SI E PLANIFIKOI UDB-a KIDNAPIMIN E SABRI NOVOSELLËS, NË VERËN E VITIT 1982?!

42 vjet më parë

SI E PLANIFIKOI UDB-a KIDNAPIMIN E SABRI NOVOSELLËS, NË VERËN E VITIT 1982?!

Më poshtë po iu prezantoj një dëshmi unike të ish policit shqiptar në policinë turke, Shukri Demiri, se si janë bërë përpjekje nga UDB-a jugosllave për kidnapimin e veprimtarit të palodhur të çështjes shqiptare dhe ish të burgosurit politik, zotit Sabri Novosella. Ky tentim i kindapimit dhe prangosjes së Sabri Novosellës është bërë pak kohë pas vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Udhëheqës i këtij operacioni antishqiptar ka qenë oficeri i UDB-ës Branko Rulla, i cili edhe në të kaluarën është shquar për ushtrimin e terrorit kundër popullsisë shqiptare të rrethit të Karadakut të Kumanovës.

Nga Asllan Muharremi (Mihaliqi)

Dëshmia e Shukri Demirit (*)

Ishte diku kah fundi i pranverës apo fillimi i verës së vitit 1982. Kisha shkuar në një kafe të lagjes “Sulltan Murati” në Stamboll, lagje kjo e banuar kryesisht me shqiptarë. Duke pirë kafe, tek tavolina ime erdh një burrë rreth të dyzetave, zeshkan, me mustaqe të shkurtra dhe me gjatësi trupi rreth një metër e nëntëdhjetë centimetra.

Burri i panjohur më përshëndeti:

-Mirëdita!

-Mirëdita – ia ktheva dhe u ngrita nga vendi e luta të ulej!

-Quhem Rrahman Zylfiu, jam nga Kumanova dhe kam dëgjuar se edhe ti je nga Kumanova e se këtu punon në polici. Prandaj, kam dashtë të bisedoj për një punë me ty. Nuk e di se a mundesh të më ndihmosh?

-Urdhëroni, më thoni çfarë problemi keni dhe me çka mund t’ju ndihmoj – e pyeta.

U mendua pak dhe me një qetësi të jashtëzakonshme fillojë të më flas:

-Këtu jeton një shqiptar nga Kosova. Ai ka plaçkitë banka. Jugosllavia po e lypë. Ai është diku, këtu, duke qëndruar. A ka mundësi që ti së bashku me kolegët e tuaj, ta përjashtoni nga këtu?

-Ku ta çojmë- i thash?

-Në Greqi – ma ktheu Rrahmani.

-E pse në Greqi- e pyeta?

-Në Greqi më mirë e kemi, sepse me Greqinë, si shtet, kemi marrëdhënie më të mira; Greqia na e dorëzon – vazhdoi Rrahmani.

-Po Bullgarinë e kemi më afër!  Çka të keqe ka me e dërguar deri në kufi me Bullgarinë, bie fjala deri në Edrene – i thash?

-Jo, jo, u përgjigj Rrahmani, Bullgaria s’na e dorëzon. Neve na konvenon më shumë të na e dërgoni në Greqi.

-Çka ka bërë ai – e pyeta?

-Ka vjedh banka!

-Po pse s’po e lajmëroni në Interpol  – e pyeta? Policia e arreston dhe ua kthen në Jugosllavi.

-Jo, jo – tha Rrahmani, ne s’po duam ashtu!

-Mirë – i thash, ai paska ardhur këtu, ai duhet të ketë ndonjë lloj të lejes së qëndrimit. Si do të mund ta largojmë nëse ai ka qëndrim këtu?

-Ai rri këtu, ashtu, kaçak – tha Rrahmani.

-Si t’ia bëj, ndoshta nuk mundem me e krye këtë punë?! Por, mos me arrit me e kthye, a keni ndonjë alternativë tjetër, sepse unë ndoshta s’mundem me e kthye?

-Dëgjo, më tha Rrahmani duhet me e provuar këtë rrugë. Nëse nuk funksionon kjo rrugë, ne i kemi disa specialistë të cilët shkojnë tek dyqani i tij dhe e palosin aty!

-Shiko, vazhdojë Rrahmani, nëse e kryen këtë punë unë do t’i jap 5000 dollarë. Kur ta kryesh punën pa asnjë problem, do të jap sa të duash! Kaq për fillim. Bisedo me kolegët tuaj se për para s’ka hiq problem.

-Hej, i thash, ky njeri nuk është në Interpol? Mua ma merr mendja se ky nuk ka vjedh bankav – ia ktheva. Ky njeri mund të jetë i arratisur politik! Nuk ma merr mendja se ky ka vjedh, sepse po të ishte ky grabitës i bankave, Jugosllavia e kishte lajmëruar dhe Turqia do t’ia kishte dorëzuar. Ky duhet të jetë i përndjekur politik. Ndoshta është për punë të Kosovës?

-Po, po ky është marrë me flamuj, del e banë propagandë kundër Jugosllavisë, kundër shtetit dhe sistemit. Shumë njerëz i ka marrë në qafë e futur nëpër burgje. Edhe vet u kanë nëpër burgje. Ky është lider i atyre kriminelëve e banditëve që po duan ta prishin Jugosllavinë.

-E ta q… nënën, të mora vesh se kush na qenke – thash vetë me vete.

-Qysh me ta gjet – e pyeta?! A ke ndonjë adresë ku rrinë me shtëpi?

-Adresën e kam – tha Rrahmani – ai jeton në Adapazar.

– Po mirë, ma jep adresën, që të jam i sigurt kur t’i hyj kësaj pune.

Rrahmani, nxori nga gjepi një letër dhe më tha: “këtu është” dhe ma dha adresën.

-Atëherë takohemi pas tre ditëve këtu në këtë vend dhe të tregoj se a mund ta gjej apo jo.

Pas ndarjes nisa ta bluaj në kokë “detyrën” që ma dha Rrahman Zylfiu. “Ky paska ardhur këtu për punë të veta. Po ku më gjeti mua se?! Unë me punë të shqiptarëve po merrem, vetëm këngë shqipe po dëgjoj e gazeta shqip po shpërndaj ndër shqiptarë, e ky më thotë t’ua lidh e dorëzoj një shqiptar. E për çka ta bëjë unë këtë punë të fëlliqur, për 5000 dollarë? Kurrë, kurrë kjo s’ka për të ndodhur! Tani më duhet të bëjë diçka, duhet ta shpëtoj shqiptarin që po do ta zhdukë ky njeriu i UDB-ës!”

Më vonë e takova shokun tim, Rasim Serbez. Rasimi punonte në NATO , dhe ai ashtu si unë,  ishte shqiptar nga Kumanova. Atij nisa t’i tregoj se si është puna. Rasimi e kishte një makinë dhe e pyeta se a mund të më ndihmonte ta çoja Rrahmanin deri tek shpellat e Hallkalisë dhe ta vras spiunin e fëlliqur.

Rasimi më dëgjoi me vëmendje dhe më tha: Shukri ky njeri që ka ardhur tek ti nuk është i vetëm. Me siguri, ata që e kanë dërguar e dinë se tek kush ka ardhur. Ke kujdes! Mos rreziko të biesh në burg, sepse të gjejnë. Por më dëgjo mua, më mirë do të ishte sikur të shkosh e të bisedosh me njeriun që po e kërkojnë dhe t’ia shpjegosh se si e ka gjendjen. Shqiptarin që po e kërkojnë këta të UDB-ës duhet ta njoftosh për rrezikun që e pret.

Atëherë po ia bëjmë kështu – i thash Rasimit: unë po ta paguaj benzinën dhe eja të shkojmë e të flasim me njeriun që po e kërkojnë.

Së bashku me Rasimin u nisëm me makinë për Adapazar. Gjatë rrugës,  makina jonë gjëmonte nga zëri i muzikës shqiptare. Pas disa orë udhëtimi arritëm tek adresa e Sabri Novosellës, ishte natë diku pas orës dhjetë.

I ramë ziles së derës së banesës së Sabri Novosellës. Pas pak ai na e hapi derën dhe na urdhëroi të hynim brenda.

Sabri Novosellës i tregova se kush ishim dhe pse kishim ardhur tek shtëpia e tij.

Sabriun e pyeta se nga ishte dhe pse kishte ikur nga Kosova.

-Për bajrak kam ikur – u përgjigj Sabriu dhe vazhdoi: Turqia më ka dhënë strehim politik.

U mendova pak dhe i bëra edhe një pyetje:

-Po banka, a ke vjedhur?

Sabriu me shikoi me habi dhe u përgjigj:

-Për flamurin kuq e zi e për lirinë e vendit tim i kam mbajtur nëntë vite burg. Kam jetuar nga puna e duarve të mia. Nuk jam hajdut i bankave.

I prekur nga përgjigja që mora, Sabriun e pyeta gjithashtu, se a mos kishte vërejtur në dyqanin e tij ndonjë klient të panjohur, një njeri zeshkan, të thatë e të gjatë diku rreth një metër e nëntëdhjetë centimetra.

Sabriu u mendua pak dhe u  përgjigj:

-Para dy-tre ditësh e kam parë një njeri me atë pamje. Ai ka hy në dyqanin tim e më ka pyetur se nga isha dhe se kur kisha ardhur në Turqi. Pasi ka shikuar pak rreth e rrotull ka dalë nga dyqani.

Sabri Novosellës i sugjerova që menjëherë ta kontaktonte policinë dhe ta kërkonte ndihmën e saj. Sabriu na tregojë se  e kishte një fqinj që punonte në polici. Pas pak shkojë të bisedonte me të dhe t’i kërkonte ndihmë. Sabriu u kthye dhe na tregoi se fqinji i tij do të fliste me policinë e Adapazarit. Nuk vonoi shumë e tek banesa e Sabriut erdhën policia e shërbimit sekret turk.  Ata na morën të treve dhe na dërguan në Stamboll ku na mbajtën gjithë natën. Të nesërmen më morën në pyetje dhe unë u tregova se si më kishte kontaktuar Rrahman Zylfiu.

Sipas marrëveshjes me policinë, ditën e tretë, duhej t’i shkoja në takim Rrahmanit. Policia më patë thënë që sapo të vije Rrahmani në kafene, nëse do të më ofronte ta ndizja një cigare, ta ndezja cigaren dhe menjëherë ta hidhja në tokë. Me këtë do të vërtetoja se personi që kishte ardhur në tavolinën time, ishte Rrahman Zylfiu.

Kështu edhe bëra.

Shkova në kafe pak para kohe e nuk vonoi shumë dhe aty erdh Rrahman Zylfiu. Pas u përshëndetem, Rrahmani zuri vend në tavolinë dhe më ofroi një cigare, të cilën e ndeza dhe hodha në dysheme, ashtu siç isha marrë vesh me policinë. Menjëherë afër nesh erdhën disa policë civil që kishin zënë vende në kafe dhe i kërkuan Rrahmanit dokumentet e identifikimit. Pasi e shikuan pasaportën e Rrahmanit, e dëgjova, që njëri nga policët i tha kolegut të tij: është njeri i ambasadës jugosllave, dhe menjëherë e urdhëruan që të shkonte me ta.

Në atë rast, Rrahmani më shikoi dhe më tha: Ah, më dogje, bre!

Unë i lëshova një të sharë dhe u bëra gati ta shqelmoja, por një policë ma tërhoqi vërejtjen që të përmbahesha.

***

Pas tre-katër ditësh, tek shtëpia ime erdhi i vëllai i vogël i Rrahmanit, Zena, i cili më pyeti se ku e kishte të vëllain?

E shikova me habi dhe i mbushur me plotë mllef, ia ktheva:

-Pse po më pyet për vëllain tënd? Mos jam unë ai që duhet me ta ruajtur vëllain tënd se kah shkon?! Shko e pyet në Shybe (Burgun hetues). Ndoshta policia e di se ku ndodhet?!

Pas pyetjes që më bëri Zena e kuptova edhe më mirë qëndrimin e drejt të  Rasimit. Po të mos e dëgjoja këshillën e tij, do të kisha përfunduar aty ku ka përfunduar ai këlyshi i UDB-ës.

 ***

Pas disa muajsh hetimesh të Rrahmanit dhe vëllai të tij, Rabitit, Gjykata e Stambollit më ftoi si dëshmitar. Gjyqtari më pyeti për të pandehurin dhe si isha njohur me te. I tregova gjithë historinë ashtu siç kishte ndodhur.

Disa ditë më vonë mora vesh se Rrahman Zylfi ishte dënuar me katër vite burg, ndërsa i vëllai i tij me dy vite burg. E mora vesh, gjithashtu se në hetuesi Rrahman Zylfiu e kishte pranuar se detyrën e kishte marrë nga oficeri i  UDB-ës Branko Rulla.

____________

(*) Shukri Demiri – një biografi e shkurtër

Shukri Demiri është i biri i Haki dhe Rabie Demirit nga fshati Izvor i Malësisë së Karadakut të Kumanovës.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në emër të luftës kundër nacionalistëve shqiptarë, partizanët e Titos të udhëhequr nga Branko Rulla, i vunë flakën fshatit Izvor dhe vranë shumë burra të fshatit. Hakiu, i ati i Shukriut arrin të largohet nga fshati dhe të strehohet tek dajt e gruas – në fshatin Sefer të Karadakut të Gjilanit (gjyshja e Shukriut ishte nga familja e Idriz Seferit).

Pas masakrës së partizanëve jugosllavë, familja e Shukriut shpërngulet në Kumanovë. Shukri Demiri ka lindur në Kumanovë në vitin 1952.

Në vitin 1963 i vdes i ati.

Në vitin 1968 familja e Shukri Demirit shpërngulet në Turqi. Në Stamboll Shukri Demiri e mbaron klasën e tetë të shkollës fillore. Pas mbarimit të shkollës fillore, ai regjistrohet në Akademinë e Policisë Turke. Menjëherë pas mbarimit të Akademisë e nis punën në policinë e Stambollit. Në vitin 1983, Shukri Demiri, largohet nga Turqia. Arratiset nga Turqia për shkak të marrjes së informacionit se do të burgosej për shkak të bindjeve të tij politike. Në Suedi, po në atë vit, i njihet statuti i emigrantit politik.

© Pashtriku.org

______________________

Fotoilustrime:

Në ballinë Asllan Muharremi (Mihaliqi) dhe Sabri Novosella, Adapazar (Turqi), verë 1983.

***

Adapazar (Turqi), Verë 1983: Asllan Muharremi së bashku me Njazi Strajën, Sabri Novosellën dhe Ymer Berishën. Njazi Straja dhe Sabri Novosella ishin anëtarë të Degës së LNÇKVShJ-së “Hasan Prishtina” në Turqi.

Durrës, verë 1987: Shukri Demiri dhe Asllan Muharremi (Mihaliqi)

Stokholm, viti 1989 – në këmbë: Shukri Demiri dhe Asllan Muharremi. Në rreshtin e parë: Xhafer Durmishi, Ismail dhe Helena Kadare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura