DEMONSTRATAT SHQIPTARE TË VITIT 1981 DHE NDIKIMI I TYRE NË PROCESET HISTORIKE

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 dhe ndikimi i tyre në proceset historike

(Studim nga këndvështrimi i kohës)

Nga Fatmir ARIFI – Pashtriku, 09. 02. 2023

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë ishin ngjarje të rëndësishme historike dhe kthesë e madhe në kuadrin e dinamikave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në viset e pushtuara dhe aneksuar Jugosllavisë. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, demonstratat e vitit 1981 ishin nga ngjarjet më të mëdha që shënuan një impakt të madh për mobilizimin kombëtar dhe për ndikimin që patën në opinionin botëror.

Për këto ngjarje historike janë bërë analiza e studime nga njerëz të mendimit të të gjitha fushave, shkrimtarë e sociologë, historianë, e protagonistë të këtyre ngjarjeve, publicistë e gazetarë, por dhe spekulues qëllimkëqij. Janë trajtuar ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit e deri tek arrestimet masive; janë ngritur teza të ndryshme, hipoteza të sakta por edhe nga më të çuditshmet; ka pasur gjykime, paragjykime, hamendje halucinante, të sakta dhe nga më të pazakonshmet; ka pasur në fillim çjerrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje, po kurrë mbrojtje institucionale.

Fillimi i rënies politike të Federatës jugosllave

Ka disa studiues, politologë, e opinionistë të cilët shkakun e shpërthimit të demonstratave e kërkojnë te gjendja e rëndë ekonomike e sociale, që në fakt nuk përjashtohet si faktor, ngaqë Kosova që nga pushtimi më 1912 dhe aneksimit të saj Serbisë në gusht të vitit 1913, ka pasur statusin e një rajoni të kolonizuar dhe gjendja ekonomike ka shkuar gjithnjë duke u rënduar në krahasim me republikat jugosllave. Megjithatë kjo nuk ishte arsyeja thelbësore e shpërthimit të këtyre demonstratave, porse vetëm një nga faktorët.

Në një nga dokumentet e kohës, duke anashkaluar faktorët e tjerë ndoshta nga më të rëndësishmit, thuhet se: “Situatën për këto ngjarje e ka përgatitur gjithë realiteti i Jugosllavisë… por veçanërisht e ka kushtëzuar gjendja shumë e lëkundur në të cilën është themeluar vetë Jugosllavia…”.

Kur kemi parasysh zhvillimin e proceseve historike që nga formimi i shteteve kombëtare, themelimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, e deri të Jugosllavia e AVNOJ-it, struktura  e brendshme e kësaj krijese përgjatë gjithë ekzistencës së saj ka pasur lëkundje sizmike të shkaktuara nga përplasjet e interesave kombëtare të popujve që i përbënin ato. Jugosllavia ka qenë një konglomerat popujsh me karakteristika të dallueshme identitare, gjuhësore, fetare, deri dhe racore. Në një prononcim të tij ish-zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, duke përshkruar situatën e viteve shtatëdhjetë të shekullit XX, shprehej: “Jugosllavia përbëhet nga gjashtë republika, pesë kombësi, katër gjuhë, tre besime fetare, dy alfabete dhe një Tito” .

Edhe historiani Jakup Krasniqi në një nga studimet e tij, në rrafshin e sjelljes së Jugosllavisë në raport me shqiptarët e thekson se: “Jugosllavia e Versajës, poligon të përhershëm ku ka ushtruar dhunën dhe terrorin e egër ushtarako policor ka pasur Kosovën. Populli më i nëpërkëmbur, i privuar nga të gjitha liritë dhe të drejtat, ishin shqiptarët, kundër të cilëve hartoheshin plane e shkruheshin elaborate për të organizuar në forma të ndryshme presionin për t’i ndjekur, shpërngulur e shkombëtarizuar, me qëllim që të krijonin hapësirë sa më të madhe për kolonizimin e Kosovës”.

 Në argumentim të kësaj që u tha më lart, vlen të theksohet se që nga viti 1844 deri në vitin 1999, janë shkruar dhe janë futur në veprim 36 elaborate shtetërore serbe e jugosllave që kanë pasur për objektiv shkatërrimin tërësisht ose pjesërisht të popullsisë shqiptare, si të tillë. Prandaj, edhe shpërthimi i demonstratave përveç gjendjes së rëndë ekonomike, thelbi kryesor ishte e drejta historike e popullsisë shqiptare në viset që i kishte pushtuar dhe aneksuar Serbia, veçanërisht Jugosllavia.

Duhet të theksojmë se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në kundërvënie të këtyre elaborateve shtetërore serbe dhe në realizimin e projektit të tyre për bashkimin kombëtar si e drejtë historike kanë vepruar pandalshëm në vijimësi të pashkëputur që nga viti 1878 me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e deri në ditët e sotme. Si e tillë, kjo Lëvizje Kombëtare është bartur nga brezi në brez deri në çlirimin e plotë të Kosovës që kulmoi me luftën çlirimtare të saj në vitin 1997-1999.

Prandaj dhe demonstratat e vitit 1981 nuk mund të studiohen vetëm nga prizmi i çështjeve socio-ekonomike, të shkëputura nga ky proces historik, por si pjesë përbërëse e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare. Siç e thekson dhe Mehmet Hajrizi: “Aty-këtu bëhen përpjekje (politikanë të asaj periudhe që kanë qenë në shërbim të sistemit jugosllav, historianë që kanë mbrojtur teza doktoraturash vetëm me dokumente njëdimensionale, siç janë ato të LKJ-së, dhe opinionistë, pa qasje në asnjë burim arkivor… shënim i F.A.), këto ngjarje të mëdha dhe historike të studiohen e të paraqiten të shkëputura edhe nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila e ka ruajtur vazhdimësinë e saj që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, madje që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.

Një gjë të tillë madje, e saktësojnë dhe politikanët besnikë të regjimit jugosllav në mbledhjet e shumta pas demonstratave të vitit 1981, duke deklaruar se veprimtaria e irredentës shqiptare në Kosovë, ka qenë pothuajse permanente që nga “çlirimi” (vendosja e thonjëzave te fjalaçlirim është shënim i imi,sepsenocioni çlirim, është nocion sipas nomenklaturës jugosllave. Viti 1945, për shqiptarët e viseve jashtë Shqipërisë londineze nuk u çliruan por vetëm iu ndërrua okupatori, F. A.), e deri më sot.

Përcaktuese në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981 ishte shkalla dinamike e veprimtarisë me dekada të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sidomos e atyre organizatave të fshehta të karakterit çlirimtar, siç ishte Grupi Revolucionar, i quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK). Në krahasim me organizatat çlirimtare të mëhershme të pas Luftës së Dytë Botërore, OMLK kishte arritur shkallën organizative në një nivel më të lartë nga pikëpamja teorike, intelektuale dhe organizative, në një stad të duhur dhe shumë sfidues kundrejt aparatit shtetëror federativ, republikan dhe krahinor.

Nga këto organizata, fillimisht ishte Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH)  ajo që sistemoi idenë e bashkimit në një formë programore, e pastaj OMLK,  e cila zhvilloi dhe e sistemoi edhe një shkallë më lart një formë të veprimtarisë së kombinuar, atë legale aty ku ishte mundësia , me veprimin e fshehtë aty ku mundësia mungonte, me synim – ngritjen e një mase kritike për një kryengritje të armatosur në kohë të përshtatshme, duke i thyer mjaft mirë pengesat parandaluese të regjimit përmes shtypit të fshehtë, trakteve dhe propagandës, me ç’rast rritej fryma kombëtare mobilizuese.

Vlen të theksohet, se për dallim nga komitetlinjtë konformistë të atëhershëm, të cilët përcillnin një filozofi politike nënshtruese, krejtësisht të trembur nga çdo veprim në shërbim të të drejtave historike të shqiptarëve, përfaqësuesit e filozofisë së politikës çlirimtare ishin të qartë objektivisht dhe të besueshëm në kauzën që e përçonin te masat e gjëra të popullit shqiptar, ndaj edhe gjetën përkrahje popullore në demonstratat e vitit 1981.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e organizuar, në kuadër të kësaj lufte shumëdimensionale për afirmimin e të drejtave historike të shqiptarëve nën sundimin e Jugosllavisë, theu  hegjemoninë dhe barrierat e rezistencës shoviniste të aparatit të LKJ-së dhe manifestoi nevojën e realizimit të të drejtave të shqiptarëve me anë të veprimit dhe aksionit të fortë masiv. Lëvizja e organizuar çlirimtare u ballafaqua duke iu kundërvënë të gjithë aparatit shtetëror të Federatës, republikave dhe drejtuesve hibridë të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Kjo lëvizje gërshetoi faktorët subjektivë dhe aspiratat e masave të gjera popullore shqiptare, në një momentum kur aksioni do të jepte efekte shumë të rëndësishme për t’i shërbyer kauzës kombëtare në përgjithësi.

Këto demonstrata përveç mobilizimit, unifikimit rreth ndjenjës kombëtare patën dhe efektin në dimensionin politik dhe diplomatik ndërkombëtar, lidhur me demaskimin e një politike të karakterit gjenocidar kundrejt shqiptarëve.

Gjatë kësaj kohe në trojet shqiptare nën Jugosllavi vepronin shumë organizata të fshehta të karakterit çlirimtar, por më e sistemuar dhe e strukturuar ishte OMLK-ja, e cila ishte e shtrirë në të gjithë hapësirën shqiptare, si dhe në mërgatë.

Këto demonstrata natyrshëm thelluan veprimet e këtyre organizatave të kohës të të njëjtës pikëpamje filozofike, fillimisht pothuajse pa ndonjë takim formal, duke krijuar një lloj aleance në distancë kundër hegjemonisë serbe, malazeze dhe maqedonase.

Me veprimet e konkretizuar, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e cila ishte avancuar dhe shtrirë, fillimisht për nga pikëpamja strukturore vertikalisht dhe më pastaj  horizontalisht, arriti të organizojë demonstratat nga më masivet në të gjitha qytetet shqiptare në Kosovë e në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi si dhe në mërgatë.  Kjo po ashtu u reflektua dhe nga aktet shoviniste të serbëve, maqedonasve dhe malazezëve në kundërvënie jo vetëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por dhe kundër aspiratave të popujve të tjerë që jetonin nën Jugosllavi, siç ishte për shembull popullsia bullgare në Maqedoni.

Padyshim, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në këtë kohë u organizua në kushte jashtëzakonisht të vështira, për shkak të represionit që bënte Jugosllavia kundrejt veprimtarëve të saj, por në shkallën organizative, politike, kombëtare e shoqërore, kjo lëvizje ishte shumë më mirë e më lart se sa të gjitha lëvizjet e mëparshme, pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky nivel organizativ i saj, përmes shtypit, trakteve dhe formave të fshehta, kishte arritur ta materializonte kontributin për një edukim dhe vetëdije më të lartë shoqërore në nivel masash qytetare. Kjo veprimtari prej dekadash kishte pjekur kushtet e rritjes së një rezistence kombëtare dhe afirmimit të bashkimit kombëtar,si përpjekje e vazhdueshme gjithnjë e më e fortë dhe si një organizim që synonte të kalonte caqet e afirmimit të aspiratave të shqiptarëve.

Duhet të theksojmë se një rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare, të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, padyshim që ka luajtur dhe Republika e Shqipërisë, sidomos në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës.  Ardhja e akademikëve, pedagogëve, trupave teatrorë dhe shoqërive kulturore e artistike në Kosovë , kishte ndezur shpirtin liridashës. Kur i shtojmë kësaj dhe botimin e librave që vinin nga Tirana, në Kosovë e në viset shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë,  s’kishte dyshim që po paralajmërohej një zgjim kombëtar dhe një fund i filozofisë së “patriotizmit hibrid jugosllav”.

Në këtë kuadër vlen të theksohet se një rol të jashtëzakonshëm frymëzues luajti dhe konferenca shkencore për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , e cila u botua në dy vëllime që në mënyrë shkencore trajtoi proceset historike dhe padrejtësitë ndaj kombit shqiptar.

Kur i analizojmë këto ngjarje e kontributin akademik nga Tirana dhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të fshehtë me karakter çlirimtar, jo formalisht, por shpirtërisht, duken si të shkrira në mes vete, duke plotësuar njëra-tjetrën, arrijmë në konkluzion se kjo lëvizje tanimë po hynte në atë fazë kur vetëdijen masive po e shndërronte çdo ditë e më shumë në lëvizje masive, në të cilën, nëpërmjet gërshetimit të kombëtares me filozofinë politike të lëvizjes së masave për kohën,  ishte bartur një përpjekje shumë e fuqishme, më shumë se çdo herë tjetër, për ta vendosur regjimin jugosllav në pozitë të rëndë demaskimi i plotë para faktorëve relevantë ndërkombëtarë. Ajo kishte arritur të riartikulonte kërkesat për statusin e Republikës së Kosovës dhe kërkesat për një ekonomi kombëtare – si forcë prodhuese për Kosovën dhe për bashkimin administrativ  të viseve  shqiptare që ishin në kuadër të republikave të tjera.

Kjo lëvizje kombëtare ishte dinamizuar në kushtet kur nga njëra anë kishte akumuluar, veç përvojës së vet, edhe të gjitha efektet e rëndësishme të ekzistencës dhe përkrahjes së Shqipërisë që po jepte në fushën e arsimit kulturës dhe shkencës, edhe për një fakt tjetër si një kundërveprim të një elaborati që ishte përgatitur në vitin 1976, i njohur si “Libri i Kaltër”, që kishte për qëllim heqjen e autonomisë së Kosovës të vitit 1974.

Krahas kësaj së përgjithshmes, ka pasur teza nga më të ndryshmet siç është dhe ajo se përse nuk u kërkua bashkimi kombëtar më me këmbëngulësi në kuadër të demonstratave të vitit 1981, ndonëse organizatat e fshehta me karakter çlirimtar e kishin këtë objektiv në programet e tyre politike.

Lëvizja kombëtare e veçanërisht OMLK-ja ishin konsekuente, jo vetëm për llogari të tyre, por ishin dhe njohës të mirë të kohës e të konfiguracionit gjeopolitik, të cilat ndërlikonin çështjen më shumë nga sa ajo do të zhvillohej. Gjërat nganjëherë nuk zhvillohen në praktikë ashtu siç mendohen teorikisht. Në këtë kohë kur ekuilibri gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendosur nga Fuqitë e Mëdha në Ballkan me formulën 2+2+2 , si dhe pas vendimeve të Traktatit të Helsinkit të vitit 1975,  të cilin Shqipëria nuk e kishte nënshkruar, të dilet dhe të insistohet me kërkesa të tilla për bashkim me Shqipërinë, gjithnjë në kontekst të kohës, do të thoshte t’i japësh lëvizjes një karakter shumë më të mprehtë dhe më të ndërlikuar politik; do të thotë të mos e bësh dot dallimin midis strategjisë dhe taktikës; do të thotë të djegësh etapat dhe të pretendosh fundin pa konsoliduar fillimin. Gjithnjë shikuar në kontekstin kohor, kjo do të thoshte të nxisësh para kohe vigjilencën e faktorit ndërkombëtar që e kishte tërhequr Lëvizja Kombëtare Shqiptare në mënyrë pozitive dhe ta kthesh kundër vetvetes duke bërë që të vërtetohen tezat e Jugosllavisë në raport me propagandën ndërkombëtare, përmes të cilave ajo (Jugosllavia) kishte për synim që së pari ta tërhiqte reagimin ndërkombëtar kundër Lëvizjes, dhe së dyti kundër Shqipërisë si të implikuar në këto demonstrata.

Kjo do të thoshte të dëmtosh Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e t’u bësh pa dashje një shërbim kundërshtarëve duke krijuar kushte, që jep një kontradiktë e parakohshme, e cila mund të ishte shfrytëzuar nga qëndrimet e shteteve që kishin qëndrim antidemonstratave të vitit 1981, në raport me opinionin e shteteve perëndimore, të cilat pak a shumë kishin simpati për këto ngjarje dhe mbajtën apriori qëndrim jo kundërshtues.

Mbi bazën e faktorëve subjektivë, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arritën deri në nivelin e kuptimit të saktë të këtij lëmshi gjeopolitik, sidomos në kohën që ata tanimë kishin vënë kontakte të komunikimit zyrtar me Republikën e Shqipërisë të asaj kohe.  Andaj, janë hedhur shumë teza të kësaj natyre jashtë kontekstit të kohës, duke dhënë gjykime nga më të çuditshmet, pa analizuar karakterin e demonstratave, efektet që kishin arritur dhe drejtimin që këto demonstrata u dhanë proceseve në të ardhmen.

Duke gjykuar në tërësi karakterin e zhvillimeve të kohës që po ndodhnin në Kosovë, kemi dy anë të medaljes: në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare predominonte atdhedashuria, vizioni për realizimin e të drejtave shqiptare në ish-Jugosllavi me synim realizimin e Republikës së Kosovës si fazë e parë e ndërmjetme, e më pastaj dhe rruga drejt bashkimit kombëtar.

Siç e thamë më sipër, demonstratat e viti 1981 ishin rezultat i një pune të gjatë të lëvizjes kombëtare, si rrjedhojë e shndërrimit të vetëdijes kombëtare masive, të një niveli gjithnjë e më të lartë, të gërshetuar dhe me elemente të forta të vetëdijes politike të shoqërisë, në lëvizje masive, e cila synonte me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme që dispononte në kundërvënie të regjimit jugosllav për padrejtësitë kombëtare, në radhë të parë, por dhe për padrejtësitë shoqërore, të realizonte aspiratat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve në ato vise. Në demonstratat e vitit 1981, u bart e njëjta frymë dhe filozofi çlirimtare, nga ato të lëvizjeve pararendëse atdhetare që e kanë treguar veten edhe më parë si p.sh. në vitin 1968, e cila ka ndikuar relativisht mirë në disa çështje, e sidomos në debatet e amandamentimit në Kushtetutën e viti 1974, duke e detyruar politikën jugosllave të bëjë ca lëshime në dobi të të drejtave të shqiptarëve, sidomos në rrugën e afrimit kombëtar dhe të lidhjeve të pjesshme me pjesën tjetër të kombit – Shqipërinë. Njëkohësisht, kjo lëvizje e kishte demaskuar deri në palcë hegjemonizmin serb mbi shqiptarët, e sidomos periudhën e Rankoviqit.

Të gjitha ato që sot, nga kjo pikëpamje, vlerësohen si suksese të popullit shqiptar në Jugosllavi, kanë në radhë të parë vulën e veprimit të aksioneve të kësaj lëvizjeje, në unitetin e saj që arriti ta bënte, në gjakun e derdhur të djemve dhe vajzave më të mirë të asaj kohe, në mobilizimin masiv që e bëri kjo lëvizje kombëtare për të përballuar të gjitha masat represive, burgjet nga më të rëndat, torturat nga më çnjerëzoret, akuzat dhe intrigat e paprecedentë të organeve të shtetit jugosllav, të përdorura nga makineria shtetërore e titizmit. Ajo që kishte ndodhur në thelb, kundrejt demonstruesve dhe drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare, ishte po ajo që kishte ndodhur edhe në të kaluarën, por tash vetëm me dimensione të reja që në mjaft drejtime qenë shumë më të fuqishme. Ky intensitet i lartë u shqua edhe sa i përket dënimit, agresivitetit, etiketimit. Regjimi jugosllav i trajtoi këto demonstrata më egërsisht se ato të vitit 1968. Gjuha dhe sjellja kundër shqiptarëve ishte identike, ndonëse intensiteti i aparatit shtetëror qe rritur.

Për shembull, në viti 1969, kundër demonstratave që ishin organizuar në vitin 1968, shkruhej dhe flitej nga drejtuesit e Federatës, Republikës dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës: “…armiqtë e socializmit kanë pasur sukses… me parullat demagogjike… armiqësore t’i nxjerrin në demonstrata disa qindra studentë dhe nxënës… Demonstratat kanë qenë armiqësore dhe shoviniste. Me anën e tyre janë bërë përpjekje që të prishet klima…dhe të krijohet atmosfera e ashpërsimit të konfliktit. Nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë përpiqen t’i paraqesin ato si një kërkesë e arsyeshme për të drejta më të mëdha të shqiptarëve në Kosovë, respektivisht në Jugosllavi, çka është rrena më e zezë. Se ato kanë pasur për qëllim të ndërpresin procesin e hovshëm të afirmimit të plotë të shqiptarëve… Por këtë proces askush nuk mund ta pengojë… Armiqtë e të gjitha ngjyrave gjithashtu përpiqen që demonstratave t’u japin dimensione më të mëdha dhe t’i paraqesin si të mbarë rinisë shqiptare dhe tërë inteligjencës shqiptare në Kosovë… Në shumë tubime e mbledhje… demonstratat e nëntorit në Kosovë u dënuan në mënyrë masive si armiqësore, nacionaliste, shoviniste… të dëmshme për interesat vitale të vet shqiptarëve dhe akt armiqësor kundër Jugosllavisë… e kundër vetë popullit shqiptar…”.

Ndërsa në vitin 1981, ndonëse u bënë nga e njëjta nomenklaturë e atëhershme, dënimet janë shumë më të larta dhe më masive, të bazuara në kualifikimin politik të demonstratave si kundërrevolucion.

Agjencia shtetërore “Tanjug” shkruante: “Të rinj, studentë dhe qytetarë të Prishtinës… dënuan sot ashpër demonstratat që u zhvilluan… në të dy rastet gjatë këtij muaji. Ata kërkuan të merren masa të rrepta dhe të efektshme kundër organizatorëve të këtyre veprimeve, që u vlerësuan si nacionaliste dhe armiqësore… se po bëhen gjithashtu përpjekje “për të intensifikuar veprimtarinë e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët kanë si qëllim të përdorin polemikat shoqërore dhe ekonomike për veprimtari në një front më të gjerë në vend, gjithashtu edhe në Prishtinë… Demonstratat e ditës së enjte  u vlerësuan si armiqësore, të organizuara dhe të nxitura nga forcat armike, që kanë për qëllim të destabilizojnë gjendjen dhe të prishin unitetin e Jugosllavisë. Natyra armiqësore e demonstrative u pasqyrua jo vetëm në faktin se ato janë një mënyrë jo vetadministruese e trajtimit të problemeve, por edhe në sloganet armiqësore kundër sistemit jugosllav dhe unitetit, që nxjerr në pah objektivat e vërteta të atyre forcave që organizuan demonstratat apo të atyre që qëndrojnë prapa tyre… organizatorët e demonstratave u përpoqën pa sukses të çorientonin një numër studentësh, duke përdorur parulla demagogjike shoqërore dhe nacionaliste, si dhe mjete të tjera të paskrupullta… Përpjekjet për të tërhequr një numër të madh studentësh dështuan… kemi hedhur e do të hedhim poshtë çdo formë antivetadministruese, presioni politik për të trajtuar problemet dhe çdo spekulim e demagogji nacionaliste dhe armiqësore… duhet forcimi i mëtejshëm i vëllazërim-bashkimit dhe për një luftë kundër çdo nacionalizmi shqiptar… dhe kundër çdo lloj tendence armiqësore”.

Nga këto dy citate, del në pah ajo që mund të thuhet se e sotmja përsërit të dikurshmen, por në formë dhe përmasë më tragjike. Megjithatë, si në vitin 1968 edhe demonstratat e vitit 1981 u cilësuan të nxitura me parulla demagogjike, u cilësuan armiqësore dhe kundërrevolucionare, të cilat kinse kishin për synim të prishnin stabilitetin e Jugosllavisë, sepse iu kundërvunë sistemit të bashkim-vëllazërimit, se ishin vepër e nacionalistëve, se ishin të organizuara dhe se pas organizatorëve qëndron dikush tjetër, etj. etj. Me të njëjtin avaz bëhet përpjekja për t’i paraqitur të zvogëluara dimensionet e tyre dhe për t’i shkëputur nga masat e gjera popullore.

Drejtuesit komunistë jugosllavë përmes marionetave të tyre të Lidhjes Komuniste të Kosovës, pas demonstratave mbajtën një qëndrim se kinse pikërisht atëherë kur ishte gati realizimi i republikës në rrugë legale, këto demonstrata e kthyen të gjithë procesin përmbys dhe se republika gati veç sa nuk ishte realizuar.

Kishte dhe nga ata studiues, politologë dhe analistë të atëhershëm, nga të cilët për fat të keq ka dhe sot pas dyzet vjetësh, të cilët vazhdojnë të botojnë artikuj e analiza politike dhe mendojnë se demonstratat u organizuan herët, se e prishën rehatinë, se e ngacmuan shovinizmin e fjetur serb dhe jo vetëm pamundësuan republikën, por çuan edhe në humbjen e autonomisë.

Kundër kësaj teze demagogjike, një qëndrim shumë racional dhe argumentues ka trajtuar njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – Mehmet Hajrizi. Ai shkruan: “E vërteta është që Serbia kishte projekte të përgatitura nga qarqe të larta shkencore dhe politike, siç ishte “Libri i Kaltër” i vitit 1976 (77), për të shuar Autonominë e Kosovës dhe për të përjetësuar sundimin mbi shqiptarët. Veprimet serbe nuk ishin përgjigje ndaj demonstratave, por ndaj planeve të hartuara me kohë”.

Sa i përket realizimit të republikës duke pirë kafe nëpër tavolina, sjellim dëshminë e ish-shefit të Lidhjes Komuniste të Kosovës së atëhershme, Mahmut Bakallit, shumë mirë të informuar, i cili ka thënë: “Pra, me sa di unë asnjëherë nuk është hapur në asnjë organ politik çështja e Republikës së Kosovës”.

Teza të tilla nga nomenklatura komuniste e Kosovës janë hedhur dhe në fundin e viteve ‘60-të, se republika ishte premtuar gjatë Plenumit të Brioneve dhe amendamentet kushtetuese, por demonstratat e vitit 1968, kinse e “përmbysën” republikën.

Lidhur me këtë Mehmet Hajrizi argumenton: “Ngjarjet e vitit 1981 e pamundësuan zbatimin e planit serb, i cili u shty deri në vitin 1989, kur ishte tepër vonë për t’u përjetësuar në tërësi… Përrallat për përçarjen e popullit e luftën civile, për rehatinë e robit e ngacmimin e luanit, nuk meritojnë vëmendje, por duhet thënë që demonstratat ishin vonuar nja 12-13 vjet, sepse duhej të vazhdonin ato të vitit 1968, deri në realizimin e statusit të republikës, më së voni më 1974, kur u bënë ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi”.

Propaganda jugosllave në mënyrë sistematike, qoftë në vitin 1968/69, qoftë në vitin 1981, kishte për synim që të damkoste Lëvizjen Kombëtare të Kosovës si lëvizje armiqësore dhe prandaj kërkonte të gjente diku pas tyre veprimin e tjetërkujt, me ç’rast akuzonte Shqipërinë,  por duke mos përjashtuar dhe fuqitë perëndimore dhe ato lindore që gjoja duan ta prishin “oazën e paqes”, siç pretendohej se ishte Jugosllavia.

Edhe në vitin 1968, siç e theksuam më lart, demonstratat e Kosovës dhe ato në viset shqiptare u vlerësuan dhe u trajtuan nga drejtuesit e Krahinës së atëhershme si armiqësore. Mjaft prej pjesëmarrëseve dhe organizatorëve të atyre demonstrate u burgosën dhe kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981, shumica prej atyre veprimtarëve vazhdonin të vuanin nëpër burgje të rënda serbo-jugosllave. 

Për sa i përket qëndrimit të Tiranës zyrtare, ashtu si në raport me demonstratat e vitit 1968 edhe me këto të vitit 1981, ka pasur një qëndrim jashtëzakonisht të dinjitetshëm. Ajo shtronte pyetjen dërmuese: “Pse udhëheqja e Federatës nuk i studion në rrugë të drejtë kërkesat për republikë brenda kuadrit të Federatës… por nxitohen t’i quajnë “armiqësore e kundërrevolucionare, që prishin stabilitetin, që shkatërrojnë Jugosllavinë”? … a nuk i kanë shqiptarët e Kosovës të gjitha tiparet e karakteristikat që përbëjnë një komb, a nuk rrojnë ata në një territor kompakt, a u mungojnë atyre gjuha, kultura dhe konstitucioni shpirtëror i përbashkët, a nuk janë ata të aftë për t’u vetëqeverisur, por u nevojitet tutela e dikujt…”.

Tirana zyrtare qëndrim të njëjtë konsistent kishte mbajtur edhe për demonstratat e vitit 1968. Në artikullin e “Zërit të popullit”, shkruhej: “…të jenë më realistë, të studiojnë më thellë historinë e lavdishme të popullit shqiptar të Kosovës, i cili kurrë nuk është përkulur para shtypjes, sado e egër dhe pamëshirshme të ketë qenë ajo. Në rast se e bëjnë këtë, do të dalë e qartë para tyre se çdo masë shtypëse e diskriminuese dhe çdo persekutim që mund të ndërmarrin ndaj popullit kosovar, do t’iu sjellë vetë, disfata të reja, të njëpasnjëshme e gjithnjë më të mëdha”.

Sigurisht që ishte e pritur që organet shtetërore federative, republikane dhe ato krahinore, nga ajo që mbanin qëndrim, që demonstratat do të mbyteshin në gjak, por nga ana tjetër ishte e sigurtë që kjo ishte një fitore historike e Lëvizjes Kombëtare, sepse u vulos procesi i një rezistence në vazhdimësi. Me të drejtë, veprimtari i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti qe shprehur se “viti 1981 e ndryshoi historinë”. Zjarri i rezistencës së vitit 1981, jo vetëm nuk u shua më, por erdhi duke u rritur nga viti në vit, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, në vitin 1999.

Një nga fitoret e mëdha nga demonstratat e vitit 1981, përveç tjerash, ka të bëjë dhe me lidhjen e hallkave në mes të gjeneratave. Ishin djemtë dhe vajzat e veprimtarëve dhe familjeve të të persekutuarve që nga pas Lufta e Dytë Botërore dhe të burgosurve politikë të vitit 1968, që organizuan këto demonstrata të vitit 1981; u bënë djemtë e vajzat e të burgosurve politikë të vitit 1981, që organizuan luftën çlirimtare që u kurorëzua me Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Është kjo pra një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kundrejt të gjithë aparaturës shtetërore të Federatës jugosllave, qoftë të nivelit federativ apo republikan ose krahinor, të cilët nuk ishin të pavetëdijshëm se çfarë do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Kjo ishte arsyeja se përse u trembën nga ky proces, nga lëvizja masive e shqiptarëve, e veçanërisht nga organizatat e fshehta me karakter çlirimtar që drejtonin këtë revoltë.

Politika demagogjike e LKJ-së për ta qetësuar masën

Presioni politik, shumë i fortë, i ushtruar nga masa e demonstruesve, që në fakt kishte organizim dhe orientim politik prapa vetes, siç ishin organizatat e fshehta me karakter çlirimtar, e veçanërisht OMLK-ja, ishte e saktë që kishte tronditur themelet e regjimit jugosllav, dhe e detyroi këtë të fundit t’i bëjë më mirë llogaritë, që krahas dhunës që po ushtronte, të kalkulonte dhe elementin e demagogjisë dhe mashtrimit, kinse të bëjë disa lëshime në dobi të të drejtave të shqiptarëve, e veçanërisht në përmirësimin e kushteve të studentëve.

Sigurisht, dilemat e regjimit jugosllav ishin shumë të ndërlikuara. Aftësia e tyre, për të kombinuar dhunën me demagogjinë u gjykua nga ata se do të ishte përcaktuese e rezultatit të kësaj ndeshjeje me shqiptarët. Por në këtë kohë, vrulli i demonstratave, i grevave ishte në kulmin e saj. Deri në këtë kohë dhuna që ishte përdorur ndaj veprimtarëve të organizuar dhe demonstruesve ishte e paimagjinueshme. Në kuadër të këtyre demonstratave ishin të përfshira gjithë shtresat shoqërore, përveç nomenklaturës zyrtare. Fryma e revoltës masive ishte gjithnjë e në rritje dhe në këtë mes regjimi pothuajse ishte i detyruar që krahas dhunës të gjente një strategji dalëse se si të vijë deri tek ulja e tensionit dhe shuarja e revoltës. Prandaj, organet e të gjitha niveleve të ish-Jugosllavisë, artikuluan një strategji për të futur në veprim demagogjinë, duke i përdorur aparatçikët e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, me qëllimin që kinse ishin të gatshëm të uleshin dhe të diskutonin me demonstruesit lidhur me kërkesat e tyre.

Por, cilat ishin kërkesat e studentëve, kërkesa që ishin jashtëzakonisht mirë të artikuluara prej kohësh dhe shpërndarë përmes trakteve e shtypit të fshehtë? Sa ishin të gatshëm që nomenklatura e LKJ t’i pranonte ato kërkesa, duke e ditur që nuk ishin naivë, meqë kërkesat e tilla kishin të bënin në thelb me ndryshimet kushtetuese të Jugosllavisë?

Përmes këtyre lojnave taktike, nomenklatura e regjimit sikur bëri tentativë për rregullimin e kushteve të jetesës së studentëve. Me këtë ata dëshironin që të joshnin studentët, punëtorët, nxënësit se po pranojnë një kompromis. Pra, me këtë strategji, synohej të krijonin disi njëlloj përçarje në mesin e demonstruesve, që t’ia humbin influencën e Lëvizjes Kombëtare të organizuar.

Kërkesat për kushte më të mira për studentët, në fakt ishin një justifikim i nisjes së demonstratës, sepse, veç kushteve më të mira për jetesën e studentëve në thelb ishte kërkesa për shpalljen e Kosovës Republikë, ishte kërkesa për të bashkuar viset shqiptare nën Jugosllavi në kuadër të Republikës së Kosovës si një njësi e vetme dhe unike, si program politik i vet Lëvizjes Kombëtare. Siç e potencon dhe njëri nga drejtuesit e kësaj Lëvizjeje Kombëtare, Hydajet Hyseni: “Kur mbushet kupa edhe derdhet. Edhe përmbyset… përmbysja e pjatës është akt simbolik që më shumë se me pjatën e zbrazur dhe ushqimin e munguar ka të bëjë me gotën e stërmbushur të pakënaqësisë dhe mllefit të grumbulluar”.

Edhe Mehmet Hajrizi e vë në pah këtë gjë se demonstratat nuk ishin saktësisht për kushte më të mira të studentëve, as thjesht vetëm për çështje ekonomike, dhe si të tilla as që mund të ishin spontane, por për shpërthim e tyre ishte punuar me dekada. Ai shkruan: “Shpeshherë, jo vetëm në shtypin e huaj, por edhe brenda në Kosovë, shkaqet e demonstratave janë reduktuar ose shtrembëruar, me apo pa dashje. Mund të jetë që shkak i përmbysjes së një pjate në Mensën e Studentëve në Prishtinë, më 11 mars 1981, të ketë qenë një kacabu në gjellë, por jo edhe shkaku i vërtetë i demonstratës atë mbrëmje. Kushtet e rënda të studimeve në Kosovë, kundër të të cilave studentët kishin protestuar edhe më herët, por edhe gjendja ekonomike e sociale, përbënin kryesisht motivet e revoltës më 11 mars 1981. Demonstratat vijuese, krahas kërkesave ekonomike e shoqërore, morën përmbajtje dhe karakter politik e kombëtar, sepse shkaku kryesor i tyre ishte robëria nën të cilën ndodhej populli shqiptar”.

Pra, në këtë rrafsh, organizatat e fshehta, prej kohësh kishin përgatitur një masë kritike brenda shoqërisë përmes shtypit dhe trakteve dhe thyerja e pjatës ishte vetëm akti simbolik i mosbindjes që në të vërtetë është dhe fillimi i lirisë dhe i zhvillimit të arsyes së tij, siç e thotë dhe Erik From.

Teza për bashkimin kombëtar e shpalosur herë pas herë në këtë kohë

Më lart kam shkruar se përse nuk u kërkua me këmbëngulje në demonstratat e viti 1981, kërkesa për bashkimin kombëtar. Tani do të trajtoj se përse herë pas here, qoftë në demonstrata qoftë përmes trakteve (afisheve), organizatat kanë dalë me kërkesa më të avancuara siç ishte ajo e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe shkëputje nga Federata e Jugosllavisë.

Sigurisht që qëndrimin lidhur me bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë e kam sqaruar më sipër, por çdo lexues mund të pyes se përse në programet politike dhe herë pas here edhe në shpërndarjen e trakteve të OMLK-së, kërkesa e tillë është promovuar si tezë dhe si qëndrim?

Nga shumë dokumente që kam studiuar, nga intervista me protagonistët e kohës e veçanërisht nga drejtuesit e organizatave të fshehta me karakter çlirimtar kam ardhur në këtë përfundim: kjo kërkesë, përveç që ishte program politik  afatgjatë, është shpalosur herë pas here në mënyrë taktike, herë si kërcënim kundrejt organeve të Federatës jugosllave, por dhe herë si mesazh në perspektivë, si një zë i popullit që iu kujtonte Federatës jugosllave të vërtetën kundër sloganit që e kishte plasur Jugosllavia se gjoja populli shqiptar nën Jugosllavi e ka lidhur fatin e vet me Jugosllavinë.

Duhet të theksojmë që kundër shqiptarëve në Jugosllavi, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, është ushtruar dhunë sistematike për ndryshimin e identitetit kombëtar,  dhe jo rastësisht, njëra nga parullat që ishte shpalosur ishte pikërisht kjo: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, si dhe parulla tjetër, dykuptimëshe, por domethënëse: “Bashkim, bashkim”.

Kjo taktikë ishte e menduar mirë nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare që herë pas here në publik e nxirrnin këtë pikëpamje si projekt afatgjatë, gjë që ishte fare e qartë që Jugosllavia nuk e kishte të lehtë as ta imagjinonte realizimin e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e jo më që t’i realizonte ato, aq më tepër që Lëvizja godiste bash aty ku nuk kishte kompromise, në zemër të Kushtetutës së Jugosllavisë. Kjo goditje nuk ishte e paparamenduar, sepse ishte në rezonancë me programin dhe platformën që ishte bartur brez pas brezi që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Tentativa për joshje të ish-drejtuesve të Lidhjes Komuniste të Kosovës, natyrisht me direktiva të KQ të LKJ, se kinse do të merren në shqyrtim kërkesat e demonstruesve, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare as që pritnin që kjo çështje të shtrohej në diskutim në forumet e komunizmit jugosllav. Ata e dinin saktësisht se kjo taktikë e aparatçikëve të Komitetit Krahinor kishte për synim dy çështje: të përçanin studentët nga njëra anë dhe të identifikonin drejtuesit e demonstratave.

Për më tej, këto demonstrata si të tilla, në mënyrë të menjëhershme i kanë pas dhënë një goditje të rëndë Jugosllavisë edhe për një fakt tjetër, sepse, bash në këtë periudhë ishte koha e regjistrimit të popullsisë, gjë që patën ndikim të jashtëzakonshëm që shqiptarët të vetëdijesohen kundrejt strategjisë së UDB-së, që synonte transformimin e identitetit të shqiptarëve në nacionalitete të tjera, herë si turq, e herë si torbeshë por dhe si jugosllavë.  Kjo ishte me rëndësi thelbësore sidomos për shqiptarët e viseve shqiptare në Maqedoni, të cilët i ishin ekspozuar një fushate të egër prej kohësh, qoftë në fushën e arsimit, gjuhës dhe identitetit në tërësi, me synim për të përmbysur raportin demografik në raport me nacionalitetet e tjera, e me theks të veçantë të sllavo-maqedonasve.

Maqedonasit siç duket nuk kishin nxjerrë plotësisht mësimet e duhura nga demonstratat e vitit 1968. Qëndrimi që mbajtën zyrtarët maqedonas kundër demonstratave të vitit 1981 paralajmëronte seriozisht edhe Republikën e Maqedonisë se do të çonte në ndeshje të reja edhe në këtë vend – siç edhe ndodhi më vonë gjatë proceseve që rrodhën gjatë viteve 1989-2001.

Pra, në tërësinë e tyre, demonstratat e vitit 1981, patën efekt perspektiv. Ato e avancuan një shkallë më lart organizimin kombëtar të shqiptarëve në kuptimin se tani e tutje Lëvizja Kombëtare ishte e përcaktuar në një rrugëtim më të gjatë dhe më të vendosur, por njëkohësisht i dhanë dhe një goditje të fortë të gjithë nomenklaturës së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

Po ashtu këto demonstrata demaskuan regjimin jugosllav edhe para botës demokratike duke treguar se këtu ka një popull që aspiratat dhe të drejtat e të cilit ishin të mohuara dhe nuk mund të mbuloheshin me demagogji, as të mposhteshin me dhunë. Shqiptarët dëshmuan se për të drejtat e tyre janë gati të luftojnë me heroizëm dhe sakrifica masive.

Këto demonstrata gjithashtu dëshmuan edhe njëherë, ashtu si në vitin 1968, të vërtetën se Jugosllavia si tërësi dhe Serbia në veçanti, Kosovën e trajtonin si koloni të shtypur dhe të denigruar në të gjitha sferat, dhe se kjo gjendje e tillë nuk mund të zgjaste pafundësisht. Prandaj dhe këto demonstrata mund të merren si fillimi i fundit të Jugosllavisë.

Natyrisht që Kosovës në vitin 1974 iu njoh autonomia në kudër të Federatës jugosllave, një autonomi që de jure mund të avancohej për aq sa ekzistonte mundësia e suprimimit të saj, që de fakto udhëheqjen e K.K. të Kosovës e shndërroi tërësisht në varësi të Jugosllavisë, gjë që nuk pritej ndonjë avancim të statusit të Kosovës në Republikë. Udhëheqja e Kosovës siç e thekson dhe studiuesi dhe veprimtari, Jakup Krasniqi: “… duke qenë shërbëtore e bindur dhe tepër e dëgjueshme ndaj gardës udhëheqëse serbo-sllave, duke mos qenë e zonja t’i bashkërendonte veprimet në të mirë të pavarësisë me grupet e organizuara ilegale, duke mos pasur guxim dhe vendosmëri, ajo kurrë s’do të mund ta avanconte statusin e Kosovës nga autonomia në republikë”.

Kjo ishte arsyeja që Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sidomos OMLK-në, e cila tani më ishte shtrirë në shumë drejtime, qoftë në ambientet e Universitetit të Prishtinës, veçanërisht brenda studentëve, në ndërmarrjet e punëtorëve, në familjet e mëdha me të kaluar atdhetare, si dhe në shumë dikastere të tjera,  këto “avancime” nuk e magjepsën. Arsyeja ishte sepse Kushtetuta e vitit 1974 nuk zgjidhte çështjen politike të shqiptarëve në Jugosllavi.

Viti 1981 ishte në kërkim të mundësive të reja për t’i thelluar të drejtat e shqiptarëve, nga Autonomia në Republikën e Kosovës. Nëse bëjmë një analizë të ndryshimeve kushtetuese qoftë të viti 1974, qoftë kushtetutave jugosllave të mëhershme, vërtetojmë tezën se në praktikë shumë parime të këtyre kushtetutave nuk janë realizuar. Shfrytëzimin e gjithë të drejtave kushtetuese, drejtuesit zyrtarë shqiptarë nuk e bënë, por pa mbështetjen e tyre, pa dashjen e tyre dhe kundër tyre, Lëvizja Kombëtare Shqiptare i artikuloi dhe nëpërmjet të revoltës së hapur të qytetarëve, i riaktualizoi të drejtat e shqiptarëve në atë kohë, si të drejta legjitime dhe kundër një sistemi totalitar, siç ishte Jugosllavia.

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura