Tiranë, 19 mars 2020: Pacifizimi i një populli të tërë është rrymë politike kundër çdo lloj lufte, që predikon nënshtrim edhe kur je i pushtuar, me shpresë se do vijë një ditë dhe pushtuesi do të të mëshirojë vetë. Për të qenë sa më objektivë, kjo ide është ide shqiptare e shekullit XX, por ideatori dhe ai që e praktikoi me sukses i pari këtë teori, nuk është as Ibrahim Rugova dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës; këta veçse e përshtatën për Kosovën. Ideatori i parë i kësaj ideje fataliste, sipas së cilës: kundërshtoje vetëm me fjalë atë që të rreh e të vret me armë, është i biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat bej Frashëri, alias Lumo Skëndo.
Historia e lindjes së kësaj rryme shqiptare
Mid’hat Frashëri u votua president i Klubit të Selanikut nga 400 delegatë shqiptarë në fillim të vitit 1908 kur ishte djalosh 28 vjeçar. Në atë kohë, Mid’hati kishte mbaruar studimet e tij për farmakologji dhe punonte për administratën osmane, prefekt, në vilajetin e Selanikut prej vitit 1905.
Pas shpalljes së kushtetutës nga Sulltani me fitimin e revolucionit xhonturk, Mid’hat Frashëri, organizoi dhe drejtoi një mbledhje për miratimin e standartizimit të statuteve të klubeve kombëtare shqiptare që qenë krijuar e do të krijoheshin në gjithë perandorinë turke si dhe jashtë saj. Në atë mbledhje u vendos, sipas propozimit të tij, që këtej e tutje klubet shqiptare, për kushtet e perandorisë osmane nuk duhej të merreshin me veprimtari politike, por vetëm me kërkesa arsimore-kulturore, por absolutisht kurrë me rezistencë të armatosur, si dhe të avokonin për “osmanizmin” e popullit, (en.wikipedia.org/wiki/Midhat_ Frasheri). Domethënë, Mid’hati dhe kategoria e tij, përmes kësaj rryme politike donin të ruanin privilegjet që u kishte siguruar dovleti. Mos harrojmë që, ndërkohë, në Kosovë po zhvilloheshin kryengritjet për pavarësi nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Isa Buletinit e Bajram Curri.
Për këtë arsye klubet e tjera shqiptare, të shqetësuar nga ky ndikim i xhonturqve, e hodhën poshtë atë pikëpamje të Mid’hat Frashërit dhe, në vend të Klubit në Selanik krijuan Klubin “Bashkimi” të Manastirit, në fund të korrikut 1908, prandaj dhe Kongresi i Alfabetit u bë në Manastir.
Mid’hat bej Frashëri dhe Ibrahim Rugova
Sikundër kuptohet, fillesa e kësaj teorie nis menjëherë pas ardhjes në fuqi të xhonturqve. Mid’hat Frashëri nuk duhet ta ketë pas nga vetja këtë ide; ajo ka gjasa të ketë qenë kërkesë e xhonturqve të porsa ardhur në pushtet, të cilët, mësohet se e financuan Lumo Skëndon edhe për të nxjerrë gazetën javore “Liria”. Xhonturqve u nevoitej bërja për vete e kombit shqiptar, i cili i kishte hapur probleme Turqisë. Xhonturqit ishin nacionalistë borgjezë, si të tillë ishin kundër çdo zgjidhjeje të drejtë të çështjeve nacionale në Turqi, ndaj dhe u orvatën t’u vinin kufi manifestimeve popullore, duke ndaluar të flitej për autonomi por veç për “osmanizimin” e popujve joturq. Por që, Turqia të arrinte t’i bënte për vete shqiptarët i duhej një figurë me sa më shumë autoritet dhe e besueshme, mundësisht për të gjithë shqiptarët. Dhe për këtë qëllim nuk mund të gjendej personalitet më i goditur, për ta përkrahur e joshur, se të birin e ideologut të Lidhjes së Prizrenit, djali i Abdyl Frashërit si dhe nip i Sami e Naim Frashërit, diplomatin, shkrimtarin dhe publicistin me shumë emër ndër gjithë shqiptarët, Mid’hat bej Frashëri, i cili pas dy muaj do të merrte pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, por në fund të punimeve të tij, duke u orvatur të siguronte njohjen e Klubit të Stambollit si udhëheqës të klubeve shqiptare. Xhonturqit e patën shumë të lehtë ta bënin për vete Lumi Skëndon jo vetëm se ai, si shumë shqiptarë, e kishte përkrahur ardhjen në pushtet të xhonturqve, por e kishin emëruar edhe mytesarif (prefekt). Dhe Mid’hat Frashëri, si xhonturk që ishte u bë ideologu i kësaj ideje, duke tradhëtuar ideologjinë kombëtare të gjithë vëllezërve Frashëri, për mëvetësinë e Shqipërisë.
Reagimi i Andon Zako Çajupit
Për këtë qëndrim të tij, për të mos i rezistuar me armë pushtuesit, i madhi Çajup ka botuar pamfletin satirik “Klubi i Selanikut”, ku mes të tjerave thotë: “T’u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka, more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke Turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë. Në Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtoi nga rreziku i sotëm dhe të rrojë për jetë. Pse s’fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s’keshe se ç’të thoshe? Apo të erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Sures që të haç pilaf? Po ahere ç’të shtrëngojti që të lëvdosh turqit dhe të shaç kaurët? (në rastin tone Rugova dhe LDK-ja shanin LPK-në, UÇK-në dhe Shqipërinë, D.G) Pse s’t’u tha gjuha ndë gojë?”
Reagimi i Fan Nolit
Pas njohjes me botimin e atij shkrimi te “Liria” reagoi edhe Fan Noli, i cili iu sul Mid’hat Frashërit me gjithë furinë që e dallonte. Me këtë rast po e japim të plotë shkrimin polemist të Fan Nolit kundër kësaj ideje disfatiste antikombëtare të Mid’hat Frashërit, i cili kërkonte t’i bindte shqiptarët që të mos bënin kryengritje kundër Turqisë. Këtë shkrim Fan Noli e ka botuar në nr.3 të gazetës “Dielli”, 12 mars 1909, nënshkruar me pseudonimin Protagora:
“I dashur zot! Këndova te nr.2 i gazetës suaj së ndershme një letër të hapur, të nënshkruar prej zotit Lumo Skëndo. Në këtë letër ky zotëni na rrëfen ligjën e natyrës pas së cilës pishku i math ha të voglin, ose që ta thomi frëngjisht “la raison du plus fort esttoujours la mailleure”, domethënë arsyeja e më të fortit është gjithnjë më e mira. Prandaj përpiqet të provojë se pas këtij kanuni të natyrës zhonturqit, a grekët, s’kanë nonjë faj kur përpiqen të na gëlltitin me çfarëdo mënyre, dhe ne s’kemi asnjë të drejtë t’i shajmë, se nuk jemi të zotë t’i hedhim poshtë ligjet e natyrës!
Po neve ky kanun nuk na bint dhe duke rrëmihur kanunet e natyrës, gjejmë dhe ca kanune të cilat duhet të përdorë pishku i vogël: Kanunu i Mprojtjes. Ky kanun vihet në punë me tri mënyra:
1) Pishku i vogël duhet të mprohet vetë dhe të ikë nga gojë e pishkut të math si të mundë.
2) I vëllai i peshkut të vogël duhet të këshillonjë të mos bënjë miqësi me pishq të mëdhenj as të hynjë nëpër klubet e pishqve të mëdhenj. (këtë këshillë i dha LDK-së edhe Shqipëria edhe LPK-ja, prandaj dhe pacifistët vjellin vrer kundër tyre. D.G).
3) Qeveria e pishqve, – vijon Fan Noli – të cilët quhen njerës, ka vënë ca kanune të cilat e ndalojnë pishkun e math të hajë pishkun e vogël kudo që ta gjejë. Ka dhe të tjerë pishq më të vegjël që mprohen kundër pishqesh më të mëdhenj dhe munt t’i marrim për shembëll: ermenët, bullgarët e Maqedonisë, vllehtë (rumunët), irlandezët, polonezët dhe finlandezët. Asnjë nga këta s’thonë që duhet t’i binden kanunit të natyrës, po mprohen e mprohen e mprohen. Dhe veç këtyre ka edhe gjykatore më të larta që vë re thirrjet dhe të drejtat e pishqve të vegjël: Bota e Qytetëruar e Evropës. Kështu flet logjika e një pishku të vogël që rron në mes të pishqve të mëdhenj”. Ndërsa në një prej epigrameve të tij thotë: “Në Tasmani, s’fitoi Anglia; / Luftoi bualli me minë. / Shihni se ç’bën trimëria, / Tasmani mundi Anglinë”.
Pozicionime të njëjta Mid’hat & Rugovë
Sikundër dihet, thelbin e kësaj rryme për nënshtrimin e shqiptarëve, si popull i vogël që ishim në raport me Turqinë, Mid’hat Frashëri e botoi te gazeta “Liria” në korrik 1908: “Dyfekët, thikat, jataganët thyeini! Ato armë tani bëini pluar, bëini çekan, se tani do rojtur me djersë të ballit si njerëz që na ka bërë Zoti”.
Ndërsa Ibrahim Rugova, thelbin e të qenët kundër kryengritësve e ka shprehur në intervistën dhënë të përjavshmes zvicrane “Facts”:”Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund t’i shërbejë regjimit serb si pretekst për një fushatë të re represive në Kosovë. Elementet me papërgjegjësi shoqërore regjimi serb i përdorë për qëllimet e veta.” (botuar edhe në gazetën „Rilindja“, më 15. 12. 1997)
Qëllimi kryesor i idesë pacifiste shqiptare, e propaganduar nga prefekti në Surë të Stambollit Mid’hat Frashëri, dhe nga Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës Ibrahim Rugova, ka qenë: ruajtja e privilegjeve që u kishte dhënë pushtuesi. Që do të thotë se, pacifizmi shqiptar është ideologjia e shtresave të privilegjuara, e borgjezisë vendase. Dhe, që të ruheshin privilegjet duhej ta nënshtronin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ta mbanin ata nën kontroll, si në fillim të shekullit XX ashtu edhe në fund të tij. Dhe interesante është fakti, se në të dy periudhat që na shfaqet kjo ideologji, Lëvizja Kombëtare gjallonte në Kosovë; në rastin e parë dolën në skenë “turqit e rinj” dhe tash “jugosllavët e rinj”.
Nuk është rastësi që Mid’hat Frashëri doli edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri me këtë teori, e shprehur me parullën “duhet të presim”, duke themeluar e drejtuar Organizatën kolaboracioniste “Balli Kombëtar”, i cili ngulte këmbë që Balli të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk ishim në gjendje t’i përballonim me fuqitë tona ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme. Qëllimi: të ruheshin privilegjet që u kishte krijuar pushtuesi. Dhe ata ishin bejlerët dhe ish-shërbëtorët e pushtuesit: Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Mustafa Kruja, Qazim Mulleti, Eqerem Telgaj, Hysni Dema, Abaz Ermenji, Faik Quku, Hasan Dosti, Safet Butka e kështu me radhë.
Edhe LDK-ja e tregoi thelbin e të qenët kundër kryengritjes së armatosur gjatë gjithë periudhës së Luftës Çlirimtare të Kosovës, shprehur me parullën “Durim, do vinë kohë më të mira”, me të njëjtin qëllim si Balli Kombëtar, e cila përfaqësonte dhe përfaqëson edhe sot shtresën e të privilegjuarve: Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Zekaria Cana, Bujar Bukoshi, Milazim Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Hysen Matoshi etj. Si rrjedhojë “Forca atdhetare që printe për liri të shqiptarëve deri në shpërbërjen e RSFJ u dobësua në fund të shpërbërjes së saj, dhe si e tillë, u detyrua t’ua lëshonte rolin udhëheqjes së intelektualëve zyrtarë,.. të cilët e futën popullin në një corridor të errët për ta çuar në një horizont pa ajër e pa dritë.”, pohon Shukri Klinaku, një prej drejtuesve kryesorë të LKêK .(“Vendimi fatal”, Prishtinë 2000,f.17,50)
Përvetësimi i rrymës pacifiste nga LDK-ja
Lidhja Demokratike e Kosovës “duke u gjendur në një pozicion të mesëm, ndërmjet nacionalkomunistëve dhe integralistëve jugosllavë…dhe. ..duke vendosur monopolin në jetën politike të Kosovës.”, (M.Kraja,“Vite të humbura”, 2003, f.241-242), dhe, ngaqë “Themeluesit e LDK-së, veçmas i ashtuquajturi “Grup intelektualësh”, nuk ishin as të përndjekur politikë, as të ndjekur e as të burgosur… I takonim pra një mesi të ruajtur dhe përgjithësisht të pakompromentuar në asnjë plan”, (Po aty, f.237), si rrjedhojë, e kanë parë si më të arsyeshme të bënin të vetën strategjinë e Mid’hat Frashërit, mëvetësimin e Kosovës përmes nënshtrimit!, duke vënë në krye të saj një figurë me sa më shumë autoritet dhe e besueshme, mundësishtë për të gjithë shqiptarët në Kosovë. Dhe u gjet Ibrahim Rugova. Strategjinë pacifiste të LDK na e shpreh qartë themeluesi dhe ideuesi i strategjisë së LDK-së, vetë Mehmet Kraja: “Për shkak të rrethanave dhe për shkak të situatës së përgjithëshme brendashqiptare aspak të favorshme, shqiptarët e Kosovës u përcaktuan për një program politik shumë fleksibël dhe të pranueshëm për kushtet evropiane: ata synonin që me rrugë paqësore, pa dhunë, por gjithnjë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, ta mëvetësonin Kosovën.” (“Mirupafshim në një luftë tjetër”,2003, f.33), të cilën e konfirmon edhe Rugova në v.2002, në Gjykatën e Hagës, duke shtuar: “Ne si LDK më shumë parapëlqenim dhe kemi punuar për pavarsësinë e Kosovës. Kosova të ishte një vend i pavarur me mjete paqësore, pa përdorur dhunë.”, dhe pa u bashkuar me trevat e tjera shqiptare.(Dr.I.Rugova në Hagë”, Prizren, 2002,f.28,29)
Mirëpo, kjo tezë mbështetej në një terren të paqëndrueshëm, duke mos marrë parasysh se ishte në lojë egzistenca e popullit shqiptar në Kosovë; pavarësishtë se ka një farë logjike, ngaqë pacifistët tanë e konsiderojnë luftën si një paradigmë ekstreme të sjelljes irracionale dhe kurrë të justifikueshme; të ndikuar, me sa duket, prej filozofisë së britanikut Bertrand Rasëll (1872-1970).
Të shqetësuar për të përhapur këtë të “vërtetë” të madhe që, populli shqiptar në Kosovë boll të rrijë urtë e “mos përdori dhunë” kundër pushtuesit dhe do të “mëvetësohemi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”, duke e nxjerrë jashtë loje çlirimin me kryengritje të armatosur. Kjo tregon se kanë qenë të pandjeshëm ndaj të vërtetës tokësore, e përfaqësuar edhe nga të dhënat objektive historike të prezantuara mjaftueshëm nga Fan Noli, gjë që kundërshtojnë ideologjinë e tyre. Këto të vërteta, duke u mjaftuar qoftë edhe me ato që na prezanton Fan Noli, këta i anashkalojnë, i përmbysin. Ndoshta e kanë këtë nga mosnjohja e historisë së popullit shqiptar, nga vetëgënjimi, apo nga diçka tjetër, këtë e dinë ata; por, fakt është që vepra e tyre ka luajtur rol qëndror,bile vendimtar në mospërkrahjen e rezistencës së armatosur nga një pjesë shumë e konsiderueshme në popull.
Ngjashmëria midis Rugovës dhe Mid’hat Frashërit
Interesante është se, si Mid’hati dhe Rugova janë publicistë dhe shkrimtarë; dhe, të dy, me t’u shndrruar në politikanë aktivë pushuan së qeni shkrimtarë, me të vetmin ndryshim, se Rugova ishte një intelektual i majtë dhe brënda një dite e ka parë të arsyeshme të konvertohej i djathtë! Të dy kokëfortë dhe intaçorë: “Mid’hat Frashëri ma i vendosuri kundër çdo marrëveshje me komunistët.”( Hasan Dosti “Nje jetë për çështjen shqiptare”,2008,f.82).
“Rugova nuk njeh këshillë që i vjen në gjuhën shqipe. Ai nuk njeh këshillë që i flitet në shqip.” (Fadil Hysa: revista “Kombi”, Viti IV Nr. 29, datë 05. 08. 2000).
Të dy studentë të dalluar. Mid’hati u shqua për bashkëpunim me strukturat e pushtetit xhonturk, Rugova si aktivist i zellshëm i LKJ’së dhe tepër bashkëpunues me strukturat e pushtetit komunist.
Të dy parapëlqejnë gjithnjë shoqërinë intelektuale të klasës së mesme, gjë që e konstatojmë si në udheheqjen e “Ballit Kombëtar” ashtu edhe në atë të LDK-së. Ata janë siguruar që përfaqësues si nga klasa punëtore edhe nga fshatarësia të mos kishin detyra shumë të rëndësishme në partinë e tyre. Kjo, jo vetëm për snobizëm intelektual, por edhe sepse kush kishte përvojë të vërtetë intelektuale të bazuar në privilegje ishte i prirur të hidhte poshtë dhunën, duke synuar ndjekjen e përmirësimeve graduale duke e parë me skepticizëm kryengritjen e armatosur.
Stili i tyre nuk është i studjuesit, pasi nuk citojnë shembuj se cili popull e ka fituar pavarësinë duke mos përdorur dhunën me armë kundër pushtuesit kolonialist, as parashtrojnë fakte që kundërshtojnë teorinë e tyre pacifiste, por në fjalimet dhe librat e tyre që kanë shkruar deri sot paraqesin vetëm ato që mbështesin qartë ose vërtetojnë atë që ata e quajnë të vërtetë përfundimtare.
Qasja e tyre ka gjithnjë tonin e rivendikimit, jo të kërkimit: rivendikim të diçkaje të shpallur prej tyre si e vërtetë e përkryer, për të cilën kanë bindje jo si studjues, por si besimtarë. Pra, për ata, faktet reale nuk kishin rëndësi parësore, gjë që tregon se ideja pacifiste e tyre nuk ka lindur nga puna abstrakte e intelektualit dhe imagjinatës, por ka qenë e rrënjosur thellë në karakterin e tyre individual, në mos e diktuar.
Edhe Mid’hati edhe Rugova si dhe shkrimtarët rreth tyre të njohur si intelektualë kozmopolitë, me këtë ide kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare, një gjurmë të rëndësishme dhe me rezultate të prekshme e të dëmshme për kombin, pavarësisht se kanë edhe sot të preferuarit e tyre.
Veprimtaria e tyre tregon qartë se ç’dëm sjell ideja pacifiste në kushtet e mbijetesës së një populli të vogël. Kjo, mendojmë se, mund ta ketë burimin te mosdëshira e tyre për njohjen e historisë, të vullnetit dhe dëshirave të popullit, edhe pse pretendojnë me shpatën zhveshur se ishin në sintoni me vullnetin e popullit.
Pasqyrimi pacifizmit në Programin Politik të LDK-së
Duke e parë me kujdes programin e LDK, i vetmi ndryshim midis idesë së Mid’hat Frashërit dhe LDK-së qëndron vetëm te emëri i “perandorisë”: Mid’hat Frashëri e justifikonte “për kushtet e Perandorisë Turke”, LDK-ja e justifikon “për kushtet evropiane”. Si është e mundur që me këtë pikëpamje dritëshkurtër të LDK-së u bashkuan të gjithë intelektualët oportunistë, ndërkohë që, armët duheshin rrokur me vendosmëri, me energji e me frymë luftarake edhe më të madhe se demonstrimet e viteve 1988-1989! Në vend që t’i shpjegohej popullit se ishte e domosdoshme një luftë e armatosur e patrembur, sikundër e shpërthyen Jasharajt, dhe nuk duhej të mjaftoheshim vetëm me demonstrimet paqësore, liria ishte e pamundshme, LDK i thoshte se vetën “me rrugë paqësore, pa dhunë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do ta mëvetësojmë Kosovën”! “Nëse për lumturinë tëndë të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.”, thotë nobelisti Herman Hesse.
Duk e avancuar idenë e Mid’hat Frashërit, LDK-ja e përforcon disi më tej “besueshmërinë” e domosdoshmërisë së idesë pacifiste të nënshtrimit, duke e ngritur atë ide në një nivel edhe më të lartë, duke e bërë atë ideologjinë e saj. Nëse do të pranojmë se ideja pacifiste e Mid’hat Frashërit ishte një lloj politike që shprehte marrëdhëniet midis klubeve shqiptare si dhe me qeverinë xhonturke, LDK-ja e ngriti atë ide politike në ideologji, duke e bërë pjesë të ndërgjegjes shoqërore; duke e bërë sistem të ideve dhe pikëpamjeve të saj politike, juridike e filozofike, e cila e pasqyronte kokëposhtë realitetin ekzistues në Kosovë.
Kjo shprehet qartë në programin e LDK, të bërë prezent me rastin e 30 vjetorit të saj, ku thuhet: “Lidhja Demokratike e Kosovës si parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe interest e saj, e cila angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më shpejt nga kriza, që mund të bëhet me zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit.” Sikundër shihet, duke gjetur katër a pesë fjalë dinakërisht dialektike, me të cilat ia mjegullojnë sytë lexuesit; kështu, ata që nuk i marrin vesh, i admirojnë, aq më tepër sa më pak që i kuptojnë. Ky fakt të bind se njerëzit gjejnë mjaft kënaqësi, sidomos në ato gjëra që i kanë më të panjohura. Por, edhe Lidhja Komuniste e Kosovës këtë gjë deklaronte, “interesat e Kosovës”, apo jo?
Pra, ideologjia programore e LDK-së nënkuptonte qëndrimin e Kosovës krahinë autonome e Serbisë, asgjë më shumë. I gjithë interesi përqëndrohet te përfaqësuesit e inteligjencës së privilegjuar, të cilën e shpreh qartë programi politik i LDK, ku thuhet, se “për fatin e Jugosllavisë jemi të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhihen të gjithë subjektet e saj… Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtës e saj të vendosë për fatin e vet.” Pra, në atë program ende fshihej ëndrra themelore e pacifistëve, uniteti federative. Këtë, Rugova e ka konfirmuar me shkrim edhe në deklaratën e datës 2 prill 1999 së bashku me Presidentin e Republikës Serbisë, Milutinoviç, të cilën e pranon edhe gjatë dëshmisë në gjyqin e Hagës në vitin 2002. (Shih: “Dr.I.Rugova në Hagë”,Prizren, 2002, f.66-67). Kjo tregon se ideologjia e LDK-së ishte jashtë realitetit, i cili ishte shprehur përmes demonstratave popullore, të cilat kishin gati 10 vjet që kërkonin Kosova Republikë, para se të krijohej LDK.
Për ta jetësuar atë program, LDK-së i duhej himnizimi i liderit të saj Ibrahim Rugovën. Për këtë qëllim, fillimisht e shndrroi politikën pacifiste në ideologji, dhe më pas propaganduan krahasimin e tij me Gandin e Indisë. Për këtë arsye LDK-ja mbeti parti politike, edhe pse fitoi përmasat e një lëvizjeje politike; partitë janë ideologjike dhe jo lëvizjet politike, sikundër ishin LPK-ja e LKÇK-ja.
Ai krahasim i Rugovës me Gandin nuk lindi nga turmat, por u përgatit dhe u përpunua nga elita intelektuale e Kosovës. Të habit ky krahasim, për vet faktin se është e pamundur që kjo elitë intelektuale, e cila pretendonte se “mbështeste veprimet e popullit të Kosovës, e gatshme të merrte në dorë të nesërmen e popullit”, (M.Kraja ”Vite të humbura” f.184-185), në të cilën ka bërë pjesë edhe vetë Rugova, të mos e dinin faktin që vetë Gandi, i cili drejtoi një komb super të madh në fitoren e mëvetësisë përmes mosbindjes, thoshte se: “shoqëritë e nisin degradimin e plotë kur në vend të dinjitetit, në vend të kundërshtimit ndaj padrejtësive, përdorin vetëm bindjen.”(?!)
Nuk e kuptojmë dot sesi është e mundur që këta goxha intelektualë themelues, që e propagandojnë edhe sot Rugovën si simbol të pavarësisë së Kosovës, njësoj si Gandin e Indisë, të mos e dinë, se të njëjtën gjë si Gandi ka thënë edhe filozofi më i lashtë i njerëzimit, Konfuci, 26 shekuj më parë: “Atje ku nuk bëhet asnjë pretendim, nuk ngrihet asnjë rezistencë.”(?!).
Themeluesit e LDK-së me në krye Ibrahim Rugovën, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Xhemajl Mustafa, Zenun Çelaj, Ramiz Kelmendi, Idriz Ajeti, Ali Aliu, Milazim Krasniqi etj, të cilët, veçse janë shkrimtarë, gazetarë, studjues e kritikë të letërsisë revolucionare e asaj botërore, bazuar në faktin se deri ditën që themeluan LDK-në veç të tjerave ishin edhe komunistë me funksione të larta, dhe sot pretendojnë se këta na lidhën me Amerikën, është e pamundur të mos e kenë studjuar shkrimtarin dhe poetin kombëtar amerikan, Uollt Uitman (1819-1892), i cili, sipas gazetës “Deili Uorker”: “nuk është një eksponent muzeumi por një fushë beteje”. Ai, në ciklin e tij “Këngët e kryengritjes”, që ia kushton luftës në Evropë e veçanërisht revolucionit frances të vitit 1793 në, ku thotë:
“Kryengritje! Të përmbyset tirania! Tradhëtia ngadhënjen – a beson se ngadhënjen?, plumbat e saj bëjnë punën e tyre. Heronj të njohur a që s’u dihet emri, vriten; Tribunët e mëdhenj, shkrimtarët arratisen; Megjithatë, liria s’u mërgua nga vendi i saj; Kur lë liria vendin, nuk largohet e para apo e dyta as e treta; Pret sa të dalin të gjithë, ajo shkon e fundit.” Të mos e kenë ditur këtë himn të tij për lirinë?! E pamundur, derisa pretendojnë se janë ajka e elitës intelektuale e Kosovës!
Por është fakt, se nuk vonoi dhe populli në Kosovë filloi të delte gradualisht nga ndikimi absolut i Rugovës dhe i ideologëve të saj pacifistë që e rrethonin atë; populli filloi të shkoi pas ilegalëve revolucionarë. U vërtetua edhe në Kosovë ajo që na mëson historia, se në të gjitha lëvizjet pacifiste arrihet në një pikë ku elementët më aktivë ndihen të zhgënjyer nga ngadalësia e ecurisë dhe i drejtohen mosbindjes qytetare, bile edhe aktive të dhunës. Dhe, faktikisht LDK-ja nuk e pati më atë lloj përkrahje që pati 4-5 vitet e para të saj. Ndikimi absolut i saj përfundoi me luftën e Jasharajve në Prekaz.
Dallimet midis Ballit Kombëtar dhe Udhëheqjes së LDK-së
1.Balli Kombëtar i bashkoi forcat e veta ushtarake me okupatorin duke luftuar kundër ushtrisë çlirimtare të popullit shqiptar.
Ushtria e LDK-së (FARK) nuk e vuri në jetë këtë strategji të Ballit Kombëtar.
2.Balli Kombëtar i armatosur me automatikët gjermanë u dehën nga gjaku i foshnjave e i grave, pleqve dhe të rinjve tanë dhe, të kapardisur mbi kufomat e tyre, shkriheshin në çast me “punën e axhaminjve qe s’dinë pse sakrifikohen”.
LDK-ja e “armatosur” me radio, televizion, gazeta, kinema e filma e verboi mendërisht shumicën e burrave, rinisë dhe gratë shqiptare, të cilëve u pëlqente të gënjenin veten me thënien: “Të niset lufta kundër Serbisë dhe Jugosllavisë me AK-47, njimend ishte Mission Imposible.”(Blerim Shala”Vitet e Kosovës”,Prishtinë, 2000,f.10), si dhe “Ne nuk kemi informata se ekziston një organizatë e tillë dhe letrat që dërgohen janë pa kurrfarë identiteti dhe pa kurrfarë rëndësie, pos që ta rëndojnë situatën në Kosovë dhe të pengojnë zgjidhjen politike të çështjes në Kosovë. Unë mendoj se nuk ekziston një organizatë e tillë.”,(Ibrahim Rugova “Rilindja”, 22. 06. 1996).
3.Udhëheqja e Ballit Kombëtar u largua nga vendi (Shqipëria) menjëherë pas lufte, së bashku me okupatorin.
Udhëheqja e LDK-së u largua gjatë luftës kur populli dhe ushtria e tij çlirimtare luftonin kundër okupatorit. Ja si thotë Sadiu për këto raste: “Kush vërsulet në betejë, lot me kokën e tij; kush kërcet nga fush’ e luftës, lot me kokën e ushtrisë”. Dhe u kthyen në Kosovë kur UÇK-ja dhe aviacioni i NATO-s e larguan okupatorin nga Kosova.
4.Udhëheqja e Ballit Kombëtar pasi u largua nga Shqipëria organizoi grupe diversioniste për të rëzuar regjimin në Shqipëri, por nuk e fyejti Luftën Çlirimtare dhe Ushtrinë e saj.
Udhëheqja e LDK-së, kjo “parti me halle / jo për në male, / po për në valle / demosociale”, pasi mbaroi lufta çlirimtare u kthye në Kosovë, 28 korrik, kur morën garancinë se do çarmatosej edhe ushtari i fundit i UÇK-së. Por, ndryshe nga BK, LDK nuk e fyejti regjimin që po vendosej në Kosovë, por gjithë urrejtjen e shfreu kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ia mohuar gjithë luftën e saj, si para angazhimit të NATO-s por edhe gjatë bashkveprimit me NATO-n, duke kërkuar menjëherë pas lufte, qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së saj, mbajtur më 05.VII.1999, Eqrem Kryeziu, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për “hulumtimin e krimeve të luftës”, krijuar qysh më 19.11.1998, propozon: “Propozoj që të rihapen zyrat e LDK-së në të gjitha qendrat për hulumtimin e krimeve të kryera nga serbët por edhe UÇK-ja.”(pashtriku.org. 17 mars 2020), dhe më pas, në koalicion me PDK-në, vendosën dërgimin e saj në një gjykatë ndërkombëtare, me akuzën: “ushtri terroriste”, edhe pse në Hagë Rugova i tha Millosheviçit: “Jo, UêK nuk ishte organizatë terroriste dhe as marksistë të Enver Hoxhës. Këto janë shkrime gazetash.” (Po aty, f.78-79); gjë që, do të thotë, se kjo është bindje e udhëheqjes aktuale e LDK që e ka këto akuza, njësoj si Millosheviçi!
Përfundime
1.LDK-ja vuan nga sëmundja e kultit të individit; dhe këtë e bën për faktin se ka dështuar në të gjithë politikën e saj kombëtare dhe mundohet të fshihet pas gishtit. Për këtë arsye, LDK-ja po mundohet me të gjitha mënyrat ta mitizoi Rugovëm, duke u nisur nga parimi: “Heronjtë kujtohen, kurse mitet nuk vdesin kurrë”. Por, gabojnë. Autoriteti nuk mbahet me furkaçe.
2.Rugova, kur shkoi për të dëshmuar kundër Millosheviçit në Hagë, ndryshoi qëndrim e tij ndaj UêK-së. Këtë e bëri për të vetmen arsye se UêK-ja kishte fituar simpatinë jo vetëm të kombit shqiptar dhe të NATO-s, e shprehur kjo në telegramin e mirënjohjes, dërguar SHP të UêK-së, duke e quajtur: “Bashkveprimi më i mirë i NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare”, por edhe të gjithë botës demokratike. Por, për fat të keq, udhëheqja e LDK-së nuk ka ndryshuar aspak mendimin e saj kundër UêK-së, prandaj dhe arriti të bindte PDK dhe shumë deputetë ish-luftëtarë, ta dërgonin UêK-në në një gjyq ndërkombëtar racist.
3.Bazuar në gjithë aktivitetin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë tre periudhave: para lufte, gjatë luftës dhe veçanërisht në këto 20 vitet e pasluftës, na rezulton se në çdo lloj koalicioni qeverisës që ajo ka bërë pjesë, jetëgjatësia e atij koalicioni ose do të jetë jetëshkurtër, ose koalicioni qeverisës do të korruptohen e do të përfundojë në veprimtari në dëm të interesave popullore a kombëtare. Të njohësh problemin është më e rëndësishme sesa të dish zgjidhjen, sepse paraqitja e saktë e problemit çon te zgjidhja, na mëson Ajnshtajni.
Tiranë, 18 mars 2020