DËSHMORI I KOMBIT ASTRIT SULI NË PRIZMIN E DËSHMIVE ARKIVORE (VIDEO)

Në 23 vjetorin e Operacionit “Shigjeta”, në Pashtrik

DËSHMORI I KOMBIT ASTRIT SULI NË PRIZMIN E DËSHMIVE ARKIVORE (VIDEO)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 27 Maj 2022

“Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”. Ciceroni (Mark Tul Cicero, 106 p.e.s – 43 p.e.s) historian dhe filozof i Romës antike

***

Astrit Hekuran Suli, u lind më 13.04.1976 në fshatin Luzaj, Komuna Lumas në Qarkun e Beratit.

Prindërit e tij lindën dhe i rritën tetë fëmijë, gjashtë djemë e dy vajza. Astriti Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje, ndërsa më vonë aftësohet në ndërtimtari dhe merr diplomën teknik i ndërtimtarisë.

Për ta ndihmuar familjen shumanëtarëshe, ashtu si shumë të rinj nga Shqipëria, edhe Astriti shkon në Greqi për të punuar. Punonte në qytetin e Spartës.

Astriti punonte në Greqi, në kohën kur kishte filluar lufta në Kosovë dhe forcat ushtriake – policia serbe po kryenin krime me përmasa të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndërsa në pranverën e vitit 1999 u dëbuan me dhunë edhe nga vatrat e tyre shekullore.

Në një bisedë televizive prindërit e Astritit tregojnë se si një natë kur ndodhej në një lokal të qytetet, (në mesin e disa grekëve), televizioni po transmetonte pamje të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Dhe me këtë rast disa grekë kishin qeshur me cinizëm, ndërsa Astriti ka reaguar ashpër duke u përleshur edhe fizikisht me ta…

Në këtë situatë pa humbur kohë ai largohet nga Greqia dhe kthehet në Shqipëri për tu bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

***

Sipas regjistrit të vullnetarëve (ushtarëve) të evidentuar në Qendrën e rekrutimit të UÇK-së (te Uzina) në Kukës, Astrit Suli në këtë qendër rekrutimi është evidentuar më 22 Prill 1999.

Në regjistrin e ushtarëve, datë 22.04.1999 në numrin 4 të listës shkruan: “Astrit Hekuran Suli, i lindur më 13 Prill 1976, Berat…”

(Burimi: Arkivi i Operacionit”Shigjeta”, Pashtrik, Prill 1999)

***

Po atë ditë, më 22 prill 1999 Astrit Suli me rastin e rekrutimit në radhët e UÇK-së, në Kukës  ka bërë edhe një deklaratë me shkrim.

Deklarata e Astrit Sulit e shkruar, më 22 prill 1999 në QR në Kukës

D E K L A R A T Ë

22. 04. ’99

Quhem Astrit Suli, dhe kam ardhur në Kukës me vullnet e dëshirë, të marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës.

Nënshkrimi i Astrit Sulit

(Burimi: Arkivi i Operacionit “Shigjeta”, Pashtrik, Prill 1999)

***

Astrit Suli në Qendrën e Rekrutimit në Kukës plotëson edhe një FORMULAR REKRUTIMI.

Në këtë formular ai me dorën e tij i evidenton  të gjitha të dhënat personale, si vijon:

Astrit Hekuran Suli, i lindur më 13 Prill 1976; Vendbanimi: Luzaj – Berat;

Gjendja familjare: Beqar;

Adresa e banimit: Spart, nr.tel.0731,77277; Numri i postës: 24100;

Qyteti: Spart;

Shteti: Greqi;

Tel.dhe personi kontaktues jashtë: 00355 6232, 644, Misir, Zëri;

Qyteti në Kosovë (Shqipëri): Berat;

Profesioni: Teknik Ndërtimi;

Njohuritë ushtarake: Nuk kam ushtri të kryer, jo;

Dokumentet personale: Nr.Ps. 1349352

(Burimi: Arkivi i Operacionit “Shigjeta”, Pashtrik, Prill 1999)

***

Në mbremjen e 22 prillit 1999 Astrit Suli së bashku me bashkëluftëtarët e tij nga Kukësi transferohet në Qendrën Stërvitore (QS) të Burrelit.

Në Burrel nga data 23 prill deri më 20 maj 1999 stërvitjet psiko – fizike dhe taktiko – ushtarake i kryen në Batalionin e Tretë (3) me K-dant Fazli Berisha.

***

Gjatë ditëve stërvitore në Burrel ai i dërgon një letër xhaxhait të tij, Misir Sulit.

Ai në letër shkruan:

“… Ndodhem në Burrel. Iu bëj shumë të fala të gjithëve. Jam bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo më bën krenar, më bën të lumtur dhe më jep shpresë për jetë. Nga çasti në çast pres urdhrin për t‘u futur në luftën e shenjtë për çlirimin e trojeve shqiptare. Besoj, xha Misir, se kjo të gëzon edhe ty dhe çdo shqiptar të ndershëm. Babi dhe mami! Ju vëllezër dhe motra, iu uroj të jeni mirë dhe me më pak halle. Unë jam mirë, veç ndiej dhembje për ju dhe atdheun, për popullin shqiptar në tërësi, të cilit jam i gatshëm t’ia kushtoj jetën time. Ju e dini se kjo është jeta ime: Kosova e lirë dhe Shqipëria etnike. Ju uroj edhe një herë të jeni mirë dhe të gjithë u takofshim në Kodovën e lirë.” (Burimi: Arkivi i familjes Suli, Prill 1999)

***

Betimi i Astrit Sulit në Burrel

Më 14 Maj 1999 në QS të Burrelit organizohet ceremonia e Betimit ushtarak.

Pas betimit Astrit Suli i bën thirrje shqiptarëve për t’u bashkuar në radhët e UÇK-së.

THIRRJA E ASTRIT SULIT PËR T’IU BASHKUAR RADHËVE TË UÇK-së (Video)

“Quhem Astrit Suli, i lindur në fshatin Luzaj, rrethi Berat, Shqipëri. Marrë pjesë në UÇK si çdo shqiptar i ndershëm. Përshëndes gjithë popullin shqiptar. I bëj thirrje gjithë shqiptarëve që në këtë moment duhet të kontribuojmë të gjithë, sepse është koha…se kjo i përket gjithë Kombit Shqiptar. Është çështja më e lartë për të gjithë njerëzit. Prandaj duhet të marrin pjesë të gjithë në UÇK. Dhe të kenë besim i gjithë populli se UÇK është ushtri e vendosur dhe do ta sjellë sa më shpejt lirinë e popullit tuaj.

Burrel, 14 Maj 1999″

Bardhi Shigjeta: Astrit Suli, ju bënte thirrje shqiptarëve t’i bashkohen radhëve të UÇK’së, maj 1999 / Klikoni këtu 👇👇👇

(Burimi: Arkivi i Operacionit “Shigjeta”, Pashtrik, Maj 1999, inçizimin e bëri Bardhi Shigjeta).

***

Pas kryerjes së stërvitjeve psiko-fizike e taktiko – ushtarake, më 20/21 maj 1999, me urdhër të Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, të gjitha njësitë (aty ishte edhe Astrit Suli) udhëtojnë në drejtim të zonës së Pashtrikut.

Për 2 – 3 ditë rresht qëndrojnë në Qendrën Stërvitore të Helshanit dhe në natën e 24/25 majit nga Helshani me makina ushtarake transferohen në Krumë, ndërsa nga Kruma në këmbë marshojnë për në Cahan. Në mbrëmje nga Cahani marshojnë dhe dislokohen afër fshatit Kishaj, midis Kullës së Vrojtimit dhe Objektit Ushtarak (te antena) rrëzë Pashtrikut në drejtim të Vijës sulmuese në Gorozhup.

Sipas planit operativ të shkoqitur më 23 maj 1999 nga shtabi i Operacionit “Shigjeta” në Kukës – Cahan (bazuar në Planin ideor të SHP të UÇK-së, të përpiluar në malet e Jezercit, në prill 1999), Forca për Veprime të Veçanta TF-2, me K-dant Fazli Berisha, (ku bënte pjesë Astrit Suli), u dislokua në Drejtimin Taktik nr.3 (DT-3), Gorozhup…, Ndërkaq e gjithë vija luftuese e Operacionit “Shigjeta”, nga Buzë Drini i Bardhë e deri te Lugu i Zi në drejtim të Qafë Prushit,  ishte e definuar në tri (3) DT.

***

Në cilën njësi të UÇK-së ka luftuar Astrit Suli në Gorozhup, më 26 / 27 maj 1999?

– Sipas dosjes arkivore të Shtabit të TF-2, Astrit Hekuran Suli, në vijën sulmuese të DT-3 Gorozhup… ka luftuar në Forcën për Veprime të Veçanta, TF-2, me K-dant Fazli Berisha.

Ai ishte komandant i Skuadrës III të këmbësorisë (me armën numër 14213108);

– të Togut të parë (I), me K-dant Arbër Mehmet Shabanaj, nga Gjakova, (i cili më 27/28 maj 1999 padi kërkon ndihmë mjekësore, në vend të tij komandant i Togut emërohet Shemsi Topalli);

– të Kompanisë së dytë (II), me komandant Isa Ademin nga Kumanova. Më 27/28 maj, kur Isa Ademi largohet nga vija luftuese, K-dant i Kompanisë së dytë (II) emrohet Agim Meha.

Ku ka rënë dëshmor Astrit Suli?

Astrit H.Suli ka rënë dëshmor në orët e mbrëmjes të datës 27 maj 1999, (në ditën e dytë të luftimeve për përballë Karaullës serbe në Gorozhup – afër lagjes Martinaj), 100 – 150 metra në anën e majtë të karaullës dhe mbi 300 metra përballë vendit ku është ndërtuar sot Kompleksi Memoriali i dëshmorëve.

***

Dëshmi e Selami Ramiqi në vendrënjen e Astrit Sulit në Gorozhup. Selami Ramiqi flet për dëshmorin Astrit Suli, Gorozhup, 27 maj 1999 (1)

Kliko këtu 👇👇👇 

***

Shemsi Topalli flet për Astrit Sulin që ra dëshmor më 27 maj 1999 në vijën luftuese të Gorozhupit!

Kliko këtu 👇👇👇 

***

Në raportin arkivor të Shtabit të Forcës për Veprime të Veçanta, TF-2, DT-3, Gorozhup … me rastin e rënies së Astrit Sulit në orët e natës të datës 27 Maj 1999 thuhet:

“Astrit Hekuran Suli, i lindur më 13. 04. 1976 në Berat – Shqipëri

Astriti ra në luftë ballë për ballë me çetnikët më 27 Maj 1999. Astriti ishte nga Shqipëria me çka luftën tonë e bën edhe ma madhështore ma gjithshqiptare. Dhe ai vetë zen vendin ma të merituar në altarin e lirisë së Kosovës. I takonte Togut të – I – (parë) të Kompanisë së – II – (dytë).

(Burimi: Arkivi i komandës së TF-2, Gorozhup – Maj 1999)

***

Në këtë fushëbetejë së bashku me Astritin kanë rënë dëshmorë:

– Aliriza Selman Selmani, (1973 – 1999) nga Tetova dhe 

– Salih Halim Zenuni (1979 – 1999) nga Vitia.

VARRIMI I DËSHMORËVE NË KOHË LUFTE…!

Për shkak të luftimeve të vazhdueshme në vijat e frontit në Gorozhup, Zv.K-danti i Kompanisë së Dytë, Bafti Haxhiu i cili bjen dëshmor në orët e vona të pasdites së 26 majit 1999, dhe tre dëshmorët tjerë, Astrit Suli, Aliriza Selmani dhe Sali Zenuni, që ranë dëshmorë në orët e vona të natës së 27 majit 1999, ‘varrosen’ përkohësisht afër vendit ku kishin rënë. Pas luftës ka pasur spekulime të ndryshme me qëllime të këqija se, gjoja kufoma e dëshmorit të kombit, Astrit H.Suli ka rënë në duar të forcave serbe, dhe se trupi i tij i varur për litar është shetitur me helikopter në zonën e Gorozhupit etj.etj!

Sipas dëshmive të bashkluftëtarëve të TF-2-shit, kufomat e Astrit Sulit, Aliriza Selmanit dhe Sali Zenunit, për të mos rënë në duar të forcave serbe, në orët e vona të natës 27/28 maj 1999 tërhiqen me shumë mund e sakrificë nga vendi i rënjes dhe mbulohen përkohësisht në prapavijën e frontit. Ndërsa më 9 qershor 1999 kur bjen intenziteti i luftimeve, me urdhër të Shtabit të TF-2, një tog e kësaj njësie e bënë varrimin e katër dëshmorëve, në pjesën malore të Gorozhupit.

Dëshmi nga ditari i luftës

Bashkluftëtari i dëshmorëve të rënë më 26/27 Maj 1999 në fushëbetejat e Gorozhupit,  Fahri Nazifi në Ditarin e tij të luftës, të dates 9 qershor 1999, shkruan:

„09 qershor 1999

Sot me organizim të komandantit Ahmet Zeqiri, ku ndiem obligim që shokët e rënë me 27 maj 1999 të shkonim e t´i varrosnim në tokën e Kosovës aq sa e kishim çliruar. Shkuam me një grup shumë të përzgjedhur, vullnetarë, të cilët ishin:

Ahmet Shaban Zeqiri – Podujevë

Afrim Rexhep Musliu – Podujevë

Zylfi Xheladin Xheladini – Rahovec

Bislim Imer Hajzeri

Fatmir Behram Gubetini – Vushtri

Ramadan Xhevat Mehmeti – Preshevë

Zaim Nasuf Gjinovci – Makërrmal

Arben Shaban Shabani – Prishtinë

Nebih Kajtaz Kiçmari – Podujevë

Agim Muharrem Meha – Ferizaj

Zymer Emin Xhemshiti – Viti

Berat Qamil Gllareva – Gllogovc

Bahri Ejup Hoxha – Gllogovc

Esat Ali Haziraj – Klinë

Valdet Haxhi Qorraj – Skenderaj

Sefer Sheqir Abazi – Tetovë

Adnan Limon Sinani – Lipjan

Shemsi Zijadin Mustafa – Preshevë

Mumin Ruzhdi Mehmeti – Tetovë

Imri Dalip Danushi – Lipjan

Arsim Ajet Emini – Peran Podujevë

Fexhri Halil Rrahmani – Podujevë

Fahri Hakif Nazifi – Sallabaj Podujevë

Pati dhe shumë të tjerë që dëshironin të vinin por nuk i morëm të tjerët. Posa mbërrimë me një kujdes shumë të madh e formuam një zonë pozicioni që i shihnin mirë forcat kriminele serbe dhe ta bënin sigurimin e marrjes se trupave dhe varrimin e tyre, veprimin e kordinuam dhe me artilerinë tonë në rast nevoje.

Shkuam zvarrë dhe morëm trupat e Astrit Sulit, Aliriza Selmanit dhe Sali Zenunit. Disa tjerë e hapën varrin dhe i varrosëm që të tre në një varr, ku mbi çdo trup vumë  një shishe qelqi, brenda ia shënuam emrin dhe mbiemrin e të rënit. Poashtu sot varrosëm edhe dëshmorin e rënë Bafti Haxhiu – Skifteraj, Viti, i rënë në kompaninë tjetër të po këtij TF2. U kthyem të mërzitur në pozicionet tona që bile së paku një fishek në shenj nderi të krisnim për heroizmin e tyre, por ishte pamundsia për një gjë të tillë. Por më së shumti ndiheshim të prekur që qëndruan mbi dhe deri më sot.“

(Burimi: Fahri Nazifi „Pashtriku, kufiri i larë meg jak (ditarë lufte)“, Prishtinë 2012, faqe 136 – 38)

Edhe në arkivin e Komandës së TF-2 ekziston lista e Togut të Kompanisë së Parë të TF-2, të cilën e ka shkruar në ditarin e luftës Fahri Nazifi.

Komandant i Togut që ka udhëheq operacionin e varrimit të katër dëshmorëve, më 9 qershor 1999 ishte Ahmet Shaban Zeqiraj.

Në krye të dokumentit arkivor, shkruan:

„Komandanti i Togut, i Kompanisë 1 – TF2, 9-06-1999”

Lista e emrave me ushtarët e Togut nis me emrin e K-dantit Ahmet Shaban Zeqiraj, I lindur më 10.10.1959 në fshatin Sllatinë të Podujevës, dhe përfundon me emrin e Imri Dalip Danushit, i lindur më 16.11.1976 në fshatin Resinos të Lipjanit.  

Përfundi listës së emrave shkruan si vijon:

“Këta luftëtarë të Kompanisë 1. TF2 bamë tërheqjen e kufomave të luftëtarëve të lirisë që ranë heroikisht në Betejën e datës 27. 05. 1999 në vendin e quajtur Gorozhup.

Këta janë dëshmorët:

1. Alirizah Selman Selmani 15-1-1973 Tetovë

2. Astrit Hekuran Suli 1976 Berat

3. Sali Zenuni 1979 Viti

K-dant Togu Ahmet Zeqiraj (nënshkrimi)

(Burimi: Arkivi i Komandës së TF-2, Gorozhup, Maj 1999)

Në Betejën e përgjakshme të 31 majit 1999 në vijën luftuese të Gorozhupit, bijen dëshmorë edhe: Safet Z.Peci nga Mitrovica. Ishte Komandant i njësisë Speciale – vëzhguese – diverzante, njësia TF2. Ka rënë dëshmor, rrëzë Pashtrikut (në pjesën malore); Ejup T.Kosumi nga Vushtrria. Ishte snajperist në njësinë Speciale – vëzhguese – diverzante, njësia TF2. Ka rënë dëshmor më 31 maj 1999 afër K-dantit Safet Peci rrëzë Pashtrikut (në pjesën malore).

Më 31 maj 1999 në fshatin Pogaj (rreth 2 km nga vija luftuese e Gorozhupit) duke u futur në fshat nga granatimet e rënda të artilerisë serbe bijen dëshmorë, 5 ushtarë e eprorë të TF-3 që komandohej nga Ruzhdi Saramati.

1. Beran Muhamet Gashi, 12.02.1974 – 31.05.1999 nga Prizreni;

2. Gani Hamdi Saramati, 04.01.1968 – 31.05.1999 nga Petrova e Prizrenit;

3. Selver Bajram Maçkaj, 04.01.1967 – 31.05.1999 nga Malësia e Vërrinit Prizren;

4. Shpend Sefer Berisha, 27.06.1959 – 31.05.1999 nga Volljaka e Klinës;

5. Sali Islam Saramati, 03.04.1963 – 31.05.1999 (më 6 qershor vdes në Tiranë) nga Dobrushti i Prizrenit. Ndërsa më 02. 06. 1999 bije dëshmor:

6. Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, 19.11.1974, nga Rrenci i Sharrit.

Bedri Hoxhaj: Kujtime historike për dëshmorin, Selver Maçkaj, Pogaj – Gorozhup

(Burimi: Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 1) Pogaj – 21 dhjetor 2017)

TË RËNËT NË DT2: MAJA E PASHTRIKUT …

– Në DT2 – Maja e Pashtrikut, kanë rënë dëshmorë:

1. Florim Rrahman Rushiti, 02.04.1979 – 26.05.1999 nga Kapiti i Medvegjës;

2. Avdi Ibrahim Xhaqku, 10.01.1971- 01.06.1999 nga Hogoshti i Dardanës (ish-Kamenicës);

3. Bedri Habib Gashi, 28.08.1967 – 04.06.1999 nga Orllati i Drenasit;

4. Lulzim Hashim Llugiqi, 05.01.1973 – 05.06.1999 nga Dobraja e Lipjanit.

***

Më 1 qershor bije dëshmor Xhelal B.Sopi nga Dardana – ish’Kamenica, afër 100 metra nën kullën e vrojtimit – përballë Pashtrikut. Ishte ushtar i Togut të II’të të Kompanisë së I’rë, në njësinë TF2, me K-dant Fazli Berisha. Më 3 qershor 1999, afër 150-200 metra nën kullën e vrojtimit – përballë Pashtrikut, bije dëshmor Zejnullah Rr.Zejna nga Sojeva e Ferizajit. Dëshmori Zejnullah Zejna ishte Komandant Topi 75 mm pa dridhje, në njësinë TF2. Topi 75 mm përbëhej prej 5 ushtarëve: komandantit, shenjusit, mbushësit dhe dy përgatitësve.

Derisa të rënët Bafti Haxhiu, Astrit Suli, Alirizah Selmani dhe Salih Zenuni varrosen në afër vijës luftuese në Gorozhup, katër dëshmorët tjerë, Safet Peci – Boletini, Ejup T.Kosumi, Xhelal B.Sopi dhe Zejnullah Rr.Zejna varrosen në qytetin e Krumës, ndërsa pas luftës zhvarrosen dhe me nderime bëhet rivarrimi në vendlindjet e tyre.

Pas përfundimit të luftës, më 18 korrik 1999 zhvarrosen kufomat e dëshmorëve, Bafti Haxhiu dhe Salih Zenuni, dhe me nderime ushtarake varrosen në varrezat e dëshmorëve në Viti. Ndërsa në shtator 1999 bëhet edhe zhvarrimi i kufomave të Astrit Sulit dhe Aliriza Selmanit për t’u varrosur me një cermoni ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.

Në janar të vitit 2000 me kërkesë të familjes, trupi i dëshmorit Astrit Suli zhvarroset nga varrezat e Dëshmorëve në Landovicë dhe rivarroset në varrezat e familjes së tij në Luzaj të Beratit, në Shqipëri.

_______

Dëshmi:

Agim Meha ‘ Arif Salihu: për dëshmorët: Astrit Suli, Sali Zenuni Bafti Haxhiu, Gorozhup – maj 1999

Kliko këtu 👇👇👇  

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për Dëshmorët e Kombit!

***

Ilustrime: Nga arkivi i Operacionit “Shigjeta”, Pashtrik, Prill – qershor 1999

__________

Shtojcë

Në 23 vjetorin e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik

KUSH E BËRI LUFTËN NË VIJËN MËSYMËSE (SULMUESE) NË DT-3 GOROZHUP… GJATË OPERACIONIT TË UÇK-së “SHIGJETA” NË PASHTRIK, MAJ – QERSHOR 1999 (VIDEO)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 26 Maj 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura