DEMONSTRATAT E VITIT 1981, KËRKERSA PËR REPUBLIKË DHE REAGIMI I PUSHTETIT

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981

Nga Valon MURATI

Demonstratat e vitit 1981, kërkesa për republikë dhe reagimi i pushtetit 

 Hyrje

Spiralja kërkesë për vetëvendosje reagim i shtetit serb (apo atij jugosllav ) nëse analizohet me sy kritik ka kaluar nëpër shumë faza. Kjo spirale realisht nuk është krijuar nga kërkesa për vetëvendosje prej Serbisë, por nga lufta për pavarësi të Shqipërisë prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit . Kjo luftë për pavarësi kishte komponentën e ruajtjes së territoreve shqiptare nga fqinjët. Dhe realisht rruga normale e pavarësisë shqiptare u pre në mënyrë brutale nga pushtimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Këtu fillon spiralja vetëvendosje reagim i shtetit, që zakonisht ka qenë reagim i dhunshëm, ndonëse në situata të caktuara, sikur ato pas vitit 1968 kishte një reagim më të butë dhe fleksibël, përkatësisht kishte një akomodim më të mirë të kërkesave të popullit shqiptar, por larg realizimit të plotë të kërkesave të tij për barazi e liri. Kjo spirale e kërkesave për liri e vetëvendosje dhe reagim brutal do të shkojë duke u acaruar dhe duke u forcuar jashtëzakonisht shumë kontradikta popull i pushtuar me pushtuesin. Kontradikta do të thellohet prej ngjarjeve të vitit 1981 dhe demonstratave të studentëve të cilat kishin kërkesën kryesore që Kosova të shndërrohej në republikë.

Kërkesa për republikë – kërkesë për barazi

Përkundër avancimit të të drejtave të tyre shqiptarët e Kosovës konsideronin se statusi i Kosovës duhej të barazohej me atë të republikave të tjera dhe se realisht ata duhet ta kishin të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht kjo ndjenjë ishte prezente sidomos tek rinia studentore. Ndikim të rëndësishëm në formësimin e këtyre kërkesave kishte Universiteti i Prishtinës që ishte shndërruar në një bastion të dijes, por edhe të kultivimit të ndjenjës kombëtare. Më pas ndikimi i shtetit shqiptar gjatë viteve ‘70-të të shekullit të kaluar përmes bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës ishte një faktor tjetër. Duhet theksuar se ishte kjo periudha e relaksimit të marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, dhe roli i Universitetit të Tiranës në ngritjen e atij të Kosovës ishte thelbësor. Në periudhën 1972-1977 dikur rreth 229 mësimdhënës nga Shqipëria kanë ligjëruar në Universitetin e Kosovës. Me dhjetëra autorë nga Shqipëria u botuan në Kosovë, grupe të ndryshme muzikore, artistike e kulturore shkëmbeheshin vazhdimisht dhe mbi të gjitha në vitin 1972 ndodhi standardizimi i gjuhës shqipe, i cili vlente edhe në Kosovë.  Dhe së fundmi edhe faktori subjektiv, ai organizativ e kishte rolin e vet, sepse organizatat ilegale të kohës me kërkesën për republikë e bashkim kombëtar ishin aktive vazhdimisht. Studiuesi Atdhe Hetemi, thekson se “megjithëse disa prej kërkesave të studentëve mund të vlerësohet të kenë pasur karakter nacionalist, ato kryesisht lindën si përgjigje ndaj politikave diskriminuese të RSFJ-së kundër shqiptarëve, si dhe për shkak të ndikimit të Republikës së Shqipërisë mbi UP-në dhe studentët e saj”.

Pra, shqiptarët nuk kishin qenë të kënaqur me statusin e autonomisë, andaj në vitin 1981 u ngritën në demonstrata masive për të kërkuar barazi të plotë me popujt e tjerë dhe kërkonin që Kosova të njihej si republikë. Bahri Fazliu• njëri ndër udhëheqësit e lëvizjes ilegale çlirimtare shqiptare në vitet ‘90-të kështu e komentonte kërkesën politike të shqiptarëve për republikë në kuadër të Jugosllavisë: “Dje, meqenëse në Jugosllavi ruhej balanca mes SHBA-së dhe BRSS-së, populli shqiptar, si një popull i vogël, nuk mund ta prishte vetë këtë balancë i cili fatkeqësisht mbahej edhe në kurriz të tij. Ai përpiqej që në kuadrin e kësaj balance, pra në kuadrin e Jugosllavisë të arrinte maksimumin e mundshëm të lirive dhe të drejtave në mënyrë që në momentin e përshtatshëm, kur të krijoheshin rrethana të reja ndërkombëtare ta realizonte plotësisht të drejtën e tij për vetëvendosje. Është kjo arsyeja që më herët populli shqiptar me mençuri u përcaktua jo për t’u shkëputur nga Jugosllavia dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë, por për një republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë”.

Demonstratat filluan më 11 mars në konviktet e studentëve për të vazhduar më 26 mars dhe kulmuar më 1 e 2 prill. Fillimisht parullat ishin kryesisht socio-ekonomike, por me kohën ato u transformuan edhe në ato politike. Habia e më pas reagimi i ashpër i pushtetit, bëri që demonstratat të eskalojnë dhe përveç studentëve atyre t’u bashkohen edhe punëtorët, rinia shkollore, si dhe shtresa të ndryshme të popullsisë.  Demonstratat i kishin zënë në befasi edhe organizatat ilegale. Në editorialin e gazetës “Liria”,një prej organeve kryesore të shtypit ilegal, të botuar më 3 maj 1981, thuhej: “Grevat  dhe demonstratat në Kosovë më shumë se të organizuara ishin spontane. Ato nuk janë dhe nuk mund të ishin vepër e askujt tjetër, por e vet popullit të saj heroik. Ai është iniciatori, udhëheqësi dhe organizatori kryesor”.  Një prej figurave kryesore të lëvizjes ilegale, dhe një prej figurave më të dukshme të demonstratave të vitit 1981, Hydajet Hyseni thekson se këto demonstrata kishin një element vetorganizimi, ishin spontane, fillimisht me sfond socio-ekonomik e më pas edhe politik. Ai konstaton se ndonëse ishin jashtë organizimit të lëvizjes ilegale, ato zhvilloheshin në kontekstin të cilin e kishin krijuar organizatat ilegale. Vetë një pjesë e mirë e parullave vinin nga lëvizja ilegale, e cila pasi shpërthyen demonstratat bëri përpjekje për t’i kanalizuar dhe të mos lejojë që ato të keqpërdoren.  Parullat e përdorura tregojnë për këto zhvillime dhe transformime gjatë pranverës së nxehtë të vitit 1981. Parullat që dominuan ishin: “Kushte për studentët!”, “Kushte për punëtorët!”, “Duam punë!”, “Ktheni kurbetçinjtë!”, “Poshtë robëria – Rroftë liria!”, “Lironi shokët!”, “Të burgosurit kosovarë ktheni në Kosovë!”, “Kosova Republikë!”, “Duam vetëvendosje!”, “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë!”, etj.  Nuk ka dyshim që thelbi politik i kërkesave përmblidhej në kërkesën për republikë dhe barazim me popujt e tjerë në Jugosllavi.

Duke trajtuar çështjen e organizimit të tyre dhe ndonjëherë edhe të dyshimeve të hedhura se kush qëndronte pas këtyre demonstratave, Arbën Xhaferi theksonte se “Demonstratat e vitit 1981 nuk mund të ndahen nga ato të vitit 1968. Ato kanë lidhshmëri kauzale, ngaqë burojnë nga veprimtaria ilegale e shqiptarëve që nuk janë ndalë kurrë.”  Ai më tej shtonte se: “Vetëm një pakënaqësi e thellë në popull, ose një ideal frymëzues, ka mundur që ta nxjerrë një masë kaq të madhe të popullit në protesta”.

Reagimi i shtetit ndaj demonstratave të vitit 1981

Shteti jugosllav iu përgjigj këtyre manifestimeve paqësore me dhunë, duke vrarë 9 vetë (sipas të dhënave zyrtare), duke plagosur me dhjetëra e duke burgosur me qindra e mijëra shqiptarë.  Sipas të dhënave të vet Kryesisë së Jugosllavisë 1 500 individë ishin arrestuar për veprimtari armiqësore.

Viti 1981 realisht ishte edhe viti i fillimit të rrënimit të autonomisë së Kosovës. Që nga ajo kohë filloi një propagandë intensive e përcjellë me masa policore, ushtarake dhe gjyqësore kundër shqiptarëve në të katër njësitë federative ku ata jetonin. Ky koordinim i shovinistëve serbo-malazezo-maqedonomëdhenj, nuk ishte i rastit. Nga viti 1981 deri në vitin 1988 në organet represive të pushtetit janë trajtuar 584 373 shqiptarë, një shifër kjo marramendëse dhe që e dëshmon për reagimin e dhunshëm të shtetit jugosllav ndaj vullnetit politik të shqiptarëve.  Në këtë periudhë për të dytën herë në historinë e Kosovës së pasluftës, pushteti i Beogradit vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe dërgoi ushtrinë dhe policinë speciale federative.  Demonstruesit u cilësuan me shumë e shumë epitete. Shqiptarët ndër të tjera u akuzuan për “nacionalizëm”, “shovinizëm”, “separatizëm”, “kundërrevolucion”, “prishje të Jugosllavisë e të bashkim vëllazërimit” e se “po duan luftë”. Lëvizja ilegale këtyre pohimeve iu përgjigjej se “populli shqiptar i Kosovës është patriot, por jo, kurrë shovinist. Shovinist janë ata që e kanë robëruar atë…” për të shtuar se “populli shqiptar në Jugosllavi dëshiron paqe dhe jo luftë. Por, paqja nuk mund të sigurohet kurrë duke i mbajtur popujt nën zgjedhë dhe robëri.”  Madje Hyseni thekson se në të vërtetë lëvizja politike në Kosovë, ajo ilegale ishte paqësore dhe në një mënyrë ose tjetrën me pa të drejtë konsiderohet se lëvizja paqësore filloi në vitin 1989. Çka ndodhi në vitet ‘90-të ishte legalizimi i lëvizjes ilegale paqësore.

Për më tepër pushteti jugosllav këto ngjarje i trajtoi si kundërrevolucionare dhe kërkesës për vetëvendosje përveç që iu përgjigj me represion e burgje për ata që konsideroheshin si organizatorë, po ashtu filloi një proces të gjerë të asaj që quhej diferencim ideo-politik sidomos në Universitetit e Kosovës me që rast u diferencuan, degraduan e pushuan nga puna shumë profesorë eminentë universitar.  Edhe historiania serbe Llatinka Peroviq, e cila sa ishte sekretare e përgjithshme e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë (1968-1972), kishte përkrahur idenë që Kosova të bëhej republikë, thekson se reagimi i pushtetit jugosllav ndaj demonstratave të vitit 1981 jo vetëm se ishte jo adekuat, por “klasa politike jugosllave ra në provim në Kosovë”.  Ajo është kritike edhe ndaj udhëheqjes kosovare që e pranoi cilësimin kundërrevolucionare për ngjarjet e vitit 1981.

Në vazhdën e reagimit të shtetit serb e jugosllav filluan edhe spastrimet e një pjese të udhëheqjes shqiptare të Kosovës (një prej udhëheqësve kryesor, Mahmut Bakalli, dha dorëheqje) si dhe filloi të përgatitej terreni për rrënimin e Autonomisë së Kosovës. Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Serbisë i vitit 1986, është një dëshmi e përgatitjes së këtij terreni. Në anën tjetër, propaganda e Beogradit paraqiste se në Kosovë po ndodh një terror e gjenocid mbi serbët duke e përgatitur kështu ambientin edhe brenda shoqërisë serbe se duhej zvogëluar autonomia e Kosovës. Ishte kjo periudha kur u shpikën incidente banale si ajo e Martinoviqit dhe kur shtypi serb, intelektualë e politikanë të ndryshëm filluan t’i akuzojnë shqiptarët për fushatë të organizuar të dhunimeve ndaj grave serbe ndonëse të dhënat zyrtare këtë nuk e dëshmonin.  Madje në vitin 1988 Millosheviqi do të akuzonte se “askund tjetër në Evropë gratë nuk dhunohen për qëllime nacionaliste”.  Kështu shqiptarët në periudhën e ngritjes së Millosheviqit siç e thekson Tom Gllagher, filluan të dehumanizohen në propagandën e mediave serbe si “terroristë”, “dhunues”, “secesionistë”, por edhe si “turistë” që nuk kanë të drejtë të pushtojnë tokën serbe.  Krejt kjo ndodhte për të arsyetuar përgjigjen represive ndaj kërkesave për barazi politike dhe legale dhe për të shtruar rrugën për rrënimin e autonomisë së Kosovës në të ardhmen. Dhe themeli politik e juridik mbi të cilin u shtrua kjo rrugë ishte cilësimi i ngjarjeve të vitit 1981 si kundërrevolucion.

Në nën tjetër shteti shqiptar u vu krejtësisht në përkrahje të kërkesave për republikë, në përkrahje të demonstratave dhe po ashtu filloi të denoncoi dhunën e pushtetit jugosllav dhe diferencimet ideopolitike që ndodhnin. E tërë makineria shtetërore u vu në lëvizje, prej diplomacisë e tek propaganda, qoftë në gjuhën shqipe, e po ashtu edhe në atë të gjuhëve të huaja. Gjithashtu në këtë periudhë, shteti shqiptar fillon edhe një zbutje të marrëdhënieve me disa prej shteteve perëndimore sidomos me Gjermaninë, shtypi i të cilave kishte qenë më miqësor në raport me demonstratat në Kosovë. Në të njëjtën kohë filloi edhe një relaksim i marrëdhënieve me Greqinë, në mënyrë që tensionet me fqinjin jugor të mos pengonin punën për Kosovën. Si rezultat i këtij aktiviteti të dendur politik e diplomatik, po ashtu interesimi i shumë shteteve të tjera perëndimore për Shqipërinë rritet, përfshirë edhe ato me të cilat nuk kishte marrëdhënie diplomatike.

Sigurisht edhe lëvizja e rezistencës përpiqej po ashtu t’i demaskonte konceptet me të cilat trajtoheshin demonstratat dhe kërkesat e saj. Në letrën e famshme dërguar kryesisë së Jugosllavisë nga burgu, pesë të burgosurit politikë: Hydajet Hyseni, Zija Shemsiu, Bajram Kosumi, Ali Lajçi e Gani Koci denoncojnë konceptin kundërrevolucion si krejtësisht të pabazë duke qenë se ngjarjet nuk ishin kundër rrënimit të rendit politik e shoqëror, por për barazimin e Kosovës me njësitë e tjera federative dhe të popullit shqiptar me popujt e tjerë të Jugosllavisë.  Në këtë letër përveç se shpjegohet se arsyeja e organizimit të demonstratave të vitit 1981 ishte politike, pra synimi që Kosova të shndërrohet në republikë, një shtysë e madhe e tyre si dhe e vet kërkesës për republikë ka qenë edhe gjendja ekonomike e pafavorshme e Kosovës në raport me njësitë e tjera federative, qoftë në të ardhura, qoftë në strukturën ekonomike, e qoftë në punësim.  Në të njëjtën letër në mënyrë profetike parashikohet se Federata Jugosllave mund të dobësohet e rrezikohet jo nga barazia e popujve, por nga pabarazia e tyre.  Në të njëjtën frymë në editorialin e lartcekur në “Liria”të 3 majit 1981 theksohej se Kosova dhe viset e tjera shqiptare po shfrytëzohen si koloni dhe se gjendja socio-ekonomike, punësimi, pagat, të ardhurat për frymë të Kosovës, standardi i popullsisë e sidomos infrastruktura në fshatra dëshmonte për një pabarazi të thellë socio-ekonomike, e që bazën e kishte në pabarazinë politike.  Se kërkesa për republikë ishte kërkesë përveç për barazi kombëtare edhe për emancipim shoqëror e thotë edhe politologu i njohur shqiptar Ukshin Hoti, një ndër ish-pjesëtarët e elitës politike të Kosovës të viteve ‘70-të, i cili për shkak të përkrahjes së protestave e më vonë edhe për shkak të aktivizimit politik përfundoi në burgjet jugosllave e serbe (1981-1983 dhe 1994-1999) e i cili prej majit 1999 është i zhdukur. Ai në mbledhjen e Organizatës së Bashkuar të Lidhjes së Komunistëve në Fakultetin Filozofik, Dega: Filozofi-Sociologji, më 19 nëntor 1981 do të theksojë se “kërkesa për Republikë, në esencë, nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik”.  Përderisa cilësimin kundërrevolucion përveç që e demaskon me argumente politike, juridike e ekonomike në kontekstin e atëhershëm jugosllav e trajton edhe në kontekstin e proceseve demokratizuese në Evropë gjatë viteve ‘80-të, procese që e zhvlerësuan tërësisht një cilësim të tillë.  Ai e trajtonte krejtësisht normale përkrahjen për kërkesën Kosova Republikë, sepse e konsideronte si një zhvillim të natyrshëm nga dykuptimësia e zgjidhjeve kushtetuese të vitit 1974.  Kjo qasje ishte e kundërta e asaj që pretendonte politika zyrtare serbe, sipas saj dykuptimësia e zgjidhjeve kushtetuese të vitit 1974, kontradiktat e saj duhej zgjidhur me dobësimin e autonomisë së Kosovës dhe jo me rrjedhën e natyrshme të historisë, avancimin e saj. Sigurisht duke qenë se kjo qasje dominoi në politikën serbe prej vitit 1981 e këtej do të jemi dëshmitarë jo vetëm të rrënimit të autonomisë së Kosovës, por edhe të luftërave të përgjakshme të cilat e përcollën shpërbërjen e Jugosllavisë prej vitit 1991 e deri në vitin 1999.

Një akuzë tjetër që i bëhej kërkesës “Kosova Republikë” ishte se ajo ishte hapi i parë drejt bashkimit me shtetin shqiptar. Përderisa organizatat ilegale shqiptare prej vitit 1945 kërkesë themelore e kanë pasur kërkesën për bashkim, ndërkohë kjo kërkesë u përshtat në kontekstin e rrethanave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare në kërkesën që Kosova të shndërrohej në republikë. Se kjo republikë në rrethana të caktuara mund të bashkohej me Shqipërinë, këtë nuk e fshihte askush nga faktorët shqiptarë siç tregon edhe letra e të burgosurve politikë të cilët argumentojnë se zgjidhja më e drejtë do të ishte bashkimi me Shqipërinë, madje edhe bashkimi i territoreve shqiptare (aty ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale) në një republikë në ish-Jugosllavi do të ishte zgjidhje më e drejtë se vetëm Kosova të shndërrohej në republikë. Por në këtë letër sqarohej se me kërkesën Kosova Republikë ishin marrë në konsideratë edhe rrethanat e brendshme e edhe ato të jashtme dhe edhe fakti se kjo kërkesë ishte më lehtë e realizueshme.  Ukshin Hoti po ashtu e thekson se “zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare është bashkimi i tyre në kontekst të proceseve integrative të Evropës”.  Por siç e thotë ai problemi nuk është tek bashkimi por tek mënyra se si do të realizohet ky bashkim dhe rrugët që duhet ndjekur sidomos duke e pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar dhe proceset e integrimit evropian. Andaj theksonte ai, kërkesa Kosova Republikë, ndonëse është një zgjidhje e pjesshme e çështjes shqiptare i ka pasur parasysh këto rrethana dhe shqiptarët në mënyrë të mençur janë përcaktuar për këtë kërkesë. Rrjedhimisht ai konstaton se Republika e Kosovës “mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit, por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës”.

Rrënimi i autonomisë së Kosovës si reagim i skajshëm i pushtetit jugosllav dhe atij serb ndaj kërkesës për vetëvendosje

E gjithë propaganda që pas vitit 1981 si dhe procesi i diferencimit ideopolitik përmes së cilit shumë profesorë e kuadro shqiptare u pushuan nga puna, u degraduan apo edhe u burgosën, kulmoi me atë që njihet si proces i fillimit të ndryshimeve kushtetuese në Kosovë. Ky proces u përcoll edhe me një presion që vinte nga kinse qytetarët serbë dhe malazezë të Kosovës, të cilët filluan të organizoheshin sidomos në Fushë-Kosovë prej vitit 1987 nën moton se në Kosovë po ndodh presion ndaj serbëve dhe malazezëve dhe se për shkak të atij presioni serbët po shpërngulen. Edhe trajtimi që iu bë më lart propagandës për dhunimet e vajzave, grave dhe plakave serbe, shkatërrimin e varrezave serbe e presionet e tjera ishin pjesë e arsenalit të kësaj propagande. Në një nga tubimet e famshme të Fushë-Kosovës të pranverës së vitit 1987, Millosheviqi masës së serbëve do t’u drejtohet “se askush nuk do të guxojë t’u rrah” një mesazh direkt për policinë e Kosovës që përpiqej të vendoste rend.  Pas këtij tubimi dhe paraqitjeje të Millosheviqit, filloi procesi i përgatitjes së terrenit për ndryshimet kushtetuese. Edhe pse në diskutimet publike qytetarët dhe pjesa më e madhe e intelektualëve të Kosovës ishin kundër ndryshimeve që preknin themelet e autonomisë së Kosovës, Millosheviqit, që kishte filluar të zinte vendin e një lideri të ri serb dhe garniturës nacional-shoviniste serbe kjo nuk i bënte përshtypje. E filloi me spastrimin e një pjese të udhëheqësve të Kosovës si Azem Vllasit dhe Kaqusha Jasharit, udhëheqje e cila edhe ashtu kështu prej vitit 1981 ishte e përçarë dhe e pakoordinuar.

Shqiptarët iu përgjigjën kësaj situate me demonstratat e mëdha masive të nëntorit të vitit 1988 në mbrojtje të autonomisë, me grevën e minatorëve të Trepçës të shkurtit të vitit 1989, me demonstrata të vazhdueshme në pranverën e vitit 1989 si dhe me Apelin e 215 intelektualëve të shquar dërguar Kuvendit të Serbisë dhe opinionit jugosllav me thirrjen për të mos prekur bazat e autonomisë së Kosovës.   Apeli i intelektualëve i 21 shkurtit 1989, që gjithashtu do të bënte bujë të madhe do të iniciohej nga disa prej intelektualëve të rëndësishëm të Kosovës, si: Gazmend Zajmi, Ali Aliu, Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi, Zekeria Cana etj. Këtyre shumë shpejt iu bashkëngjiten edhe Mark Krasniqi, Anton Çetta, Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja, Vehap Shita, Hajurllah Gorani etj. Ky do të nënshkruhej edhe nga figura që më vonë u bënë personalitete kryesore të lëvizjes pacifiste, si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi etj.  Një pjesë e profesorëve do të diferencoheshin në procesin e diferencimit ideo-politik që do ta pasonte rrënimin e autonomisë së Kosovës. E në anën tjetër demonstratat e pranverës së vitit 1989 në funksion të mbrojtjes së autonomisë do të shtypeshin me gjak, duke u vrarë në mars të vitit 1989 sipas të dhënave zyrtare 21 demonstrues dhe 2 policë, e po ashtu nuk do të realizoheshin as kërkesat e minatorëve grevistë, por përkundrazi kundër shumë prej tyre do të fillonin proceset gjyqësore.

Kulmimi i luftës për ta rrënuar pozitën kushtetuese të Kosovës do të përfundojë me ndryshimet e dhunshme që iu bënë Kushtetutës së Kosovës më 23 mars 1989, kur Kuvendi i Kosovës nën trysnin e armëve, të forcave të sigurimit por edhe të pavendosmërisë së delegatëve shqiptarë aty, miratoi kushtetutën e re serbe, e cila godiste rënd bazat e autonomisë së Kosovës.  Atë ditë, votuan kundër diku rreth 14 delegatë shqiptarë, ndonëse numërimi nuk ishte bërë krejt i saktë.  Amendamenti kushtetues më diskutabil ishte ai 42, përmes së cilës jepej miratimi që Kushtetuta e Serbisë tani e tutje mund të ndryshohej pa miratimin e Kuvendit të Kosovës (dhe atij të Vojvodinës) por vetëm duke e marrë mendimin e tyre. E veçanta e këtij amendamenti ishte se ai ndonëse u bë publik se do të futej për votim, nuk kishte qenë pjesë e debatit publik në Kosovë, andaj edhe u kundërshtua hapur nga disa prej delegatëve më të guximshëm si Melihate Tërmkolli, Ukë Bytyçi etj., të cilët më vonë do të jenë figura të rëndësishme të LDK-së në Kosovë, e ky i fundit edhe i UÇK-së.

Ishte kjo ndër fitoret e para dhe më të rëndësishme në aspektin strategjik për regjimin e Millosheviqit. Ishte kjo fitore që i mundësoi atij të hynte në rrugën e katër luftërave dhe shkatërrimeve masive në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ishte kjo ndër provat më të rëndësishme të marrëzisë së tij, të politikës së çmendur shoviniste. Ishte kjo vërtet një përfundim i luftës për rrënimin e autonomisë së Kosovës, por edhe fillimi i luftës për pavarësinë e plotë të Kosovës nga Serbia.

Që nga ajo periudhë Kosova do të shndërrohet në koloni serbe. Në këtë kohë fillon edhe rrënimi total i ekonomisë së Kosovës. Mbi 115 000 punëtorë nga 170 000 sa kishte Kosova u dëbuan nga puna. Gjithashtu pas kësaj periudhe e deri me fillimin e luftës u larguan nga Kosova diku rreth 400 000 shqiptarë, si pasojë e terrorit të egër dhe të presionit të vazhdueshëm politiko-ekonomik të regjimit serb.  Përveç veprimeve konkrete ai nuk do të hezitonte që edhe para diplomatëve të huaj të akuzonte popullin shqiptar për krimet më të tmerrshme me një gjakftohtësi që e karakterizonte atë si personalitet. Madje edhe një diplomat i rryer si Warren Zimmermann ishte tronditur nga arsenali i akuzave të Millosheviqit ndaj shqiptarëve. Në takimin në shkurt të vitit 1990 që patën me të zëvendëssekretari i shtetit Lawrence Eagleburger dhe Zimmerman, kur diplomatët amerikanë ia hapën temën e Kosovës dhe gjendjen e rëndë në të, Millosheviqi iu përgjigj duke u ankuar se Serbia është e detyruar të mbrohet nga “fundamentalistët islamikë” e “narko mafia” në Kosovë dhe se shqiptarët po kryejnë vrasje dhe dhunime sistematike të grave dhe fëmijëve serbë e pa e futur këtu atë që ai e ka quajtur si “vrasje mentale” të 200 000 serbëve që jetojnë në Kosovë. Zimermanni këtë termin e fundit e quan si një shtesë në fjalorin e oruellian të Millosheviqit.

Adem Demaçi konsideronte se këto hapa të Millosheviqit arritën të realizojnë një homegjenizim të paparë të shqiptarëve deri atëherë. Ai theksonte që prej burgut në një intervistë për Večernje list, më 25.02.1990 se “unë me tregimin tim as për njëqind vjet nuk do të arrija atë efekt, që “mirëbërësi” ynë Sllobo arriti për këto dy-tre vite”.  Dhe që në burg ai me shaka u kishte thënë shokëve se Millosheviqit duhet t’i ndërtohet një përmendore e zezë në Kosovë.  Dhe nuk ka dyshim se ky parashikim largpamës i Demaçit, se në një mënyrë me politikën e tij shoviniste, Millosheviqi do të shpejtonte lirinë e popullit shqiptar në Kosovë, doli e vërtetë, sado që si kudo në ish-Jugosllavi kjo politikë u pagua me jetët e mijëra të pafajshmëve. Dhe Millosheviqi e politika e tij ndaj Kosovës dhe të tjerëve do ta dëmtojë sigurisht edhe popullin serb dhe një tranzicion normal në vetë Serbinë. Për të qenë situata edhe më tragjike në vetë kontekstin e politikës serbe, ajo që do të mund të quhej si opozitë serbe në vazhdimësi paraqitej edhe më nacionaliste sa i përket Kosovës sesa vetë Millosheviqi. Kjo situatë vazhdoi deri në çlirimin e Kosovës e vazhdon për fat të keq edhe sot. Këtë situatë e trajton edhe filozofi i njohur Sllavoj Zhizhek, kur e analizonte raportin e asaj që mund të quhet opozitë demokratike e Serbisë në raport me Millosheviqin. Duke e lidhur ngushtë çështjen e demokratizimit të Serbisë me qasjen e saj ndaj Kosovës, Zhizheku konstaton se “çdo avokim i drejtpërdrejtë i demokracisë që i lë të pakontestuara pretendimet nacionaliste për Kosovën, është i dënuar të dështojë – çështja në lidhje me të cilën do të përcaktohet lufta për demokraci është Kosova”.

Rrënimi i Jugosllavisë si zgjatje e reagimit të nacionalizmit serb në Kosovë

Për më tepër retorika nacionaliste serbe si e pozitës ashtu edhe e opozitës kishte kundërthëniet e veta të thella. Ajo thirrej në parimin etnik për zgjidhjen e problemeve në Bosnjë-Hercegovinë e në Kroaci, ndërsa në Kosovë ku ishte 1.5% e popullsisë serbe, thirrej në parimin historik, sado i mjegullt të ishte ai. E në anën tjetër në Kosovë jetojnë 38% të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Duke dekonstruktuar këtë tezë kundërthënëse, Shkëlzen Maliqi, me të drejtë theksonte se “çështja etnike serbe nuk zgjidhet në Kosovë (1.5%-shi mund të konsiderohet irelevant në krahasim me 35% të serbëve jashtë Serbisë) ndërkaq çështja shqiptare nuk mund të zgjidhet pa zgjidhjen e problemit të Kosovës”.  Standardet e dyfishta të politikës serbe e që e vinte në pozita kontradikte dhe jo parimore atë politikë, e vinte në pah edhe Fehmi Agani kur theksonte se në emër të së drejtës për vetëvendosje “Serbia kërkon pavarësimin shtetëror të serbëve të Bosnjës dhe të Kroacisë, madje me shtrirje më të gjerë territoriale sesa ishin territoret ku ata përbënin shumicën, e edhe bashkimin e tyre me Serbinë, pikërisht kur këto ua mohon shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë saj”.  Të njëjtat kundërthënie i vë në pah edhe ish-ambasadori i fundit amerikan në ish-Jugosllavi Warren Zimmermann kur theksonte se “kërkesat serbe pas tyre nuk kishin parime konsistente. Ku serbët ishin në pakicë si në Kosovë, ata thirreshin në të drejtën historike, e jo në atë numerike për të sunduar. Kur një e drejtë e tillë historike nuk ishte bindëse, si në rajonin e Krajinës në Kroaci, ata e kërkonin vetëvendosjen duke u bazuar në të drejtën e shumicës”.

Kriza në të cilën ishte futur Jugosllavia në fund të viteve ‘80-të e filluar me krizën në Kosovë shpërfaqte një konflikt në mes të republikave veriore Sllovenisë dhe Kroacisë në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër për fatet e federatës. Kjo krizë kishte vluar kaherë, por proceset e demokratizimit që kishin kapluar Evropën Lindore në Jugosllavi për shkak të natyrës së federatës dhe raporteve ndërnacionale çuan në shkatërrimin e saj. Demokratizimi i  jetës politike në Evropën Lindore kishte sjellë një paradoks në Jugosllavi: në vend se të demokratizohet jeta politike, dhe rrjedhimisht raportet në mes të popujve dhe republikave të shtensionohen, proceset demokratike sollën të kundërtën. Në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në vitin 1990 në shumicën e republikave jugosllave, e posaçërisht në Kroaci e Slloveni fituan forcat që ishin për më shumë pavarësi, ndërsa në Serbi dhe Mal të Zi ish-partitë komuniste të kontrolluara nga Millosheviqi, por që në thelb ishin shndërruar në forca politike tipike nacional-shoviniste. Forca politike reformatore e krijuar nga Ante Markoviqi, kryeministri i atëhershëm i Jugosllavisë dhe që përkrahej indirekt edhe nga amerikanët pësoi një humbje spektakolare. Këtë paradoks të dobësimit të demokracisë përmes zgjedhjeve të lira e trajton edhe ish-ambasadori Zimmerman kur konstatonte se zgjedhjet e vitit 1990 “duke e lindur demokracinë, ndihmuan ta ngufasin atë që në djep”.  Nuk ka dyshim se në ndeshjen e dy nacionalizmave të fortë si ai serb dhe kroat qëndron edhe një ndër shkaqet e shkatërrimit të Jugosllavisë e sidomos të luftërave në të. Ndonëse ka një pajtueshmëri se fajtori kryesor është nacionalizmi serb, i cili kishte edhe kontrollin mbi ushtrinë e të cilin e përdori në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, autor si Ivan Vejvoda por edhe diplomatët amerikanë i japin një dozë të fajit edhe vetë Tuxhmanit dhe nacionalizmit kroat.

Beteja për centralizim që udhëhiqej nga Beogradi binte ndesh me tendencat decentralizuese të Kroacisë dhe Sllovenisë. Por nuk ka dyshim se shovinizmi serb qëndronte në themel të shkatërrimit të Jugosllavisë. Siç thuhej në numrin e parë të “Çlirimit”: “shovinizmi dhe hegjemonizmi tradicional i pushteteve serbe ishte krijues i Jugosllavisë dhe ai u bë varrmihësi i krijesës së vet”.  E kur me këtë shovinizëm u ndesh me vendosmëri Kroacia dhe Sllovenia, shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme. Millovan Gjillas në një bisedë me ambasadorin Zimmerman kishte theksuar se Jugosllavia nuk mund ta mbijetojë një konflikt në mes të serbëve dhe kroatëve, sepse ato janë kombet përcaktuese të saj.

Si duket politika e verbër e Millosheviqit nuk e kishte kuptuar ende se Jugosllavia më nuk e luante rolin e madh strategjik si për SHBA-në ashtu edhe për BRSS-në, rol që e kishte luajtur gjatë Luftës së Ftohtë. Këtë porosi të formuluar në Departamentin e Shtetit ua dërgoi ambasadori Zimmerman në takimet e para me udhëheqësit jugosllavë sapo e mori detyrën në marsin e vitit 1989. Ai këtë porosi e përcolli së bashku me mesazhin se SHBA-ja është për ruajtjen e Jugosllavisë por se kjo duhet të bëhet përmes zbatimit të parimeve të demokracisë e assesi jo përmes forcës dhe se rregullimi i brendshëm është çështje e popujve të Jugosllavisë. Sigurisht edhe brenga për Kosovën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut ishte ndër porositë e ambasadorit, por edhe kjo e përcjellë me faktin se SHBA-ja përkrahë autonominë por jo edhe pavarësinë apo shkëputjen e Kosovës.

Përfundim

Zakonisht ka një tension në mes së të drejtës për vetëvendosje në njërën anë dhe parimit të integritetit territorial në anën tjetër. Shtetet që kanë arritur që përmes reagimit të tyre të akomodojnë të drejtën e vetëvendosjes së popujve brenda tyre, shpeshherë jo vetëm që e kanë ruajtur më lehtë integritetin e tyre territorial (rasti i Britanisë së Madhe dhe Skocisë, por edhe i Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe prej vitit 1998 e këtej), por edhe nëse ka ndodhur shkëputja apo ndarja kjo ka qenë në funksion të zhvillimit të shtetit e paqes në përgjithësi (si rasti i Çekosllovakisë). Në anën tjetër ashtu siç dëshmon rasti i Kosovës dhe Serbisë e Jugosllavisë, reagimi i dhunshëm dhe jo proporcional i shtetit, e jo qasja akomoduese, jo që nuk arrin të zbus dëshirën dhe përpjekjet për vetëvendosje, por në raste të caktuara, të kombinuara me faktorë të tjerë, mund të jetë faktor në shkatërrimin e tërësishëm të shtetit (si rasti i Jugosllavisë), dhe krijimit të kushteve për vetëvendosjen e jashtme siç është rasti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura