PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (1)

Pashtriku.org, 08. 05. 2015 – Grupi Revolucionar, i formuar në fillim të viteve ’70, pavarësisht arrestimeve të veprimtarëve të tij (1974-1975), ka vazhduar veprimtarinë dhe zgjerimin e radhëve. Kjo organizatë, për t’iu shmangur ndjekjeve policore, disa herë ka ndërruar emrin e vet dhe të organit të shtypit. Më 1975-76 Grupi Revolucionar do të quhet Grupi Marksist-Leninist i Kosovës, kurse nga fundi i dekadës, Organizata Marksiste-Leninste e Kosovës. Organi i shtypit të kësaj organizate që pa ndërprerë veproi për plotë 12 vjet, nga “Zëri i Kosovës” siç u quajt më 1974, mori emrin “Pararoja” më 1975-76 dhe “Liria” më 1980.
Pas shndërrimit të “Grupit Marksist-Leninist të Kosovës” në “Organizatën Marksiste-Leniniste të Kosovës”, veprimtaria botuese e kësaj organizate intensifikohet dukshëm. Pos një përmbledhjes me poezi, detyrë e përhershme me përparësi më të madhe ishte shtypja dhe shpërndarja e afisheve. Pos afishes me emrin “Trakt”, që u shpërnda me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, kjo organizatë përgatiti dhe afishen tjetër, po ashtu me emrin “Trakt”, që u shpërnda me rastin e ardhjes për vizitë në Kosovë të kryetarit të Jugosllavisë, më 1979.

Edhe me rastin e regjistrimit të popullsisë, anëtarët e “OMLK”-së reaguan nëpërmjet një afisheje tjetër, që kryesisht u shpërnda në Shkup, Tetovë e Gostivar. Në kuadër të organizatës vendoset që të nxirret revista “Liria”, si organ informativ i organizatës. Në tetor të vitit 1980, përgatitet numri i parë, i cili dërgohet në Zvicër dhe me angazhimin e patriotit Kadri Zeka, arrin që të dalë “Liria”. Numri 2 (dy) i saj del në dhjetor të po atij viti. Pas demonstratave të vitit 1981, anëtarët e kësaj organizate shtuan aktivitetin për hartimin e sa më shumë teksteve, poezive dhe afisheve që të shpërndajnë në popull. Të gjitha ato i botonin në revistën “Liria” dhe në forma tjera të publikimit.
Gjatë hulumtimeve që bëra për monografinë shkencore “Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989”, në arkivat e gjykatave të qarqeve në Kosovë, në dosjet e shumta që hetuesit iu kishin marrë të arrestuarve politikë. Në mesin e shumë materialeve që gjeta, kureshtjen time prej hulumtuesi ma shtoi shtypi ilegal që botoi kjo organizatë. Dhe tani do i prezantoi lexuesit shtatë numrat e revistës “Liria”, që i gjeta në dosjen e Hydajet Hysenit, në Gjykatën e Qarkut-në Prishtinë.
Si zakonisht shtypi i ilegales në fillimet e saja botohej në fleta A- 4, pasi se për një teknikë më të përsosur nuk kishte kushte e as mundësit elementare për të. Pra, në këtë format u botua edhe organi informativ i organizatës së OMLK-së. Por përsëri do iu referohesha atdhetarit të shquar të Kosovës, Mehmet Hajrizit i cili njëkohësisht ishte edhe kryeredaktor i gazetës “Liria” si dhe i organit kryesor të “Grupit Revolucionar” “Zëri i Kosovës”, ai shkruan se: “”Liri” ishte organ i OMLK dhe filloi të botohej më 1980. “Liria” përgatitej dhe redaktohej në Kosovë, por nën përkujdesjen e Kadri Zekës botohej jashtë, me teknikë moderne dhe shpërndahej në Kosovë e në mërgatë. Pa Kadri Zekën “Liria” nuk do të mund të botohej në atë formë dhe në atë tirazh, por roli i tij në këtë ndërmarrje serioze dhe të vështirë, ka qenë i një rëndësie të veçantë edhe në përmbajtjen e saj. Gazeta “Liria” të cilës në ballinë i paraprinte flamuri kombëtar me yllin pesëcepësh, dhe sentenca “Proletarë të të gjitha vendeve dhe popuj të shtypur, bashkohuni”. Po ashtu në ballinë vazhdohet me tekstin në formë parathënieje që e kanë pagëzuar “LIRIA”, dhe më tutje jepet arsyetimi se pse filloi të dal revista, arsyet e saja dhe si do të botohej në të ardhmen, çfarë misioni do të ketë dhe çfarë mesazhi do ti përcjellë popullit të saj nëpër vite. Këtë tekst, e ka shkruar Mehmet Hajrizi. Në tekstin e parathënies autori prezanton një punim më të thukët për konceptin dhe rendësin e lirisë në kushte okupimi.
Thuhej në tekst se “Liri! Liri thirri në shekuj populli shqiptar për Atdheun e tij të dashur. Gjaku lum u derdh për lirinë e shtrenjtë në tokën e shqipes. Liri thërret sot Kosova e robëruar, Kosova e shumëvuajtur e martire, Kosova trime. Bijtë e Kosovës luftuan në shekuj për liri, kundër armiqve të shumtë e të egër që lakmonin fushat tona të gjëra, malet tona të bukura, pasurit e shumta që ka në vete toka jonë e dashur. Me këto lakmi të çmendura kralët e Serbisë e të Malit të Zi, me ndihmën e imperializmit evropian , me gjithë luftën heroike të popullit shqiptar, arritën të shkëpusin nga trungu i Shqipërisë gati gjysmën e saj dhe ta fusin nën robërinë e tyre të egër.” Pasi autori jep të dhëna të bollshme për popullin shqiptar të Kosovës, e cila me tradhti të krerëve të Beogradit ngeli nën Serbi, megjithatë ai (populli) asnjëherë nuk u pajtua me te, edhe pse okupuesi përdorte pa ndërprerë mënyra dhe metoda të ndryshme për ta mbajtur sa më gjatë nën tutelën e saj. Ai (okupuesi), siç është e ditur gjatë historisë për të arritur qëllimet e veta, herë përdori politikë e herë më tepër dhunë e terror, por asnjëherë nuk pati sukses që të bindë një popull të tërë që të pajtohet me fatin e robërisë.
Më vonë shton autori “Prandaj, populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ka luftuar vazhdimisht dhe lufton pa pushuar, në forma të ndryshme, kundër pushtuesve të sotëm revizionistë, për çlirim kombëtar e shoqëror. Kjo luftë do të rritet gjithnjë e më shumë, do të zgjerohet e thellohet çdo ditë, do të marrë zjarr, do ti djegë në flakën e saj armiqtë dhe tradhtarët dhe do t’i sjell fitoren e sigurt popullit tonë, lirinë e ëndërruar në shekuj. Kosovën pa pushtues, pa shtypës e shfrytëzues, të lirë e të bashkuar me atdheun socialist do ta bëjë vetëm gjaku i pastër i bijve më të mirë të saj.” Qëllimi i gazetës do të ishte që kjo me shkrimet e veta që do të botojë “do ta ndihmojë këtë luftë të popullit tonë për të drejta e liri”. Autori i shkrimit ”Liria”, për konceptin e gazetës shtonte:
“Liria”, në gjithë punën e saj do të frymëzohet nga aspiratat e larta të popullit dhe do të orientohet nga një vijë e drejt politike e ideologjike…
“Liria” do të jetë një tribunë e vërtet e popullit që ka për qëllim të ndihmojë bashkimin e gjithë popullit në luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve.
“Liria”,do të luftojë pa mëshirë kundër armiqve të popullit tonë dhe do të demaskojë propagandën e poshtër demagogjike e mashtruese të tij.
“Liria” do t’i tregojë popullit çartë cilët janë armiqtë e vërtetë të tij, kush i rrëmbeu lirinë, kush e vrau dhe e mashtro, kush e dëboi nga vatrat e veta, kush e varfëroi dhe e qoi në këtë gjendje të mjeruar, kush i përplas nëpër burgjet e errëta jugosllave bijtë e tij, kush e shtyp dhe e shfrytëzon kaq egërsisht dhe do t’i tregojë cila është rruga e shpëtimit nga robëria e tmerrshme.
“Liria” do t’i mbrojë me guxim interesat e popullit tonë të robëruar para çdo armiku.
“Liria” jonë do të jetë gjithë jetën tribunë e së vërtetës, e drejtësisë dhe zëri i lirisë së vërtet të popullit tonë.
“Liria” do të punojë e luftojë me vullnet të hekurt për edukimin dhe kalitjen e popullit me një patriotizëm të flakët e revolucionar.
“Liria” do të ngre lart me krenari traditat e shkëlqyera luftarake të së kaluarës së lavdishme të popullit tonë, përpjekjet e luftërat e tij për liri e bashkim kombëtar.
“Liria” do të pasqyrojë urrejtjen e madhe që ka mbushur gjokset shqiptare kundër regjimit shtypës e shfrytëzues, luftën e popullit që bëhet në forma të ndryshme kundër këtij regjimi, do t’i sqarojë masat mbi gjendjen brenda dhe jashtë vendit si dhe do t’i orientojë ato në situata të ndryshme.
“Liria” do të përkrahë luftën çlirimtare në Jugosllavi e kudo në botë dhe është kundër politikës antipopullore e gjakatare …”
Dhe nëpër mes këtyre rreshtave autori paraqet misionin e kësaj gazete.

Zürich, 1980: Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni.

Është për t’u habitur se në revistën “Liria”, shkrimet që botohen nuk kanë më as pseudonime të autorëve, as nismëtare, as emra të vërtet, vetëm se aty –këtu me laps të thjesht janë të shkruar me dorë, (kuptohet nga punëtoret e hetuesisë, që gjatë procedurës hetimore kanë arritur të deshifrojnë emrat e autorëve). Herë- herë në tekstet e gazetës ndodh të jetë nënvizuar e shkruar “ ovo je jako vazhno” ( kjo është shumë me rëndësi), dhe ndodhte shpesh që gjatë hetuesisë zbuloheshin edhe autorët e vërtet të shkrimeve, dhe përsëri ndodhte që emri i autorit të shkruhet me laps.
Në shkrimin “Asnjë masë e revizionistëve nuk mund ta mposht popullin tonë heroik”, autori Hydajet Hyseni në pika të shkurtra na jep të dhëna se si pushteti jugosllav në mënyra të ndryshme mundohet të bëjë propagandë për jetën e “rehatshme” dhe “pa brenga” bëjnë shqiptaret në Jugosllavi, dhe se çfarë të drejtash gëzojnë ata. Autori në mënyrë historike bënë elaborimin e problemeve që e mundonin shqiptarin dhe se mbi të gjitha i mungonte liria dhe vazhdimisht për atë angazhohet dhe lufton me të gjitha mjetet duke sakrifikuar çdo gjë që ishte e mundshme vetëm e vetëm për të arritur atë – LIRINË e merituar.
Menjëherë pas luftës Së Dytë Botërore, klika gjakatare e Tito-Rankoviçit ndërmorën masa të papara për ta shfarosur, dëbuar e shkombëtarizuar popullin shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe për të realizuar në këtë mënyrë ëndrrat e çmendura të shovinistëve siç ishin Vasa Qubrilloviqi, Ivo Andriqi e shumë të tjerë. Zhdukja mizore e dhjetëra e mija shqiptarëve gjatë dhe pas luftës, dëbimi me dhunë për në Turqi e vende të tjera nëpër botë, rrahja e poshtërimi i pothuajse të gjithë burrave kosovarë gjatë aksionit famëkeq të armëve, plaçkitja e pamëshirshme e pasurive tona natyrore, grabitja e dhunshme e tokës dhe e bereqetit janë vetëm disa nga masat që xhelatët titistë ushtruan mbi kurrizin e popullit. Por megjithëkëtë masa të përbindshme ata nuk ia kishin arritur dot qëllimit të tyre.
Megjithatë, populli ynë trim e patriot nuk u shfarosë, nuk e lëshoi tokën e tij të dashur, nuk e harroi gjuhën e tij të ëmbël, zakonet e traditat e lashta shqiptare. Ai nuk u frikësua e nënshtrua para dhunës e terrorit fashist e gjenocidalë të okupatorit, por, përkundrazi, urrejtja dhe pezmi i tij u shtuan dhe u grumbulluan edhe më shumë.
Pas vitit 1966, Tito me bashkëpunëtorët e vet filluan një fushat të madhe propaganduese se të gjitha padrejtësisë që kanë ndodhur para këtij viti, ndaj shqiptarëve thuhej se ishin bërë pa dijeninë e Titos, dhe se tani e tutje u premtohej se shqiptarëve do ti sigurohej liria e barazia e vërtet dhe të drejtat e plota etj…etj…Të gjitha fajet për ato që ishin bërë ndaj shqiptarëve iu ngarkuan njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, xhelatit Rankoviq, të cilin klika e Titos e rrëzoi për hesape të veta dhe aspak për krimet ndaj popullit shqiptar që kishin kryer së bashku me të sa e sa vite më parë.
Autori thotë se “kishte nga ata që u gënjyen nga kjo demagogji dhe menduan se duke ndërruar qimen, ujku po e harronte edhe zakonin. Por, populli ynë, që në shekuj është mësuar me manovra të ndryshme të armiqve të tij, nuk u mashtrua nga reformat dhe propaganda e revizionistëve. Ai e kuptoi se ishin të njëjtat qëllime të të njëjtit armik, se ato që po ndryshonin ishin vetëm format e mjetet e shtypjes e shfrytëzimit. Masat e reja të revizionistëve jo vetëm që nuk e gënjyen popullin tonë, por përkundrazi, bënë edhe më shumë që të shtohet urrejtja ndaj shtypësve e shfrytëzuesve dhe lufta e tij për të drejta e liri.” .
“Viteve të fundit”, thuhej në tekst “kur kjo luftë, si rezultat i shtimit të pakënaqësisë e urrejtjes së masave dhe ngritjes së ndërgjegjes së tyre kombëtare e klasore, po bëhej gjithnjë e më e vendosur, më e organizuar dhe po merrte përmasa gjithnjë e më shqetësuese për regjimin, pushtetarët kishin hequr maskat dhe ishin hedhur mbi popullin tonë me të gjitha mjetet dhe forcat e tyre. Periudhën pas Rankoviçit , gjatë së cilës populli ynë fitoi i thënçin disa të drejta , ndërsa pushtetarët e quanin si periudha e liberalizmit, duke arsyetuar kështu hapur vënien përsëri në plan të parë të politikës së tyre të dhunës. Si rezultat i kësaj vije se numri i policëve, agjentëve e spiunëve po shtohej pa ndërprerë dita më ditë. Bastisjet dhe arrestimet ishin bërë të zakonshme dhe shtohej nga viti në vit. Populli ynë po shihte se po ringjallen përsëri veprimet gjakatare të kohës së Rankoviçit” . Vë në pah autori i revistës ilegale.
Edhe pse në shikim të parë duke u bazuar në fjalët e pushtetarëve, fitohej përshtypja se tani në Kosovë frymohej më lehtë, megjithatë, u gabuan , ngase jugosllavet asnjëherë nuk hoqën dorë nga politika e shkombëtarizimit të viseve të pushtuara shqiptare dhe sllavizmit të tyre. Këtë politikë destruktive ata me konsekuencë e njekën edhe më vonë me mjete e forma të ndryshme. Më tepër se 130 mijë shqiptar kishin lënë shtëpitë e tyre dhe për të siguruar kafshatën e tyre, ikën nëpër vendet e ndryshme të Jugosllavisë dhe jashtë saj. Sa familje shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, braktisin përgjithmonë vatrat e tyre dhe vendosen nëpër republikat jugosllave apo vende të ndryshme të botës.
Nga ana tjetër, tokat shqiptare popullohen vazhdimisht me popullsinë sllave. Në mënyrë të veçantë shovinistët maqedonas po përpiqeshin me çdo kusht të grumbullonin gjithë diasporën maqedonase dhe ta vendosnin nëpër viset shqiptare. Në këtë mënyrë jugosllavet po synonin të ndryshonin strukturën nacionale të popullsisë së tokave shqiptare dhe ti shpallnin pastaj tokat tona si toka serbe, malazeze apo maqedonase . Aq larg shkuan ata në këto përpjekje sa që në emër të planifikimit të familjes etj, u përpoqën që më masa masive mjekësore të pengojnë edhe shtimin natyror të shqiptarëve!. Dhe nga e tërë kjo që u tha më lartë, të tëra këto dëshmojnë për vazhdimësinë e e planeve të egra të Çubrillovoqit, dhe të masave shfarosëse që ndërmori Rankoviqi e xhelatët e tjerë si këta.
Gjatë vizitës së tij të fundit (1979), të Titos në Kosovë, ashtu si edhe gjatë vizitave të mëhershme, Tito, përsëri këndoi po të njëjtën këngë, dhe ata bashkëpunëtorët e UDB-es, dhe tradhtarët e popullit, ende pa u larguar ai, ata ia filluan një fushate të paparë ndjekjesh, bastisjesh e arrestimesh. Mija bijë e bija të popullit nga më të mirët u rrahën e u torturuan në mënyrë shtazarake, të denjë vetëm për udëbashët që vazhdonin rrugën e Rankoviqit. Dhjetëra bijë të popullit u nxorën para gjyqeve dhe iu shqiptuan dënime të rënda, të shumtën në mungesë të plotë të fakteve. Të gjitha proceset gjyqësore u mbajtën me dyer të mbyllura, sigurisht jo nga frika se mos populli do ti sulmonte bijtë e tij, siç përralloste gazeta beogradase “Politika”, por nga frika e madhe që kishte regjimi titist nga populli shqiptar që me vite ishte mbushur plotë pezëm e urrejtje. Ata menduan se me përdorimin e këtyre masave do ta frikësonin popullin tonë, por siç detyrohen të pranojnë edhe vetë më vonë, u gabuan keq . Populli ynë jo vetëm që nuk u frikësua, por e shtoi edhe më shumë urrejtjen dhe luftën e tij kundër okupuesit, kurse bijtë e tij me qëndresën dhe luftën heroike në gjyqet dhe burgjet anë e këndë Jugosllavisë, po u futnin tmerrin armiqve e tradhtarëve, edhe duke qenë të lidhur me pranga e zinxhirë.
Me anë të këtyre masave që ndërmori pushteti jugosllavë, qëllimi ishte që ti zbulojnë patriotët e vërtet dhe atdhetaret e devotshëm që luftonin për liri dhe pavarësi të Kosovës. Me qëllim që ti diskreditonin ata, dhe ti izolojnë nga shoqëria dhe nga vetë nënat që i kishin lindur, ata ndërmorën një fushat të gjerë të shpifjeve e trillimeve. Për këtë qëllim ,ata u mundonin ti futnin me një thes me gjithfarë elementësh, ti akuzojnë ata si “nacionalist”, “irredentistë”, “reaksionar”, “armiq të popullit” etj …Dhe shtrohet pyetja athua a u mashtrua dikush nga këto fjalë boshe të pushtetarëve, mund të thuhej lirshëm se- Jo. Populli kishte kaluar më iluzionet, se diçka e mirë do ti ndodhë në këtë kreaturë të quajtur shtet. Populli ishte pjekur politikisht dhe shumë mirë i dallonte djemtë e vetë liridashës dhe okupatorin e vërtet.
Pas viteve të tetëdhjeta, pushteti jugosllav vuri në shërbim të plotë një propagandë të tërë kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Mjetet e propagandës si çdo kund ishin: shtypi, radio, televizioni dhe aty-këtu ndonjë informator e shërbëtor i ligë i pushtetit. U mundonin me të gjitha mjetet t’ia mbushnin mendjen popullit se Jugosllavia na qenka atdheu i tyre, se sistemi i saj “vetëqeverisës” na qenka “sistem i vërtet socialist”, sistemi më “human” e “demokratik”, sistem që iu “siguron masave liri, mirëqenie e begati”, se politika e “mos angazhimit” na qenka “ e vetmja politik e drejtë” etj… Të kota ishin të gjitha këto se populli njëherë e përgjithmonë e kishte kuptuar se Jugosllavia ishte atdheu i tyre aq sa ishte Turqia e sulltanëve, Jugosllavia e kralëve, apo Italia fashiste, se Jugosllavia e Titos ishte “socialiste, humane e demokratike” aq sa ishte Spanja e Karlosit apo Kili i Pinoqetit.
Në shkrimet e ndryshme në shtypin jugosllavë rëndësi të veçantë, pushteti po i kushtonte edhe propagandës së fabrikuar kundër shtetit amë- Shqipërisë . Ata herë pas here deklaronin se janë “shumë të interesuar” për marrëdhënie “të mira” e “ miqësore” me Shqipërinë, kurse në mbledhjet e shumta që organizonin në popull, fabrikonin kundër saj trillime e shpifje nga më të ndryshmet. Në këtë mënyrë ata mundohen , përveç tjerash edhe të armiqësojnë popullin shqiptarë që ishte i lodhur nga robëria shekullore në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi me popullin në Shqipëri.
Megjithatë edhe pse bëhen të tëra këto propaganda dhe makineri që ishin në shërbim të sistemit, populli shqiptarë përsëri vazhdonte luftën dhe do të vazhdojë është optimist autori, dhe se vetëm i bashkuar do të fitojë luftën e tij deri në fitore dhe do të qojë në vend amanetin e shenjët të Isa Boletinit, Bajram Currit e Shotë Galicës, të Ali Kelmendit, Asim Vokshit, Emin Durakut e mija dëshmorëve të ndritur që jetën e tyre ia falën lirisë së shtrenjtë.
Në një pjesë të gazetës jepen të dhënat se në çfarë terminësh mundë të dëgjohet Radio Tirana: Dëgjoni Radio Tiranën , ora : 5-7, 7-8, 8-12, 12 -18, 18-20,30, 20,30-23. Në këtë skemë programore u jepnin edhe në cilat valë mundë të përcilleshin si: në valë të mesme dhe në valë të shkurtra : 221 m – 6om, 275 m – 60 m, 463 m- 60 m etj… Në këtë faqe jepet edhe informata se në ora 1-2, 3-4, 7-8, 14-15 dhe në 19-20 mundë të ndiqeshin emisionet për shqiptarët jashtë Atdheut. Po ashtu jepeshin edhe në cilat valë mund ti përcillnin siç ishin valët e mesme dhe të shkurtra : 247 m – 49 m, 206 m- 42 m etj.
Në faqen e katërt (4), prezantohet një pjesë nga libri “Tërmeti lëkund malet por jo shqiptarin”, fjalë e mbajtur në rrethin e Shkodrës. Në rubrikën “Shoku Enver Hoxha për Kosovën”, e titulluar “Zemra jonë lëngon për ta”, ndër të tjera shkëputen disa fragmente nga fjala e tij ku thotë se “Vëllezërit tanë shqiptarë në Jugosllavi vuajnë. Një nga vendet më të prapambetura në Jugosllavi është Kosova. Edhe shqiptaret në Maqedoni vuajnë , por tashti pas tërmetit të 15 prillit të këtij viti, më keq akoma janë vëllezërit tanë shqiptarë në Mal të Zi. Zemra jonë lëngon për ta. Si të mos na dhembë zemra për mijëra vëllezër tanë në Hot e Grudë, në Ulqin e në Tivar, kur tash që po vjen dimri nuk do të kenë çati për të futur kokën . Për të vazhduar se “ Titoja ka katër ditë që u ngrit dhe vajti në Kosovë dhe, prej andej u kthye prapë në Beograd. Atje ai bëri disa mbledhje dhe përrallisi disa fjalë. U detyrua të pranonte realitetin që në Jugosllavi ka një minoritet të madh shqiptar, por këtë fakt ai nuk e fshehë dot, se në Kosovë ka 1 milion e 500 mijë shqiptar, në Maqedoni nja 400 mijë, në Mal të Zi 40 mijë. Kështu në Jugosllavi bëhen rreth dy milion shqiptarë… Gjatë bisedave që bëri, ai tha se Kosova ka pasuri të mëdha, sikur këtë nuk e dinin kosovarët, por heshti për faktin që këto pasuri i përpunon Sllovenia e Kroacia. Nuk i bëri zemra të thoshte që të ngrihen fabrika dhe të përpunohen mineralet në Kosovë. Ai u detyrua të konstatojë faktin e pamohueshëm dhe të hidhur që frytet e pasurisë së Kosovës i rrëmbejnë të tjerët, por nuk zuri në gojë se në qoftë se Sllovenia e ka nivelin e jetës 100 për qind, Kosova e ka 30-35 për qind. Titoja bëri një vizitë në Pejë, në Prizren, dhe në Gjakovë. Po përse e bëri këtë vizitë në Kosovë Titoja? E bëri për të qetësuar disi ndjenjat e patriotizmit , të lirisë dhe të pavarësisë, që janë të mëdha në Kosovë. Këto ndjenja patriotike të shqiptarëve, që jetojnë në Jugosllavi, Titoja dhe shokët e tij i cilësojnë si “irredentizëm” e “nacionalizëm” . Më vonë vazhdon autori për të cituar “ Ndihma jonë për zhvillimin e kulturës luan një rol të madh në Kosovë. Ky zhvillim dhe gjuha amtare atje nuk mund të frenohen. Në radion, në televizionin dhe në shtypin kosovar është adaptuar drejtshkrimi i gjuhës shqipe, tash kosovari lexon, flet dhe shkruan ashtu si ne. Këtë gjë populli atje e realizoi në një kohë shumë të shkurtër, se e ka nxitur zjarri që e digjte nga brenda. Ne do të vazhdojmë politikën e marrëdhënieve të drejta me vëllezërit tanë të gjakut e të gjuhës. Shqipëria nuk do të angazhohet vetëm në fushën e kulturës e arsimit, por ajo premtonte se do të angazhohet edhe në fushën e tregtisë, se nëpër mes të këtyre marrëdhënieve ata do të jenë më afër atyre dhe do të njihen drejtpërsëdrejti në mes veti përfundon komentin autori i shkrimit.
1.1. Kolapsi i ekonomisë kosovare
Në revistën ilegale “Liria” rëndësi e veçantë i kushtohej zhvillimit dhe gjendjes ekonomike në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish- Jugosllavi. Në shkrimin “Gjendje e rëndë në ekonominë e Kosovës”, me një laps të thjesht, shkruar anash fletës, me dorë , me gjasë nga hetuesit është deshifruar autori, ngase tek punimi i shkruar qëndron emri i ilegalistit të njohur nga Begraca e Kaçanikut: Berat Luzha . Pas një analize të gjithanshme të situatës së rëndë ekonomike në Jugosllavi, autori ndalet dhe analizon pse në Kosovë është një gjendje aq e rëndë ekonomike, dhe rëndësi të veçantë i kushton situatës pas viteve 1980. Ai shkruan se “Viti 1980, si edhe vitet e mëparshme , për Jugosllavin është një vit i vështirë. Veçanërisht e rëndë paraqitet gjendja në Kosovë. Ekonomia e Kosovës jo vetëm që nuk po bënë hapa përpara , por gjendja e saj po keqësohet edhe më tepër. Një nga sëmundjet më të rënda e të pashërueshme në ekonomin e Kosovës, janë humbjet e mëdha dhe të vazhdueshme . Gjatë vitit të kaluar , jo më pakë se 112 ndërmarrje ekonomike kishin 1,4 miliard dinarë ( të rinj) humbje , prej të cilëve 72 për qind i takonin industrisë dhe xehetarisë” na ofron të dhëna autori i shkrimit.
“As këtë vit” komenton autori, “se nuk u bënë përparime, por gjendja u keqësua edhe më. Në nivelin e vitit të kaluar, gjatë gjashtëmujorit, prodhuan vetëm 17 degë të rëndësishme të industrisë. Vetëm ekonomia e Prishtinës, gjatë gjysmës së parë të këtij viti kishte rreth 242 milionë dinarë humbje, e Mitrovicës 117, e Ferizajt 119 milion etj .
Gjendja në bujqësi është edhe më e vështir na bënë me dije autori, por pos humbjeve të mëdha, që vitin e kaluar arritën në shkallën 8,4 për qind të të gjitha humbjeve të ekonomisë kosovare, për çdo vit, siç shkruan shtypi , mbesin të pa mbjella mijëra hektar tokë të punueshme , përveç mijave të tjerë që janë djerrin e përhershme. Kjo degë e ekonomisë jep vetëm 20,9 për qind të prodhimit shoqëror, kur dihet se me të merret më së gjysma e popullsisë. Gjatë viteve të fundit prodhimtaria bujqësore ka rënë 5,4 %, kurse planifikohej të rritej 4 % , por ndodhë e kundërta.
Edhe pse toka e Kosovës është e njohur për plleshmërin e saj, rendimentet e kulturave lavërtarie janë deri 50% nën mesataren jugosllave.
Blegtoria si sektor i veçan i ekonomisë kosovare, jepte vetëm 33% të prodhimit bujqësor, dhe epte rendimente shumë të ulëta . Fondi i përgjithshëm i bagëtive po varfërohet gjithnjë e më shumë, ndërsa 95 % të tij i takonin sektorit privat dhe nga 600 mijë dele, sa kishte Kosova në vitin 1970, më 1980 kishin mbetur vetëm 295.000 copë.
Në gjendje hiq më të mirë ndodhej edhe pylltaria e Kosovës. Pyjet e pasura të Kosovës, u plaçkitnin me të madhe nga regjimi antipopullor titist dhe shkatërroheshin vazhdimisht.
Kosova, me të drejtë konstaton artikullshkruesi, “Përdoret si një zonë tregu për shitjen e mallrave të gatshme industriale nga republikat e Jugosllavisë. Rreth 70% të tregtisë së Kosovës e mbajnë mbi 200 firma tregtare jugosllave me më shumë se 600 njësi tregtare, 200 prej të cilave ndodhën në Prishtinë . Ndërmarrjet e republikave jugosllave nuk kanë kurrfarë pengese për shitjen e mallrave të tyre në Kosovë, ndërsa mallrat e pakta kosovare vështirë gjejnë vend në tregjet jugosllave, bile edhe në tregun kosovar, jo vetëm për shkak të konkurrencës së egër, por edhe nga pengesat administrative. Në këtë mënyrë shumë ndërmarrje kosovare punojnë me kapacitete të përgjysmuara ose i kanë mbushur depot me mallra stoqe, duke i shtuar edhe në humbjet. Mirëpo, kjo nuk ndodh me lëndët e para minerale që nxirren në “Trepçë”, “Kosovë”, “Novobërdë”, Kizhnicë, Hajvali , Golesh, Devë, Volljakë, Karaqevë, Strezovcë, Babush e në vende të tjera anë e këndë Kosovës.
Autori nuk e lënë pa e përmendur as tregtinë e jashtme në Kosovë që në Jugosllavi nuk ka raporte të drejta. Derisa në Jugosllavi vitin e kaluar iu dhanë ndërmarrjeve 1188 pëlqime për tregti të jashtme, në Kosovë u dhanë vetëm 5 sosh. Tregtia e jashtme e Kosovës, kishte një deficit prej 3 miliardë dinarësh, ose dyfish më shumë se një vit më parë. Importi, që u rrit 67 %, ishte dy fish më i madh se eksporti, ndërsa vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, edhe përkundër masave të kufizimit, u rrit për 34%. Vlera e eksportit mbulonte vetëm 50% të vlerës së importit.
Rrjedhim i krizës së rëndë ekonomike ishte edhe shkalla e lartë e papunësisë dhe kurbeti. Të aftë për punë në Kosovë kishte 52% të popullsisë (rreth 800 mijë veta), por të zënë në punë në të ashtuquajturën sektor shoqëror kishte vetëm rreth 168 mijë vetë. Më tepër se 700 mijë vetë kërkonin punë nëpër entet e punësimit, por numri i vërtet i tyre ishte shumë më i madh, sepse shumica e tyre as që paraqiteshin fare në këto farë entesh. Shkalla e zënies në punë e popullsisë së Kosovës ishte më shumë se katër herë më e ulët se ajo në Slloveni.
Struktura nacionale e të punësuarve nuk ishte fare në proporcion të drejtë me strukturën nacionale të popullsisë. Vetëm 62% të punonjësve ishin shqiptarë, kurse serbë e malazezë jo më pak se 32,4%. Kjo mospërputhje do të ishte shumë më e madhe po të analizohej struktura e atyre që punojnë nëpër zyra dhe vende udhëheqëse .

Akoma më të vështirë e bënte gjendjen faktike, se 52,3% të vendeve të lira nuk plotësoheshin fare. Në anën tjetër shteti kishte futur sistemin e punës jashtë orarit të punës. Vetëm gjatë vitit 1978 me orar të zgjatur kanë punuar 51.865 vetë, ndërsa në vitin 1979, 7.400 vende të punës janë mbajtur me honorar .
Papunësia e madhe, varfëria dhe jeta e vështirë i kishte detyruar një numër të madh të të papunëve që të marrin rrugën e trishtueshme të kurbetit. Siç detyrohen edhe vet pushtetarët të pranojnë se në rrugën e kurbetit janë rreth 120.000 vetë nga Kosova që punojnë në viset e ndryshme të Jugosllavisë apo në vende të tjera të botës. Nga ana tjetër numri i të mërguarve nga viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ishte gjithashtu shumë i madh. Vetëm nga komunat e Tetovës, Gostivarit, Strugës, e Kumanovës kanë emigruar mbi 16.000 shqiptarë
Nga këto të dhëna artikullshkruesi, na dëften se në Kosovë mbretëronte një gjendje kaotike e ekonomisë dhe popullata shqiptare jetonte në varfëri të skajshme. Populli jetonte siç do thoshte populli me një kore buke. Andaj, ndaj kësaj gjendjeje të mjeruar populli gjeti dhe reagoi në mënyrën e vet. Prandaj pushtetarët të cilët ishin përgjegjës për të tëra këto, thoshin se shkaktar për këtë gjendje ishte gjendja e rëndë ekonomike botërore, pastaj prapambetja e trashëguar e Kosovës, dobësitë subjektive e profka të tjera shpikëshin ata. Por siç e dinin të gjithë e vërteta qëndronte krejt ndryshe.
Kosova siç dihej thotë autori “Është një krahinë e begatë me pasuri të shumta natyrore . Rezervat e saja të thëngjill – linjitit kapin 64% të të gjithë rezervave jugosllave, ato të plumbit e të zinkut 67%, të hekur-nikelit 24%, të energjisë elektrike 30%, pastaj kadi të gjitha rezervat e argjendit, kromit etj. Por, këto pasuri nuk shfrytëzohen nga kosovaret. Ato grabiten dhe shfrytëzohen si lëndë të parë nga pushtuesit revizionist jugosllavë. Prandaj ekonomia e Kosovës është e gjymtuar, e një anshme dhe e varur nga ekonomia e republikave jugosllave. Vendin kryesor në ekonomi e zë bujqësia, industria e lëndëve të para dhe ajo e përpunimit fillestar të tyre. Vetëm Kombinati “Trepça” dhe “Kosova”, të cilët prodhojnë energji elektrike dhe lëndë të parë minerale , japin 48,8% të prodhimit të përgjithshëm industrial të Kosovës. Industria e lëndëve të para minerare dhe bazike japin dy të tretat e prodhimit të përgjithshëm industrial. Në këto degë derdheshin edhe shumica e investimeve të kapitalit jugosllav dhe atij botëror .
Kosova e shfrytëzonte vetëm 37 % të energjisë elektrike që e prodhonte vetë, ndërsa pjesën tjetër e merrnin republikat jugosllave. Vetëm Bashkësia Elektroekonomike e e Serbisë në vitin 1979 kishte marr mbi 2 milion e 360.000 megavate orë energji elektrike. Një pjesë të energjisë elektrike i përcillej Elektroekonomisë së Serbisë, dhe në të, ata shkruanin “Ekonomia”, dhe ajo realizohej me çmime shumë të ultë në krahasim me çmimet me të cilat ne e blinim të njëjtën energji elektrike nga Elektrodistribucioni i Serbisë, dhe nga ana tjetër “Zhelezara” e Shkupit , që merrte për çdo vit rreth një milion megavat orë energji elektrike, deri më 1977 e paguante një kilovat orë vetëm 0,25 dinarë, ose disa herë më pakë se sa paguanin kosovaret. Nga ky çmim Kombinati “Kosova” çdo vit kishte humbje rreth 150 milion dinar. Kontestin rreth çmimit të kësaj energjie padrejtësisht e kishte marr në dorë një komision jugosllav i arbitrazhit i cili sigurisht që nuk do ta zgjidhte atë drejtë dhe në mënyrë fatlume. Përveç kësaj, pothuajse gjithë sasinë e thëngjillit të këtij kombinati që nuk e harxhonin termocentralet e Kosovës, shkonte në republikat jugosllave siç i shkonte edhe gati gjithë gazi industrial i këtij gjiganti.
Ekonomia e Kosovës, siç na argumentojnë të dhënat statistikore, ishte në vartësi dhe kontroll të plotë nga Serbia dhe nga republikat tjera jugosllave. Ndryshe nuk mund kuptohet deklarata e kryetarit të “Veçës” së Serbisë, I. Stamboliqit, kur thotë: “ Sipas mendimit tim nuk ka pjesë të vendit tonë që nuk ka interes dhe leverdi për zhvillimin e “Trepçës” në Kosovë.
Propaganda e Beogradit çirrej sa mundke se gjoja federata jugosllave ndihmonte me të madhe zhvillimin më të shpejt të Kosovës e se bile kjo krahinë gëzuaka prioritet në Fondin Federativ për të pa zhvilluarit .Kjo zhurmë vijmë në përfundim se nuk u bënte për të tjetër, veçse u mundonin për ti hedhur hi syve kosovarëve dhe për të mashtruar opinionin jugosllav e atë të jashtëm rreth gjendjes së vërtet në Kosovë.
Në bazë të të dhënave që kemi, vijmë në përfundim se faktet tregojnë të kundërtën. Shkalla e zhvillimit të krahinës jo vetëm që nuk bëri asnjë hap përpara, por siç detyrohet ta pranojë edhe shtypi i kohës, viteve të fundit ajo ka rënë edhe për 5,1% (në vitin 1975 ishte 33,1%, ndërsa më 1980 ajo ra në 28%) .
Në periudhën prej vitit 1953-1978 prodhimi shoqëror për banor në Kosovë u rrit më ngadalë se në Jugosllavi. Derisa në vitin 1953 ai arrinte në shkallën 46,1% të mesatares jugosllave, 25 vjet më vonë (më 1978) zbriti në shkallën 28,8%. Siç dihej se popullsia e Kosovës përbënte 7 % të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë, kurse pjesëmarrja e saj në të ardhurat kombëtare mezi arrinte shkallën 1,9%.
Propaganda e Beogradit në Kosovë dhe Jugosllavi edhe pse mundohej ta arsyetonte prapambetjen e Kosovës dhe gjendjen e vështirë të ekonomisë së saj. Gënjeshtrave dhe demagogjisë së tyre djallëzore nuk u besonte më njeri. Populli i Kosovës po shihte gjithnjë e më qartë se shkaktari i vërtetë i kësaj gjendjeje ishte kriza e thellë politike, ekonomike e shoqërore që po e brente nga themeli regjimin titist dhe shtypja e shfrytëzimi i egër kolonial që ushtrohej mbi te. Ai po e kuptonte gjithashtu se e vetmja rrugë për të dalë nga kjo gjendje ishte lufta e pa kompromis kundër regjimit jugosllav dhe tradhtarëve të vendit.
1.2. Prezantimi i luftërave për liri e pavarësi
Rëndësi të veçantë në gazetë autorët i kushtojnë luftëtarëve për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Në këtë numër të revistës bëhej prezantimi i patriotit të shquar shqiptar- Isa Boletinit. Në shkrimin “Një faqe e lavdishme e luftës për liri e pavarësi” e autorit Kadri Zeka. Autori fletë për historinë e popullit shqiptarë, por në pah vë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, detyrat që dilnin nga ajo dhe të tjera. Detyrat historike të shtruara nga LSHP vazhdonin edhe më tutje të mbeteshin në rendë të ditës që pritnin një kohë më të mirë për tu realizuar .
Pranvera e vitit 1910 e gjeti mbarë Kosovën në këmbë e me armë në dorë. Kryengritja siç pohonin edhe dëshmitarë të kohës, kishte në bazë idenë kombëtare të pavarësisë. Dhe, në fakt, udhëheqës të lëvizjes, si dhe shtypi patriotik shqiptar që e mbështeti kryengritjen, deklaroheshin se lufta bëhej për realizimin e autonomisë administrative të Shqipërisë.
Shtypi i kohës, jo vetëm ai shqiptar, por edhe shtypi i huaj, i krahasonte betejat e Kaçanikut e të Carralevës, me betejën e Termopileve të epokës së lashtësisë. Porse gjatë kryengritjes së vitit 1910 pati edhe beteja të tjera të mëdha midis forcave të panumërta xhonturke, siç qenë ato të Qafës së Morinës dhe të Qafës së Agrit . Aty gjenerali famëkeq Shefqet Turgut Pasha u ngujua me javë të tëra. Qeverisë dhe autoriteteve ushtarake xhonturke iu deshën më se tre muaj për ta shtypur këtë kryengritje , e rastet e tilla gjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptarë nuk ishin të pakta.
Kryengritja kishte jehon të thellë e të gjerë jo vetëm brenda vendit në vilajetet e Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës, por edhe jashtë tyre. Përvoja e kryengritjes së Kosovës nuk kishte shkuar kot. Lëvizja kombëtare shqiptare nxori prej saj mësimet e duhura. Në këtë kuptim Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 dhe Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, Hotit e Grudës e vitit 1911 mund të merren si uverturë e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Si rrjedhim logjik dhe i drejtpërdrejtë i kësaj lufte mbarëshqiptare, erdhi Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 që ishte edhe një moment kaherë i pritur.
Si pasojë e vendimeve të padrejta, të fuqive të mëdha, me të cilat u lanë jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, dhe toka të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, kjo fitore mbeti e gjymtuar për shumë dekada. Megjithatë në themelet e çimentuara me gjak të pavarësisë shqiptare qëndron edhe kryengritja e vitit 1910, e popullit trim e liridashës të Kosovës, e udhëhequr nga trimat e patriotë të shquar si Isa Boletini e Idriz Seferi me shokë.
1.3. Vështrime librash
Gati krejt në fund të revistës jepen edhe vështrime të ndryshme të librave të botuara si në Kosovë njashtu edhe në Shqipëri. Në vështrimin “Vepër me rëndësi të madhe teorike dhe praktike” i shkruar nga Jakup Krasniqi i kushtohej librit “Vetëadministrimi “ jugosllav teori dhe praktikë kapitaliste” me autor Enver Hoxha. Mbi këtë tekst me një shkrim të çoroditur as në çirilicë e as në latinicë, me laps është i shkruar emri i autorit Jakup Krasniqit .
Në mesin e shumë analizave që bënë autori për librin në fjalë, vëmendje të posaçme i kushtohet pjesës ku flitej për të drejtat kombëtare në Jugosllavi. Autori në mes tjerash thotë se “ Problem tjetër që trajton shoku Enver në këtë libër, është edhe çështja nacionale e pazgjidhur në Jugosllavi, problem i trashëguar nga koha e kralëve të vjetër. Pas Luftës së Dytë Botërore , Partia Komuniste e Jugosllavisë lëshoi parullën e “vëllazërim- bashkimit”, por vetë parulla nuk mund ti zgjidhte grindjet e vjetra nacionale, që u thelluan edhe më shumë. “Bashkimi” dhe “Vëllazërimi” i popujve , për të cilët flitet shumë në Jugosllavi, kurrë nuk është shtruar mbi themele të drejta të barazisë ekonomike, politike, sociale e kulturore të kombeve e të kombësive. Këtë e dëshmon më së miri politika fashiste e bandës së Beogradit e ushtruar, për decenie me radhë, mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi” .
Për të dobësuar sa më shumë rezistencën e shqiptarëve, jugosllavët bënë atë që kishin bërë pushtuesit osmanë shumë kohë më parë: copëtuan tokat shqiptare në tri republika dhe një krahinë autonome , që përveç emrit nuk ka asgjë autonome, pasi se, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht ,është e varur plotësisht nga republika e Serbisë. Popullsia shqiptare në Jugosllavi edhe pse, siç thotë shoku Enver në fjalën e 9 Nëntorit, si për nga madhësia e tokave, ashtu edhe për nga numri i popullsisë, bënë sa dy republika të marra së bashku të Jugosllavisë, bile edhe më shumë, ndodhet në një prapambetje të theksuar ekonomike, politike, sociale e kulturore thuhej në tekst.
Titistët mundohen ta paraqesin Jugosllavinë si vendin ku është zgjidhur më së miri çështja nacionale. Por, siç thuhej në libër “me fjalë titistët mund t’i paraqesin si të duan marrëdhëniet midis kombeve e kombësive në Jugosllavi, por e vërteta e hidhur për këtë problem… ishte krejt tjetër” , përfundon autori.
1. 4. Politika e jashtme
Krejt në fund të revistës, epet një tablo e shkurtër e lajmeve e ngjarjeve shkurtë nga bota. Shkrimi “Populli afgan do të fitojë” i autorit Kadri Zeka, në pika të shkurtra i kushtohej luftës gati një vjeçare që bënte populli afgan për çlirim nga okupuesi sovjetik dhe regjimit kukull të Kabulit. Po ashtu edhe shkrimi tjetër “Diktatura fashiste nuk mund ta mposhtë popullin turk”, shkruar nga Kadri Zeka, i kushtohej oficerëve të lartë dhe gjeneralëve të ushtrisë turke, në krye me Kenan Evrenin , që kishin organizuar një puç ushtarak me anë të të cilit përmbysën qeverinë e Demirelit më 12 shtator1980.
Numri i parë i gazetës “Liria” që ishte organ informativ i organizatës së “OMLK”- së, nga lexuesit u prit me një admirim dhe simpati. Kryesisht revista iu përmbajt një programi të qartë atdhetar, qëllimi kryesor i saj ishte që populli të jetë i përgatitur, dhe fundja të jetë i gatshëm edhe për një luftë të armatosur, se vendi dhe tokat shqiptare duhet liruar nga robëria se ndryshe nuk bënte. Për plotësimin e këtij qëllimi , redaksia u përpoq të sqarojë popullin shqiptar lidhur me gjendjen e krijuar dhe ti tregojë udhën e drejtë që do të çonte në konsolidimin e popullit atdhetar e liridashës për tu shkëputur nga robëria. Si mjet kryesor për arritjen e këtyre synimeve atdhetare, gazeta konsideronte unitetin e popullit, luftën kundër përçarjes dhe organizimin e mirëfilltë ilegal për ti arritur synimet e kahershme jetike.

(VIJON…)

***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3990

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura