DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (12)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-22-

Plan masash për propagandën tonë lidhur me Kosovën

1.    Radio Tirana

 a) Të organizojë emisione me valë të mesme dy herë ditën për shqiptarët jashtë atdheut, ku një vend të rëndësishëm të zënë tematika mbi Kosovën. Spikeri të përdorë një gjuhë të kuptueshme për kosovarët. b) Në këtë emision duke propaganduar sukseset e vendit tonë, një vend i mirë t’i kushtohet reportazheve dhe artikujve mbi zhvillimin e krahinave kufitare të veriut. c) Të krijojë një aktiv prej 4-5 vetash që të ndjekë gjendjen në Kosovë dhe të përgatis material për emisionin.c) Radio Tirana në emisionet e saja të transmetoj këngë nga krahina e Kosovës.

2.    Shtypi e propaganda

a) T’i rekomandohet Universitetit që të përpunojë disa artikuj historikë me përmbajtje të larta shkencore, për të rrëzuar tezat e revizionistëve mbi gjoja karakterin serb të Kosovës. b) T’i rekomandohet Universitetit të nxjerri një plan kalenderik me afat të gjatë mbi ngjarje të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me luftën e popullit kosovar për liri dhe independencë, si dhe për njerëz të çmuar të kësaj krahine. c) Shtypi jonë të shkruaj në rast artikuj mbi gjendjen e keqe ekonomik të shqiptarëve të Kosovës, Metohisë dhe mbi trajtimin shkombëtarizues që u bëhet atyre. c) T’i rekomandohet Universitetit për të bërë një botim mbi folklorin në Kosovë.d) T’i vihen disa emra kosovarë, ndonjë kooperative, si rrugë, shkolla etj. dh) Të botohet një libër me artikuj mbi Kosovën nga dega e shtypit.g) T’i bëhet një letër udhëzuese Legatës sonë në Beograd, për mbi propagandën që duhet të bëjë ajo me shqiptarët në Jugosllavi mbi materialet që duhet të na furnizojë për t’i përdorur për propagandën tonë. gj) Në Legatën tonë në Beograd, dhoma e pritjes për vizitorë të bëhet si qendër agjitacioni, ku të ketë ekspozita fotografike dhe sendesh, si dhe revista, gazeta, libra etj. h) Të shfrytëzohen të dhënat mbi Kosovën edhe nga shtypi i emigracionit reaksionar shqiptar?

3.    Me anën e kosovarëve në Turqi

 a) Të nxiten kosovarët në Turqi për të shkuar me njerëzit e tyre në Jugosllavi, me qëllim që të mos shpërngulen nga Jugosllavia në Turqi.b) Kosovarët me banim në Turqi t’u dërgojnë njerëzve të tyre në Kosovë gazetën “Shqipëria e re”, si dhe buletinin që marrin nga Legata jonë në Ankara mbasi t’i kenë lexuar vetë.

4.    Me ndërmarrjen e botimeve

 a) Ndërmarrja e botimeve të hyjë në kontakt me shtëpi botuese dhe librari në Kosovë për të furnizuar me libra nga Shqipëria në bazë të kërkesave të tyre.

 Zeqi Agolli

                                                                -23-

Legata e RP të Shqipërisë

Nr.44 Res.  Beograd, 21/6/1960

Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Dega e Dytë)  Tiranë                       

Relacion mbi shëndetësinë në Kosovë

Ashtu siç shprehet në të gjitha drejtimet dhe në sektorin e mbrojtjes e të shëndetit të popullit në Kosovës, klika revizioniste pak interesim ka treguar dhe tregon. Për gjendjen e mjerueshme të kosovarëve edhe vet shtypi, ose statistikat e ndryshme që dalin në Jugosllavi, e vërtetojnë këtë. Kështu mund të themi se qëndrimi shovinist, antimarksist i udhëheqjes jugosllave vërtitet edhe në këtë sektor. Prapambetja në mbrojtjen e shëndetit të popullit të Kosovës, në krahasim me republikat ose krahinat e tjera të Jugosllavisë nuk është vetëm pasojë e politikës së krajlëve etj., të së kaluarës, po dhe të asaj politike të ngjashme që revizionistët jugosllavë vazhdojnë akoma të ndjekin lidhur me Kosovën. Gjendja shëndetësore e popullit, institucionet mjekësore, higjiena e pastërtia, të gjitha këto janë në një nivel shumë të ulët dhe që nuk mund të bëhet krahasime me republikat e tjera të Jugosllavisë. Si pasojë e kësaj, sëmundjet dhe vdekjet në këtë krahinë janë më të mëdha se kudo në Jugosllavi.

Po të shikojmë problemin e higjienës nga kujdesi i pakët që tregohet në përgjithësi në të gjitha qytetet e Kosovës dhe Metohisë, nuk ka pastërti. Shpesh ngjasin helmime nga ushqimet e uji. Edhe personeli që merret me shërbimet higjienike është shumë i pakët. Nga vetë statistikat jugosllave, del se në tërë Kosovën e Metohinë, ka tre mjek higjienikë, 5 teknikë sanitarë, 9 inspektorë sanitarë dhe asnjë inxhinier. Kurse, po të marrim shembull një vend tjetër, p.sh. Sllovenin, kjo ka 17 mjekë sanitarë, 28 teknikë sanitarë, 25 inspektorë dhe 22 inxhinierë. (Statistiçki Godishnjak o narodnom Zdraviju i zdravstvenoj sluzhbi u FNRJ 1956, botim 1959, faqe 62). Për një gjendje të tillë të keqe higjienike, janë detyruar të pranojnë edhe vetë revizionistët jugosllavë. P.sh. në gazetën “Rilindja”, të datës 27/II/1960, faqe 6, botohet artikulli me titull: “Pak pastërti nëpër qytet”, ku ndërmjet të tjerave thuhet: “Higjienën e qyteteve nuk e prishin vetëm kafshët që duken edhe rrugëve kryesore, po ende mungon kujdesi për hedhjen e mbeturinave dhe cofëtina e në shumë vende nuk ekzistojnë varrezat për kafshët e ngordhura. Nga ana tjetër, ngjan shpeshherë që shtazët e sëmura të therën dhe të përdoren për nevoja shtëpiake, mish për ushqim etj…”. Më poshtë duke folur për ujin e pijshëm thuhet se: “Përveç ujësjellësit të Prishtinës asnjë ujësjellës tjetër nuk ka zonën e mbrojtjes. Në afërsitë e tyre gjinden banesa, ahrije e burime të ndryshme infektuese etj…”. Po në këtë artikull, flitet për pasjen e objekteve publike. Në mes të tjerave thuhet: “Në Prizren p.sh. të gjitha mbeturinat që përmban kanalizimi derdhen në Bistricë (lum). Njësoj qëndron edhe Prishtina, ku kanalizimi i qytetit derdhet në Vellushë dhe në lumin tjetër të Prishtinës etj. Veçanërisht serioze, thuhet në këtë artikull, është çështja e hedhjes së ndyrësirave të nevojtoreve si dhe mungesa e nevojtoreve publike në shumë vende, p.sh. Prizreni e Gjilani nuk kanë fare etj.

Po kështu, në një artikull të gazetës “Rilindja”, datë 28/II/1960, faqe 8, në një artikull me titull: “70 punëtorë të fabrikës konfeksionit “Napredak”, u helmuan prej ushqimit të infektuar”, (Gjakovë) në të cilën vërtetohet mungesa e higjienës në mes të të tjerave thuhet: “Si do që të jetë, prej kësaj çka pamë sot në mëngjes mund të konstatohet se pastërtia dhe kushtet tjera higjienike në kuzhinën dhe magazinën ku ruhet ushqimi janë në një shkallë shumë të ulët”. Duke shkruar po për këtë çështje, gazeta “Rilindja”, e datës 29/II/1960, faqe 5, boton artikullin me titull: “Nuk mjafton vetëm me pasë”. Në këtë artikull, në mes të tjerave thuhet: “Është fakt se ende objektivisht mungojnë lokalet e përshtateshe për vendosjen e magazinave dhe të dyqaneve që merren me shitblerjen e gjërave ushqimore”. Duke dhënë si shembull për këtë, thuhet: “Njësoj mund të thuhet dhe për vendosjen e objekteve hoteliere, të cilëve po ashtu ju mungojnë stabilimentet e nevojshme sanitare. Çka është më zi, objektet e këtilla gjinden nëpër tercat rrethuese me burime të ndyrësirave të ndryshme… etj.”. Më poshtë thuhet: “Furra e Prizrenit është vendos në një shtëpi të adaptuara por rrethuese me shtëpi të vjetra pa terren mbrojtës, mandej dhe pa ujë të pastër. Nuk është si duhet as gjendja në thertoren e Mitrovicës, Gjilanit e Prizrenit. Të shumtën e rasteve, transportimi i mishit prej thertoreje deri në qytet bëhet me mjete primitive. Higjiena mungon edhe në vendet ku përgatitet ushqimi – nëpër kuzhina dhe restauronte. Nuk bëhet as dezinfektimi i enëve që përdoren. Nuk bëhen në rregull vizitat mjekësore të personelit merret me ruajtjen dhe përgatitjen e gjërave ushqimore, sigurimin e rrobave të punës për këtë personel, si dhe përdorimi dhe shitja e gjërave të prishura ushqimore”. Sigurisht një gjendje e tillë higjienike, ka pasojat e saja negative në shëndetin e popullit të Kosovës. Si pasojë e kësaj, sëmundjet dhe vdekjet dhe veçanërisht sëmundjet e fëmijët janë të zhvilluara shumë.

Për të pasur një pasqyrë më të qartë dhe më qëllim që të bëhet krahasimi me republikat e tjera të Jugosllavisë këtu poshtë po shënojmë edhe një statistikë mbi popullatën e ndarë në republika të Jugosllavisë, ku më poshtë do të dal më e qartë në përgjithësi gjendja shëndetësore dhe institucionet shëndetësore të Kosovës – në krahasim me republikat tjera, diferencimi i madh që i bëhet kësaj zone si konsekuencë e politikës revizioniste – shoviniste të klikës së Titos karshi popullit shqiptar të Kosovës.

N.R.Republika ose krahinaPopullsiaTerritori në km2
1Kosovë-Metohi808 14110 690
2Serbia6 979 15488 361
3Vojvodina1 712 61921 774
4Kroacia3 918 81756 253
5Sllovenia1 466 42519 992
6Bosnjë-Hercegovina2 847 79051 139
7Maqedonia1 304 51425 715
8Mali i Zi419 87313 812

*Marrë nga statistiçki godishnjak FNRJ, faqe 293 për popullatën dhe faqe 292 për territorin sipas regjistrimeve 31/3/53. Për Serbinë popullata dhe territori janë të përbashkëta me Vojvodinën dhe Kosmetin.

Në mënyrën e më sipërme paraqitet popullata e territori i ndarë në republika e krahina në Jugosllavi.

Si paraqiten sëmundjet sipas vetë statistikave jugosllave (Statistiçki Godishnjak o Narodnom Zdravlju i zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 202 e 216) (konstatime në fund të vitit 1956).

N.RKrahinatTBC mushkri Burra  GraDispanseriKonstatime për të sëmurët me TBC nga vizitat
1Kosmet31782 57064 139
2Serbi33 31323 6637950 438
3Vojvodinë8 0585 9702112 884
4Kroaci12 6588 5084017 914
5Slloveni6 5823 920486 752
6Bosnjë-Herceg.9 9867 9051927 470
7Maqedoni3 7223 032116 384
8Mali i Zi1 18149751 718

 (Për Serbinë përfshihen dhe Vojvodina e Kosmeti).

Kurse gjendja shëndetësore e fëmijëve paraqitet si më poshtë vijon – (Konstatime në fund të vitit 1956). (Statistiçki Godishnjak o Narodnom Zdravlju i zdravstvenoj slizhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 169, 191).

N.R.KrahinatTBC Konstatim në ambulancat e shkollaveTBC konstatim dispanseriMalaria
1Kosmet7351 599101
2Serbi1 0492 551
3Vojvodinë2104201
4Kroaci6974532
5Slloveni4165
6Bosnjë-Hercegovinë4471 269
7Maqedoni588854744
8Mali i Zi23341

Nga vetë statistikat e sipërme të disa sëmundjeve kryesore tregojnë gjendjen shëndetësore të popullit të Kosovës dhe veçanërisht të fëmijëve në shkolla ose parashkollorë. Kjo gjendje e keqe shëndetësore shpjegohet nga konditat e këqija dhe ushqimi i dobët i popullatës dhe nga ana tjetër mosinteresimi që organet qeveritare jugosllave tregojnë karshi këtij populli. Kështu, nuk mund të thuhet se influencon klima etj., sepse dihet se klima në këtë zonë është shumë më e mirë se sa për shembull, në Serbi ose Vojvodinë ose e njëjta me Malin e Zi. Por, po t’i hedhësh një sy fëmijëve të sëmurë nga TBC do të shohim se në Kosmet numri është shumë më i madh nga ai i krahinave të tjera, pavarësisht nga numri i popullatës që është më i vogël. Për një gjendje të tillë janë të detyruar ta pranojnë dhe vetë organet jugosllave. Ja p. sh. se çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, e datës 29/XII/’59, faqe 6, me titull: “Mungesat në punë shkaktojnë dëme të mëdha”. Në mes të tjerave kur flet për mungesat në punë të punëtorëve, thuhet: “nga ana tjetër disa organizata ekonomike janë interesuar shumë pak për krijimin e kushteve bashkëkohore në vendet e punës. Në radhë të parë janë konstatuar të meta të shumta higjienike nëpër disa ndërmarrje. Mandej në të shumtën e rasteve punëtorët udhëtojnë në këmbë më tepër se nga 10 km në ditë për të mbërri deri në vendin e punës. Çka është kryesorja, çështja e ushqimit ende nuk është zgjidhë nëpër të gjitha sipërmarrjet. Për mungesën e ushqimit kalorik konstatohet se është shfaq sëmundja e gastritit. Prej kësaj sëmundje lëngojnë vetëm në rrethin e Mitrovicës, 35% e të të gjithë pacienteve të paraqitur për mjekim”, etj.

Në shtimin e sëmundjeve negativisht përveç sa u tha më sipër, influencon edhe sepse në Kosovë e Metohi ka një mungesë të konsiderueshme institucionesh shëndetësore, spitaleve e mjekëve. Këtu poshtë po paraqesim një pasqyrë të gjendjes së spitaleve e mjekëve të marra nga vetë statistikat jugosllave (statisticki Godishnjak o Narodnom Zdravlju I zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, faqe 6 dhe 13.) (Gjendja në fund të vitit 1956).

                           Spitale

N.R.KrahinatSpitale të përgjithshmeShtretër
1Kosmet81 718
2Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin)10126 358
3Vojvodina216 887
4Kroacia5620 958
5Sllovenia3110 538
6Bosnjë-Hercegovina226 501
7Maqedonia275 228
8Mali i Zi131 998

*Vërejtje: Ndër këto një është anti TBC dhe një për mukozë.

Personeli mjekësor

N.RKrahinaMjekSpecialistMjek me arsim të mesëmMjek me arsim të ulëtPersonel shërbimi mjekësorPersonel jo i shërbimit mjekësor
1Kosmet623071185318398
2Serbi (bashkë me Vojv. e Kosmetin)1 4216011 0393 2115 6715 041
3Vojvodinë2111141656631 039972
4Kroaci8134454782 5513 8424 321
5Slloveni3651494001 2482 0132 886
6Bosnjë-Hercegovinë3281201679771 4671 957
7Maqedoni266842495531 113795
8Mal të Zi613075175311288

Statistikat e sipërme janë pasqyrë e gjallë me të cilën vërehet se në çfarë gjendje është lënë populli i Kosovës dhe nga ana tjetër diferencimi i madh që i bëhet në krahasim me republikat e tjera ose krahinat. Vetëm një krahasim të bësh, p. sh. Malin e Zi që ka afërsisht gjysmën e popullatës së Kosovës, del e qartë kjo. P.sh. Kosova ka 62 mjekë, kurse Mali i Zi 61, ose Kosova ka 8 spitale me 1 718 shtretër, kurse Mali i Zi 13 spitale me 1 998 shtretër, d.m.th. më shumë se sa Kosova, megjithëse në Kosovë ka më tepër të sëmurë. Veç kësaj, duhet theksuar se edhe ata mjekë që janë në Kosovë janë me një eksperiencë të pakët. Nga ana tjetër, me 8 spitale me 1 718 shtretër dhe 62 mjekë, në asnjë mënyrë nuk mund të plotësohen nevojat e një popullate prej afro një milion banorësh. Këto të dhëna janë të vet organeve jugosllave ku nuk mund të përjashtohet mundësia e zmadhimit dhe e zbukurimit. Veç kësaj, gjendja e orendive të spitaleve nuk janë në nivelin e duhur. Ja p. sh. se çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, datë 23/1/1960, faqe 7, me titull: “Loka1i – problem numër një”. Në mes të tjerave thuhet: “Nëse u paraqitet nevoja të kërkojnë ndihmën e mjekut në qendrën e komunës (referohet Podujevës) me 65 katunde e nja 47 000 banorë, kemi me hasë në këto rrethana: nëse vizitohemi në katin përdhese të shtëpisë së shëndetësisë, do të mundemi të strehohemi në sallën e pritjes, por nëse u bie radha të vizitohen në katin e parë, atëherë nëse është ftoftë, keni me i cakërrua dhëmbët në korridorin e ngushtë dhe të ftoftë”. Duke folur për mungesë lokalesh shëndetësore më poshtë thuhet: “për mungesë të vendit tash pothuajse ka pushua veprimtaria e dispanseritë të fëmijëve”. Po kështu, në gazetën “Rilindja”, datë 4/2/1960, faqe 6 thuhet se: “Ambulanca e Lluzhanit është mjaft moderne, por kjo nuk përdoret krejtësisht për këtë nevojë. Në të është vendos posta e vendit dhe një mësues me familjen e vet. Për shërbimin mjekësor, është caktuar vetëm një dhomë ku dy herë në javë vjen mjeku për të vizituar të sëmurët. Dhoma e vizitorëve është shumë e përshtatshme, por ata që presin rendin, kalojnë shumë keq, sepse janë të detyruar me prit në oborr dhe në këto ditë të ftohti të dimrit etj.”. Në një gjendje të tillë ndodhen dhe spitalet e qendrat e tjera shëndetësore në Kosovë. Mungesa e mjekëve ndjehet shumë në këtë zonë. Në shtypin gjen botime në të cilat shprehet kjo mungesë. P.sh. në gazetën “Rilindja”, të datës 4/2/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Ndërtesa ngushtë, mjekë pak”, në mes të tjerave duke folur për punën e mjekëve thuhet: “Kështu, me tre mjek të përhershëm, prej të cilëve një gjendet në pushim mjekësor, është e pamundur me i dal në skaj kërkesave për intervenime mjekësore”, dhe më poshtë thuhet: “Për dy-tre madje edhe për katër mjekë, është tepër të vizitojnë brenda ditës mesatarisht afër 250 fëmijë të vegjël e të mëdhenj”. (Kjo i referohet Mitrovicës). Po kështu, në gazetën “Rilindja”, dt. 10/2/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Praktika private mjekësore mund të hiqet edhe në vende të tjera të krahinës”, duke folur për personelin mjekësor dhe shpërndarjen e tij, thuhet: “Sepse fakti se prej gjithsej 230 institucioneve shëndetësore në krahinën tonë, 150 gjenden në qytete dhe qendra të mëdha e vetëm 80 prej tyre me 32 mjekë dhe 39 kuadro të mesëm medicional në të gjitha vendet e tjera të krahinës, flet qartë se duhet me marr masat për organizimin me të mirë dhe ndarjen e këtij shërbimi etj”. Një shprehje e tillë sigurisht ka kuptimin e mungesave për mjekë në Kosovë dhe të vështirësive që hasin në kërkesat e popullit për t’u mjekuar.

Po kështu, në gazetën “Rilindja”, të datës 18/2/1960, faqe 5, në një artikull më titull: “Afër 600 mijë qytetarë të Kosovës e Metohisë”, në të cilën flitet për sigurimet shoqërore në mes ë tjerave në një vend thuhet: “Kjo tregon se para shërbimit mjekësorë në Kosovë e Metohi shtrohen detyra shumë serioze, aq më parë kur numri i themelatave shëndetësore dhe i personelit mjekësorë ndër to, ende nuk është i mjaftueshëm”. Gjithashtu, në “Rilindje”, datë 10/3/1960, faqe 6, në një artikull me titull: “Shërbimi shëndetësor para zgjedhësve (Prishtinë)”, duke folur për shërbimet shëndetësore në mes të tjerave thuhet: “Edhe pse numri i mjekëve, madje edhe i enteve shëndetësore që sot funksionojnë në Prishtinë, është shumëfishuar në krahasim me vitet e paraluftës, theksohet vazhdimisht se numri tashmë i mjeteve, sidomos i specialistëve nuk është i mjaftueshëm”. Veç sa u tha më sipër, në një gjendje të tillë ndodhen dhe institucionet e tjera me karakter shëndetësor, si dispanseritë për fëmijë, maternitetet, klinikat dentare, ambulancat etj.

       Këtu poshtë po paraqesim disa statistika të mara nga “Statisticki Godishnjak o Narodnom zdravlju i zdravstvenoj sluzhbi u FNR Jugosllaviji 1956, botim 1959, respektivisht faqe 34, 36, 33, 35, (gjendja në fund të vitit 1956).

  1. Maternitetet
Nr.KrahinatMaternitetiShtretërMjek specialistMami
1Kosmet14234142
2Serbia (së bashku me Vojvodinën e Kosmetin1722397424
3Vojvodinë628322159
4Kroaci591 16818232
5Slloveni114841164
6Bosnjë-Hercegovinë546537124
7Maqedoni25439433
8Mali i Zi16185129
  • Dispanseri i fëmijëve
Nr.KrahinatDispanseriMjek kryesorVizita
1Kosmet7986 348
2Serbia (së bashku me Vojvodinën e Kosmetin8914476 2106
3Vojvodinë1833149 024
4Kroaci3557261 164
5Slloveni331866 676
6Bosnjë-Hercegovinë2752173 230
7Maqedoni1226173 335
8Mali i Zi11842 891
  • Dispanseri dhe qendra këshilluese për gra
Nr.KrahinaQendraMjek kryesor
1Kosmet9
2Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin11539
3Vojvodinë5711
4Kroaci9215
5Slloveni8812
6Bosnjë-Hercegovinë3828
7Maqedoni565
8Mali i Zi6
  • Ambulanca të ndryshme
Nr.KrahinaAmbulanca të përgjithshmeAmbulanca dentareMjek dentistDentistDentist teknik
1Kosmet361861818
2Serbi (bashkë me Vojvodinën e Kosmetin740337159465456
3Vojvodinë29112534184100
4Kroaci59624250362184
5Slloveni43215154209199
6Bosnjë-Hercegovinë34212520172178
7Maqedoni110641510769
8Mali i Zi82753433
  • Farmaci
Nr.KrahinatFarmaciFarmacistVlera në dinarë e ilaçeve të dhëna
1Kosmet2129280 992 641
2Serbi (bashkë me Vojvodinë dhe Kosmet)4498084 747 233 996
3Vojvodinë2052791 384 580 082
4Kroaci2445752 950 367 180
5Slloveni991761 355 327 123
6Bosnjë-Hercegovinë961431 447 267 565
7Maqedoni4773781 169 681
8Mali i Zi1828216 512 491

Statistikat e shënuara më lart paraqesin qartë se ç’gjendje ndodhet mjekësia në Kosovë. Kudo në vetë statistikat jugosllave del se këto janë më të ulëta dhe më të pakta qofshin si institucione, qofshin edhe si personel mjekësor. Kështu p.sh. ndërsa në Maqedoni që popullata është ½ milioni më tepër, ka 47 farmaci me 73 farmacistë, në Kosovë ka vetëm 21 farmaci me 29 farmacistë, që nuk është as gjysma e atyre që ka në Maqedoni, ose p.sh. dispanseri i fëmijëve në Mal të Zi që popullata është sa gjysma e Kosovës, ka 11 dispanseri me 8 mjekë, kurse në Kosovë, (ku sipas statistikave që shënuam më lart sëmundjet e fëmijëve janë më të shumta) ka vetëm 7 dispanseri më 9 mjekë. Po kjo gjendje paraqitet edhe në sektorët e tjerë të shëndetësisë, p. sh. klinikat dentare, mjekët dentist, dentist etj. Si konsekuencë e këtij trajtimi të keq, mortaliteti në Kosovë në krahasim me vendet e tjera, është më i madh dhe ka ardhur duke u rritur. Këtu poshtë po paraqesim një pasqyrë mbi vdekjet të marrë nga “Statistiçki godishnjak, 1959, faqe 307 e 308”. Në vitin 1958 në Kosovë, në 1 000 banorë kanë vdekur 12.9, kurse në krahinat e tjera më pak. P.sh. në Serbi 8.2, në Vojvodinë 9.3, në Kroaci 9.3, në Slloveni, 9.1, Bosnjë-Hercegovinë 9.2, në Maqedoni 10.2, në Mal të Zi 7.5. (Nuk dimë nëse në statistikat e dhëna për vdekjen në Kosovë i kanë shënuar edhe personat që UDB-ja jugosllave i ka zhdukur, po besojmë se ato përmblidhen në ndonjë statistikë tjetër sekrete të Jugosllavisë).

Po japim edhe një statistikë tjetër të marrë po nga botimi i sipërpërmendur (Statistiçki godishnjak, 1959, faqe 307) ku pasqyrohet rritja e mortalitetit:

Nr.KrahinatVdekjet 1948  1958Vdekja e fëmijëve 1949  1958
1Kosmet10 32411 5134 2084 924
2Serbi51 65739 13010 3166 123
3Vojvodinë24 49116 5315 5892 283
4Kroaci52 41638 42310 8165 866
5Slloveni17 88414 2702 7091 132
6Bosnjë-Hercegovinë36 80429 7288 78310 824
7Maqedoni16 76413 9466 4095 114
8Mali i Zi3 6753 5235371 003

Statistikat e sipërme japin një pasqyrë të qartë të gjendjes shëndetësore të popullit të Kosovës, në të cilën del se si rrjedhim i trajtimit të keq mortaliteti në Kosovë është rritur kur në të gjitha republikat e tjera ka pasur ulje, dhe nga ana tjetër në proporcion me popullatën mortalitetit në Kosovë është më i lartë se kudo në Jugosllavi.

Mungesa të ndjeshme duken edhe në shërbimin e ndihmës së shpejtë. Në shumë vende, fshatarët janë të detyruar të ecin disa dhjetëra kilometra me qerre ose në këmbë, për të shkuar te mjeku për vizitë, ose për të bërë një injeksion. Ja p.sh. se si shprehet në artikullin e gazetës “Rilindja”, datë 12/1/1960, faqe 6, me titull: “Për 35 000 banorë një automobil i ndihmës së shpejt”. Në këtë artikull, në mes të tjerave thuhet: “Nuk ka ndodhur që të presim me orë të tëra për ndihmë të shpejtë. Edhe ai që kishte lajmëruar para meje, edhe tjetri që nuk u ndal së rrahuri në telefon edhe shumë të tjerë pritshin tanë vesh e sy sinjalin e automobilit shpëtimtar. Unë nuk di se çfarë ndihme e shpejtë është kjo, kur duhet me prit me orë të tëra për raste urgjente. E çka kishin me thanë ata që me 40 gradë temperaturë presin ndihmën e shpejtë, ose ndonjë grua shtatzënë që ndien dhimbjet e para me interval të shkurtra etj. Prandaj, është me vend që dikush të interesohet për këtë gjë”. (kjo i referohet Prishtinës).

       Për sa i përket problemit të sigurimeve shoqërore nuk kemi pasur mundësi të nxjerrim ndonjë statistikë nga botimet jugosllave, por nga bisedimet që kemi pasur (por deri më sa mund të jetë e vërteta) rezulton se punëtorëve nga rroga e tyre për sigurimet shoqërore ju mbahen shuma prej 35, 65%. Me këtë kanë të drejtën e vizitave gratis dhe të marrin ilaçet gratis po kështu dhe pensioni. Sipas botimit në gazetën “Rilindja”, të datës 18/II/1960, (artikull me titull afër 600 mijë qytetarë të Kosovës e Metohisë) ndër të tjera thuhet: “Në fund të vitit të kaluar ka pas në Kosovë 57 516 të siguruar. Me ligjin e ri jugosllav për sigurimin edhe të prodhuesve të bujqësisë, sipas gazetës së sipërme, numri i të siguruarve do të arrij në 600 000 qytetarë. Po kështu, sipas gazetës së sipërme fshatarët për sigurime shoqërore do të paguajnë 2% prej të ardhurave të tyre kadastrale dhe nga 250 dinarë çdo anëtarë të familjes për formimin e fondit për mbrojtjes shëndetësore. Shpenzimet vjetore, thuhet në këtë artikull, për mbrojtjen e një prodhuesi bujqësor mbërrijnë afërsisht në 1 330 dinarë, kontributi i prodhuesve në afër 741 dinarë, kurse nga buxheti duhet të sigurohet shuma tjetër prej 589 dinarë. Më poshtë thuhet se kjo nuk është e saktë, prandaj duhet analizuar”. Duke folur mbi këtë çështje në gazetën “Rilindja”, datë 10/3/1960, faqe 5, në një artikull me titull: “Si realizohet e drejta e mbrojtjes shëndetësore” në mes të tjerave duke folur për prodhuesit bujqësorë, thuhet: “Ligji për mbrojtjen shëndetësore fillon prej 1 janarit të këtij viti. Kontributet prej 2% nga të ardhurat kadastrale dhe tjetrin prej 250 dinarë për anëtar të familjes bujqit e paguajnë bashkë me tatimet tjera për të ardhurat bujqësore dhe ashtu si paguhen tatimet. Mirëpo, ligji ka caktuar afatin e fundit deri kur këshillat popullore të komunave duhet të marrin vendimet dhe duke caktuar ditën prej se cilës do të fillojnë prodhuesit bujqësorë të gëzojnë të drejtën e tyre sipas këtij ligji”. Më poshtë, në mes të tjerave thuhet se afati i fundit nuk mund të jetë më vonë se 1 korriku. Prodhuesi duhet ta bëjë pagesën e kontributit në kohën e caktuar se përkundrazi ligji parasheh edhe pagimin e kamatës vjetore prej 9%, duke filluar prej ditës kur është dashur të bëhej pagesa etj. Kjo është një masë e re në praktikën e sigurimeve shoqërore jugosllave për të cilën momentalisht është e vështirë të nxjerrim një konkluzion, por duke pas parasysh se në shumicën e fshatrave të Kosovës nuk ka institucione shëndetësore kjo nuk do të jetë e kënaqshme për fshatarët kosovarë dhe nuk do t’ju japë ndonjë ndihmë konkrete. Me këtë masë gjoja të re revizionistët jugosllavë do t’ju pakësojnë edhe ato pak të ardhura fshatarëve kosovarë duke ju vështirësuar akoma më tepër konditat e jetesës. Deri tani të pasiguruarit, sipas një bisedimi që kemi pasur me shtetasin shqiptar, Selman Galla, paguajnë për një vizitë mjekësore në ambulancë 300 dinarë, për një ditë shtruarje në ambulancë 1 200 dinarë, kurse për të bërë një injeksion arrin sipas injeksionit në 1 000 e më shumë dinarë, (ky banon në fshatin Jabllanicë).

Për sa i përket kuadrit shqiptar që punojnë në sektorin e shëndetësisë këta janë shumë të pakët. Pjesa dërmuese e tyre janë serbë ose malazezë. Të dhëna në këtë drejtim nuk ka në shtypin, ose në librat statistikore. Këtë ne e mbështesim në biseda të ndryshme që kemi bërë me kosovarët. Se çfarë është bërë për përgatitjen e kuadrove, në këtë drejtim nga radhët e kosovarëve për më tepër se 15 vjet? Përgjigjen e gjejmë në qëndrimin e revizionistëve në të gjithë kompleksin karshi Kosovës, që ata ndjekin një politikë nacionaliste e shoviniste.

I ngarkuari me punë a. i.

Tahmaz Beqiri

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (13)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura