LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK) ME ADRESË DHE XHAFER SHATRI

LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK) ME ADRESË DHE XHAFER SHATRI

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 6 shkurt 2023

Më 3 shkurt 2023 historiani Metush Zenuni (Metë Dura), autor i librit: “L ËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS 1982 – 2002, Prishtinë 2021”, në rrjetin e tij facebook ka hapur një temë për diskutim, duke ilustruar edhe me një citim (faksimil) të një komunikate të poublikuar nga LPRK më 1 tetor 1990:

Metë Dura shkruan:

“Athua, a do te kishte UÇK, po të vepronte LPK-ja e vërtetë, ashtu siç veproi fraksioni i Hasan Malës e Xhafer Shatrit, përmes një Komunikate të tyre më 01 tetor 1990?!

***

Me këtë rast kam marrë pjesë në diskutim dhe kam shkruar në vijim:

NJË SQARIM!

Sheradin Berisha

I nderuari Metë Dura

Është e vërtetë se faksimili që ke sjellur këtu është i shkëputur nga KOMUNIKATA E “LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS” (LPRK-së) i lëshuar më 1 tetor 1990.

Në vijim faksimilin tuaj e sjellë të shkruar:

“Sot kur gjithë populli ynë është bashkuar në LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS për një grimcë demokraci, për një grimcë liri, për një grimcë jetë, LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS vendos t’i bashkohet LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS”.

– LPRK, për nëntë vite rresht luftoi pandërprerë për konsitituimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila u bë realitet më 2 korrik të këtij viti, prandaj LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS pushon aktivitetin e saj dhe vendos të bashkohet në LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS për të bërë të mundshëm funksionimin sa më të shpejtë të REPUBLIKËS SË KOSOVËS.”

***

Kjo Komunikatë është e Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së me adresë (në Biel Bienne). Është përpiluar nga kryesia e KP.

Kryesia përbëhej nga: Hasan Mala, Kadri Abdullahu, Faridin Tafallari, Saime Isufi, Ali Mala, Shefket Musliu, Zejdi Islami, Iliaz Krasniqi, Nami Ramadani. Ali Mala (djali plakut) ishte Kryetar i Kryesisë së KP të LPRK-së.

***

Pa u futur në vlerësimin tim për shënimin tuaj në tërësi, me këtë rast dua të veçoj vetëm një lëshim për ta bërë edhe një sqarim.

Ju shkruani:

“Athua, a do te kishte UÇK, po të vepronte LPK- ja e vërtetë, ashtu siç veproi fraksioni i Hasan Malës e Xhafer Shatrit, përmes një Komunikate të tyre më 01 tetor 1990?”

Për të qenë korrekt, Xhafer Shatri nuk ishte pjesë e kësaj LPRK-je me adresë, (në Biel Bienne), prandaj ai nuk ka lidhje me këtë komunikatë.

– Xhafer Shatri gjithashtu nuk ishte as pjesë e LPRK-së pa adresë, e cila kishte në kryesi: Fazli Veliun, Emrush Xhemajli Gafurr Elshanin, Avni Deharin, Ernest Jurstver, Xhavit Halitin dhe Rexhep Halimin.

——-

Ilustrim:

Komunikata e plotë e LPRK-së me adresë (e cila iu bashku LDK-së), e lëshuar më 1 tetor 1990. Pjesa me kornizë të kuqe është citati që keni publikuar ju!

***

Sheradin Berisha

NJË INFORMIM TELEGRAFIK PËR XHAFER SHATRIN

I nderuari Metë Dura

Xhafer Shatri, në vitin 1985 largohet nga LRSHJ-ja (e cila kishte nisur rrugën e transformimit në Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), me OMLK si pararojë. Ai pas një kohe nis angazhimin e tij konkret për themelimin e “KOMITETIT TË KOSOVËS PËR INFORMIMIN E OPINIONIT BOTËROR”. Ky komitet përfundimisht themelohet në korrik të vitit 1988 dhe gjatë viteve (1988 – 1990), ka zhvilluar një veprimtari informuese (dhe jo vetëm) për zhvillimet në Kosovë… Nuk e di a ka qenë anëtarë i LDK-së për të pas pozitë në këtë parti që u themelua në Zvicër. Por atë që di unë, më 19 Tetor 1991 me vendimin numër 39-01-14/91 të lëshuar nga kryetari i Kuvendit të Kaçanikut, Ilaz Ramajli, Xhafer Shatri emërohet Ministër për Informim në Qeverinë e Republikës së Kosovës me kryeministër Bujar Bukoshi.

…….

Ilustrim nga arkivi im:

Disa broshura dhe komunikata informuese të “KOMITETIT TË KOSOVËS PËR INFORMIMIN E OPINIONIT BOTËROR” që e drejtonte Xhafer Shatri.

***

Metë Dura

I nderuar Sheradin Berisha, derisa ishte Xhafer Shatri në LPRK, në cilin fraksion ishte?!

***

Nuri Pulaj

Sheradin Berisha, Xhafer Shatri si antar i Partisë Parlamentare u bo ministër për Informim. Në atë partinë ku ishte Veton Surroi kryetar. Kjo ishte sa për info .

***

Sheradin Berisha

I nderuari Nuri Pulaj

Partia Parlamentare e Kosovës (PPK) ishte pasardhëse e “Parlamentit Rinor të Kosovës” (PRK).

PRK si shoqatë rinore u themelua në janar të vitit 1990 nga gazetarët e rinjë dhe studentët e Universitetit të Kosovës, dhe me këtë rast do të veçoja: Blerim Shalën, Halil Matoshin, Ylber Hysën, Hazir Rekën, Astrit Salihun, Mufail Limanin, Agron Jahën, Jahir Ahmetin, Fadil Grajçevcin, Naser Mekollin, Osman Shahinin etj.

Ndërkohë ky Parlament Rinor i Kosovës (PRK) u transformua në Parti Parlamentare të Kosovës (PPK) dhe Kryetar u zgjodh Veton Surroi. Para se të vinte në krye të Partisë Parlamentar Vetoni Surroi në vjeshtën e vitit 1989, në Prishtinë kishte themeluar Degën e Shoqatës për Nismën Demokratike të Jugosllavisë të quajtur UJD-i.

Por kjo nismë nuk zgjati shumë, dhe Vetoni iu bashku kolegëve të tij Blerimit, Halilit, Ylberit, Mufës në Partinë Parlamentare dhe në një kuvend ai zgjidhet kryetar i kësaj Partie. Pas veton Surroit në krye të partisë (PPK) vjen Bajram Kosumi, ndërsa Vetoni dhe shumica e themeluesve të Parlamentit Rinor u larguan nga Partia Parlamentare…

Tani të ndalemi tek Xhafer Shatri

Ti thua se, “Xhafer Shatri si antar i Partisë Parlamentare u bo ministër për Informim . Në atë partin ku ishte Veton Surroi kryetar”.

Përgjigja ime është si vijon:

Në fillim të viteve ’90 -të, përveç LDK-së, PSHDK-së dhe UNIKOMB-it (nëse nuk e kam gabim) asnjë parti tjetër e Kosovës (as PPK) nuk kishte themeluar degët e saja në shtetet perëndimore, veçanërisht në Zvicër, Gjermani e Austri, ku numri i mërgimtarëve tanë ishte shumë më i madh.

Xhafer Shatri nga marsi – prilli i vitit 1982 jetonte dhe vepronte në Zvicër, dhe meqë në fillim të viteve 1990 Partia Parlamentare e Kosovës e kryesuar nga Veton Surroi nuk kishe degë në Zvicër, atëherë rrjedhimisht as Xhafer Shatri nuk ishte e mundur me qenë anëtar i Partisë Parlamentare të Kosovës, dhe si anëtar i kësaj partie të marrë pozitën e Ministrit për Informim në Qeverinë e Bujar Bukoshit në mërgim (exil).

Tjetër gjë është nëse zgjedhja e tij për ministër është bërë me propozim të Partisë Parlamentare (në Këshillin Koordinues të të gjitha partive që vepronin atëkohë Kosovë dhe jo vetëm), por vendimin për emërimin e tij e ka marrë kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli, më 19 Tetor 1991 me vendimin numër 39-01-14/91.

Shëndet 🤝

***

Sheradin Berisha

Metë Dura

Xhafer Shatri nuk ishte asnjë ditë në LPRK.

Në fund të vitit 1984 – fillim të vitit 1985, Grupi i OMLK-së (brenda LRSHJ-së) Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Mustafë Xhemaili, (së bashku me Ibrahim Miran Kelmendin) të cilët ishin edhe anëtarë të redaksisë “Zëri i Kosovës”, kryesisht (dhe jo vetëm) për shkak të konceptit ideologjik (devijmit nga vija marksiste – leniniste) që kishte zbatuar Xhafer Shatri me shkrimet që i botonte në ZiK, dhe mbi të gjitha botimit të “Konturave të Programit Politik të LRSHJ” që u publikua në numrin 3, të ZiK-ut, maj 1983, ai u penalizua dhe përfundimisht u largua nga LRSHJ. Nga LRSHJ e cila akoma nuk ishte transformuar në LPRK.

Vendimi për emërtimin e LRSHJ-së në LPRK është marrë në shtator të vitit 1985. Dhe pastaj fillon kalvari i dytë i përjashtimeve nga Lëvizja e cila ishte me adresë (në Biel Bienne). Përjashtohen ata që e kishin përjashtuar Xhafer Shatrin nga Lëvizja, në fillim të vitit 1985.

Dhe të lartpërmendurit që e kishin përjashtuar Xhaferin, themelojnë LPRK-në pa adresë.

Dhe nga fillimi vitit 1987 i kemi dy LPRK dhe dy “Zëra të Kosovës” (me adresë dhe pa adresë)… Dhe në përgjigjen e mësipërme i listova emrat që përbënin të dy kryesitë e KP të LPRK-ve, të cilët ishin edhe drejtues të Komiteteve Organizative të OMLK-së, si pararojë e Lëvizjes ….

Shëndet 🤝

***

Xhafer Shatri

Kurrë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie. E nuk jam as sot. Propozimi që të jem anëtar i Qeverisë, ishte i Partisë Parlamentare, por ai propozim është mbeshtetur unanimisht nga Këshilli Koordinues i partive politike të Kosoves, kryesisht për shkak se një kohë të gjatë isha marrë me informimin e opinionit të huaj.

***

Nuri Pulaj

Sheradin Berisha, unë nuk thash se ppk kishte degë jashtë por si i propozuar për qeverinë Bukoshi nga kjo parti ku kryetar ishte Veton Surroi. Edhe formimi i parlamentit rinor e di historikun dhe datën me 15 shkurt në Vranjevc.

__________________________

Shtojcë (Video)

Xhafer Shatri – Veprimtar Kombëtar

***

Hasan Malaj – Dokumentar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura