Pashtriku.org, 14. 03. 2016: “Kur po shikoja fragmentet e diskutimeve që Ibrahim Kelmendi kishte mbajtur, në kohë të ndryshme, në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, mendimi i parë që më erdhi ishte se, për disa nga qëndrimet e tij dhe për vendimet që janë marrë, apo për njerëzit që është diskutuar, ne kemi pasur pozicione të ndryshme, pavarësisht se, që të dy, kemi qenë anëtarë të së njëjtës strukturë drejtuese, apo se kemi qenë (dhe jemi) miq. Fragmentet e diskutimeve të Kelmendit unë i krahasova me origjinalin që gjendet në arkivin e Organizatës, fletët e të cilave, që të gjitha, nuk e di se për cilën arsye, ai i ka nënshkruar njërën pas tjetrës. Në mos qofsha i gabuar, diskutimi, i cili sillet i dyti në radhë në këtë libër, ai i datës 12 dhjetor 1998, duhet të jetë edhe në arkivin e Shtabit të Përgjithshëm, pasi vetë Kelmendi, kur ia kërkuan, më lejoi dërgimin e tij. Ndoshta jam i gabuar, por besoj se kështu ka ndodhur”. (Bedri Islami)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR – sh.b) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP), 23 MAJ 1998:
» (…) Mbledhja e 6-të e Përgjithshme e LPK-së, Dega jashtë vendit, miratoi të drejtën e pjesëmarrjes së dy përfaqësuesve, – Hashimit (Thaçi – sh.b) e Kadriut (Veseli – sh.b), – të “Këshillit të Përgjithshëm“ të LPK-së, pa pasur mundësi verifikimi të tyre dhe të KP, pasi Sektorit përkatës, të lidhje-mbajtjeve, i mungonin të dhënat, përjashto njërin anëtar të sektorit, Ademin (Grabovci – sh.b), i cili befasisht informoi ose dizinformoi Mbledhjen e Përgjithshme, se, sipas tij, “Këshilli i Përgjithshëm është formuar në Kosovë dhe se dy shokët ishin përfaqësuesit e tij”. Edhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve, ndoshta duke qenë i mashtruar nga Ademi e ndonjë tjetër, ua miratoi atyre mandatin, pa ofruar asnjë dëshmi. E gjitha kjo ndodhi, mendoj unë, edhe si rrjedhojë e parapërgatitjeve që duhet të jenë bërë para Mbledhjes, për të “disiplinuar” Degën sipas dëshirës dhe synimit të disa individëve. Pjesëmarrës të tjerë të Mbledhjes vendosën të heshtnin. Dhe vendosen të heshtin sepse e kishin hetuar se do të bëheshin prapaskena, por nga dëshira e mirë që, çështjet që zienin prej disa kohe të kapërceheshin pa u hapur para delegatëve dhe Mbledhja të përfundonte në harmoni.
– Ibrahim Kelmendi –
Gjatë Mbledhjes, përfaqësuesit e supozuar të KP, Hashimi e Kadriu, e humbën durimin për të dëshmuar qëllimin e tyre të vërtetë të pjesëmarrjes në Mbledhje, dhe, mendoj se me nervozizëm, tentuan të ngrinin “çështje me rëndësi”, po në Mbledhje. Shumica e delegatëve, të hutuar nga kjo, se çfarë “bombe” mund të hidhej aty, e panë të udhës që çështjet t’i kalonin Këshillit të Përgjithshëm. “Përfaqësuesit” dhe bashkë-aktorët e tyre ranë dakord, gjithnjë duke shpresuar se, në zgjedhjet e reja, nuk do të fitonin të padëshiruarit e tyre, për çka ishte bërë edhe fushata paraelektorale. “Bomba” plasi në Mbledhjen e parë të Këshillit të ri të Përgjithshëm, që në fillim, pasi, disave u interesonte jashtëzakonisht shumë, që në Kryesinë e re, të zgjidheshin tashmë vetëm të “merituarit”, vetëm ata që i takonin atij grupimi, por nuk u prishte punë edhe ndonjë tjetër, që ende nuk ishte i informuar… Ca nga ciflat e asaj “bombe” më gjetën edhe mua. Kështu, “daja i vogël”, Azemi (Syla – sh.b), me sinqeritet tepër naiv, me dëshpërim të papërmbajtur, shprehu keqardhjen pse isha zgjedhur edhe unë në Këshillin e Përgjithshëm, pasi, sipas tij, isha një fajtor i madh për shumëçka që kishte ndodhur.
Kurse Hashimi e Kadriu po më fajësonin vetëm për “anarshinë” e krijuar në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Mendoj se ata duhet të më kenë kursyer pa më fajësuar më rëndë, kryesisht pse kemi pasur marrëdhënie të mira shoqërore dhe respekt reciprok. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë në ndonjë Mbledhje tjetër… E kam thënë disa herë para shumë viteve, ndoshta edhe e kam shkruar, se LPK vazhdon të ballafaqohet me vështirësi, pasi asaj i është zënë peta keq, që kur është themeluar.
(…)
Ca nga shëmtitë, që “përfaqësuesit” Sabri Novosella, Abdulla Prapashtica dhe Xhafer Shatri ia kanë imponuar Lëvizjes qysh në fillim, kanë qenë imponimi i frymës së grindjeve, grupimeve, individualizimeve, imponimeve, duke u thirrur “në emër” të strukturave fiktive. Këto shëmti, herë pas here, u shndërruan në një vijë të dytë të Lëvizjes. Ajo kurrë nuk ka mundur të lirohet e të shërohet plotësisht nga ato.
(…)
Qysh në vitin 1996 pata filluar të dërgoj të holla në Kosovë, në dukje “kokë në vete”, pa i pyetur paraprakisht shefat, duke iu përgjigjur kërkesave që bënin bashkëluftëtarët atje. Ato ndihma ishin simbolike dhe i dërgoja pasi konsultohesha me disa anëtarë të tjerë të kryesisë së Nëndegës së Lëvizjes në Gjermani. Natyrisht edhe “shefat” e Kryesisë së KP të Degës i informoja. Edhe ca “kaçakëve” të Prekazit, siç kam dëgjuar t’u thuhet atyre trimave nga disa “të disiplinuar”, u kemi dërguar ndihma simbolike, pasi qysh atëherë, në vitin 1996, ishim informuar se nga jashtë, këta “kaçakë” nuk ishin përkrahur e as nuk ishin ndihmuar.
(…)
Qysh në shkurt të vitit 1997 filluan të na kërkojnë ndihma edhe shokët e Linjës së Llapit. Kjo kërkesë arsyetohej me vrasjen e Zahirit dhe me shkëputjen e lidhjeve me Shtabin, sepse deri atëherë lidhjet ishin mbajtur përmes Tij. Me konsultimin e shokëve, kryesisht Sabri Kiçmarit dhe Fehmi Lladrovcit, por edhe duke informuar “shefat” përkatës të Kryesisë, u kemi dërguar, përmes lidhjes që kishin caktuar ata vetë, ndihmat financiare, po ashtu modeste. Edhe ata të Linjës se Dukagjinit kërkonin ndihma për nevojat e tyre. Aq sa arrinim, u dërgonim, gjithnjë përmes lidhjeve që kishin caktuar ata vetë. Disa shokë drenicas, me të cilët kishim qenë në Grevën e urisë në Bon, në maj të vitit 1996, me vendim të Kryesisë lënë Gjermaninë për t’iu bashkëngjitur radhëve të UÇK-së në Kosovë. Kur arrijnë atje, mes tyre edhe Ilaz Kodra, bashkëluftëtarët e tyre u ankohen se nuk iu ishin dhënë mjete të Fondit në mënyrë të organizuar. Edhe atyre u dërguam ndihma modeste. Vazhdoi shfaqja e pakënaqësisë tek disa rrethe të caktuara të UÇK-së, dhe pëshpëritjet, se nuk po merrnin ndihma nga “kompetentët”.
Prandaj më thirrën në një mbledhje të Kryesisë, sa më kujtohet në mars ose maj të vitit 1997, për të dhënë llogari dhe për të më disiplinuar, që të mos jap më ndihma. Aty Zeka ( Xhavit Haliti – sh.b) e pranoi se ishin shkëputur ca lidhjet pas vrasjeve të Janarit dhe burgosjeve, dhe se kishin ngelur pa u ndihmuar në mënyrë të rregullt disa rrethe. Për këtë dukuri më kishte rastisur të bisedoj edhe me Jashar Salihun, Udhëheqësin e Sektorit të Fondit (Vendlindja Thërret – sh.b), në të cilin edhe unë isha anëtar. Edhe ai nuk ishte i kënaqur për pëshpëritjet që kishin filluar dhe atëherë u vetëkuptua pse rrethet e shkëputura kishin gjetur vetë rrugën e lidhjes me Degën jashtë vendit, më konkretisht Nëndegën në Gjermani. Dhe pse e gjetën tek ne në Gjermani, kjo duhet të analizohet. Zeka na tha se ndërkohë lidhjet ishin vendosur dhe se ne, që administronim Fondin V.Th. në Gjermani, nuk duhej të dërgonim më mjete drejt për drejtë në rrethe, pasi kështu krijohen shkëputjet dhe shpërqendrimet. Ai këmbënguli se më mirë është që mjetet të shkonin në mënyrë të rregullt, të centralizuar dhe të disiplinuar. Natyrisht se isha dakord, por u shpjegova se, nëse rrethet do të vazhdonin të kërkonin mjete, edhe ne do të vazhdonim t’u dërgonim. Por edhe pastaj, luftëtarët e Zonës së Drenicës janë ankuar se nuk po u shkonin ndihma dhe sërish jemi detyruar t’u dërgojmë nga kontoja e Fondit në Gjermani. Për këtë mund të konsultohet edhe Letra e shokëve të Drenicës në fillim të dhjetorit 1997.
(…)
Duke qenë në Shqipëri, ndërkohë ndodhi ndeshja e madhe mes forcave të pushtuesit dhe forcave të UÇK-së. Në shënjestër ishte Prekazi. Dëmtimi i radhëve tona, sidomos i luftëtarëve dhe i popullsisë civile të Prekazit heroik, ishte i madh. Por shpresoj, po aq, ose edhe më i madh, është dëmtimi forcave pushtuese. Ndoshta do të ketë ndonjë ushtarak që do të thotë nesër se forcat e UÇK-së nuk manovruan si njësi ushtarake, por më shumë si trima stoikë, të cilët me qëndresë dhe sakrificë të Tyre, vetëdijesuan e politizuan popullin në kulm. Dhe kjo ishte gjithsesi fitorja më e madhe e Tyre. Ademi e Hamzë Jashari u shndërruan në heronj epikë. Familja e tyre e sakrifikuar u shndërrua në dhimbje e krenari gjithëkombëtare. Edhe në këtë luftë të pabarabartë u pa se trimat e Prekazit nuk kishin armë të mjaftueshme, sidomos ato të sofistikuara. Duhet të bëhen hulumtime dhe hetime, përse ka qenë kjo gjendje në Prekaz dhe përgjithësisht në Drenicë, pse u detyruan ata t’i shkruajnë letër Organizatës se janë të diskriminuar në armatim.
(…)
Sa i përket logjistikës, ajo ka funksionuar spontanisht, sipas kutit të aftësisë dhe të disponimit të “kompetentëve”, me zhurmë e përplasje, me stihi e me anarki, në dukje edhe me sabotime, por kryesisht si rrjedhojë e paaftësisë dhe individualizimit të problemeve. Më shumë bëhej çka kujt i tekej. Aty vepronin, të them kushtimisht, dy grupime kryesore, për të cilat i thashë disa fjalë më sipër, por po shtoj edhe disa të tjera. Këto dy grupime sikur bënin garë se kush do të bënte më shumë, por pa u koordinuar në mes tyre, e për më tepër, edhe duke qenë një garë e pabarabartë. (…) Kushdo që kishte nevojë për mjete, duhej të priste në hotel “Tirana”, ku e ka Zeka vendtakimin e përhershëm, të shihte një herë disponimin e tij, pastaj t’i drejtohej në mënyrë lutëse, sikur kishte shkuar për hallin e tij personal. Dhe vërtetë kjo formë nuk ishte funksionale.
(…)
Me ushtarakët, që kishin marrë pjesë në luftimet në anën e popujve që bënin luftë për t’u çliruar nga pushtuesit serbë, të cilët ndërkohë kishin ardhur në Tiranë, mbaja kontakt të përhershëm. Për të mos thënë se më duhej të interesohesha edhe për ushqimin e strehimin e tyre. Ata u bashkuan në një grupim të fortë e funksional, duke treguar gatishmërinë për t’u inkuadruar në UÇK, sapo Shtabi i Përgjithshëm të miratonte kërkesën e tyre dhe t’i caktonte aty ku e shihte të përshtatshme ai. Kishte ndër ata ushtarakë me gradën e kolonelit, por edhe të gjeneralit të brigadës. Të gjithë ishin emra të njohur në luftimet përkatëse, ishin shquar në luftëra. Nuk kisha ngurruar t’ua shpjegoja UÇK-në, si e njihja unë, të gjithë ndjeheshin krenarë me atë që kishte bërë dhe ishte duke bërë UÇK-ja. Shpjegonin në mënyrë bindëse se, në një fazë të tillë, kroatët dhe boshnjakët kishin qenë më keq, se shumë lehtë mund të strukturohej një ushtri e mirëfilltë, që të fillonte luftën. Më vinte keq t’ju thoja se gatishmëria e tyre varej nga ata, të cilët shumë pak merrnin vesh nga lufta.
(…)
Në fillim të prillit 1998 ka ardhur Smajli (Ramush Haredinaj) në Tiranë. Ai çmohej si më trimi dhe më luftaraku në fshatrat e Dukagjinit, ku veç ka shpërthyer ndeshja luftarake me sulmin frontal serb në Glloxhan, me synim që të shpartallojnë një zonë me rëndësi të UÇK-së. Për Smajlin, veç asaj që flitej, për trimërinë dhe bëmat e tij, nuk e di se çfarë pozicioni ka ai në të vërtetë në UÇK. Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, them, nuk është, por nuk e di nëse është ose jo drejtues i Shtabit të Zonës operative të Dukagjinit. Ai qëndroi, më duket, dy ditë në Tiranë. Duke qenë i dezinformuar, lidhur me qëndrimin e ushtarakëve aty dhe lidhjet e tyre me mua, ai ka kontaktuar si vetëtimë me disa nga ushtarakët, të cilëve u ka thënë në mënyrë të prerë, se nuk kishin pse të vazhdonin të qëndronin në Tiranë dhe aty të shpenzonin të hollat e vëllaznisë. Pra, sipas tij, ata dhe të gjithë ne duhet të futeshim menjëherë në Kosovë dhe të rreshtoheshim krah forcave të armatosura. Ai, si më thanë ushtarakët dhe siç e dëgjova vetë në telefon, nuk kishte pasur kohë të bisedonte dhe të informohej nga ushtarakët, se ata, po prisnin përgjigjen e Shtabit të Përgjithshëm. Ai, gjithashtu, nuk duhet ta ketë ditur se çfarë qëndrimi mospërfillës dhe mohues po mbanin “shefat” karshi tyre.
Si duket, ai ishte keqinformuar, se ushtarakët vetëm po silleshin e po shpenzonin, prandaj, nëse e shikojmë kështu, ai me të drejtë u ishte drejtuar atyre brutalisht. Se ishte i irrituar e nervozuar Smajli nga dezinformatat e shpifjet e dikujt, e mësova po atë natë, vonë, nga biseda telefonike me të, me të cilin ndërrova ca fjalë të rrepta. Disa konkluzione:
– Pas vrasjeve të janarit 1997 dhe burgosjeve të ushtarëve dhe kuadrove të UÇK-së, analizat për to duhej t’i bënte menjëherë Shtabi Qendror dhe ai të merrte qëndrimin e qartë për ngjarjet, shkaqet dhe fajtorët, duke mbajtur qëndrimin ndëshkues, gjithsecilit sipas fajit, dhe jo këto probleme të ngrihen tani. Kjo është një provë që Shtabi, sidomos pas vrasjeve e burgosjeve, nuk ka pasur funksionalitetin e mirëfilltë.
– Sidomos pas arrestimeve Shtabi Qendror dhe gjithë UÇK-ja do të duhej të riorganizoheshin, pasi ka ekzistuar rreziku që ndonjëri nga të burgosurit, duke mos qenë në gjendje të përballoj torturat, të dekonspirojë shumë vetë e shumëçka. Përkundrazi, kam përshtypjen se Shtabi Qendror nuk i ka përfillur kërkesat e shtabeve lokale për riorganizimin e Shtabit Qendror, prandaj janë shkëputur lidhjet dhe është bërë e vështirë gjetja e lidhjeve të reja, për të siguruar ndihmat dhe bashkëpunimin.
– Shtabi Qendror, sidomos pas vrasjeve e arrestimeve, është monopolizuar nga pak veta, në një rreth të caktuar shoqëror e lokal, një pjesë e madhe e të cilëve nuk kanë qenë që gjatë kohë në Kosovë, por këtu, në emigracion, dhe prej këndej, janë munduar të drejtojnë ose të ç’drejtojnë UÇK-në.
– Kryesisht me fajin e Sektorit të rëndësisë se veçantë është shkaktuar gjendja e ngrirë, nëse jo diç më shumë, në mes të Shtabit dhe Kryesisë së Degës. Në këtë drejtim duhet të ketë ndikuar përbërja e Shtabit. Kjo ka bërë që ai të mos ketë takime me Kryesinë, pas kërkesës së saj muaj më parë, pasi shumë nga anëtarët e shtabit ishin të mërguar në Zvicër dhe kjo është dashur të mbahet e fshehtë. Kaq e fshehtë ishte sa që, në takimin me Kryesinë, në prill të këtij viti, në një rast Zeka e pyet Hashimin: “Ti çfarë roli ke në UÇK?” Ose ndoshta me këtë pyetje ka dashur edhe më tej të ruaj të fshehtat e përbërjes së shtabit.
– Shtabi nuk ka koncept aktual për gjendjen ku ndodhemi, gjegjësisht për luftën, se a duhet të vazhdohet me aksione të bëra nga grupe të vogla guerile, apo duhet të përforcohen radhët për një luftë frontale, të cilën, siç po duket, pushtuesi veç na e ka imponuar në disa zona qysh tashti.
– Shtabi ka zvarritur legalizimin e UÇK-së, si një ushtri çlirimtare popullore, në përmasa të pa dëmtueshme për të, edhe pse ka pasur propozime, të cilat nganjëherë kanë qenë edhe publike. Duhet të emërohet zëdhënësi, të futet në përdorim vula, të firmosen komunikatat, qoftë edhe me pseudonimin e Komandantit të Përgjithshëm, të ngarkohen persona të caktuar me detyra të caktuara, ato të jetësohen me vendime me shkrim. Ndoshta, edhe për shkak të kësaj zvarritje, UÇK-ja vazhdon të vlerësohet nga struktura të ndryshme, brenda e jashtë, nga masmediat, herë si grup “ilegal”, e herë, çka është më keq si grup “terrorist”.
(…)
Propozoj:
• Këshilli i Përgjithshëm i Degës, përkatësisht Kryesia e re që do të zgjidhet nga ajo, duhet të shkarkojë të gjithë sektorët përkatës, atë të rëndësisë se veçantë dhe të lidhje-mbajtjeve, dhe kjo është e drejtë e saj, pasi anëtarët dhe drejtuesit e këtyre sektorëve janë emëruar po nga Kryesia.
• Shtabet lokale, në bashkëpunim me shtabin qendror, duhet të zgjedhin një shtab të ri, i cili duhet të përbëhet nga anëtarë që gjenden në Kosovë dhe në të përfshihen ushtarakë të sprovuar.
• Rrjeti i logjistikës në Shqipëri duhet të organizohet në mënyrë strukturore, kryesisht me shqiptarë vendas, ushtarakë, pasi ka mjaft nga ata, më të përgatitur se shokët tanë që po merren aktualisht me këtë detyrë, nga ana tjetër kjo do të na kushtojë më lirë dhe nuk do të biem gjithaq në sy.
• Duhet të ndërpritet zvarritja dhe nënvlerësimi i ushtarakëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, të sprovuar e të dëshmuar, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre të sinqertë për të qenë pjesë e UÇK-së.
• Duhet të përcaktohen qartë dhe pa asnjë ekuivok raportet mes UÇK-së dhe LPK-së, nga të dyja palët, pasi jemi e njëjta gjë dhe kemi të njëjtin synim.
(…) «
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli IX. Dy mendime të ndryshme”, faqe 315 – 322)
_____________________
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 1)
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 2)
BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT!
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5112
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 3)
BEDRI ISLAMI: ILIR KONUSHEVCI DHE ARDIAN KRASNIQI SË BASHKU ME TË TJERË, I VUNË THEMELET UҪK’së. IBRAHIM KELMENDI: ILIRI KISHTE GOXHA ANKIME KUNDËR XHAVIT HALITIT DHE AZEM SYLËS! (FOTO ARKIVORE/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5115