LIBERTARJA E RREME … DHE „SHTETET PROSTITUTA“

LIBERTARJA E RREME … DHE „SHTETET PROSTITUTA“

Nga Rexhep Kasumaj, Korrik, 2023

Libertarja e rreme…

(Sa keqardhje për të)

Maskat serbe tashmë ranë përdhé.

Në fakt, s’është që nuk e supozonim të vërtetën. Jo atë serben e proklamuar, gënjeshtare gjithmonë. Por të vërtetën alternative dhe të vetme për Veriun e Kosovës.

Dhe pëlhurën e modestisë, nuk e largoi Qeveria vetë. Aq më pak do vinte gërrithja nga Europa e turbullt.

Epilogun e fshehtë ëndërrtar, e parathoshte një idealiste e hershme e demokracisë. I përkiste Rezistencës kundër fashizmit të Sllobodanit, i shuar qyshkur si kriminel lufte në Hagë.

Ndaj, e besoja sinqerisht  të tillë. Por, siç do të shohim, nuk shfaqet tani aspak e pajuar ideje të vjetër.

Është kjo zonja Vesna Peshiq, e cila në editimin e saj adresuar premierit të Kosovës, shkroi: jepja veriun Serbisë dhe, ja,  kokëdhimbja do t’kalojë.

Madje, do vente më thellë në teorinë e së drejtës. Dhe, nënvizonte: ju poashtu jeni shkëputur duke sfiduar Badinterin e, ndaj, pse t’mos e bëj këtë veriu i Kosovës?

Dhe më erdhi, njëmend, keq!

Kisha shkruar shpesh se, ndërsa i përplasnin punët brenda avllisë, të gjitha Serbitë: monarkike, republikane, socialiste apo të kohës së vonë demokratike, i bashkonte Kosova, viktima tyre njëqindvjeçare 

Gjaku, krimi dhe helmi ndaj saj.

Më erdhi keq, prandaj, që znj. Peshiq, kjo libertare e rreme, m’a konfirmonte sërish këtë ndjesi e pohim të trishtë!

***

Verë, 2023

“Shtetet prostituta”

(Mbi regjimet e tyre)

1.

Nga arkivi i kujtesës ngulmoi për të ardhur sot, e martë, një mendim i hershëm. 

Nuk e dija qysh përftoi, por si një dyzim i llojit, do t’më kujtonte dhe poetin e mirë nga kohë të ikura, Rr. Dedaj, me vargun që psherëtinë: ah, sa martë kjo e martë!

Duhej të vinte, siç erdhi, krejt lehtësisht. Sepse si thotë F. von Schirach, në kujtime s’ka kohë…E, pra të mbarëkohshme ato janë…

Dhe vargu i ylbertë kishte një tis mitologjie shqiptare. S’është mirë të nisësh punë të martën. E ligë është ajo prorë, thoshte besimi i vjetër popullor.

2.

“Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithmonë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”.

Kështu, me një ton cinizmi e proteste, shprehej S. Kabrik.

Dhe ky, në fakt, ishte mendimi i kujtuar në fillshkrim.

Mirëpo, duke pretenduar të jetë përfundimtar, gati një aksiomë e parrëzueshme, fjala e prerë, shpalos shpesh plasën e vet ndër vite.

3.

E thashë: mbase jo gjithnjë shtetet janë prostitutë, por ndonjëherë regjimet e tyre.

Por sërish, sesi më dukej që, sado të lëkundej, nuk binte i gjithi dot

A s’kishin arrogancë gangsteriale fuqitë imperiale dikur dhe trajtat e vona me bizhu mondane sot?

Natyrisht, kulturat e tyre mbi të drejtën e lirinë, janë të ndryshme. Veçse, mjerisht, dhe hemisferat më luçide të kësobotshme, sikur i bëjnë strehë këtij pohimi të vështirë.

Poashtu, fillesa dytë e thënies urtake mbetet pak pezull në alternimin e kohëve. A nuk njohim, ndërkaq, shumë popuj të vegjël, por me histori të madhe? Dhe historia nuk shkruhet asnjëherë pa gjak, e gjaku kolektiv nënkupton përherë rezistencën, kryengritjen, luftën e lirinë…

Shqiptarët janë njëri prej tyre. Më shumë gjak se shi ka rënë mbi tokën e tyre të lashtë. 

4.

Një ditë pas. Rezyme vlerësimesh për qëndrimin fluturak të Bill Klintonit, heroit të Kosovës së lirë, në Tiranë.

Qasjet janë, rëndom, të ndryshme. Ashtu si interesat e përballshme grupore të shqiptarëve t’pajetuar.

Unë nuk do të përafroja asnjë prej tyre. Vëmendja, anise refuzoja kot, më kthehej prapë tek urtia e sipërthënë.

Dhe, vërtetë, jo shteti, aq më pak populli, por guverna e Shqipërisë do t’konfirmonte atë në t’gjithë mizerjen legjendare.

Që këtej prandaj, ky regjim, si do thoshte Niçe, ndan njerëzit në dy klasa: në vegëla dhe armiq. Veglëri brenda rrethojës së vet dhe armiq jashtë saj…Por, ndryshe nga ç’definonte filozofi i madh, ai ka dhe një përmasë të tretë: shëbëtorësi ndaj botës.

Çfarë autokracie prostituive!

Ndaj dhe kreu i saj Rama, tashmë i përhumbur në labirinthin e vet, turret si demi i toreadorëve drejt ngjyrës joshtare. Por, anise njësoj zbavitëse për të tjerë në tribunat përreth, kjo është një ngjyrë krejtësisht e ndryshme. Ngjyrë e zezë bordelli politik që mban shenjën e tregtisë me interesin shqiptar në altarin e armiqëve shekullorë.

Më erdhi keq, e mnirja pafund autorin e mendimit demoniak. Arsyeja? Kishte pjesërisht të drejtë. Nëse jo shtetet e vogla, aherë janë  regjimet e tyre që marrin rol prostitute në ballë të dramës së popujve të tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura