DILAVER GOXHAJ: ‘BETEJA E KOSHARES’ – KALIMI NË MBROJTJE – IMPONIM APO VULLNET (V)

Tiranë, 28 maj 2019: Në këtë shkrim të rradhës për “Betejën e Koshares” do të ndalemi kryesisht për të sqaruar se kush planizoi mësymjen në Koshare nga territori i Shqipërisë për në Kosovë, cili ishte armiku përballë tyre dhe shkaqet e ndalimit të mësymjes.
Këtë analizë po e bazojmë në intervistat që kanë dhënë shumë eprorë të të gjithë niveleve drejtuese të forcave tona që sulmuan në Koshare; por jo duke i kontestuar ato, por duke u marrë me analizën e veprimeve dhe thënieve të tyre. Në të gjithë analizën e deritashme, për të cilën jam i bindur që shumicës së atyre eprorëve nuk u pëlqen, nuk kam thënë asgjë më shumë se ajo çfarë ata kanë ditur dhe as më shumë se çfarë ata kanë thënë deri më sot. Qëllimi është që t’i afrohemi sa më shumë të vërtetës së asaj që ka ndodhur në Koshare.
Tashmë dihet se këto forca njihen herë me emërtimin “Grupimi Tretë Operativ” dhe hera-herës, si pa qejf, “Brigada 138 e UÇK-së”.
“Luftës në Koshare i ka pas paraprirë një kohë përgatitore shumë e gjatë”, na tregoi gjeneral Hysen Berisha në intervistën e dhënë në TV Dukagjini, më 16 prill 2019; e cila, “fillon me dislokimin e repartit ushtarak në Papaj, në 14 gusht ’98”1, plotëson gjeneral Rrustem Berisha, i cili më tej vijon: “Realisht, ato reparte më vonë formojnë Br.138, e cila ka zanafillën e vet, në përbërje të së cilës ishin tri njësi: Br.131, Br.134 dhe njësia “Delta”. Të tri këto njësi ishin miratuar nga Ahemt Krasniqi.”2 “Kur jemi larguar nga Kosova, ka qenë data 8-9 shtator 1998”3, saktëson eprori Gani Gjukaj, dhe “në 16 Tetor 1998 mbrijmë në Papaj, ku vazhdimisht është biseduar për thyerjen e Kufirit, d.m.th. së pari, për futjen në Kosovë, por edhe për Kosharen, për luftimet aty. Në këtë kohë, Shtabi Përgjithshëm ende nuk ka dhënë urdhër pët fillimin e luftës.”4

“Përgatitja për vendimmarrje të betejës në Koshare ka ndodhur 5-6 muaj përpara”, – tregon po në atë intervistë z.Hysen Berisha dhe vijon- “Vendimmarrjes i ka parapri një proces i gjatë i përgatitjes së kësaj lufte, duke filluar me rekrutime e trajnime…. Në fund u bë ristrukturimi i brigadës 131, si brigadë kryesore, të cilës ju bashkangjit disa muaj përpara një bërthamë e brigadës 134 dhe njësia pranë-shtabore e Ministrisë së Mbrojtjes për vëzhgime, që e udhëhiqte Anton Çuni, i cili më vonë shkrihet në GO-3, batalioni “Delta”, njësi kjo për operacione speciale. Janë këto tre formacione që faktikisht janë formuar më herët, diku në maj ‘98, nga Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi; me vendimin e tij. Në qershor ‘98 janë hy në Kosovë, ku kanë zhvilluar luftime në Zonën e Dukagjinit.”
“Këto forca u emërtuan Grupi i Tretë Operativ, -plotëson kolonel Halil Bicaj,- i cili është formuar nga ne, me një detyrë të posacme, që nga këtu, nën drejtim të Ministrisë sonë të Mbrojtjes të bashkohet me forcat e tjera të UÇK-s në terren.”5
Këtë deklaratë të ish-Ministrit të Mbrojtes, z.Halil Bicaj, dhe atë se: “Kanë qenë dy grupime UÇK”6, deklaruar nga z.Anton Çuni, na i konfirmon edhe z. Jakup Krasniqi: “Fillimisht jam përpjekur të bëj bashkimin e trupave që gjëndeshin në pjesën veriore të Shqipërisë, ato të Rrethit të Hasit e të Qytetit Bajram Curr. Forcat e Hasit ishin nën komandën e Xheladin Gashit, ndërsa ato të Popajt ishin nën udhëheqjen e Rrustem Berishës dhe Nasim Haradinajt. Ky grupacion përbëhej kryesisht nga ushtarë e ushtarakë të Rrafshit të Dukagjinit, që pas ofansivës së verës 1998 kishin bërë tërheqje taktike në Shqipëri. Po të shikohet ajo që ka ndodhur me ta në verën e vitit 1998, dërgimi i njerëzve për t’u armatosur pa ndonjë kontroll, e sidomos dorëzimi i armëve, (falë zotit që kjo dukuri na ka ndodhur vetëm në Zonën e Dukagjinit dhe në një brigadë të Sufrekës), gjatë ofensivës serbe, vërtet është mirë që e tillë nuk ishte e tërë UÇK-ja, sepse ajo do të zhbëhej si ushtri. Dezertimi, ikja nga fronti i luftës, fshehja, dorëzimi i armëve etj., tregon për dëmet që i janë bërë luftës nga brenda. Kjo na detyronte ta armatosnim përsëri këtë zonë…. Kisha njohuri të mjaftueshme se ky grup, (GO-3, D.G), përbëhej prej 200- 250 ushtarëve.”7
Meqenëse z.Jakup Krasniqi na përmend dorëzimin e armëve nga ana e dy brigadave tuaja, zotërinj eprorë të këtyre “njësive”, (Br.131 dhe 134 si dhe njësia “Kobra”), me këtë rast na lejoni t’u prezantojmë dokumentin me të cilin mësojmë se çfarë armatimi keni dorëzuar ju. Këtë dokument e ka publikuar gazeta “Epka e Re” dhe ajo “Expres”, datë 31 Mars 2014:
GAZETAEXPRESSE hënë, 31 Mars 2014 18:10

Në këtë dokument prezantohet sasia e armëve dhe numrin serik i tyre të dorëzuara nga ju, zotërinj oficerë, që edhe sot nëpër intervista me të drejtë lëvdoheni që i përkisnit FARK-ut dhe vareshit nga Miniatria e Mbrojtejs e qeverisë Bukoshi, ndërsa përkatësinë në UÇK e theksoni si me zor.
Sipas kësaj dosje, është dorëzuar armatimi dhe municionet e mëposhtme: “Pushkë automatike të prodhimit kinez, kalibri 7.62 mm, me numrin vijues, gjithsejtë 735 (mbyllet me numrin rendor 735) (armët nga faqja 2, 3, 4, 5); 222 copë pushkë automatike kineze me karikatorë, kalibri (i palexueshëm qartë); 419 pushkë gjysmautomatike të prodhimit kinez të kalibrit 7.62 mm; 23 copë pushkë të ndryshme (“M-48”, “Leninka”, “Taljanka”, “Karabina”) të kalibrit 7.9 mm dhe të tjera; 7 automatikë rusë “Ahpagini”; 82 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X39; 70 pushkomitraloza të kalibrit 7.62X 54; 35 copë pushkomitraloza “Broving”; 53 mortaja dore të prodhimit kinez; 6 topa pa dridhje; një minahedhës i kalibrit 82 mm; 7 copë minahedhës të kalibrit 60 mm; granata për topin pa dridhje 62 copë; jo i lexueshëm lloji i armatimit 1.050 copë; 7 granata për minahedhës 60 mm dhe 82 mm; 196 granata për mortaja dore; 5 mina kundërtanke; eksploziv tritol 4 kg; 225.054 copë fishekë të kalibrit 7.62×39 dhe 7.32×54; dhe 392 karikatorë pushkësh automatike. Kjo është vetëm një pjesë e të bëmave të oficerëve të paguar nga Qeveria Bukoshi, që e dëmtuan seriozisht luftën çlirimtare në Kosovë.”8

Nëse do ta marrim batalionin kufitar, me të cilët ju luftuat, të barabartë me batalionin e këmbsorisë, i cili ka gjithsej 688 ushtarë dhe oficera, dhe po të shohim se sa armë krahu ju u keni dhuruar serbëve, bazuar në këtë document, mësojmë se ju keni dorëzuar 735+1050=1785 armë krahu. Kjo sasi armësh është e barbartë me armatos gati tre batalioneve të këmbsorisë serbe, për mos të thënë gjithë efektivin këmbësor të një Rrigadë Këmbsorie (BrK); keni dorëzuar mitralozë të ndryshëm aq sa kanë në armatim dy batalione këmbsorie serbe; keni dorëzuar mortaja dore (60mm) sa kanë në organikë një BrK serbe; keni dorëzuar topa pa dridhje sa ka në organikë një Regjiment Këmbsorie serbe; fishekë automatiku keni dorëzuar për 750 automatikë, ose për 1500 pushkë gjysëmautomatike, që do të thotë një komplet luftarak batalioni plus një kompani, për të luftuar disa ditë, etj.
Bazuar në sa më sipër, të nderuar zotërinj oficerë të Shtabit të GO-3 (Br.138), kush na garanton ne se ju nuk jeni ndeshur në Koshare me forcat serbe që i keni armatosur vetë, e që i keni përforcuar gati me sasinë e artilerisë së një brigade? Mos ka vallë këtu ndonjë farë njohje gjatë shkollimit? A mund të na gjeni një rast të tillë nga historia e luftrave botërore, që një palë ndërluftuese, pasi e kompleton kundërshtarin armik shekullor me armë e municione, të kthehet e t’i thotë pas disa muajsh: Eja të bëjmë luftë? Ky është një rast unikat në historinë e lufrave botërore, zotërinj oficerë “institucionalistë” e “profesionistë”. Dimë se vetëm në duele individësh kanë ndodhur raste të tilla, dhe ato në mesjetën e vonë, por jo nga ushtritë.
Prandaj nuk jam fare dakort me shprehjen e z.Jakup Krasniqi kur thotë: “ushtarakë të Rrafshit të Dukagjinit, që pas ofansivës së verës 1998 kishin bërë tërheqje taktike në Shqipëri”. Quhet tërheqje vetëm në rastet për t’u ripozicionuar për mposhtjen e pengesës. Si mund të mposhtej ushria serbe, duke i dorëzuar asaj edhe armët tona?! Kemi të bëjmë me taktikë apo largim me turp nga lufta? Kjo që kanë bërë këta oficerë “profesionistë” nuk e ka emërin “tërheqje taktike”, por kapitullimi ushtarak. Këta lloj “profesionistësh”, nëse kishin ardhur për të çliruar Kosovën, duhej ta kishin marrë parasyah edhe vdekjen, sikundër bëri pjesa tjetër e Rrafshit të Dukagjinit.
Dhe ja se cila ishte gjendja në Kosovë kur është bërë ajo “tërheqje taktike”, të cilën na e shpjegon oficeri i Zonës së Dukagjinit, z.Gani Gjukaj, i angazhuar në luftë prej dt.25 maj 1998, e më pas komandant i Logjistikës së GO-3: “Për mendimin tim, udhëheqja e Kosovës në atë kohë nuk ka pasur vizion të qartë për atë që ndodhte në Kosovë. E kam fjalën për LDK-në, e cila nuk kishte vizione për situatën se çka po ndodhte… Kur lufta në Dukagjin ishte e paevitueshme, kur popullata me të madhe armatosej, vijnë udhëheqës të LDK-së dhe thonë se kjo nuk është vijë jona, nuk qëndrojmë pas saj, e në të njëjtën kohë Bujar Bukoshi e formon njësinë e mbrojtjes, pra, në mars-prill 1998… Rugova ka qenë personi, i cili nuk ka mundur ta udhëheqë luftën, dhe së fundi është deklaruar që nuk është një njeri që i fryn luftës dhe që futet në luftë… Në fund të qershorit të vitit 1998, në këtë pjesë të Kosovës arriti nga Shqipëria edhe grupi më i madh i eprorëve, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, në krye me Esat Krasniqin, Tahir Zemën (komandant i tyre), i cili ka ardhur nga Br.134. Sa e di unë, nga Shqipëria kanë mbritur 27 eprorë, dhe ky ka qenë grupi më i madh i eprorëve që janë futur në Dukagjin apo në Kosovë, nga fillimi e deri në mbarim të luftës… Me futjen e këtyre ushtarakëve, në Dukagjin nisën edhe përçarjet,… por faj të madh kanë edhe këta që u futën në këtë kohë në Dukagjin. Pra, me futjen e tyre nisën edhe acarimet ndërmjet njërit grup dhe grupit tjetër….Tahir Zema kur ka ardhur në Prapaçan, ka ardhur, siç thashë, si komandant i Br.134, dhe ka thënë se atë e ka mobilizuar dhe e ka futur në luftë Ahmet Krasniqi, d.m.th. i Ministrisë së Mbrojtjes, derisa Shtabi i atëhershëm i Rrafshit të Dukagjinit nuk e ka njohur Ministrinë e Mbrojtjes.”9
Nisur nga këto fakte, si dhe po të kemi parasysh deklaratën e dhënë nga z.Milaim Zeka në TV Dukagjini, në datë 18 prill 2019: “Duhet me dit se ushtarët qajshin pse nuk i lejojshin të përparonin këta komandantët që sot e glorifikojnë Betejën e Koshares.”, na jepet e drejta të dyshojmë. Se helbete, zotërinj Hysen Berisha e Musa Gjakova, si oficer ideologjik i Enverit që më keni përcaktuar, ai “dreq” Enveri na këshillonte: “Dyshoni për gjithçka”, si dhe “Beso e kontrollo”. Prandaj dhe unë, duke parë evidencat e prezantuara nga gazetari Muhamet Çetta, në kapitullin e 29, të vëllimit të dytë, të librit të tij “Me UCK-në në Koshare”, ku 33% e dëshmorëve janë vrarë nga snaiperistët serbë10, më lind pyetja “enveriste”:
Si është e mundur që dy autorët e planizimit luftarak për vendimin e mësymjes nga GO-3 (Br.138), (Agim Ramadani dhe Sali Çeku), vriten qysh ditën e tretë dhe të dhjetë të sulmit?! Të jenë, vallë, rastësi të të vriten dy planovikët e asaj mësymjeje? Mirë njëri, po të dy?
E shtrojmë këtë pyetje pasi na e ngacmon mendimin eprori Agim Haziri, kur thotë: “Kosharen e kishte zgjedh vetë Agim Ramadani, sepse e kishte vëzhguar terrenin së bashku me Rrustem Berishën dhe Sali Çekun.”11 Po ashtu, janë vrarë nga snaiperistët serbë edhe eprorët e tjerë komandues të GO-3: Abaz Thaçi, Bashkim Ramadan Jasiqi, Milazim Mavraj, Xhemajl Metë Fetahaj etj. Të jetë rastësi që të gjithë komanduesit, që kishin parim sulmin, të vriten nga snaiperistët, kur ti Hysen Berisha ishe i vetmi me shenjë dalluese, mbaje “beretën blu”, dhe që dihet se snaiperistët vrasin vetëm kuadrot drejtuese?!
Kjo na shtyn të shtrojmë edhe pyetjen tjetër: Vallë, duke u vrarë ideatorët dhe inspiruesit e mësymjes, ju të tjerët nuk kishit zotësinë e tyre të vijonit mësymjen? Kjo të jetë vallë arsyeja kryesore që kaluat në mbrojtje, apo kemi të bëjmë me diçka tjetër të dyshimtë?
Dyshimin e këtyre rastësive e ka shprehur nëpër intervista edhe autori i librit “Me UCK-në në Koshare”, i cili ua ka shtruar me dhjetra herë këtë pyetje eprorëve që ka intervistuar, ngaqë shumica e tyre dhe e ushtarëve të Brigadës 131 i kanë tregua për A. Ramadanin se: “Ai bile na thoshte: Për 10 ditë do të futemi në Malishevë.”12, si dhe “Më jepni 50 ushtarë dhe do marr karaullën e Kosharës.”13
Mirëpo, ju e dini që, dyshimet e përsëritura sjellin dyshime të freskëta, zotërinj të nderuar.
Por ajo që na sjell një dyshim edhe më të freskët: Ju, gjeneral Hyseni, ndryshe i njohur edhe me nofkën “bereta blu”14, edhe pse i vetmi midis gjithë atyre 2600 luftëtarëve në Koshare me këtë shenjë dalluese, si dhe përherë në vijë të parë, si nuk kanë mundur t’u identifikonin e t’u shinjestronin snaiperistët serbë?!
* * *
Lidhur me pyetjen e fundit po jap një intermexo, e cila tregon se kë kanë objektiv snaiperistët.
“Gjatë luftës së Vietnamit një nga snaiperistët më të mirë të Korpusit të Marniës Amerikane, Karlos Haçkuk, i cili konsiderohet si një nga snaipëristët më të mirë të forcave amerikane deri më sot, mbante, për fat, një pendë të bardhë në kapelen e tij. Më në fund, forcat e Vietnamit të Veriut kishin arritur ta identifikonin se snaiperisti I tmerrshëm ishte amerikani që mbante një shenjë të tillë në kapele. Dhe vendosën ta asgjësonin me cdo kusht. Kur forcat anerikane e zbuluan këtë vendim të vietnamezëve, atëherë Koloneli Herman Pogemyer u jep urdhër gjithë forcave të tij në atë rajon, që “derisa të vendosim se cfarë të bëjmë për ta mbrojtur këtë snaiperist, në momentin që do kthehet nga vija e frontit të mbahet në izolm dhe të mos lejohet dalja e tij në ambientet e jashtme të bazës.” Pas disa ditësh izolimi komanda amerikane vendosi që të gjitha forcat amerikane në të gjitha pikat amerikane ku do të shkonte ky snaiperist në ndihmë të sulmit të forcave amerikane në atë rajon, për aq kohë sa ky snaiperist do të qëndronte atje, u urdhërua që të gjitha forcat e atjeshme të vendosnin në kapelen e tyre një pendë të bardhë zogu të ngjashme me atë që mbante snaiperisti, në mënyrë që forcat verivietnameze të mos arrinin ta identifikonin e ta eleminonin snaiperistin.”15
* * *
Shkaku tjetër pse na detyron ta përsërisim të njëjtëno pyetje është enigma e derisotme, se cila ka qenë ajo arsye aq e fortë që, menjëherë pas vrasjes së autorit kryesor të atij vendimi dhe nismëtari i idesë së atij sulmi prej forcave të GO-3-shit (Br.138), Agim Ramadanit, ndalohet mësymja dhe kalohet në mbrojtje?! A mund t’i jepet përgjigje kësaj ndalese të mësymjes pas 48 orësh pasi ajo kishte filluar?
Ky ndryshim strategjie bëhet edhe më vështirë për t’u kuptuar, për vet faktin se, është vet gjeneral Hysen Berisha, i cili në “debatin plus”, më 16 prill 2019, deklaroi se e kishin shumë të lehtë luftën me forcat serbë që mbroheshin në Koshare:
“Gjatë vëzhgimit kemi parë se ushtria serbe nuk ka qenë e aftë dhe jemi bindur se mund të luftohet me ta… Serbët kanë kujtuar se do të ishim si në vitin 1998. Kanë kujtuar se do të kishim armë si të rezervistëve të Shqipërisë… Morali i ushtarëve tanë ishte shumë i lartë, ndërsa i serbëve shumë i ulët, se ishin në vend të huaj. Kur shikoj një ushtar që i duket qyta e pushkës kuptohej se ose ishte rekrut ose reservist dhe kjo na ka bind se luftën e kishim të lehtë. Dhe këtë bindje e krijuam pas një gamë të tërë vlerësismesh, gjatë vëzhgimeve 40 ditore.”
Edhe ju, i nderuar Musa Gjakova, në letrën tuaj përgjigje që keni botuar për mua, krahas hartimit fyes, keni thënë një të vërtetë absolute, (përjashtuar 7 fjalët e fundit, pasi nuk është e vërtetë): “Të dhënat mbi forcat e armikut të angazhuara në Koshare që vetë i paraqesin ata janë: batalioni kufitar 53 i Brigadës 125 të Ushtrisë jugosllave, e përkrahur nga policia serbe; batalioni i II i Brigadës 125 të motorizuar, pjesë i Brigadës së parashutistëve; pjesë e Brigadës 72 të njësiteve special; njësitet e policisë së Korpusit të Pristinës; njësitët e policisë së korpusit të 2 beogradase të përforcuara me policë nga ish vendet jugosllave; detashment të huaj me forca vullnetare e mercinarë; detashmenti “Kozak” i ardhur nga Rusia, pjesëmarës nga lufta në Çeçeni; mbeshtetja nga skuadrilia e aviacionit sulmuese-bombarduese të armatës jugosllave.”
Nuk thonë më kot në Kosovë: Mos e vet se flet vet.
Bazuar në informuesin për ushtrinë jugosllave, mësojmë se një batalion këmbsorie ka gjithsej një efektiv prej 688 ushtarë e oficerë; 422pushkë vetmbushëse, 242automatikë, 56 mitralozë të lehtë, 3 mitr. KA 12,7 mm; 6 flakhedhës; 45 granathedhës KT; 12 mortaja 60mm; 9 mortaja 81mm, 2 topa KT pa zbrapse 57mm dhe 9 topa KT pa zbrapse 82mm.
Po nga ai informues dimë gjithashtu se një batalion kufitar serb ka shumë më pak efektiv dhe armatim se një batalion i tyre këmbsorie. Por, megjithatë, për t’u ardhur edhe juve sa më shumë në atë që dëshironi, po i marim të dy batalionet që ju na paraqesni, të barabartë me bk, po ashtu edhe kompaninitë e policisë i marrim të barabarta me kompaninë e këmbsorisë me 139 vetë. Atëherë na rezulton: 688 x 2 bk=1376 vetë + 2kom.policie x 139=278 vetë+2 kompani (pjesë të Br72 e asajparashutistex2=278 vetë + 2 detashmente rusëx150 vetë=300 vetë + edhe 100 policë përforcime = 2332 vetë gjithsej, me të cilat luftuan 2600 forcat e GO-3, të komanduar nga ju “profesionistët” e “ushtrisë “institucionale” të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi. Raporti forcave, gati 1:1.
Por dyshoj se armku të ketë pas kaq shumë forca, pot ë kemi parasysh intervstën në fjalë të gjeneral Hysen Berishës, i cili deklaroi se sulmuesi duhet të jetë tre herë më i madh ne forca se mbrojtësi; pra, ai desh të na thoshte se raporti i forcave ishte 3:1 në favorin e GO-3.
Megjithatë, po e marim të mirëqenë se armiku kishte 2332 ushtarë e oficerë që luftuan në Koshare. Por kjo shifër nuk përbëjnë 30% të të gjitha forcave serbe në Kosovë, sikundër na tha edhe gjeneral Kudusiu, në intervistën e tij në TV Dukagjin ditët e fundit. Nëse do ta pranonim se 2332 forcat serbe në Koshare përbëjnë 30% të të gjithë forcave serbe në Kosovë, sikundër deklaron edhe gjeneral Hysen Berisha, del se Serbia duhet të ketë pasur jo më shumë se 10 mijë forca në Kosovë. Gjë që nuk është e vërtetë.
Faktikisht, bazuar në të dhënat që na jep “Human Rights Watch” me librin “Nën Pushtetin e Urdhrave”, (Tiranë, “Korbi”, 2002), Serbia pati 142 mijë forca gjithsej në Kosovë; dhe me 140 mijë forcat e tjera serbe luftuam ne “jo prefesionistët”, sikundër na quani ju “profesionistët” e Ahmet Krasniqit e të Bujar Bukoshit.
Besoj se këto të dhëna, z.Musa Gjakova, nuk janë “një plasim gazetaresk nga një i dehur”, apo jo?
Por, nëse do ta marrim për të vërtetë deklaratën e gjeneral Hysen Berisha se ju në Koshare keni vrarë 1200 ushtarë serbë, thënë në intervistën e tij, më 16 prill 2019, rezulton se ju keni pasur përballë vetëm 1100 ushtarë serbë. Dhe ju, me 2300 forca në ditën e fundit të luftimeve16, nuk keni mundur të hapnit korridorin e furnizmit?!
Të jetë kjo paaftësi apo… e qëllimshme? Besoj se do të na përgjigjesh, apo jo, zoti oficeri profesionist Musa Gjakova?
Dhe mos harroni tjetrën zotërinj Hysen Berisha e Musa Gjakova, që ju keni shkruar e folur se furnizimet nga logjistika kanë qenë me bollëk, madje edhe ushqimi u vinte i ngrohtë tre hërë në ditë direkt në transhe, ndërkohë që ne, ushtria “joprofesioniste”, prej 20 mijë vetë, hanim një herë në ditë, bashkë me popullsinë që na kishte besuar neve. Gjithashtu, fishekët e predhat ne, duke mos qenë “profesionistë”, i përdornim me shumë kursim dhe i ruanim si djalë hazreti, ndërsa ju i kishit pa hesap. Dhe këtë fakt e dëshmojnë me dhjetra oficera që luftuan në Koshare, por unë po mjaftohem vetëm më një prej tyre. “Vetë në pozicionin tim, (me tre mortaja 160mm), -tregon inxhinieri topollogaritës i asaj toge mortajash, z.Isa Dukaj,- ditën e fundit të luftës kemi pas mbi 15 (pesëmbëdhjetë) ton municion dhe është dashur që ai të bartet.”17 A e konceptoni dot një sasi kaq astronomike vetëm për tre mortaja që ngelën pa harxhuar?!
Mirëpo kjo shifër flet shumë. Kjo shifër na thotë se gjatë atyre 67 ditëve jeni furnizuar, sikundër shihet, ndoshta edhe me dhjetfishin e nevojave. Dhe këtë na e vërtetojnë vetë serbët në filmin e tyre, ku e quajnë Kosharen “skëterë vietnameze”, ndërsa presidenti serb e quan “Termopilet serbe”. Duke pas direkt në transhe një furnizim kaq të jashtëzakonshëm, të cilin na e pohoi edhe gjeneral Kudusi Lama, kjo tregon se ju e keni planizuar qysh më herët qënukkishit qëllim të vijonit mësymjen, prandaj, pas rënies së ideuesit të asaj mësymjeje, ju kaluat në mbrojtje.
Bindem për këtë, për vet faktin se në atë terren dhe pa mjete transporti nuk mundej kurrë të transportohej gjithë ai material luftarak me krahë, i çuar në transhe, nëse do të vijonit sulmin. Për mos të thënë se pot ë kishit ndërmend të sulmonit, ajo sasi municionesh nuk do të ishte çuar kurrë në transhe, por do ta mbanit vijimisht mbi rrota ose mbi mushka.
Dhe më duhet t’iu kujtoj edhe diçka tjetër, zotërinj oficerë të shkolluar nëpër akademitë e ushtrisë më të fuqishme në Ballkan, se ju, GO-3 (Br.138), kishit jo vetëm epërsi fuqie zjarri ndaj armikut, të cilën e keni theksuar në të gjitha intervistat tuaja me zë e me shkrim, por kishit edhe epërsi numerike, 2600:2332, 1,1:1 në favorin tuaj, që, po të kemi parasysh “moralin e ulët të serbëve”, sikundër na tha z.Hysen Berisha, raporti i bie të ketë qenë 3:1.
Mos harroni edhe favorin tjetër tuajin: Ju sulmonit nga lart-poshtë.
Ua shtroj këto pyetje dhe shifra, ngaqë të më ndihmoi sadopak z.Musa Gjakova, i cili më ka premtuar të më japi ndihmë profesionale, pasi e ka “habit analiza për betejën e Koshares e z.Dilaver Goxhaj, më shumë më ngjason si një elaborim i nivelit të një kadeti të akademisë ushtarake.”
I bëj këto krahasime dhe analizë, edhe për faktin tjetër se, të gjithë oficerat që u angazhuan në luftimet 67 ditore në Koshare kanë qenë ish-oficera të ushtrisë serbe, kundër së cilës luftuan në Koshare, që do të thotë se ju e njihnit më mirë armikun se sa ai u njihte juve. Ky ka qenë një avantazh më shumë në favor tuaj, të cilën na e sqaron z.Naser Vllasi në intervsitën e tij në TV Dukagjin: “FARK-u i parë formohet në vitin 1998… FARK-u ka ekzistuar në Tiranë, edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës Kosovës ka ekzistuar në Tiranë. Në Kosovë ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së… Në Koshare luftuam si UÇK, e cila është dashtë të jetë pjesë e FARK-ut, edhe pse ka disa që tani nuk po i pranojnë marrëveshjet.”18 Por që e kundërshton z.Nasim Haradinaj, kur thotë: “Brigada e Kosharës janë rreshtuar para Azem Sylës, Jakup Krasniqit, Plakut dhe meje (…) edhe Anton Çuni, edhe Rrustem Berisha. (…) Kosharja ashtë vendos pse kemi mbri në marrveshje unë, Rrustemi, Agimi dhe Xhafer Gashi dhe e ka aprovua Sali Çeki. Për këtë unë jam sulmuar pastaj, nga Zona e Dukagjinit, si FARKist, ndërsa Rrustemi, Agimi, Sali Çeku janë sulmuar nga të tjerët si Lëvizje, pse u bam bashkë. Unë kam garantuar në Shtab të Përgjithshë, konkretisht para Xhavit Halitit dhe Jashar Salihit, se këta djem, Rustem Berisha, Agim Ramadani, Xhafer Gashi, Sali Çeku, nuk na mashtrojnë. Me Anton Çunin nuk kam ba marrëveshje…Marrëveshjen e kam bërë me njerëz të revoltuar të FARK-ut…”19
Në intervistën time dhënë TV Dukagjinit më 10 tetor 2018, midis të tjerava pata thënë, se komanda e forcave që luftuan në Koshare duhet t’i jepet gjyqit ushtarak. I qëndroj asaj fjale, pasi ju gjatë atyre 67 ditëve keni luajtur një tragjedi me Kosovën, me qëllim a pa qëllim, këtë ende nuk e kemi të qartë përfundimisht. Por e kemi më se të qartë që sot po luani komedi me Kosovën. Dhe, çuditërisht, në këtë komëdi merr pjesë edhe Presidenti Thaci, duke u dekoruar!
Mos vallë ka të drejtë z. Fatmir Brajshori-Tushi, kur shprehet: “Qëllimi i FARK-ut ishte të hynte si Kolonë e Pestë, të mënjanonte UÇK-në nga terreni, pastaj ata farkistët të arrinin një lloj paqeje me ushtrin serbe dhe bashkë kordinim… Diçka si ajo që ngjau në Isniq, kur u dorëzuan armët te ushtria serbe dhe krijimi i policis së përbashkët! Por pas tradhtis së Tahir Zemajt, kolona e pestë u bë ZERO, dhe u pengua lufta vllavrasëse e përgaditur si në Klladush të Bosnjes…”
(VIJON)
Tirane, 26 maj 2019
_
____________
REFERENCAT:
1.Muhamet Çetta: “Me UÇK-në në Koshare”, v.2,f.251
2 Rr.Berisha, intervistë e dt.8.4.2014 më TV Dukagjini.
3 Gani Gjukaj te libri i M. Çetta, vepër e cituar, v.2, f.68-69.
4 Gani Gjukaj Po aty, (v.2,f.75-78)
5 M. Çetta“Me UÇK në Koshare”, v.1,f.121-122, marrë nga “Bota sot”, 22 maj 1999
6 Anton Çuni, Intervistë dhënë TV Dukagjini, më 2 maj 2019
7 Jakup Krasniqi “Kthesa e madhe”, 2006, f.203-204
8 Gazeta Expres,e hënë, 31 Mars 2014, 18:10
9 M. Çetta, vepër e cituar, v.2, f. 56-57 dhe 60-61.
10 M. Cetta, “Me UCK në Koshare”,v.2, f.271-289
11 M. Çetta, vepër e cituar, v.1, f.90
12 Rahman Samiu-Zogu, M. Çetta, vepër e cituar, v.3, f.126
13 Tregon Kamer Elezaj
14 M. Cetta, vepër e cituar, v.2,f.150
15 Marrë prej librit “Silent Warrior”, me autor Charles Henderson “Berkley”, 2000, kreu 8, f.146-150
16 M. Cetta, vepër e cituar, v.1,f.172. Ndërsa Hysen Berisha na dha shifrën 2200 forca; Anton Çuni 2600 forca, Pren Marrashi 2600 forca; Fisnik Ismaili 1500 forca; Rifat Muriqi 4000 forca etj.
17 M. Cetta “Me UCK-në në Koshare”, v.3, f.158
18 Naser Vllasi. Në emisionin “debat plus”, më 23.04.2019
19 Nasim Haradinaj, intervistë “debat plus”, më 18 prill 2019

_____________
DILAVER GOXHAJ: ÇDO GJË QË KEMI DËGJUAR GJER MË SOT PËR ‘EPOPENË’ E KOSHARES DHE PËR ‘BRIG.128’ TË NJË ‘GJENERALI’ TË VETËGRADUAR – JANË OPINIONE DHE JO FAKTE! (IV)
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=8776

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura