Shkup, 2 tetor 2019: Perandoria Osmane me reformat e Tanzimatit kishte deklaruar se të gjitha kombësive do t’u lejohet lirisht të ushtronin gjuhët e tyre në institucionet arsimore dhe fetare me përjashtim të shqiptarëve. Banorët e truallit shqiptar thirreshin turq, arnautë, kaurrë, latinë; por kurrë me emrin e tyre të vërtetë. Këtu gjithsesi duhet të shtohet se shqiptarët nuk patën edhe një administratë të përbashkët, por qenë të shpërndarë nëpër vilajete të ndryshme. I vetmi faktor pa dallim feje e krahine, që i bashkonte shqiptarët, ishte vetëm gjuha shqipe.
Sulltanati, edhe pse proklamonte reforma, ajo mbështeste parimin teokratik, ku fesë i jepte përparësi ndaj kombit. Ajo me reformat që bënte vazhdimisht kërkonte që në të gjitha vendet e pushtuara të hapte shkolla fetare, që të përgatisin kuadër fetar, gjegjësisht hoxhallarë. Këtë e vërejmë në bazë të statistikave ku vetëm në Vilajetin e Manastirit funksionon 29 medrese e tre gjimnaze turke.
Nga ana tjetër, Porta u lejonte shteteve fqinje që të hapnin edhe në tokën arbërore shkolla të huaja, si ato greke, bullgare, serbe. Ashtu siç do të shkruajë gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit se: ”Me anë të atyre gjuhëzave nuk do të mundim kurrë ndonjëherë të mësojmë të vërtetën, kurrë ndonjëherë nuk do të mundim të mësojmë historinë e vendit tonë edhe të stërgjyshave tanë. Edhe kur ndonjëherë do të mundim të mendohemi shqiptarisht për punërat tona.”
Me urdhër të Gjylhanes në Stamboll, u formua një Komision i përkohshëm për arsim, që më vonë u kthye në Këshill për arsim politik, i cili kishte për qëllim që të hartojë plan e programe për shkollat laike. Ata parapanë të hapnin shkolla në çdo mëhallë apo fshat që do të ketë një shkollë fillore mejtep, kurse në qytet ku ka 500 shtëpi duhet të ketë një shkollë të lartë fillore, të quajtur ruzhdije. Aty ku ka mbi 1000 frymë të hapnin shkollë idadije, ndërsa në qytetet e mëdha – medrese. Shkolla të larta dhe fakultete mund të hapeshin vetëm në Stamboll.
Në bazë të Sallmanes së vitit 1874, medrese ka pasur në Shkup – 8, në Kumanovë – 8, në Tetovë – 5, në Gostivar – 2, në Prilep 1. Idadije ka pasur dy: në Shkup dhe Manastir që datojnë që viti 1885. Ruzhdije ka pasur në Ohër dhe Strugë.
Në tokat shqiptare nuk kishte vetëm shkolla që hapeshin nga perandoria Osmane, po hapeshin edhe shkolla greke, serbe dhe bullgare, sepse dekreti perandorak Osman i quajtur HATTI-HUMAIUN ua lejonte.
Vice konsulli rus në Manastir njofton se në Manastir dhe në disa fshatra, si në: Tërnovë, Magarevë, Gopesh, Mallovishtë e Bukovë kanë funkcionuar 6 shkolla greke. Në vitet 70- të shekullit XIX shkolla greke u hapën edhe në Ohër dhe Veles.
Me lejen e sulltanatit u formua ekzarkia Bullgare. Kjo ekzarki iu kundërvu politikës agresive të priftërinjve grekë. Ajo hapi shumë shkolla e kisha ortodokse dhe pa marrë parasysh kombësinë e popullatës, ata të gjithë i quanin bullgarë. Këta Në kishat filloi që Meshën e mbanin në gjuhën bullgare, ndërsa më vonë hapën edhe shkolla publike në bullgarisht. Veprimtarinë e saj e përhapi edhe në vendbanimet ku shumica e banorëve ishin shqiptarë. Shkolla të tilla u hapën në Shkup, Kumanovë, Veles, Manastir, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Rekë e Epërme ku popullata ishte kryesisht shqipfolëse.
Po të njëjtën politikë asimiluese udhëhiqte edhe Serbia. Aktivitetin e saj në territorin e Maqedonisë e ushtronte me formimin e organizatës vëllazërore serbe “Sveti Sava”. Gjithsej u hapën 49 shkolla, së pari në Ohër, Veles, Dibër, Gostivar, Tetovë, Kërçovë dhe më vonë edhe në disa fshatra shqiptare, si në: Premkë, Shutovë, Zajaz, duke dërguar mësues të cilët dinë të flasin mirë gjuhën arnaute.
Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se pa emancipim kulturor nuk ka as vetëdije kombëtare, kështu që ata morën një sërë aktivitetesh, ku si synim kryesor kishin që karakteri politik të jetë i drejtuar në zhvillimin e arsimit dhe të shkollës kombëtare.
Ky zgjim kombëtar, edhe pse me vështirësi depërtonte në masat e gjëra, por ajo që i bashkonte të gjithë pa dallim feje e krahine ishte gjuha shqipe.
Rol të rëndësishëm luajtën shoqëritë e shumta që vepronin nëpër vende të ndryshme të botës. Këta nuk kursyen as djersën as edhe jetën për t’i drejtuar shqiptarët në rrugë të drejtë. Ata ishin të bindur se vetëm nëpërmjet arsimit dhe shkollës në gjuhën amtare do të mund të dilet nga skëterra e injorancës.
Sulltanati mohonte kombësinë shqiptare dhe me këmbëngulje dhe në çdo mënyrë përpiqej të fuste përçarje fetare e krahinore te shqiptarët. Duke u mbështetur në ideologjinë fetare islame, nuk çante kokën për shkollat në gjuhën amtare shqipe, por vazhdonte që të hapte edhe më tej shkolla turko-arabe.
Për zhvillimin e arsimit dhe të shkollës shqipe ndihmesë të madhe kanë dhënë klerikët shqiptarë të besimit katolik. Njëri që dha kontribut të madh është Matej Krasniqi, që në fillim të shekullit XIX në Shkup hapi një shkollë, ku mësimet fetare së pari i shpjegonte në gjuhën shqipe e pastaj në gjuhën latine. Arsyetimi i këtij mësuesi të fesë ishte se nxënësit që e ndjekin shkollën nuk e kuptojnë gjuhën latine dhe se së pari ua shpjegojmë në gjuhën amtare e pastaj edhe në gjuhën latine. Ky ishte edhe arsyetimi para autoriteteve të kishës e të pushtetit. Në këtë shkollë më 1835 për mësues vjen monarku unijat, Pavle Horvat. Ky monark nuk vjen nga Manastiri i Hilendarit, por nga Manastiri i Jovanit Mbigur. Me hapjen e kësaj shkolle për herë të parë kemi ndarjen e shkollave kishtare greke dhe hapjen e një shkolle kishtare në gjuhët amtare, ku për nxënësit shqiptar kishte përpjekje në kishë të përdoret edhe gjuha shqipe, sepse e njihte mirë të folmen e Dibrës.
Në Maqedoni përveç popullatës së besimit mysliman, apo siç i quanin të huajit muhamedanët, jetonin edhe një pjesë e popullatës shqiptare të besimit ortodoks , që përfshin një rajon bukur të madh që quhet Reka e Epërme që i takonte sanxhakut të Dibrës.
Rol të rëndësishëm luajtën kishat që u ndërtuan me vetëkontribut të fshatarëve dhe me ndihmën e komunave kishtare, e sidomos me kontributin e madh të qehasë Gjorgje Kokale.
Brenda 10-15 vitesh, gjegjësisht prej vitit 1831-1845 do të ndërtohen 7 kisha në Rekën e Epërme ku sipas dëshmive në të gjitha kishat liturgjia deri në vitin 1840 zhvillohej në gjuhën shqipe.
Çështja e arsimit dhe shkollës shqipe hovin më të madh e mori pas Lidhjes së Prizrenit. Sipas një enciklopedie serbo-kroate-sllovene, libri II, në faqen 650 thuhet: “Lufta e Shqiptarëve ishte pikërisht rezultat i asaj që kur Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ju imponojë alfabetin turk, dhe për të penguar këtë ai ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapte shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”.
Pas shtypjes me dhunë të Lidhjes së Prizrenit, Osmanët shtuan edhe më tej brutalitetin e dhunën ushtarake. Organizuan një numër hoxhallarësh që të ndikojnë në vetëdijen e popullatës që ta lidhnin ngushtë fatin e shqiptarëve myslimanë me Perandorinë Osmane.
Për një kohë të shkurtër, në emër të reformave shtetërore që bënte hapi shkolla anembanë shqiptarisë me karakter ideologjik fetar.
Nga ana tjetër, patriotët shqiptarë nuk u ndalën edhe përkundër represioneve që bënte pushteti i atëhershëm, duke u organizuar në klube e shoqata dhe me idenë dhe besimin e madh do të ndikojë që shqiptarët ta kuptojnë ideologjinë e Perandorisë Osmane.
Në zgjimin e ndjenjave kombëtare në masat e gjera nga të gjithë patriotët u përdor motoja se ky zgjim nuk arrihet me pushkë e luftë, por me dituri, shkolla, me libra në gjuhën amtare.
Në këtë kuptim, në nëntor të vitit 1898 në Bukuresht u mbajt një Kongres Kombëtar kushtuar problemit të shkollës shqipe, ku i madhi Faik Konica me një fjalim patetik do të deklarojë se “Shqiptarët si një komb i vjetër plot fuqi e gjallim, të kenë shkollat e tyre, të shkruajnë e të këndojnë e të ndriçohen me gjuhën e vet.”
Patriotët shqiptarë, e sidomos atdhetarët që punonin në përhapjen e shkollave dhe arsimit kombëtar, u shpërndanë në çdo krahinë të vendit për të vepruar sa më mirë dhe bindshëm në masat e gjera popullore shqiptare, siç ishte Konstantin Kristoforidhi e Hasan Ceka për Elbasanin, Dervish Hima, Said Najdeni e Hamdi Ohëri për Shqipërinë e Mesme dhe Lindore, duke vepruar edhe në rajonet e tjera, si në Ohër, Strugë, Dibër e Rekë, Tetovë, Kërçovë e gjetiu për të hapur shkolla shqipe e për të shpërndarë libra mësimorë.
Ndihmesë të madhe në këtë drejtim dhanë përfaqësuesit e “Shoqërisë Biblike Britanike” që ishte e vendosur në Manastir.
Patriotët shqiptarë e dinin fare mirë se çdo të thotë të hapësh shkollë në gjuhë shqipe, se vetëm me to mund të çrrënjosen propagandat e shumta asimiluese ndër shqiptarët. Patriotët shqiptarë shkonin qytet më qytet, bile edhe në fshatrat më të thellë për përhapjen e shkrim- leximit në gjuhën shqipe.
Kërkesat për shkollë shqipe autoritet osmane i dëgjonin çdo ditë nga të gjitha vilajetet shqiptare, pa dallim besimi fetar. Kështu, në vitet 1897 shqiptarët nga Vilajeti i Manastirit i kishin kërkuar valiut të Manastirit për të lejuar bile të paktën që gjuha shqipe të mësohej në shkollat turke-arabe. Kërkesat e shqiptarëve nuk i përmbusheshin, bile kur shihnin ndonjë kërkesë për shkollë në gjuhën shqipe nënshkruar nga ndonjë që mbante emër myslimanë, ata i quante shejtanë, të pafe, kaurrë.
Mësimi i gjuhës shqipe filloi të organizohej fshehurazi. Njëri që ndërmori një hap të tillë, diku aty kah viti 1885 ishte Gjerasim Qiriazi, që kishte hapur një shkollë private shqipe në Manastir për djem dhe vajza.
Më 1895 një shkollë shqipe u hap në Ohër nga Hamdi bej Ohëri. Pas një kohe të shkurtër këtë pishtar të arsimit shqip osmanët e burgosin në burgun e Manastirit. Po ky nuk ndenji rehat as edhe në burg: të burgosurve ua mësonte shkrim-leximin shqip. Pas daljes nga burgu ai bashkë me të shoqen Zejnepe Qokun, më 1899 hapin në shtëpinë e tyre përsëri shkollën për djem dhe vajza në Ohër. Më 1903 përsëri e burgosin, me akuzën se “merret me punë të ndyta”, por tani e dërgojnë në vuajtje dënimi në Anadoll, në Diar Baker.
Aktiviteti për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe u përhap edhe në Dibër dhe në Rekën e Epërme. Një shkollë të tillë e hapi Said Najdeni (Hoxhë Voka), më vitin 1888 në Dibër, që llogaritet si shkolla e parë laike në gjuhën shqipe. Kur e diktojnë organet e pushtetit atë e mbyllin, por rihapet më 1893 dhe më 1900. Kjo shkollë punonte me abetare të adaptuar në gegërisht nga vetë mësuesi.
Vullneti i atdhetarëve çdo ditë e më tepër po fitonte elanin për të vazhduar misionin. Tani haptazi do të ngrenë zërin për gjuhën dhe shkollën shqipe. Hapja e shkollës së Korçës ishte arritje shumë e madhe arsimore, kulturore e kombëtare për gjithë shqiptarët, duke dhënë edhe porosinë se me bashkëpunim dhe me besë e me shqiptari nuk ka kush mund t’i ndalojë në realizimin e planave për të mbrojtur shqiptarët dhe për t’i ndërgjegjësuar e për të ruajtur kombësinë, të cilës pa shkollë dhe arsim i kanosej asimilimi.
Më 6 janar 1899 patriotët dibranë hartuan një “Kërkesë për hapjen e shkollave shqipe dhe iu drejtuan sulltanit duke treguar se “…Në Dibër flitet vetëm shqip dhe fëmijët e vendit nuk kanë pasur mundësi të marrin mësim legalisht dhe të ushtrojnë gjuhën amtare, zemrat tona janë mbushur me hidhërim të thellë. Por në qoftë se lejohet hapja e një shkolle me shqipen si gjuhë mësimi dmth, në gjuhën tonë amtare.”
Në këtë hulli, shqiptarët e Bukureshtit ishin angazhuar që të hapnin shkolla shqipe dhe t’u siguronin abetare që edhe priftërinjtë shqiptarë që shërbenin në kishat greke, bullgare e serbe të hapnin edhe klasa të veçanta për mësimin e gjuhës shqipe. Një numër i madh i Rekasve që punonin në Ruamani kishin bindur priftin Olimbia Savo që në kishën e Vërbenit më 1899 të hapë një shkollë ku do të mësoheshin shkronjat shqipe. Për këtë shkollë, Peter Elezi do të sigurojë një mendim të vlefshëm nga një rekas ku thotë: “Katundi i ynë dhe e tanë Reka e Epërme ka qenë mendue shumë që të bëhesh ky vend Albani. Ka qenë edhe një mësues nga ky katund, që ka qenë mundue me e përhap mësimin e gjuhës Shqipe, por asht largue nga katundi i ynë… ka pas marrëveshje me Xheladin Seferin që të hapeshin shkolla Shqipe…”
Përhapja e shkollës shqipe në territorin e Maqedonisë hov të madh mori pas Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908 ku dita ditës interesi shtohej. Kështu, disa klube filluan të hapin shkolla në gjuhën amtare. Shkolla në gjuhën shqipe u hapën në: Dibër, Rekë, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë, Gostivar, Kumanovë e gjetiu. Vlen të përmendim se veprimtarë të shquar në këto qytete për shkolla shqipe ishin: në Kërçovë: Jusuf Turabi – Kërçova, Rexhep Fasku – Greshnica, Ali Drogomishti; në Strugë shquhen Dervish Hima e Ibrahim Temo; në Dibër: Kadri Fishta e Said Najdeni; në Gostivar: hoxha Afiz Lila; në Patishka Rekë: hoxha i fshatit; në Shkup: Rok Berisha, Bedri Pejani; në Rekë: prifti Todor e Josif Bageri; në Kumanovë: Jashar Erbara e Anastas Albanski e shumë të tjerë.
Prifi Todor nga Reka e Epërme edhe para Kongresit meshën e mbante në dy gjuhë: në bullgarisht e në shqip. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe e lidhte me jetën e shenjtorëve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh” (marrë nga një fletore lutjesh të protogjerit Çirko nga Reka).
Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Prifti Todor këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.
Kur filloi një luftë e ashpër midis ekzarkisë bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serbë. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqymetin Osman se viset me përkatësi fetare ortodokse janë serbë. Andaj, përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.
Kur bindet mitropoliti Kozmo se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkoi që në Rekën e Epërme, predikimet në kisha dhe mësimi në shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut ndaj çështjes së gjuhës shqipe, autorizon Këshillin vendor kishtar për dhënien e lejeve për hapjen e shkollave në gjuhën të cilën ata duan.
Në bazë kërkesave të vazhdueshme në fshatrat që kërkonin që të mësojnë në gjuhën e nënës lëshonte leje. Kështu ndodhi kur ai lejoi e shkollën e gjuhën shqipe, duke e autorizuar një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor, që të lus vëllain e tij Josifin i cili shpesh kishte dërguar kërkesa për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë. Nga lutjet e Josifit kërkesa ishte që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe.”
Me hapjen e një shkolle me leje, siguroi edhe një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë, atëherë ai do të shkojë në Rekë, që të hapë shkollën laike në gjuhën shqipe. Shkolla u hap më 25 shtator 1908 në fshatin e lindjes. Me pagesë prej dy lirash turke ai merr një leje edhe nga Këshilli i fshatit që të fillojë mësimin në gjuhën e nënës. Josifi me rastin e hapjes së kësaj shkolle do të shprehet:….”Edhe kështu fëmijët zuna ti mësoj, se a.b.c. që kishnja 20 cop. Mirëpo në Malësiet e Dibrës kishte vojt zani se në Rek ka ardh njifar daskall…
Josifi punoi me shumë dashuri dhe me përkushtim. Që në ditën e dytë, ai përveç 8 nxënësve që mësonin gjuhën shqipe tek vëllai i tij prifti Todor, ai “do të grish disa prej fisit të vet të i çojn fëmin për me muet bashk me fëmin e vet.”
Josifi me pagen shumë të vogël nuk mund të siguronte mbijetesën e familjes, prandaj iu drejtua mitropolitit të Dibrës, Zotëri Zotëri Kozmës për t’ia rritur rrogën. Në bazë të një letre drejtuar në adresë të Josif Bagerit, e protokolluar me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909, mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e njofton Josif Bagerin se nuk mund ta ndihmojë në misionin e tij.
Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm … pse po brengoseni kaq shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe? Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase kishin thënë se nëpërmjet vllahut Todor do të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për gjithçka… Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike.
Për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe problem më vete ishte edhe sigurimi i kuadrit mësimor. Prandaj, punë e nevojshme dhe e ngutshme ishte hapja e shkollave të mesme, sidomos shkollat për përgatitjen e mësuesve. Një shkollë për sigurimin e kuadrit ishte më se e nevojshme që do të përfshinte nxënës nga trevat e kësaj ane. Pas shumë kërkesave dhe lutjeve, me shumë vështirësi do të lejohet nga pushteti lokal i Dibrës që të hapet një shkollë normale. Shkolla u hap më 2 gusht 1910 në gjuhën turko-arabe, por si lëndë mësimore u fut edhe gjuha shqipe. Në fillim kishte dy klasë, kurse në vitin e dytë u formua edhe një klasë, me gjithsej 115 nxënës. Pas tri vitesh këtë shkollë e mbaruan me sukses 35 nxënës. Këto nxënës të diplomuar u dëshmuan jo vetëm si mësues të mirë, por edhe si patriotë për ruajtjen e kauzës shqiptare pa dallim feje e krahine.
Një veprimtar që sakrifikoi jetën pse hapi një shkollë nate në Kumanovë është Anasatas Albanski i lindur në fshatin Tërnicë të Rekës së Epërme të Dibrës.
Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe, të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por, shkolla bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndronte dhe të bënte ballë turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, ajo punonte me ndërprerje, sipas situatave dhe kushteve. Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë nga Turqia.
Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonte nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionalitetit shqiptar, Anastasi ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës, gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet mësues nga Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj., e sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Meritën më të madhe për hapjen e kësaj shkolle e pati Jashar Erabara, i cili ishte edhe kryetar i klubit të Kumanovës dhe impakti kryesor ndërmjet patriotëve shqiptarë. Ky aktivitet në Kumanovë u arrit dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit, si: nga Galip Kumanova, Bajram Vranja, e sidomos nga patrioti shqiptar Jashar Erebara, si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptarë mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës, Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë i mbronte veprimtarët para pushtetit turk, tradhtarët e ndryshëm si dhe shpifjet e xhonturqve.
Hapja e kësaj shkolle në Kumanovë ishte rezultat i përbërjes shumetnike të kësaj zone. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.
Nuk ishte e rastit pse pikërisht në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor. Kumanova ishte e është qytet ku kryqëzohen të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova edhe atëherë paraqiste një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi” me kryetar Jashar Erebarën, impakti i lidhjeve me qarqet patriotike. Falë këtij klubi, në korrik të vitit 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski). Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:” mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend.”
Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe po rritej, dhe për një muaj numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoi me të madhe që shqiptarëve të këtij vendi t’u kthehej shpresa, t’u forcohej shpirti e t’u ndriçohej mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe…. Me të vërtetë popullësija qytetare bullgare simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.
Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël shqipe dinte se si t’i tërhiqte nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptarë.
Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte meritë e mësuesit Anastas , sepse ai dinte si t’i bindte shqiptarët për shkollim në gjuhën amtare, meqë jo pak njerëz kishin ngatërruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha, edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kishte dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe, si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë, të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit, pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte, siç thonë rekalitë një ‘ledh’ që na ndanë si nga serbët, ashtu edhe nga grekët e turqit.
Anastasi ra në sy të agjentëve turq e serbë. Atë e ndiqnin këmba –këmbës, e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet, gjegjësisht nga fshati Llojan ishte një renegat turk e më vonë edhe serb, Arif Hiqmeti, të cilit çdo gjë i pengonte që ishte në gjuhën shqipe dhe punën e mësuesit Anastas do ta ndjek si hije. Arif Hiqmeti para hyqymetit turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.
Shqiptarët e Maqedonisë që tani rrojnë në këtë republikë, si të gjithë shqiptarët kudo që jetonin të ndarë në vilajete apo banovina, si edhe shqiptarët e zonave të tjera, dhanë kontribut të madh për hapjen e shkollave, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për të përballuar trysnitë shoviniste e asimiluese.
Shkolla ishte gjuhë e gjuha shkollë. Andaj çmimi i sakrificës si kudo ishte tepër i madh. Me të drejtë mund të thuhet se nuk ka asnjë histori arsimore kombëtare në botë aq të përgjakur, siç është historia e arsimit dhe e shkollës shqipe.
_________________________
Referencat:
Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Tiranë, 2003, f. 123.
2 Avzi Mustafa, Edukata dhe arsimi nëpër shekuj, Shkupi, 1997, f. 123.
3 Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit, i shkollave dhe mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni 1830-1920, Tetovë, 1997, f. 48.
4 Ali Vishko, Manastiri me rrethinë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Shkup, 1992, f. 18.
5 Jashar Rexhepagiq, Shkolla dhe arsimi në Kosovë nga fundi i shek. XIX gjer më 1918, Prishtinë, 1970, f. 85.
6 INI, Izveštaj , 1903, Skopje, 1953, f. 296.
7 VasileviÃâ¡, J. H., Crkva svete Bogorodice u Skoplju 1835-1935, Skoplje, 1935, f. 519-520.
8 Risto KantardÃ
¾iev, Makedonsko prerodbensko uÃÂiliste, Skopje, 1985, f. 41.
9 Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, Shkup, 2012, f. 30.
0 Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar I, Tiranë, 2003, f. 158.
11 .Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, Tiranë, 1973, f. 40.
12. Avzi Mustafa, Hamdi bej Ohëri – themelues i shkollës së parë shqipe në Ohër, Figura mësuesish shqiptarë 1, BKSH, Tetovë, 1995, f. 33.
13..Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptarë 1, BKSH, Tetovë , 1995, f. 37.
14. Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit, i shkollave dhe i mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni 1830-1912, Tetovë, 1997, f. 127.
15. Nga Raporti i konsullit të Austro-Hungarisë në Manastir (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, f. 144.
16. Petar Elezi Udhëtim në Malësinat e Dibrës dhe të Gostivarit, Bisedë me gjind që flasin në gjuhë të vet, KOSOVA 27 Shtator 1941, f. 4-5.
17 .Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, Shkup, 2012, f. 19.
18. nformatë nga Protogjeri i Kishës së Dufit, 1971.
19.Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISHM, Shkup, 2012, f. 135.
20. AQSH, Dosja 12, fl. 3-4, Tiranë, f . 23.
21. Po aty.
22. Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj, UISH, Shkup, 2012, f. 135.
23. Avzi Mustafa, http://gazetadielli.com/?s=avzi+mustafa%2C+anastas+albanski.
24. Avzi Mustafa: http://www.zemrashqiptare.net/news/46931/rp-0/act-print/rf-1/printo.html