DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (6)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-11-

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë

Beograd, më 13.05.1956

Nr. prot. 47

Ministrisë së Punëve të Jashtme

Degës II Tiranë

 Mbi disa sektorë të ekonomisë në Krahinën e Kosovës dhe Metohisë

Siç dihet, minoriteti shqiptar në Jugosllavi që banon në Kosovë përbënë Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë brenda në Republikën e Serbisë; kështu, pjesa tjetër e kësaj është në përbërjen e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sipas të dhënave matematikore jugosllave, Krahina e Kosovës dhe e Metohisë ka një popullsi prej 809 234 banorë, nga të cilët 532 011 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë serbë, malazezë e kombësi të tjera të Jugosllavisë. Territori i kësaj njësie jugosllave, është 10 689 km2. Krahina e Kosovës dhe e Metohisë, si para luftës ashtu edhe pas, ka qenë dhe është një vend bujqësor. Sipas të dhënave jugosllave, kjo krahinë ka gjithsej 509 200 kilometër katrorë tokë, ose të cilët 349 700 hektarë janë tokë e punueshme, kurse pjesa tjetër është kullotë dhe moçalishte. Në të kaluarën kjo krahinë nuk ka pasur objekte industriale në përjashtim të Trepçës (minierës afër Mitrovicës) ku nxirrej plumb, zink, flori dhe argjend. Por, edhe ky objekt industrial ka qenë në duart e kapitalit anglez. Për sa i përket rrjetit rrugor në këtë krahinë, qysh para luftës ka pasur rrugë të hekurudhës që përshkojnë: Mitrovicën, Prishtinën, Ferizajn, Kaçanikun dhe Shkupin, si dhe Prishtinë-Pejë. Gjithashtu, pjesët më të madha të qyteteve kanë qenë të lidhura me rrugë automobilistike.

Në periudhën e pasluftës, i ishte dhënë rëndësi industrializimit të vendit dhe në këtë drejtim, u lidhën me Kroacinë, Sllovenin, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Për sa i përket Krahinës Autonome është bërë shumë pak, ose thënë fare, dhe kjo krahasim me vendet tjera të Jugosllavisë. Kështu që kjo krahinë është e prapambetur. Kjo pohohet edhe nga vet shtypi jugosllav. Kështu p.sh.: në librin “10 vjet në Jugosllavinë e re” , që është botuar nga fundi i vitit të kaluar, në faqen 269 thuhet: “Sanxhaku mund të shihet si rajon i prapambetur jo vetëm në Serbi por në të gjithë Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë. Mandej këtu vjen territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë. Sikur këtë territor ta shohim në tërësi, nuk mund ta përfitojmë një tablo krejt reale mbi gjendjen e zhvillimit të saj, pasi këtu ekziston një kombinat i madh metalurgjik në Trepçë. Por, në qoftë se këtë e ndajmë do të kemi një tablo shumë më të qartë të prapambetjes së saj”.

Në të vërtetë, kombinati i Trepçës pas shtetëzimit është zgjeruar mjaft. Një vizitë që e kemi bërë gjatë muajit prill të këtij viti, pamë se është bërë mjaft në këtë drejtim. Sipas përshkrimeve do të jenë miniera deri në vitin 1950, por këtu gjatë kësaj kohe janë bërë studime të reja, janë gjetur burime të tjera sipas së cilave parashikime ka mundësi shfrytëzimi edhe për 20 vjet të tjera. Studimet akoma vazhdojnë. Si minierat ashtu edhe kombinati që përpunon metalin, janë të mekanizuara dhe makineritë në pjesën më të madhe janë të importuara nga jashtë. Mineralet, të cilat nga miniera transportohen në kombinat me teleferik, kalojnë gjithë proceset e përpunimit dhe nxirret plumb, zink, kallaj, argjend dhe ar, të gjitha të gatshme. Në këtë kombinat, së bashku me minierat, na kanë thënë se punojnë rreth 5 000 punëtorë. Kombinati prodhon 70 000 tonelata plumb në vit. Prodhimet e kombinatit eksportohen në Amerikë, Inglitere, Francë, Bashkimin Sovjetik etj. Për sa iu përket konditave për ruajtjen e shëndetit të punëtorëve, janë krijuar kondita të mira. Ne punëtorët e kombinatit, pjesa më e madhe është nga minoriteti shqiptar, kurse personeli drejtues e teknik është serb.

Përveç minierave të Trepçës, gjatë kësaj periudhe, janë ndërtuar në këtë krahinë edhe këto objekte industriale: Janë hapur disa miniera të reja si ajo e Kishnicës, Hajvalisë dhe Novobërdës, në të cilat ashtu si edhe në minierat e Trepçës nxirret: plumb, zink etj. Gjithashtu, është hapur miniera e Goleshit, ku nxirret krom. Ndërsa, për qymyrgur është filluar shfrytëzimi në shkallë të vogël në afërsi të Fushë-Kosovës. Në këto miniera numri i punëtorëve është shumë i vogël.

Gjatë kësaj kohe në krahinën e Kosovës e Metohisë janë ndërtuar: fabrika e fijes së pambukut në Prishtinë; fabrika e vajit prej lulediellit në Ferizaj; dy depo për grumbullimin e duhanit, njëra në Gjilan dhe tjetra në Prizren; një fabrikë e vogël çimentoje në Sharr; dy punishte për përpunimin e drurit, një në Mitrovicë dhe tjetra në Pejë; si dhe disa fabrika të vogla për përpunimin e tullave në Prishtinë dhe vende të tjera të Kosovës e Metohisë. Në Prizren është edhe një fabrikë mielli. Në përgjithësi këto janë objektet industriale të kësaj krahine, përveç se folëm më lartë për minierat.

Për sa i përket fabrikës së fijeve të pambukut në Prishtinë, projekti është që në të ardhmen të bëhet kombinat tekstili, por sot për sot asgjë nuk po bëhet. Makineritë e kësaj fabrike janë të reja dhe moderne dhe të importuara, pjesa më e madhe nga Inglitera. Fabrika punon në tre turne dhe gjithsej ka 500 punëtorë. Lëndën e parë e importojnë prej Egjiptit dhe prodhimin e saj (fijen), ja u shesin fabrikave të tjera të tekstilit në Jugosllavi. Sa i përket fabrikave të vajit, kjo është ngritur me qëllim që lulja e diellit të sigurohej në krahinën e Kosovës, por deri më sot, asnjëherë nuk e ka siguruar lëndën e parë në vend dhe për këtë është marrë në rajonet e tjera të Jugosllavisë.

Si nga shtypi, ashtu edhe nga bisedimet me funksionarë jugosllavë, kemi mësuar se në Kosovë dhe Metohi, janë bërë një seri studimesh gjeologjike. Studimet e bëra në këtë drejtim, kanë gjetur rezultate. Kjo krahinë është mjaft e pasur me minerale të ndryshme, si: plumb, zink, qymyrgur, magnez, hekur, krom, nikel etj. Me sa kemi parë, qeveria jugosllave po i jep rëndësi të madhe shfrytëzimit të pasurive të nëntokës në këtë krahinë. Sipas shtypit shihet se brenda katër viteve, duke filluar qysh nga ky vit dhe deri në fund të vitit 1959, do të investohen rreth 40 miliardë dinarë.

Sipas studimeve të bëra, në Fushë-Kosovë ka rezervë të madhe qymyrguri, që pothuajse ndodhet në sipërfaqe të tokës. Shtresa rreth tre milionë tonelata qymyrguri në vit, kurse deri më sot atje kanë nxjerr rreth 600 mijë tonelata. Shifra e përgjithshme e rezervave të qymyrit në këtë vend është 600 miliardë tonelata. Gjatë kësaj kohe këtu do të ndërtohet një kombinat si dhe një furrë e madhe për tharjen e qymyrit me një kapacitet prej 600 mijë tonelata. Kështu që, qymyri do të nxirret dhe punohet në vend. Qymyri prej 2 100 kalori qe ka do të arrijë në mbi 4 000 kalori. Këtu gjithashtu do të ndërtohej termocentrali prej 100 mw, dhe do të prodhoj 500 milionë kw (kilovat), orë energji elektrike në vit. Për të gjitha këto, parashikohen të shpenzohen rreth 28 miliardë e 700 milionë dinarë, të cilat jepen me kredi nga Bashkimi Sovjetik. Funksionarë të Këshillit Krahinor të Kosovës na kanë thënë se këtu dhe në minierat e Hajvalisë dhe Kishnicës, kohëve të fundit kanë qenë edhe inxhinierë sovjetikë, të cilët i kanë parë në vend dhe kanë inkurajuar nevojën pre shfrytëzimin e tyre.

Për sa i përket minierës së Kishnicës parashikohen të bëhen investime të mëdha, pasi ka mjaft rezerva plumbi, zinku etj., po kështu edhe në minierën e Hajvalisë. Në këto miniera parashihet zgjerimi i punimeve. Kështu p.sh.: deri në fund të vitit 1958 do të investohen në minierën e Kishnicës edhe 4 miliardë dinarë dhe në këtë kohë do të fillojë prodhimin e rregullt prej 400-500 mijë tonelata minerale në vit me një vlerë bruto rreth 2 miliardë e gjysmë në vit. Nga to 300 punëtorët që sot ka kjo minierë në të ardhmen do të punojnë 1 100. Minierat e tyre do të përpunohen në kombinatin e Trepçës.

Në Mitrovicë ka filluar ngritja e dy fabrikave. Njëra do të prodhoj sulfur, e tjetra plehra artificiale. Për të dy këto fabrika si lëndë të parë do të shërbejnë mbeturinat e prodhimtarisë së rregullt të Trepçës. Fabrika e parë do të prodhojë rreth 100 mijë tonelatë sulfur në vit, prej të cilave 10-15 tonelata sulfur do të përdorën për tregti, kurse pjesa tjetër do të përdoret prej fabrikës prej superfosfatit e cila do të prodhojë 250 mijë tonelata nga ky pleh në vit. Për të dy këto fabrika do të shpenzohen rreth 4 miliardë dinarë. Kjo është gjendja industriale në krahinën e Kosovës e Metohisë dhe çfarë mendohet të bëhet në të ardhmen në këtë drejtim.

Për sa i përket transportit, në përgjithësi mund të themi se gjendja është ajo e paraluftës. Rrugë të reja të rëndësishme nuk janë hasur. Rruga e trenit që ka ekzistuar edhe më parë në këtë krahinë ka një gjatësi prej 303 km. Rrugët e transportit automobilistik nuk janë në gjendje të mirë dhe kjo për arsye se nuk mbahen mirë. Nuk ka asnjë rrugë të shtruar në asfalt ose me gurë katrorë, siç ka në vende të tjera të Jugosllavisë. Gjendja e automjeteve të transportit për mallra e pasagjerë është e dobët. Në krahinë ekzistojnë katër ndërmarrje autotransporti: “Kosmet” me qendër në Prizren, ndërmarrja “Proleter” në qendër në Gjilan, ndërmarrja “Slloga” me qendër në Pejë dhe ndërmarrja “Pashtrik” me qendër në Gjakovë, të cilat merren me komunikacionin publik. Këto ndërmarrje, sipas “Rilindjes”, datë 25.03.1956, në vitin 1955, kanë pasur rreth 27 autobusë. Automjetet nuk mbahen me rregull dhe kjo ka shpurë në mosplotësimin e nevojave të popullit. Në gazetën e më sipërme, thuhet: “Prej gjendjes së dobët teknike të automjeteve rezulton se çdo autobus ka qenë vjet jashtë qarkullimit: në “Kosmet” 213 dite ose 55.2%, “Proleteri” 167 ditë ose 46.8%, “Sloga” 109 ditë ose 26, 2%”. Për sa i përket automjeteve për transportimin e mallrave, këto ndërmarrje i kanë shumë të pakta. Për shkak të kësaj situate me sa kemi parë kur kemi qenë poshtë, praktikohet në shkallë të gjerë transporti me qerre, jo vetëm për mallra, por edhe për njerëz.

Nga bisedimet me personalitete të Këshillit Krahinor dhe sa kemi parë në shtyp, është përmirësuar gjendjen në këtë drejtim, parashikohen një varg fondesh për meremetimin e rrugëve, për blerjen e pjesëve të këmbimit dhe blerje automjete të reja. Përveç kësaj, ndërmarrjet e komunikacionit publik janë përjashtuar nga tatimet federative, me qëllim që ato t’i përdorin për përmirësimin e gjendjes së transportit.

Gjatë kësaj kohe në krahinën e Kosovës dhe Metohisë, përveç se folëm më lartë, janë ngritur edhe një seri godinash për zyre, banesa dhe hotele. Këto ndërtime më tepër janë bërë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Pejë. Disa ndërtesa të mëdha që janë ndërtuar shërbejnë për zyra. Kështu p.sh.: në Prishtinë është ndërtuar godina e Këshillit Krahinor, godina e Këshillit të Prishtinës, postë-telegrafe, kinemaja e qytetit, është duke u ndërtuar një hotel në qendër të Prishtinës, një hotel i vogël është ndërtuar në Gërmi, afër Prishtinës dhe mbahet për nevojat e Këshillit Krahinor. Pastaj janë ndërtuar tre blloqe për banim, të cilat kanë rreth 40-50 godina dy katëshe. Gjithashtu, në Prishtinë janë ndërtuar edhe disa shtëpi të vogla private nga nëpunës e punëtorë dhe kjo duke i ndihmuar shtetit me kredi. Në Mitrovicë janë ndërtuar rreth 15 godina dykatëshe për punëtorët e nëpunësit e Trepçës. Janë ndërtuar edhe disa godina të tjera ku banojnë familjet e ushtarakëve. Në Pejë është ndërtuar një hotel turistik, një hotel tjetër është duke u ndërtuar në qendër, janë ndërtuar disa banesa për nëpunës dhe disa për zyra. Në qytetet tjera për të mos thënë fare, janë ndërtuar pak. Megjithëse në meritorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë është kombinati i madh i Trepçës, si dhe objektet e tjera industriale që treguam më lartë, prapë se prapë kjo krahinë është një vend bujqësor. Nga 349 700 hektarë toke të punueshme që ka kjo krahinë, sot punohet dhe mbillen drithëra, zarzavate etj. Një sipërfaqe prej 274 600 hektarë, një sipërfaqe prej 5 900 hektarë tokë janë fruta dhe 4 000 hektarë vresht, kurse 65 300 hektarë janë lënë livadhe dhe 159 000 hektarë tokë është kullotë dhe moçalishte

Në këtë krahinë, ashtu si edhe para luftës, bujqësia është e prapambetur dhe kjo për faktin se shteti në këtë drejtim nuk ka treguar interesimin e duhur.  Ashtu si në të gjithë Jugosllavinë edhe në krahinën e Kosovës e Metohisë, sundon ekonomia private në bujqësi. Në bazë të ligjeve të vendit çdo ekonomi fshatare ka të drejta të ketë një sipërfaqe toke prej jo më shumë se 10 hektarësh, kështu që në Kosovë e Metohi ekonomitë bujqësore kanë një sipërfaqe toke prej dy deri në dhjetë hektarësh, me një mesatare prej 5 hektarësh. Siç dihet, mbas luftës, ashtu si në të gjithë Jugosllavinë edhe në Kosovë, u ngritën një numër i madh kooperativash bujqësore. Mbas 1948 deri më 1951, këto kooperativa në Kosovë u prishen dhe sot nuk ka asnjë të tillë. Nga konstatimet tona në Kosovë del se, kooperativat bujqësore që ishin ngritur në atë kohë nuk kanë luajtur rolin pozitiv, por mund të themi se mbahen mend për keq. Një gjë e tillë ka ndodhur, se pas siç dihet këto kooperativa kanë patur të meta parimore në ngritjen e tyre, duke shkelur principin e vullnetarizmit, paguhej qiraja e tokës etj. Ndihma e shtetit në atë kohë ka qenë shumë e pakët.

Në pjesën më të madhe kooperativat nuk kanë siguruar as bukën për nevojat e tyre. Shteti në këtë kohë dhe sidomos më vonë, jo vetëm që nuk mori masat e nevojshme për forcimin e tyre, porse shkoi në rrugën e prishjes dhe prishja e tyre është shoqëruar me një agjitacion dhe propagandë kundër këtyre, duke e justifikuar me atë kohë se në ngritjen e tyre janë përdorur metoda të huaja, shabllon, etj. Stacionet e makinave dhe të traktorëve që ishin krijuar në atë kohë, gjithashtu u prishen, u hoq sistemi i detyrimeve në natyrë, u la e lirë shitja dhe blerja e tokave, pastaj e organeve, etj.

Në kursin e ri për zhvillimin e ekonomisë jugosllave është deklaruar se do t’i jepet rëndësi zhvillimit të bujqësisë nëpërmjet mekanizimit të bujqësisë dhe kolektivizimit. Por, si nga konstatimet tona, ashtu edhe nga bisedimet që kemi pasur me funksionarë jugosllavë, del se për kolektivizimin e bujqësisë në Jugosllavi, për të mos thënë fare, bëhet shumë pak. Në krahinën e Kosovës, ashtu siç deklaruan funksionarët e Këshillit Krahinor, në këtë drejtim sot për sot nuk bëhet gjë. Për sa i përket ndihmës së shtetit në bujqësi me makina bujqësore, farëra të zgjedhura, plehra kimike, ndihmë me teknikë bujqësore etj., është jashtëzakonisht e dobët. Nga bisedimet që kemi pasur me anëtarin e veçantë ekzekutiv të Vojvodinës, Milenko Bojaniq, del se shteti në radhë të parë do të ndihmojë fermat bujqësore shtetërore, pastaj kooperativat bujqësore ekzistuese, kurse për sa i përket bujqësisë private, shteti nuk jep asnjë ndihmë. Në Jugosllavi privati është i lirë të blejë makina bujqësore, traktorë etj., dhe t’i ketë ato pronë të tija. Në krahinën e Kosovës, ku ekziston vetëm prona private me bujqësi, jo vetëm që nuk është ndihmuar me makina bujqësore etj., por as që do të ndihmohet. Vetë fshatari privat nuk është në gjendje ekonomikisht të blejë makina bujqësore dhe në këtë mënyrë është i detyruar që tokën ta punojë me mjete primitive.

Në krahinën e Kosovës e Metohisë sot gjendet një numër i kufizuar traktorësh në duart e kooperativave të shitblerjes, të cilat mund të punojnë me qira tokat e fshatarëve. Gjithashtu, traktorë kanë edhe fermat shtetërore që në Kosovë e Metohi janë gjithsejtë 19 ferma të tilla bujqësore, nga të cilat 5 ferma kanë deri në 100 hektarë tokë, 8 prej 101 hektarë deri në 500 hektarë dhe mbi 500 hektarë toke janë 6 ferma. Fermat shtetërore janë ndërmarrje në vete dhe asnjë ndihmë nuk u japin fshatarësisë. Për sa u përket traktorëve që janë në duart e kooperativave të shitblerjes, këto përdoren më tepër për transportim mallrash sesa për punimin e tokës. Kështu p.sh.: sipas “Rilindjes” datë 5 prill 1956, kooperativa e Vitomiricës që ka dy traktorë, në vitin 1954 këta traktorë kanë punuar vetëm 12 hektarë tokë dhe në vitin 1955, 16 hektarë tokë.

Në krahinën e Kosovës dhe Metohisë kultivohet grurë, misër, luledielli, fasule dhe patate. Mbjelljet e këtyre kulturave nuk bëhen në bazë të një plani nga shteti, por secili mbjell sipas interesit të tij, duke u tërhequr nga çmimet që janë në treg. Mungesa e një plani, punimi i tokës me mjete primitive, mungesa në shumë raste e farërave të seleksionuara, mungesa e plehrave kimike, mungesa e futjes së agroteknikës në bujqësi, kanë sjellë si rezultat rendimentet në bujqësi të jenë mjaft të ulëta, bile në disa zona edhe më të ulëta se para luftës. Krahina e Kosovës vazhdimisht ka siguruar nevojat e saj me bereqet, bile edhe ka eksportuar, ndërsa gjatë tre vjetëve të fundit, ajo nuk e ka siguruar këtë, por ka marrë nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Kështu p.sh.: në “Rilindje” datë 05.04.1956, duke bërë fjalë për bujqësinë në Pejë, thuhet: “Krejt rrethi ka afër 51 000 hektarë toka të punueshme. Në të jetojnë e punojnë 18 000 familje bujqësore me më tepër se 137 000 anëtarë. Kjo d.m.th. se një banor i katundit i bie 0.35 hektarë tokë. Prodhimi mesatar vjetor i drithërave është 205 kg, për një banor, megjithëse 79% të sipërfaqes së punueshme mbillen drithëra. Produktiviteti kaq i ulët bën që rrethi i Pejës, megjithëse është krejtësisht bujqësor, të detyrohet me importuar për çdo vit më tepër se 9 000 tonelata drithëra, ku për një muaj të sigurojë ushqimin e popullsisë”.

Këtë vit prodhimtaria parashikohet të jetë më e dobët për faktin se mbjelljet e vjeshtës në të gjithë krahinën kanë përfshirë vetëm 20% të gjithë sipërfaqes së punueshme të tokës, kështu që, për në pranverë kanë mbetur për t’u mbjellë 80% e sipërfaqes së tokës. Për shkak të kësaj gjendjeje dhe të mungesës së fuqisë motorike dhe kafshëve, farërave etj., këtë vit mbjelljet pranverore janë shumë mbrapa. Një gjë e tillë del si nga shtypi në gjuhën shqipe, ashtu edhe nga sa kemi biseduar me anëtarët e Këshillit Krahinor të Kosovës. Ky Këshill, për ta përmirësuar diçka këtë gjendje ka kërkuar ndihmën e ushtrisë.

Për sa i përket blegtorisë në krahinën e Kosovës e Metohisë, është në gjendjen e mëparshme. Në këtë krahinë më tepër ka dele, lopë dhe sasi të vogla buajsh, kurse dhitë ashtu si në të gjithë Jugosllavinë, me ligj janë zhdukur plotësisht. Në të gjithë krahinën sipas të dhënave të kryetarit të Këshillit Krahinor, Fadil Hoxhës, ka rreth 600 000 kokë dele. Për sa i përket përmirësimit të racës, pak është bërë, bile nga pakujdesitë në këtë drejtim, shtypi në gjuhën shqipe ka folur shpesh se përqindja e bagëtive shterpa është e madhe dhe pengon shtimin e numrit të tyre. Kështu, p.sh.: “Rilindja”, datë 5 prill 1956, tregon se vetëm në rrethin e Pejës, “Sipas një analize të ekspertëve, shterpësia e deleve shkon deri në 40 % dhe e dëmton blegtorinë me më tepër se 40 milionë dinarë në vit”.

Për sa i përket gjendjes së tregut në këtë krahinë, ashtu si në të gjithë Jugosllavinë, ka mallra, si bujqësore ashtu edhe industriale. Në pjesën më të madhe këto janë prodhim jugosllav. Ndërsa, në qytetet e mëdha të Jugosllavisë gjen mallra të kualitetit të mirë. Në krahinë ashtu si edhe në disa krahina të tjera të Jugosllavisë, më tepër ka mallra të kualitetit të dobët dhe kjo për t’u përgjigjur pak a shume fuqisë blerëse të kësaj krahine.

Me sa kemi parë gjatë udhëtimeve të bëra në Jugosllavi, duke përfshirë edhe krahinën e Kosovës e Metohisë, bie në sy se midis punëtorëve e nëpunësve në qytet dhe fshatarësisë, ka ndryshime të mëdha për sa i përket veshjes së tyre dhe fuqisë blerëse në përgjithësi. Nëpunësit dhe punëtorët në qytete janë veshur më mirë dhe shihet se blejnë më tepër në treg, kurse fshatarët janë të veshur në shumë raste, keq. Kjo veçanërisht bie në sy në Kosovë. Një gjë e tillë vjen sepse nëpunësit dhe punëtorët kanë rroga bazë, përfitojnë përqindje për çdo fëmijë, në shumë raste fusin gratë në punë dhe kështu kanë të ardhura më tepër. Rroga mesatare për një nëpunës ose punëtor është 8-10 mijë dinarë në muaj; ndërsa fshatari ka më pak të ardhura sepse prodhimet bujqësore janë shumë më të lira se prodhimet industriale. Fshatari nuk ka sigurime shoqërore, ose shtesa për fëmijë. Taksat në para nuk janë të vogla. Këto kohët e fundit u rriten, më tepër sesa kanë qenë deri më sot. Aq më tepër, të ardhurat e fshatarësisë varen edhe nga i zoti i mirë ose i keq, për faktin se shteti deri më sot asgjë nuk ka bërë për kanalizime, kullime ose vaditje.

Në krahinën e Kosovës e Metohisë, prodhimet bujqësore në vitet e fundit nuk kanë qenë të mira. Këtë e thonë jo vetëm fshatarët kosovarë, por edhe njerëzit zyrtarë. Prodhimet jo të mira bujqësore vijnë jo vetëm nga konditat e këqija atmosferike, por edhe nga faktorët që folëm më lartë. Pikërisht për shkak të të ardhurave të pakta që ka fshatarësia e Kosovës në mjaft zona, shumë njerëz nga kjo krahinë detyrohen të largohen në qytete të tjera për të siguruar punë, veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Në Beograd shihen më shumë se kudo, shqiptarë të Kosovës në punë të ndryshme, si druvarë etj. Këta janë dhe të veshur më keq se kushdo tjetër.

Këta sektorë, për të cilët u fol më lart, tregojnë gjendjen ekonomike të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, si dhe çmendohet të bëhet në të ardhmen.

Për bërjen e këtij relacioni, ne jemi mbështetur në udhëtimin e bërë në Kosovë gjatë muajit prill të këtij viti, në shtypin shqip që del në këtë krahinë dhe në bisedime me vizitorët e kësaj Legate.

Ministri, Bato Karafili

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (7)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura