DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-54-

Për përdorim të kufizuar

Zagreb

17 qershor 1981

I nderuar Terry,

Situata e brendshme politike në Kosovë

1.         Qëndrova sot një orë me Jaksha Petriç, anëtar i Kryesisë së Kroacisë, një nga kontaktet më të dobishme këtu, i cili është i gatshëm që të flasë hapur për çështjet kombëtare dhe lokale. Diskutuam së bashku për skenën politike kombëtare, Kosovën dhe Kroacinë.

2.         Vetë Petriç, tha se problemi kryesor i vendit ishte ai i menaxhimit ekonomik dhe në veçanti arritja e kohezionit shumë të dëshiruar dhe marrëveshjes ndërmjet republikave (që Petriç e krahasonte me shtetet sovrane në konfederatë) me tendencën e tyre të fortë për autarki. Petriç tërhoqi vëmendjen në takimin e përbashkët të kohëve të fundit midis kryesive të Federatës dhe të Partisë, të cilat ai i kishte ndjekur si përfaqësues i Bakariç, dhe Kryesisë Federative dhe Këshillit Ekzekutiv Federal, që i kishin kushtuar vëmendje serioze këtij problemi. Petriç tha se ishte rënë dakord që masat të merreshin me marrëveshje para pushimeve verore për të ndaluar kalbjen, gjë që të gjithë e pranonin se kishte arritur shumë larg. Petriç shtoi se politika ishte që të përmirësohej dhe përshpejtohej arritja e marrëveshjes për masat ekonomike në mes të republikave dhe krahinave. Nuk pati asnjë sugjerim për t’ia hequr kompetencat këtyre të fundit, gjë që nuk ishte nismëtare. Fjalimi i Djuranoviç në Kuvendin Federal, më 10 qershor, pasqyroi shqetësimin e përbashkët në nivel të lartë. Petriç e përshkruante Djuranoviç si një njeri të shqetësuar dhe përmendi për shembull, që niveli i investimeve ende nuk po binte. Petriç tha se nuk kishte mosmarrëveshje në nivel të lartë, ku kishte unitet. Problemi i vërtetë filloi kur njëra nga palët filloi të ulej në pozitë nga ata që ishin të bashkuar në krye; dhe sa më tej që largohej nga maja aq më e vështirë bëhej situata.

3.         Në Kosovë, Petriç tha se autoritetet tashmë kishin arritur në fund të asaj që kishte ndodhur. Pjesa tjetër e Jugosllavisë ishte e vetëkënaqur, dhe jashtëzakonisht “liberale” (term të cilin mendoj se Petriç e përdorte në sensin jugosllav të “mosndërhyrjes”). Ka pasur neglizhencë në radhët e udhëheqjes së Kosovës, por vetëm pak prej tyre e dinin se çfarë po ndodhte dhe qëllimisht keqinformuan të tjerët, duke përfshirë në një fazë të mëvonshme, Dolane dhe Herljeviç, të cilët sidoqoftë kishin qenë të pafuqishëm në mos ishin nxitur nga autoritetet e Kosovës. Jugosllavët nuk u ngutën ndaj çështjes së Kosovës. Situata në bazë gradualisht po përmirësohej. Forcat speciale të SUP-it ishin tërhequr (sipas meje kjo nënkuptonte (?) njësi speciale dhe jo anëtarë të tjerë shtesë për të cilët Herljeviç tha se do të dërgohen). Shtytja kryesore e policisë do të jetë integrimi i ekonomisë me pjesën tjetër të vendit përmes investimeve ndërmjet republikave dhe krahinave në vend të sigurimit të komunikatave për burokracinë e Kosovës, që ka shkaktuar nacionalizmin dhe gjithfarë dokrrash. Petriç përmendi shembullin ku Kosova kishte përdorur fondet e ndihmave për të importuar pajisje të shtrenjta franceze në vend që të merrte një produkt po aq të mirë nga Kroacia. Por, pjesa tjetër e vendit, duke përfshirë serbët, e pranonte që politikat duhet të ndiqeshin duke punuar me kosovarët dhe përmes tyre, dhe që këto politika do të duhej të ishin shumë afatgjata. Megjithatë, nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin kushtetues të Kosovës. Përveç në forcën e ndjenjës serbe, ndryshimi kushtetues do të kishte implikime të rrezikshme tjetërkund në vend (Më vonë, Petriç tha nga njëra anë se mbetej çështje e hapur për të parë se çfarë mund të ndodhte, le të themi, në 20 vitet e ardhshme duke pasur parasysh se kosovarët ishin një popull që vinte duke u shtuar, por për momentin nuk do të kishte asnjë ndryshim).

4.         Petriç tha më tej se durimi dhe kujdesi i jugosllavëve në trajtimin e Kosovës u pasqyrua në qëndrimin e tyre ndaj ambasadorit shqiptar në Beograd. Ai ishte përfshirë thellë në rrjetin “trojka” të ngritur nga shqiptarët, i cili tashmë ishte prishur (Petriç tha se ata kishin marrë Komitetin Qendror). Sipas standardeve normale, ambasadorit duhej t’i kërkohej që të largohej, por jugosllavët nuk dëshironin të lejonin ndonjë hapësirë, p.sh. përmes përshkallëzimit, për përfshirjen e ndonjë fuqie të madhe (duke nënkuptuar qartazi këtu atë sovjetike). Deri më tani nuk kishte pasur shumë tregues të një përfshirjeje të tillë megjithëse shiheshin përreth disa “peshkime klandestine duke çukitur grepin në skaje”; për shembull, shërbimi i fshehtë bullgar ishte në kontakt me shqiptarët për Kosovën. Shqiptarët ishin përgatitur në të kaluarën që të kërkonin mbështetjen sovjetike e më vonë atë kineze për çështjen e Kosovës, dhe jugosllavët nuk donin t’u jepnin atyre ndonjë pretekst për këtë tani (rastësisht, Petriç më tregoi një histori të vogël se si, kur ai ishte futur në Partinë shqiptare, Enver Hoxha i kishte zënë be që do të punonte për marrjen e Kosovës).

5.         Kroacia ishte e gatshme të investonte në Kosovë, për përfitim reciprok. Kroacia kishte mungesa të energjisë elektrike dhe ishte e gatshme, për shembull, të investonte në prodhimin e energjisë në Trepçë. Në përgjithësi,kroatët kanë qenë më të ashpër ndaj trazirave nacionaliste në Kosovë, dhe udhëheqësve kroatë u është dashur të frenojnë tundimin e tyre për të reaguar ndaj kosovarëve që jetonin aty. Vetë Petriç i kishte folur turmës në Brac, ishullin e tij të lindjes, e cila kishte dashur të dëbonte, dhe të vepronte akoma më keq, ndaj dyqanxhinjve kosovarë (shumica e ëmbëltoreve këtu dhe në Slloveni mbaheshin nga kosovarët). Gjithashtu, atij i është dashur të fliste me të birin në ushtri i cili, së bashku me shokët e tij, kishte dalë vullnetarë për të shkuar dhe “për t’i sjellë në vijë” kosovarët. Ndjenja e përgjithshme, siç tha Petriç, ishte zemërimi se kosovarët kanë kërcënuar stabilitetin e vendit.

6.         Lidhur me politikën e informimit, Petriç ishte kritik ndaj keqinformimit dhe fshehjes që kishte ndodhur më parë, por ai ishte i kujdesshëm për sa i përket qarkullimit më të lirë të informacionit. Sipas tij, jo çdo informacion mund të vihej në dispozicion.

7.         E pyeta Petriç për atmosferën politike në Kroaci, siç pasqyrohej në fjalimin e Baltiç drejtuar Komitetit Qendror kroat më 20 maj (përmendur në letrën time të datës 26 maj), ku sipas Baltiç kishte armiq pas çdo peme. Petriç komentoi se popullin mund ta kënaqje shumë lehtë dhe ishte e drejtë t’ia kujtoje rreziqet nga nacionalizmi dhe kundërshtarë të ndryshëm, por ai mendonte se Baltiçi i kishte rënë tepër fyellit në këtë pikë dhe tabloja e shfaqur ishte mjaft e ekzagjeruar. Duke iu referuar kishës, Petriç foli me terma miqësore për refuzimin e Kuhariç dhe tarafit të tij për të pranuar shoqërinë aktuale jugosllave, duke kërkuar në Poloni – por ku historia dhe roli i kishës ka qenë dhe është tërësisht ndryshe – një rol politik, që do t’u refuzohej atyre. Petriç ishte i vendosur kur deklaroi se nëse kisha e shkelte ligjin, atëherë do të merreshin me të. Ai shtoi se kisha ende po vazhdonte në këtë mënyrë dhe përmendi kontaktin e vazhdueshëm ndërmjet Kuhariç dhe grupimit më të keq të emigrantëve kroatë, duke përfshirë, tha ai, ish-famullitarin ushtarak të Pavlic, Cecelja, që aktualisht jetonte në Vjenë dhe ishte vetë në kontakt me emigrantët terroristë. Petriç nuk ishte plotësisht i kënaqur me qëndrimin e Vatikanit. Nga njëra anë Vatikani kishte marrëveshje me Jugosllavinë, të cilën e mirëpriti dhe u shpreh se do ta pranonte dhe respektonte, por nga ana tjetër, njerëzit në Vatikan vepruan ndryshe.

                                                                                                                                  I Juaji

                                                                                                                       (P. E. Rosling)

                                                                               -55-

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                       Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                Beograd

                                                                                                                   17 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: ekonomia

1.         Prej njëfarë kohe na ka munguar raportimi midis nesh për Kosovën, për vlerësimin e ekonomisë së saj, por për arsye të ndryshme nuk kemi pasur burime për t’ia kushtuar një studimi të tillë. Disa të tjerë kanë pasur të njëjtën ide dhe në një nga takimet së fundmi të Këshilltarëve Tregtarë të Misioneve të Komunitetit Evropian këtu është vendosur që të ngrihet një grup i vogël pune për të shqyrtuar ekonominë e Kosovës. Sapo kam marrë një draft, i cili është shkruar kryesisht nga Këshilltari Ekonomik në Zyrën e KE-së këtu, e që pas miratimit nga të gjitha Misionet e KE-së, do të dërgohet në Hagë për Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore, i cili do të mblidhet më 22 qershor, me sa duket për të diskutuar për Jugosllavinë.

2.         Këtë mëngjes nuk kam pasur kohë të shqyrtoj draftin, por vetëm i kam hedhur një sytë përciptë dhe mendova që duhet t’jua dërgoj juve pasi është pjesë e përgatitjes për përfaqësuesin tonë në Grupin e Punës të KEP-it të Evropës Lindore. Komenti im i vetëm është për konkluzionin: natyrisht është e vërtetë që perspektiva ekonomike e Kosovës varet nga situata e përgjithshme ekonomike si në Jugosllavi në përgjithësi ashtu edhe në mbarë botën, por duhet shtuar se varet gjithashtu në masë të madhe nga zgjidhja politike e problemit të përgjithshëm të Kosovës. Siç e dini nga raportimet tona kjo zgjidhje, nëse vërtet mund të arrihet, është në thelb afatgjatë.

3.         Lidhur me hollësitë, një pikë e rëndësishme është se kam dëgjuar që autoritetet kosovare kanë vendosur të “tërheqin” Planin 5-vjeçar të rënë dakord më parë (përmendur në paragrafin 2 të draftit) meqenëse disa nga republikat dhe Vojvodina, kanë shënuar se ky plan nuk ishte i përshtatshëm për nevojat e Kosovës, të paktën në masën që ka të bëjë me investimet e tyre në Kosovë. Për këtë arsye Plani do të rishikohet në të ardhmen e afërt dhe është e pamundur të parashikohen në këtë fazë se cilat do të jenë ndryshimet. Ajo që mund të them është se kjo i shton një element tjetër pasigurie të ardhmes ekonomike të Kosovës.

                                                                                                                                   I Juaji,

                                                                                                                             T. J. Clark

-56-

Konfidenciale

A. E. Montgomery Esq                                                                         Ambasada britanike           

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                        Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            17 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e brendshme politike

1.         Po përgatitesha t’ju shkruaja mbi zhvillimet e fundit për frontin e gjerë të përgjegjësisë për ngjarjet në Kosovë kur mbërriti letra juaj e datës 15 qershor, e cila më nxiti akoma më shumë. Siç e thoni edhe ju, Kosova ka hapur një fushë të rëndësishme të politikës për debatin publik dhe, siç më kanë thënë gazetarë të ndryshëm jugosllavë, shtypit i është dhënë dorë e lirë jo vetëm për të raportuar ngjarjet, por edhe për t’i komentuar ato në mënyrë kritike. Është e qartë se njeriu nuk dëshiron ta çojë analogjinë shumë larg, sepse, siç u tha edhe në gazetën “Politika” një javë më parë, Jugosllavia do t’ia dilte mbanë më mirë pa traumën e Kosovës sa herë që do t’i nevojitej një impuls për të trajtuar një problem veçanërisht të vështirë.

2.         Megjithëse data 15 qershor ishte e jashtëzakonshme në faktin që për herë të parë pas disa javësh gazeta “Politika” nuk kishte ngjarje për Kosovën, ende nuk ka reshtje në procesin e kritikës, vetëkritikës dhe “diferencimit”, siç quhet spastrimi (në dëshminë e fundit publike mbi 400 njerëz janë dëbuar nga LKJ-ja). Sidoqoftë, data 15 qershor nuk ishte një ditë e zbrazët për publikun e Beogradit pasi të gjithë ne u ngopëm me një film dokumentar 100-minutësh në TV për ngjarjet; kjo ishte përpjekja e parë në trajtimin e kësaj teme në televizion dhe shembulli i parë që mund të mbaj mend nga gazetaria investigative në TV e stilit perëndimor, megjithëse në një mënyrë mjaft amatoreske. Pjesa më e madhe e iniciativës për debatin duket se vjen nga Serbia; gjithashtu po vërehet gjithnjë e më shumë një tendencë drejt ripohimit nga ana e serbëve të pozitës së tyre përballë shqiptarëve në Kosovë. Siç e kam raportuar, shtypi i Beogradit është bërë gjithnjë e më shumë këmbëngulës për t’i kërkuar llogari personave përgjegjës për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Korrespondentët e këtij shtypi kanë arritur që në shkallë të pashembullt të pasqyrojnë ngjarjet dhe të theksojnë në veçanti ato histori që duket se janë krijuar për të prekur pasionin e serbëve, p.sh. historitë për migrimin e detyruar të serbëve nga Kosova, gjë për të cilën është duke shkruar Charles Crawford. Shtypi aktualisht e merr sinjalin nga politikanët serbë, siç edhe konfirmohet nga disa shembuj që kanë ndodhur javën e fundit.

3.         Herljeviç, sekretari federal i Punëve të Brendshme, i distancoi autoritetet federale të sigurisë nga përgjegjësia për shpërthimin e trazirave në Kosovë në një fjalim para Kryesisë Federative, më 9 qershor (përmendur në telegramin tonë nr. 86 të datës 10 qershor). Stanojeviç, sekretari serb i Punëve të Brendshme, mbajti qëndrim të ngjashëm në një debat për Kosovën në Kryesinë serbe, më 10 qershor. Ai pretendoi se megjithëse autoritetet serbe të sigurisë i kanë informuar rregullisht autoritetet kosovare për çdo gjë që kishin në lidhje me Kosovën, nuk ka pasur reciprocitet, veçanërisht lidhur me ngjarjet më të fundit. Ai përmendi në mënyrë specifike se autoritetet e tij ishin informuar vetëm më 1 maj të këtij viti për një sërë manifestimesh antiserbe dhe antijugosllave në Kosovë në vitin 1980; dhe kishin dëgjuar vetëm në fund të marsit të këtij viti për shpërndarjen e broshurave të “Partisë Komuniste Shqiptare Marksiste-Leniniste të Jugosllavisë”, në periudhën midis marsit 1979 dhe nëntorit 1980. Ai vijoi më tej duke thënë se “njerëzit që janë më shumë përgjegjës në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme, nuk arritën në thelb të pranonin vlerësimet dhe marrëveshjet e arritura në mbledhjen e datës 19 mars pas rrëmujave të para në Krahinë, pra ata nuk i respektuan vlerësimet pikërisht në mënyrën që kërkonte situata”. Ai shtoi se nëse nuk do të kishte pasur hezitim për faktin nëse kjo situatë quhej apo jo kundërrevolucion, forcat serbe të sigurisë tashmë të mobilizuara do të dërgoheshin këtu për të penguar ngjarjet e 26 marsit dhe 1-3 prillit. Këto forca me sa duket ishin mobilizuar më 11 dhe 26 mars dhe 1 prill dhe ishin vënë në dispozicion të autoriteteve kosovare, por pas dy a tre ditësh u tërhoqën në secilin rast meqenëse autoritetet lokale u shprehën se këto forca nuk ishin të nevojshme. Si shembull tjetër i ftohtësisë së Kosovës, ai kujtoi se në vitin 1979 autoritetet e Kosovës kishin refuzuar të futeshin në një ushtrim për të testuar efikasitetin e forcave të sigurisë, përveç se në mënyrë shumë të kufizuar dhe vetëm kur pothuaj kishte mbaruar. Si rezultat i ngjarjeve, ai pohoi se nacionalizmi i Serbisë së Madhe kishte filluar të ngrinte kokën, duke pretenduar që për këtë duhej të fajësohej i tërë nacionalizmi shqiptar. Ai tregoi 13 raste të shënuara me parulla shqiptare të shkruara, ku me përjashtim të njërit, ishin kapur autorët e të gjitha rasteve. Megjithatë, një delegat në debatin pasues protestoi se numri i pjesëmarrësve joshqiptarë që ishin arrestuar dhe dënuar, ishte i tepruar dhe i pavend dhe pretendoi se kjo ndodhte për shkak të përpjekjeve për të balancuar dënimin e shqiptarëve me atë të joshqiptarëve!

4.         Në një seancë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, më 15 qershor, u deklarua më tej se në disa komuna (të papërcaktuara) kishte pasur akte të ndryshme hakmarrjeje kundër shqiptarëve, të tilla si thyerja e xhamave të dyqaneve dhe shkarravitja e parullave. Dhe faji i mbeti nacionalizmit serb. Shtypi i Beogradit ka raportuar gjithashtu rënie të fortë në shitjen e ëmbëlsirave dhe akulloreve në dyqanet e zotëruara kryesisht nga shqiptarët, me sa duket pjesë e bojkotit të qëllimshëm nga ana e serbëve.

5.         Pakënaqësia me progresin e ngadaltë të spastrimeve (të shqiptarëve) u shpreh nga një serb i Kosovës në Beograd, më 10 qershor, në mbledhjen e komunistëve kosovarë që punojnë në Administratën Federale këtu. Ai tha se Lidhja e Komunistëve të Kosovës nuk ishte e tëra fajtore, por vetëm ata që ishin në pozicione drejtuese. Deri në momentin që dikush të përmendte emra konkretë, ishte e vështirë të pritej një spastrim real. Ai vuri në dukje se zëvendëssekretari i Punëve të Brendshme kishte dhënë dorëheqjen, por ai natyrisht nuk e shikonte këtë si zgjidhje të çështjes, sepse zëvendëssekretari, tha ai, nuk mund të ketë marrë vendimin për të refuzuar ofertën e ndihmës Federale pa marrë paraprakisht pikëpamjet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Kryesia e Kosovës kishte ruajtur qetësinë dhe ky qëndrim inkurajoi edhe të tjerët të ruanin qetësinë. Ai besonte se sekretari krahinor i Punëve të Brendshme dhe të gjithë ata që e inkurajuan atë, duhet të shkarkohen dhe dënohen pas pranimit publik të fajit. Një serb tjetër u ankua se programi i veprimit të Komitetit Krahinor të LKK-së nuk shprehej mjaftueshëm për përgjegjësinë e udhëheqjes politike të Krahinës dhe se ishte e nevojshme që spastrimi të bëhej në nivel të lartë. Një shqiptar i Kosovës vuri në dukje disi në mbrojtje që të paktën për sa i përket politikës ndaj Shqipërisë, Kosova nuk ka vepruar pa dijeninë e organeve republikane dhe federative. Një shqiptar tjetër i Kosovës e mbylli mbledhjen me vërejtjen se edhe në këtë rast ka pasur mungesë të vetëkritikës dhe shmangie të thirrjeve të individëve për të pranuar gabimet.

6.         Filmi në TV i përmendur më lart tregonte shumë qartë problemet e përfshira në thirrjen e njerëzve për të dëshmuar. Rrëfyesi përpiqej të intervistonte një numër studentësh dhe nxënës shkollash në Prishtinë dhe gjetkë për dijeninë e tyre mbi ngjarjet dhe përfshirjen e tyre në to. Pothuaj në çdo rast, ai merrte përgjigje të tilla si: ata nuk dinin asgjë, atyre u është thënë të mos thonë asgjë, gjithsesi ata nuk janë përfshirë dhe nuk kanë folur serbo-kroatisht. Investigimi i kryer në një apo dy raste të viktimizimit të serbëve/malazezëve tregoi se policia lokale nuk kishte bërë asgjë për të ardhur në ndihmë në atë periudhë apo më pas. Rrëfyesi tregoi gjithashtu shifrën më të lartë deri më sot për numrin e pjesëmarrësve të përfshirë në demonstratat e prillit në Prishtinë – 10,000. Kështu, duke pasur parasysh numrat e dhënë dhe hezitimin e njerëzve për të folur, nuk është fare për t’u çuditur që diferencimi po ecën ngadalë.

7.         Gazeta “Politika” e 17 qershorit nxori në pah arsye të tjera të progresit të ngadaltë, duke raportuar se aktualisht po mbaheshin zgjedhjet në konferencat komunale të LKK-së dhe se kishte përplasje jo dinjitoze për heqjen e titullarëve aktualë nga pozicionet drejtuese! Gazeta “Politika” shtoi se asnjë nga kryetarët apo sekretarët e Lidhjes së Komunistëve në Komuna nuk e kishin parë të nevojshme deri më sot të kritikonin performancën e vet apo të jepnin dorëheqjen për shkak të demonstratave. Gazeta raportoi gjithashtu një qëndrim të ngjashëm midis kuvendeve të komunave, ku kryetarët dhe anëtarët e qeverive lokale vepronin “të qetë” sikur ngjarjet e fundit nuk kishin të bënin fare me ta, por ishin çështje ekskluzivisht të LK-së.

8.         Një shembull i fundit se sa thellë ka rënë shtypi serb për të fajësuar shqiptarët doli në gazetën “Politika” më 12 qershor. Në një raport tejet të gjatë dhe të përfshirë në arkeologjinë e Kosovës, gazetari iu vu punës për të përcaktuar se autoritetet arkeologjike shqiptare lokale i kishin hyrë me qëllim punës për të fshehur zbulimet arkeologjike që tregonin kolonizimet e hershme sllave të Kosovës dhe që do të tronditnin konceptin e një krahine shqiptare, të pastër nga pikëpamja racore!

9.         Një numër i vogël i shqiptarëve të Kosovës, kryesisht nga Universiteti i Prishtinës, kanë akuzuar shtypin e Beogradit për raportim tendencioz, por është e vështirë për shqiptarët lokalë që të mbrojnë veten e tyre pa dalë para akuzave të nacionalizmit. Kështu, për momentin, serbët shijojnë argëtimin. Politikanët serbë vazhdojnë të vënë theksin në nevojën për të zbatuar Kushtetutën serbe në vazhdimësi dhe shqiptarët e Kosovës nuk kanë alternativë tjetër përveçse të shoqërohen me lëvizje të ndryshme për t’i vënë fre pavarësisë së tyre të veprimit. Por, politikanët serbë dhe federalë janë të vetëdijshëm për rreziqet nëse reagimet e ashpra të serbëve shkojnë shumë larg por jam i sigurt se ata nuk do të lejojnë që situata t’u shpëtojë nga duart. Për momentin, kjo i shërben qëllimit të dobishëm për t’i thënë vazhdimisht shqiptarëve ngurrues të Kosovës që të shprehin me forcë mendimet e tyre.

                                                                                                                                  I Juaji,

                                                                                                                             T. J. Clark

Për dijeni: P. E. Rosling Esq

Zagreb

P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

-57-

Konfidenciale

ENU 015/3                                                                                        19 qershor 1981

Ch d’A                                                                                                                     

Kosova: pozita kushtetuese

1.         Në darkën me z. dhe znj. Raudenbush të Ambasadës së SHBA-së, më 12 qershor, takova një jurist kushtetues nga Universiteti i Beogradit, dr. Vladimir Kilibarda, i cili kryen specializimin për kushtetutat e shteteve federative. Dr. Kilibarda ka studiuar në Shtetet e Bashkuara (prandaj flet shkëlqyeshëm anglisht) dhe mendoj se ka marrë gradën doktor në Universitetin Stanford. Ai është mik i ngushtë (megjithëse së paku dhjetë vjet më i ri) dhe bashkëlojtar në tenis me dr. Djurisiç. Ka lindur në Pejë.

2.         Dr. Kiliborda foli në mënyrë interesante dhe shumë hapur për pozitën kushtetuese të Kosovës të cilën ai e përshkruan si “të pabazë”. Ai më tha se tre a katër vite më parë ai dhe disa kolegë, të cilët gjithashtu ishin juristë kushtetues, kishin paraqitur një studim për pozitën e Kosovës, ku theksonte rreziqet që dalin përpara nëse Kushtetutat e Serbisë dhe Kosovës nuk përshtateshin për të marrë parasysh anomalitë e ndryshme të dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Studimi u hodh poshtë nga autoritetet Federale dhe grupit të juristëve iu tha të mbyllnin gojën dhe të shikonin punën e tyre (ndaj pozitës së federatave përveç Jugosllavisë).

3.         Sipas mendimit të dr. Kilibarda, pozita aktuale në Kosovë është e pashpresë. Situata kishte shkuar deri në atë pikë sa ishte e pamundur për të futur ndryshime të nevojshme kushtetuese; sidoqoftë, autoritetet federale i kishin përjashtuar ato. Trazira aktuale vetëm mund të përmbahej, por jo të zhdukej, dhe kjo do të bëhej një faktor gjithnjë e më dobësues në jetën e Federatës Jugosllave.

4.         Dr. Kilibarda tha se formula “Kosova Republikë”, pavarësisht se sa e papëlqyeshme për serbët, ishte e vetmja formulë logjike sipas së drejtës ndërkombëtare. Fjalimet e Titos dhe referencat e paqarta të “plebishiteve” dhe Aktit Final të Helsinkit, nuk ishin të mira sa duhet. Por, Jugosllavisë i duhej të jetonte me kontradiktat e Kosovës, meqenëse përfundimisht integriteti i Federatës ishte në rrezik dhe kjo pa dyshim, siç e kemi pranuar ne dhe shumë shtete perëndimore, kishte rëndësi të dorës së parë për Jugosllavinë dhe për pjesën tjetër të Evropës.

5.         Dr. Kilibarda ishte i prerë në pohimin e tij se pas parullës “Kosova Republikë” nuk ishin makinacionet e Tiranës, Moskës apo ndonjë kryeqyteti tjetër të huaj, por ato të vetë shqiptarëve të Kosovës. Ky ishte rasti i irredentizmit në termat e Prishtinës dhe jo të Tiranës. Kosovarët dëshironin Republikën e tyre si prelud për të realizuar ëndrrën e tyre të “Shqipërisë së Madhe”. Kjo nënkuptonte imponimin e nocioneve të tyre të kombësisë shqiptare dhe një rendi shoqëror për vetë Shqipërinë të cilin do të dëshironin ta transformonin në aspektin social, ekonomik dhe politik pas largimit të Hoxhës. Nëse agjitimi në Kosovë ia dilte të përshpejtonte këtë, aq më mirë nga pikëpamja e kosovarëve. Dr. Kilibarda theksoi se shumë pak prej parullave, nëse ekzistonin, ishin në të vërtetë “pro Hoxha” – ato ishin thjesht proshqiptare. Por natyrisht, autoritetet federale e kishin paraqitur situatën në një dritë tërësisht të ndryshme, d.m.th., që demonstruesit me sa duket dëshironin të bashkoheshin me Shqipërinë siç është tani, ose të impononin stanilizmin mbi veten e tyre (gjë që zor të jetë e besueshme).

6.         Kur thashë se ajo që ai më kishte treguar mund të ishte të paktën pjesërisht përfundim i një studimi nga afër i shtypit jugosllav (pas mungesës fillestare të informacionit për atë që kishte ndodhur në Kosovë për kaq shumë vite), dr. Kilibarda ra dakord menjëherë. Ai tha se tashmë shtypi po luante një rol shumë pozitiv në informimin e njerëzve mbi rreziqet e situatës, që zor se mund të ekzagjerohej. Kjo nuk i pëlqente të gjithëve qoftë në Beograd apo Prishtinë. Në të vërtetë situata tregoi se si shtypi po shfaqej si “forcë politike” në Jugosllavi dhe ishte gjithnjë e më e vështirë, që pas ikjes së Titos, për t’i mbyllur gojën. Shumica e artikujve me emër në ditët tona e shohin rolin e tyre investigativ më shumë si parësor sesa dytësor në informimin e publikut jugosllav në lidhje me atë që po ndodhte.

7.         Si federalist, dr. Kilibarda ishte qartazi në favor të fuqizimit të makinerisë federative dhe kundër delegimit të mëtejshëm të pushtetit politik në kryeqytetet e Republikave. Në këtë pikë, Kosova kishte nxjerrë një mësim të vlefshëm. Nëse pushteti politik do të ishte më shumë i përqendruar në Beograd, ngjarjet në Kosovë mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe situata aktuale ndoshta mund të ishte evituar. Ai pranoi se pikëpamja e tij ishte jashtë mode (vetë ai nuk do ta kishte pranuar atë pak vite më parë), por të paktën një rikthim i kufizuar në centralizëm do të ishte i nevojshëm për stabilitetin e Jugosllavisë si në sensin politik dhe atë ekonomik. Ai tha se Djuranoviç të cilin e admironte, duhet të kishte si kryeministër i Federatës, shumë më tepër kompetenca dhe jo vetëm të natyrës ekzekutive.

8.         Mbase mund të dëshironi të flisni me dr. Kilibarda ndonjëherë. Ai banon në adresën Ivana Milutinoviça 88 (numri i telefonit 436-224). Mund të organizojmë një takim dreke ose darke të tre së bashku.

                                                                                                                      D. I. Miller

15 qershor 1981

Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD, FCO

-58-

Për përdorim të kufizuar

                                                                                                              Ambasada britanike

J C R Gray Esq                                                                                                Beograd

EESD                                                                                                                       

FCO                                                                                                            17 qershor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: emigrimi i serbëve dhe malazezëve

1.         Siç e kam përmendur në letrën time për Kosovën javën e kaluar, këtu është shprehur shqetësimi zyrtar për “pasiguri” në mesin e serbëve dhe malazezëve në Krahinë dhe për efektet e dëmshme të emigrimit të tyre. Megjithëse ka pasur një qarkullim të qëndrueshëm të emigrantëve për disa vite deri më sot, vetëm kohët e fundit janë shfaqur komente kritike zyrtare dhe të shtypit në drejtim të trazirave aktuale.

Shifrat e censusit

2.         Siç e ka përmendur edhe Jon Ward në letrën për ju, më 13 maj, në konferencën e tij kryesore për shtyp, Dolanc ka mohuar me forcë ekzistencën e një migracioni të dukshëm të serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Për të qenë i saktë, Dolanc tha se “duke parë profilin e popullsisë në terma përqindjeje, përqindjet nuk kanë ndryshuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, megjithëse nuk e mohoj se ka pasur disa raste të tilla”. Meqenëse censusi është plotësuar vetëm në Kosovë më 20 prill dhe rezultatet e tij u publikuan në fillim të majit, vlerësimi i Dolanc ishte i nxituar dhe, siç rezultoi, tërësisht i gabuar. Kështu, siç tregoi letra e Jon, gjatë dhjetë viteve të fundit numri total i serbëve në Kosovë ka rënë me 8.1%, ndërsa numri total i malazezëve ka rënë jo më pak se 14.8%. Në vitin 1961 njerëzit që e deklaronin veten si serbë përfaqësonin 23.5% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës; në vitin 1971 ata përbënin 18.4% dhe në vitin 1981 përbënin 13.2% (shifrat për malazezët janë respektivisht 3.9%, 25% dhe 1.7%). Me fjalë të tjera, megjithëse midis viteve 1961 dhe 1981 popullsia e përgjithshme zyrtare e serbëve ra vetëm me 17,000 diferenca ndërmjet numrit të atyre që jetojnë në Kosovë me ata që do të kishin jetuar aty sipas normave të zakonshme jugosllave të rritjes dhe pa emigrimin, është shumë më e theksuar. Në terma si absolute dhe relative, numri i serbëve dhe malazezëve që jetojnë në Kosovë ka rënë dukshëm që prej vitit 1971.

Deklaratat zyrtare

3.         Ndërkohë që vendimet individuale për t’u larguar nga Kosova nuk mund të kritikoheshin zyrtarisht, tendenca në përgjithësi është dënuar nga autoritetet; gjithashtu janë bërë premtime për masa të forta kundër kujtdo që ushtronte “presion” për të nxitur emigrimin. Kështu, më 1 qershor, Jusuf Kelmendi, anëtar i Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se ishte detyrë konkrete për të shqyrtuar në detaj motivet për secilin vendim individual për të emigruar. “Duhet të merren masa më aktive politike dhe ligjore” kundër atyre që ushtrojnë presion. Më 4 qershor, Petar Kostiç, sekretari i Komitetit Krahinor të LKJ-së, tha se ishte e nevojshme për “ndërhyrje urgjente” për të ndaluar largimin e serbëve dhe malazezëve. Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha në konferencën e tij për shtyp, më 6 qershor, se pas demonstratave është krijuar një situatë e cila “në mënyrë objektive dha pamjen e presionit”. Ai vazhdoi: “në këtë situatë çdo migracion ka një ngjyrë politike që krijon me shpejtësi një ndikim të pakëndshëm veçanërisht për ata njerëz që kanë ndërmend të jetojnë gjithë jetën e tyre në këtë Krahinë”. Dhe më 10 qershor, Mustafa Ristiç, kryetar i Seksionit të LKJ-së të Lidhjes Socialiste të Kosovës, tha se raportimi nga ana e shtypit për Kosovën nuk ka kontribuar gjithmonë në qetësimin e gjërave, veçanërisht për sa i përket emigrimit të serbëve dhe malazezëve, të cilët i janë nënshtruar presionit për të shitur shtëpitë e tyre dhe për t’u larguar. “Publikimi i vazhdueshëm i fotografive të dominuara nga tabelat ku thuhet “Shtëpi për shitje” nuk po ndihmojnë për të ndaluar emigrimin. Po të isha serb, do të kërkoja një blerës për shtëpinë time pasi të shihja kaq shumë foto”. Rishtiç shtoi se “asnjë shqiptar në Kosovë nuk mund të ndjehet i sigurt nëse serbët dhe malazezët nuk ndjehen në të njëjtën mënyrë”. (!) Siç mund ta kuptoni, prononcime të tilla janë zakonisht të gjata në denoncime dhe të shkurtra në sugjerime konkrete.

Presioni për të emigruar

4.         Siç e tha Ristiç, shtypi ka gjetur mbështetje në këtë çështje. Gazetat “NIN”, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”, kanë pasur të gjitha artikuj me intervista dhe foto personale të shtëpive me njoftimet “Për shitje” (për interesin tuaj, bashkëlidhur po ju dërgoj një kopje të një faqeje të tillë nga gazeta “NIN” e datës 7 qershor për këtë çështje). Siç e tha gazeta “NIN”, “çështja e presionit është delikate. Nëse e kufizoni atë me shkatërrimin e gjerë të pronës, keqtrajtimin fizik, kërcënimet serioze për jetën dhe i zbatoni këto kërcënime – ndoshta presioni nuk ndodh shpesh. Por, nëse ju gjithashtu i shikoni vështirësitë në rritje për punën, promovimin ose shkollimin si forma të presionit, nëse në mënyrë të ngjashme i klasifikoni aktet e vogla sistematike të mërisë për të cilat normalisht fajtorë janë fëmijët, por edhe të rriturit; dhe nëse shtoni sulmet ndaj monumenteve kulturore, abuzimin e femrave në rrugë, diskriminimin në punë dhe gjëra të tjera të vogla dhe të mëdha, atëherë do të gjeni mjaft presion për të shqetësuar një person, për ta bërë të ndjehet i trazuar dhe të dëshirojë të gjejë paqe dhe qetësi diku tjetër”.

5.         Për të sjellë shembuj, këtu ka disa fragmente nga artikulli i gazetës “Duga” për historinë personale të Aleksandër Millosheviçit, i cili u largua nga Kosova në vitin 1970, duke lënë pas një fermë mjaft të madhe. “Për të gjithë parcelën unë mund të merrja – jo, më mirë të mos e them”. Familja e tij përbëhej nga 17 anëtarë dhe disa ishin të armatosur. Por më kot. Disa fshatarë shqiptarë kanë nxjerrë bagëtitë e tyre nëpër fusha dhe e kanë shkatërruar parcelën. Kur ai u ankua në polici ata i thanë se kishin qenë fëmijë ata që e kishin bërë këtë, apo një shaka praktike. Femrat duhej të shoqëroheshin kur dilnin jashtë. Varret e tyre ishin dhunuar. “Nëse do përpiqeshit të bëni padi, atëherë fajtori do të ishit ju. Ju quajnë “Nacionalist”. Nëse shefi i policisë do të më pyeste, unë do t’i thosha: “U largova për shkakun tuaj – Ju mbrojtët ato grupe që po sulmonin njerëz të tjerë”.” Shumë njerëz ishin larguar vetëm me një çantë në shpinë dhe fëmijët e tyre në krahë. Në dyert e tyre u gjetën shënime të tilla si “Shansi i vetëm për t’u larguar – rruga Krushevac, Kraljevo, Smederevo, Gornji Milanoviç … puthni pragun e shtëpisë tuaj dhe largohuni”.

Komente

6.         Është e tepërt të thuhet se do të jetë pak a shumë e pamundur që autoritetet të ndalojnë përndjekjet në shkallë të vogël apo letrat kërcënuese anonime. Rritja e shpejtë e popullsisë shqiptare dhe ulja e numrit të serbëve jepnin një tablo alarmuese për të ardhmen e Kosovës në afat të mesëm apo të gjatë; dhe, siç e thashë javën e kaluar, largimi i punëtorëve të kualifikuar ka implikime ekonomike serioze të menjëhershme. Sidoqoftë, për sa kohë që vetë Shqipëria ndjek vijën e saj të përgjithshme aktuale nuk ka arsye të imagjinohet se ky problem emigrimi ka shansin më të vogël që të zgjidhet.

           I Juaji,

                                                                                                                Charles Crawford

                                                                                                            Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq      

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                           -59-

Konfidenciale

23 qershor 1981

Z. Bullard,

Situata në Jugosllavi

1.         Keni kërkuar vlerësimin tonë mbi kontributin grek në COREU ngjitur.

2.         Kjo është një pjesë e mirë e cila në shumë drejtime kombinohet me raportimin shumë të hollësishëm që kemi marrë nga Beogradi. Grekët kanë interes të ngushtë dhe të mirinformuar në çështjet e Ballkanit dhe zhvillimet në Kosovë (një pjesë e të cilave janë pasqyruar fillimisht në pretendimet irredentiste greke) paraqesin interes të veçantë për ta.

3.         Jemi të një mendimi me vërejtjet e përgjithshme në lidhje me udhëheqjen pas Titos dhe situatën ekonomike. Sidoqoftë, jo për çudi, kjo pjesë përqendrohet në trazirat e fundit në Kosovë. Mendojmë se grekët të cilët janë të merakosur që të shihen si të paanshëm mund të kenë minimizuar mundësinë e përzierjes shqiptare, por jemi dakord me vlerësimin e tyre se nuk ka të dhëna mbi ndërhyrje nga ana e Bashkimit Sovjetik.

4.         Kur të drejtojmë grupet e punës të Evropës Lindore në gjysmën e dytë të vitit, duket se është me vlerë që të shqyrtojmë mundësinë për t’i kërkuar grekëve që të ofrojnë më tej kontributin e tyre në çështjet me interes aktual të Ballkanit.

                                                                                                                                 I Juaji,

                                                                                                                 A. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: Z. Broomfield

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura