DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (20)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-39-

Buletin i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nr. 23 dhe 24

Mbi demonstratat në Kosovë

Më 27 nëntor 1968, në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Podujevë u zhvilluan demonstrata të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Në Prishtinë, demonstrata ishte më e organizuar. Pjesëmarrja arrinte deri në 2 000 veta. Si rezultat i përleshjeve me policinë, u vra një i ri shqiptar dhe u plagosen 41 persona të tjerë, nga këta 14 milicë dhe 27 persona të tjerë. Këto demonstrata ishin vazhdim i atyre të tetorit, në Pejë, Prizren e Suharekë, të organizuara dhe të përgatitura me kujdes.Sipas të dhënave, Veli Deva, në tetor të këtij viti, i ka dërguar një letër Titos, ku gjendjen në Kosovë e paraqet shumë të acaruar si shkak i ekstremizmit e nacionalizmit të një pjese të popullsisë sidomos të inteligjencës shqiptare që e akuzonte lidhur me RPSH.

Nga shovinistët serbo-malazezë, janë bërë provokacione të organizuara ndaj popullsisë shqiptare, e midis tyre ishin: a) Në forma të organizuara kanë hequr nga ndërtesat flamurin e Shqipërisë. b) Muajt e fundit UDB-në e kanë vizituar shumë kuadro të saj nga Beogradi. Kjo shkaktoi panik te shqiptarët. c) Letrat që i kanë shkruar “Rilindjes”, kanë akuzuar RPSH-në, se po ndërhynë në punët e brendshme të Jugosllavisë. ç) Pas demonstratave në Pejë, Prizren e Suharekë, nga Serbia janë sjellë në Kosovë përforcime forcash të policisë, në Gjakovë UDB-ja arrestoi 30 veta dhe pengoi demonstratën këtu, më 27 nëntor.

Në këtë atmosferë të elektrizuar shpërthyen, demonstratat e 27 nëntorit të cilat ishin planifikuar të bëheshin më 28 nëntor, Komiteti Organizativ bashkë me demonstruesit do ta dorëzonte në Kuvendin Krahinor një rezolutë proteste, ku do të kërkohej e drejta e vetëvendosjes, trajtimi i barabartë i flamurit shqiptar me atë jugosllav dhe krijimi i Republikës të Kosovës që do të ishte edhe qëllimi i demonstratave. UDB-ja e vënë në dijeni, për këtë mori masa për të ndaluar, prandaj ata e filluan një ditë më përpara prej orës 16:00 deri 21:00.

Të parët në demonstrata ishin nxënësit e shkollave të mesme, ku sipas planit do të bëhej një parakalim me flamurin shqiptar dhe do të dorëzohej rezoluta e protestës. Në fillim kanë hedhur parulla “Rroftë Tito”, Kosova të shpallet Republikë, të jepet e drejta për vetëvendosje dhe krahina duhet të ketë kushtetutën e saj. Duke kaluar rrugës demonstratën e qëlluan me vazo lulesh, armë etj., ku ata të revoltuar pastaj hodhën parulla “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë RPSH”, “Rroftë PPSH”, kanë thyer vitrinat e dyqaneve ku nuk ka pasur mbishkrime në gjuhen shqipe dhe ku nuk ishte flamuri shqiptar. Kur demonstruesit iu afruan ndërtesës së Kuvendit Krahinor, ka ndërhy milicia, e cila përdori shkopinjtë, gazlotsjellës dhe armë zjarri. Pas 5 orësh, demonstruesit u kthyen në Fakultetin e Filozofisë.

Në të gjitha mbledhjet që u bënë më vonë, si shkaqe të demonstratës cilësohen: 1) Veprimtaria e elementëve shovinistë, nacionalistë e irredentistë, nga radhët e kombësisë shqiptare. 2) Veprimtaria e elementëve shovinistë serbo-malazezë, që është drejtuar kundër sistemit të vet administrimit dhe dhënies së të drejtave të kombësisë shqiptare. 3) Veprimtaria e agjenturave të huaja në Kosovë. 4) Intensifikimi dhe influenca e propaganda nga RPSH.

Më 27 nëntor, janë arrestuar 60 veta dhe po marrin masa spastrimi nga elementët që i quajnë të rrezikshëm, prerje bursash, përjashtim nga LKJ etj. Gjatë kësaj kohe u dërguan forca të mëdha ushtarake e policore. Kanë rrethuar qytetin e Prishtinës e qytete tjera – Xhevdet Hamza shpall shtetrrethim deri më 11 dhjetor. Ndaj përfaqësuesit tonë në Beograd u shtuan masat e kontrollit. Organet e UDB-së janë urdhëruar të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zbuluar “dorën e Shqipërisë” në organizimin e demonstratave. Nga analiza bazë e gjendjes, mund të arrihet në këto konkluzione. 1) Demonstratat janë rezultat i luftës që bënë inteligjenca për të fituar sa më shumë të drejta në kuadrin e Federatës, sidomos të drejtën e vetëvendosjes dhe krijimin e Republikës. 2) Demonstratat kishin karakter paqësor, por u bënë të përgjakshme nga ndërhyrja dhe provokacionet. 3) Organizatoret e demonstratave nuk janë të formuar ideologjikisht dhe nuk manovruan në mënyrën e parashtrimit të kërkesave, duke lejuar edhe hedhjen e parullave mbi vendin tonë, që do të ekzaltonin demonstruesit edhe do të shkaktonin reagimin e UDB-së. 4) Demonstratat shkaktuan në klikën e Titos shqetësim të madh për këto arsye: a) Nga frika e aktivizimit më të madh në këtë momente të korrentit serbo-malazez të Rankoviqit, i cili mbështetet me kujdes si nga revizionistë sovjetikë, bullgarë dhe agjenturat e tyre në Kosovë. b) Nga frika e humbjes së kontrollit ndaj zhvillimit të gjendjes në Kosovë. c) Nga frika e influencës gjithmonë në vërejtje e RPSH tek shqiptarët në Jugosllavi.

Detyra e jonë mbetet: 1) Ndjekim me kujdes zhvillimin e situatës në Kosovë. 2) Pa bujë, por aktivisht ta vëmë në roje elementin patriot kosovar, që të mos bjeri në provokacione të UDB-së e serbomëdhenjve të cilët synojnë të kufizojnë më tej të drejtat nacionale për shqiptarët në Jugosllavi. 3) Të bëjmë të qartë te kosovarët qëndrimin dhe politikën e Partisë e të Qeverisë ndaj Jugosllavisë në përgjithësi dhe ndaj Kosovës e shqiptarëve në Jugosllavi në veçanti. 4) Në të gjitha format e kanalet, qoftë edhe nëpërmjet bisedave me diplomatët jugosllavë, ta bëjmë të ditur se nuk ndërhyjmë me punët e brendshme të Jugosllavisë, për ky parim i drejtë nuk na ndalon të kujdesemi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Jugosllavisë. Të influencojmë kështu që organet jugosllave të mos hidhen në reprezalje e masa të ndryshme kundër kosovarëve dhe të drejtave të tyre nacionale brenda dispozitave të kushtetutës për të cilat duhet të luftojnë me maturi që t’i shtojnë.

Buletini nr. 24 i Ministrisë së Punëve të Jashtme

Demonstratat në Kosove e Metohi

Të rralla kanë qenë ato gazeta e revista që nuk kanë komentuar ngjarjet e zhvilluara në qytetet e Kosovës e Metohisë, më 28 e 29 nëntor 1968. Ato vërtetuan edhe një herë se antititizmi i populli shqiptar po rritet, urrejtja po shtohet dhe e drejta për të kërkuar të drejta po zgjerohet. Titizmi do të mundohet të shfrytëzoi këto në interes të tij në forcimin e masave në drejtim të shkombëtarizimit. Për titistët, shkaqet e këtyre manifestimeve janë nacionalizmi dhe shovinizëm shqiptar. Për titistët jugosllavë (“Borba”, datë 05. XII. 1968), ngjarjet në Kosovë e Metohi janë dëshmi që kanë komunistët “për ngritjen e flamurit nacional”….flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare dhe yllin me pesë copa, simbol i regjimit të Enver Hoxhës, i cili ka qenë i predispozuar në mënyrë armiqësore ndaj Jugosllavisë… që akoma nuk janë marrë vendimet e këtyre akteve ligjore… nga organet ligjvënëse….”. Këto dëshmi të K. e frytëzuan në mënyrë shumë të shkathët ekstremistët… të nxitur e ndihmuar direkt nga agjenturat e huaja… 3 ditë më parë, nga ngjarjet gazetat e Tiranës “Zëri i popullit”, mbi këtë tezë, ndërtoi një kryeartikull të saj të fortë e famëkeqe…”.

Titoja u përpoq të zvogëlojë rëndësinë e ngjarjeve të Kosovës (30.XI.1968) se demonstratat e studentëve shqiptarë …u dramatizuan shumë… ka pasur njëfarë agjitacioni nga jashtë, por në përgjithësi, këto ngjarje nuk duhet të quhen si të rëndësishme”. Titistët për opinion e jashtëm kanë organizuar mbledhje aktive të ndryshme protestash dhe në të njëjtën kohë po shpejtohen proceset hetimore kundër shkaktareve kryesorë.

-40-

Informacion ditor. Vazhdojnë reprezaljet titiste kundër pjesëmarrësve të demonstratave në Kosovë

Sipas një dokumenti nga mbledhja e Konferencës komunale të LK të Prishtinës, i cili është njoftuar nga “Tanjug “, më 17 shkurt, del se kohët e fundit janë arrestuar 6 studentë, një gazetar i “Rilindjes”, i quajtur Adil Pireva si dhe një teknik i Kombinatit “Kosova” dhe një mësues. Të gjithë këta persona janë akuzuar si organizatorë të demonstratave në Prishtinë. Për kundërvajtje janë dënuar 22 vetë. Janë përjashtuar nga LK 2 anëtarë të kombësisë shqiptare, me motivacione se kanë qenë dakord me pikëpamjet e Lidhjes së Komunistëve në vlerësimin e demonstratave. Janë përjashtuar gjithashtu edhe 8 anëtarë të tjerë të LK për pjesëmarrje në demonstrata. Në dokument thuhet se janë pushuar nga puna 9 persona dhe do të përjashtohen nga fakultetet edhe 5 punëtorë e 8 studentë shqiptarë.

Sipas njoftimeve nga Legata jonë në Beograd, numri i të arrestuarve të akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata në Kosovë ka arritur mbi 60 persona, të gjithë të kombësisë shqiptare. Organet titiste jugosllave vazhdojnë një propagandë të madhe në masat e popullit të Kosovës që të dënojnë demonstratat e muajit nëntor, duke i quajtur ato si “forca armiqësore të mbështetura në primitivizëm, në ndjenjën e nacionalizmit të ngushtë dhe në shovinizmin shqiptar…”. Ata kanë organizuar mbledhje të gjera në organizatat e ndryshme në të cilat janë fabrikuar deklarata në emër të punonjësve, ku hidhen poshtë këto demonstrata dhe kërkohet dënimi i pjesëmarrësve në to. Reprezalje të kësaj kategorie po ndërmerren edhe kundër popullsisë shqiptare dhe të pjesëmarrësve të demonstratave në Tetovë të Maqedonisë00.

Gjendja e keqe shëndetësore në Kosovë

Çështja e shëndetësisë në Kosovë është problem i madh. Mungesa e pranisë së shtesave financiare në shëndetësi në Kosovë dhe zvogëlimi i pjesëmarrjes së Federatës në financimin e mbrojtjes shëndetësore sipas projektligjit të ri të kohëve të fundit, vështirëson në një shkallë akoma më të madhe çështjen e shërbimeve shëndetësore në Krahinën e Kosovës që është e prapambetur. Siç njoftonte Radio Prishtina, më 24 janar, në komunën e Rahovecit, Deçanit dhe Vitisë, një mjeku i takojnë 10 000 banorë. Në Suharekë, Ferizaj dhe Kamenicë një mjek është deri 20 000 banorë.

Sipas njoftimeve nga Legata jonë në Beograd, më datën 9 shkurt, një dasmë që bëhej në Ulqin (Mal i Zi), krushqit mbanin me vete në këtë rast vetëm flamurin kombëtar shqiptar.

Njoftohet gjithashtu se duke filluar nga data 12 shkurt, gazeta “Rilindja”, do t, botohet në tërësi në gjuhën zyrtare të vendit tonë.

20.02.1969

-41-

Disa të dhëna mbi gjendjen e arsimit në Kosovë

Një nga aspektet e politikës shoviniste të shkombëtarizimit dhe serbizimit të popullsisë shqiptare të Jugosllavisë është edhe ai në fushën e arsimit. Ngritja e nivelit arsimor e kulturor të shqiptarëve të Jugosllavisë, shqipja padyshim në rritjen e ndjenjës kombëtare, forcon luftën për të drejta të plota në të gjitha fushat e jetës së tyre, si komb dhe si popull, njëkohësisht kjo përbën një rrezik të madh për politikën serbomadhe të regjimit titist. Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e rajoneve të tjera të Jugosllavisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë një luftë këmbëngulëse dhe të vazhdueshme për barazinë e gjuhës shqipe, për të pasur shkollat e veta në gjuhën amtare dhe për të siguruar mundësitë reale për zbatimin e atyre të drejtave që ka fituar në këtë drejtim. Kjo u manifestua edhe gjatë përgatitjes dhe diskutimit të projektligjit të Kushtetutës së Kosovës, në vitin e kaluar dhe prillin e këtij viti.

Nga disa të dhëna zyrtare dhe nga shtypi i Krahinës, gjendja e arsimit në Kosovë paraqitet si më poshtë:

1.    Arsimi parashkollor. Në gjithë Krahinën e Kosovës, në maj të vitit të kaluar ka pasur gjithsejtë 27 institucione parashkollore me 1 807 fëmijë të moshës përkatëse, ose 1.6% të gjithë fëmijëve të kësaj moshe. Po të krahasojmë sasinë e institucioneve parashkollore të Kosovës me atë të Serbisë, duke pasur parasysh numrin e popullsisë, del se në Serbi ky numër është 5 herë më i madh se në Kosovë. Enti Krahinor i Kosovës për planifikimin shoqëror, pranon se: “Baza materiale e këtij numri të vogël të këtyre institucioneve në Krahinë, nuk është e kënaqshme. Këto institucione nuk kanë as kuadër përkatës edukativ të mjaftueshëm, lokal të nevojshëm dhe pajisje si dhe mjete të mjaftueshme për mirëmbajtjen e rregullt.

2.    Arsimi fillor. Në vitin shkollor 1967-1968, në Kosovë ka pasur gjithsejtë 782 shkolla fillore, nga të cilat vetëm 257 shkolla të plota 8-vjeçare, ose 32.8% e tyre, kurse 67.2% kanë qenë shkolla fillore jo të plota (katër klasëshe) me gjithë se titistët thonë se arsimi 8-vjeçar në Kosovë është i detyrueshëm. Më keq akoma është gjendja e ndjekjes së shkollave: në vitin 1966-1967, vetëm 35% e nxënësve të moshës përkatëse i kanë ndjekur shkollat fillore. Për lokalet shkollore thuhet se vetëm 50% e tyre janë të papërshtatshme për mësim, por dhe këto që konsiderohen si të tilla, kanë nevojë për riparime. Kryetari i Dhomës së shërbimeve shoqërore të Komunës së Prishtinës, më 9 shkurt të këtij viti, njoftonte se në këtë komunë ka vështirësi të mëdha për lokale shkollore, 12 shkolla të plota fillore punojnë me nga tre turne, kurse vitin e kaluar në Kosovë 3 milionë dinarë të rinj të caktuara për arsim, u përdorën për qëllime të tjera. Ka shumë fshatra që shkollat më të afërta 8-vjeçare i kanë mbi 12 km larg. Në një njoftim nga Komuna e Prizrenit, në muajin janar, ndërmjet të tjerave thuhej: “….Ka ngushticë të madhe në lokalet shkollore, një nxënësi i takojnë 0.39 m2 nga 2m2 që është normativa. Situata më e vështirë në pikëpamje të mungesës së lokalit shkollor është nëpër shkolla në fshat, në një numër të madh shkollash në një bankë ulen 3 nxënës, bile edhe 5…. Inventari është shumë i vjetër dhe nuk ka mjete për zëvendësimin e tyre”.

Agjencia “Tanjug”, më 25 shkurt, në një lajm nga Kosova njoftonte: “Për shkak të zhvillimit të pamjaftueshëm të rrjetit të shkollave fillore, mbesin jashtë shkollës çdo vit 43 000 fëmijë të shkollës fillore… llogaritet se në Krahinën e Kosovës ka mbi 100 000 analfabetë deri në moshën 35-vjeçare, kështu që numri i analfabetëve rritet. Kosova sot ka përqindjen më të madhe të analfabetëve në Jugosllavi dhe në gjithë Evropën.

3. Arsimi i mesëm. Krahina e Kosovës ka 51 shkolla të mesme, të ndara si më poshtë: 11 gjimnaze, 10 shkolla për kualifikim punëtoresh, 6 shkolla teknike, 7 shkolla ekonomike, 3  shkolla të mjekësisë, 3 shkolla të muzikës, 7 shkolla normale dhe 5 shkolla bujqësore. Nxënësit e kombësisë shqiptare, në të gjitha këto shkolla përbëjnë 49.1% të numrit të përgjithshëm dhe kjo përbërje nacionale konsiderohet jo e kënaqshme plotësisht “nga Enti Krahinor për Arsimin”. Nga nxënësit preferohen më shumë gjimnazet, shkollat për kualifikim punëtorësh dhe ato normale, ndërsa shkollat ekonomike megjithëse numri i tyre është i madh nxënësit nuk dëshirojnë të vazhdojnë këto shkolla, sepse, sikurse pranohet nga vet “pasi një numër mjaft i madh i nxënësve që kanë kryer këto shkolla kanë mbetur pa punë”.

 Gjendja e lokaleve të shkollave të mesme dhe baza materiale e tyre është e keqe dhe nuk ka perspektivë për t’u përmirësuar në të ardhmen. Sipas te dhënave të Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror të Kosovës, del se për ndërtimin e lokaleve shkollore fillore e të mesme sipas planit deri në vitin 1970, nevojiten 260 milionë dinarë të rinj, por deri në këtë vit mund të sigurohen mjete financiare afro 100 milionë dinarë. Nga Enti i mësipërm pranohet gjithashtu, “edhe sistemi i ri i financimit që nuk do ta ndryshojë shumë pozitën e institucioneve të arsimit”.

Niveli arsimor i kuadrove për kategorinë e shkollave të mesme është shumë i ulët. Pranohet fakti se në shumë shkolla dhe veçanërisht në ato profesionale, 77.1% e mësuesve nuk kanë arsimin përkatës. Arsimtarët punojnë në kondita jashtëzakonisht të vështira. Ata nuk janë siguruar me ndërtesa të përshtatshme për banim dhe paga e tyre është shumë e ulët në krahasim me punonjësit e administratës shtetërore dhe shpeshherë për mungesë fondesh nuk paguhen për muaj më radhë. Në një letër të Kuvendit të Komunës së Klinës, dërguar Dhomës Ekzekutive të Kosovës, në shkurt të këtij viti, për gjendjen e keqe të arsimit në komunë, ndërmjet të tjerave thuhet se ajo “Nuk është në gjendje të mbajë përgjegjësinë në qoftë se në institucionet shkollore të kësaj Krahine ndodhë çdo gjë e padëshiruar”. Ajo njoftonte gjithashtu se, bashkësia e arsimit u ka borxh shkollave për vitin e kaluar 660 000 dinarë, se për shkak të mungesës së të hollave, punonjësit e arsimit nuk marrin as shtesat për vështirësi në terren, nuk shfrytëzojnë as të drejtën për shpenzimit të udhëtimit me rastin e dhënies së provimeve për ngritjen profesionale të tyre, se punonjësit e Kuvendit Komunal dhe pse kanë vetëm shkollë fillore, marrin pothuajse të njëjtën rrogë si punonjësit e arsimit në shkolla të larta pedagogjike. Një problem tjetër që del nga të dhënat për gjendjen e arsimit në Kosovë, është edhe pjesëmarrja shumë e vogël e vajzave të kombësive shqiptare në të gjitha kategoritë e shkollave, kështu p.sh. në shkollat për punëtorë të kualifikuar përbërja në numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe të ndara sipas kombësive është si më poshtë: vajzat përbëjnë vetëm 12.9% të të gjithë nxënësve, por nga kjo shifër 74.1% janë serbë, 2.7% janë turq dhe vetëm 23.2% janë vajza të kombësisë shqiptare, dhe kjo pjesëmarrje shumë e kufizuar e vajzave të kombësisë shqiptare në shkolla shpjegohet me fanatizmin që ekziston në Kosovë.

Arsimi i lartë.Në Kosovë tani ka 6 shkolla të larta dhe 3 fakultete, tri nga të cilat janë shkolla të larta pedagogjike (një shkollë e lartë teknike në Prishtinë u suprimua në 24 shkurt. Arsyet nuk jepen). Nga të dhënat del se gjatë vitit shkollor 1967-1968, në këto shkolla kanë vazhduar studimet 8 690 studentë të rregullt dhe me korrespodencë, por nga kjo shifër vetëm 5 373 janë të Krahinës së Kosovës, kurse 3 327 studentë janë nga radhët e kombësive jashtë Krahinës. Deri në vitin 1967, në shkollat e larta dhe në fakultete, ishin diplomuar gjithsejtë 2 047 studentë. Nga studentët e regjistruar në 7 shkollat e larta shqiptarët zënë 40.7%, kurse në fakultete akoma më pak, 35.5% të tyre. Gjer në vitin 1967, mësimet në këtë kategori shkollash janë zhvilluar në gjuhën serbokroate, përveç në grupet në gjuhën shqipe dhe letërsinë, por dhe pas këtij viti, edhe pse është e vendosur që mësimet të jepen edhe në gjuhën shqipe gjendja nuk ka ndryshuar shumë dhe kjo shpjegohet me mungesë kuadrosh të kombësisë shqiptare. Për shkollat e larta dhe fakultetet në Kosovë ka mungesë kuadrosh edhe nga kombësitë tjera. Për këtë arsye 495 pedagogë që japin mësim në këto shkolla, 207 prej tyre punojnë me honorar, ku vijnë për të dhënë mësim në Kosovë nga Beogradi, Nishi e Shkupi.

Në vitin e kaluar në shkollat e larta dhe në fakultete, 426 studentë kanë qenë bursistë, por bursa në Kosovë është më e vogël se sa bursat në këtë kategori të shkollave në Jugosllavi. Në Kosovë bursa për një student është 193 dinarë, ndërsa në Jugosllavi mesatarja është 222 dinarë. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm për nxënësit dhe studentët e kombësisë shqiptare në Kosovë, është edhe mungesa e madhe për tekste mësimore në gjuhën shqipe. Nga një mbledhje në Prishtinë, e udhëheqësve të organizatave politike të shkollave të larta dhe fakulteteve, është kërkuar që Krahina, republikat dhe Federata, duhet të sigurojnë mjete më të mëdha për botimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, “aq më tepër kur dihet se mjetet e caktuara deri më tashishin mjaft modeste dhe të pamjaftueshme, gjë që nuk siguron aplikimin e dygjuhësisë”.

Në Krahinën e Kosovës nga i gjithë fondi i librave, 70% e tyre janë në gjuhën serbokroate dhe 30% janë në gjuhën shqipe. Gjatë vitit 1965, dega e botimeve të Prishtinës botoi gjithsejtë 73 tekste mësimore, nga këto vetëm 9 në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1967 nga 68, vetëm 18 në gjuhën shqipe. Për shkollat e larta e fakultet, deri në fund të vitit shkollor që kaloi, nuk është botuar asnjë tekst në gjuhën shqipe. Realizimi i botimeve të teksteve mësimore për shkollat shqipe shpjegohet edhe me “shtrenjtimin e shërbimeve të shtypjes”. Për këtë vit mësimor është planëzuar që të botohen për shkollat e larta 10 tekste mësimore në gjuhën shqipe.

Duke parë nevojën e madhe për tekste mësimore, për nxënësit dhe studentët e kombësisë shqiptare të Kosovës, agjencia “Tanjug”, më 24 janar, në një lajm nga Prishtina thoshte: “Edhe importimi i teksteve vlerësohet si një mundësi e mirë për lehtësimin e këtij problemi. Ndërmarrja e botimit “Rilindja” e ka marrë pakon e parë për shkencat e sakta nga Tirana”, kurse në një mbledhje të Entit për botim të Prishtinës, u tha se ekziston mundësia që disa tekste shkollore për lëndët e shkencave ekzakte, të përdoren edhe tekstet e shkollave të larta të fakulteteve të Shqipërisë. Këto janë përparësitë dhe kontingjenti i parë ka arritur, ku disa prej tyre mund të përdorën drejtpërsëdrejti për mësim, kurse disa të tjera duhet t’i përshtaten programeve dhe planeve të shkollave tona. Për këtë do të krijohet një komision për rishikimin e këtyre teksteve.

 Gjendja e arsimit dhe në mënyrë të veçantë, marrja e arsimit në gjuhën amtare është veçanërisht e rëndë për popullsinë shqiptare që jeton jashtë territorit të Krahinës së Kosovës si në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, të cilës me përjashtime të rralla i është mohuar e drejta për të pasur shkolla shqipe, kështu p.sh. rajone të tëra të banuara nga shqiptarë, si: Tivari, Plava, Gucia, Tutini, Rroshja, Ohri etj., nuk kanë shkolla shqipe, dhe disa shkolla aty këtu që kanë ekzistuar më parë nën pretekste të ndryshme ose janë mbyllur, ose janë zëvendësuar në shkolla turke ose serbe. Në gjithë komunën e Ulqinit, në Mal të Zi, ka vetëm dy shkolla shqipe. Në Kërçovën e Maqedonisë sikurse shkruan në një artikull “Flaka e vllaznimit” të 17 tetorit 1968, gjuha maqedonishte shërben si hakmarrje ndaj nxënësve të kombësisë shqiptare, atyre u vihen nota të dobëta dhe lihen nga një klasë për të vetmen arsye se kanë kërkuar që në shkollë të hapet edhe një paralele në gjuhën shqipe.

Nga të dhënat e mësipërme, mund të bëhen këto konkluzione të përgjithshme:

1.    Lufta e popullsisë shqiptare e Kosovës për të fituar një të drejtë të saj të ligjshme për të pasur dhe shkollat e saj në gjuhën amtare ka detyruar klikën e Titos që të bëjë disa lëshime në këtë drejtim, që ajo të hapë në Kosovë, kundra vullnetit të saj, një numër shkollash shqipe të kategorive të ndryshme, por ato janë të pamjaftueshme dhe gjysmake.

2.    Shkollat shqipe në Kosovë janë në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë, si në pikëpamje të lokaleve dhe mjeteve mësimore, ashtu dhe për mungesë të kuadrove të nevojshme të kombësisë shqiptare. Këto vështirësi u krijohen shkollave shqipe në Kosovë nga regjimi titist me qëllime të caktuara, i cili në drejtim të të drejtave të popullsisë shqiptare të Jugosllavisë ka ndryshuar nga krajlët e mëparshëm, vetëm taktikën, por qëllimi mbetet po ai, të mbeten shqiptarët e Jugosllavisë në errësirë e prapambetje brez pas brezi.

Për organet e shtypit dhe të propagandës mendojmë:

a) Duke pasur gjithmonë parasysh qëndrimin e drejtë marksist-leninist të Partisë dhe të Qeverisë sonë ndaj problemit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, Radio Tirana dhe shtypi janë për qëndruar ashtu si në të kaluarën, per ti ndihmuar ata dhe qe te mos mashtrohen nga propaganda titiste dhe nga këto lëshime taktike, po të luftoi me me me vendosmëri për të fituar të drejta të plota dhe të siguruara nga çdo pikëpamje, për të marrë arsim e kulturë në gjuhën amtare dhe njëkohësisht ajo të bëhet pishtare në këtë drejtim dhe për ata shqiptarë në Jugosllavi qe jetojnë jashtë territorit të Kosovës si në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi e kudo që jetojnë grupe shqiptarësh në Jugosllavi. b) Mendojme se eshtë e nevojshme që të shqyrtohen me vëmendje të gjitha kërkesat që kanë bërë entet e ndryshme arsimore dhe institucionet shkollore të Kosovës, veçanërisht për tekste mësimore dhe duke pasur parasysh mundësitë e vendit tonë të plotësohen ato.

18.3.1969

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (21)

Nga Prof.dr.Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura