Durrës, 11 tetor 2017: Unë nuk jam dhe nuk mund të jem kurrë kundër një Evrope të përparuar dhe të përparueshme, progresive. Por, këto dukuri që po i shohim, dëgjojmë dhe për të cilat, si njerëz të kthjellët, po arsyetojmë, nuk na e japin kurrsesi pamjen, imazhin e një Evrope siç e dëshirojmë ne e siç duhet ta kemi.
Po filloj nga ngjarja e fundit, më mirë të themi nga thagma më e fundit. Katalonja bëri referendumin dhe po kërkon të jetë shtet i pavarur. Nga Brukseli u lëshua menjëherë kanosja: Katalonja, nëse shpallet shtet i pavarur, nuk mund të jetë automatikisht anëtare e BE-së. Ne njohim si të tillë vetëm Spanjën.
Sapo lexohet kjo ftillesë e palogjikshme, njeriu me logjikë i bën këto pyetje:
Pse, a vetëm Spanjën paskeni pranuar ju në BE, pa Katalonjën?
A s’paska qenë deri tash edhe Katalonja anëtare e BE-së?!
Apo mos po bën krim që po kërkon të jetë shet më vete dhe ju po e ndëshkoni?!
Një bashkim shtetesh që s’pushon së foluri ditë e natë për “të drejtat e njeriut”! Një trumbetues për “liri e pavarësi”! Një organizëm që na mburret me “zgjedhje të lira” e “të ndershme” dhe që s’pushon së deleguari “OSBE-ODIHR-e” e komisione “vëzhguese” për zgjedhjet! Si mundet që, një e tillë Evropë, të mohojë të drejtën e një kombi për t’u vetëqeverisur?!
Ka frikë nga “reaksioni zinxhir”! Epo, le të ndodhin “reaksionet zinxhir”! Të atillë “reaksione zinxhir” s’i sjellin tjetër Evropës, veçse të mira. Le t’u jepet baskëvet e drfejta për të pasur shtetin e vet! Le t’u jepet edhe veriirlandezëvet e drejta njerëzore për t’u bashkuar me shtetin ekzistues irlandez! Le të ndahet, nëse dëshiron, edhe Korsika! Le të mvehtësohet, po të dojë, edhe Vojvodina! …Ç’të keqe ka, kur vëllezërit e një familjeje ndahen dhe krijojnë secili familje më vete?!
Por Evropa, në thellbin e saj, nuk është demokratike! Politikëkurdisësit e saj mbrojnë interesat e plutokracisë! Po të ish demokratike, ajo duhej t’i kish thënë Spanjës me kohë: Jepja Katalonjës të drejtat që kërkon, sepse i takojnë! BE-ja duhej t’i kish thënë me kohë Mretërisë së Bashkuar: Lëri skocezët ta bëjnë historinë e vet siç duan vetë! Por nëpunësit e BE-së, rrogëmarrës nga djersa e popujvet dhe shërbëtorë të sunduesvet të popujvet, janë zhytur në burokraci dhe dihet që një kastë burokratësh s’bën punë më të mira se sa një tufë minjsh në një magazinë.
Ngjarjen e dytë e kemi këtu në Gadishullin e Ilirisë. Bullgaria, anëtare me të drejta të plota në BE, i kërkoi qeverisë shqiptare që të njihte ekzistencën edhe të etnitetit bullgar në Republikën e Shqipërisë. Kërkon kështu, ky shtet i BE-së, të kapërcejë përsipër Maqedonisë! Nuk e ka zgjidhur ende me sllavët e IRJM-së, nëse ata duhet të quhen maqedonë apo bullgarë, dhe kërkon t’i zgjatë këmbët dhe duart edhe mbi „Shqipërinë Londrase“. Bullgaria, anëtare e BE-së, ka disa vjet që, me rrugë falsifikimi, u jep shtetasvet të Republikës së Shqipërisë shtetësi bullgare. Shfrytëzon qenien e vet në BE e mosqenien e Republikës së Shqipërisë në BE. A e kupton Brukseli që kjo Bullgari, anëtare e BE-së, po kërkon kështu të rikthejë, sa të jetë e mundur, kohën e carëvet mesjetarë të një Bullgarie mesjetare, prej kohësh të harruar?! Ç’punë tjetër bëjnë politikanët burokratë të BE-së, pëveçse marrin rrogat që u jep BE-ja?! Pse nuk i tha zonja R. Vlahutin ambasadorit bullgar: Nuk ka kombësi bullgare në Republikën e Shqipërisë!? Bullgaria bën falsifikime sheshit, u jep pasaporta bullgare shqiptarëvet (Se e preu barku që shqiptarët nuk po shkokan dot në Angli!) dhe përgatit trazira: Sot kërkon pakicë kombëtare bullgare në Republikën e Shqipërisë, nesër kërkon tokë! Por zonja R.Vlahutin nuk do të jetë gjithmonë këtu dhe asaj aq i bën ç’do të ndodhë më vonë.
Ngjarja e tretë është ajo, që Greqia, anëtare prej kohësh e BE-së „demokratike“ kërkon të kontrollojë deri edhe tekstet shkollorë të historisë në Republikën e Shqipërisë. (Sado që tekstet tanë nuk e kanë traditë t’i shtrembërojnë të vërtetat në lidhje me fqinjët.)
Shetevet që nuk janë ende, por shpresojnë, ndoshta kot, për t’u bërë dikur anëtarë të BE-së, u kërkohet të respektojnë pikë për pikë të drejtat e pakicavet, edhe atje ku s’ka pakica, u kërkojnë të respektojnë „të drejtat“ e LGTB-vet, edhe atje ku njerëzit nuk duan të bëhen të tillë, kurse Greqisë, e cila i shkel në mënyrë SHOVINISTE të gjitha të drejtat e shtetasvet të vet, arvanitë, shqiptarë të Çamërisë, shqiptarë të Janinës, të Konicës, Kosturit, Follorinës, BE-ja nuk i thotë asgjë.
Tekstet shkollorë të Greqisë, Çamërinë, Janinën, Konicën, Kosturin, Follorinën, nuk i quajnë toka shqiptare dhe BE-ja nuk u thotë grekëvet asgjë. Në pasaportat dhe në të gjithë regjistrimet e tjerë, arvanitët dhe shqiptarët regjistrohen grekë, shkolla shqipe për arvanitët e shqiptarët Greqia nuk ka hapur kurrë dhe zyrtarët e atij shteti, tërësisht të pamoralshëm, tërësisht antievropianë, guxojnë dhe u përmendin shqiptarëvet tekstet shkollorë!
Jo vetëm kaq, por kërkojnë edhe që shteti ynë t‘u njohë statusin e kombit grek të gjithë banorëvet që mund të jenë regjistruar grekë pa qenë kurrë grekë. Madje edhe duke qenë myslimanë ose katolikë, ose edhe ortodoksë shqiptarë, të shtyrë nga rrethanat, për të mos u parë si dele të zeza nëpër Greqi, shumë nga mërgimtarët tanë janë ragjistruar si grekë. Mirëpo, greku, anëtar i BE-së nuk do t’ia dijë fare ç‘është njeriu. Greku, anëtar i BE-së i bën letrat refugjatit shqiptar duke ia falsifikuar të gjitha të dhënat, në mënyrë që pastaj ta kërcënojë qeverinë e Tiranës me veto kundër anëtarësimit në BE.
Kërkon edhe të ndërhyjë në planet urbanistikë të shtetit shqiptar dhe prapë kërcënon: S’ke për të hyrë në BE, po nuk zbatove (për shembull në Himarë) atë plan urbanistik që dua unë, Greqia!
Ky është Bashkimi i sotëm Evropian! Lakuriq dhe i përçudnuar! A do të arrijmë ndonjëherë të kemi një Evropë mirëfilli progresiste?!
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: MENDËSIA NDJELLAKEQE NDAJ MARGATËS SONË!
Pashtriku, 15 tetor 2020: (Reagimi është bërë më 14 tetor 2019) – “Kokëfortësia në mendime ashtu si gjaknxehtësia…
XHEVAT BISLIMI: MIQTË PO NA KËRKOJNË TA PIMË GOTËN E HELMIT PËR HATRIN E TYRE!
Viti, 03. 07. 2015 – Keta miqte tane o na duan shume-shume, o na kane zgjedhur per flijim…
ENIS VELIU: NGULFATJA E BIZNESEVE TË VOGLA – SHTETI DREJT KOLAPSIT!!!
Prishtinë, 03. 07. 2014 – Mbyllja e bizneseve të vogla, rritja e papunësisë, si dhe rënia e fuqisë…
ING.AHMET ҪOLLAKU: NAFTA NEKROLOGJI E FUNDIT
Tiranë, 12. 11. 2016: (Në kujtim të gjeologut Prof. Dr. Engjëll Prrenjasi) – Nuk ka rëndësi ku dhe…