LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

19. Letër për Sabri Novosellën, 31 korrik 1981

Untergruppenbach, RFGJ

31 korrik 1981

      I dashur vëlla, Mërgim!

      Dje mora dy letra në një zarf ë mbante datën e nisjes 23. 07. Njëra ishte për mua, e tjetra e përbashkët, për mua, Shpendin e Bardhin.

mua, Shpendin e Bardhin=Jusuf Gërvallën, Xhafer Durmishin dhe Bardhosh Gërvallën

      1.Menjëherë pas dite me Bardhin shkuam te Shpendi dhe i lexuam bashkë të dy letrat.

    shkuam te Shpendi=Xhafer Durmishinë adresën; Studentenwohnheim, Adress:Eduard-Spranger-Straße 7, D-71634 Ludwigsburg 

2.Nga përmbajtja dhe toni i letrave të tua, kuptova që ende s’e ke marrë letrën time të fundit, në të cilën të kam njoftuar për punën konkrete që është duke u bërë rreth nxjerrjes së numrit të ardhshëm të „Zërit të Kosovës“.  

      3.-Ka një keqkuptim mes meje dhe teje.

-Kur është fjala për titullin „Zëri i Kosovës“,

-te unë s’ka pasur as nuk ka „hutesë“ as „trullosje“.

-E kam në dorë Statutin e LNÇKVSH, ku shkruan qartë se ai është organ i Lëvizjes sonë.

-Por, kam pasur në dorë edhe disa trakte të të ashtuquajturit Grupi komunist „Zëri i Kosovës“ dhe më kanë dalë kokëçarje pikërisht me udhëheqësin e këtij grupi dhe pikërisht lidhur me këtë titull.

Prandaj kam supozuar se mund të ketë hutesë te lexuesi.

Vetëm kaq.

      4.Të falem nderit për autorizimet që më jep në shumë drejtime.

-Kjo më detyron të rritem e të piqem dita me ditë përtej aftësive dhe mundësive të mia.

Mendoj se autorizime më të mëdha (por edhe ato me kufij të theksuar)

mund të me jepen vetëm sa i përket nxjerrjes së gazetës.

Për të tjerat, sidomos për punë organizative,

kujtoj se më mungon përvoja, e sidomos takti.

Prandaj është e nevojshme të më jepen këshilla të vazhdueshme,

fare mos nguro që këshillat të përmbajnë edhe hollësira.

    Çka do të thotë dhe në çka mendon Jusufi më së shumti me fjalët;

     më mungon përvoja, e sidomos takti

    Jusufi është i vetëdijshëm se ABC-ja e lojës politike është zotërimi i TAKTIT që këtu në formë të zgjeruar do të thotë

      ZOTËRIMI I LOJËRAVE TË TAKTIKAVE, shpesh, pa ide e pa principe.

   Jusufi, është poashtu i vetëdijshëm se, nga populli konsiderohet udhëheqës i padiskutueshëm ideologjik, si Kryeprijës i shqiptarizmës, andaj do të sqaroj se vetia thelbësore e qenies së tij, është LUFTËTAR dhe jo LOJTAR, është ajo e luftëtarit të lirisë, ushtarit të lirisë dhe jo e lojtarit të taktikave pa kokë.

   Si luftëtar i lirisë, si ushtar i lirisë prej momentit të daljes në Gjermani, i udhëhequr nga ndërgjegjja e pastër dhe duart e pastra, e ka ndihmuar çdo punë që ka menduar se është në shërbim të popullit, pa marrë parasysh etiketën, pa marrë parasysh nën emrin e cilës organizatë është bërë ajo punë.

   Por këto veti të pëlqyera e të dëshirueshme ”nga të gjithë” e kanë edhe anën tjetër të medaljes.

   Jusufi ia tërheq vërejtjen Sabriut, se mungesa e TAKTIT dhe e zotërimit të lojërave të TAKTIKAVE pa kokë e pa ide, por duke u udhëhequr nga ndërgjegjja e pastër dhe duart e pastra, nuk ngurron -nëse detyrohet dhe në rast nevoje – që dikujt t’ia numëroj prej pikës së parë e deri në të fundit, të gjitha vetit e ulëta, të gjitha dredhitë, të gjitha manovrimet dhe të gjitha gënjeshtrat.

   Pra në këtë mënyrë ekziston rreziku që Jusufi, LOJËS SË POLITIKËS pa ide, si luftëtar i lirisë, si ushtar i lirisë, me u sjellë DËME TË PARIPARUESHME.

   Siç e pamë më herët, se për shkak se Jusufit nuk i epet vizë për të udhëtuar në Turqi, Jusufi i shkruan Sabri Novosellës më 21 korrik

Prandaj,     -nga ju andej presim ndonjë propozim se

si dhe përmes kujt të organizohet ndonjë kontakt,

-që do të shpiente kah bashkimi.

   Edhe pse ka mundësi që Sabriu pa e marrë letrën e Jusufit të 21 korrikut 1981, vetëm duke u bazuar në letrat e mëhershme i përgjigjet shumë konkretisht Jusufit në pyetjen:

Si dhe përmes kujt?

   Prej anës së Sabriut, Jusufit i epen të gjitha të drejtat të flet në emër LNÇKVSHJ dhe në rast nevoje në konsultim të shpejt edhe përmes telefonit me te (Sabriun), i udhëhequr nga dituritë, bindjet politike dhe ndërgjegjja e tij, të vendosë, të nënshkruaj në emër të LNÇKVSHJ, nënshkrim i cili do të jetë i obligueshëm, i respektueshëm nga Sabriu dhe gjithë Lëvizja.

      5.Kësaj radhe e kam fjalën konkretisht

-te autorizimi që më ke dhënë

-për punë me shokun e „Lirisë“,

e veçanërisht të bisedohet me të lidhur me

-bashkimin e dy organizatave tona.

   Jusufi e falenderon Sabriun për autorizimet që më jep në shumë drejtime.

   Edhe pse autorizimi i epet Jusufit në shumë drejtime, ai ndalet me e shqyrtua dhe e kufizon autorizimin që të vlej

      -vetëm për punë me shokun e „Lirisë“, (Kadri Zekën)

      -për bashkimin e dy organizatave tona.

DY=LNÇKVSHJ e OMLK dhe asnjë e tretë dhe asnjë tjetër, dhe në asnjë mënyrë Fronti i Kuq.

   Jusufi, këtu e përsëritë qëndrimin e vetë shumë të vendosur që e ka shpreh prej letrës së parë e më tutje, pra më 14 prill, 13 maj, 16 qershor, 21 korrik dhe tani më 31 korrik 1981, se ai është i interesuar të zhvilloj bisedime vetëm me OMLK-Kadri Zekën dhe jo me Frontin e Kuq-Ibrahim Kelmendin.

6.Siç e di, përvoja ime në punë të organizuar ishte e shkurtër dhe unë nuk i di ato hollësi për organizatën tonë, lidhur me të cilat kërkon të informohet shoku i „Lirisë“.

7.Me një fjalë unë shoh një disponim të tij

(besoj edhe të shokëve të tij)

që kjo punë të mos bëhet përmes meje.

Dhe u jap të drejtë.

Në letrën e 21 korrikut Jusufi e sheh si problem kryesor mosdhënien e vizës nga organet shtetërore të Turqisë.

Tani kur Sabriu në mënyrë shumë të zgjuar e tejkalon atë problem duke e autorizuar Jusufin në shumë drejtime, brenda 10 ditëve, në mes 21 e 31 korrikut del problemi tjetër. OMLK dhe Kadri Zeka nuk pranojnë bisedime përmes Jusufit.

Çka do të thotë kjo?

Se autorizimi i Sabriut për Jusufin për bisedime me OMLK nuk ka asnjë vlerë pasi Jusufi është person i papranueshëm për OMLK-në, në rolin e përfaqësuesit të LNÇKVSHJ-së.

8.Nga ana tjetër,

-ata ende nuk i kanë shtruar hollësisht e me shkrim

-ato që duan të dinë e që kërkojnë.

Mendimi i tyre, për sa e shoh unë,

është se do të duhej të takoheshe ti,

ose ndonjë shok tjetër nga më të rëndësishmit e Lëvizjes në atdhe,

me ndonjë shok të njëjtit nivel,

po në atdhe, nga ata të „Lirisë“.

Kjo më duket edhe mua e drejtë.

   Nga teksti i mësipërm mund ta kuptojmë lehtë pse Jusufi është i papranueshëm për OMLK si palë biseduese?

   Jusufi është i papranueshëm sepse çdo gjë sa i përket bisedimeve për bashkim e kërkon

hollësisht e me shkrim

 e OMLK është e interesuar që bisedimet të zhvillohen vetëm në formën e përrallave gojore e bashkimit të të gjithëve pa asnjë përjashtim.

9.Dhe ndoshta vetëm në këtë drejtim do të mund të kontribuonim në këtë moment unë dhe ai shoku i „Lirisë“.

10.Sa për udhëtim deri te ti

(se kështu me korrespondencë është e rrezikshme të thuhen hollësitë)

do të gjendej ndonjë njeri i përshtatshëm,

bie fjala Shpendi a Bardhi.

Shpendi=Xhafer Durmishi

    Edhe pse në Shtutgart jam vetëm dy javë, Jusufi ka besim të plotë se unë mund të marrë pjesë dhe ta përfaqësoj Lëvizjen e Jusuf Gërvallës në bisedime me organizata tjera. Shkuarjen time në Turqi Jusufi e diskutoj me mua si mundësi, por prapë Ai vendosi që të shkoi Bardhoshi dhe unë isha shumë më i kënaqur që ajo detyrë iu caktua Bardhoshit. Dhe Jusufi e kuptonte thellësisht këtë, andaj edhe gëzoja respektin e tij.

11.Ndërkohë,

-puna do të vazhdojë me të vetën,

-deri sa të bëhet bashkimi,

-ashtu si porosit edhe ti me shokët.

      12.Leximi i letrave të tua nga unë, Shpendi e Bardhi,

u shndërrua në një takim të mbarë,

ku shqyrtuam në hollësi çështjet e shtruara prej teje,

sqaruam Shpendin për disa hollësi të punëve (këtu) në të kaluarën,

dhe morëm disa vendime.

      13.Që të tre jemi të mendimit se

„Zëri i Kosovës“ duhet të dalë sa më parë e sa më mirë

dhe për këtë jemi duke punuar sa po mundemi.

      14.Ne konstatuam së bashku që,

ndonëse deri më tash nuk është formuar këtu dega konkrete e Lëvizjes,

me komitetin e vet, veprimtaria është bërë si të kish qenë kjo degë.

Por, tani do ta formojmë sa më shpejt edhe komitetin edhe degën,

ashtu si na porositni ju, se mundësi dhe forca kemi.

      15.Deri më tash, nga punëtorët kosovarë në mërgim,

-përmes meje kanë hyrë në Lëvizje 7 shokë.

Secili prej tyre ka rrethin e vet, në të cilin ushtron ndikim dhe zhvillon veprimtari agjitative e të cilin e furnizon me materiale.

Ata janë aktivë dhe me ndihma materiale të nevojshme,

por kam pasur kujdes që të mos ngarkohen tepër.

Këta njerëz kanë qenë aktiv, pos të tjerash,

edhe në tubimin sa më të madh të punëtorëve për demonstratat tona në botën e jashtme.

16.Nga ana tjetër, në Lëvizje ka hyrë, që më se një vit,

një grup që më parë aktiv, por gjysmë i organizuar, në atdhe.

Ata janë aktivizuar shumë sidomos pas kontaktit të një përfaqësuesi të tyre me mua.

Kanë pranuar Statutin, materialet e Lëvizjes dhe mënyrën e organizimit tonë e kanë përqafuar me entusiazëm të madh.

(Me këtë letër po ta nis edhe një „qarkore“, të cilën ia kam pas drejtuar këtij krahu disa muaj para se të shpërthenin demonstratat e Kosovës.

Po kështu po ta dërgoj materialin e „Parathënies“, siç e kam nxjerrë dhe shpërndarë unë këtu e në atdhe.) Fatkeqësisht, tash më arrijnë lajme se është burgosur një numër i konsiderueshëm nga aktivistët e këtij krahu.

      17.Formimi i një komiteti për Kosovën

-ishte ide jona dhe e disa miqve gjerman,

si kryetari i Shoqatës Gjermani-Shqipëri dhe anëtar i KQ të PK të Gjermanisë, Peter Platzman, pastaj shoku Hans Röm etj.

(Për ta duhet të ketë informata të hollësishme Profesori.

Sipas mendimit të tyre, në komitet do të bënin pjesë disa personalitete të shquara të jetës politike, shoqërore e artistike në Gjermani

(kështu praktikoheshka këtu në raste të tilla),

kurse nga pala e shqiptarëve të Kosovës ata ishin të mendimit që ne komitet të hyja unë, për dy arsye konkrete: si njeri që do të siguroja materiale për punën e komitetit dhe si person publik në vendin tonë – gazetar dhe poet.

18.Këto bisedime qenë zhvilluar së bashku edhe me shokun e „Lirisë“ dhe ashtu qe vendosur.

Por, më vonë atij i erdhi nga shokët porosia se s’duhet të kemi të bëjmë fare me të huajt.

Dhe, qe atëherë, si punë e përbashkët çështja e këtij komiteti ra poshtë dhe në këtë drejtim s’u ndërmor gjë tjetër.

      19.Në takimin e mbrëmshëm konkluduam se,

po të jeni ju andaj të mendimit se kjo punë duhet të vazhdojë,

atëherë ne do ta vazhdojmë.

Mundësitë janë ato që kanë qenë.

20.Edhe çështja e letrave protestuese drejtuar qeverive të ndryshme dhe kombeve të bashkuara ka qenë e planifikuar të bëhej në bashkëpunim me shokët e „Lirisë“. Por, edhe ajo s’dha rezultat deri më tash.

21.Ne do ta bënim edhe vetë,

-por ngurronim për një arsye – se, me punë të pavarur,

-prishnim punë në drejtimin e bashkimit të nevojshëm të organizatave tona.

22.Edhe kjo punë mund të vazhdojë,

-po e patë ju të arsyeshme, por mendoj se,

-kur të merrni vendime për çështje të tilla,

-duhet ta mbani parasysh edhe rrethanën e nevojës së madhe të bashkimit,

-duke u prirë nga mendimi leninist se

-me bashkim nënkuptohet bashkimi i mendimeve,

-i pikëpamjeve dhe i punëve të përafërta

-a identike të dy a më shumë organizatave.

23.Atje ku duket se ka pasur pasivitet ose harresë te unë,

-atje kryesisht ka qenë vendimtar ky parim

dhe më pak harresa ose pasivizimi.

24.Numrin 3. të „Lirisë“ ta kam pas dërguar bashkë me traktet e shumëzuara,

si dhe diçka nga artikujt e „Zërit të popullit“ dhe nga shtypi i huaj.

Tani po ta dërgoj sërish, bashkë me një trakt të „Lirisë“,

të hartuar prej meje në kuadër të bashkëpunimit që kemi me ta.

      25.Numra të tjerë të „Lajmëtarit të lirisë“ dhe

-të „Bashkimit“, përveç atyre që të kam dërguar, nuk kanë dalë.

26.„Bashkimi“ vështirë të dalë më,

sepse unë kam vendosur të mos bashkëpunoj më me të,

për arsyet e përmendura në Raportin që po ta dërgoj veçan.

27. „Lajmëtari i lirisë“, ashtu si propozoni ju,

-mund të dalë si organ i Rinisë së LNÇKVSHJ,

po do të jetë ngarkesë për forcat tona njëherë për një herë të pakta krijuese këndej. Por, edhe lidhur me këtë,

ne do të punojmë ashtu si e do puna, dmth. si na porositni ju.

      28.Ne patëm një vërejtje konkrete:

-autorizimi i çdo dege të Lëvizjes

-për të nxjerrë nga një organ të vetin me titull „Zëri i Kosovës“

-na duket jo i dobishëm, por i dëmshëm.

-Ai nuk do të flasë për unitetin, por për copëzimin e Lëvizjes,

-jo për forcën po për anarkinë brenda për brenda Lëvizjes.

   Kjo ide e dëmshme ka mbetur vetëm si ide, dhe askush nuk është marrë me te dhe në letrat e Jusufit nuk përmendet më asnjëherë.

29.Nuk është çudi, pos të tjerash,

që në këtë rast nga organi i një dege të dalin në shesh pikëpamje e mendime të kundërta me ato të degës tjetër, skajore.

Të mos flasim për nivelet në realizimin e tyre.

Nevoja për nxjerrjen e tyre bëhet,

sipas mendimit tonë, aq më e përjashtueshme,

pasi tash po del një organ qendror publik, me tirazh të madh,

me materiale të bollshme e me përgatitje përkatëse teknike.

Ka qenë e udhës që forcat krijuese dhe

mjetet materiale të nevojshme për nxjerrjen e organeve nga ana e çdo dege,

të centralizohen dhe t’ia japin krahun e tyre organit qendror.

sipas mendimit tonë=Jusufit, Xhafer Durmishit dhe Bardhoshit

      30.Tani, pasi u shkruan disa materiale

-për numrin e pritshëm të „Zërit të Kosovës“, po t’i dërgoj kopjet e tyre.

-I lexoni dhe m’i dërgoni sa më shpejt vërejtjet tuaja eventuale.

-Do t’u përmbahem temave të caktuara,

-për të cilat ju kam folur në letrën e fundit,

-e gazeta do të begatohet edhe me materiale të tjera

(në mes të të cilave edhe disa tema të gatshme që më keni pas dërguar ju më herët).

      E përfundoj këtë letër, duke ju përcjellë të fala vëllazërore e revolucionare

ty e shokëve – nga Sokoli, Shpendi, Bardhi e shokët e tjerë këndej.

                        SOKOLI

Sokoli, Shpendi, Bardhi=Jusuf Gërvalla, Xhafer Durmishi, Bardhosh Gërvalla

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XIII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura