Prof. dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Demonstratat në Prishtinë dhe Lufta çlirimtare e UÇK-së (Demonstrata e 2 marsit 1998 kishte disa karakteristika të veçanta)
Përkufizimi
Kur demonstrohet kundër dhunës së një shteti, ajo quhet demonstratë kundër dhunës. Kur demonstrohet në emër të lirisë, ajo quhet demonstratë e lirisë. Prandaj, demonstrata e 2 marsit të vitit 1998 ishte pak më e veçantë se demonstratat e tjera që janë mbajtur në Prishtinë, për disa arsye, ndër të cilat mund të veçohen:
Një, se ajo demonstratë ishte organizuar nga disa subjekte politike, që në atë kohë vepronin në Kosovë.
Dy, se ajo demonstratë në përbërjen e saj kishte të gjitha shtresat e popullatës, si dhe të gjitha moshat.
Tre, se ajo demonstratë, bëhej pas gjenocidit në Qirez dhe Likoshan, ku kishte luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kurse ishin vrarë qytetarë të atyre dy fshatrave, që nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së.
Katër, se në këtë demonstratë, parullat e shkruara dhe ato që janë thënë nga të pranishmit kishin karakter mbështetës për Luftën e UÇK-së, si dhe bartnin rrugëve të Prishtinës frymën e lirisë që kishte ardhur në malet e Drenicës.
Hyrje
Kur është thënë se demonstratën e 2 marsit të vitit 1998 e kanë organizuar subjektet politike, atëherë duhet të definohet se organizatorë të saj ishin: Partia Parlamentare e Kosovës në krye me Simbolin e Rezistencës sonë Kombëtare Adem Demaçin, përkatësisht Sektori për kulturë i Partisë Parlamentare të Kosovës, të cilës i printe Nusret Pllana – tashti Veteran i UÇK-së dhe Profesor i Universitetit të Prishtinës, Këshilli Koordinues i Partive Politike të Prishtinës, që e udhëhiqte tashti Dëshmori i Kombit, Isa Kastrati dhe Shoqata e të burgosurve politik, të cilën e përfaqësonte Berat Luzha.
Organizatore tjetër ishte Unioni i Pavarur i studentëve të Universitetit të Prishtinës: Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Bujar Dugolli e Driton Lajçi, Lidhja e Gruas Shqiptare, që e udhëhiqte Flora Brovina, një veprimtare e palodhur, si dhe tashti Veterane e Luftës së UÇK-së. Ky sqarim është i domosdoshëm, edhe për arsyen që të mos harrohen faktet, por edhe të shmanget rrahagjoksja e atyre që ishin kundër luftës çlirimtare, kurse tashti dalin e flasin edhe për organizimin e demonstratave të Fëmijëve, e lëre më për ato të tjerat. Po ashtu, është i nevojshëm ky sqarim, edhe për faktin se historiku i secilës ngjarje që ka ndodhur në Kosovën e viteve nëntëdhjetë, nuk është se ka ndodhur në shekullin nëntëmbëdhjetë, që nuk kishte as televizion, as kamerë, as fotografë, si paku në këtë pjesë të tokave shqiptare, që quhet Kosovë. Pra, faktet, të dhënat, dëshmitë janë kudo, edhe në Kosovë, edhe në Tiranë, por edhe në qendrat e medieve botërore.
Demonstrata e 2 marsit të vitit 1998 e solli Drenicën në Prishtinë
Mënyra e organizimit të demonstratës së 2 marsit të vitit 1998, kishte në përbërjen e masës edhe struktura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pse mund të thuhet kështu? Po sjellë vetëm tri fakte të vogla:
Së pari, më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Dëshmor, Halit Geci, del publikisht para masës së njerëzve Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ata që kanë mbamendje historike, mund të kujtojnë ngjarjet, edhe ato pak që kanë përcjellë mjetet e informimit të asaj kohe. Ajo masë e madhe e njerëzve, me mijëra apo më shumë, thërriste emrin e UÇK-së. Aty ishin nënat dhe baballarët tanë, aty ishin motrat dhe vëllezërit tanë, aty ishin gratë dhe nuset tona, që thërrisnin emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si është e mundur, në një varrim të një mësuesi atdhetar, gjithë ata njerëz që thërrisnin emrin e UÇK-së, të mos kenë ditur për ekzistimin e saj. Ndryshe, asnjë propagandë, as ajo gebelsiane, nuk do të kishte mundur ta organizonte dhe ta mashtronte tërë atë masë të njerëzve deri në atë nivel.
Së dyti, organizator të demonstratës së 2 marsit të vitit 1998 ishin edhe disa nga ata që kishin qenë në varrimin e të rënëve në Likoshan dhe në Qirez. Kishin parë me sytë e tyre plojën e pushtuesit, por kishin parë edhe qëndresën e familjarëve të të rënëve. Nuk ishte e mundur që ata familjarë, të silleshin në atë mënyrë, të porositur nga ndonjë subjekt partiak, por ata silleshin ashtu, sepse e dinin se luftën kundër forcave serbe e kishin bërë Luftëtarët e Adem Jasharit, me urdhërin dhe komandën e tij, kurse forcat serbe ishin hakmarrë kundër popullatës duarthatë.
Së treti, po atë ditë kur ishte bërë gjenocid në Qirez dhe Likoshan, në Kosovë kishte ardhur Robert Gilbart, i cili në takimin që kishte pasur në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kishin quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizatë terroriste. Por, kur Gilbarti ishte takuar me simbolin e qëndresë sonë kombëtare, Adem Demaçin, ai jo vetëm nuk kishte pranuar ta quante terroriste, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por e kishte krahasuar me luftën e Xhorxh Vashingtonit, për çka i dërguari amerikan ishte bërë shumë nervoz dhe kishte reaguar ashpër.
Në demonstratën e 2 marsit të vitit 1998, dalja publike e UÇK-së, si dhe gjenocidi që kishte ndodhur në Qirez dhe Likoshan, erdhën në Prishtinë, jo vetëm përmes parullave që bartnin me vete demonstruesit, por edhe me frymën që mbretëronte, andaj forcat pushtuese të Serbisë, reaguan duke plagosur njerëz, duke maltretuar njerëz, pa marrë parasysh se kush ishin, apo çfarë moshe kishin. Fryma që kishin sjellë demonstruesit, po shpërfaqte për herë të parë në rrugët e Prishtinës kërkesën e madhe të lirisë, e cila nuk fitohej më vetëm me fjalë, por kërkohej gryka e pushkës që t’i dilte zot ardhjes së saj. Kjo frymë, nuk është e re në Prishtinë, sepse ishte manifestuar edhe në demonstratën e grave, të organizuar nga Lidhja e Gruas Shqiptare, po edhe nga subjekte të tjera politike të kohës, para Ambasadës amerikane në Prishtinë, ku një grup i grave protestuese ishin pranuar nga përfaqësuesi amerikan, dhe në një mënyrë, ju kishte thënë se kishin mbështetjen e tyre. Mirëpo, demonstrata e 2 marsit të vitit 1998, ishte shumë masive, andaj reagimi i forcave pushtuese serbe ishte aq i ashpër dhe i përgjakshëm. Më vonë, ditëve të tjera, do të kishte edhe demonstrata të tjera në Prishtinë, po ashtu shumë masive, por tashti ngjarjet kishin marrë rrjedhë tjetër, ngase ishin zhvilluar luftime të përgjakshme tri ditë e tri netë, me 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 në Prekaz, ku kishte rënë Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari bashkë me familjen dhe me luftëtarët e tjerë të lagjes Jashari, si dhe me ata që ishin bashkë me të. Pas kësaj ngjarjeje, ata që ishin kundër luftës së UÇK-së, ishin kundër lirisë dhe çlirimit të Kosovës, andaj le të mbajnë në ndërgjegjen e tyre brez pas brezi. Prandaj, mund të thuhet se demonstrata e 2 marsit e vitit 1998 e solli Drenicën në Prishtinë, me gjithë frymën e luftës për çlirim dhe liri.
Përfundim
Demonstrata e 2 marsit të vitit 1998 kishte në radhët e saj luftëtarë dhe luftëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin edhe disa nga organizatorët. Demonstratat e 2 marsit të vitit 1998, kishte sjellë në Prishtinë frymën e pranisë së Ushtrisë Çlirimtare që vepronte kaherë në Drenicë dhe në vise të tjera të Kosovës. Demonstrata e 2 marsit e vitit 1998, dallohej edhe për mënyrën e organizimit, ngase në ballë të saj ishin organizatorët dhe dihej secila lëvizje se si dhe kur duhej të bëhej. Demonstrata e 2 marsit të vitit 1998 ishte e veçantë edhe për masën e madhe të njerëzve pjesëmarrës, për praninë e moshave të ndryshme, për praninë e intelektualëve, që aq rrallë i mbështesnin kërkesat liridashëse të rinisë. Shembulli më i mirë domethënës ishte prania e dr. Ali Zatriqit, të cilin forcat serbe e kishin përgjakur pa kursim.
***
Foto: Këshilli protestues në ballë të demonstratave para sheshit tek kino “Rinia” në Prishtinë më 2 mars 1998 : nga e djathta Isa Kastrati (vdes në betejë me armikun sërb në Gollak të Prishtinës), Flora Brovina, Sylejman Krasniqi, Naim Hoxha dhe Nusret Pllana.