DR. MARK NDRECA: ‘ORGANIZATA EKSTREMISTE SERBE NË KOSOVË’ – LIBËR I FAKTEVE

Prishtinë, 20. 01. 2014 – (Vlerësim për librin “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, të autores Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS), Prishtinë, 2013, 183 f., ISBN 9789951625043) – Sapo e mora në dorë librin “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, të autores Fetnete Ramosaj, e lexova pa ju nda e me një frymë…, dhe kjo ndodhi së paku për dy arsye: Së pari, për vlerësimin e “hipotekuar” për autoren, e cila gjithherë shquhet për stilin e saj realist dhe përcjelljen e drejtpërdrejtë dhe PA APOLOGJI të fakteve, sado tronditëse qofshin ato. Së dyti, për topic-un shumë interesant të përzgjedhur prej autores Ramosaj, ku fjalëkyçi bazë është EKSTREMIZMI. Siç dihet, në ditët tona, veprimtaritë e strukturuara ekstremiste, për shkak të profilit të tyre kërcënues në fushën e sigurisë dhe pavarësisht ideologjive motivuese; etno-nacionaliste, politike apo religjioze, apo formatit e “mbulesave” të paraqitjes, janë dhe do të mbeten preokupacione të dorës së parë në shoqëritë demokratike kudo në botë.
Besoj, se edhe ky element ka qenë një shtysë e fuqishme, për studiuesen Fetnete Ramosaj që ta paraqesë këtë botim shumë interesant dhe të vlefshëm jo vetëm për lexuesit e thjeshtë, por edhe për profesionistët dhe ekspertët e fushës së sigurisë.

 

Autorja ia ka dalë që në librin e saj “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, të ndërtojë një strukturë të qartë e solide duke sinkronizuar mjeshtërisht e në mënyrë analitike tre komponentë bazikë:
– dokumentet historike, arkivore.
– informacionin e përditësuar faktik të mbledhur drejtpërsëdrejti nga terreni;
– opinionet dhe rekomandimet e ekspertizës lidhur me specifikat e ekstremizmit serb.
Ne jetojmë në një rajon me shumë diversitete për shkak të historisë së origjinës dhe prejardhjeve etnike të popujve përbërës, traditave, historisë së përjetuar; të shkuarës problematike me kriza dhe konflikte të brendshme, shpesh herë të dhunshme e të motivuar nga shkaqe dhe interesa të ndryshme. Ky back-graund historik i rajonit tonë, dëshmon më së shumti për dy kategori konfliktesh prezente: konfliktet brenda sllave dhe konfliktet sllavo-shqiptare; ose përcaktuar ndryshe, si dimensioni shqiptar i konflikteve në Ballkan, për të cilin tashmë, trevat tona e në veçanti Kosova, i kanë akoma plagët e hapura.
Ndaj nuk ka se si, që këto përjetime konfliktuale, të mos kenë lënë gjurmë të thella në marrëdhëniet e brendshme ndërmjet popujve dhe shteteve të rajonit. Andaj në këtë kontekst konfliktual, ka spikatur veprimtaria e organizatave ekstremiste serbe, e cila ka gjetur hapësirat e saj për t’u gjalluar – intensive, e organizuar, e strukturuar, e mirëfinancuar; me mision dhe objektiva të përcaktuara.
Tipar i qenësishëm në veprimtarinë shumëvjeçare të organizatave ekstremiste serbe në Kosovë, rezulton motivimi dhe mbështetja e gjithanshme financiare e logjistike nga ana e segmenteve politiko-shtetërore në Beograd.
Ashtu siç është dëshmuar dhe siç konfirmohet edhe prej studiuesve të huaj:
“Përdorimi i konspiracioneve dhe i organizatave sekrete, përdorimi i terrorizmit politik kundër qeverive në fuqi, apo prej këtyre të fundit, si mjete për fitimin e pushtetit, të ruajtjes, ose të përforcimit të tij, kanë rrënjë të thella në Serbi…” (Shiko: “Dokumente Historike mbi një ideologji serbe”, fq. 101. Autorë: Grmek, Gjidara e Shimak.)
Në këtë linjë kontekstuale, mendoj se duhet ruajtur përceptimi ynë sot për këtë qasje të vjetër serbe, e cila ka qenë dhe mbetet prezente në forma të ndryshme përmes organizatave të shumëllojshme ekstremiste me veprimtari në Kosovë e më gjerë. Prandaj, libri që kemi në dorë, na jep një ndihmesë të madhe në këtë drejtim.
Në faqet e këtij libri, ne gjejmë të provuar, se si veprimtaria e organizatave ekstremiste serbe në Kosovë, është e ngritur mbi traditën historike duke iu përshtatur linjave të spikatura të ekstremizmit global, motivuar kryesisht nga ideologjitë ekstreme etno-nacionaliste. Për më tepër, kur ekstremistët tradicionalistë tashmë e kanë pushtetin në Serbi.
Prania e strukturave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë ka pasur impaktet e saj në drejtim të limitimit të hapësirave dhe të kufizimit të protagonizmit sfidues të veprimtarisë ekstremiste serbe, mirëpo përderisa mbështetja ndaj tyre e ka bazamentin tek strukturat politiko-shtetërore në Beograd, problemi do të vijojë të mbetet i komplikuar edhe në terma kohore më afatgjata.
Duke lexuar këtë libër, të krijohet përshtypja se Fetnete Ramosaj, ‘tërheq vëmendjen” dhe “dërgon një mesazh” edhe për strukturat e institucionet e sigurisë së Kosovës dhe jo vetëm, që të shfaqin ndjesitë e tyre reaguese e parandaluese përballë sfidave të ekstremizmit të nesërm, shprehur së pari, kah bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet organizatave ekstremiste të motivuara nga ideologjitë ekstreme etno-nacionaliste, me organizatat ekstremiste të motivuara nga ideologjitë ekstreme religjioze. Dhe së dyti kah bashkëpunimi i mundshëm dhe jeta simbiotike ndërmjet organizatave ekstremiste etno-nacionaliste e religjioze me grupet e krimit të organizuar.
Në këtë kontekst, gjykoj, se asnjë Strategji kundër veprimtarive ekstremiste e antikushtetuese të organizatave e grupimeve të ndryshme klandestine nuk mund të ndërtohet pa njohur në detaje: të shkuarën e tyre, të sotmen dhe veprimtarinë perspektive të synuar prej këtyre organizatave… Ndaj ky libër na e jep këtë mundësi, duke na ofruar me shumë njohuri e informacion analitik për taktikat, format, dhe metodat që kanë përdorur e përdorin organizatat ekstremiste serbe kundër Kosovës dhe më gjerë.
Në përfundim, unë dëshiroj që ta falënderoj edhe njëherë autoren Fetnete Ramosaj dhe të shpreh një vlerësim të veçantë për kurajon, guximin dhe kontributin e saj shkencor e atdhetar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura