojnë në vlerën e normave tradicionale, çdo shmangie nga tradita, nga ancien rëgime, nënkupton dekadencën. Për fondamentalistët, radikalët fetarë dhe ithtarët e autoritarizmit, çdo risi e mendimit është shenjë e dekadencës.
Në kryeveprën e vet, Calinescu merret edhe me çështjen e dekadencës, si një term ky që nuk është përdorur para Mesjetës në formën e vet si decadentia, decadenzia apo Decadenz, ndonëse ideja është e lashtë sa vetë njeriu, duke shënjuar fuqinë asgjësuese të kohës dhe fatalitetin e zvetënimit (Calinescu, 2012:166). Sipas tij, dekadenca mund të bashkëshoqërohet me fjalët si perëndim, muzg, vjeshtë, plakje, shterim dhe, në faza më të përparuara, kalbje organike dhe qelbëzim, krahas antonimeve të vetvetishme si ngritje, agim, pranverë, rini, çelje etj.
Njerëzit e kohëve më të hershme, pra ata të periudhës para qytetërimit modern perëndimor, mendonin se e kaluara ishte më e mirë se e tashmja. Pra, sipas nesh, kanë qenë regresivë, në kuptimin që mirësinë dhe shembulloren e kanë kërkuar në të shkuarën, në histori e jo në të ardhmen siç insiston paradigma moderne e përparimit ose progresit vijëdrejtë (linear). Greqia, p. sh., ka qenë e mbërthyer nga e shkuara, Epoka e Artë ka dominuar si në Greqinë dhe në Romën antike. Për grekët antikë, koha s’ka qenë gjë tjetër pos një rënie e vazhdueshme. Për ta, nocioni i përparimit të vazhdueshëm ishte i padëgjuar (op. cit., 166). Ngjashëm kanë menduar edhe arabët paraislamikë që besonin te koha si shkatërruese e gjithçkasë. Në Francë është përdorur që në shekullin XVI, kurse në Angli, ky term, për herë të parë ka filluar të qarkullojë në shekullin XIX (1837), në veprën e famshme History of French Revolution. Prej viteve ’50 të shek. XIX ky term u pasurua në aspektin semantik, që gjatë viteve ’80 solli një varg fjalësh të reja ironike-trillane, si decader, emërtimet decadizme dhe decadentisme. Në Itali ky term do të njihet si një kategori kritike decadentismo.
Dekadenca te Calinescu: Nga miti i progresit drejt realitetit tëhuajësues
Siç dihet, termi modernitet ndërlidhet me besimin në progresin e vazhdueshëm. Saint Simon dhe Auguste Comte kanë qenë aderues të besimit në progres dhe natyrisht se është dashur që të vërtetën shoqërore ta sqarojnë sipas formave të zhvillimit historik. Në skemën e Hobbesit, i cili është progresivist, shkalla e përparimit që e ka arritur Evropa legjitimohet përmes ligjeve të domosdoshme dhe natyrore të zhvillimit historik. Morgan thotë se shoqëritë deri më sot kanë përjetuar një evolucion shoqëror (egërsia, barbarizmi dhe qytetërimi). Mendimi i qytetërimit, i cili në shekullin XIX në Evropë fitoi rëndësi të madhe dhe i cili prej gjysmës së dytë të shekullit XVIII i motivoi thellë kombet dhe shoqëritë evropiane, në kulturën tonë kaloi si një trashëgimi të cilën në kohët e mëvonshme ua la “besimi për përparimin e pafund ”. Në këtë kohë evropianët ishin thellë të bindur se njerëzimi ka hapëruar në një shekull – kohë të re – në shekullin e qytetërimit absolut (Bullaç, 2002:17).
Megjithëse ideja e modernitetit është e lidhur pothuaj vetvetiu me shekullarizmin, elementi përbërës kryesor i tij është ndjenja e kohës së pakthyeshme dhe ky element përputhet me Weltanschauung-un eskatologjik jude-kristiane të historisë. Ja pse, ndonëse nuk kishte qenë aspak e pranishme në botën e lashtësisë pagane, ideja e modernitetit lindi gjatë Mesjetës së krishterë. Pikërisht gjatë Mesjetës fjala modernus, si ndajfolje dhe emër, u formua prej ndajfoljes modo (që do të thotë “e kohëve të fundit, pikërisht tani”) në të njëjtën mënyrë që fjala hodiernus zuri fill prej hodie (“sot”). Modernus, sipas Thesaurus Linguae Latinae, do thotë qui nunc, nostro tempre est, novelus, praesetaneus (e tanishmja, e kohës sonë, e reja, e pranishmja). Antonimet kryesore të tij ishin ashtu siç i rendit fjalori: antiques, vetus, priscus (antike, e vjetër). Vepra e Calinescut për modernitetin, që ngërthen edhe çështjen e dekadencës, është “studim plot dituri, i kthjelltë, i mprehtë dhe origjinal, i cili shtrihet mbi hapësirën e së pothuaj krejt Evropës, duke përfshirë kohën prej hyrjes së fjalës ‘modernus’ në latinishten mesjetare deri te postmodernizmi i ditëve të sotme”.
Calinescu, duke shpjeguar ligjin e përgjithshëm të dekadencës, përmend ndërvarësinë e saj me begatinë apo pasurinë, të cilën e nënvizon Montesquieu. “Në historinë e perandorive asgjë nuk është më pranë dekadencës sesa begatia e madhe. Po ashtu, në republikën tonë të letrave duhet të trembemi se mos begatia çon në dekadencë” (op. cit., 172-3). Një gjë të tillë e përmend edhe sociologu i parë, Ibën Haldun, në veprën e vet Prologomena (Muqaddimah), ku thotë se shoqëritë zhvillohen si njeriu, pra me një qasje biologjike shpjegon se çdo entitet social kalon nëpër procesin e fëmijërisë, rinisë dhe pleqërisë, që plotësohet në brezin e katërt me shkatërrimin përfundimtar (Bullaç, 2002:188).
Sipas Calinescut, dekadenca, të cilën e komenton më tepër në rrafshin e artit, por gjithnjë duke e ndërlidhur edhe me sfera të tjera të jetës, në fakt është antimoderne, antirisuese, antiimagjinative, është përshkruese dhe shkon në dëm të arsyes. Ajo dalëngadalë e dërrmon kombin, andaj dekadenca në Francë ka bërë “nam” në shekullin XIX, kur u vërejt se “ndjenja e fuqisë dhe prestigjit të kombit francez po binin ”. Dhe tani, në epokën e postmodernes, gjendje kjo kur është humbur besimi në “rrëfimet e mëdha legjitimuese”, është emër i një epoke që shënon fundin e të gjitha miteve ngushëlluese rreth mbisundimit intelektual dhe të “së vërtetës”, gjendje që shprehet me “mosbesim ndaj metanarracioneve”, “kryengritje kundër monotonisë jetësore të imponuar nga mënyra moderne e jetesës që i shkrin në kazanin e vet të gjitha veçoritë”, “këputje e lidhjeve me fushën estetike të modernizmit”, “bërthamë e paskriticizmit dhe politikë e interpretimit të së sotmes”, “periudhë skizofrenike e shoqërisë së konsumit” (Pajaziti, 2009:484), kur “njeriu modern, i shtrënguar t’u besojë koncepteve ‘zhvillim’ dhe ‘përparim’, ka humbur shumë gjëra dhe jeton pa shpresë, kur ai nuk di se çfarë ka humbur” (Bullaç, 2002:7), kur duket se progresi dhe neuroza janë të pandara (Ditari i vëllezërve Gonkur). Për këtë sëmundje flet edhe Zola (“sëmundja e progresit”), simptomat e së cilës ai i gjente në çdo refleksion të kohës së tij, edhe në letërsi: “Ne jemi të sëmurë, kjo është e sigurt, të sëmurë me progres”. Calinescu i referohet edhe Burzhesë, autor i Theorie de la decadence, i cili, me një diskurs sociologjik, analizon dy llojet e shoqërive, ato organike – në të cilat energjitë e përbërësve u nënshtrohen qëllimeve dhe kërkesave të “organizmit total” dhe, të dytat, shoqëritë dekadente, të cilat shënohen nga një shkallë në rritje anarkie, nga një tendosje e marrëdhënieve hierarkike (Calinescu, 2012:182-184).
Ndërkohë, Calinescu analizon etërit e ligjshëm të dekadentizmit, Schopenhauerin, Nietzschen dhe Wagnerin, raportin marksizëm-art, duke theksuar se arti ideologjik është dekadent, kurse dekadenca është patologji estetike, duke e quajtur romantizmin si sëmundje moderne dhe pikënisje të të gjitha dekadencave, duke përfunduar me thënien e Feuerbachut, se deri tani filozofët janë kënaqur vetëm me interpretimin e botës, ndërkaq me rëndësi është ta ndryshosh atë (op. cit., 225).
Përfundim
Calinescu, mendimtar me nam, përmes kryeveprës së vet Pesë fytyrat e modernitetit jep një ekzegjezë të shkëlqyer të fjalëve kyçe të modernes: modernizmi, pararoja, dekadenca, kiçi dhe postmodernizmi, duke shpjeguar dimensionet estetike, sociologjike dhe kulturologjike të kësaj epoke të rëndësishme të historisë perëndimore, duke u ndalur në mënyrë të veçantë (një kapitull) te çështja e dekadencës, si fazë e shterimit, zvetënimit, korrupsionit, degjenerimit, sëmundjes, perëndimit dhe çoroditjes, si një kitsch (kiç) i Zeitgeist-it (nga gjermanishtja në shqipe: fryma apo shpirti i kohës) moderne, kur mbizotëron “hipokrizia e luksit”, kur bien standardet si në krijim, ashtu edhe në konsumin e artit dhe të vlerave (Calinescu, 2012:240), kur qytetërimi është brutalizuar, kur lëvizje të shumta promovojnë kthimin prapa, konservatorizmin në vend të lëvizjes emancipuese, kur edhe vlerat janë partishmëruar (shih: rasti Shkupi, 2014, shtatoret, “barok revolucioni”).
Sugjerojmë që kjo vepër të shndërrohet në një tekst të dorës së parë për studentët e departamenteve të filozofisë, sociologjisë dhe shkencave politike, meqë Calinescu e ka të mprehtë edhe tehun filozofik, sociologjik dhe politologjik, përveç atij letrar dhe kritik. /Revista “Akademia”/
___________
Literatura
Barzun, J. (2000), From Dawn to Decadence: 500 years of Western Cultural Life, 1500 to the Present, HarperCollins Publishers, New York
Bullaç, A. (2002), Historia, shoqëria dhe tradita, Logos-A, Shkup
Calinescu, M. (2012), Pesë fytyrat e modernitetit: Modernizmi, avangarda, dekadenca, kiçi dhe postmodernizmi, Dituria, Tiranë
Carter, A. (1958), në The Idea of Decadence in French Literature, 1830-1900 (pp. 144-152). Canada: University of Toronto Press. Rigjetur nga http://www.jstor.Org/stable/10.3138/j.ctt1gxxrzz.9, 3. 1. 2017 Gilman, R. (1979), Decadence: The Strange Life ofan Epithet. Farrar Strauss Giroux Pajaziti A. (2009), Fjalor i sociologjisë, UEJL & Logos-A, Shkup
Hartman. J. C. (2000), Review of Praz, Mario, The Romantic Agony. H-Ideas, H-Net Reviews. Gusht, 2000. Rigjetur nga http://www.h-net.org/reviews/showrev.php?id=4423, 3. 1. 2017
http://www.indiana.edu/~complit/about/Calinescu.shtml/, vizituar më 22. 3. 2014 http: / / www.shtepi aelibrit. com/store/sq/letersia-boterore/2570-pese-fytyrat-e- modernitetit-matei-calinescu.html/, vizituar më 29. 3. 2014