DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (7)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

      -12-

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë

Vdekje fashizmit – Liri popullit

Nr. Prot. 176 

Beograd, më 31.10.1957                            

Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Degës së Dytë), Tiranë

Relacion mbi gjendjen në Kosovë dhe Metohi

A. Pasqyrë e shkurtër mbi Kosovë e Metohinë

Minoriteti shqiptar në Jugosllavi banon në pjesën më të madhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë. Pjesa tjetër e këtij minoriteti është një përbërjen e Maqedonisë dhe e Malit të Zi. Jugosllavi Milenko Kangra, shkruan në botimin: “Jugosllavia e re”, faqe 63, se Krahina e Kosovës dhe e Metohisë në ligjet e Republikës Popullore të Serbisë, të 1 dhe 3 shtatorit 1945, fitoi një statut të veçantë si pjesë autonome. Ky statut i Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, u konsolidua në Kushtetutën e Republikës Popullore të Serbisë të vitit 1947, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe funksionet e kësaj pjese autonome.

Pozita e tanishme, vendi dhe roli i Krahinës Autonome të Kosovës-Metohisë është përcaktuar më ligjin e bashkimit konstitucional, i cili mjaftohet vetëm me vërtetimin e statutit Autonom të Krahinës Kosovë e Metohisë, brenda Republikës Popullore të Serbisë, ndërsa ligji konstitucional i Republikës Popullore të Serbisë i vitit 1953, përcakton të drejtat autonome, organet kryesore dhe organet qeveritare vartëse të kësaj krahine autonome. Organi më i lartë i qeverisjes së Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë është Këshilli Popullor i Krahinës, i cili përbehet prej dy dhomash: nga Dhoma Krahinore dhe nga Dhoma e Prodhuesve. Pozita e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, ndryshon nga pozita e Krahinës Autonome të Vojvodinës vetëm në atë se Krahina Autonome e Vojvodinës ka gjykatën e lartë të saj në rangun e gjyqit të lartë të Republikës, ndërsa ky funksion nuk ekziston në Krahinën e Kosovë-Metohisë.

Sipas të dhënave jugosllave (Milosh Maçura-Stanavnistve) Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë zë një sipërfaqe prej 10.700 km2 dhe një popullsi prej 857 000 banorë. Në këtë shifër përfshihen edhe serbët dhe malazezët që banojnë në këtë krahinë së bashku me shqiptarët. Sipas këtij, numri i përgjithshëm i shqiptarëve në gjithë Jugosllavinë është 752 000 banorë dhe që përbën 4.4% të numrit të përgjithshëm të banorëve që ka sot Jugosllavia.

Jovan Veselinovi, kryetar i Skupshtinës Popullore të Serbisë, shkruan në librin 10 vjet të Jugosllavisë popullore faqe 269, se mbas Sanxhakut që konsiderohet si territori më i prapambetur jo vetëm i Republikës së Serbisë, por i gjithë Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, vjen Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë.

B. Problemi i Kosovë e Metohisë në Jugosllavi pas referatit të shokut Enver

Pjesa e referatit të shokut Enver në plenumin e shkurtit të këtij viti mbi gjendjen e mjeruar të shqiptarëve të Kosovë e Metohisë dhe mbi qëndrimin shovinist antimarksist, dhe politikën ë shkombëtarizimit që po ndjek udhëheqja jugosllave në këtë krahinë, e revoltoi së tepërmi udhëheqjen e shtetit jugosllav. Kuptohet fare lehtë se preokupacioni dhe nervozizmi që treguan jugosllavet për këtë çështje është i lidhur me realitetin e mjeruar të gjendjes së popullsisë shqiptare të kësaj krahine që vuan njësoj si në kohën e karagjergjoviqëve. Duke mos pasur çfarë të thonë lidhur me këtë çështje, jugosllavët ngritën zërin në mënyrë alarmante se gjoja në referatin e shokut Enver, po cenohej integriteti dhe sovraniteti i Jugosllavisë. Në këtë reagim të madh të jugosllavëve kundër referatit të shokut Enver, u mobilizuan të gjithë njerëzit më me përgjegjësi të shtetit jugosllav, deri edhe vetë Titoja. Sulmin e jugosllavëve kundër referatit të shokut Enver e filloi Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, Koço Popoviqi, me ekspozenë e tij mbi politikën e jashtme të RFP Jugosllavisë, që mbajti më 26 shkurt 1957, në mbledhjen e Skupshtinës Popullore të Jugosllavisë. Përveç kësaj, më 1 mars 1957, Legatës së RP Shqipërisë në Beograd iu dorëzua një notë proteste nga ana e Sekretariatit të Shtetit për Punë të Jashtme të RFP të Jugosllavisë, për të njëjtën çështje. Në plenumin e 5-të të Këshillit Federativ të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës, që u mbajt në Brioni, më 18-19 prill 1957, Rankoviqi dhe Tito sulmuan përsëri me shpifje të ulëta referatin e shokut Enver.

Veç sa më sipër, jugosllavët sulmin e tyre kundër referatit të shokut Enver e organizuan dhe e drejtuan në një mënyrë të posaçme në zonën e Kosovë e Metohisë, ku gjendet minoriteti shqiptar. Më 26 mars në klubin e këshilltarëve të Këshillit Popullor Krahinor në Gërmi, u mbajt mbledhja plenare e Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Serbisë për Kosovë e Metohi. Në këtë mbledhje Fadil Hoxha mbajti një fjalim kundër referatit të shokut Enver, duke vjellë vrerin dhe shpifjet më të mëdha kundër vendit tonë, dhe njëkohësisht u mundua me gënjeshtra të tregojë se gjoja gjendja në Kosovë dhe Metohi ishte e mirë. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Voja Bekoviq, anëtar i Kryesisë së Këshillit Kryesor të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Serbisë. Veç këtij, një numër i madh njerëzish në përgjithësi si në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë dhe të RP Serbisë, morën pjesë në mbledhje dhe diskutuan. Diskutuesit ishin këta: Hysen Prekazi, Sinan Hasani, Staneje Aksiqi, Qazim Bajgora, Refki Dauti, Veli Deva, Alush Zariqi, Alush Gashi, Pavle Jeviqeviqi, Mehmet Maliqi dhe Predrag Ajtiqi, që janë anëtarë të Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste, ndërsa nga të ardhurit në mbledhje morën pjesë në diskutime Voja Lekoviqi, Mehmet Hoxha dhe Hafiz Bajram Agani. Në fund të kësaj mbledhjeje u botua edhe një rezolucion i gjatë.

Fushata kundër referatit të shokut Enver në Jugosllavi dhe veçanërisht në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, vazhdoi edhe për një kohë shumë të gjatë. Fillimi i saj siç përmendem më sipër ishte 26 shkurti dhe mbaroi në fillim të qershorit të këtij viti. Gjatë kësaj kohe në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë u organizuan edhe mbledhje të fetarëve islamikë, ku mori pjesë edhe Mehmet Hoxha, anëtarë i Veçes Ekzekutive të Serbisë. Në fund të mbledhjes u mbajt edhe një rezolucion i cili dënon qëndrimin e disa udhëheqësve të Shqipërisë në lidhje me gjendjen e shqiptarëve të Kosovë e Metohisë, dhe nga kjo mbledhje i është dërguar edhe një telegram Titos. Po kështu me rastin e ditëlindjes së Titos u organizuan me qëllim për të vajtur dhe uruar atij ditëlindjen, midis të tjerëve dhe njerëz nga Kosovë e Metohia dhe t’i flasin atij për gjoja gjendjen shumë të mirë të shqiptarëve të Jugosllavisë, për përkujdesjet që gjoja tregon për ata Qeveria jugosllave, dhe më këtë rast të shprehen kundër udhëheqjes së vendit tonë. Në këtë fushatë të madhe sulmi që organizuan jugosllavët kundër referatit të shokut Enver, ka marrë pjesë aktive edhe shtypi jugosllav si ai qendror që doli në gjuhën serbo-kroate, dhe po kështu në një mënyrë të veçantë shtypi që del në gjuhën shqipe në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, me shpifje dhe trillime më banale.

Nga të gjitha këto që përmendëm më sipër, del në shesh se sa e ka tronditur udhëheqjen jugosllave e vërteta e madhe që tregoi shoku Enver në referatin e tij. Referati i shokut Enver, pati një jehonë shumë të madhe në një mënyrë të posaçme, në minoritetin shqiptar të Kosovë e Metohisë. Vizitorët e ndryshëm shqiptarë që kanë ardhur në këtë përfaqësi e kanë shprehur haptas simpatinë dhe dashurinë e tyre të thellë ndaj udhëheqjes së partisë sonë që me guxim të madh dhe me kurajo të tregojnë përpara botës të vërtetën mbi gjendjen e shqiptarëve të Kosovë e Metohisë dhe të krahinave të tjera që banojnë në Jugosllavi. Këtë gjë na e kanë shprehur edhe jashtë selisë së kësaj përfaqësie shqiptarë të ndryshëm të ardhur në Beograd për të punuar në punë të ndryshme për shkak të gjendjes së tyre ekonomike shumë të vështirë në Kosovë e Metohi.

Me gjithë fushatën e madhe që organizoi udhëheqja e shtetit dhe e Partisë së Bashkimit të Komunistëve të Jugosllavisë, kundër referatit të shokut Enver, ky veprim nuk mund t’i mbushte mendjen as edhe njeriut më të thjeshtë si brenda Jugosllavisë dhe po kështu edhe jashtë dhe që ka pasur rastin të vizitojë Jugosllavinë. Fiasko të plotë kjo fushatë pat në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë. Udhëheqja e shtetit dhe e partisë jugosllave e pa të qartë se si fjala nuk mund të mbulonte të vërtetën e mjeruar të popullit shqiptar të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë.

Gjendjen e mjeruar të kësaj krahine e di edhe njeriu më i thjeshtë në Jugosllavi, dhe kjo është shprehur në një mënyrë ose në një tjetër edhe në shkrimet e ndryshme nga vetë jugosllavët. Përpara kësaj gjendjeje dhe duke mos pasur rrugëdalje tjetër dhe me qëllim që të qetësojnë në këtë situatë në radhë të parë shqiptarët e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, udhëheqja e partisë dhe e shtetit jugosllav e pa të nevojshme dhe imperative, që të dërgojë urgjentisht gjatë muajit qershor të këtij viti në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, disa nga njerëzit me më përgjegjësi në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë dhe të shtetit jugosllav, Svetozar Vukmanoviq Tempon, nënkryetar i Veçes Ekzekutive Federale, Jovan Veselinovin, Millosh Miniqin dhe Gjoka Pajkoviqin, për të studiuar në vend mundësitë e zhvillimit ekonomik të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë. Ata vizituan pothuajse të gjithë Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, të shoqëruar nga Dushan Mugosha, Fadil Hoxha dhe të tjerë. Në të gjitha qendrat e rretheve ku ata vizituan, u organizuan mbledhje të posaçme. Kryetarët e këshillave popullore të këtyre rretheve, paraqitën në këtë mbledhje referate të gjera për rezultatet që gjoja janë arritur në rrethin e tyre dhe mundësitë e zhvillimit të ardhshëm të rrethit. Në këto mbledhje e morën fjalën edhe Vukmanoviq Tempo, Veselinevi etj. me radhë. Të gjithë në diskutimet e tyre u munduan të vënë në dukje se “faktorët ekonomikë dhe politikë të rretheve dhe të komunave janë orientuar mirë nga problemet”, porse nuk shpëtuan dot për të deklaruar të vërtetën që Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë është një vend i pa zhvilluar ekonomikisht. Ata me fjalë siguruan mbledhjet se me qenë se Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë është një vend i pazhvilluar ekonomikisht dhe duke marrë parasysh politikën e Qeverisë jugosllave për të zhvilluar viset e pazhvilluara, priten që tani e tutje të korren rezultate edhe më të mëdha, për të cilat ekzistojnë kushte mjaft të volitshme, si për zhvillimin e industrisë, veçanërisht të metalurgjisë së ngjyruar, ashtu edhe për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë në këtë krahinë.

I gjithë aparati propagandistik jugosllav i dha publicitet shumë më të madh kësaj vizite. Të gjitha fletoret qendrore, po kështu edhe ato të republikave për çdo ditë jepnin informacione shumë të gjëra rreth kësaj vizite.

C. Gjendja në Kosovë dhe Metohi

1. Industria

Sikurse përmendem në fillim të këtij relacioni, Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është më e prapambetura mbas Sanxhakut në gjithë territorin e Jugosllavisë. Megjithëse në Jugosllavi pas çlirimit i ishte dhënë rëndësi çështjes së industrializimit të vendit, në Kosovë e Metohi u bë shumë pak në këtë drejtim. Gjatë kësaj periudhe që nga çlirimi dhe këtej, në krahinën autonome të Kosovë e Metohisë, sipas të dhënave që na jep Jovan Veselinov, në librin 10 vjet në Jugosllavinë e re, rezultojnë të jenë bërë investime vetëm në këto objekte: është zgjeruar miniera e Trepçës në afërsi të Mitrovicës, ku nxirret plumb, zink, flori dhe argjend dhe janë hapur disa miniera të reja në Devë Hajvali, Janjevë, Novobërdë. Është ngritur fabrika e çimentos në Sharr dhe janë hapur dy miniera në Golesh dhe në Drenicë. Është ngritur punishtja e fijeve të pambukut në Prishtinë. Gjithashtu dhe fabrika e vajit në Uroshevac.  

Nga të gjitha këto të dhëna del e qartë se Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë, nuk ka bërë aspak përparim sa i përket lëmit industrial dhe mbetet gjithnjë një vend ku bujqësia e ka vendin e parë. Këto prapambetje të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, pas 13 vitesh çlirimit që numëron sot Jugosllavia, e njeh edhe vetë Vukmanoviq Tempua, gjatë vizitës që i bëri kësaj krahine në qershor të këtij viti. Ja si shprehet Vukmanoviq Tempo për këtë në fjalimin e tij që mbajti në Germi afër Prishtinës: “Në planin e përgjithshëm të politikës së industrializimit janë zhvilluar krahinat e prapambetura sikurse janë Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, Dalmacia dhe Maqedonia. Mirëpo, disa krahina sigurisht kanë ngelur prapa atyre që po zhvillojmë. Në ato krahina përveç Kosovë e Metohisë përfshihen edhe Sanxhaku dhe disa rajone të tjera të ngushta”. Në të gjithë ekonominë e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, industria përbënë 3.5% të të gjithë ekonomisë, ndërsa industria shfrytëzimi i mineraleve, prodhimi i artizanatit, ndërtimet përbëjnë 12.5% të të gjithë ekonomisë.

Edhe mbas vizitës se Vukmanoviq Tempos e të tjerëve, nëpër Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, përsëri nuk do të ngrihen objekte industriale. Gjithnjë Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë do të shërbejë si një vend për të furnizuar me lëndë të parë industrinë Jugosllave. Kjo gjë u justifikua me atë që kjo Krahinë duhet të zhvillohet në mënyrë që të plotësoi ekonominë jugosllave, industria e se cilës sot punon me 50% deri në 60% të kapacitetit të saj dhe se për këtë nuk ka mundësi që të bëhen investime të reja në industri, porse duhet të kihet parasysh tani për tani se si të fitohet materiali riprodhues dhe lëndët e para për industrinë jugosllave. Në këtë pikëpamje Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë u caktua të konsiderohet si bazë materiale e metalurgjisë së ngjyruar, e industrisë së drurit, të industrisë së duhanit, rajon bujqësor dhe si bazë për lëndët e industrisë për përpunimin e prodhimeve bujqësore. Në këtë drejtim u theksua që në këtë krahinë të zhvillohen pa investime sidomos prodhimtaria e metalurgjisë së ngjyrosur në bazën e shfrytëzimit racional të mbeturinave të minierave të Trepçës, gjithashtu të zhvillohet pa investime të mëdha prodhimi i tri llojeve të plehrave kimike: fosfatit, azotit dhe kaliumit. Në mbledhje që u mbajt në Zveçan me ekonomistët dhe ekspertët e minierave të Trepçës, ku merrnin pjesë dhe personalitete të tjera të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, u shqyrtuan mundësitë e mëtejshme të prodhimit dhe të zgjerimit të këtyre minierave dhe kryesisht mundësitë e shfrytëzimit të mbeturinave të kësaj miniere. Kështu nga mbeturinat e këtyre minierave jugosllavët parashikojnë të prodhojnë squfur, magnez, hekur dhe prej mbeturinave të plumbit, argjendit dhe bismutit do të prodhojnë akumulatorë. Sipas llogaritjeve aproksimative që bëjnë jugosllavët, rezervat e piritit dhe pirotinës janë prej 9 milionë tonelatash. Gjithashtu, jugosllavët janë duke vazhduar studimet dhe përgatitjet për shfrytëzimin e mbeturinave të zinkut që mbetet në furrat e larta dhe nga të cilat mendojnë të nxjerrin disa dhjetëra-mijëra tonelata zink dhe plumb. Për këtë qëllim, jugosllavët po bashkëpunojnë me disa firma të huaja. Veç sa përmendem më sipër, po bëhen kërkime në Koperiq, ku parashikohet që rezervat e minierave të jenë më shumë se 7 milionë tonelata.

Gjatë diskutimeve në mbledhjet e ndryshme që u bënë me rastin e vizitës të Vukmanoviq Tempos, diskutuesit e ndryshëm ndër të tjera shprehen dëshirën duke venë në dukje mundësitë e favorshme që ka kjo krahinë për ngritjen e një fabrike sheqeri, e një fabrike të prodhimeve farmaceutike dhe një fabrikë çimentoje, porse këto gjëra u hodhën poshtë si të panevojshme, duke thënë se fabrika e sheqerit punon vetëm 90 ditë, ndërsa për të tjerat u tha se “nuk mund të merren parasysh të ndërtohen në këtë vend, megjithëse ka kushte të mira”.

Përveç gjërave që përmendëm më sipër, Krahina Autonome e Kosovë e Metohisë për jugosllavët ka paraqitur një interes të veçantë për sa i përket minierave të qymyrgurit (linjitit), që gjendët këtu me sasira të mëdha. Për këtë qëllim jugosllavët për një kohë të gjatë kanë zhvilluar këtu punime kërkimesh. Mbas gjithë këtyre kërkimeve gjeologjike u shpall se rezervat në qymyrguri në Kosovë e Metohi, kapin një shumë prej 6 miliardë e gjysmë tonë. Miniera e qymyrgurit zë një sipërfaqe prej 105 kilometrash katror. Sipas të dhënave të jugosllavëve, 0 metra nën sipërfaqen e tokës ndodhet qymyrguri më një trashësi prej 50 metrave. Ky do të jetë qymyrguri më i lirë në Jugosllavi. Në lidhje me këto miniera, jugosllavët që tani po bëjnë parashikime dhe propagandë të madhe se prej qymyrit të gjetur do të prodhohet edhe gaz, naftë, benzinë dhe do të zhvillohet industria kimike. Sipas deklaratave të teknikëve jugosllavë në Obiliq, do të ngrihet një fabrikë për prodhimin e gazit. Industria dhe banesat në Shkup, Kralevë, mundet edhe deri në Beograd të marrin energji dhe të ngrohet nga kaloritë e linjitit të Kosovës. Pjesa më e dobët e këtij qymyri që ka deri në 2 000 kalori mund të jap deri në 4 500 kalori si gaz. Gazi i këtij qymyri do të shërbejë për të fituar plehra azotike dhe nitrate të amoniumit për nevojat e bujqësisë. Tani po zhvillohet edhe një kombinim tjetër për të bashkuar amoniakun, i cili mund të nxirret nga gazi me sulfitin e minierave të Trepçës me qëllim që të fitohen preparate kimike të veçanta. (Gazeta “Politika”, 24 shtator 1957).

Akoma në këto miniera të qymyrgurit nuk ka filluar prodhimi, por se po bëhen punime përgatitore për shfrytëzim. Një pjesë të materialeve që do të përdorën për shfrytëzimin e këtyre minierave, jugosllavët e kanë porositur në Bashkimin Sovjetik. Jugosllavët importojnë sasi të mëdha qymyrguri për çdo vit për nevojat e industrisë se tyre. Megjithatë, qymyrguri i gjetur në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë nuk ka kalori të larta që t’i përgjigjet nevojave industriale.

Prodhimi i artizanatit në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, zë 4.3% të prodhimit. Artizanati para lufte paraqiste një forcë të mirë ekonomike, në këtë krahinë. Jugosllavët pas çlirimit janë munduar të ngejnë një artizanat të kooperuar, por se ky shkoi edhe shkon gjithnjë keq e më keq. Ja çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, më datë 22 shtator 1957: “Sektori socialist i zejeve është i dobët. Para lufte ka qenë më i fortë ekonomikisht. Ekzistojnë zejtarë për të cilët mund të thuhet lirisht se shumë pak kanë ecur në zhvillimin e tyre e nuk janë rentabël dhe mbahen gjallë në llogari të bashkësisë, dhe më poshtë: “Quhen socialistë edhe pse nuk i kontribuojnë shoqërisë”.

Bujqësia

Bujqësia në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, përbën 70,2% të gjithë ekonomisë së kësaj krahine. Vetëm 3% e sipërfaqes së tokës gjendët në sektorin socialist. Megjithëse bujqësia përbën bazën themelore ekonomike të kësaj krahine, ajo gjendet me të vërtetë në një gjendje jashtëzakonisht të ulët. Jugosllavët këtë gjendje të mjeruar të bujqësisë së kësaj Krahine, përpiqen ta justifikojnë në këtë mënyrë:

1. Si gjë themelore dhe esenciale vënë rendimentin e ulët të prodhimeve.

2. Pronat e vogla me qenë se 30% të familjeve bujqësore në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë kanë vetëm nga një hektar tokë, dhe se në katund banojnë 9% familje bujqësore që nuk kanë tokë.

3. Se në katundet e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, shumica e katundarëve mbjell ato kultura që i nevojiten për të siguruar bukën e gojës, dhe në rast se i mbetet ndonjë gjë e shet në treg.

4. Shtimin e madh të popullsisë në Krahinë dhe si rrjedhojë e kësaj copëtimin e vazhdueshëm të pronave bujqësore.

5. Sektori socialist është shumë shumë i dobët, sepse janë formuar mjaft prona bujqësore prej tokave të braktisura dhe batalle. (“Rilindja”, 14 shkurt 1957).

Kjo gjendje e mjeruar në bujqësi në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë është rezultat i politikës ekonomike që ka ndjekur Jugosllavia në lëmin e bujqësisë. Bujqësia ka katandisur më keq se më parë dhe bujqit e varfër po shfrytëzohen në mënyrën më brutal.

Në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, ka 42,1% prona bujqësore katundare pa asnjë ka dhe kalë për punë. Në këtë drejtim gjendja më e vështirë është në rrethin e Pejës, ku afro 55% të pronave bujqësore katundare nuk kanë fare kafshë pune. Disa katunde të kësaj Krahine të japin një pasqyrë të mjeruar, sepse 79% të katundarëve të Veriqit nuk kanë kafshë pune. Në katundin Dobrushë ka 82% kafshë pune, ndërsa në katundin Lubovë 84%. Prej 60 shtëpive të katundit Rosija, 52 prej tyre nuk kanë kafshë pune, ndërsa prej 89 shtëpive të Leshanit 61 prej tyre nuk kanë kafshë pune. Gjithashtu, në komunën e Banjës prej 1 294 familjeve që ekzistojnë në këtë komunë, vetëm 215 prej tyre kanë plugje për të punuar tokën.

Në këtë gjendje të tillë sikurse përmendem më sipër, për sa i përket kafshëve të punës dhe mjeteve të punës, katundari i varfër është i detyruar që t’i drejtohet atij më pasanikut, i cili ka kafshët e punës dhe mjetet e tjera, ose kooperativave bujqësore që kanë traktorë. Porse, duke marr parasysh se kooperativat nuk mund të japin asnjë ndihmë në këtë drejtim, katundarët që nuk kanë mjete pune detyrohen t’i kërkojnë këto nga ana e katundarëve të pasur, duke i paguar shumë shtrenjtë dhe duke u eksploator në këtë mënyrë nga ana e pasanikëve. Kafshët e punës, (nga sa shkruan “Rilindja” e datës 3 shkurt 1957), paguhen në këtë mënyrë. Në komunën e Leshanit 5 500 deri 6 000 dinarë për një hektar tokë që do të lërojë katundari, në komunën e Gorazhdevcit 5 700 deri 6 700 dinarë, në komunën e Gjakovës 6 000 deri në 7 000 dinarë. Ata që nuk mund të paguajnë në të holla, janë të detyruar të paguajnë kundërvlerën me fuqinë e tyre të krahut, duke punuar 20 deri në 25 ditë si argat. Në rast se kjo gjë llogaritet në të holla, duke e zënë 400 dinarë ditën, del se për të lëvruar një hektar tokë paguajnë 8 000 deri në 10 000 dinarë. Veç kësaj, shumë fajdexhinj në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë janë orientuar nga bujqësia. Ata kanë blerë kafshë pune dhe këto ua japin katundarëve të varfër për të punuar me to. Ai që merr kafshët e tilla për punë, detyrohet që brenda gjashtë ose shtatë muajve t’iu a kthejë pronarëve kafshët dhe 500 deri në 700 kg grurë ose 8 000 deri në 10 000 kg misër, gjë e cila të shumtën e herës kapërcen edhe vleftën e kafshëve të marra me qira. Është e natyrshme që në këtë situatë përqindja e familjeve bujqësore pa kafshë pune në këtë Krahinë të shtohet për çdo vit. Ky proces nuk mund të ndalet në rastin e pronës individuale që dominon në këtë Krahinë.

Edhe sektori socialist në bujqësi në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë është në gjendje shumë të keqe. Megjithëse në këtë sektor kanë investuar shuma shumë të mëdha, prapë se prapë gjendja paraqitet shumë e keqe. Këtë gjendje të keqe të këtyre ekonomive e njohin vetë udhëheqësit e kësaj krahine. Ja si shprehet Fadil Hoxha në diskutimin e tij në mbledhjen vjetore të dhomës së bujqësisë dhe pyjeve: “Ne duhet patjetër t’i kushtojmë kujdes serioz forcimit të sektorit socialist, në rend të parë forcimit të pronave bujqësore, shtetërore, sepse në një numër të madh këso pronash dhe ekonomish gjendja nuk është e mirë. Duhet të mendojmë mirë pse rezultatet nuk janë aq të mira në këto prona, ku investimet nuk janë aq të vogla”.

Numri më i madh i kooperativave në këtë krahinë paraqitet me bilance negative. Në një mbledhje të Këshillit Drejtues të Bashkimit të Kooperativave Bujqësore të rrethit të Prizrenit, që u bë në tremujorin e parë të këtij viti, u konstatua një krizë e madhe financiare në të cilën na kanë rënë një pjesë e madhe e kooperativave bujqësore. Vetëm 6 kooperativa të këtij rrethi kanë bilanc pozitiv, ndërsa 14 kooperativa kanë 10 milionë borxhe të vjetra. Këtë gjendje të keqe jugosllavët përpiqen ta justifikojnë si shkak të udhëheqjes së keqe të organeve kooperative dhe nga përzierja e pavend e organeve të pushtetit në qeshjet e tyre materiale dhe financiare.

Edhe për sa i përket blegtorisë, gjendja nuk paraqitet aspak e mirë. Vetë Fadil Hoxha, në mbledhjen vjetore të Odës së Bujqësisë dhe Pyjeve, u shpreh në këtë mënyrë: “Pakësimi i numrit të bagëtive në pronat socialiste, sidomos në pronat bujqësore të shtetit, është rezultat i faktit se këto prona nuk kanë leverdi me majtë bagëti ekstensive. Gjithashtu tha se, struktura e krahinës sonë, për arsye se nuk ka mjaft tokë të punueshme dhe kullosa, e kërkon mbajtjen e bagëtive intensive dhe se duhet me i kushtua kujdes serioz mirëmbajtjes së bagëtisë së racave të mira, merinizimit të dhënëve etj.

Tatimet dhe taksat e tjera që aplikohen në bujqësi janë të rënda. Për të ardhurat kadastrale deri në 30 000 dinarë, duhet të paguhet tatimi në shkallen prej 10 deri 15%, kurse në të ardhurat prej 30 deri 50 mijë në shkallën prej 11-17% dhe për të ardhurat përmbi 700 000 dinarë, tatimi do të paguhet në përqindjen prej 40-44%. Në tatimet e të ardhurave bujqësore parashikohet pagimi i tatimeve dhe për përdorimin e fuqisë së huaj punëtore në shkallën prej 5% për një punëtor në vit. Por, bujqësisë nuk iu nënshtrohen vetëm tatimet mbi të ardhurat bujqësore. Porse edhe taksave për bagëtinë e punës, taksave për mjetet e punës si dhe taksat për vreshtat hibrid. Kështu për shembull, për qengjat e letë paguhet 300 dinarë në vit, ndërsa për qengjat e rëndë 500 dinarë, për buall 300 dinarë, ndërsa për kuaj 300 deri 1 000 dinarë në vit; për një kazan për zierjen e rakisë paguhet prej 2 deri në 5 mijë dinarë në vit për makinat fshirëse prej 2 deri në 10 mijë dinarë, për mullinjtë e lumenjve dhe të jazeve për çdo palë gurësh nga 1 500 dinarë, ndërsa për mullinjtë me motor për çdo palë gurësh nga 3 000 dinarë. Taksë në vit edhe për mullinjtë me cilindra, për çdo cilindër nga 6 000 dinarë, për një traktor paguhet 10 deri në 15 mijë dinarë në vit, për vreshtat hibrid 5 dinarë në vit, për çdo rënie ardhje.

Mbledhja e tatimeve mbi të ardhurat bujqësore, si edhe taksat e tjera që rendojnë mbi bujqit realizohen në një përqindje të vogël, kuptohet se për bujqit të gjitha këto taksa janë një barrë shumë e rëndë për të dëshmuar më së miri për këtë gjë vetë shtypi që del në Kosovë e Metohi, shkruan se gjatë 9 muajve të vitit: të kaluar në këtë krahinë ishin realizuar vetëm 57% të planit vjetor të tatimeve të bujqësisë, ndërsa taksat mbi pasurinë e bujqve vetëm 47%.

Në lëmin e kanalizimeve, mbrojtjes së tokave nga shpërthimet e lumenjve dhe vaditjes nuk është bërë asgjë. Veçanërisht lumenjtë me shpërthimin e tyre ju sjellin dëme të mëdha ekonomike bujqësore nga viti në vit. Edhe ato pak punime për rregullimin e ndonjë shtrati lumi në këtë krahinë, jugosllavët paraqitën më tepër t’i bëjnë me punën angari të bujqve dhe të kafshëve të punës që këta disponojnë, duke mos e parë këtë gjë si heshtje që kryesisht shteti duhet t’i kryej këto aksione. Kështu për shembull, për rregullimin e lumit të llapit, u caktua që çdo katundar i aftë për punë në këtë rreth, do të punonte 5 ditë pune pa pagesë dhe 4 ditë pune do të punonin kafshët e punës të çdo familjeje fshatare. Katundarët që nuk i kryenin këto punime detyroheshin të paguanin 300 dinarë në ditë, ndërsa për kafshët e punës 800 dinarë në ditë.

Edhe për sa i përket hapjes së tokave të reja, gjendja paraqitet shumë e keqe. Vetëm tani së fundi janë parë mundësitë e çeljes së tokave të reja. Sipas një lajmi që jep gazeta “Politika” e datës 30 korrik 1957, në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, do të hapen deri në vitin 1961 60 000 hektarë toka të reja, nga kullotat dhe shkorret. Nga këto toka të reja 45 000 hektarë do të hapen në rrethin e Prizrenit dhe të Pejës. Në rrethin e Pejës është parashikuar që këtë vit të hapen 23 000 hektarë tokë të reja.

Në lëmin e teknikave bujqësore, kjo krahinë ka një numër shumë të vogël dhe në disa krahina të kësaj zone mungojnë fare pak. Ja çfarë shkruhet në një artikull të gazetës “Rilindja”: (20 tetor 1957). “As komuna as tri kooperativat bujqësore nuk kanë asnjë ekspert bujqësor, financiar, ekonomik e le më jurist e punëtor mjekësor”. Gjatë vizitës së Svetozar Vukmanoviq Tempos, Jovan Veselinovit, Millosh Miniqit, që i bënë kësaj krahine në qershor të këtij viti, u caktua që në radhë të parë në këtë Krahinë Autonome t’i kushtohet kujdes prodhimit të duhanit, dhe të shikohen edhe mundësit për prodhimin e pambukut të bimëve të vajit dhe të tjera. Nga radhitja e sipërme e gjërave shikohet se jugosllavët gjithnjë e kanë qëllimin që edhe në prodhimet bujqësor të kësaj krahine vendin e parë të zënë ato kultura që janë të lidhura me industrinë. Sa i përket prodhimit të grurit dhe të misrit u theksua që për këto kultura bujqësore të bëhet një punim më i mirë i tokës dhe të përdoren plehrat kimike më të përshtatshme, si dhe plehrat natyrale, në mënyrë që të arrihen rendimente më të mëdha dhe të sigurohet edhe farë e mirë.

Sa i përket problemit të bujqësisë, Vukmanoviq Tempo, rekomandoi që në Kosovë e Metohi të formohen bankat bujqësore të cilat sipas atij do ta akumulonin mjetet e bujqësisë dhe se këto mjete nëpërmjet bankave do të qarkullonin më shpejt. Ai foli gjithashtu edhe për prodhimin e frutikulturës dhe të blegtorisë. Por, mbi të gjitha për Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, Vukmanoviq Tempua, i dha rëndësi çështjes së prodhimit të duhanit në këtë krahinë për të cilën premtoi dhe ulje të tatimit duke thënë tekstualisht: “Federata është gati me zvogëlua një pjesë të tatimit për duhan në mënyrë që të zhvillohet edhe në prodhimin e duhanit”. (Gazeta “Rilindja”, 16 qershor 1957, faqe e tretë).

Është e kuptueshme se në këtë gjendje në të cilën ndodhet bujqësia në Krahinën e Autonome të Kosovë e Metohisë, i vetmi shpëtim saj është krijimi i formave socialiste të prodhimit bujqësor. Këtë gjë e kuptojnë dhe jugosllavet vetë, por se për arsye të ditura, këta i largohen këtij problemi për t’i hyrë drejtë dhe mirë, por se i sillen larg dhe larg, në disa forma që nuk sjellin ndonjë dobi. Në muajin shtator të këtij viti në Germi afër Prishtinës u bë një mbledhje plenare e Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste, ku u shqyrtua kryesisht krijimi i marrëdhënieve midis kooperativave dhe prodhuesve individual në bujqësi. Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte që kooperativat që ekzistojnë sot në këtë krahinë kooperojnë me bujqit individualë dhe t’u vinë në ndihmë këtyre të fundit me mjetet e tyre në bazë të kontratave që do të firmojnë me ta. Ja si shprehet në këtë drejtim Katerina Paternogiq, e cila mbajti referatin kryesor në këtë drejtim: “Krahinën tonë që e karakterizon dominimi i sektorit individual të bujqësisë, imtësimi i pasurive, dendësia e madhe bujqësore, dhe mënyra e vjetër, primitive e ekonomizimit, roli i kooperativave bujqësore, si organizata ekonomike të prodhuesve individual dhe mbajtëse të përparimit dhe të ngritjes së prodhimtarisë bujqësore, është çështje kryesore”. “Nëpërmjet saj, të kooperativës bujqësore, duke marrë parasysh kushtet në katund mund të luftojmë për modernizimin dhe për përparimin e prodhimtarisë bujqësore, duke bërë investime materiale, duke përdor mjete shoqërore për prodhimtari dhe zhvillim formash shoqërore socialiste prodhimtarie”.

Për sa i përket, kooperimit dhe të kooperativave bujqësore me bujqit individualë, kjo mbledhje e gjerë plenare e Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë caktoi si orientim që kooperimi të bëhet në sipërfaqe me rendimente të larta. Po në këtë çështje del pyetja se ç’do të bëjnë bujqit individual që nuk kanë toka të mira. Nga ana tjetër sa shpjeguam më sipër del e qartë nga vetë shprehjet e udhëheqësve të kësaj krahine, gjendja e keqe në të cilën ndodhen kooperativat bujqësore vetë në këto krahina dhe jo pastaj që këto të bahen ndihmëse dhe të kooperojnë dhe me bujqit individualë. Gazeta “Politika”, më datë 12 gusht 1957, shkruante në faqen e katërt me shkronja të mëdha: Në Kosovë e Metohi ka makina shirëse të mjaftueshme.

Arsim-kulturë

Në librin “10 vjet të Jugosllavisë popullore” faqe 256, Jovan Veselinov, kryetar i Veçes ekzekutive të RP të Serbisë, shkruan se pakicat nacionale shqiptare para luftës nuk kishin as edhe një shkollë fillore në gjuhën shqipe. Sipas të dhënave të fundit që japin jugosllavët në këtë krahinë, sot ekzistojnë 606 shkolla fillore, 9 shkolla gjashtëvjeçare, 96 shkolla 8-vjeçare dhe 6 shkolla të mesme në gjuhën shqipe. Në të gjitha këto shkolla janë përfshirë 131 515 nxënës.

Në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, 55% të popullatës është analfabetë në krahasim me të gjitha republikat dhe krahinat e tjera të Jugosllavisë. Kjo shumë është më e lartë se të gjitha të tjerat. Nga të 55% e popullatës analfabetë, 27% janë të moshës nga 10 deri në 14 vjeç, ndërsa 90% të moshës 60 deri në 64 vjeç. Nga numri grave 55% e tyre janë analfabetë.

Një ndër të metat kryesore që ka ekzistuar dhe ekziston gjithnjë nëpër shkolla shqipe të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, është numri i pamjaftueshëm i mësimeve dhe i profesorëve që japin mësime në këto shkolla edhe kualifikimi i dobët i tyre. Në këto shkolla punojnë 1 774 arsimtarë me kualifikime profesionale, kurse 1 301 nuk janë të kualifikuar. Nevojitën akoma edhe 1 400 arsimtarë. Në pjesën më të madhe të shkollave fillore dhe 8-vjeçare, mësuesit zhvillojnë mësime në shumë klasa. Kjo gjë natyrisht vështirëson shumë punën e mësuesit. Një e metë tjetër që ekziston në këtë krahinë në lidhje me shkollat është frekuentimi shumë i dobët i tyre nga ana e nxënësve. Nga ana tjetër pajisja e nxënësve me tekste shkollore, fletore dhe mjete të tjera të nevojshme për shkollë është jashtëzakonisht e dobët. Si rezultat i të gjitha këtyre të metave që përmendëm më sipër rezultatet e nxënësve në mësime janë më të vërtetë të dobëta. Vetë gazeta “Rilindja” në numrin e saj ta datës 14 shkurt 1957 shkruan “Në shkollën e Suharekës, Studencanit, Mushitishtes, Samadrexhes dhe Budakovës nuk ka më shumë se 45-55% të nxënësve më notë pozitive. Në raste më të shumta përqindja e nxënësve me nota të dobëta kap numrin 60-66%”.

Veç të metave që përmendëm më sipër, edhe ai numër i pakt i mësuesve që gjinden në këtë krahinë, kërkojnë që të emërohen nëpër qytete dhe bëjnë çmos më qëllim që të mos shkojnë në katund. Ja çfarë shkruhet në gazetën “Rilindja”, të datës 22 shtator 1957: “Çdokush kërkon më e emërua në qytet e qyteti nuk po i nxë të gjithë”. Nga ana tjetër edhe shkollat janë të pajisura shumë keq dhe nëpër lokale shumë të këqija. Disa nga shkollat nuk kanë as regjistra, as ditarë punë dhe as këshilla shkollore. Vetë Fadil Hoxha në mbledhjen e muajit tetor të këtij viti të Këshillit Krahinor të kësaj krahine bënë fjalë për mungesën e lokaleve shkollore në këtë krahinë dhe për mungesën e mjeteve mësimore në këto shkolla. Ai shkoi deri atje, sa që deklaroi se në disa shkolla mungojnë edhe dërrasat e zeza.

Kuadri i shkollave të mesme shqipe nuk zotëron gjuhë të huaja. Prandaj, arsimtarët e gjuhës frënge mësimin e japin serbisht. Kështu nxënësve u duhet të përkthejnë prej frëngjishtes në shqip, dhe pastaj prej shqipes në gjuhën serbishte. Gazeta “Rilindja”, data 20 janar 1957, shkruan: “Në këtë mënyrë në orët e gjuhës frënge nxënësit mësojnë dy gjuhë, sepse serbishten nuk e kanë gjuhë amtare”. Edhe marrëdhëniet midis nxënësve dhe arsimtarëve nuk janë të mira, dhe sidomos midis nxënësve shqiptarë dhe arsimtarëve jugosllavë. Ja çfarë shkruan gazeta “Rilindja”, datës së sipërme në faqen e pestë: “Në qoftë se këtyre ju shtojmë edhe mësimin kampanje të nxënësve, marrëdhëniet e keqësime ndërmjet arsimtarëve dhe nxënësve për shkak të incidentit që ngjau vjeshtën e kaluar në një kafe ndërmjet një nxënësi dhe profesori të letërsisë jugosllave, kushtet e këqija nën të cilat shkollohen nxënësit e katundarëve, mungesën e disa teksteve – kemi figurën e qartë se cili është shkaku që 65% të nxënësve të gjimnazit të lartë të Gjilanit të kenë nota të dobëta”.

Një e keqe më e madhe që ekziston në shkollat e larta shqipe të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë është se për shkak të mungesës së profesorëve ne gjuhën shqipe, shumë lëndë zhvillohen në gjuhën serbe nga profesorë jugosllavë. Nëpër shkollat e mesme mungojnë edhe tekstet shkollore dhe nxënësit duhet të mësojnë nga shënimet që marrin në klasë nga shpjegimi i profesorit. Mjetet laboratorike as që ekzistojnë fare. (“Rilindja”, 27 janar 1957).

Edhe marrëdhëniet midis shkollës dhe prindërve në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, janë shume prapa dhe krejtësisht të dobëta, janë të shumta rastet që prindërit e nxënësve kanë qëndrim pasiv ndaj shkollës dhe edukimit në përgjithësi. Por edhe në ato raste kur janë zhvilluar mbledhje me prindërit, ato kanë qenë të një niveli shumë të ulët, ose është folur në një mënyrë që prindërit nuk kanë kuptuar asgjë. Ka prindër që nuk vijnë asnjëherë në këto mbledhje (“Rilindja”, 27 janar dhe 22 shtator 1957).

Në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, arsimimi tetëvjeçar është i detyrueshëm për fëmijët. Mirëpo, shkollat tetëvjeçare në këto krahina janë shumë të pakta. Për t’iu përgjigjur këtij detyrimi, nxënësit janë të shtrënguar të bëjnë shumë kilometra rrugë në dimër dhe në të ftohtë. Nga ana tjetër, shumë prindër në këtë krahinë nuk e kanë të qartë, për shkak të përmbajtjes dhe injorancës që kanë se arsimi tetëvjeçar është i detyrueshëm për fëmijët e tyre. Nga këto shkaqe që përmendëm më sipër edhe këto shkolla frekuentohen me mungesa të mëdha. Shumë prindër thërritën edhe para gjyqeve pse nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkolla, ja si shkruan gazeta “Rilindja”, e datës 3 tetor 1957: “Çfarë të bëj? Jam plak. Dy djemtë nuk mund t’i dërgoj në shkollë – arsyetohej një katundar, para gjykatësit për kundërvajtje. Djali i tij kishte kryer filloren dhe tash duhej të vazhdonte tetëvjeçaren në Gj. Jankoviq. Por çka të bëjë që i ati ende nuk e kishte të qartë se shkollimi tetëvjeçarë është i obliguar”. Edhe menzat e nxënësve në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, kanë  mungesa të mëdha.

Shkollat profesionale që ekzistojnë në këtë krahinë kanë po ato të meta që përmendëm më sipër. Sipas statistikave që japin jugosllavët në Kosovë e Metohi sot ka: 11 shkolla të mesme profesionale me 97 paralele dhe 2 669 nxënës, 13 shkolla të ulëta profesionale 10 shkolla të nxënësve të ekonomisë më afër 2 600 nxënës në 125 paralele. (“Rilindja”, 6 janar 1957). Në një mbledhje që ka bërë në fillim të këtij viti drejtoria e shkollës së nxënësve të ekonomisë në Prishtinë, u konstatua se mjetet buxhetore që ka pasur shkolla në dispozicion nuk ka mundur të disponojë as veglat dhe as makinat e nevojshme për të mësuar nxënësit. (“Rilindja”, 13 janar 1957).

Sipas lajmeve të shtypit që del në gjuhën shqipe në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë (“Rilindja”, 22 shtator 1957), shkruhet se në shumicën e katundeve, gati në të gjitha komunat dhe nëpër të gjitha qendrat e rretheve dhe qyteteve janë formuar biblioteka dhe salla të leximit dhe organizata për përhapjen e librit. Sot në Kosovë e Metohi ka 7 biblioteka në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vuçitërnë, Gjilan dhe Gjakovë të cilat kanë gjithsej 60 000 libra, dhe 151 biblioteka të vogla katundi ose salla leximi me 130 000 libra. Porse krahas këtyre shifrave jugosllavët shkruajnë në bibliotekat dhe sidomos ato të katundeve nuk janë të siguruara që mjetet të nevojshme për punë dhe se kanë një fond fare të të dobët librash, inventarë të vjetër ose janë pa inventarë.

Në Prishtinë gjendet një kolektiv amatorësh i teatrit shqiptar. Në një mbledhje që është bërë në fillim të vitit mbi teatrin amator të qytetit të Prizrenit u konstatua se suksese të mira ka shënuar kolektivi serb gjatë sezonit të vitit 1955-1956, ndërsa kolektivi shqiptar ka përgatitur dy premiera në gjuhën shqipe dhe ka asgjësuar katër premiera që ka filluar të përgatisin. Natyrisht se në konditat në të cilat ndodhet kolektivi shqiptar të cilit i mungon literatura e veprave origjinale në gjuhën amtare, nuk mund të bënte më tepër. Këtë gjë e njeh edhe gazeta “Rilindja” e datës 6 janar 1957, ku shkruan: “Përkundrazi ansambli ka arritur suksese të mëdha, kur dihet mungesa e literaturës së veprave origjinale në gjuhën amtare. Anëtaret e këtij kolektivi vetë i përkthejnë pjesët, duke ju marre edhe kohe të madhe”.

Si rezultat i gjithë kësaj gjendje për sa i përket sektorit të arsimit dhe kulturës në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, janë vërtetuar dhe vazhdojnë të vërtetohen edhe tani vjedhjet e shumta dhe kundërvajtje nga ana e të vegjëlve. Sipas statistikave që japin për rrethin e Prizrenit, rezulton se në vitin 1954 dhe 1955 u shënuan këto 35 kundërvajtje të vegjlish, prej të cilave 15 vjedhje të mëdha. Gjatë vitit 1956 numri i kundërvajtjeve hipi në 60, gjë që tregon një shtim më se 90% në krahasim me vitet e kaluara, ja si shprehet gazeta “Rilindja”, datë 14 shkurt 1957, rreth kësaj çështje: “Është konstatua se numri më i madh i këtyre kundërvajtjeve të të vegjëlve rrjedh prej faktit se ata kanë lëshua dorë për sa i përket edukimit. Dhe më poshtë: “Në përgjithësi ato janë edhe rezultate të “vestern” filmave”. Dhe me të vërtetë filmat amerikanë që luajnë në të gjithë Jugosllavinë dhe që janë me një përmbajtje shumë të ulët, kanë ndikuar negativisht edhe në të rinjtë e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë.

***

Në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë, njerëzit rrojnë më pak dhe mortaliteti këtu është më i madh se në viset tjera të Jugosllavisë. Në vitin 1955 në 1 000 banorë kanë vdekur mesatarisht 20%, kurse në vitin 1954, kjo mesatarisht ka qenë 15%, ndërsa në vitin 1955, 17.39%. Në RP të Serbisë kjo përqindje është shumë më e vogël, p.sh në vitin 1955 ka qenë 11%, në vitin 1954, 10%, kurse në të gjithë Jugosllavinë në këto dy vjet mesatarja ka qenë 12%.

Mortalitetin më të madh të popullsisë të Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë e përbënë në radhë të parë vdekja e fëmijëve të vegjël. Në 1 000 fëmijë të lindur në vitin 1953, kanë vdekur 74.6%, në vitin 1954, 143% dhe në vitin 1955, 161,9%. Mortaliteti kaq i madh i fëmijëve në këtë krahinë shkaktohet prej sëmundjeve të ndryshme ngjitëse dhe prej atyre që rrjedhin nga ushqimi i dobët i fëmijëve dhe nga kushtet e këqija higjienike. (“Rilindja” 5/IX/1955). Shënimet e komisioneve ushtarake jugosllave tregojnë se djalëria e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë është shumë më e pazhvilluar fizikisht dhe më e pa shëndosh se djalëria e viseve tjera të Jugosllavisë.

Nga sëmundjet më të përhapura të kësaj krahine janë tuberkulozi, reumatizma, majasëlli etj. Gazeta “Rilindja” e datës 10 shkurt 1957, shkruante se numri i zbulimeve të njerëzve me tuberkuloz në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë është shumë i madh dhe se po vjen duke u shtuar gjithnjë. E madhe është gjithashtu vdekshmëria e grave të reja si dhe e atyre shtatzëna. Vetë gazeta “Rilindja” e ditës 15 mars 1957, tregonte shkaqet e kësaj gjendje të keqe të kësaj krahine, duke shkruar midis tjerave: “Nuk ka pasur nevojë që ekspertët ta qajnë kokën aq për t’i zbuluar shkaqet e kësaj gjendje – ushqimi i dobët, banesa jo higjienike dhe prapambetja kulturale”.

Si rezultat i gjendjes së mjeruar shëndetësore të njerëzve të kësaj krahine jugosllave në shkrimet e tyre nxjerrin se aftësia e punës në shumicën e popullsisë është e vogël, shumë më e vogël se në viset e tjera të vendit. Si rrjedhim edhe rendimenti i punës së punëtorit të kësaj krahine është më i vogël se i punëtorëve të tjerë. Nga ana tjetër, edhe ekspertët ushtarakë nxjerrin se aftësia e ushtarake e djalërisë së Kosovë e Metohisë është më e vogël se e djalërisë tjetër të Jugosllavisë.

Çështja nacionale

Nga të gjitha gjërat që shpjeguam më sipër për sa i përket zhvillimit industrial, bujqësor, arsimor-kulturor dhe shëndetësor të kësaj krahine, kuptohet fare qartë politika që ndjekin jugosllavët kundrejt shqiptarëve që banojnë në Jugosllavi.

Duke u ndodhur përpara këtyre kushteve shumë të këqija, një pjesë e shqiptarëve të Kosovë e Metohisë, shesin gjithë pasurinë e tyre që kanë këtu, dhe me gjithë fëmijët e tyre largohen në Turqi. Megjithëse pjesa më e madhe e shqiptarëve të ikur në Turqi u kanë dërguar letra familjeve të tjera shqiptare mbi gjendjen e mjeruar ku ata gjinden në Turqi, prapë se prapë të tjerët shpërngulen. Kjo përforcon ata që jeta këtu është bërë e paduruar. Çështjes së ikjes së shqiptarëve për në Turqi iu jepnin dorë edhe vetë jugosllavët. Qëllimi i tyre është që numri i shqiptarëve të ikur të zëvendësohet me jugosllavë. Dhe më të vërtetë malli i shqiptarëve të ikur për në Turq blihet nga serbët. Më parë gazeta “Nova Makedonia” botonte emrat e atyre që shpërnguleshin për në Turqi, por se tani së fundi mbas raportit të shokut Enver, jugosllavët këtë gjë e kanë ndërprerë.

Një pjesë tjetër e shqiptarëve të kësaj krahine, nga konditat e këqija jetësore se s’kanë më se të rrojnë, vijnë dhe punojnë nëpër qytete si Beogradi etj., duke prerë dru, duke mbajtur qymyr dhe të tjera punësh shumë të rënda. Ata flenë në mizerjen më të madhe nëpër bodrume të errëta.

Ndërsa, për në Turqi jugosllavët janë dorëlëshuar, për shqiptarët e Kosovë e Metohisë që duan të shkojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë, nuk i lejojnë në asnjë mënyrë. Jo vetëm kaq, por ndaj republikës sonë ata bëjnë propagandën më të keqe, duke e paraqitur gjendjen ekonomike shume të vështirë, se atje ka “kupona” etj.

Në administratën e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë, preferohet në punë elementi jugosllav. Elementin shqiptar megjithëse duhet të përbëjnë shumicën zë një vend të dorës së dytë. Jugosllavët kanë një konsideratë shumë të madhe për elementin shqiptar në Jugosllavi.

I gjithë emigracioni tradhtar shqiptar që ndodhet në Jugosllavi është vendosur me qëllim nga ana jugosllave në krahinat e banuara prej shqiptarëve ai në Kosovë e Metohi, po ashtu edhe në Maqedoni. Veç aktiviteteve të tjera këtij emigracioni tradhtar i janë caktuar detyra për të propaganduar sa më keq për Republikën Popullore të Shqipërisë. Këta kanë klubet e tyre në të gjitha qytetet ku gjenden, dhe paguhen nga ana e jugosllavëve për të ruajtur nga 5 000 dinarë për frymë dhe ata që merën me akte diversioni marrin deri në 15 000 dinarë. Jugosllavët me këtë element tradhtar kanë organizuar edhe çetat e armatosura, sikurse është çeta e Nik Sokolit, prej nja 30 vetash, në Tetovë. Elementi tradhtar shqiptar qëndron si xhandar në kojen e shqiptarëve të Kosovë e Metohisë dhe të krahinave të tjera të Jugosllavisë. Me urdhër dhe sipas udhëzimeve të jugosllavëve, ky element tradhtar kryen edhe këtë provokim kundrejt shqiptarëve që banojnë këtu. Ka pasur raste që disa vetë nga elementi tradhtar janë paraqitur në fshatarët shqiptarë dhe kanë kërkuar prej tyre që t’i shoqërojnë deri në kufi me qenë se duan të kalojnë në RP Shqipërisë, atje ose i kanë vrarë shqiptarët ose ua ka n dorëzuar jugosllavëve.

Elementi shqiptar që banon në të gjithë Jugosllavinë, ka një dashuri shumë të madhe për RP të Shqipërisë. Nga bisedimet që i kemi pasur me ta, ata e shprehin haptas këtë gjë. Ata na kanë treguar gjithashtu se sa me kënaqësi e dëgjojnë Radio Tiranën. Në një mënyrë të veçantë iu ka bërë përshtypje shumë të mirë referati i shokut Enver. Ata e shprehen haptas se paska me të vërtetë njerëz në Shqipëri që u përkujdesshin për gjendjen e tyre këtu. Shumë prej tyre arrin deri atje sa të thonë se kur po na merrni, ose kur po bashkohemi me juve etj.

Ata shtetas shqiptarë që kanë pasur ndonjë punë në Jugosllavi, jugosllavët i kanë nxjerrë nga puna me motivacionin vetëm dhe vetëm sepse kanë nënshtetësi shqiptare. Ka pasur raste që iu kanë dhënë edhe nënshtetësinë jugosllave kundër vullnetit të tyre.

Këto janë çështjet më të rëndësishme. 

Ministri, Piro Koçi

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (8)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura