DILAVER GOXHAJ: DYZIMI I XHAVIT HALITIT PËR LUFTËN ҪLIRIMTARE

Tiranë, 22. 07. 2017 – (Reagim ndaj shkrimit të Xhavit Halitit: “Logjika e Amnistisë”) – Menjëherë, porsa u rikthye Fatmir Limaj në burgim shtëpie dhe u harrua paksa zgjatja e masës së arrestit të ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me disa ish drejtues të tjerë të lartë të saj, si dhe me të mbaruar edhe fushata zgjedhore në Shqipëri, rinisi rrufeshëm një fushatë tjetër kundër UÇK-së, edhe më denigruese se ajo e EULEX-it. Por kjo e dyta ka një veçori të theksuar: është inicuar dhe vijon të kryhet nga shqipfolës të Prishtinës dhe të Tiranës, dhe jo nga prokurorët e huaj! I pari këtë sipar e hapi Xhavit Haliti, me shkrimin e tij “Logjika e amnistisë”, botuar në medjat e Prishtinës më 7 Korrik 2013, duke thënë: “E dyzuar ka qenë lufta çlirimtare e Kosovës nga Serbia. Lufta u organizua, u fillua, u zhvillua nga UÇK-ja,… Por, pa ndërhyrjen e NATO-s, vështirë se lufta jonë do të mund të përfundonte me fitore në Qershorin e vitit 1999.”


LEXONI – XHAVIT HALITI: LOGJIKA E AMNISTISË
http://www.telegrafi.com/lajme/logjika-e-amnistise-26-6056.html

*   *   *

Të dyzosh, do të thotë të jesh në dilemë për të pranuar një nga dy çështje të papajtueshme mes tyre. Dyzimi është një vijë ndarëse, që ndan dy rryma të ndryshme. Dyzimin anglezët e përdorin kur thonë: divide-and-rule, (përça e sundo). Me sa duket kjo duhet të ketë qenë e të jetë edhe qëllimi i z. Xhavit Haliti, përderisa e ka bërë publik këtë dyzim të tij si gjatë luftës edhe disa herë pas saj.
Z. Xhavit Haliti për herë të parë e ka bërë prezentë këtë deklaratë anti UÇK para gazetarit Blerim Shala, më 7 Korrik 1998, në Tiranë, (“Vitet e Kosovës”, 2000, f.105). Dhe ky i fundit e përhapi menjëherë në të gjithë botën shqiptare, por dhe të huaj. Kur ti z. Xhavit ke dhënë këtë deklaratë, kuptohet, e ke bërë për të marrë bajrakun për ato që ndodhnin e do të ndodhnin në Kosovë. Mirëpo njëkohësishtë duhej të merrje, por edhe të marrësh, përgjegjësinë për ato që ndodhën. Pasi, sikundër dihet, një muaj pas asaj deklarate, në muajin Gusht të atij viti, shpërtheu largimi masiv nga Kosova, jo vetëm i popullsisë shqiptare, por edhe i shumë luftëtarëve të UÇK-së, e shfrytëzuar kjo nga Tahir Zema dhe shumë komandantë të tjerë. Kjo deklaratë disfatiste e juaja, z. Xhavit Haliti, dhënë Blerim Shalës, shkaktoi rrëmujën, panikun, humbjen e besimit të popullit ndaj UÇK-së, dobësoi vendosmërinë e zakonshme tek ish luftëtarët, ndaj dhe ata iu bindën bandës së Tahir Zemës dhe shokëve të tij. Dhe, çudia është se për këtë panik, që ju, z. Xhavit e përhapët përmes Blerim Shalës, nuk dihet se pse nuk u është kërkuar kurrë llogari! U desh angazhimi i Adem Demaçit si përfaqësues politik i UÇK-së që ajo shpërngulje e popullsisë shqiptare të frenohej, si dhe të rifillonte rikthimi i luftëtarëve në Kosovë dhe riorganizimi i UÇK-së.
Nuk e di se sa jini i qartë, z.Xhavit, por besimi në vetëvete, për fitoren, ka një rëndësi të madhe në luftë. Humbja e besimit në fitore sjell lodhjen nervore tek luftëtarët dhe, nëse ai ankth lejohet të shtohet, mund të shndrërrohet në tmerr dhe dezertime masive nga lufta. Dhe, sikundër dihet, diçka e tillë na ndodhi në atë periudhë, apo jo? Zoti Xhavit, vlen të të kujtoj se betejat shpesh janë fituar nga ajo palë që mëshiron sadopak më shumë se pala tjetër vendosmëri dhe këmbëngulje. Jo më kotë Napoleon Bonoparti pat thënë: “Në luftë, gjendja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”.
Dhe, ajo që të befason edhe më shumë, është fakti se z. Xhavit Haliti, atë lloj paniku, që përhapi në atë kohë, e deklaron tërë mburrje edhe në intervistën që i ka dhënë po atij Blerim Shale, në revistën “Zëri”, më 6 Nëntor 1999, dhe po e përsërit përsëri, çuditërisht, ekzaktësisht pas 15 vjetësh, në vite, muaj dhe ditë, 7 Korrik 1998 – 7 Korrik 2013! Në atë kohë, unë i jam përgjigjur zotit Xhavit, duke i thënë: “Të jesh i sigurtë se nuk e ke për ta fituar luftën dhe, nga ana tjetër, me vetëdije ta nisësh atë, kjo është një aventurë ushtarake, ose thesht tradhëti” (“UÇK dhe Kadare”, 2004, f.121).
Ti, zoti Xhavit, duhet ta dije, përderisa pranove të merrje pjesë në organizimin e asaj lufte çlirimtare, se luftëtarët nuk hidhen në sulm vetëm sepse çështja është e drejtë; as nuk ua mbathin këmbëve vetëm sepse luftojnë për një çështje të padrejtë. Ata sulmojnë, kur janë më të fortë ose kur komandantët e tyre i kanë bërë të ndjejnë se janë më të fortë. Ai vendim i Kryesisë së LPK, për organizimin dhe shpërthimin e luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia, mund të qe marrë edhe fare qorrazi, por ty, derisa ke votuar, madje edhe në cilësinë e Koordinatorit të Sektorit të Veçantë, duhej të mbaje përgjegjësinë e plotë. Ti mund të më thuash se është në natyrën e njeriut të ngurojë në një situatë të paqartë. Dakort, por edhe pas 15 vjetësh vijon të jesh i paqartë?!! Ti, gjithashtu duhej ta dije se qysh nga momenti që merren vendimet për luftë, ato duhet ndjekur me rigorozitet dhe me veprime pozitive e këmbëngulëse, sepse në luftë nuk ka kohë për ngurime e lëkundje, dhe të mos shpreheshe në këtë mënyrë qysh në 7 Korrik 1998 tek gazetari Blerim Shala, 2-3 muaj pasi qe zhvilluar epopeja e Prekazit!
Shpërthimi i asaj lufte çlirimtare në Kosovë, ti e di që nuk qe rrjedhim as i atij vendimi që ju morët në LPK dhe as si rjedhojë se gjoja jemi popull agresiv. Ajo luftë shpërtheu kur populli u bind përfundimisht se mosmarrëveshjet tona me Serbinë nuk mund të zgjidheshin me sukses me anë të bisedimeve, diplomacisë apo rezistencës pasive. Të gjitha këto i kish konsumuar Rugova me plitikën e tij pacifiste. Kështu që nuk ka një shkak të vetëm për atë luftë, pasi “Lufta nuk është thjesht një akt politik, por një instrument i vërtetë politik, një vazhdim i tregëtisë politike, realizimi i të njëjtës gjëje me mjete të tjera”, (Klauzeviç). Duke qenë se objektiva goditës për UÇK-në ishin ato ushtarake e policore dhe jo civilët, sikundër ndodh me terroristët, ndaj dhe erdhën vullnetarë edhe nga bota Perëndimore, gjë që bëri të mundur që besimi ynë në fitore të ishte edhe më i madh, gjë që ti Xhavit nuk e ke patur dhe as nuk e ke bindje edhe sot.
Nuk është rastësi që ti, z. Xhavit Haliti, kur e përsërite për të tretën herë, brenda 15 vjetëve, mosbesimin tënd tek mundësitë e UÇK-së, u pasove menjëherë nga Fatos Lubonja në Tiranë, Arben Idrizi në Prishtinë dhe së fundi nga Berat Buzhala, me “banim” në udhëheqje të PDK-së, ku je edhe zotrote, apo jo? Pse nuk shkruajtën edhe më herët këta myteberë, këta “njohës” të UÇK-së? Dhe kjo fushatë denigruese kundër UÇK-së, si është e mundur të rinisë në një kohë kur porsa kanë heshtur përkohësishtë protestat e popullit në Kosovë kundër këtij denigrimi dhe arrestimeve qëllimkeqe të EULEX-it, i cili vepron brenda në Kosovë?! Kur armiku të sulmon drejtpërsëdrejti nga brenda, thuhet në shumicën e doktrinave ushtarake, qeveritë nuk duhet të lejojnë liri të tillë shtypi, që përpunon opinionin kundër çlirimtarëve të vendit dhe manipulon masat e paditura. Mirëpo, qeveria je ti vetë, z. Xhavit, pasi je nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i partisë politike që ka qeverinë. Kjo përbën edhe dyshimin?! Dhe ajo që është edhe më interesante, është fakti se të gjithë ju, që kini nisur këtë fushatë denigruese kundër UÇK, përfshi edhe ty, zoti Xhavit Haliti, (por që të mos të të hamë hakën, ti Xhavit flet me dykuptimshmëri, hedh gurin dhe fsheh dorën), nuk e njihni UÇK-në, sepse nuk kini parë asgjë nga luftimet e saj!
Më vjen shumë keq që ju autorë të këtyre deklaratave denigruese, si dhe ata që u besojnë juve, nuk e dini ende se janë luftrat dhe betejat e popullit përkatës, ato që kanë luajtur rol kryesor në formimin e hartës së botës. Ishte lufta e UÇK-së ajo që i shtoi kësaj harte shtetin e Kosovës, për njohjen e të cilit mburreni çdo ditë! Ç’është kjo mosmirënjohje ndaj UÇK-së dhe Adem Jasharit?! Madje ti, z. Xhavit, në sajë të UÇK-së u pasurove dhe po bën edhe karjerë, ndaj dhe po habitemi.
Ju, z. Xhavit Haliti, kini dalë në atë përfundim denigrues dhe mosbesues ndaj luftës sonë, me të cilin na mburresh edhe sot, ndoshta ngaqë do të kesh qenë i ndikuar nga teoria e viteve 1990, e sociologut angles Athony Giddens, i cili thkson se “Guerilasit përdorin veprimet specifike të dhunës si mjete të tërheqjes së vemendjes për kauzën e tyre, pasi nuk shpresojnë të fitojnë në betejë të hapur”, (Sociologjia,1997,f.358). E them me bindje këtë, pasi edhe thënia e juaj e 7 Korrikut 1998 është identike me atë të z. Athony Giddens: “Ne nuk mund ta fitojmë luftën. Orientimi ynë është që përmes rezistencës të krijojmë rrethana që pakti i NATO-s të vijë në Kosovë”; ndërsa në vitin 1999 shpreheni: “Lëvizja jonë do të kishte për synim kryesor t’ia tërhiqte vemendien opinionit ndërkombëtar”.
Me këtë deklaratë ti ke dashur të thoshje dhe të kërkoje që luftën tone të armatosur dhe kërkesat e popullit tonë për liri, t’i reduktoje në lutje të thjeshtë drejtuar faktorit të jashtëm ndërkombëtar që të na e merrte parasysh, e cila “nuk është gjë tjetër,- sikundër thotë Ukshin Hoti, – veçse një shaka politike, por jo edhe politike; politikisht joserioze dhe papërgjegjësi historike”, (Filozofia politike e çështjes shqiptare,1997,f.271-272). Dhe kjo ndodh tek ju, z. Xhavit, pasi ju nuk e dini parimin kryesor të një rezistence politiko-ushtarake, e cila nënkupton atë që të marrësh përgjegjësisë për punën e kryer.
Sikundër shihet, ju, z. Xhavit, i kini besuar dhe i besoni verbërisht këtij autori anglez, pasi nuk e njihni historinë botërore të luftrave çlirimtare (guerile), që në shekullin e XX kanë qenë mjaft të suksesshme, e që kanë sjellë ndryshime të përgjithshme politike, sikundër ishte LANÇ-i në Shqipëri në vitin 1944, apo lëvizja çlirimtare e keyesuar nga Mao Ce Duni në Kinë në vitin 1949, ajo e kryesuar nga Fidel Kastrua në Kubë në vitin 1960, kryengritja algjeriane që e detyroi Francën t’i jepte fund drejtimit kolonial të Algjerisë në vitin 1960, revolta Mau Mau në Kenia afërsisht në të njëjtën periudhë, ajo Tupamarros në Uruguaj dhe Monteneros në Argjentinë në vitet 1960 dhe 1970, guerilasit që verpruan në Vietnamin e Jugut fillimisht kundër francezëve, në vitet 1950, dhe pastaj kundër amerikanëve në vitet 1960-1972, si dhe grupet guerile kundër pranisë Ruse në Afganistan në vitet 1980. Kështu që nuk është krejt utopike që të mund ta përzësh pushtuesin me luftë guerile. Me sa duket, N. Bonoparti duhet të ketë patur parsysh “liderë” si puna juaj, kur ka thënë: ”E pamundura është vetëm fantazmë e të druajturve dhe strehë e frikacakëve.”, (”Ditari secret”, 2004, f.88)
Ju zotërinj, nuk besoj se nuk e dini edhe faktin tjetër se lufta e jonë guerile fillesat e saj masive i pati në zonat malore, relativisht të paarritshme, që ushtria serbe të mos mundej të përdorte lehtësisht numërin e madh të forcave dhe fuqinë e zjarrit. Dhe nga që ndodhi kështu, dhe s’mund të ndodhë ndryshe, ju, z. Xhavit, për këtë fakt, mendonit dhe mendoni se ne nuk mund ta fitonim luftën!
Luftrat guerile ndahen në tre lloje kryesore: 1. Luftë kundër pushtuesit të huaj; 2. Luftë kundër qeverisë qëndrore reaksionare, dhe 3. Luftë kundër qeverisë që mendohet se është e korruptuar apo shfrytëzohet, (si në rastin e Monteneros në Argjentinë). Lufta jonë në Kosovë ka veçorinë e saj të jashtëzakonshme: janë të tre këta shkaqe që e shpërthyen atë, pasi edhe qeveria e LDK-së në ekzil e kish zhgënjuer popullin shqiptar në Kosovë, ndërkohë që udhëheqja e saj jetonte në kushte përrallore. Edhe kjo veçori ka ndikuar në atë lloj bindje tek ju, z. Xhavit Haliti.
Një arsye tjetër se pse ju z. Xhavit Haliti ishit dhe jini të dyzuar ndaj mundësisë sonë, qëndron në faktin se ju duke e ditur se lëvizjet guerile nuk mund të dislokojnë armët modern që kanë ushtritë e regullta, (si e tillë edhe UÇK-ja), ne nuk do të ishim në gjendje ta fitonim luftën. Kjo bindje e juaj, vjen nga që jini profan lidhur me njohuritë për këto lloj luftrash, ngaqë nuk e dini se përse ushtritë guerile vendosen fillimisht në terrene malore. Mësoje! UÇK-ja e filloi luftën njësite nga ato terrene që, me armatimin e lehtë të saj të sfidonte armët e ushtrisë serbe. Ju nuk e dini që guerilasit vietkongas në Vietnam kishin shumë më pak armë në krahasim me ato të amerikanëve, por ishin në gjendje të përdornin taktika të tilla, duke shfrytëzuar terrenin, që i detyronin amerikanët të mos mund të përdornin teknologjinë ushtarake të tyre me efektivitetin e parashikuar. Po kështu ndodhi edhe me guerilasit afganë kundër ushtrisë tepër moderne dhe tepër të madhe ruse.
Luftën Çlirimtare në Kosovë përmes UÇK-së mund ta quajmë edhe revolucion ngaqë kërkonte të sillte ndryshim rrënjësor të statusit të Kosovës dhe kombit tonë; sepse ishte një luftë jo vetëm kundër ushtrisë pushtuese, por edhe luftë kundër vullnetit të Qeverisë Bukoshi dhe Presidentit të Kosovës dhe partisë së tij udhëheqëse, LDK-së, me qëllim për të ndërmarrë pastaj procese të bashkimit me shtetin amë, gjë që Rugova e përjashtonte me çdo kusht, (sot edhe Thaçi dhe grupi i tij, ku bëni pjesë edhe ju).
Për këtë pikën e fundit ia vlen të zgjatemi pak, për të shpjeguar se shqiptarët në Kosovë nuk u bënë revolucionarë si rjedhojë e varfërisë së vazhdueshme dhe privimit nga shumë të drejta, pasi më herët varfëria e tyre ishte edhe më e madhe. Përvoja botërore tregon se njerëzit zakonisht i durojnë kushte të tilla, sikundër po e durojnë shqiptarët në Kosovë edhe tashti ku aktualisht “Sot në Kosovë jetojnë rreth 141.000 qytetarë me ndihma sociale, me nga 49 cent, ndërsa një pjesë e tyre me 34 cent në ditë. Radhitja e Kosovës në listën e 9 vendeve me mizerien më të madhe në botë dhe papunësia në lartësinë prej 45 % flasin për një gjendje alarmante para së cilës, përveç Qeverisë së Kosovës, nuk mund t’i mbyll sytë askush”, sikundër deklaron deputeti Faton Topalli në Kuvendin e Kosovës, më datë 17 Korrik 2013. Prandaj duhet theksuar se, lufta çlirimtare në Kosovë shpërtheu si rjedhojë e pakësimit të mirëqënies së arritur nga emigracini i saj. Duke u ngritur niveli i jetës, si rjedhojë e emigracionit masiv në fillim të viteve 1990, kjo bëri të mundur edhe ngritjen e nivelit të shpresave më të mëdha në popull. Mirëpo, duke u vazhduar 3% i Qeverisë Bukoshi si dhe shtimi i reprezaljeve serbe, u bë e mundur që përmirësimi i kushteve të jetesës filloi të ngadalësohej. Kjo krijoi prirjet për revoltë, pasi humbën shpresat e popullit tek LDK-ja, Rugova dhe qeveria Bukoshi. Rasti ynë në Kosovë vërteton tezën filozofike se “Nuk është privimi absolut që të çon në kryengritje, por privimi relativ– mospërputhja midis jetës që njerëzit janë të detyruar të bëjnë dhe asaj që ata mendojnë se mund të arrihet realisht”. Në të tilla kushte, luftën çlirimtare do ta mbështeste shumica e popullit shqiptar në Kosovë, por ishte ajo deklaratë e juaj, që e bëri popullin të dyzuar, dhe jo ty.
Mirëpo këtë privim relativ, ti, z. Xhavit Haliti, nuk mund ta njihte nga Zvicra, ndaj dhe kishe mosbesim në popullin tënd. Fillimisht rebelimi shqiptar në Kosovë fitoi fuqi, si rjedhojë e ndikimit të idealeve të bashkimit kombëtar dhe rritjes ekonomike të para disa viteve. Kjo edhe ngaqë Rugova filloi të kishte frikë nga veprimtaritë e demonstrimeve në rrugë, jo thjesht për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejt të tij, pasi ende nuk kishin dalë turmat demonstruese me pretendime të tilla, por thjesht për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë që i bëhej autoritetit të tij, ngaqë demonstratat i jepnin formë publike dhe të dukshme padrejtësive sociale dhe politike që vinin nga qëndrimet hiq e mos këput midis Rugovës dhe Millosheviçit. LDK-ja e humbi besimin edhe për faktin se ajo përfundoi si një përpjekje kolektive, brenda ligjeve të Serbisë ku ekzistonin, duke mos kërkua ndryshime transformuese, duke aspiruar ndryshime vetëm në disa aspekte të rendit shoqëror dhe jo në një lëvizje shpëtimtare, sikundër edhe e mashtronte deri atëherë popullin. Për këto arsye LDK-ja njihej dhe lejohej nga pushteti politik i Millosheviçit. Si e tillë, LDK-ja tregoi se ishte thesht reagim ndaj situatave në Kosovë, por jo si krijim i mundësive që populli shqiptar i atjeshëm të mund të bënte ndryshimet e dëshiruara të statusit të tyre. Kështu që autoriteti i Rugovës dhe i LDK-së ishin minuar, gjë që provokuan një zemërim në rritje. Dhe këtë zemërim në rritje e ndjenin Jakup Krasniqi me shokë, ndaj dhe iu bashkuan Adem Jasharit, që ti Xhavit dhe shokët e tu nuk donit ta njihnit, sikundër na i shpjegon Ibrahim Kelmendi ( “Lëvizja”, 2012, f.309). mirëpo, deklarata e juaj e frenoi atë lloj zemërimi masiv, prandaj me të drejtë Ahmet Qeriqi u është kundërpërgjigjur, duke u thënë se “ ajo nuk ishte një luftë, “të cilën e mbështeten sakrificat supreme të mbarë shqiptarëve”, derisa dihet botërisht se atë luftë e mbështetën vetëm një përqindje e shqiptarëve idealistë e atdhetarë”.
Ti, zoti Xhavit Haliti, duke i qëndruar besnik bindjes suaj: “E dyzuar ka qenë lufta çlirimtare e Kosovës nga Serbia… Por, pa ndërhyrjen e NATO-s, vështirë se lufta jonë do të mund të përfundonte me fitore në qershor të 1999-s”, edhe 15 vjet pasi e kini shprehur për herë të parë atë, tregon se ti nuk ke qenë i vetëdijshëm për atë luftë. Dhe kjo ka shpjegimet e veta. Njeriu, na mëson psikologjia, bëhet i vetëdijshëm për një lloj veprimi përmes proceseve të ndijimit dhe përceptimit, ndijimi si një cilësi fiziologjike, ndërsa përceptimi si një cilësi e marrjes dhe e depozitimit të informacionit dhe e përdorimit të tij. Si i tillë, përceptimi është një proces aktiv në të cilin informacioni ndijues përcillet përmes sistemit nervor në tru, ku organizohet dhe interpretohet.
Duke qenë se ti, z. Haliti, je bazuar vetëm në lajmet, (ngacmimet), lidhur me UÇK-në, që të vinin përmes telefonit apo të ardhurve nga Kosova, ti kapje vetëm të dhënat informative, të komentuara nga të tjerët, pa i parë me sytë e tu aktivitetet e UÇK-së. Kjo bënte që ti të të mungonte procesi i ndijimit, (i cili përqëndrohet në aktivitetin shqisor, përmes syrit). Në këto kushte, ti nuk mundej ta përceptoje dot mjedisin e jashtëm, i cili ndryshonte çdo ditë në Kosovë. Kjo mangësi bënte që ti nuk mund të reagoje në mënyrën e duhur. Mirëpo, ndijimi është hapi i parë në procesin e përceptimit. Kështu që pa atë, truri i juaj vetëstimulohej, pasi i mungonte informacioni i domosdoshëm ndijor i larmishëm. Kështu që ti, studimin e përceptimit e bazoje në atë që përjetoje vetëm dhe vetëm përmes lajmeve që të vinin nga telefoni. Kjo ka bërë që ti t’i lije mënjanë veprimtaritë (ngacmimet) e tjera që ndodhnin në Kosovë. Si rjedhojë, ti natyrisht që do t’i besoje vetëm teorisë së Athony Giddens. Dhe prej kësaj rridhte ajo që vëmëndja juaj seleksionuese përcaktohej vetëm nga çfarë u tregonin dhe si ua tregonin. Mirëpo, fakti se si ti Xhavit e përceptoje luftën që zhvillohej në Kosovë, bindjet e tua për suksesin apo mossuksesin e UÇK-së, vareshin vetëm nga çfarë dëgjoje për luftën tonë guerile. Mirëpo, bazuar në ato çfarë ke thënë përmes intervistave, del se njohuritë e tua në këtë fushë janë baraz me zero, pasi edhe përvojë të mëhershme nuk ke patur, qoftë edhe vetëm teorikisht.
Teoria juaj e dyzimit, e cila s’është gjë tjetër, veçse teoria e kalimit të emocioneve nga një emocion (bindje) tek i kundërti i tij, tregon se kur ke përjetuar një emocion, emocioni i kundërt me të, të është ndrydhur, nuk të është aktivizuar. Në këto kushte, natyrisht që ju do të bënit përpjekjen për të lidhur gjëndjen emocionale me motivimin tuaj, ngaqë ishit të angazhuar në atë luftë, dhe që motive juaj ishte marrja me çdo kusht e pushtetit.
Këta lloj njerëzish, na mëson psikologjia ushtarake, quhen njerëz të jashtëm, të cilët e presin shpërblimin nga fati ose nga njerëz të tjerë, të jashtëm. Si rjedhojë, këta lloj njerëzish janë gjithmonë të stresuar, të dyzuar, të frikësuar, të cilët e ndryshojnë sjelljen me qëllim që të mbrojnë pozitat e veta, duke bërë sforcimin më të madh, për t’u treguar se gjoja janë të qetë. Këtë aftësi ua jep zgjuarsia e tyre djallëzore. Si të tillë, këta lloj njerëzish i përshtaten çdo lloj situate, duke përmirësuar dhe arritur qëllimet e tyre.
Ju, përderisa e pranoni në mënyrë të ndërgjegjëshme këtë lloj ndjenje, (frikën e mos fitimit të luftës nga ana e jonë), tregon se juve u ka munguar ajo forcë që duhet të kenë komanduesit në luftë edhe pse nuk ishit pjesmarrës direkt në atë luftë. Gjë që tregon të vërtetën e mos shkuarjes tuaj direkt në frontet e luftës, sikundër vepruan disa prej antarëve të Kryesisë së LPK-së. Kjo e ka emërin: burracakëri.
Ju, z.Xhavit, gjatë periudhës që zhvillohej luftë, nuk guxuat të afroheshit as në kufirin e Kosovës, sepse tek ju ka mbisunduar ndjenja e frikës, jo se kini qenë i dehur, as i plagosur nga plumbat apo predhat, por ngaqë kishit humbur besimin, së pari tek Xhavit Haliti dhe pastaj tek aftësitë e popullit dhe të ushtrisë së tij. Del se trimëria jote u bazuaka vetëm tek veprimet hektakilometra larg dhe pas shpine, dhe jo tek dashuria për Atdhenë. E megjithatë ju nuk hoqët dorë nga pozicioni që u pat caktuar Kryesia e LPK, po me të vetmin ndryshim: qëndruat në hotel Rogner, në Tiranë, ngaqë gjetët mënyrën dhe e larguat vëmendjen nga ai shkak i panikut tuaj, duke u marrë me diçka tjetër të veçantë. Janë këto lloj situatash kontraditore, që kanë sjellë tek ju konflikt mendimi, duke shkaktuar frustracion.
Praktika ka treguar se kur përjetohet frustracioni, këta njerëz ose e braktisin qëllimin ose gjejnë një rrugë tjetër për ta arritur atë. Dhe në rastin tonë: ju e gjetët alternativën, rrugën tjetër, gjetët gjuhën e kompromisit me të jashtmit, për të pranuar eleminimin e UÇK-së, e cila solli puçin e Shtabit të Përgjithshë kundër Adem Demaçit. Dhe këtë ti dhe shokët e tu, e bëtë se ishit të privuar nga qëllimi për të marrë pushtetin dhe jo sikundër deklaronit, për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ndryshe nuk do të ishit të aftë të realizonit ato që po realizoni, duke ia rikthyer Kosovën përsëri Serbisë, vetëm e vetëm për të fituar çmimin Nobel të Paqes dhe për të ruajtur përfitimet tuaja të vogla. Nëse e humbisni edhe këtë, atëherë jam i bindur se ju jini të priruar nga e ardhmia e një marrëveshjeje tjetër qoftë edhe më e zezë.
Bazuar në veprimtarinë tuaj dhe në ato çka ju shprehni edhe në këtë shkrim, ju kini mendimin se, ne që shkuam në luftë duhet të kemi qenë jo normalë nga ana mendore. Dhe këtë e kini shprehur dikur. Dhe kjo, ngaqë ju, nuk mund ta merrni me mend se ku qëndron ndryshimi ynë me ty dhe kategorinë tënde. Kjo ndodh se ti nuk e di që guximi përballë rrezikut fizik është i dyllojshëm: së pari, ai mund të paraqitet si mospërfillje ndaj rrezikut, gjë që rrjedh nga natyra e personit, (dhe që ju e dëshmoni se nuk jini i kësaj natyre) dhe, së dyti, guximi mund të rrjedhë nga motive pozitive, i cili gjëndet midis njerëzve me kulturë më të lartë, gjë që edhe kjo juve u ka munguar dhe u mungon, pasi jini thjesht me një kulturë mesatare, gjë që del plotësisht e qartë përmes intervistave dhe shkrimeve tuaja. Ndërsa guximi, që zotëronte pjesa dërmuese e luftëtarëve të thjeshtë të UÇK-së dhe kuadrove të saj drejtues, (e atyre që prej sa u angazhuan në luftë e deri në fund, nuk u larguan për asnjë çast nga Kosova), ishte gërshetimi i të dy tipeve të guximit, ku ai i dyti mbizotëronte më shumë. Si të tillë, guximi për ta ishte një lloj ndjeshmërie e lartë ngaj rrezikut dhe një gatishmëri mendore për ta pritur rrezikun, se sa si një mospërfillje ndaj tij. Dhe këtë e bazojmë në faktin se 82 % e gjithë pjestarëve të UÇK-së ishin me arsim të mesëm e të lartë, përveç që shumica e atyre me arsim të mesëm vinin nga Perëndimi, ku kishin punuar dhe ishin përballur me jetën dhe jo si ju që e kini kaluar tërë kohën kafeneve të Perëndimit e të Tiranës. Lufta për Kosovën kërkonte privacione kolosale, viktima e flijime. Por ti, dhe të gjithë ata që iu shmangën asaj lufte, duke e ditur që privacionet dhe flijimet i bëjnë ata që kanë shkallë të lartë morali vetjak, dhe ata që i besojnë fuqishëm ndershmërisë dhe fisnikërisë së qëllimeve për të cilat luftojnë, natyrisht që nuk mund të angazhoheshit ngaqë e dini mirë se një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metoda makiaveliste, intriga dhe shpifjeve, që i kemi dëgjuar sa herë dhe po i lexojmë edhe këto ditë
Por edhe ata, që u jepnin informacion juve, z.Xhavit, varet se sa të zhvilluar e kanë pasur aftësinë shqisore dhe përgjegjshmërinë për t’u përshtatur drejt me situatën e UÇK-së në Kosovë, duke mos harruar që përshtatja pamore është një process shumë i ngadaltë dhe është shumë i rëndësishëm për atë që kërkon të bëjë drejtimin politik të luftës, për mbijetesën e saj. Vetëm qëndrueshmëria pamore lot rolin më të rëndësishëm, pasi vetëm ajo na ndihmon që t’i përshtatemi me sukses mjedist të luftës. Qëndrueshmëria pamore është ajo që na lejon të përqëndrohemi më shumë në tiparet e vërteta të fushës së luftë, se sa imazhet e tjera të ndryshme retinore. Sa më larg luftës të jemi, aq më të shtrëmbër do ta kemi mendimin për luftën. Kjo është e ngjashme si në rastin kur jemi duke parë filmin nga cepi më i largët skajor i sallës së kinemasë. Por edhe ata që janë në vijën e parë të frontit e pësojnë njësoj si ata që janë ngjitur, poshtë ekranit të kinemasë, pasi edhe ata i shohin të shtrembëruara figurat. Mesa dimë, informimet Xhaviti i ka marrë kryesisht nga ata persona që kanë qenë larg veprimeve luftarake në Kosovë. Kështu që, kushdo që ia ka sjellë informacionin Xhavit Halitit, ia ka sjellë të deformuar.
Duke qenë se Xhavit Halitit i kanë munguar informacinet e padeformuara të luftës që zhvillohej në Kosovë, si dhe i ka munguar edhe përshtatja e tij shqisore për atë luftë, ai nuk mundej ta përceptonte drejt nivelin e luftës sonë. Kjo është edhe një nga arsyet kryesore që ai ka dyshuar dhe ende është i dyzuar e del në përfundimin se lufta e jonë ishte thjesht një lloj sinjali për NATO-n.
Gjithashtu, duke qenë se Xhavit Halitit i ka munguar edhe përceptimi ndijor, detyrohej të bazohej vetëm në informacionin e ardhur, duke mos u prezantuar me asnjë ngacmues pamor, dhe në këto raste prova është gjithmonë një iluzion, një përceptim i pasaktë, një alarm i gënjeshtërt, një informacion i deformuar, ndaj dhe Xhavit Haliti e mohonte dhe e mohon fitoren tonë të mundshme të luftës, ndaj dhe ka qenë e është i dyzuar, sikundër e pranon ndershmërisht, pa e kuptuar që me këtë pohim, ai mohon sakrificat dhe besimin që ne kishim në fitore.
Edhe ne që shkuam në Kosovë vullnetarë, kur u nisëm e kishim jo plotësisht të saktë përceptimin për luftën e atjeshme, pasi e kishim kryesisht prej “Zëri i Kosovës”, pasi edhe ajo gazetë e shihte “filmin” UÇK nga një cep i largët i sallës së “kinemasë” Kosovë. Kjo ndoshta na bëri euforikë. Një pjesë të informacionit e kishim edhe nga kontaktet me ish luftëtarë të ardhur në Shqipërna. Por edhe këta na jipnin imazhet të afërta që ata kishin parasysh, duke qenë shumë afër “ekranit”. Kur ne shkuam atje, në zonën e hapur të Kosovës, ku përceptimin pamor e kishim të plotë në çdo çast dhe informacionin filluam ta merrnim nga shumë burime dhe shumë të shpeshtë, gradualisht e përpunuam plotësisht përceptimin dhe krijuam bindjen dhe besimin në fitoren tonë, duke mos patur më pas as edhe një lloj dyzimi. Kjo erdhi ngaqë e përceptuam pamjen të plotë dhe jo thjeshtë të pjesshme si zoti Xhavit Haliti. Nëse edhe ne do të kishim atë besim të Xhavitit, besimin e dyshimtë (të dyzuar), edhe ne do të ishim larguar si Xhaviti dhe si shumë “gjeneralë” të tjerë nga lufta dhe do të kishim ardhur edhe ne në Tiranë.
Xhavit Halitit i ka pëlqyer që të mbante të pandryshueshëm atë mendim dhe atë mundësi për UÇK-në, pasi ai, sikundër shihet, ka qenë gjithmonë i motivuar për ndihmën e të huajve, sepse po ta fitonte UÇK-ja e vetme luftën, ai nuk mund të delte në krye të fitores, pasi do t’i thoshnin: “Ku ishe zotrote, Xhavit efendi, kur ne luftonim për liri?”. Ndaj dhe ai lloj infrormacioni, edhe pse ishte i deformuar, ishte i mjaftueshëm për zotin Xhavit. Ndaj dhe ai dhe shokët e tij pranuan që të shkonin në Rambuje, me kushtin që të mos kishte më UÇK, prandaj ndodhi edhe ndarja me Adem Demaçin. Demaçi ishte i vetmi politikan i UÇK-së që e kish të plotë përceptimin e asaj lufte. Atë përceptim e kish edhe z. Jakup, por nuk është vendi ta shpjegojmë se pse ai e ndryshoi mendimin disa orë pasi kish deklaruar në media të kundërtën.
Kohët e fundit disa psikologë kanë studjuar se ata njerëz që kanë frikë nga suksesi i mundshëm, kanë prirjen të jenë të sukseshëm në shoqëritë e larta të të huajve me ndikim. Kjo ngaqë të tillë burra druajnë t’i dalin përpara rrezikut për atdhe. Njerëz të tillë, por të etur për pushtet, kanë vështirësi për të krijuar marrëdhënie të afërta me luftëtarët e thjeshtë, ngaqë përpiqen ta kontrollojnë marrëdhënien për të mos u dalë në shesh kallaji dhe frikërat.
“Suksesi në luftim është qëllimi, për të cilin të gjithë kanë hyrë në shërbim… Për të përballuar kushtet e betejës ushtarët duhet të frymëzohen me shpirtin e çështjes së tyre. Ata duhet të besojnë në të dhe ta duan me çdo qelizë të qënies së tyre. Kjo nuk është diçka që mund të shtihet ndër mend pak nga pak, por diçka që i ka rrënjët në idetë dhe aspiratat kombëtare… Në çdo rast, çdo njeri duhet ta ndjejë që kur hyn në betejë, se ai po lufton për një çështje që, nëse nevoitet, ia vlen të bëjë sakrificën supreme”, thuhet, zoti Xhavit, në tekstin e “Pedagogjisë Ushtarake” të autorëve amerikanë: Pennington, Romeyn, Hought dhe H.W. Case, (1993, f.231-232). Besoj se nuk kini kundërshtim, apo jo?
————
*) Thënie e N. Bonopartit

– Autori i këtij reagimi, është ushtarak nga Tirana, ishte pjesëmarrës aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – i njohur me pseudonimin Shpëtim Golemi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura