DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (19)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-33-

Pasqyrë e vitit 1967 e pabotuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme turke mbi shpërndarjen e popullsisë shqiptare në Turqi

  Nr.Qytetet në TurqiNumri personalNumri i përgjithshëm i shqiptarëvePersonat që flasin  shqip
Që njihen si shqiptarQë kanë origjinëMirëPak
 1Stamboll200 000300 000500 000100 000100 000
 2Bursë100 000100 000200 00075 00025 000
 3Izmir100 000100 000200 00050 00050 000
 4Ankara50 00075 000125 00020 00030 000
 5Ballakazer25 00050 00075 00015 00010 000
 6Eskisheher75 000100 000175 00025 00050 000
 7Kaizer10 0005 00015 0005 00010 000
 8Sivas5 0005 00010 0005 00010 000
 9Edirne25 00050 00075 00015 000 –
10Tekirdug10 00030 00040 0005 0005 000
11Kerkilsreli50 00050 00010 000025 00025 000
12Manisa10 00010 00020 0007 0002 500
13Denizli5 0005 00010 0003 0002 000
14Adena15 00015 00030 0007 0008 000
15Gaziantop10 0005 00015 0005 0005 000
16Kytahja15 00015 00030 00010 0005 000
17Adapazar25 000 –25 00015 00010 000
18Izmit10 0005 00015 0005 0005 000
19Elazig20 00010 00030 00010 00010 000
20Dijarbaker10 00010 00020 00010 000 –
21Në qytetet tjera30 000150 00018 000 –30 000
Gjithsej 800 0001 090 0001 890 000412 000373 000

-34-

Informacion nga Tirana Legatës së saj në Beograd për vizitën e albanologëve nga Kosova në Krujë

Në manifestimet që u bënë në Krujë, shoku Enver pati një bisedë interesante me albanologët kosovarë. Midis të tjerash shoku Enver iu foli se ne jemi bijtë e një nëne e babe, se ne gëzohemi që ju të fitoni sa më shumë të drejta dhe që ju kemi midis nesh dhe se ne do t’u ndihmojmë me libra e literaturë tjetër që keni kërkuar. Për marrëdhëniet me Jugosllavinë, shoku Enver demaskoi titistët duke iu thënë se ne nuk pajtohemi me ata. Në fund të bisedës shoku Enver i këshilloi ata që të bëjnë një vizitë nëpër vendin tonë. Kosovarët gjatë bisedës vetëm dëgjonin. Në fund, Mark Krasniqi falënderoi për ftesën e bërë për të marrë pjesë në konferencën albanologjike.

                                                                       -35-

Informacion nga Legata e Beogradit dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë për statusin politik të Kosovës

Në takimin që ka pasur shoku Bujar Hoxha me disa anëtarë të Komisionit për ndryshimin e statutit të Kosovës ka mësuar: 1) Kosova nuk do të shpallet republikë, por autonomia e saj do të forcohet dhe për shumicën e problemeve ajo do të ketë lidhje me Federatën dhe jo me Republikën e Serbisë. Udhëheqja e Kosovës nuk ka propozuar vetë për krijimin e republikës së Kosovës, mbasi një propozim i tillë sipas mendimit të tyre nuk është oportune për situatën e tanishme.

-36-

Legation

De la Republique Populaire D’Albanie Belgrade

Beograd, më 10.07.1968

Nr. 40 Sekret                     

Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Drejtorisë Parë)  Tiranë                          

Relacion “mbi reagimin e masave kosovare dhe kundërreagimi i serbëve dhe kombësive tjera që banojnë në Kosovë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Komisionit Krahinor për një autonomi Kosovës”

Menjëherë pas botimit në shtyp të kërkesave nga ana e Komisionit Krahinor për një “autonomi” më të plotë të Krahinës së Kosovës, pati reagime, kundërreagime të ndryshme, të cilat nxorën në shesh akoma më qartë si para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, kontradiktat e mëdha nacionale që ekzistojnë në Republikën Serbe.

Kërkesat e bëra përmblidhen në këto çështje:

1)   Në dhomën e kombeve të ketë përfaqësues direkt nga krahina, dhe jo si është tani që përfaqësimi i krahinës të bëhet nga ana e Republikës.

2)   Kombet dhe kombësitë në krahinë t’i rregullojnë marrëdhëniet ashtu si ju intereson më mirë atyre, domethënë pa ndërhyrje të jashtme. Vetëm në këtë mënyrë realizohet pavarësia ekonomike e Krahinës së Kosovës.

3)   Në të ardhmen Kosova të quhet nga Krahinë Autonome e Kosovë-Metohisë në “Krahinë Socialiste Autonome e Kosovës” .

4)   Për një autonomi të plotë të gjyqeve.

5)   Krahina të ketë si bazë të saj juridike “Kushtetutën” dhe jo “Statute” sikundër e ka tani.

6)   Se territori i Krahinës nuk duhet të ndryshoj pa pëlqimin e saj.

7)   Se tani e tutje me akte kushtetuese të njihet e drejta e kombësisë shqiptare që të përdorë edhe ajo simbolet kombëtare, siç janë: flamuri kombëtar shqiptar, si dhe stemat dhe festat e ndryshme.

Përveç kërkesave të mësipërme, të cilat u botuan në gazetën “Rilindja”, datë 24 prill 1968, kohët e fundit na del se në Komisionin Krahinor janë diskutuar edhe një sërë çështjesh të tjera, siç është për shembull ndryshimi i ligjit ekzistues që pengon kthimin e kosovarëve në vendin e tyre, që siç dihet janë shpërngulur me forcë nga ana e regjimit titist për në Turqi dhe gjetiu; problemi i përdorimit të dy gjuhëve në administratë dhe në jetën e vendit (të shqipes dhe serbo-kroatishtes).     

Edhe këto diskutime të formuluara më vonë në kërkesa i janë paraqitur Komisionit Republikan të Serbisë për shqyrtim dhe aprovim. Këto dhe kërkesat tjera, të cilat po diskutohen nga masat kosovare dhe të shqiptarëve në përgjithësi që banojnë në Jugosllavi, nuk i ka botuar shtypi për shkaqe të ndryshme sepse botimi i të gjitha kërkesave dhe të diskreditonte më shumë regjimin në fuqi.

Nga të dhënat që kemi kohët e fundit, rezulton se për disa nga kërkesat e mësipërme, Komisioni Krahinor ka marrë aprovimin e Kryesisë së Komitetit Krahinor të “Lidhjes Komuniste”, siç është për shembull ajo që Krahina “Autonome” e Kosovë-Metohisë të quhet “Krahina Autonome Socialiste e Kosovës”.

I.    Reagimi i masave kosovare dhe nuancat e ndryshme lidhur me këto çështje

Kosovarët dhe në përgjithësi shqiptarët që banojnë në Jugosllavi, gjithashtu nga sa na del ditët e fundit, edhe kosovarët që janë jashtë Jugosllavisë si në Turqi dhe gjetkë, kërkesat e mësipërme i kanë pritur shumë mirë, por me nuanca të ndryshme. Sipas mendimit tonë, ato konsistojnë në mendime dhe qëndrime të ndryshme që kanë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqin shtresat e gjera të krahinës. Masat e thjeshta kosovare të qytetit dhe fshatit, si dhe rinia studentore, nuk kanë qenë dhe akoma s’janë të bindur që klika titiste mund aprovojë kërkesat e bëra me anë lutjesh. Sipas tyre, ato mund të sigurohen me forcë. Kjo kategori njerëzish në kontakte me neve, na kanë folur për mosbesimin e madh që ata kanë ndaj klikës që është në fuqi dhe sidomos na kanë shfaqur urrejtjen e tyre shumë të madhe ndaj elementit serb. Funksionarët serbë, masa kosovare i konsideron si armiqtë më të rrezikshëm jo vetëm ndaj pakicave shqiptare në Jugosllavi, por edhe ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Ata sjellin në biseda me neve një seri faktesh të reja e të vjetra se, serbët janë shovinistë të mëdhenj gjë që u vërtetua edhe njëherë në Plenumin e 14 të KQ të LK të Serbisë, që u bë më 30 qershor të këtij viti.

Porsa i përket inteligjencës jo vetëm që i mirëpriti kërkesat e mësipërme, por edhe i popullarizoi ato në masën e nevojshme me shtyp dhe verbalisht në masat e thjeshta kosovare. Në këtë drejtim, duhet thënë se një punë mjaft të mirë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë arsimtarët si në qytet e në mënyrë të veçantë në fshat. Por, në këtë rast, vlen të përmendet se në radhët e kësaj ka shtresa prej atyre që ushqejnë iluzione të mëdha ndaj demagogjisë titiste, si të tillë bëhen dhe zëdhënës të kësaj propagande.

Ndryshe pra nga shtresat e varfra dhe studentët që thamë më lart, të cilët shfaqin si mosbesimin ndaj demagogjisë titiste dhe në të njëjtën kohë shprehin urrejtjen e tyre ndaj elementit serb, ku një pjesë e intelektualëve e për më tepër ata që kanë funksione politike në krahinë dhe komunë mbështesin demagogjinë titiste dhe e konsiderojë Titon si “shpëtimtar” të kosovarëve nga planet rankoviqiane për shkombëtarizimin e Kosovës. Ka prej këtyre që e konsiderojnë Titon “viktimë” të Rankoviqit, por sigurisht ky është një numër i vogël, të cilët pa Titon nuk mund t’i mbajnë ato ofiqe dhe privilegje që kanë tani. Në këtë kategori hyjnë krerët titistë të Kosovës, duke filluar nga ata që janë sot në krye të vendit dhe ata që kanë qenë më përpara, por që aktualisht janë me shërbim në Beograd. Këta shërbëtorë besnikë të Titos, siç mund të përmendim: Xhavit Nimani, Ali Shukria, Fadil Hoxha, Veli Deva, Mahmut Bakalli, Xhevdet Hamza, Ilaz Kurteshi e të tjerë, gjatë mbledhjeve që bënë me studentët e Prishtinës, në rangun e demonstratave të Beogradit, ju thanë atyre se: “Ideologët për ngritjen e studentëve të Beogradit, në revoltë kundër regjimit në fuqi, qenë rankoviqianët dhe në rast se do të përkrahet kjo revoltë, atëherë ka për të ardhur në fuqi Rankoviqi. Ardhja e në fuqi e Rankoviçit, shpjegonin ata, do të jetë fundi katastrofik i Kosovës dhe kosovarëve.

Me këtë shpjegim të çështjes masat kosovare mund të gënjehen kollaj, sepse puna e bërë deri tani nga propaganda titiste ka mundur të mashtrojë një pjesë të kosovarëve, se krimet e bëra në Kosovë deri në kohën që ishte në fuqi Rankoviçi, janë bërë pa dijeninë e Titos dhe kundër “dëshirës” së tij. Në këtë situatë, ashtu si deri tani, propaganda jonë të intensifikojë luftën e saj kundër Titos, këtij agjenti të regjur dhe të rafinuar të imperializmit amerikan, i cili ka për qëllim që të zhdukë çdo iluzion në kosovarë, se Titoja gjoja është shpëtimtari i tyre nga Rankoviqi dhe rankoviqianët. Për t’i bërë sa më të njoftuara kërkesat e mësipërme, persona të ndryshëm kanë filluar t’i shprehin mendimet e tyre të favorshme në shtyp, ndër mbledhje dhe në botime librash. Deri tani, janë shkruar artikuj interesant, si për shembull ai i Esat Stavilecit në “Rilindja” ku midis tjerave thotë se “kërkesat për një autonomi më të plotë të Kosovës, nuk duhet të mbeten pronë e disa teoricienëve, por ato duhet të bëhen të njohura masave të gjera kosovare dhe të japin mendimin e tyre”. Artikulli i Nebil Durakut, botuar në gazetën “Vjesnik i Srejedu” të Kroacisë, i cili pasi denoncon marrëveshjet e vjetra të borgjezisë serbe me Qeverinë e Turqisë, lidhur me shpërnguljen e kosovarëve dhe të shqiptarëve që banojnë në Jugosllavi për në Turqi, ngre me të madhe se si kjo marrëveshje është përtërirë nga dy qeveritë në fjalë dhe si rrjedhim i kësaj shpërnguljet e kosovarëve për në Turqi vazhdojnë edhe tani, herë me forcë e herë me demagogji. Ndërsa, Vehap Shita në artikullin e tij të botuar në revistën “Zëri i rinisë”, mes tjerave shkruan: “Lidhur me barazinë e gjuhëve, shtrohet nevoja e ndryshimit të disa normativave kushtetuese-juridike. Në qoftë se përdorimi i shqipes dhe hungarishtes, për shembull në Kuvendin Federativ dhe atë Republikan, mund të duket dhe si çështje pak a shumë formaliste, përdorimi i shqipes në administratën e krahinës, në jetën shoqërore dhe politike, sigurimi i kushteve për përdorimin e saj, sidomos në shkolla, duke filluar nga ato fillore e më gjerë tek shkollat e larta dhe fakultetet, është nevojë e domosdoshme, që duhet të sigurohet edhe me dispozitat kushtetuese, juridike t’u caktohen obligime të posaçme bashkësive shoqërore politike, organizatave punuese dhe institucioneve. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet inkuadrimi i tyre aktiv dhe më i plotë në jetën shoqërore e publike të vendit dhe të realizohen të drejtat e tyre të barabarta nacionale”. Më interesant është artikulli i Tihomir Leshiqit, botuar në revistën “NIN” dhe ribotuar në “Rilindje”, me titull: “Letra të hapura nëpër Kosovë”, ku në mes të tjerave thekson: “Pse të mësojmë shqip, s’është kjo gjuhë botërore mbrohen dhe sulmojnë disa, e kurrkush asnjë fjalë për atë se kjo është e udhës e njerëzishme, e domosdoshme me i thënë fqinjit “Mirëdita”, sikundër është rend dhe zakon që prej ekziston kjo botë. Gjuha serbokroate, po ashtu (e dimë) nuk është gjuhë botërore, por që të gjithë e mësojnë, dhe askush nuk e kundërshton, kjo punë fare e qartë dhe e nevojshme. Po qe se thirrni në telefon numrin 98 (informacionin) dhe pyetni për ndonjë gjë për t’u informuar, telefonistja e shkathët aty për aty, po sa e dikton se nuk po flisni shqip (e ku shumica dërmuese flasin kështu) do t’u përgjigjet në gjuhën serbokroate. Kjo gjë konsiderohet e logjikshme, edhe është e logjikshme. Por, po qe se i ndodh ndonjë shqiptari të vijë para gjyqit, atëherë ai duke u përgjigj sipas ligjeve të këtij vendi, mund të mbrohet në gjuhë të vet, por vendimin do ta marrë në gjuhën serbokroate. Mirëpo, në kohën e fundit, askush nuk po kundërshton që vendimi të merret në gjuhën shqipe. Kjo është çështje të cilën e ka sjellë jeta për të korrigjuar një histori të padrejtë.

Si mund të shpjegohet fakti kur Vllada Kovaçeviq, drejtor i industrisë se tekstilit “Kosovska”, përveç rrogës 250 mijë dinarë të vjetra dhe banesës që ka në Kosovë, i ofrojnë edhe tri dhoma në Beograd. A është kjo çështje nacionale, apo ndoshta diçka tjetër? A është kjo çështje nacionale apo ndoshta diçka tjetër kur fshatari i pashkolluar shqiptar merr sëpatën e sharrën e niset për Beograd për të fjetur nëpër bodrume dhe për t’u ngarkuar me qymyr, a e merr kush në gojë atë, a i kujtohet edhe ai ndokujt kur flet për migrimin nga rrafshi i Kosovës, ku i këndojnë zogjtë e Kosovës. Cilët zogj të mirë vallë i këndojnë atij, a çel, a rritet edhe për të lulëkuqja e Kosovës: atëherë kur niset, merr botën në sy, kur len gruan dhe fëmijët e vet, shtyhet me mish nder dhëmbë nëpër botë. Atij askush nuk i ofron banesë tridhomëshe dhe krejt rrallë mbahen fjalime dhe shkruhen vështrime. Ky konsiderohet si fat, ky është kobi i tij.

Statistikat jozyrtare përafërsisht tregojnë së në mbarë botën jetojnë nja tre milionë shqiptarë. Në Jugosllavi jetojnë gati një milion e ca (Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni). Në Kosovë shqiptarët përbëjnë shumicën absolute. Është fare e natyrshme që në kuadrin e sistemit të vetëqeverisjes, shqiptarët edhe në organet dhe forumet përfaqësuese të paraqesin shumicën. Mirëpo, kjo nuk po ju pëlqen disave! Me këtë rast, po ashtu mohojnë, harrojnë shënimin se nëpër fakultetet e Prishtinës studiojnë 5 000 studentë, prej të cilëve vetëm 2 000 janë shqiptarë. Janë habitë, tmerruar, kur kanë dëgjuar se po flitet për atë që të legalizohen disa simbole nacionale. Bie fjala, flamuri. Jo asisoj që të bëhet “Flamur shtetëror”, as që i shkon ndërmend ndokujt për këtë, por që për shkak të atij flamurit mos shkohet më në burg”.

Duhet theksuar se nga kërkesat e mësipërme ato që ngjallin më shumë interesim në masat kosovare dhe kundërreagim në elementin serb për të cilët do të flasim më poshtë, qenë kërkesat për flamurin dhe emblemat kombëtare. Nga masat kosovare, kjo kërkesë u prit me entuziazëm jashtëzakonisht të madh. Kështu që, pas botimit të këtyre kërkesave në gazetën “Rilindja”, datë 24 prill 1968, masat kosovare të qytetit dhe fshatit e sidomos rinia filluan të përgatiteshin të ngrinin flamurin shqiptar me rastin e 1 Majit si dhe më 9 maj, ditën që zhvillonte punimet simpoziumi i Prishtinës, me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut. Një manifestim i tillë u bë problem për organet titiste të Krahinës dhe të Republikës, të cilat nëpërmjet mbledhjeve të shumta dhe bisedave në rrethe të ngushta ju luteshin atyre që të mos marrin hapa të tillë para kohe, sepse do ta komplikonin situatën më shumë se sa është në fakt. Megjithatë gjatë këtyre dy evenimenteve, flamujt në mënyrë masive nuk u ngritën, por tek-tuk u ngritën aq sa u bë problem për UDB-në e Krahinës.

Gjithashtu, duhet përmendur se masa kosovare në mënyrë të veçantë rinia studentore e përkrahur nga intelektualë me ndjenja patriotike të mira, shfrytëzuan në maksimum punimet e simpoziumit të Prishtinës, i cili u bë në prag të këtyre kërkesave. Në mënyrë të veçantë, kjo masë i dha popullaritet të madh grupit shkencor të universitetit tonë, i cili merrte pjesë në këtë simpozium, i ftuar nga një grup shkencëtarësh të Kosovës. Ata e shfrytëzuan popullaritetin e këtij grupi më qëllim që të fitonin edhe më shumë dashurinë e masave kosovare për vendin dhe udhëheqjen tonë. Nga më karakteristike mund të shënohen këto: a) Gjatë manifestimeve të ndryshme një pjesë e të rinjve dhe të rejave kosovare si dhe fëmijëve të vegjël, u veshën me rroba kuq e zi, që sipas tyre simbolizonin flamurin kombëtar. b) Të gjitha buqetat me lule dhe këto ishin me shumicë që iu dhuroheshin anëtarëve të grupit shkencor të Universitetit, i kishin të lidhura me shirit kuq e zi. c) Karakteristikë dhe shumë kuptimplotë qe manifestimi folkloristik që dha grupi Rugovës me rastin e vizitës që bënë në këtë zonë grupet e huaja që morën pjesë në simpoziumin e Prishtinës, të cilët nëpërmjet veshjeve dhe banderolave kuq e zi që ata mbanin, ishte një kërkesë e hapur për përdorimin e flamurit kombëtar.

Duhet përmend se ditët e fundit çështja e flamurit dhe emblemave kombëtare po diskutohet edhe në forumet e larta të Krahinës. Kështu për shembull, në Plenumin XV, të Komitetit Krahinor të LK për Kosovën, midis të tjerave u theksua: “se së shpejti pritet edhe zgjidhja e çështjes së përdorimit të lirë të simboleve nacionale”. Është për t’u theksuar se në këtë forum në mënyrë të hapur për flamurin dhe stemat kombëtare, foli deputeti Ukë Gashi, i cili duke sjellë zërin e masave kosovare, tha: “Veç të tjerave, pyet masa kosovare se si po zgjidhet çështja e përdorimit të simboleve kombëtare dhe të flamurit. Nëse është çështja që duhet ta zgjidhin organet e Kuvendit Federativ, le ta zgjidhin. Nëse është fjala se duhet marrë vendim nga forumi më i lartë i LK të Jugosllavisë, le të merret sa më shpejtë – sepse për një gjë të tillë masat kosovare janë përgatitur”. Më poshtë ai vuri në dukje fjalët e titistit Tempo, i cili në mitingun e mbajtur në vitin 1943 në Dibër, me flamurin e Skënderbeut në dorë, në mes të tjerave paska thënë: “Shokë shqiptarë, ju që nën këtë flamur keni luftuar për të drejtat gjate historisë tuaj, ju që me flamurin e Skënderbeut gjithmonë keni qenë adhurues të lirisë, sot, në këtë periudhë të rëndësishme historike, ju fton Partia dhe shoku Tito, që të inkuadroheni në radhët e partizanëve. Dhe ashtu u bë”. Në fund të fjalës së tij, Uka theksoi edhe këto: “Për të gjitha diskutimet e zhvilluara rreth problemeve të Kushtetutës për Krahinën tonë, sot populli kosovar është shumë i interesuar, prandaj të gjitha kërkesat e parashtruara në Beograd nga komisioni krahinor duhet të aprovohen”.

II.   Qëndrimi i serbëve dhe malazezve që banojnë në Kosovë, lidhur me kërkesat për një  autonomi më të plotë të Krahinës.

Serbët dhe malazezët që banojnë në Kosovë, kërkesat e mësipërme dhe sidomos ato që bënin fjalë për flamurin dhe emblemat, i pritën me reaksion të madh. Nga sa doli në Plenumin e XIV të KQ të Serbisë, serbët e Kosovës për këtë reaksion që shfaqin ndaj këtyre kërkesave mbështetjen e kishin edhe nga funksionarë politikë që shërbejnë në Beograd. Në këtë rast vlen të përmendet fakti se kërkesa e më sipërme si dhe përvjetori i 500-të i Skënderbeut, nxorën në shesh kalbëzimin e parullës “bashkim-vëllazërim” për të cilën titistët po bëjnë aq zhurmë sa kjo çështje është zgjidhur në mënyrë “ideale” në Krahinën e Kosovës dhe mbi bazën e kësaj zgjidhjeje do të korrin “fitore” të reja. Por, sikundër do të shikojmë edhe më poshtë, kontradiktat nacionale në mes të kombësive që banojnë në Kosovë, janë acaruar aq shumë si asnjëherë tjetër.

Për të vetëtuar këtë konkluzion veç fakteve të mësipërme po sjellim edhe këto: a) Pothuaj se në të gjitha konferencat përkujtimore që u bënë më rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut në të gjitha komunat e Krahinës së Kosovës, si dhe në disa komuna të Maqedonisë, ku shumica e popullsisë janë shqiptarë si për shembull: në Dibër, Tetovë, Gostivar dhe Strugë, me përjashtme të rralla për të mos thënë fare, nuk morën pjesë nga kombësitë e tjera qofshin ato serbe, malazeze dhe maqedonase. Bile edhe aty ku shkuan, siç ndodhi në Gjilan të Kosovës dhe Tetovë të Maqedonisë, pati përleshje midis shqiptarëve dhe atyre të shkaktuara nga vetë ata. Shfaqje të tilla përleshjesh pati gati në të gjitha vendet që u zhvilluan në këto konferenca dhe kjo vinte si rrjedhim i egoizmit të serbëve dhe malazezve për të qenë gjithnjë sundues ndaj kombësisë shqiptare. Mirëpo, edhe shqiptarët e sidomos rinia studentore, gjatë këtyre konferencave sidomos gjatë punimeve të simpoziumit në Prishtinë, gjerë në orët pas mesnate qëndronin të organizuar në grupe duke kënduar këngë lufte dhe pune, të heronjve dhe për udhëheqjen tonë. Ky manifestim i hapët i rinisë kosovare ishte një shprehje e qartë e dashurisë së tyre për vendin dhe udhëheqësin tonë të madh, shokun Enver Hoxha. Po në këtë kohë, rinia serbe dhe ajo malazeze, në shenjë hakmarrje ndaj veprimeve të rinisë kosovare, këndonin edhe këta këngë me përmbajtje shoviniste dhe ofenduese ndaj popullit kosovar, por edhe atij shqiptar në përgjithësi. Të gjitha këto bëheshin shkak për acarimin e tyre dhe puna përfundonte në përleshje. b) Grindje të tilla u vërtetuan më vonë në sferat e larta të këtyre kombësive, të këtij “bashkim-vëllazërimi” që propagandonte me të madhe klika titiste. Në fillim ato u panë forumet e ndryshme të krahinës dhe më vonë në mënyrë të hapët u shfaqen gjatë zhvillimit të Plenumit XIV të KQ të Serbisë. Në këtë Plenum Marianoviqi dhe Qosiqi si zëdhënës të shovinizmit serbomadh, u ngritën në një urrejtje shumë të madhe kundër kosovarëve të cilët sipas tyre u frymëzuakan nga Shqipëria për të copëtuar Serbinë. Ata dhe gjithë Plenumi, në fakt, duke qenë të pakënaqur nga dashuria e madhe që populli kosovar dhe gjithë shqiptarët që banojnë në Jugosllavi ushqejnë për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe udhëheqjen tonë, u ngritën kundër rrezikut “nacionalist” si më i rrezikshmi që aktualisht paraqitet në Kosovë. Në këtë Plenum, Marijanoviqi me Qosiqin, shkuan aq larg sa që akuzuan krerët e Krahinës së Kosovës, e sidomos ata me prejardhje shqiptare, se gjoja gjithë kujdesin e tyre e paskan drejtuar në sigurimin e flamurit dhe të elementeve kombëtare se sa në forcimin e “bashkim-vëllazërimit”. Krerët e Kosovës, të dëshpëruar nga kjo akuzë, ankohen te padroni i tyre Tito dhe ky demagog me dhelpëritë e tija të njohura, i qetëson titistët e vegjël duke ju thënë se, “akuzat e ngritura nga Marjanoviqi dhe Qosiqi në radhë të parë dhe kryesisht janë ndaj vijës së përgjithshme të LKJ, Komitetit Qendror të saj dhe ndaj meje”.

Pas Plenumit XIV KQ të Serbisë, i cili u zhvillua në prag të demonstratave që përgatiteshin studentët e Beogradit, në Krahinën e Kosovës filluan të bëhen një serë mbledhjesh në rang krahine, komunë dhe qendra pune. Ashtu siç thamë edhe më lart, karakteristike qe se, në këto mbledhje, të deleguarit e Titos, theksin kryesor e vunë në qarqet “nacionaliste”, sidomos në fushën e kulturës, ku veç “rrezikshmërisë” që paraqiste kjo shfaqje për titizmin, ata murrën edhe një seri masash të tjera. Dhe një nga masat që u mor ato ditë qe vendosja e një kontrolli më të fortë në materialet që boton gazeta “Fjala”, për faktin se sipas tyre faqet e saja të mbushën me shkrime të autorëve shqiptarë të rilindjes dhe të pushtetit tonë popullor. Gjithashtu u vendos që kjo gazetë të dal nën kontrollin e redaksisë së “Rilindjes” dhe kryeredaktori i deritanishëm, Ali Sutaj, të shkarkohet nga ky funksion, sepse dyshohej për shkarje në nacionalizëm. Vlen të vihet në dukje se masat kundër “rrezikut nacionalist” merreshin në një kohë kur në Kosovë dihet se serbët në forma të hapura dhe të maskuara, armatoseshin dhe vazhdojnë të armatosen nga forcat rankoviqiane dhe kush zyrtarisht nga ana e UDB-së së Krahinës, më qëllim për të qenë të gatshëm ndaj rrezikut në fjalë, domethënë ndaj nacionalizmit.

III. Preokupimi i rretheve diplomatike këtu për këto çështje

Ngjarjet e fundit në Kosovë, sidomos që nga koha kur masat kosovare dhe në përgjithësi shqiptare që janë në Jugosllavi, përkujtuan jubileun e Skënderbeut, si dhe njoftimi në shtyp i kërkesave për një autonomi të plotë të Kosovës, ka tërhequr vëmendjen e rretheve diplomatike të akredituara në Beograd e sidomos atyre të vendeve revizioniste. Në këtë drejtim më të interesuar kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë diplomatët bullgarë, të cilët në takimin me neve kanë pyetur dhe kërkuar mendimin nga ana jonë mbi gjendjen aktuale në këtë krahinë dhe qëndrimi i vendit tonë ndaj këtyre ngjarjeve. Jo kaq sa bullgarët, por deri në njëfarë mase qenë të interesuara të mësonin ndaj neve mbi ngjarjet aktuale në Kosovë dhe diplomatët e Ambasadës hungareze, të Kubës dhe të disa vendeve arabe. Duhet thënë se interesimi i diplomatëve arabë ka qenë me qëllim të mirë, ndërsa i të parëve e sidomos bullgarëve dhe hungarezëve, me qëllime të caktuara, sepse siç dihet, si njeri vend ashtu edhe tjetri, kanë kontradiktat e veta me regjimin titist në fushën nacionale. Ndërsa, diplomatët hrushovianë, nga të dhënat tona del se këto çështje i kanë studiuar në Kosovë nëpërmjet takimeve dhe vizitave të ndryshme që kanë bërë atje. Jo pa qëllim hrushovianët dërguan albanologen Irena Senkeviq në simpoziumin e Prishtinës, mbajtur me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, e cila pasi bëri të qartë entuziazmin e masave kosovare në përkrahje të vendit tonë, shkoi në Kosovë menjëherë për një vizitë “protokollare”, ambasadori sovjetik, Bedenikov. Sipas shtypit të krahinës edhe nga të dhëna të tjera, autoritetet e vendit, si: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ilia Vakiq, të dërguarit e klikës Brezhnjev-Kosigin, i rezervuan një pritje të ngrohtë dhe vizitës së tij i dhanë popullaritet.

Pyetjeve dhe interesimeve të diplomatëve të ndryshëm lidhur me çështjet e mësipërme, në të gjitha rastet u është bërë e qartë politika e qeverisë sonë si dhe qëndrimi i njohur marksist-leninist i partisë sonë në zgjedhjen e çështjes nacionale.

Përfundimisht, lidhur me kërkesat e mësipërme, ditët e fundit, ashtu siç është zakon në regjimin titist u bënë përsëri disa mbledhje në shkallë republike dhe krahine për të marrë edhe njëherë në diskutim këto kërkesa. Kështu për shembull, më datën 29 qershor 1968, u mblodh Komisioni Kushtetues për Republikën e Serbisë, dhe i propozon Dhomës së popujve që pritet të mblidhet nga mesi i korrikut, çështjet e mëposhtme:

1)   Kushtetuta Federative duhet të precizojë karakterin dhe rolin e Krahinës Autonome, në kushtetutën e republikane duhet përshkruhet më mirë roli i autonomisë.

2)   Që statutet e krahinave të quhen ligje kryesore, megjithëse theksohet në propozime se ka mendime që këto të quhen si dhe më parë, dhe se nuk është aprovuar propozimi që këto statute të quhen kushtetuta.

3)   Që krahinat autonome duhet të kenë burimet e tyre të të ardhurave dhe këto t’i përdorin si duan vetë.

4)   Se kufijtë e krahinave autonome mund të ndryshojnë vetëm me pëlqimin e organeve të Krahinës.

5)   Që krahinat autonome të kenë delegacione të veçanta në Dhomën e popujve.

6)   Propozohet që në nenin dy të kushtetutës federative ku thuhet se Jugosllavia përbëhet nga 6 republika të bëhet shtesa me këtë mbishkrim se në përbërjen e Republikës së Serbisë bëjnë pjesë edhe dy krahina Vojvodina dhe Kosova e Metohia.

Sikundër shikohet, Komisioni Republikan jo të gjitha çështjet e parashtruara nga Komisioni Krahinor ia paraqet Dhomës së popujve. Ndërsa, Plenumi XV i Komitetit Krahinor të Kosovës që mblidhet disa ditë më vonë, nga komisioni republikan njofton se “nuk ka kurrfarë mospajtimesh lidhur me diskutimet e kushtetuese. Në këtë drejtim, së shpejti pritet edhe zgjidhja e çështjes së përdorimit të lirë të simboleve nacionale”. Dy forume të së njëjtës Republikë, dalin përsëri me pikëpamje të kundërta. Kjo tregon edhe njëherë kontradiktat e mëdha midis tyre për çështjet nacionale në Republikën e Serbisë, e si rrjedhim e njëjta situatë është edhe në republikat tjera të Jugosllavisë titiste.

Lidhur me sa më sipër, organet e propagandës së vendit tonë, ashtu si deri më tani, të vazhdojnë demaskimin e Titos, sidomos në fushën nacionale dhe konkretisht mbi planet e tija shkombëtarizuese të Kosovës. Një demaskim i tillë nuk do të lejoj që të gënjehen masat kosovare nga demagogjia titiste, se krimet dhe padrejtësitë e bëra deri më tani në kurriz të kosovarëve janë vetëm të Rankoviqit dhe grupit të tij.

I ngarkuari më punë a. i.

(Lik Seiti)

-37-

Drejtoria IV

Informacion ditor i datës 30/09/1968

I.    Legata jonë në Beograd na njofton më 19/09/1968, se u paraqiten shpesh kosovarë, të cilët kërkojnë që, “duke përfituar nga situata aktuale e RPSH-së, t’u japë kosovarëve ndihmë të gjithanshme për të realizuar aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia e bashkimin me Shqipërinë. Legata thotë se nuk dyshon tek këta njerëz dhe kërkon që “Ministria ta udhëzojë përfaqësinë mbi qëndrimin që duhet t’u japë kosovarëve sepse “nuk ka udhëzime precize”. Ne mendojmë se shokët e përfaqësisë nuk kanë të drejtë që t’u besojnë apriori kosovarëve që u paraqiten me kërkesa të kësaj natyre. Prandaj, mendojmë t’u japim këto porosi: 1) Të jenë vigjilentë ndaj atyre që u ngrenë të tilla kërkesa. 2) Të mbajnë parasysh se neve nuk ngremë pretendime territoriale zyrtare ndaj Jugosllavisë, sepse zgjedhjen e problemit të Kosovës nuk e ndajmë nga zgjedhja e problemit të përgjithshëm të Jugosllavisë d.m.th. nga rrëzimi i klikës së Titos dhe ardhja në fuqi e një udhëheqje marksiste-leniniste në vend të saj, e cila në kuadrin e zgjidhjes së çështjeve nacionale në Jugosllavi, do t’i jepte popullsisë shqiptare të drejtën për vetëvendosje me plebishit. Në këtë kuptim, popullsia shqiptare duhet të mbështesë forcat eventuale marksiste-leniniste jugosllave për realizimin e synimeve të tyre. 3) Qëndrimi ynë ndaj Jugosllavisë dhe çështjes së Kosovës në këtë situatë, nuk ka ndryshuar. Ne këshillojmë kosovarët që të luftojnë si edhe deri tani për të fituar sa më shumë të drejta në të gjitha drejtimet, duke synuar që të arrijnë të gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi. 4) Për sa i përket çështjes nëse jemi për republikën apo për krahinën autonome, juve i kini udhëzimet. Përsërisim se ne nuk jemi për krijimin e republikës, sepse kjo nuk do ta zgjidhte problemin. Ajo do të zgjidhet vetëm ashtu sikurse thuhet në pikën 2. 5) Kur vizitorët, cilëtdo qofshin ata, kërkojnë mendimin tonë për çështjen e krijimit ose jo, të republikës së Kosovës, e nga ana e juaj të mos u jepet të kuptojnë qëndrimin tonë, por t’u thuhet se kjo çështje ju takon juve vetë ta vendosni. Në vazhdim të kësaj t’u thuhet: E rëndësishme për mendimin tonë është që të gëzoni po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi. Për këtë ju kini pasur dhe do të kini përkrahjen e RPSH-së etj.

II.   Këshilli Ekzekutiv i lidhjes së futbollit të Krahinës së Kosovës i është drejtuar Legatës sonë në Beograd dhe fton vendin tonë për të marrë pjesë me një skuadër futbolli me rastin e 20-vjetorit të themelimit të lidhjes së futbollit të Kosovës. Mendojmë që të mos merret pjesë dhe të mos u jepet asnjë përgjigje.

III. Mbështetur në Protokollin përfundimtar të Komisionit të Piramidave bërë, më 7 dhjetor 1967, më 9 tetor 1968, në Beograd do të mbahet mbledhja e Komisionit të Piramidave, e cila është vazhdim i mbledhjes së kaluar. Nga ana e palës sonë të këtij Komisioni janë bërë gjithë përgatitjet e nevojshme.

Bashkangjitur po ju përcjellim promemorien e kësaj mbledhjeje.

IV. Më datën 27/09/1968, u thirr në Ministri, sekretari i dytë i Legatës jugosllave, Jovan Kostiq, të cilit ju komunikua se pala jonë e Komisionit për ekonominë ujore nuk mund të shkojë në Beograd, më 1 tetor, sikurse ishte rënë dakord paraprakisht.

Bashkëngjitur informacionin.    

-38-

Informacion mbi demonstratat e 27 nëntorit në Kosovë

Tiranë, më 04.12.1968

Në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, më datë 27 nëntor 1968, në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit dhe Podujevës, u zhvilluan demonstrata të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Në demonstratat e Prishtinës morën pjesë disa qindra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të kombësisë shqiptare. Demonstruesit u nisën nga fakulteti i filozofisë, duke mbajtur flamurin kombëtar shqiptar, për në qendër të qytetit. Sipas shtypit jugosllav dhe agjencive të huaja, demonstruesit kanë hedhur parulla të tilla si “Rroftë Enver Hoxha”, “Duam republikën”, “Duam bashkimin me Shqipërinë” dhe kanë vërshëllyer Veli Devën. Në bazë të këtyre burimeve, demonstruesit kanë thyer vitrinat e dyqaneve, kanë përmbysur makina dhe kanë tentuar të hynë në ndërtesën e Kuvendit Krahinor dhe të UDB-së. Policia ka ndërhyrë dhe ka përdorur edhe armët e zjarrit. Si rezultat i përleshjes midis policisë dhe demonstruesve, një student 16-vjeçar është vrarë dhe janë plagosur 41 vetë, nga të cilët 27 demonstrues dhe 14 policë. Demonstratat vazhduan pesë orë. Menjëherë është mbledhur Komiteti Krahinor i LK, për Kosovën dhe ka botuar një deklaratë, ku dënohen këto demonstrata dhe cilësohen si shkaktare nga elemente “shoviniste”, “antijugosllave”, dhe të “drejtuara kundër rendit në Jugosllavi, kundër Kushtetutës dhe vetë administrimit”. Në këtë deklaratë dhe deklaratat e tjera, thuhet se në organizimin e këtyre demonstratave kanë ndikuar edhe agjentët e zbulimeve të huaja.

Janë komunikuar edhe masat administrative që janë marrë. Sipas njoftimeve, janë arrestuar 15, dhe po zhvillohen hetime për nxjerrjen e tyre para gjyqit. Kundër studentëve që kanë marrë pjesë në të, do të merren masa për prerjen e bursës, kurse ndaj arsimtarëve që i kanë frymëzuar, do të merren masa deri në pushimin e tyre nga puna. Për gjendjen e krijuar në Kosovë kanë diskutuar edhe aktivi i LK për Serbinë dhe ka folur edhe vetë Titoja. Këto demonstrata janë vazhdim i manifestimeve të inteligjencës dhe rinisë patriotike shqiptare për të shprehur ndjenjat e tyre kombëtare dhe të luftës për të fituar sa më shumë të drejta sidomos të drejtën e vetëvendosjes dhe të shkëputjes nga federata. Ata treguan gjithashtu se inteligjenca dhe rinia patriotike kosovare është vënë në krye të luftës për fitimin e të drejtave të plota kombëtare, krijuar bindjen se vetëm nëpërmjet një lufte të vendosur mund t’ia arrihet këtij qëllimi dhe aktualisht po shfrytëzon momentin e tanishëm, kur ndryshimet për Kushtetutën po diskutohen dhe do të sprovohen nga organet federative, për të bërë presion mbi krerët kosovarë që të luftojnë për realizimin e kërkesave.

Meqenëse propaganda jugosllave po përpiqet të implikojë vendin tonë në këto demonstrata, me qëllim që të përgënjeshtrohen pretendimet e saj dhe të inkurajohet inteligjenca dhe rinia patriotike kosovare, propozojmë që shtypi dhe radio jonë të japin këtë njoftim: “Policia titiste shtypi me gjak manifestimet e rinisë kosovare që po kremtonte 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit kombëtar”.

Sipas agjencive të huaja, më 27 nëntor 1968, studentët dhe nxënësit e shkollave të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, duke mbajtur në duar flamurin kombëtar shqiptar, në mënyrë të organizuar dëshironin të kremtonin 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Policia titiste përdori shkopinjtë dhe armët e zjarrit për t’i shpërndarë ata dhe si rezultat i sulmit brutal të saj u vra një student dhe u plagosën 40 të tjerë. Para do kohësh Kryesia e Lidhjes Socialiste për Kosovën shpalli vendimin se kombësisë shqiptare në Jugosllavi, i lejohet përdorimi i flamurit kombëtar”.

Mbi demonstratat e shqiptarëve në Tetovë

Mbas demonstratave në Kosovë, më 22 dhjetor 1968, në qytetin e Tetovës shpërthyen demonstratat e reja të nxënësve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët propaganda titiste i quajti si “shkelje të rendit publik e prishjes së qetësisë nga elementë reaksionarë e nacionalistë shqiptarë”.

Në mbrëmjen e 22 dhjetorit, një grup shqiptarësh të indinjuar nga akti i fotografit maqedonas, Greçko Fanevski, i cili hapi me forcë flamurin shqiptar nga dyqani i rrobaqepësit Ismail Ejupi, u grumbulluan në sheshin kryesor të qytetit ku shprehën indinjatën ndaj këtij akti. Sipas komunikatës së sekretariatit të P. të Brendshme të Maqedonisë, demonstruesit kërkuan prej këtyre organeve të ndërhyjnë kundër atyre që nuk lejojnë të ngritin flamujt shqiptar që ishin ngritur në xhamitë e katundeve Radivoc, Reçicë dhe 3 dyqane zanatçinjsh shqiptarë. Ndërkohë, organizuesit e demonstratave dërguan njerëz të posaçëm në katunde për t’i ftuar fshatarët që të nesërmen të dalin në demonstrata në qytet.

Në mëngjesin e datës 23 dhjetor, disa qindra nxënës dhe intelektualë shqiptarë në mënyrë të organizuar, u drejtuan për në ndërtesën e Komitetit Komunal të L. Komuniste dhe komitetit Komunal. Rreth 100 prej tyre hynë në ndërtesën e Komitetit, në zyrën e kryetarit dhe nga dritarja e kësaj zyre ngritën dy flamuj shqiptarë.

Gjatë rrugës demonstruesit hodhën parulla të tilla si Tito, Fadil “duam bashkimin me Shqipërinë” etj. Si rezultat i përleshjes me milicinë, u plagosën 5 veta nga të cilët 4 milicë, u përmbys një makinë e milicisë dhe u dëmtua rëndë ndërtesa e Komitetit të LK.

Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, lëshoi një urdhër që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në qytet dhe ndalimin e qarkullimit të popullatës.

Në demonstratat e Tetovës që vazhduan deri vonë natën, morën pjesë përveç nxënësve të shkollave të mesme dhe të larta, edhe arsimtarët, mjekët dhe intelektualët e kombësisë shqiptare. Sikurse del nga pohimet e vetë propagandës titiste, këto demonstrata nuk kanë qenë spontane, por të përgatitura me kujdes dhe kanë pasur lidhje me demonstratat e Kosovës. Është pikërisht kjo arsyeja që organet titiste lidhur me ngjarjet në Tetovë, mbajtën një qëndrim më të ashpër dhe armiqësor ndaj kombësisë shqiptare. Klika titiste në akuzat e saj, si reaksionarë i quajti të gjithë kombësinë shqiptare, dhe kërkesat e saj për shkollën shqipe, tekste shkollore, trajtim të barabartë të gjuhës shqipe dhe flamurin shqiptar etj.

Ky qëndrim i ashpër u duk edhe nga masat policore dhe administrative që u morën pas demonstratave, kështu menjëherë pas tyre u zhvilluan mbledhje në shkollat dhe qendrat e punës, u mblodh KE i QK të LK Maqedonisë, kurse kundër 77 pjesëmarrësve të demonstratave, u morën masa burgimi, u përjashtuan nga puna një numër arsimtarësh dhe mjekësh.

Mendojmë që qëndrimi ynë ndaj këtyre demonstratave të jetë ai që kemi mbajtur edhe për ngjarjet në Kosovë.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (20)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura