REXHEP KASUMAJ: KOHË E RE…(MBI YJET QË S’SHUHEN)

Berlin, 4 prill 2018: Vetëm ndërgjegjet e zgjuara lejojnë t’i thërrasësh, thotë Hermann Hess tek sheston mendime të mëdha, plot dritë e mugëtirë, për kulturën e shekullit të tij.
Qysh në fillimvitet e 90-ta, kur miku im i mirë dhe gazetar e publicist i shquar, Muhamet Mjeku, më kërkonte një shkrim për “Illyrinë” e Nju Jorkut, do të paranjihja hjekësinë bizantine: një “Republikë autonome serbe” në Veri të Kosovës. Të gjitha rrëketë e ujërave të zeza serbe venin atje, në blerësinë e atij trualli të pafaj e të pazot arbnor.
Ndërkaq, pak kohë më pas, në një shkrim tjetër për “Viktorian” e Bajram Sefajt, poashtu mik e shkrimtar i njohur, do bëja paralelen metaforike mes Shkodrës së fillimit dhe Mitrovicës së fundqindvjetit, si provë e vështirë e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.
Dhe si për vërejtur me trishtim rrënjëzimin e idesë, rikujtoja, tashmë në “Zërin” e mërgatës, kartat serbiane që fshehte Patriarku në palët e mistershme të zhgunit të errtë shërbestar. Shqiptarët, pohonte ai, s’mund të jenë fitimtarë të dyfishtë: të marrin edhe territorin e tërë edhe pavarësinë e plotë! Një tezë tragjike që do t’a adoptonte mandej dhe Gjinxhiqi, ky mashtrues skofiar, tek pohonte me cinizëm: vërtetë unë nuk dua t’i shoh shqiptarët në Terazi, por ata duhet të japin diçka për mëvetësinë e tyre. Ç’poshtërsi: domethënë gjaku që dhanë, i mjaftë për të rimun tokën për 100 vjet, nuk ia mbushte syrin serbit Zoran. Kërkonte tokë. Hapsirë drejt Greqisë dhe zgjërim drejt Malit të zi, që, mbase, do shkëputej, por, kushedi, njëj moti të dytë, mund të rikthehej prapë!

Fundja, a pyeste së voni dhe Bernard Kushner: përse, kush do ketë urdhëruar që fuqitë çlirimtare të ndalonin tek ura e Ibrit?
Tani, gati në fund të udhës, serbët shpalosin kapitullin kryesor të Librit të urrejtjes dhe ekspanzionit që ruan atësinë e bariut shpirtëror Qosiq. Premierja Bërnabiq, një trupëzim i maskuar politik i demoniakut të shuar, pozicionohet më rezolutivisht se kurrë. Thotë: nëse Asociatën, thënë ndryshe “Republikën serbe të veriut”, nuk do t’a themelojë pala shqiptare, aherë këtë do t’a bëjnë serbët vetë, gjatë muajit prill. E pra: edhe përbetimi, edhe vullneti, edhe afati janë të prerë!
Para disa ditësh, kur do të jepej shfaqja “Gjuriq” si një prelud i tejdukshëm i saj, do të shkruaja: Belgradi do t’i bie tani gjithë këmbanave të botës me përgjërim e argument të stisur: e shihni, si mund t’i lëmë serbët në dorën brutale të shqiptarëve?!
Në fakt, agjenda serbe nuk është as e re dhe as e papritshme. Por pyetja e vjetër sa vetë përplasja historike me te, është: përse ajo duhet të ketë përherë protagonizëm shqiptar?
Asnjë ndjenjë nuk është e padenjë a meskine… As urrejtja, as zilia, as xhelozia apo mizoria…Kur fyejmë ndonjë tyresh, shuajmë një yll në qiell.
Dhe mendova: sikur t’a dinte Hessi, por s’e dija as unë, sa shumë të tillë yje paskan shqiptarët. Yjë mbi Tiranë, mbi Shkup, yjë mbi Prishtinë. Dhe ata, të kudondodhur, në dashuri të përkorë me qiellin, nuk kanë zemër të shuajnë asnjë prej tyre..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura