DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)

Pashtriku, 27 shkurt 2019: Pse Adem Demaçi nuk pranonte që në bisedime, nuk duhej të merrnin pjesë as Rugova, as Qeveria Bukoshi dhe as satelitët e tyre?
Demaçi e kundërshtonte pjesëmarrjen e Rugovës dhe udhëheqjen e LDK-së në konferencën ndërkombëtare, jo se ata nuk ishin për pavarësinë e Kosovës, por, edhe pse ishin sjellë si zot për gati një dekadë në Kosovë, ishin përgjegjës që nuk kishin ndryshuar asgjë. Kjo ishte një nga arsyet që ata nuk e shikonin me sy të mirë UÇK-në, dhe dashur pa dashur ishin bërë pengesë serioze për luftën çlirimtare të popullit. “Rugova për një kohë të gjatë e kishte mohuar ekzistencën e UÇK-së dhe bota i kishte besuar atij” 1), pohonte analisti angles H. Perrit. Duke qenë “kryesori i shqiptarëve të moderuar dhe rival i kryengritësve” 2), Rugova e pat kundërshtuar publikisht luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës, edhe pse “është gjë e rallë që një komb i shtypur nga diktatura të gjejë mënyrën të çlirohet pa një luftë”, sikundër shprehej i vetmi personalitet i madh i Evropës Prëndimore të pasluftës, nobelisti Vili Brand. Madje është Rugova ai që në konferencën për shtyp, në 10 Prill 1998, pasi u shpall rezultati i zgjedhjeve të paimagjinuara në kushte lufte, bëri deklaratën më të hapur dhe më fyese të tij kundër luftës së armatosur për liri dhe për mohimin e UÇK-së: “Në Kosovë kemi shtetin e ndërtuar. Edhe zgjedhjet presidenciale e parlamentare janë kryer. Këto janë baza e shtetit, i cili doli nga zgjedhjet e Marsit të këtij viti. Mbi këto zgjedhje së shpejti do ndërtohet edhe qeveria” 3).

Mirëpo dihet që zgjedhjet elektorale të Marsit 1998 ishin një gënjeshtër dhe se parlamenti i dalë nga ato zgjedhje nuk kishte asnjë vlerë, nga shkaku jo vetëm i gjëndjes së luftës, ku në disa krahina nuk u zhvilluan as votime, por edhe i korrupsionit në kohën e zgjedhjeve dhe në të gjithë aparatin administrativ të LDK, mbajtur në kushtet e një nënshtrimi absolut nga aparati shtypës shtetëror serb.
Demaçi nuk e akuzonte LDK-në për tradhëti, por rruga që ata ndiqnin kundër luftës çlirimtare ishte e rrezikshme për Kosovën. Përçarja, në çdo periudhë të historisë sonë, ka qenë rreziku më i madh i shqiptarve. Të përpiqesh të dobësosh bashkimin e popullit në kulmin e luftës për çlirim, për Demaçin dhe cilindo shqiptar me dy paré mend në kokë, vetëm punë patriotike nuk mund të quhet.
Një nga të këqijat më të mëdha të LDK-së, për të justifikuar qëndrimin e saj anti-UÇK, ajo nisej nga kushte paraprake të rreme ndaj saj. Ajo thoshte se UÇK-ja frymëzohej nga mësimet e Enver Hoxhës, se gjoja luftonte për revolucion shoqëror dhe kjo ka ndodhur, theksonte Rugova, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, në Tiranë, duke ia thënë këto edhe Presidentit Klinton në 28 Maj 1998 – 4), kur ishte i ftuar në zyrën ovale të tij. Kjo ishte teza kryesore e LDK-së dhe e Rogovës.
Edhe në 25 Mars 1998, 20 ditë pas luftës së Jasharajve në Prekaz, kur në Kongresin Amerikan mbahej dëshmia për Kosovën nga diplomati Robert Gelbard, bëhet e njëjta deklaratë kundër UÇK-së nga Kryeministri në ekzil i Kosovës, i dalë nga LDK, Bujar Bukoshi, ndërkohë që 25 mijë shqiptarë të Amerikës brohorisnin “UÇK, UÇK!”, para Kapitolit, (100 metra larg vendit ku bëhej kjo dëshmi). “Në pauzën e asaj dëshmije, në një nga sallat e Kongresit, Xho Guardi e takoi Robert Gelbardin me Bujar Bukoshin dhe Alush Gashin (kryetar i LDK në SHBA). Pyetja e parë e Gelbardit drejtuar Bukoshit ishte: “Çka mendon për UÇK-në?” Dhe Bukoshi, pa pikë ngurimi u përgjegj: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një grupacion i njerëzve të frustuar, fshatarëve injorantë, të manipuluar nga fundërinat e marksizëm-leninizmit dhe të sigurimit të Enver Hoxhës, të cilët me veprimet e tyre terroriste provokojnë policinë serbe.” “ 5); kurse para tubuesve shqiptarë pat bërë hipokritin, duke thënë: “të gjithë shqiptarët janë UÇK”, sikundër dëshmon një nga organizatorët e atij tubimi, dëshmitari okular Naim Balidemaj. Ja pra që zoti Demaçi kishte të drejtë të mos u besonte këtyre njerëzve me njëzet flamurë në xhep.

Edhe “Në Kuvendin e Serbisë, nëse ju kujtohet ajo kohë, është cituar edhe Rugova”, – tregon një nga figurat drejtuese të formacioneve të UÇK-së në zonën e Junikut, Naim Maloku.- “Është thënë kështu: “Edhe Rugova po thotë se nuk ka Ushtri Çlirimtare të Kosovës”.6” Historia ka treguar se sa herë të privilegjuarit kanë parë se kombi ka cënuar privilegjet e tyre, ata kanë marrë anën e këtyre privilegjeve dhe janë hedhur kundër tij.
Por nuk mund ta akuzoje UÇK-në për revolucion shoqëror, pasi edhe parulla politike kryesore e saj ishte: “Luftojmë për shtet dhe jo për pushtet” 7; ajo luftë nuk mund të trajtohej si revolucion shoqëror pasi në programin e saj politik nuk pretendohej kalimi nga një mënyrë qeverisëse në një tjetër mënyrë, pavarësisht se në pushtetin e Rugovës ishin njerëzit e së kaluarës; nuk propagandohej përmbysja e marrëdhënieve ekzistuese të pronësisë apo cënimi i interesave të kësaj apo asaj pjese të popullsisë; si dhe nuk pati aspak faza tiranike ndaj asnjë lloj pjese të popullsisë. Të gjitha këto i dhanë asaj thjeshtë tiparet e një lufte çlirimtare, që pretendonte vetëm largimin e pushtuesit dhe lirinë e popullit.
Mirëpo, akuzat që LDK-ja i bënte UÇK-së se gjoja udhëhiqej nga ideologji majtiste kishin për qëllim jo vetëm që ta nënçmonte atë dhe luftën e saj, por gjithë popullin shqiptar në Kosovë, pasi bijtë e atij populli ishin ata që mbushnin radhët e UÇK-së, si një forcë që kish për qëllim të çlironte Kosovën nga pushtuesi serb.
Përderisa Serbia me policinë dhe ushtrinë e saj e urrente dhe e sulmonte UÇK-në, si e vetmia forcë reale që i qendronte përballë Serbisë, LDK-së nuk i falej të fliste me të njëjtën gjuhë si Serbia, kundër UÇK-së. Atëherë, në mullirin e kujt shkonte uji i saj?
Mirëpo tezës së LDK-së, se UÇK-ja bënte revolucion komunist, kishin dëshirë dhe i besonin shumë prej ndërkombëtarëve, ndaj dhe në atë projekt-marrëveshje e theksuan kërkesën e Rugovës dhe të Millosheviçit që të çarmatosej UÇK-ja, se ndryshe “përmbyste LDK-në”, aleaten e pushtuesit dhe të çdo ndikimi të huaj; ndërkohë që në atë projekt-marrëveshje nuk ngulej këmbë për largimin total të forcave ushtarake të Serbisë nga Kosova, dhe kjo pikërisht për ta “shpëtuar” Kosovën që mos t’i bashkangjitej Shqipërisë. Të gjithë jemi dëshmitarë që Rugova nuk donte t’i dëgjonte as emërin Shqipërisë. Dhe rasti më i dukshëm ishte ai kur ai u kthye nga Rambujeja, ku nuk pranonte as të zbriste në tokën shqiptare, ku e priste te shkallët e avjonit edhe Presidenti i Shqipërisë, por qëndronte në avjon me ambasadorin frances 8 (!) E si mund të pranonte Demaçi që këta mosprishës rehati të Serbisë të bëheshin avokatë të Kosovës dhe UÇK-së?!
Shumë prej ndërkombëtarëve e donin Rugovën dhe Bukoshin të ishin prezentë në Rambuje sepse këta të dy ishin miq të bindur të tyre, të cilët nuk u hapnin asnjë problem për çështjen shqiptare në Ballkan, sidomos për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Rugova, Bukoshi, shumica e kryesisë së LDK-së, por edhe shumica e ndërkombëtarëve nuk donin aspak ta njihnin UÇK-në, megjithse, ç’është e vërteta, nuk dinin asgjë për të. Ata nuk kishin bërë gjë tjetër veçse i kishin shpallur luftëtarët e saj si rebelë e separatistë të rrezikshëm dhe ishin mjaftuar me kaq. Nëse Evropa, LDK-ja dhe vetë Rugova do të interesoheshin me të vërtetë për UÇK-në, pse nuk shkuan të kontaktonin me të në terren, sikundër shkuan Amerikanët? Anëtarët e kryesisë së LDK-së dhe vetë Rugovën kush i pengonte të shkonin në terren? Nëse Rugova kish frikë të shkonte në male, pse nuk e thirri një ditë në zyrën e tij Përfaqësuesin Politik të UÇK-së, Demaçin, i cili edhe konferencat e tij të shtypit i jepte në godinën ku kish zyrat LDK-ja, atje ku i jepte edhe Rugova?!
Që të zhdukej ai mosbesim ndaj UÇK-së, pse ndërkombëtarët nuk organizuan një takim me të gjithë antarët e SHP, por bënin veç takime të fshehta me dy antarë të Drejtorisë Politike dhe kurrë të paktën me gjithë përbërjen e asaj Drejtorie? Pse nuk takoheshin qoftë edhe në Zvicër apo Gjermani me kryesinë e LPK-së, që kish inicuar dhe financuar UÇK-në, ndërkohë që kishin tre javë që debati bëhej publik? Apo këto gjëra nuk i dinin? Prandaj bindemi se organizimi i Rambujesë dhe thirrja në të e LDK-së ishte një dredhi për të arritur qëllimim e shuarjes së UÇK-së.
Mos shkuarja në terren e diplomatëve evropianë, që vepronin në Prishtinë, dhe e Rugovës për kontakt me SHP të UÇK-së tregon se nuk donin ta njhnin atë. LDK-ja nuk pranoi të merrte pjesë dhe nuk u interesua aspak edhe në ceremoninë më fatlume të UÇK-së, gjatë shkëmbimit të robërve midis dy ushtrive ndërluftuese, në 13 Janar 1999! Qëndrimi pasiv i LDK-së në këtë rast, ishte thjeshtë një neutralitet armiqësor ndaj UÇK-së. LDK-ja, nëse do të shkonte në terren për të kontaktuar me udhëheqjen e UÇK-së, ose të paktën në momentin e shkëmbimit të robërve, do të tregonte së paku shfaqjen e dëshirës për bashkpunim me UÇK-në, gjë që tregoi se nuk e dëshironte një gjë të tillë.
“Partitë e tjera e kanë shfrytëzuar rastin mirë, kurse administratorëve të huaj kjo u ka konvenuar. Edhe pse nuk kanë pasur ithtarë të shumtë afër vetes, mendoj për të dy partitë, LDK, LBD, që kanë qenë pjestare të delegacionit në Rambuje, ato e kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë shfaqur mospajtueshmëri me politikën e luftës dhe këta janë ata gjeneratorët kryesorë që nuk kanë lejuar të shfrytëzohet ky mekanizëm. Kujtoj që këta janë përgjegjës dhe fajtorë për gjendjen e krijuar.” 9, mbështet qëndrimin e Demaçit komandanti i zonës së pestë operative, Rrustem Mustafa.
Atëherë, me ç’të drejtë LDK-ja duhej të përfaqësohej në Rambuje? Mirë, u bë si u bë dhe u përfaqësua, por me ç’të drejtë me një numër edhe më të madh delegatësh se UÇK-ja? Ato dy forca, UÇK-ja dhe LDK-ja, ndoshta ishin me të vërtetë me ndikim të barabartë në opinionin kosovar, por me veprimtari dhe qëndrime ishin diametralisht të kundërta. Si të tilla, o njëra, o tjetra duhej të shkonte në Rambuje. Futja e LDK-së dhe e të “pavarurve” në përbërje të delegacionit, të cilët nuk kishin hedhur qoftë edhe një fjalë të vetme në përkrahje të UÇK-së dhe luftës që ajo po bënte, e jo më një pushkë, u bë me qëllim që edhe nëse do të ishte shumica me UÇK-në, të paktën në konferencë të ekuilibrohej ajo. Kjo taktikë u përdor edhe për kryesinë e delegacionit: 2 me 2; Rugova + Surroi : Thaçi + Qosja. Dhe kjo bëhej ngaqë shumica europiane ishte e sigurtë se LDK-ja do të përkrahte çdo propozim të tyre, gjë që do t’ua lehtësonte nënshkrimin e marrëveshjes, sikundër edhe ua lehtësoi. Faktikisht, sikundër edhe e pamë, LDK-ja dhe të “pavarurit” ishin ortakët e tyre. Dhe këtë gjë Adem Demaçi e kish më se të qartë, prandaj dhe nuk ishte dakort që LDK-ja të ishte pjesë e atij delegacioni.
Mirëpo, pranimi i atyre kushteve nga SHP ishte rënie në kurthin e LDK-së, i ngritur nga francezët dhe europianët e tjerë, me qëllim që të ringrihej LDK-ja nga gremina ku kishte rënë, duke qenë se vetëm tek ajo ata kishin besim. Dhe SHP e kreu këtë mision të tyre(!!!) Kjo ishte një nga ato momentet e papritura dhe fyese që ata bënë ndaj UÇK-së dhe Adem Demaçit, në të cilën mori pjesë edhe SHP dhe që i vështirësoi aq shumë marrëdhëniet me Demaçin. Me atë veprim të tyre, antarët e SHP e trajtuan Demaçin për budalla; po a nuk u tregua Demaçi shumë herë më i mënçur se të gjithë ata së bashku? E keqja ishte se në Dr.P dhe në SHP ka patur njerëz të interesit, kështu që është e vështirë të merret vesh se pikërisht cilat forca brenda tyre e luftuan UÇK-në dhe Adem Demaçin. Ndoshta në këtë dakordim të SHP mund të kenë vepruar edhe forca jashtë UÇK-së. Lufta, ndonse jo të gjithve, disave u hyn në punë.
E megjithatë, edhe pse pati shumë presione, Demaçi nuk e pranoi as përbërjen e delegacionit dhe as përmbajtjen e projekt-marrëveshjes, edhe pse ajo ishte hartuar sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare. Demaçi e argumentoi atë qëndrim me faktin e të qenit të Kosovës e okupuar nga Serbia, gjë që nuk i jepte as diplomatëve të përfshirë në ato ngjarje dhe as G-8 të drejtën t’i impononin vullnetin e tyre popullit shqiptar në Kosovë e në mënyrë të veçantë ushtrisë së tij çlirimtare, si për kushtet e propozuara, ashtu dhe për përbërjen e delegacionit. Demaçi i kundërshtoi, duke thënë se me këtë lloj delegacioni nuk mund të arriheshin përfundime konkrete. Dhe ashtu ndodhi.
Qëndrimin e tij kundërshtues ndaj Rugovës, Demaçi ua pat shprehur amerikanëve shumë më herët, madje në zyrën e tyre, në Prishtinë, qysh në 4 Korrik 1998: “Rugova duhet të tërhiqet plotësisht nëse duam të bëjmë punë… Këtu ka hile pse insistohet që ai të mbetet”. 10; ua tha atëherë kur qenë bërë publike shpifjet e Rugovës për UÇK-në thënë në zyrën e Presidentit Klinton, një muaj më herët.
Duke mos e pranuar LDK-në në bisedime, Demaçi nuk mendonte për pushtet të vetin, por për shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia, mosçarmatosjen e UÇK-së, realizimin e vetëvendosjes së Kosovës dhe shmangien e LDK-së nga pushteti i ardhëshëm, të cilën e konsideronte si forcë politike e dëmshme për Kosovën. Një qeveri e përbashkët e UÇK-së me LDK-në, sikundër edhe u propozua në Rambuje (dhe u bë realitet pas zgjedhjeve të vitit 2001), e cila për Demaçin ishte më shumë se një gjethe fiku në rrugën e ardhjes në pushtet të udhëheqësve politikë të UÇK-së, për Adem Demaçin nuk ishte gjë tjetër veçse përjetësimi i Rugovës dhe i politikës së tij pa bosht kombëtar. Çështja e vërtetë që shtrohej para Adem Demaçit nuk ishte zgjedhja midis arritjes së fitores dhe kompromisit, por midis fitores dhe disfatës për UÇK-në; gjë që ishte edhe për Kosovën.
Adem Demaçi këmbëngulte në mospranimin e LDK-së dhe të Rugovës në përbërje të delegacionit për bisedime, edhe për faktin se pacifistët e kishin humbur shansin e tyre për këtë gjë, sepse nuk kishin ngritur as gishtin kundër pushtuesve serbë, duke e ruajtur veten vetëm për të vepruar kur të çlirohej Kosova dhe atëherë për të sulmuar UÇK-në, sikundër deklaroi publikisht Rugova, kur ishte në Romë, në Gusht të vitit 1999, duke thenë: “Nuk kthehem në Kosovë pa u çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së.” Gjë që vërtetoi se për Rugovën populli i armatosur ishte më i frikshëm se pushtuesi serb.
Dhe ky konstatim i Demaçit u vërtetua edhe ditët e para të pas luftës, ku shtypi i LDK-së dhe ai i “pavarur” e akuzuan UÇK-në si ushtri fashiste dhe se gjoja ka bërë spastrim etnik, mbi bazën e të cilave justifikohet sot ngritja e një Tribunali në Kosovë 11), gjë që u pa edhe në mospranimin e miratimit prej tyre të Ligjit për Veteranët e UÇK-së, më 27 Mars 2014. Kjo tregon se LDK-ja dhe satelitët e saj kanë patur më të shtrenjtë pasurinë dhe privilegjet e tyre 12) se sa largimin e Serbisë pushtuese nga Kosova dhe kurrësesi vetvendosjen e Kosovës, të cilën, së bashku me Drejtorinë Politike, (udhëheqja kryesore e sotme e PDK-së), e kanë sanksionuar edhe në Kushtetutë. LDK-ja dhe satelitët e saj kanë qenë e janë nacionalistë, por janë nacionalistë të pasurisë dhe jo të Kosovës. Ata e kanë dashur dhe e duan Kosovën, shprehet Demaçi, por si çiflik të tyre dhe jo si Atdhe, ndryshe do të sakrifikonin për atë.
Gjithkush që mbaron së lexuari këta argumenta, që tregojnë se pse Demaçi nuk pranonte që LDK-ja të merrte pjesë në bisedimet ndërkombëtare së bashku me UÇK-në, ka të drejtën të shtrojë pyetjen: Kur Demaçi kish këto arsye kundërshtuese ndaj LDK-së, pse ai pranonte që LDK-ja të ishte pjesë e Asamblesë Qytetare nga e cila do të delte edhe Qeveria e Koalicionit Kombëtar ku, pa dyshim do të merrte pjesë edhe LDK-ja? Kur flasim për kompromis historik midis UÇK-së dhe LDK-së pacifiste, në kohë lufte, nuk do të thotë se në qendër të atij koalicioni udhëheqës të luftës do të qenë udhëheqësit pacifistë të LDK-së, por do të ishin ata drejtues politikë të saj që ishin për fitoren e lirisë përmes luftës së armatosur dhe që i ishin bashkuar asaj lufte, si p.sh. Sokol Dobruna 13) me shokë. Së dyti, prania e LDK-së si forcë e përgjithshme në atë grupim qeverisës për drejtimin e luftës, do të thoshte që ajo të hynte në atë grupim ku, me forcën e përgjithshme që do të kishin, do të vlerësoheshin bashkëpërgjegjës për vendimet që do të merreshin; ata do të ishin pjesë e asaj qeverie, për hir të unitetit kombëtar, por jo si elementë përcaktues, por si elementë kontribues. Ky lloj kontributi do t’u jepte të nesërmen të drejtën që të ishin pjestarë të barabartë në bisedime apo në qeverinë e pasluftës.
Mirëpo, pranimi vullnetarisht i çarmatosjes së UÇK-së nga ana e Drejtorisë Politike, u vinte në takim ndërkombëtarëve nismëtarë të Rambujesë, të cilët kishin si objektiv vetëm përfundimin e luftës, ngaqë e shihnin UÇK-në si një pengesë për paqen dhe jo si një aleate. Ndaj dhe donin ta çarmatosnin atë.
Dallimi në këtë pikë midis Drejtorisë Politike dhe Adem Demaçit ishte, se Dr.P nuk donte ta kuptonte këtë realitet, por që kuptohej shumë qartë nga vetë Rugova, LDK-ja dhe satelitët e saj. Por, duke qenë se Dr.P i pranoi parakushtet e marrëveshjes që do të nënshkruanin në Rambuje, Demaçi e kuptoi se fati i së ardhmes së Kosovës nuk do të vendosej nga lufta që pat bërë e do të bënte UÇK-ja, por në tavolinën e bisedimeve, ku vendimmarrëse do të ishte edhe pala tjetër shqiptare që ishte kundër UÇK-së, përjashtuar LBD-në e Rexhep Qoses.
Bazuar në sa më sipër, Demaçi ishte i bindur se në të tilla bisedime vetëm UÇK-së i takonte të përfaqësonte Kosovën, pasi ishte e vetmia dalëzote ushtarake dhe politike e saj. Por që të arrihej me siguri të plotë kjo pozitë për UÇK-në, Demaçi mendonte se ajo duhej të shpërthente në sulme masive të vijueshme me grupe të vogla në të gjithë territorin e Kosovës, kundër çdo objektivi ushtarako-policor të Serbisë në Kosovë, për ta kapur Serbinë në befasi të plotë dhe të mos i lihej asaj inisiativa e sulmeve për të zënë në befasi UÇK-në, sikundër e zuri në Reçak e në Rogovë gjatë muajit Janar 1999.
Vullnetarizmi i antarëve të Dr.P të SHP të UÇK-së, duke pranuar eleminimin e UÇK-së, pa pyetur asnjë strukturë të saj, (sepse edhe shefat kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm ishin vetë ata), për Demaçin mëshironte dështimin ideologjik të njerëzve që nuk kuptojnë thelbin e luftës çlirimtare dhe më në fund bëhen padashur rrezik për të ardhmen demokratike të Kosovës, të cilët shprehen në mënyrë hipokrite si patriotë të ndershëm. Me atë vullnetarizëm personal ata sabotuan Asamblenë Kombëtare të Kosovës, e cila do të mbahej maksimalishtë vetëm 4 ditë më pas se ajo e Rambujesë, në 10 Shkurt, e që do të merrte vendime për fatin e Kosovës.
Po të mblidhej Asambleja, përveç se krijoheshin Qeveria e Koalicionit dhe institucionet e tjera për drejtimin e luftës, do të kishim edhe disa përparësi të tjera: do të ngjallej në popull besimi në fitore; do të forcohej në popull vullneti për luftë; do të krijohej mundësia për t’u kuptuar nga shumica e popullit në Kosovë se vetëm të bashkuar mund të shkatërrohej edhe një armk i fortë si ushtria e Serbisë; do të ndërgjegjësohej populli për zgjatjen e luftës dhe, së fundi, prezantoheshin e hiqeshin dyshimet e përfolura për ata që ishin në krye të UÇK-së. Mirëpo, ata e sabotuan Asamblenë Qytetare, ndoshta ngaqë kishin frikë se mund të mos ishin të gjithë në krye të Qeverisë të dalë prej saj, ndaj dhe e vlerësuan situatën e krijuar në Janarin e vitit 1999 në mënyrën më kontraverse që mund të bëhej. Përveç kësaj, ai sabotim arbitrar i Asamblesë prej Drejtorisë Politike e mënjanoi popullin për të vendosur për fatin e vet, si dhe tregoi se ata e konsideronin UÇK-në si me qenë pronë private e tyre dhe e pavlefshme për më tej.
Ky veprim i Dr.P u erdhi për hosh disave prej diplomatëve europjanë, atyre, të cilët mbledhjen e Asamblesë Qytetare e shihnin si një qëllim armiqësor ndaj vendeve të tyre, si aleatë të përhershëm të Serbisë që ishin. Gjithashtu, duke u sabotuar Asambleja, nuk krijohej Qeveria e Koalicionit, e cila pa dyshim që do të kryesohej nga Demaçi, gjë që ishte shqetësim për Serbinë, për faktin se sigurohej udhëheqja solide dhe ekzistenca e UÇK-së edhe pas pushimit të luftës.
Dhe të gjitha këto “rreziqe” Serbia dhe ndërkombëtarët i shihnit tek roli i Demaçit.
VIJON…
____________________
1) Henry H. Perrit Jr. “Rrëfim prej brenda për një kryengritje”, Koha, Prishtinë, 2008, 193
2) Associated Press: “As Fighting Eurupts in Serbia, U.S. Envoy Presses the Rebels”, 28 Janar 1999
3) Gazeta “Rilindja”, 11 Prill 1998
4) Shpetim Golemi “Romantika e Luftes së UÇK”, Tirane-Prishtinë, 2012, f. 47
5) Naim Balidemaj “Tragjedia kosovare”, Prishtinë, 2001, f. 184-185
6) Naim Maloku:”Dëshmi për rrugën e lirisë”, Prishtinë, 2000, f. 116
7) Dilaver Goxhaj: Gazeta “Rilindja”, Tiranë, 28 Korrik 1998, si dhe “Rruga që më çoi në radhët e UÇK”, Tiranë, 2000, f. 55
8) Pr.Dr Paskal Milo “Ditari i një ministri të jashtëm”, f. 180
9) Safet Zejnullahu “Lufta për Kosovën”, Prishtinë, 2000, f. 120
10) Blerim Shala: “Vitet e Kosovës”, Prishtinë 2000, f.106
11) “Pas mos-përkrahjes së Ligjit për veteranët e UÇK-së, LDK ka ‘befasuar’ me përkrahjen e saj për Tribunalin. Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se kjo parti përkrah idenë që ky Tribunal të jetë në Kosovë. Ai madje ka thënë se ky Tribunal i mundëson Kosovës ‘perspektivë evropiane’ (sic!)”. (www.radiokosovaelire.com, 28 Mars 2014)
12) Ja se si e përshkruan këtë fakt, kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, z.Behxhet Shala: “Qytetarët” e pispillosur janë “aristokracia” e formuar pas heqjes së autonomisë së vitit 1989 edhe “aristokracia” e formuar pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Këto “aristokraci“ shquhen apo identifikohen me vetura të kushtueshme, truproja prej banditësh të cilët pastaj edhe vet u bënë “aristokratë“, të dashura të mbuluara me para dhe flori por të zhveshura nga rrobat dhe morali, frekuentim të lokaleve dhe restoranteve që nuk ua dinin as kuptimin e emrit, mësimin e gjeografisë duke shetitur shtete që nuk ua kishin dëgjuar kurrë emrat, stolisje me tituj akademikë dhe shkencorë duke mos hyrë asnjëherë në këto institucione, pushimet verore në Antali, Rodos, Florida, Ibica, San Tropez etj., ndërsa ato dimërore në Sent Moric, Insbruk, Garmish Parterkirhen etj., çmime ndërkombëtare për fleksibilitet politik, mirënjohje ndërkombëtare për oratori orale dhe shërbime anale, takime në korridore me mogulët vendimmarrës botërorë si infuzion për ringjallje dhe mbijetesë politike, fotografi ma krerë të Vatikanit dhe ajatollahë të Iranit,…”. (Shih: www.Pashtriku.org, 28. 02. 2014)
13) Sokol Dobruna, Kryetari i LDK për Gjakovën, luftëtar, drejtori i Drejtorisë Juridike i SHP të UÇK.

___________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura