DR. ATHANAS GEGAJ EDITORI I GAZETËS “DIELLI” TË BOSTONIT: LETËR NGUSHLLIMI JACQUELINE KENNEDY’t PËR VRASJEN E PRESIDENTIT JOHN F.KENNEDY’t (MË 22 NËNTOR 1963) – MESAZH I VEÇANTË –

Pashtriku.org, 04. 04. 2015 – Historia e Një Fisnikërije Tipikisht Shqiptare – Vatra e të gjithë shqiptarëve të lirë e fisnikë si dhe organi i saj Dielli me gëzim lajmrojnë se Zonja Jacqueline Kennedy i nderon me një mesazh të veçantë, drejtuar si përgjigjie Editorit tonë që n’emërin e Vatrës e të kryesisë së saj i pat dërguar një letër si pjesëmarrje në dhimbje që u përmbys përmbi Familjen e Saj.
N’ato ditë tragjike të Nëntorit të 1963 si dhe gjatë Dhjetorit, Editori foli gjërë e gjatë me pjesëtarët e Bordit dhe të Këshillit, ku gjatë bisedimeve miqësore, u ekspozoi edhe rastin e një mesazhi, që nuk do të mungonte, e që lypsej t’i dërgohesh së paku Familjes së Presidentit të vrarë. Këta burra përherë fisnikë të ndjenjave shqiptare, e ngarkuan Editorin t’onë, që të bënte mirë e më mirë në këto raste, duke gjetur udhën e duhur për një gjë të tillë, dhe mënyrën më të përshtatshme, për t’i shprehur Familjes Kennedy të tërë sympatinë e Komunitetit shqiptar, e në një mënyrë të veçantë Zonjes Kennedy, që diftoi në momente më tragjike që mund të përballojë një kreatyre njerëzore.
Kahë mbarimi i Dhjetorit, Editori jonë e studioi çështjen dhe vendosi t’i dërgojë një mesazhë Zonjës Jacqueline Kennedy të shkruar në gjuhën frëngjisht, duke e ditur fare mirë se Zonja është një eksponente e kulturës franko-amerikane, e për më tepër, nuk harronte se Zonja Kennedy ishte e origjinës franceze se Ajo kishte studiuar në Francë. Ajo e nderonte Europën, prej kahe të gjithë Amerikanët, ose kanë origjinën e tyre, ose janë bijtë t’asaj kulture, që pati djepin e saj në atë vend.

– Familja Kennedy –

Editori jonë me kulturë klasike dhe me formacion të kulturës oksidentale franko-italo-gjermanike përgatiti një letër në gjuhë frangjishte dhe së bashku me tre numra të Diellit ja dërgoi Zonjës Kennedy me një special delivery. Këta numra përmbanin bisedën e lartë të H.së T. Nolit që mbajti në Shën Gjergj, katedralen e shqiptarëve; një të dytë ku Editori vetë shprehë ndjenjat fisnike të botës shqiptare për tragjedinë e madhe që u përmbys përmbi kombin amerikan dhe përmbi Familjen Kennedy; e më në fund një numër të tretë ku flitet për iniciativën humanitare të Zonjave t’ona, që themeluan në New York “Vatra’s Women Aux J.F Kennedy Found”. Të gjitha këto gjëra ishin gati në fundin e Dhjetorit të vitit 1963 dhe u dërguan në Washington, sadoqë n’ato ditë Zonja Kennedy, bashkë me fëmijët e saj, u gjinte në Florida.
Ka fillimi i Prillit na ‘erdhë një zarf, ku me kënaqësi notuam këto fjalë: “From Mrs. John Kennedy, Washington, D.C” e në anë të djathtë firmën ose signaturë e “Jacqueline Kennedy”, e poshtë emërin e Editorit t’onë bashkë me: “The Panalbanian Federation of Amerika Vatra” me adresë përkatëse.
Këtu është historia e kësaj ngjarje, për të cilën mburret Vatra jonë, dhe së bashku me atë të tërë shqiptarët e Botës së Lirë. Në anën tjetër do të shihni letrën të përkthyer shqip, që Editori jonë i dërgoi Zonjës Kennedy, pothuaj, pjesën integrale të saj.
LETRA DËRGUAR NGA EDITORI GEGAJ ZONJËS KENNEDY
Madamë,
Tragjedia e madhe që është përmbysur përmbi Familjen e Juaj dhe përmbi Kombin Amerikan, ka prekur thellësisht të tërë Komunitetin shqiptar, si atë të parin që është në këtë Vend kahë fillimi i shekullit, si dhe të dytin, që mbas Luftës së Dytë Botërore, gjeti strehim në Shtetet e Bashkuara t’Amerikës. Na që humbatëm gjithëçka, e dijmë se ç’është dhimbja; prandaj jemi të sigurtë se do të çmoni ndjenjat t’ona: Na jemi me Ju, Zonjë dhe me Fëmijët e Juaj në këto momente të hidhura të jetës. Na qajmë me Ju Presidentin Kennedy i cili qe shpresë dhe ideali jonë. Sjellja e Juaj fisnike n’ato momente tragjike na ka prekur thellësisht në shpirtin t’onë, aq sa Ju sot jeni symbol e gjallë e të tëra nënave tona që qajnë me lotët e tyre burrat, vëllezëritë dhe bijt e tyre, të vrarë nga tyrania komuniste. Qe sepse ne jemi me Ju dhe me Fëmijët e Juaj; dhe u lutem , Zonjë, të keni mirësinë të na dërgoni një fotografi të Familjes, që t’a mbajme si kujtim në zyrën t’onë, ku do të kujtojmë përherë atë Familje fisnike të Presidentit tonë të dashur, të Zonjës dhe të Fëmijëve të Tij, që qenë shembull në jetë, në tragjedi dhe në shpresa të njerëzimit.
Në emrin e Organizatës më të vjetër Panshqiptare-amerikane, Vatra si dhe në emërin e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashta Atdheut, e në emërin tim përsonal, si Editor i fletores më të moçme të botës shqiptare, të gjithë së bashku marrim pjesë në dhimbjen e në zijen e juaj për Presidentin e dashur, që jo vetëm se varfëroi një Familje e një komb, por për më tepër, Ai e varfëroi tërë Botën e Lirë nga një Kryetar i vendosur të mprojë të drejtat dhe lirinë e të gjithë popujve kudo që gjinden në botë.
Pranoni Zonjë ngushllimet t’ona që Ju dërgojmë së bashku me respektet t’ona më të thella për Ju e për Fëmijët Tuaj.
Shënojmë se: Zonja e parë e Amerikës, Jacqueline Kennedy, i kishte dërguar Zotit Gegaj një letër falenderimi. Në atë letër kishte vendosur fotografi me Presidentin Kennedy, me vajzën Carolinë dhe djalin John Kennedy Junior. Të gjitha këto ishin botuar në gazetën “DIELLI” të Bostonit, më 15 prill 1964. (Gj.Gj.)
***

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
JOHN F.KENNEDY: ‘NË TË GJITHË BOTËN JEMI PËRBALLË ME NJË KOMPLOT MONOLIT DHE TË PAMËSHIRSHËM…’!

“Në të gjithë botën jemi përballë me një komplot monolit dhe të pamëshirshëm, i bazuar kryesisht mbi mjetet sekrete, për të zgjeruar sferën e tij të ndikimit, mbi depërtimin në vend të pushtimit, mbi përmbysjen në vend të zgjedhjeve, mbi kërcënimin në vend të zgjedhjes së lirë. Është një sistem që ka rekrutuar burime të mëdha njerëzore dhe material në ndërtimin e një makine efikase, që ndërthur operacione ushtarake, diplomatike, inteligjence, ekonomike, shkencore dhe politike.” – kështu ka thënë presidenti i 35’të i SHBA’ve, John F.Kennedy (29.05.1917 – 22. 11.1963). Duket që kjo deklaratë i ka kushtuar me jetë...

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura