DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE

Tiranë, 20 Prill 2020: “Të gabosh është njerëzore, por të ngulësh këmbë në gabim është djallëzore.” – Latine
ANALIZAT e ngjarjeve historike kanë për objekt studimi veprimet e njerëzve, sidomos vullnetin e atyre që zenë vendin më të rëndësishëm në atë ngjarje. Edhe cikli i librit “Lufta e Kosharës” ka për objekt studimi dinamikën e një lufte disa mujore, prill‐qershor 1999. Kjo luftë është zhvilluar në një pjesë të brezit kufitar Kosovë – Shqipëri, në drejtimin e përgjithshëm Tropojë – Gjakovë, midis një njësie taktike (brigadë) luftarake e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kundër një pjese të Ushtrisë Serbe në Kosovë. Kjo ngjarje historike është bërë e njohur me emërtimin “Beteja e Koshares”.

Analiza e kësaj “beteje” përqëndrohet kryesisht në veprimtarinë e Komandës dhe të Shtabit të kësaj njësie taktike të UÇK-së, e formuar me vullnetarë të ardhur nga radhët e emigracionit dhe diaspora shqiptare. Njësia taktike e UÇK-së fillimisht ka qenë e emërtuar: Grupi i Tretë Operativ (GO-3), por më pas ka marrë emërtimin zyrtar: Br.138 “Agim Ramadani”.
Lufta dymujore e Koshares dhe pasojat e saja – (rënia e 114 dëshmorëve dhe gjymtimi i mbi 350 luftëtarëve të tjerë), – është një prej ngjarjeve më të veçanta të historisë së luftës çlirimtare në Kosovë, 1997-1999. Kjo veçanti qëndron në faktin se, edhe pse ajo njësi takike e UÇK-së nuk mundi ta realizonte detyrën luftarake të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, megjithatë është shpallur nga Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi, si formacioni luftarak më i lavdishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kuadri i saj komandues kanë 20 vjet që mburren duke thënë: “Ne kemi fituar betejën më vendimtare të Luftës për Çlirimin e Kosovës”. Dhe kjo u bë e besueshme për masën e gjerë të populli në Kosovë, pasi dihet që legjendat popullore nuk bazohen në vlerësime të sakta dhe studime shkencore. Madje mediat kanë krijuar një iluzion, sipas të cilit “Beteja e Koshares” paraqitet si një përpjekje heroike që i solli Kosovës fioren vendimtare.
Ngjashëm lëvdohen edhe kuadrot drejtuese të palës kundërshtare, pala serbe, të cilët kanë përgatitur dhe e kanë bërë publik një film dokumentar me metrazh bukur të gjatë.

Janë këto gjykime të marrëzishme që më nxitën të qartësoj jo vetëm se cila është pala fituese e atyre luftimeve, por edhe cili është qëllimi i asaj mburrjeje jo dinjitoze. Në këtë analizë të gjatë, që po i paraqes lexuesit përmes këtij libri, më rezulton se të drejtën për t’u mburrur si fitues, për fatin tonë të keq, e ka pala kundërshtare, të cilën e tregoi rezultati përfundimtar. “Fundi është ai që kurorëzon veprën”, thotë Virgjili.
Të shtrembërosh të vërtetën e asaj “fitoreje”, sikundër veprohet nga ana e shumë kuadrove të GO-3, me të vetmin qëllim për t’ia përshtatur dëshirave të udhëheqjes së kësaj njësie taktike, duke e trumbetuar madje dhe me të madhe, se “Betejën e Koshares” e fituan forcat tona, kjo është e papranueshme edhe thjesht për faktin, se është jo vetëm një luftim i humbur nga ana e jonë, por edhe me pasoja të mëdha.
Të bëhej fjalë se kishim të bënim me një ndeshje që nuk ka zgjatur shumë gjatë asaj lufte dy-vjeçare në Kosovë, e ku të kishin marrë pjesë një numër i vogël forcash e me humbje të pakta, ne edhe mund ta quanim këtë ngjarje si një përjashtim. Por ajo ngjarje disa mujore u zhvillua para syve tanë, duke u ndjekur me interes të jashtëzakonshëm jo nga dita në ditë, por nga ora në orë, ngaqë ishte në lojë jo vetëm jeta e disa mijëra njerëzve pjesmarrrës në të, por edhe fati i asaj ushtrie çlirimtare (UÇK-së) dhe i luftës së saj. Njëkohësishtë, përmes kësaj analize të gjatë, duke hulumtuar sa më shumë dëshmitarë të ndryshëm, jam munduar të nxjerr në pah të vërtetat rreth asaj lufte dymujore si dhe ta demantoj edhe qëllimin djallëzor të kësaj propagande me një ogur të zi, qëllimi i së cilës është: të lihet gradualisht në hije, mundësishtë të eklipsohet plotësishtë ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe gjithë lufta e zhvilluar prej saj.
Të thuash se “Betejën e Koshares” nuk e fituam, nuk është turp, pasi për këdo që lufton, humbja nuk është turp. Jo çdo betejë fitohet. Por edhe sikur të ishte fitore, ngaqë ato forca depërtuan 3-5 km në thellësi të Kosovës, duke u lëvduar së tepërmi, i kaluan kufitjtë e saj, kur dihet që ajo nuk u shtri në një vepër jetëgjatë, siç do të ishte hapja e korridorit. Ndaj dhe është një lavdi shterpë. Por më e keqja është se duan ta nxjerrin si fitoren e vetme të luftës së UÇK-së!
Të njëjtin mohim të kontributit të UÇK-së bëjnë edhe profiterët e asaj lufte çlirimtare, por me pak ndryshim, duke thënë se Kosovën e çliroi veç NATO-ja, pa e përmendur fare UÇK-në. Këtë e dëgjuam edhe nga një anëtar i rëndësishëm i ish-Drejtorisë Politike të UÇK-së ai dhe ish-Shefi i Kundërzbulimit të saj, z.Kadri Veseli, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në prezencë të ish-Presidentit Klinton, në Prishtinë, i cili na befasoi kur tha: “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar, prindërit e pashpresë dhe të tmerruar; nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Shpëtuat një popull të tërë nga gjenocidi.”; kur vetë Presidenti Klinton në 23 maj 1999 pat thënë se është UÇK-ja ajo që me ofensivat e saj i nxjerr forcat serbe nga skutat ku fshihen për t’u goditur nga forcat ajrore të NATO-s. (Bill Klinton “Ne luftën, ju paqen”,Tiranë, 2000, f. 82). Që do të thotë, se pa UÇK-në nuk do të qe shpëtuar ky popull nga genocidi.
Të mos na vijë keq, por këto dy dekada është vërtetuar se imazhi i UÇK-së është dëmtuar më së tepërmi nga vetë shqiptarët! Dhe për këtë nuk kanë reshtur as simpoziumet farsë; as akademitë komarative,; as përkujtimi i përvitshëm i asaj “beteje’ në vendin e ngjarjes pothuajse 20 vite rresht; as botimi i shumë librave, analizave dhe shkrimeve të një numuri të jashtëzakonshëm gjatë këtyre dy dekadave etj, etj, ku në shumicën e rasteve UÇK-ja ose lihet në plan të dytë, ose nuk përmendet fare, kur dihet se faktori i brendshëm është faktori kryesor. Nuk thuhet më kot, se mediat janë krahu i djathtë i anarkisë. Gjithë këto veprimtari mediatike nga kjo kategori mohuesish dhe përkahësit e tjerë mediatikë e politikë, duke filluar menjëherë pasi mbaroi lufta, kësaj fryme i kanë bërë jehonë. Edhe anullimi i simpoziumit për Luftën Çlirimtare të Kosovës, planifikuar për në 23 Nëntorin 1999 dhe mos organizmi i tij për 20 vite rresht, të ndihmuar edhe nga UNMIK-u e EULEX-si, kanë treguar dhe tregojnë se ka një prapavijë edhe më të dëmshme: kthimin e Ibrahim Rugovës në fronin e presidentit, duke e paraqitur atë si figura e vetme kryesore politike e ushtarake për çlirimin e Kosovës; dhe, së dyti, denoncimin e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovs si ushtri terroriste. Qëllimi i parë është realizuar tërësishtë në të gjitha aspektet; qëllimi i dytë është në proçes. Pas bombardimit propagandistik kundër saj, tash e kanë paditur në Gjykatën Ndërkombëtare, që unë do ta quaja Gjykata që ka për ta damkosur UÇK-në me turp, si ushtri terroriste. Asaj propagande i kanë dhënë një ndihmë të madhe edhe ish-kuadrot drejtuese kryesore të saj, politikë e ushtarakë, me një përjashtim shumë të pakët, të cilët, me degjenerimin e tyre moral e politik, jo vetëm që e privatizuan atë luftë por kanë privatizuar edhe pasuritë kombëtare të Kosovës.
Gjithkush që ka dy pare mend pyet: Mos vallë gjithë kjo propagandë ka për qëllim të rivendosin të drejtat dhe privilegjet e klasës politike të dikurshme, si dhe të largojnë nga Kosova atdhetarët duke u munduar të gjenden forma që Kosovën t’ia rikthejnë Serbisë? Jeta ka vërtetuar se gjithçka që flitet nuk është pa gjë.
Por na ngushëllon fakti se kjo tendencë antikombëtare ka gjasa të mos realizohet ngaqë bie ndesh me dëshirën mbarë popullore dhe se ekziston vetëm në interesin e disa familjeve të LKJ së dikurshme për Kosovën, por edhe të disa familjeve prej drejtuesve kryesorë të UCK-së.
Ndoshta gabohem, por këto qëllime i vërteton edhe vetë fakti i dekorimit nga Presidenti Hashim Thaçi, ish-Drejtori Politik i UÇK-së, të formacionit që zhvilloi “Betejën e Koshares” me motivacionin: “Një ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, i cili deri sot nuk ka dekoruar asnjë formacion tjetër të UÒªK-së. Në politikë, ka thënë dikur Presidenti Ruzvelt, asgjë nuk ndodh kurrë rastësishtë.
***
Natyrisht që gjithkush don me ditë se kur dhe ku është zhvilluar kjo “Betejë e Koshares”; cilat kanë qenë këto forca që zhvilluan këtë betejë; në një moment të caktuar të luftës a bënte pjesë kjo betejë në strategjinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; cili ka qenë misioni i kësaj beteje; kush e ka planizuar këtë betejë; si është zhvilluar dhe cili ka qenë realizimi i kësaj beteje; çfarë përfitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare në tërësi nga kjo betejë etj, etj.
Të gjitha këtyre pyetjeve jemi munduar t’u japim përgjigje përmes këtij libri, në një kënd vështrimi analitik ushtarak.
Po, me të drejtë dikush mund të pyesë, se pse u dashka ta analizojmë “Betejën e Koshares” pas 20 vjetësh, dhe nuk është reaguar kur vetë komandanti dhe shtabi i forcave që kanë drejtuar “Betejën e Koshares” kanë organizuar një “simpozium shkencor” menjëherë pas 9 muaj si kishte përfunduar lufta në Kosovë?
Së pari, duhet bërë e qartë se simpoziumi shkencor i mbajtur më 9 prill 2000, në qytetin e Gjakovës, nga udhëheqja e atij formaconi luftarak që pat zhvilluar “Betejën e Koshares”, është organizuar duke u kufizuar vetëm te kuadrot që morën pjesë në atë “betejë”, pa bërë thirrje publike ose ftesa për ne ushtarakët dhe politikanët që kemi qenë në kontakt të përditshëm me Luftën në Koshare, as historianë e studjues ushtarakë, me përjashtim të ish-Komandantit të Zonës III Operative “Dukagjini” të UÇK-së, gjeneral Ramush Haradinaj, dhe ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Agim Çeku, të cilët në ato ditë që të dy ishin komandant dhe shef shtabi të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Por nga këta të dy vetëm Ramush Haradinaj ka qenë i njohur me organizimin dhe qëllimin e asaj “beteje”, ndërsa gjeneral Agim Çeku ende nuk ishte angazhuar në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur filluan luftimet në Koshare. Kështu që, ai simpozium është organizuar si një lloj simpoziumi lokal, pothuajse si gjysëm ilegal.
Me sa kuptohet ata kanë pas qëllim që fillimisht të tatohej pulsi i masës së madhe të UÇK-së dhe, në rast se nuk do të kishte reagime, të fillonin nga propaganda glorioze për atë “betejë”, sikundër edhe jemi dëshmitarë gjatë gjithë këtyre 20 viteve të pasluftës. Bazuar në atë çfarë është bërë tashmë publike, ata e kanë trajtuar “Betejën e Koshares” si një rast i veçantë në historinë e gjithë luftrave dhe kryengritjeve në Kosovë dhe jo vetëm të UÇK-së, duke përdorur slloganin: “vetëm profesionistët mund ta drejtojnë luftën sikundër drejtuan me sukses Betejën e Koshares”. Ky është një trillim, për të cilin lexuesi do të marrë informacion të gjerë në këtë libër.
Po cilët janë organizatorët dhe drejtuesit e “Betejës së Koshares”?
“Betejën e Koshares” e kanë përgatitur dhe drejtuar një grup oficerash profesionistë ushtarakë shqiptarë të shkolluar nëpër akademitë e ndryshme ushtarake të ish-Jugosllavisë. Shumica e tyre kanë qenë të angazhuar 2-3 muaj në luftën për çlirimin e Kosovës, në periudhën qershor-gusht 1998, në Zonën e Dukagjinit. Pothuajse të gjithë ata janë me vendlindje prej trevës së Dukagjinit, dhe në javën e parë të shtatorit 1998 u larguan nga Kosova, për mos të thënë dezertuan nga lufta, duke ia dozuar armatimin ushtrisë serbe, (gjë që pasqyrohet edhe në këtë libër), dhe shkuan në shtetin amë, Shqipëri, së bashku me një pjesë të efekivit të Br.131 dhe 134 të asaj zone operative.
Dhe ajo çka është edhe më interesante, ata largimin nga Kosova e justifikojnë me një lloj absurditeti që vetëm ata mund ta besojnë. Ata thonë se Kosova nuk mund të çlirohej nga ngritja në luftë e gjithë popullit, duke krijuar ushtrinë e vet çlirimtare, dhe as me luftë guerile. Me këtë propagandë, të veshur me petkun e strategjisë ushtarake, ata indirekt duan t’i vinë në takim strategjisë pacifiste të Ibrahim Rugovës.
Strategjia e këtyre oficerave profesionistë ka qenë dhe është: Kosova nuk mund të çlirohet nga vetë populli i armatosur, por, vetëm duke sulmuar nga jashtë saj, me ushtri të përgatitur në Shqipëri, dhe me kushtin duke u drejtuar vetëm nga ushtarakë profesionistë.
Na rezulton se kjo lloj strategjie nuk ka qenë thjesht ide e këtij grupi oficerash, por e vetë ish-presidentit Rugova dhe Qeverisë Bukoshi, duke ia ngarkuar këtë detyrë Ministrisë së Mbrojtjes të asaj qeverie. Këtë fakt na e vërteton qartë z.Anton Çuni në intervistën e tij, më 2 maj 2019: “Kur jam paraqit për herë të parë në një objekt të Ministrisë së Mbrojtjes, në dhomën operative, ka qenë në mur një hartë,- kjo ka ndodh në fillim të korrikut 1998, – e cila ishte mbuluar me një stof. E shpalosa. Aty pashë se dikush kishte parapa një ndërhyrje strategjike që të kishte hapje të kufijve, në Qafë të Prushit, Qafë të Morinës… E kemi paraparë për një ndërhyrje.”
Këtë lloj strategjie na e pohon vetë Komandanti i GO-3 (Br.138), z.Rrustem Berisha në simpoziumin e organizuar po prej tij, më 9 prill 2000, në Gjakovë: “në situatën e pashpresë, kur popullsia e kësaj ane (brenda në Kosovë, D.G) mund të ishte tashmë jo vetëm pre e luftimeve intensive të ushtrisë serbe, por edhe e terrenit të papërshtatshëm dhe të minuar në rajonin e gjerë të Bjeshkëve të Nëmura, si kalim i vetëm i mundshëm për evakuim. Këto ishin rrethanat që edhe më shumë e lidhën motivin dhe idenë tonë për një luftë nga kufiri e deri në çlirim, tek luftëtarët, konkretisht tek ne si ushtarakë që drejtonim këtë brigadë.”( M. Çetta, “Me UCK-në në Koshare”, Instituti i Hstorisë, Prishtinë,2000,v.2, f.262
Në vjeshtën e vitit 1998 këta oficerë, të mbështetur dhe inkurajuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë Bukoshi, u riorganizuan dhe krijuan disa qendra stërvitore në veri të Shqipërisë. Por është fakt, se shumica e atyre që u stërvitën nën drejtimin e këtij kontigjenti oficerash, nuk u angazhuan asnjëherë në luftë, sikundër ishte “Brigada Mërgimi”, e dislokuar në Mamuras, dhe ata në Qerret të Kavajës, përveç kontigjentit prej 256 luftëtarë që sulmoi në 9 prill 1999 në Koshare.
Në 21 janar 1999 këto forca u grumbulluan në Qendrën Stërvitore në fshatin Babinë të Tropojës dhe më 2 prill, të gjitha njësitë u zhvendosën në fshatin Papaj, në afërsi të kufirit, ku dhe u bë furnizimi i tyre me armatim e municione për të pritur datën 9 prill 1999, kur filluan sulmin në Koshare.( M. Çetta, v.2,f.254).
Kur u angazhua NATO në luftë me aviacionin e saj, gjë që u bind edhe më skeptiku se lufta në Kosovë do të fitohej nga shqiptarët, këta oficerë dhe një pjesë e ushtarëve që luftuan bashkë me ta në 1998, vendosën që të riangazhoheshin në luftë, për të vënë në jetë strategjinë e shprehur më lartë: të çlironin Kosovën duke sulmuar nga territori i Shqipërisë. Kjo kërkesë e tyre, për sulm në Koshare, u miratua edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohëshme e Kosovës si dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Gjithashtu u miratua edhe drejtimi që ata kishin zgjedhur për të sulmuar, rajoni i Koshares. Kjo nismë e tyre u mirëprit jashtëzakonisht nga SHP, pasi UÇK-ja kishte shumë nevojë për armë, municione dhe materiale të tjera për luftën si dhe për popullin që i ishte bashkangjitur formacioneve të UÇK-së.
Detyra e dhënë këtyre forcave nga SHP ishte: “Hapja e korridorit të funizimit në drejtimin Padesh-Nivokaz, si drejtimi më i shkurtër. Detyra e afërt ishte: dalja në bregun jugor të lumit Erenik, (me thëllësi 5-6 km,); detyra e largët: lumi Drini i Bardhë.
Si rrjedhojë, SHP i UÇK-së e fuqizoi këtë forcë luftarake gradualisht, (duke dërguar vijimisht kompani dhe batalione prej ditës së parë të atij sulmi, si dhe armatim e municione), me mbi 2.000 luftëtarë. Këta ishin vullnetarë të ardhur nga diaspora si dhe nga gjithë trojet shqiptare e që stërviteshin në Qendrat Stërvitore në Shqipëri. Përgatitjen dhe organizimin e tyre e bënte Ministria e Mbrojtjes e QPK në bashkëpnim me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe SHP të Ushtrisë Shqiptare. Këto qendra ishin ngritur në Feken (Mali me Gropa), Helshan (Krumë) dhe në qytetin e Burrelit. Vullnetarët, të cilët vinin përmes portit të Durrësit, fillimisht grumbulloheshin në qendrën “Drenica”, në Durrës.
Forcat nismëtare të “Betejës së Koshares”, që nuk ishin më shumë se 256 vetë, qenë emërtuar nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi “Grupi i Tretë Operativ” (GO-3). Por, SHP i UÇK, pasi ky formacion u pagëzua me luftën, e emërtoi Brigada 138 e UÇK-së, duke e kaluar në vartësi të Zonës III Operative “Dukagjini”. Pas një muaji u pagëzuau edhe me emërin e ish-shefit të saj të shtabit, Agim Ramadani, i cili vritet pas 48 orësh si pat filluar Lufta në Koshare.
Çuditërisht, menjëherë sa vritet shefi i shtabit i këtij formacioni luftarak, komandanti dhe shtabi i “Grupi i Tretë Operativ” (GO-3), sikundër shpjegohet edhe në këtë libër, e ndërpresin mësymjen dhe kalojnë në mbrojtje. Këtë vendim ata e marrin pa marrë miratim prej SHP të UÇK-së. Dhe menjëherë filluan me organizimin e mbrojtjes, duke krijuar një front mbrojtjeje me gjerësi 15 km, në një thellësi 2-5 km, brenda kufirit politik të Kosovës. Ky formacion luftoi në mbrojtje, në këtë brez kufitar 65 ditë të tjera, derisa u futën forcat e NATO-s (KFOR-i) në Kosovë.
Me të drejtë dikush nga lexuesit edhe mund të indinjohet e mund të pyesë se pse është ndërmarrë me kaq vonesë nga ana e ime kjo analizë për të ashtuquajturën “Betejën e Koshares”?
Edhe kjo ka historinë e vetë.
Ditët e para të muajit tetor 2018 më telefonon Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Shqipërinë, z.Sokol Poga, dhe më fton, duke më thënë: “A pranoni të merrni pjesë në një emision televiziv, TV Dukagjini, i cili ka një rubrikë të veçantë të tij, të emërtuar “Debat Plus”, e ka për qëllim të intervistoi edhe ish-ushtarakë nga Shqipëri, që kanë qenë të angazhuar me luftimet e zhvilluara në Koshare dhe në mal të Pashtrikut”? Pranova. U intervistova edhe unë. Intervista u zhvillua në ambientet e një hoteli turistik në Durrës dhe është transmetuar pas 7-8 ditësh, më 10 tetor 2018.
Midis të tjerave, kur u pyeta për Betejën e Koshares, unë thashë: “Të mburren ata që luftuan në Pashtrik, deri diku kanë të drejtë. Por të mburren ata në Koshare, nuk kanë të drejtë. Pse s’kanë të drejtë? Ata luftuan 63 ditë. Kishin furnizime të bollshme në të gjitha llojet e armëve e shërbimeve. Dhe të luftosh 63 ditë, e të mos hapësh dot korridorin…?! Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan. Por detyrën nuk e kryen. Dhe mua më ka bërë përshtypje, ngaqë kam dëgjuar shpesh herë në mediat tuaja, në Prishtinë, ku thuhet se: beteja më e madhe, nderi më i madh është “Beteja e Koshares”. Dhe dikush thotë: Ja, shikoni, edhe Serbia i ka vënë një rruge në Beograd emërtimin “Beteja e Koshares”. Tashti, kush ka të drejtë të mburret? Ka të drejtë Serbia, sepse ne nuk e realizuam dot detyrën; ajo na bllokoi. Kështu që, ne s’kemi pse mburremi me një “betejë” që s’e fituam… Por, me sa shoh unë, ju në Kosovë jeni infektuar nga Serbia, festoni humbjet?!… Nëse Kosova do të kishte shtet të rregullt, komanda dhe shtabi i kësaj brigade duhej t’i jepej gjyqit ushtarak, për mos zbatim urdhëri dhe detyre luftarake…”
Menjëherë pas transmetimit të asaj interviste filluan shkrimet dhe komentet fyese nga shumë pjestarë të “Betejës së Koshares”. “Kritikat” e tyre fyese ishin pa asnjë lloj argumenti që të mund të rrëzonin me fakte këtë deklaratë time. Që lexuesi të ketë mundësinë të njihet me ato “kritika”, ato ia kemi bashkangjitur këtij libri, si pjesë e veçantë e tij. Bazuar në përmbajtjen e atyre “kritikave”, thënë më saktë: fyerje, mund të them pa ndrojtje: nëse nuk janë injorantë në njohjen e artit të luftës, duhet të jenë shejtanë.
Unë, përmes kësaj analize, i dënoj rëndë ata komandues ushtarakë profesionistë të GO-3, për mos realizimin e asaj detyre, për disa arsye:
1- Luftimi në Koshare është një luftim që është zhvilluar në një terren të njohur shumë mirë prej të gjithë oficerave të këtij formacioni luftarak;
2- Është një terren dhe drejtim i zgjedhur po prej tyre dhe jo i rekomanduar nga dikush tjetër;
3- Është një terren i hetuar regullisht 5-6 muaj më herët po prej tyre, dhe intensivisht 40 ditë resht para sulmit;
4- Është një terren i studjuar prej tyre me imtësi me syrin e oficerave profesionistë dhe me përvojë lufte dhe jo të turistit;
5- Studimi perj tyre i atij drejtimi për 5-6 muaj rresht është bërë me qëllim që të familjarizoheshin me të gjitha përparësitë dhe rreziqet e mundëshme;
6- Përmes këtij studimi të hollësishëm patjetër që atyre duhet t’u kenë shkuar ndër mendje të gjitha kundërshtimet dhe mënyrat e mundshme mbrojtëse që mund të shfaqeshin në mendjen e komandantëve serbë. Si rrjedhojë, ata duhej t’i kishin parashikuar kundërveprimet e forcave të tyre në secilin rast të mundshëm të reagimit nga ana e armikut.
Të gjithë këta faktorë na i pohon vetë ish-shefi i shtabit të GO-3 (Br.138), z.Anton Çuni në intervistën dhenë TV Dukagjinit, më 02 Maj 2019, ku thotë: “Kemi bërë 23 kalime kufitare për të përcaktuar vendin ku dhe si të kalonim…U zgjodh Kosharja për të krijuar epërsi dominuese për të minimizuar të gjitha avantazhet që kishin forcat serbe.”
Bazuar në këta faktorë, lufta në Koshare nuk do të ishte një fitore e zakonshme, por tamam një betejë e vërtetë, maksimumi dy ditore e jo më shumë. Por dështuan ngaqë e kanë siguruar veten me bindjen se armiku ishte ndjerë i kërcënuar dhe do tërhiqej sa më shpejt. Dhe një arsye tjetër, pse ata dështuan, është se këta oficerë nuk u konsultuan me SHP të UÇK-së për mënyrën e kryerjes së asaj detyre.
Këta zotërinj oficerë me akademi ushtarake pretendojnë se në Koshare është zhvilluar betejë. Me këtë emërtim edhe mund t’u jepet pak e drejt ngaqë premisat ishin për një betejë, por duhet sqaruar:
– çfarë lloj beteje u zhvillua: betejë mbrojtëse, apo betejë sumuese;
– cila palë zhvilloi betejë mbrojtëse dhe cila palë zhvilloi betejë sulmuese;
– cila palë e pati në dorë fillimisht inisiativën dhe cila palë ia hoqi nga duart palës tjetër inisiativën;
– cila palë kaloi në mbrojtje të dëshpëruar dhe cila palë fitoi betejën;
– cilës palë i dështoi mësymja;
– cila palë e pat parapërgatitur sulmin me kujdes dhe si e zhvilloi atë sulm;
– cila palë donte të fitonte për çështje prestigji dhe cila palë e mbrojti prestigjin e vet;
– cila palë përparoi në drejtim të pozicioneve të palës tjetër;
– cila palë pati epërsi numerike ndaj palës tjetër;
– cila palë pati epërsi zjarri ndaj palës tjetër;
– cila palë dallohej më shumë në epërsi morale se pala tjetër dhe pse kjo epërsi nuk dha rezultat përparimi drejt pozicioneve të kundërshtarit;
– cila palë pati furnizime në vijueshmëri në forca e mjete;
– cilës palë i pengoheshin furnizimet nga toka dhe ajri;
– cila palë pati konceptin e udhëheqjes së përbashkët dhe të kombinuar me forcat e tjera të ushtrisë së vetë;
– si do të ishte më i drejtë përdorimi forcave nga GO-3 për dhënien e goditjes kryesore dhe ku e si do të duhej të jepej një a më shumë goditje ndihmuese;
– a duhej të qëndrohej në mbrojtje nga ana e forcave tona apo duhej të tërhiqeshin, kur e panë se qëndrimi vetëm në betejë mbrojtëse ishte i padobishën dhe i paleverditshëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën në tërësi;
– dhe, së fundi, duhet bërë e qartë se cila palë arriti sukses në fushën strategjike, operative apo taktike.
Të gjitha këtyre çështjeve u jepet përgjigje në këtë libër, prej të cilave delet në përfundimin se: sa e lehtë është të fitosh betejën kur ke epërsi në forca e mjete, nëse di t’i përdorësh ato, aq edhe e vështirë është ta arrish fitoren kur je inferior në forca e mjete ose kur je i paaftë të dish t’i përdorësh ato.
Megjithatë, duhet të kemi kurajon e të pranojmë me guxim të vërtetën, se në frontin e Koshares nuk u arrit as sukses i shkallës strategjike, as i shkallës operative dhe as i shkallës taktike. Dhe këtë na e thotë vetë gjenerali Hysen Berisha në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”, datë 4 maj 2019, duke dashur të tregohet teoricion, por që në vend të vetullave ka nxjerrë sytë:
“Po të flasim me gjuhën tekniko-ushtarake lidhur me objektivat e një lufte, atëherë dua të sqaroj se çdo luftë ka tre nivele objektivash e që janë: ai strategjik, operativ dhe taktik. Në nivelin strategjik objektiv yni dhe i çdo lufte të karakterit çlirimtar është dhe ishte çlirimi i Kosovës. Në aspektin operativ ishte zhvillimi i kapaciteteve tona luftarake dhe shtrirja e luftës me kapacitetet tona në përmasa vendore deri në armatën e Kosovës. Kurse në nivelin taktik, ne kishim detyra konkrete që na u dhanë me urdhrin për sulm që nga kapja e objektivave të afërm në fazën e parë të sulmit që u realizuan në ditën e parë, me eliminimin e të gjitha pozicioneve siguruese të Kazermës ushtarake si dhe pozicioneve përgjatë vijës kufitare nga kazerma “7 Korriku” mbi Qafëmorinë deri te Rrasa e Zogut mbi Rrasën Koshare. Kapja e këtyre objektivave na mundësoi që kazerma të merej ditën e dytë të luftimeve dhe brenda ditës së 11 prillit të arrijmë të riorganizojmë sistemin e zjarrit, plotësimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e njësive për kapjen e objektivave të ardhshme dhe përmbushjen e objektivit final të Betejës, përkatësisht luftës.”( “Bota sot”, datë 4 maj 2019)
Me këtë teorizim të gjeneral Hysen Berishës bindemi, se këta zotërinj nuk kanë pas asnjë lloj strategjie, por veç teori konkuruese dhe asnjërën prej atyre teorive nuk e kanë çuar deri në konkluzione. Të ndodhur midis dëshirës për një fitore epope teorike dhe parandjenjës për një disfatë ushtarake, duket se ata kanë qenë para një dileme tragjike: të sulmojmë apo të bëjmë sikur sulmojmë.
Nëse nuk janë dakort se kanë qenë në këtë lloj dileme, janë të lutur t’u përgjigjen pyetjeve të mëposhtme, me të cilat të na qartësojnë konceptet e tyre strategjike, operative dhe taktike:
1. Ju që luftuat në Koshare, a e arritët objektivin strategjik të luftës sonë çlirimtare, çlirimin e Kosovës, sikundër e keni patur objektiv dhe që e keni theksuar edhe në intervistat e fundit?
2. A e arritët objektivin tuaj: “në aspektin operativ shtrirjen e luftës në të gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e armatës së Kosovës.”, sikundër shpreheni?
3. Nëpërmjet realizimit të detyrës së nivelit taktik “duke mbritur deri te Rrasa e Zogut mbi Rrasën Koshare”, vallë kjo arritje bëri të munduar “përmbushjen e objektivit final të Betejës, përkatësisht luftës.”, të nivelit strategjik dhe operativ për çlirimin e Kosovës?
Duke qenë se gjenerali Hysen Berisha ka bindjen se me “Betejën e Koshares” janë realizuar të gjitha synimet strategjike, operative dhe taktike të strategjisë së tyre, na del detyrë t’i themi se, duke u ngutur me qëllimin për të na e mbyllur gojën, është futur në një qorrsokak nga i cili vështirë se ka për të dalë ai dhe ata që e nxisin të flasë në këtë mënyrë. Dhe kjo ndodh ngaqë zoti Hysen nuk i ka shumë të qarta konceptet strategjike, operative e taktike.
Pse dal në këtë përfundim?
Dal në këtë përfundim se nuk mund të quhet as sukses strategjik, as sukses operativ dhe as sukses taktik pse u depërtua 2-3 km në thellësi të mbrojtjes kufitare serbe dhe papritmas kaluan në mbrojtje!
Madje, këtë nonsens të tij të shfaqur në këtë intervistë, ai e përforcon kur tregon se me 256 forca kanë sulmuar në tre drejtime operative (DO)! Dhe konkretisht:
“I tërë operacioni ishte organizuar në tre drejtime operative: DO 333, që mbulonte zonën nga “Gusha e Batushës” deri në “Shkallën e Radanit”, në Qafe Morinë; DO 555, që përfshinte “Gushen e Batushës” deri në “Oplaz” të Junikut, dhe DO 777 që përfshinte “Rrasën e Koshares”, deri në “Rrasen e Zogut”… Tre drejtimet e para operative u komanduan që më Urdhrin për Sulm të Shtabit të GO-3. Ndërsa, DO 999, u komandua me urdhrat plotësues që lëshoi Shtabi i GO-3, përkatësisht Brigada 138 “Agim Ramadani”, gjegjësisht Komandanti i operacionit, Rrustem Berisha.”
Mirëpo, në intervistën e datës 16 prill 2019 gjeneral Hyseni na thotë të kundërtën: “Sulmin e kemi kryer me grupe të vogla, ku secili grup kishte rolin e vet duke sulmuar.”
Cilën nga këto dy përgjigje t’i besojmë z.Hysen Berisha?
Pastaj, si është e mundur që me 256 forca të sulmosh në 3 drejtime operative (DO)(?!)
Kaq të vështirë e ka ky gjeneral të bëjë llogarinë: 256 forca, duke i ndarë në “tre drejtime operative”, i bie që në çdo DO të ketë sulmuar afërsishtë një kompani këmbsorie pa rezerva dhe pa përforcime (!!!) Kjo ka qenë një mendjelehtësi e kushtueshme për komandën dhe shtabin e GO-3 dhe eventualisht, prandaj dhe u pagua shtrenjtë. Veprimet e frymëzuara nga teket e momentit dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë strategji të përgjithshme, nuk mund të vazhdojnë pa fund, do ta paguash shtrenjtë.
Kjo do të thotë se zoti gjeneral nuk e ka të qartë se çfarë kuptohet me termin drejtim operativ. Me sa duket, ky zotëri nuk e di se drejtimi operativ është një brez vendi, ku kryhen veprime luftarake të një njësie operative (kupto: divizion këmbsorie) ose të disa njësive taktike (kupto: dy e më shumë brigada këmbsorie) dhe që në mësymje u siguron njësive të tjera kapjen e objektivave me rëndësi operative, të cilat do të ndikonin në zhvillimin e luftës në tërësi; në rastin tonë në tërësinë e luftës për çlirimin e Kosovës.
Megjithatë, nëse kjo njësi taktike, (GO-3), do të kishte arritur të hapte korridorin e furnizimit, do ta pranonim se do të kishte realizuar një detyrë taktiko-operative, pasi do të kishte mundësuar kalimin në mësymje të përgjithshme të gjithë UÇK-së.
Por më e keqja është se ky gjeneral nuk e pranon se njësisë së tyre taktike i ishte dhënë për detyrë: hapja e atij korridori, të cilën ai e redukton në kapjen e Rrasës së Zogut dhe Rrasës së Koshares! Pse nuk na e thotë gjenerali se çfarë u fitua nga UÇK-ja me kapjen e këtyre dy Rrasave prej guri? Pse nuk na thotë se kush do ta bënte hapjen e korridorit të furnzimit për UÇK-në, apo do të bëhej me urdhër të peshkut dhe me dëshirën strategjike të oficerave profesionistë të Koshares.
Duke mos e pasur të qartë së çfarë kuptohet me termin drejtim operativ, prandaj ky zotëri drejtimin e sulmit të një kompanie e quan Drejtim Operativ.
Por edhe duke kaluar në mbrojtje, sikundër bënë në datën 11 prill 1999, a mund të na thotë ky gjeneral se cili është ai objekt me rëndësi operative që mbrojtën këta gjeneralë e që ndikoi në tërë luftën tonë çlirimtare? Meqenëse kështu shprehet.
Na del njëkohësishtë detyrë t’i kujtojmë këtij gjenerali dhe kolegëve të tij, se brigada e këmbsorisë, (në rastin tonë GO-3), vepron në një drejtim taktik ose maksimumi taktiko-operativ, që zakonisht është një drejtim lokal, (sikundër thuhet në Doktrinën e NATO-s), ose më saktë një hapësirë e caktuar, kufijtë e së cilës goditen nga zjarri i armëve të veta organike për të realizuar qëllimin taktik.
Bazuar në sqarimin që na bën gjeneral Hysen Berisha, rezulton se forcat e GO-3 kanë sulmuar me kompani këmbsorie në secilin “drejtim operativ”. Mirëpo, kompania e këmbsorisë është nënrepart taktik bazë, e cila kryen luftim të afërt me anë të ndeshjes, në luftim të afërt me armikun, në një front me gjerësi 800-1000 m, dhe jo në një drejtim operativ, i cili zakonisht ka një gjerësi 10-15 km dhe jo 3 km sa është gjerësia ku sulmuan tre kompanitë tuaja. Si mund të quhet drejtim operativ (DO) një sektor me gjerësi prej 800-1000 m, dhe me thellësi 600-800 m?!
Dhe ajo që të bën të dyshosh edhe më shumë në aftësitë e tyre ushtarake është fakti se të tre këto kompani, (që këta i quajnë njësi taktike, që do të thotë brigada!), janë i vetmi skalion që dispononte GO-3 në 9 dhe 10 prill 1999, duke mos pas skalion të dytë! Dhe më keq akoma. Si mund të kalohej në mësymje ndërkohë që armiku kishte epërsi në forca, (ai 300 forca, ndërsa, ne 256 forca), kur dihet që në këto raste raporti i forcave duhet të jetë 2-3-4:1 në favor të sulmuesit? Këtë raport forcash e di mirë z.Hysen, pasi na e ka thënë vetë në një intervistë të tij. Dhe gjeneral Hyseni na mburret se paskanë sulmuar në tre drejtime operative dhe në një skalion, në secilin DO, kur dihet që brigada në mësymje e ndërton rendimin e luftimit në dy deri tre skalione! Dhe, po ashtu, a mud të gjenden diku tre drejtime operative në një front me gjerësi deri 3 km, në Koshare?!

VIJON …

__________________________

DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9951
***
DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9952

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura