Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XV)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-72-
Konfidenciale
Fm Beograd ZLGR4067 03JUL8 ENU 015/3
TO EXTOTT GEA 23 korrik 1981
Situata në Kosovë
1. Për momentin situata në vetë krahinën e trazuar të Jugosllavisë, Kosovë, duket se është stabilizuar dhe të paktën nën kontroll të përkohshëm. Debati mbi shkaqet dhe efektet e manifestimit nacionalist tregon shenja të vogla rënieje. Në aspektin e brendshëm, fokusi i vëmendjes publike është zhvendosur në çështjen e përgjegjësisë së shtetit në nivel lokal, krahinor dhe federal si dhe zyrtarët partiakë. Ndërkohë që disa zyrtarë partiakë, duke përfshirë ish udhëheqësin Bakalli kanë dhënë dorëheqjen nën presion, shumë prej atyre të cilët qartazi mbanin përgjegjësi aktive ose pasive pasi kishin lejuar që situata të përkeqësohej siç edhe ndodhi, janë ende në detyrë.
2. Raportimi mbi ngjarjet në Kosovë është bërë kohët e fundit më intensiv dhe i ka dhënë shkas kërkesave, veçanërisht nga gazeta “të frymëzuara” për një politikë më aktive diferencimi midis atyre që shihen si kosovarë të mirë dhe të këqij që në të vërtetë bëjnë thirrje për spastrimin e atyre që shoqërohen me grupe nacionaliste dhe irredentiste shqiptare apo ata që lejuan lulëzimin e tyre. Në masë të madhe ky sinqeritet i informacioneve për Kosovën ka pasur dobi për sa i përket ekspozimit të sjelljes së papërgjegjshme, oportunizmit dhe paaftësisë nga ana e disa udhëheqësve kosovarë. Nga ana tjetër, ndërkohë që deri vonë pjesa më e madhe e kritikës publike drejtohej ndaj qeverisë në nivel federal dhe krahinor për kufizimin e raportimit mbi ngjarjet, sot media, veçanërisht revistat e ilustruara, po kritikohen për sensacionalizmin dhe ekzagjerimin e anës negative të çështjeve. Ende nevojitet vendosja e një ekuilibri në këtë drejtim. Gjithashtu, me mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis udhëheqjes së Beogradit dhe asaj të Kosovës në lidhje me ritmin e diferencimit, një gjë e tillë kërkon kohë.
3. Vizita në Kosovë javën e kaluar nga gazetarë, midis të tjerëve, e një korrespondenti lokal të “Reuters” me të cilin biseduam pas kthimit të tij, priret të konfirmojë se duke lënë mënjanë ekzagjerimet rastësore, situata në këtë zonë është shumë e njëjtë me atë që po raportohet në medien jugosllave. Dëmet janë ndrequr dhe me ndihmën e një numri të madh të forcave të sigurisë, është rivendosur rendi. Kinematë dhe stadiumet e sportit kanë mbetur të mbyllura dhe tubimet publike mbikëqyren nga afër nga policia e mirarmatosur dhe e pajisur kundër trazirave. Diplomatëve u kërkohet ende të marrin leje për të vizituar krahinën, por në kontrast me gazetarët (vizitat e të cilëve sidoqoftë janë “të organizuara”) kjo leje jepet vetëm në raste të rralla. Sipas gazetarëve të “Reuters”, të cilët folën me kosovarë të nacionaliteteve të ndryshme, shumica në këtë krahinë duket se janë dakord që qetësia aktuale do të vazhdojë gjatë muajve të verës dhe zyrtarët në krahinë presin që së shpejti të hiqen kufizimet e mbetura. Megjithatë, kosovarët me origjinë shqiptare i përmbahen me vendosmëri qëllimit të statusit të Republikës më vete për Kosovën. Megjithëse kanë provuar përdorimin e dhunës për këtë qëllim, e pranojnë gjerësisht se kjo rrugë është antiproduktive.
4. Në frontin ndërkombëtar, shkëmbimet sarkastike midis Beogradit dhe Tiranës duket se, po humbasin disi nga entuziazmi i mëparshëm, në mos po çojnë në zemërim. Ish-ministri i Jashtëm jugosllav i cili kryeson Këshillin Federal për marrëdhëniet ndërkombëtare, theksoi javën e kaluar në një konferencë për shtyp se ndërkohë që qeveria shqiptare kërkon të ndryshojë kushtetutën e Jugosllavisë dhe qëndron pas terrorizmit në Kosovë “Jugosllavia nuk ka asnjë interes që të prishë bashkëpunimin e saj me Shqipërinë. Përkundrazi, ajo e dëshiron këtë bashkëpunim, por mbi baza reciproke”. Tirana, duke kundërshtuar akuzat se po nxit kauzën e “Shqipërisë së Madhe” në kurriz të Jugosllavisë dhe Greqisë, është përgjigjur me akuzat e saj se pas kësaj “shpikjeje të neveritshme” dhe “urrejtjes së egër ndaj Shqipërisë dhe një vargu shpifjesh aktuale që Jugosllavia po përpiqet të përhapë si mbulim për vetë dështimet e saj dhe shtypjen në Kosovë” fshihen “Serbët e Mëdhenj” të Beogradit dhe policia sekrete jugosllave satanike e ndihmuar nga aleatët klandestinë sovjetikë. Kundërpërgjigja më e fundit e Shqipërisë duket se është drejtuar ndaj ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Greqinë po aq sa ndaj provokimit të një përgjigjeje tjetër nga Beogradi. Sidoqoftë presim që loja të vazhdojë për një kohë më të gjatë.
CCC/088 060616Z ZLGR4067
-73-
Airgram
Drejtuar: Departamenti të Shtetit
Për informacion: Ambasadës në Paris
Nga: Ambasada në Beograd
Për ndjekje: ECON, EGEN, YO 23 korrik 1981
Tema: Aspektet ekonomike të Kosovës
Kanë kaluar katër muaj që prej shpërthimit të demonstratave në disa qytete të Kosovës këtë pranverë. Të quajtura armiqësore dhe kundërrevolucionare, demonstratat e dhjetëra mijërave studentëve dhe punëtorëve janë përshkruar gjithashtu si trazira nacionaliste shqiptare. Një vëzhgues i jashtëm mund të arrinte në konkluzionin se do të mjaftonte vetëm keq-menaxhimi që të shkaktonte trazirat ose në fund të fundit që çështjet ekonomike të ndërlikonin një situatë të brendshme tashmë të ndezur socio-politike. Edukimi i rinisë së krahinës është drejtuar keq duke i bërë të rinjtë të pakontrollueshëm; kapitali është keqorientuar në një industri të rëndë që kërkon shumë kapital kur krahina kishte nevojë për mijëra punë të nivelit fillestar; gjithashtu një pjesë e vogël e vegjëlisë është ngritur në një nivel më të mirë ekonomik për të shërbyer si shembull joshës. Qeveria jugosllave krijoi menjëherë teori konspirative të bazuara në ndërhyrjen nga jashtë. Qeveria jugosllave ia ngarkoi përgjegjësinë për demonstratat provokimit të jashtëm dhe theksoi se si programet për zhvillimin e brendshëm ekonomik e kanë rritur standardin e jetesës në mënyrë të konsiderueshme që prej Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, sot janë më të zakonshme raportet për keqorientimin e qëllimeve të zhvillimit dhe shpenzimin pa hesap të fondeve në projekte sociale që kërkojnë kapital më shumë se në objektet prodhuese. Mbi Republikat jugosllave po ushtrohet më shumë presion federal për të investuar në Kosovë bazuar në premtimet e tyre të mëparshme dhe në përputhje me planet kombëtare. Modeli i zhvillimit të brendshëm në Kosovë, e tërë përpjekja për zhvillim, është orientuar aq keq (pjesa më e madhe nga zyrtarët lokalë) saqë ka dekurajuar firmat në republikat e tjera që të hyjnë në ndërmarrje të përbashkëta.
Kosova ka karakteristika të ngjashme me ato vende që e kanë bërë zhvillimin dhe stabilitetin politik aq të vështirë tjetërkund në Botën e Tretë: dallime të theksuara rajonale, etnike dhe ekonomike të shoqëruara me armiqësi historike; norma e rritjes së popullsisë që ia kalon aftësisë së rajonit për të krijuar vende pune; produktiviteti i ulët i punës, dhe përdorimi joefikas i kapitalit, të gjitha këto kombinohen me një krizë tipike të pritshmërive në rritje. Ndërkohë që është e pasur me minerale, Kosovës i mungojnë fabrikat dhe aftësitë teknike për shfrytëzimin e tyre përtej përpunimit fillestar dhe pjesa më e madhe e vlerës i shtohet republikave të tjera – të cilat më pas marrin fitime të rëndësishme.
Sidoqoftë, Kosova mbetet pjesë përbërëse e një vendi të angazhuar për ta ngritur atë në nivelin e mesatares kombëtare në çdo fushë. Interesat e Jugosllavisë në zhvillimin e Kosovës janë politike dhe ekonomike. Politikisht, zhvillimi i shpejtë është parë si afirmim i parimeve bazë të vendit, si një politikë e barazisë për të gjitha grupet etnike në Jugosllavi dhe, në nivel ndërkombëtar Jugosllavia duhet të tregojë vullnetin për të bërë për pjesën e vet të pazhvilluar po aq sa do të dëshironte që Perëndimi të bënte për Botën e Tretë në përgjithësi. Për më tepër, zhvillimi i Kosovës do të shërbente për zbutjen e tensioneve në një zonë problemesh të irredentizmit dhe minoriteteve rivale etnike që janë probleme tradicionale politike të Ballkanit. Mbi të gjitha, Beogradi kërkon që të mbrojë integritetin e vet territorial dhe unitetin kombëtar kundër irredentizmit shqiptar, të cilin e shikon gjithashtu si një instrument potencial të fuqisë sovjetike. Për shkak të rëndësisë kulturore, historike dhe emocionale të krahinës, problemet e thjeshta në Kosovë bëhen tejet të ndërlikuara. Kosova është zemra e mbretërisë së vjetër të Serbisë, vendi ku Serbia humbi një betejë historike me turqit e cila rezultoi në 500 vjet sundim të huaj. Nga pikëpamja ekonomike, krahina përmban 50% të qymyrit të vendit dhe 60% të plumbit dhe zinkut dhe sasi të konsiderueshme të mineraleve të tjera. Po ashtu, potenciali bujqësor nuk është i parëndësishëm. Sidoqoftë, problemi kombëtar për zhvillimin e Kosovës nuk e mbron nga gabimet e zakonshme zhvillimore dhe as nuk ndalon tendencat e vazhdueshme negative.
Rritja e popullsisë së krahinës, kryesisht rritja shqiptare etnike, duke përjashtuar të gjithë faktorët e tjerë për një moment, është duke prishur në vetvete shumicën e përpjekjeve ambicioze të zhvillimit të shpenzuara deri tani. Norma e rritjes, 2.5 – 2.7% në vit, është karakteristikë e disa prej vendeve të Afrikës dhe Amerikës Latine dhe është në kontrast krejt të kundërt me mesataren vendase prej 86% në vit.
Popullsia prej 1.58 milion, me 77% shqiptarë, përfaqëson 7% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë. Deri në vitin 2000 vlerësimet zyrtare tregojnë se Kosova do të përfaqësojë 10% të popullsisë së Jugosllavisë. Para Luftës së Dytë Botërore popullsia ishte pothuajse tërësisht fshatare dhe kishte një strukturë sociale të bazuar në besnikërinë e fortë me familjen dhe udhëheqjen fetare. Kjo tablo ka ndryshuar ngadalë që prej luftës, me gjithë rritjen e vëmendjes ndaj urbanizimit, industrializimit dhe arsimimit. Edhe sot Kosova përfaqëson 4% të territorit kombëtar e megjithatë ka vetëm 2.9% të rrugëve moderne të tij. Kjo pjesë prej 7% e popullsisë jugosllave ka vetëm 2.4% të automobilave, 2.5% të rrugëve dhe televizorëve, dhe vetëm 1.8% të traktorëve të kësaj popullsie.
Punësimi
Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në qytete u krijuan vende pune dhe njerëzit vërshuan drejt këtyre mundësive. Popullsia bujqësore, që përbënte 65% në vitin 1961, ka rënë në 36% në vitin 1980. Rezultatet e shpërnguljes janë, numri i madh i papunësisë, zonat urbane të mbingarkuara dhe rritja e varësisë nga punësimi në prodhim. Ndërsa, Kosova ka vetëm 3% të punëtorëve të Jugosllavisë, ajo ka 8% të të papunëve të saj. Ka 5.7 milionë veta të punësuar në “sektorin social” të Jugosllavisë ose 26% e popullsisë së vendit. Në krahasim me këtë, popullsia punonjëse e Kosovës përfaqëson 13% të banorëve të saj.
Meqenëse pjesa më e madhe e vendeve të punës të krahinës janë relativisht të reja, do të ketë një normë të ulët qarkullimi. Punësimi maksimal në vitin 1985 do të përbëhet prej 260,000 vendesh në sektorin e socializuar. Në këtë shifër është përfshirë burokracia e fryrë e vendit. Në nivel kombëtar, 17% e popullsisë është e punësuar në aktivitete jo-ekonomike, organizatat qeveritare, kulturore dhe sociale; 26% të tillë janë të punësuar në Kosovë (madje Serbia, e cila rregullon si burokracinë federale dhe atë republikane, ka vetëm 18%).
Mbi një vlerësim bazuar për frymë, krahina ka arritur 676 dollarë të prodhimit social për frymë (më pak se gjysma e Maqedonisë fqinje (1,616 dollar) dhe Mali i Zi (1,534 dollarë) ku të dyja rastet filluan nga pozita të ngjashme në vitet 1950). (Duhet të përmendet se ndihma e zhvillimit rajonal të këtyre dy republikave filloi në vitet 1950, ndërsa Kosova merrte pak deri në vitet 1960). Numri prej 200,000 personash me fat të punësuar në sektorin e socializuar, kanë një situatë përmirësimi të shpejtë. Shtypi raporton se fitimet e tyre (të papërcaktuara) arrinin deri në 47% në tremujorin e parë të vitit 1981. Shifrat aktuale në dispozicion tregojnë se paga që çojnë në shtëpi në vitin 1981 ka arritur një mesatare mujore prej 230 dollarësh, që është mbi mesataren e Kosovës prej 212 dollarësh për vitin 1980. Mbi bazën e këtyre të dhënave pjesa tjetër e popullsisë ka një mesatare vjetore të të ardhurave për frymë prej vetëm 240 dollarësh. Vetëm 7 nga 22 bashkitë e Kosovës prodhojnë 75% të të ardhurave bruto të Krahinës. Të ardhurat bruto në kapital për Prishtinën, janë 3 herë më shumë se mesatarja e krahinës në tërësi dhe në të njëjtin nivel me mesataren kombëtare.
Të dhënat e mësipërme nuk përfshijnë fitimet nga një punë e dytë; megjithatë në bisedat me të rinjtë studentë dhe punëtorët, njeriu del me idenë se mund të bëhen para përmes iniciativës private. Kjo ndoshta nënkupton punën si punëtor ndërtimi në tregun e lulëzuar të banesave private në Prishtinë, ose si mekanik në garazhin e vet (ndërkohë që pret për një punë zyrtare), ose në një larmi profesionesh të tjera shërbimi.
Në rastin më të mirë, punët “e ligjshme” punësojnë një në tetë persona të popullsisë krahasuar me një në katër të tillë në nivel kombëtar. Ndërkohë që ka një përparim të jashtëzakonshëm krahasuar me periudhat e mëparshme, kjo shifër mbetet totalisht e pamjaftueshme kur krahasohet me kërkesat në rritje. Ajo përfaqëson afërsisht një punë në sektorin e socializuar për familje (madhësia mesatare e familjes në Kosovë është 6.89 anëtarë krahasuar me 3.6 për të gjithë Jugosllavinë).
Nga mesi i korrikut, ishin 72,000 veta, shumica të rinj, të regjistruar pranë zyrave të punësimit si persona që kërkojnë punë. Është një total prej 190,000 të rinjsh midis moshës 14 dhe 20 vjeç të cilët së shpejti do të hyjnë në tregun e punës. Në Universitetin e Prishtinës në kryeqytetin e Krahinës, mbi 57,000 studentë do të diplomohen gjatë katër viteve të ardhshme. Në të vërtetë, gjysma e popullsisë është duke ndjekur një nivel të caktuar shkollimi. Ndërkohë që të rinjtë mund të caktohen në shkollë apo në ushtri, eventualisht ata kanë nevojë për punë.
Arsimi
Programet arsimore janë sinkronizuar dobët me mundësitë reale ekonomike të Krahinës – ose edhe me Jugosllavinë si e tërë. Theksi kryesor i arsimit në Kosovë kanë qenë profesionet zyrtare joteknike dhe artet liberale shqiptare. Pjesa më e madhe e studentëve, meqenëse serbo-kroatishtja nuk kërkohet më, nuk zotërojnë domosdoshmërisht dy gjuhë për të fituar një punë të nivelit profesional jashtë Kosovës.
Universiteti i Prishtinës ka qenë më parë degë e Universitetit të Beogradit. Si një entitet i pavarur, Universiteti i Prishtinës është vetëm 10-vjeçar dhe është planifikuar të sistemojë 1/3 e ngarkesës aktuale të tij prej 47,000 studentësh. Një profesor mund marrë në provim 1,000 deri në 2,000 studentë në çdo periudhë provimi (provimet jepen me gojë dhe me shkrim). Natyrisht, me rritjen e numrit të studentëve çdo provim ka probleme. Disa nga problemet e tjera të Universitetit u paraqitën në një raport të kohëve të fundit në shtyp për një mbledhje paraprake, të mbajtur në Universitetin e Prishtinës për një mbledhje të ardhshme të Komitetit Qendror të Partisë:
Disa probleme janë aktuale … duke përfshirë një staf mësimdhënës të trajnuar jo siç duhet, tekste shkollore të pamjaftueshme, mungesë bashkëveprimi ndërmjet arsimit të lartë dhe nevojave të ekonomisë që rezultoi në vështirësitë për të siguruar vende pune për të diplomuarit. Gjithashtu u theksua se … rinia hyri nën ndikimin e ideve nacionaliste.
Vendimi me qëllimin e mirë për të ngritur një universitet të plotë në Prishtinë nuk solli atë që krahina kishte nevojë. Pothuajse në mënyrë të pashmangshme Universiteti u konstatua se i kushtonte shumë pak kohë aftësive vendimtare të nevojshme për ekonominë e krahinës. Sot, me një numër më të madh studentësh të letërsisë sesa Franca (sipas një zyrtari) studentët nuk kanë ndonjë aftësi të tregtueshme. Duke pasur parasysh tregun e punës, ata po përballen me mosgjetjen e punës, me punë nën nivelin e diplomimit të tyre apo me emigrimin. Që prej demonstratave janë bërë përpjekje për të rishikuar programet arsimore të krahinës. Në përgjithësi, Universiteti i Prishtinës synon të pranojë 19% më pak studentë kur të rihapet krahasuar me vitin 1980. Regjistrimi në kurset e arteve liberale do të bjerë në mënyrë drastike dhe regjistrimet në fakultetet teknike do të rriten. Edhe në këtë mënyrë, studentët nuk kanë shpresë për punësim të përshtatshëm.
Industria
Ndërkohë që eksporton lëndë të parë me vlerë mbi 200 milionë dollarë çdo vit, Kosova sapo është duke filluar që t’i shtojë vlerën produkteve të saj të papërpunuara. Qymyri me cilësi të dobët i krahinës, po shndërrohet në energji elektrike (dhe programi për të dyfishuar kapacitetin, Kosova B, duket se po shkon drejt përfundimit në vitin 1982). Propozimi për t’i shitur energji elektrike një konsorciumi të Evropës Perëndimore duket se është lënë në harresë pasi asgjë nuk është njoftuar që kur një drejtor i lartë shkoi në Evropë për bisedime një vit më parë. Kjo mund të ketë sjellë një lulëzim të madh ekonomik për krahinën. Kompleksi i Trepçës (punëdhënësi më i madh i krahinës) që ka lidhje të ngushta funksionale dhe licencimi me korporatën “Globe Union Battery of Milwaukee” është në krye të nxitjes për të rritur vlerën. Duke bërë punime minerale të plumbit, zinkut, argjendit etj., Trepça prodhon gjithashtu produkte të gatshme të tilla si bateritë me acid plumbi që shiten në të gjithë Evropën. Ajo po kërkon aktivisht të shpërndajë dhe të kërkojë partnerë për të rritur vlerën e argjendit të nxjerrë. Në dallim nga kjo, pjesa më e madhe e verës së prodhuar në Kosovë përpunohet në Slloveni. Partneri investitor slloven merr monedhe të fortë nga eksportet në Evropën Perëndimore dhe e paguan Kosovën në dinarë të dobët.
Sipas planit fillestar pesë-vjeçar për vitet 1981-1985, përpjekjet për zhvillimin e Kosovës duhej të vazhdonin në një shkallë më të madhe se asnjëherë. Pritej që të zgjeroheshin arsimi, kultura, shëndeti publik, ndërtimi i shtëpive si dhe projektet industriale dhe të tjera zhvillimore. Përpjekjet e mëparshme të zhvillimit nuk mund të pengonin zhvillimin në mënyrë më të ngadaltë të Kosovës se pjesa tjetër e Jugosllavisë. Është e dyshimtë nëse intensifikimi i një përpjekjeje të tillë do të mbulonte hendekun e gjerë midis Kosovës dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë. Është shtrirë tashmë aftësia e krahinës për të thithur fonde nën strategjinë aktuale të zhvillimit. Ndërkohë që nuk ka dyshim se të gjitha fondet e planifikuara për zhvillimin e Kosovës gjatë periudhës 1981-1985 do të shpenzohen, ka shumë pak gjasa që të përmbushen objektivat e përgjithshme të zhvillimit. Në fakt, ka pasur një raport të anasjelltë midis prioritetit ekonomik dhe investimeve të përfunduara. Aktualisht janë investuar vetëm 70% e fondeve të planifikuara për bujqësinë; janë përdorur vetëm 66% e parave të disponueshme për transportin, industrinë e ndërtimit, tregtinë, hotelet dhe restorantet, turizmin dhe pyjet, ndërkohë që ka përfunduar 92% e programit të planifikuar joekonomik. Këtu përfshihen ndërtesat e zyrave qeveritare, qendrat sportive, ambientet universitare, teatrot etj.
Një nga rezultatet e trazirave të vitit 1981 ishte rishqyrtimi i koncepteve që gjendeshin pas planit të periudhës 1981-1985. “Projekti final” tashmë i përgatitur duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore: Një pjesë e rëndësishme, 50% e fondeve të lira për investim do të investohen në ndërmarrjet e përbashkëta që kërkojnë fuqi punëtore pranë firmave nga republika të tjera (30% nevojitet për projektet në ndërtim dhe 20% janë përcaktuar për të shlyer financimin e mëparshëm). Ka pasur raporte që tregojnë se prodhimi është rritur dhe ka reduktuar mosvajtjen në punë gjatë trazirave dhe pas tyre. Ekzistojnë ndoshta disa operacione të suksesshme ku prodhimi është rritur këtë vit. Në pjesën më të madhe këto raporte janë ekzagjeruar për përdorim të brendshëm, ose tregojnë se njerëzit shkuan në punë që të mos shihen si pjesëmarrës në këtë krizë. Edhe para trazirave, statistikat e tremujorit të parë treguan humbje të përgjithshme të jashtëzakonshme ekonomike në Kosovë. Norma e rritjes industriale ishte 24% nën mesataren kombëtare në vend të treguesit prej 6% që ishte programuar mbi këtë mesatare. Eksportet ranë me 4% në përgjithësi krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, por pothuajse me 50% krahasuar me vendet me monedhë të fortë. Si rezultat, krahina sot nuk ka monedhë të këmbimit valutor për të blerë mallrat e nevojshme për prodhim të mëtejshëm. Nuk është përmbushur norma e rritjes së synuar prej 5½%, e cila është për të siguruar vendet e punës përmendur më lart; raportet fillestare për periudhën janar-qershor tregojnë për një normë rritjeje prej 4.4%. Trazirat nuk kanë sjellë dobi në përmirësimin e situatës. Shtypi raporton se humbjet financiare të shkaktuara nga vëllimi i ulët i shitjeve nga industria e Kosovës në përgjithësi kanë tejkaluar humbjet për të gjithë vitin 1980. Humbjet industriale të tremujorit të parë kanë arritur në 42.4 milionë dollarë kundrejt shifrës 57 milionë dollarë për të gjithë vitin 1980. Të gjitha këto humbje nevojitet të zëvendësohen, kështu që financimi pasues e rrit barrën e borxhit dhe i pengon firmat që ndonjëherë të rimarrin përfitimet e tyre pa shuar borxhet nga institucionet huadhënëse federative.
Mbi 920 projekte janë në zhvillim e sipër në Kosovë. Jugosllavia ka investuar mbi 2 biliardë dollarë në këtë krahinë që prej vitit 1976, 56% nga fondi federal për zhvillim, dhe do të shpenzojë një shumë tjetër prej 3-5 miliardë dollarësh deri në vitin 1986. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të nxirret nga fondi federal. Ndihma ndërkombëtare (kryesisht Banka Botërore) mund të rrisë këtë shifër me një shtesë prej 2 miliardë dollarësh. Fatkeqësisht, pothuajse çdo projekt në Kosovë ofron deri më sot një normë të ulët fitimi. Projektet kanë filluar vitin e kaluar dhe ende të papërfunduara vlerësohen në masën 2 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e investimeve për periudhën 1975-1980 i kaluan disa projekteve të mëdha me kosto të lartë të cilat i kanë shkelur të gjitha afatet e parashikuara ose ndryshe, janë të vonuara. Pjesa më e madhe e fondeve për planin e mëparshëm kaloi në zhvillimin e qymyrit, plumbit, zinkut, nikelit, sistemin në shkallë të gjerë të ujitjes në sektorin bujqësor plus industritë bazë kimike dhe të përpunimit të metalit. Këto janë industri që kërkojnë shuma të mëdha kapitali, kryesisht të ngritura me kosto të lartë, potencial të ulët punësimi dhe gjithashtu potenciale të ulëta fitimi. Shpesh, as stafet menaxheriale dhe as ato teknike nuk janë të mjaftueshme për detyrat e kërkuara. Rezultatet janë produktiviteti i ulët dhe kostot e larta në çdo moment. Raportet e tremujorit të parë tregojnë se 210 organizata pune të Kosovës (të cilat kanë punësuar 42,000 persona) ishin në borxhe. Një gazetë së fundmi ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur “arsyet subjektive” në vijim për zhvillimin e ngadaltë të krahinës: shfrytëzimi i pamjaftueshëm i kapaciteteve ekzistuese, dështimet e shpeshta në kapacitete, organizimi i dobët i punës dhe produktiviteti i ulët i punës si dhe gabimet në politikat e investimit. Ndërkohë që shumë nga këto industri bazohen në burime të pasura minerale lokale, një numër i tyre janë ekonomikisht të pajustifikueshme, që nuk bazohen as në aftësitë lokale dhe as në burimet lokale.
Sektori i socializuar i ekonomisë së Kosovës përfaqëson 2.7% të ekonomisë së socializuar të Jugosllavisë, por pjesa tjetër e Jugosllavisë vazhdon të furnizojë Kosovën me pothuaj 4% të kapitalit të investimit të vendit. Kjo situatë do të vazhdojë për arsye sociale-politike, megjithëse norma bruto e fitimit të Kosovës në investimin e sektorit te vet të socializuar përbën normën e dytë më të ulët të vendit në masën 74%. Mali i Zi që ka normën 58% është më keq, por kjo pasqyron vonesat e rindërtimit nga tërmeti dhe një nivel ende të konsiderueshëm dëmesh. Mesatarja e vendit është 92.6%. Përveç humbjeve të drejtpërdrejta për shkak të trazirave prej së paku 2 milionë dollarësh (kompania më e madhe e sigurimeve të krahinës ka kryer 250,000 dollarë të kërkesave), plus kostot e shërbimeve shtesë publike, republika po humbet prej muajsh të ardhurat nga turizmi meqenëse vizitorët e huaj nuk lejohen që të kalojnë aty apo që të vizitojnë vendin. Të paktën një firmë e huaj është vonuar në vajtjen e inxhinierëve të vet aty për të instaluar disa pajisje thelbësore në një fabrikë të madhe. Ministria e Jashtme ka nxjerrë një kërkesë që të gjitha udhëtimet e të huajve në Krahinë duhet të miratohen nga Sekretariati Federal i Punëve të Jashtme (SFPJ), kërkesë e cila është nxjerrë në fillim të trazirave dhe nuk është hequr ende. Ndërprerjet e punëve përbëjnë një tjetër faktor të kushtueshëm që duhet llogaritur kur nxirren të dhënat. Aktualisht të dhënat janë kontradiktore dhe bëjnë që llogaritjet e kostove të përgjithshme të tingëllojnë të pamundura. Është e panevojshme të thuhet që humbjet do të jenë të rënda. Sipas të gjitha gjasave, nuk mund të bëhet asgjë për të shpëtuar të ardhurat e këtij viti për Republikën. Do të duhet të kalojë një periudhë së paku tetor-nëntor para se të vihen në funksion programet e rishikuara për fabrikat, programet e zhvillimit dhe sistemit arsimor. Siç vihet në dukje më lart, po rikonceptohet i gjithë programi i zhvillimit. Republikat e tjera hezitojnë që të përfshijnë veten dhe kompanitë e tyre në Kosovë. Ato kanë marrë tashmë një afat për paraqitjen e propozimeve konkrete për investimet e tyre të premtuara në Kosovë. Edhe nëse ky afat respektohet, hezitimi i përgjithshëm për të zhvilluar projektet do ta bëjë të pamundur një përpjekje të tillë. Monitorimi i vazhdueshëm do të jetë kusht i domosdoshëm për sukses, por deri më sot nuk ka pasur përpjekje për një gjë të tillë në Kosovë.
Benson
-74-
Konfidenciale
A. E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 28 korrik 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata e sigurisë
Përmbledhje
1. Ka të dhëna se situata e sigurisë po qetësohet në qytetet kryesore të Kosovës dhe turistët po lejohen që të shkojnë në Kosovë në grupe të organizuara. Por në fshat dhe së fundmi në qytetet e zonave me popullsi shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, ka të dhëna për vazhdimin e tensionit dhe incidenteve serioze.
Detaje
2. Bashkangjitur po ju dërgoj një raport të amerikanëve mbi katër dëshmi të drejtpërdrejta për situatën në Kosovë. Dëshmia e parë, e dhënë nga një ushtar i ri i cili kishte shkuar me leje nga njësia e tij jashtë Prishtinës, jep një pamje grafike të vazhdimit të dhunës dhe antagonizmit ndërkomunal. Dëshmia e dytë e dhënë nga një arkeolog serb, i cili kohët e fundit punonte afër Prishtinës, përshkruan padepërtueshmërinë në rrjetin e sigurisë. Gjithashtu, dëshmia e tretë dhe e katërt e dhënë respektivisht nga një student serb dhe një shqiptar, pasqyron atmosferën në Universitetin e Prishtinës.
3. As ne dhe as amerikanët nuk kemi ndonjë provë të fortë për të mbështetur historinë e ushtarit mbi “masakrat” apo vrasjet e përditshme. Me rifillimin e vitit shkollor në universitet në shtator pritet që një numër i konsiderueshëm rekrutësh të kthehen nga shërbimi i tyre ushtarak në Kosovë dhe ky informacion mund të verifikohet. Ndërkohë unë po e raportoj atë vetëm si një të vërtetë të mundshme.
4. Dëshmitë e tjera tingëllojnë të vërteta, me përjashtim të faktit që pikëpamja e arkeologut mbi frymëzimin kryesisht të jashtëm të demonstratave, nuk është mbështetur deri tani me prova të tjera.
5. Raportet e shtypit dhe televizionit mbi vazhdimin e atmosferës së tensionuar në disa pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, janë konfirmuar nga dy zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së këtu, të cilët morën leje të shkonin me makinë më 24 korrik nga Maqedonia në Mal të Zi për një punë konsullore përmes një rruge posaçërisht të përcaktuar që nuk lejonte ndalesa natën në Kosovë. Ata dëshmuan në Tetovë mbajtjen në shkallë të gjerë të qeleshes së bardhë kombëtare shqiptare si një demonstrim i qartë i kombësisë. Në qendër të Tetovës të cilën ata e përshkruan si një “kamp i armatosur”, ishin thyer xhamat e Qendrës së Forcave të Armatosura dhe kudo përreth kishte roje të armatosura rëndë, përfshirë praninë e tyre në çati dhe në barrikada. Qyteti patrullohej nga grupe të milicisë së armatosur dhe milicia ishte vendosur në çdo pikë furnizimi me karburant. Kishte pika kontrolli të milicisë në hyrje të Kosovës nga Maqedonia dhe në dalje të Kosovës për në Mal të Zi, por nuk ishin bërë kontrolle në hyrje të qytetit në Ferizaj, Deçan, Pejë ose Gjakovë. Megjithatë, në të gjitha vendet kishte milicë të armatosur që patrullonin. Ata ishin sidomos të dallueshëm në Deçan. Në Ferizaj ata panë milicë të armatosur që udhëtonin në autobusë.
6. Kundrejt kësaj situate, kemi provat e Xhavit Nimanit në fjalimin e dorëheqjes së tij (letra ime e datës 21 korrik jo për të gjithë) se situata ishte qetësuar mjaftueshëm që ai të tërhiqej. Për më tepër, ishte njoftuar më 23 korrik nga Shoqata Turistike e Kosovës se lejoheshin turistët dhe vizitat e organizuara në Kosovë. Që atëherë na është konfirmuar nga Drejtoria Konsullore e Sekretariatit të Huaj se lejohen udhëtimet e organizuara por se kjo përbën të vetmin lehtësim, d.m.th. vizitat nga turistët, biznesmenët dhe diplomantët individualë nuk lejohen përveç se kur jepet leje e mëparshme e veçantë. Për më tepër, shtypi ka raportuar se janë rihapur kinematë dhe teatrot në qytetet kryesore, por se janë ende të ndaluara tubime të mëdha publike, të tilla si ndeshjet e futbollit. Gjithashtu, është njoftuar në shtyp më 27 korrik se në Mitrovicë, skena e trazirave të hershme, ishte propozuar që t’i jepej fund gjendjes së jashtëzakonshme meqenëse aty nuk kishte më “eksese“. Raporti i shtypit iu referua përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në pesë komuna të tjera (pa emër).
I Juaji,
T. J. Clark
Për dijeni: P. Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
Zyrës së Kancelarit në Uashington
UKDEL NATO
-75-
Konfidenciale
Beograd A – 111
Një ushtar i ri. Një ushtar i ri, i cili është kthyer në shtëpi me leje nga njësia e tij aktualisht me detyrë për të ruajtur një objekt të “komunikimeve ushtarake“ rreth 30 km nga Prishtina, solli disa të dhëna interesante mbi situatën e sigurisë në qytet dhe përreth tij si dhe mbi rolin e JNA-së aty. Sipas këtij kontakti, njësia e tij kufitare e ruajtjes ishte transferuar me nxitim me detyrë në Kosovë rreth dy muaj e gjysmë më parë. Njësia ishte vendosur në Varazdin në verilindje të Kroacisë, por në fund të prillit u zhvendos në Rijeka, ku, sipas burimit tonë, njësia mori armë të tjera, uniforma dhe pajisje të tjera si dhe stërvitje të papërcaktuar. Njësia kaloi dy javë në Rijeka, ku menjëherë më pas u transferua direkt në Kosovë. Gjatë dy muajve të ardhshëm njësia i kërkoi ushtarëve që të ruanin objekte të rëndësishme qeveritare të komunikimit (ai tha të tilla si, Radio TV e Prishtinës, zyra postare etj.) në Prishtinë dhe objekte ushtarake jashtë qytetit.
Ushtari i rojës kufitare foli në detaje mbi situatën e fundit dhe aktuale të sigurisë në Prishtinë dhe përreth saj. Ai raportoi se ekziston një tension i tmerrshëm, megjithëse është qetësuar disi gjatë javëve të fundit. Shqiptarët, veçanërisht rinia, janë haptazi armiqësorë ndaj serbëve dhe malazezëve si dhe ndaj anëtarëve të forcave të sigurisë. Armiqësia shqiptare shprehet në mënyra konkrete që përfshijnë të qëlluarit e policëve dhe ushtarëve nga pritat, sulmet individuale ndaj anëtarëve të policisë dhe JNA-së, si dhe gjuajtja me gurë nga grupe të rinjsh, dhe veprime të tjera provokative të tilla si pështymja dhe përdorimi i gjuhës blasfemike. Duke komentuar më tej mbi përdorimin e dhunës, ai pretendoi se deri vetëm pak javë më parë të qëlluarit nga pritat nuk ishte diçka e pazakontë në vetë qytetin e Prishtinës, por se ndërkohë që policia e kishte shtrënguar kontrollin e saj në qytet, të qëlluarit nga pritat pothuajse ishte zhdukur. Gjithsesi, ai shtoi se snajperët kanë mbetur aktivë në fshat dhe përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për forcat e sigurisë. Ai vetë shprehu shqetësim të konsiderueshëm dhe frikë duke qenë se duhej të kthehej në njësinë e tij pas pak ditësh; ai është veçanërisht nervoz për faktin se i ka mbetur vetëm një muaj për të kryer në shërbimin ushtarak. Kontakti ynë vuri në dukje gjithashtu se trupat që ruajnë ndërtesat dhe objekte të tjera janë sulmuar nga shqiptarët që përdornin thika, veçanërisht natën. Sulme të tilla ndodhin më shpesh në zonat rurale; ai theksoi se detyra e shërbimit gjatë natës është ajo për të cilën trupat e JNA-së kanë realisht frikë.
I pyetur se çfarë kufizimesh kanë ushtarët në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit, i riu i rojës kufitare u shpreh se ai dhe shokët e tij kanë marrë urdhra të rrepta që të shmangin dhe të injorojnë provokimet dhe të mos, e përsëris, të mos përdornin armët e tyre të zjarrit përveçse kur u rrezikohej jeta. I pyetur për viktimat, ushtari i kalorësisë deklaroi se dy të tretat e ushtarëve vriten aktualisht çdo ditë, shumë prej tyre për shkak të snajperëve. Ai deklaroi se janë vrarë një numër ushtarësh nga njësia e tij dhe shtoi se në përgjithësi është pranuar se në Kosovë kanë vdekur rreth 1,000 njerëz që prej shpërthimit për herë të parë të trazirave atje. Në këtë drejtim, ai raportoi se disa milicë shqiptarë i tërhoqën kolegët e tyre serbë në fazat e hershme të trazirave në Kosovë dhe si rezultat i kësaj vdiqën një numër i caktuar nga të dyja palët.
Në lidhje me rolin e JNA, ai tha se – siç raportohet më lart – trupat ushtarake janë përdorur kryesisht për të ruajtur dhe siguruar objekte të rëndësishme civile dhe ushtarake. Policia – nacionale, lokale dhe “speciale” – ka përgjegjësi reale për ruajtjen e rendit publik. Sidoqoftë, ushtria ka një rol shtesë, atë të ndihmës për policinë – dhe ai vuri theksin në “policinë speciale” – në kryerjen e operacioneve kundër nacionalistëve të dyshuar shqiptarë dhe qendrave terroriste. Sapo zgjidhet një objektiv (fshat, lagje qyteti, etj.), trupat e JNA-së përdoren për rrethimin e tij, ku më pas sillet “policia speciale” shpesh me helikopter në zonat rurale. Burimi ynë pretendoi se në disa raste, kur ishte ndeshur në rezistencë të armatosur apo ishin zbuluar arka me armë, “policia speciale” dhe ushtria (duke përdorur tanke) shkatërronte plotësisht zonën e synuar, duke vrarë banorët e saj, përfshirë gratë dhe fëmijët. Ai pretendoi se disa fshatra shqiptare ishin rrafshuar përtokë në këtë mënyrë megjithëse e pranoi që personalisht nuk kishte marrë pjesë në operacione të tilla.
Sipas këtij burimi, një numër ushtarësh me origjinë shqiptare janë anëtarë të kësaj njësie. Ato kanë mbetur në njësi dhe kanë qenë burimi i “problemeve” për të cilat ushtari i ri refuzoi të fliste. Megjithatë, ai tregoi se në një rast një ushtar shqiptar i kishte thënë (burimit tonë) se po ruante “një plumb për të”. Ushtari i ri vlerësoi se janë rreth 600,000 trupa shtesë të JNA-së si dhe rreth 3,000 trupa kombëtare dhe të “policisë speciale” të caktuara aktualisht me detyrë për Kosovën.
Një arkeolog serb vizitor. Kemi folur gjithashtu me një arkeolog të ri serb i cili kaloi qershorin në Kosovë duke punuar në një “gërmim” afër Manastirit të Graçanicës, rreth 15 km në jug të Prishtinës. Burimi raportoi se situata në atë zonë dhe në vetë qytetin e Prishtinës (ku ai kaloi dy fundjava me miqtë) është “shumë e tensionuar”. Policia e armatosur e ndarë në grupe prej dy dhe tre vetash patrullon rrugët e Prishtinës dhe fshatin me shumicë serbe afër Manastirit të Graçanicës. Policia – nacionale, lokale dhe “speciale” – është “kudo”, theksoi ai. Si në Prishtinë dhe në fshat ata nuk hezitojnë të shpërndajnë qoftë edhe tubimet më të vogla të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se në ruajtjen e rendit publik policia nuk është dalluar për kortezi dhe mirësjellje.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të gjitha vendet e tubimeve publike ishin të mbyllura. Kështu, ai vuri në dukje se nuk kishe çfarë të bëje në Prishtinë përveç se të vizitoje miqtë në apartamentet e tyre dhe të pije e bisedoje me ta. Nuk ishte e sigurt që të qëndroje në rrugët e Prishtinës në mbrëmje dhe për këtë ai nuk lejohej të lëvizte në zonën midis Manastirit dhe fshatit afër pa një eskortë të armatosur në çdo moment të ditës dhe natës. Vetë Manastiri, meqenëse ishte zonë arkeologjike, ruhej gjatë gjithë kohës nga një njësi e vogël e JNA-së që kishte ngritur kampin ushtarak aty pranë. Në lidhje me forcat ushtarake, arkeologu vuri në dukje se pa shumë qarkullim të forcave ushtarake në rrugë dhe një numër të madh automjetesh të blinduara në Prishtinë dhe përreth saj. Sidoqoftë, përshtypja e tij e përgjithshme ishte se forcave ushtarake u ishte caktuar një rol “rezervë”. Ai nuk i ka parë trupat e JNA-së që të kryenin realisht funksione të policisë me përjashtim të plotësimit të stafit në bllokimet e rrugëve. Shumica e trupave ushtarake që ai pa ishte vendosur në periferi të Prishtinës dhe vende të tjera të banuara.
Ne kishim folur me këtë burim përpara nisjes së tij për Kosovë, periudhë në të cilën ai shprehu pikëpamjen se trazirat ishin lokale për nga origjina. Megjithatë, qëndrimi i tij për një muaj ndryshoi plotësisht pikëpamjen e tij. Bazuar në biseda që pati me miqtë në Prishtinë dhe kosovarë të tjerë, ai tani beson me vendosmëri se trazirat janë kryesisht rezultat i frymëzimit të jashtëm. Ai pretendon se ka prova të pakundërshtueshme se demonstratat dhe rezistenca e mëvonshme në përpjekjet për të qetësuar Kosovën ishin të mirorganizuara, të koordinuara dhe të planifikuara që më parë. Ai është personalisht i bindur – siç janë mesa duket miqtë dhe të njohurit e tij në Kosovë – se trazirat janë frymëzuar, mbështetur dhe mbase edhe organizuar nga vetë Shqipëria. Si një njeri i mirarsimuar, meditues i cili mund të përshkruhet më mirë si një person me pikëpamje të moderuara sociale dhe demokratike, i interesuar thellësisht në të kaluarën dhe i cili është në heshtje por thellësisht kritik ndaj sistemit aktual, udhëheqjes së tij e madje Titos, arkeologu flet sot për Kosovën me emocion të madh dhe si një nacionalist i rilindur serb.
Një studente shqiptare nga Prishtina. Kohët e fundit kemi pasur gjithashtu një bisedë të shkurtër me një vajzë të re shqiptare (studente e vitit të tretë në Universitet) e cila vizitonte Beogradin. Ajo është studente në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës ku babai i saj është profesor në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (ai paguhet 16,000 dinarë në muaj, që është afërsisht dyfishi i mesatares së vendit dhe një pagë e shkëlqyer sipas standardeve të Beogradit). Ky burim hezitoi të fliste për problemin e Kosovës, duke preferuar që të fliste për situatën e saj. Ajo theksoi se kishte kaluar të gjitha testet e “besnikërisë”, duke insistuar në të njëjtën kohë se nuk, e përsëris, nuk është anëtare e LKJ-së. Sidoqoftë, ajo na tregoi se ka një tension të konsiderueshëm në Universitet dhe në vetë qytetin e Prishtinës dhe se policia po bën – sipas mendimit të saj – një hetim të plotë të rrëmujave në Universitet. Në këtë drejtim, ajo tha se çdo student i cili “dyshohet” ose ndryshe konsiderohet “i pabesueshëm”, arrestohet dhe merret në pyetje. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e saj dhe ajo është lejuar që të japë provimet në qershor megjithëse theksoi se të tjerët nuk u lejuan. Ajo nënkuptoi se ata që nuk ishin lejuar të jepnin provimet nuk do të lejoheshin të riktheheshin në fakultetet e tyre kur Universiteti të rihapej në shtator. Gjithashtu, ajo shtoi se kishte përshtypjen se nuk ishte vendosur ende nëse mësimi dhe leksionet do të mbaheshin në shtator dhe tetor, megjithëse ajo ishte e sigurt se provimet do të jepeshin si zakonisht në atë kohë.
Një studente serbe nga Prishtina. Përfundimisht, një vajzë e re serbe e cila sapo ishte diplomuar nga shkolla e mesme në Prishtinë dhe prindërit dhe mësuesit e së cilës janë prej një kohe të gjatë banorë të këtij qyteti, diskutoi me ne situatën e përgjithshme të kohëve të fundit. Ajo e përshkroi Prishtinën gjatë tre muajve të fundit si shumë të tensionuar dhe të pakëndshme. Ajo kishte pasur në plan të qëndronte në Prishtinë dhe të ndiqte universitetin aty, por trazirat e fundit e kishin nxitur që të largohej. Ajo është në Beograd për t’u regjistruar në universitet këtu, dhe nuk ka në plan të kthehet në Kosovë përgjithmonë. Demonstratat dhe “provokimet” të ndërmarra vazhdimisht nga shqiptarët, veçanërisht të rinjtë e moshës së shkollës së mesme dhe të rinjtë, e shqetësonin atë. Në këtë drejtim, ajo vuri në dukje se prej vitesh kishte dëgjuar prindërit e saj që flisnin me shumë neveri për trazirat e vitit 1968, ngjarje të cilat ajo tha se nuk mund t’i besonte deri kur ajo vetë të ishte personalisht dëshmitare e ngjarjeve që po ndodhnin në Prishtinë që në mars. Në përfundim, ajo vërejti se forcat e policisë dhe ato ushtarake kishin qenë shumë të kufizuara në trajtimin e tyre ndaj shqiptarëve, ku në shumicën e rasteve refuzonin që të ngacmoheshin nga sjellje provokative, duke përfshirë edhe disa raste të gjuajtjes me gurë.
Benson
(VIJON)
© Pashtriku.org
________________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVI)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba