DR. ZEJNEPE ALILI- REXHEPI: PORTRETI LETRAR I MILLOSH GJERGJ NIKOLLËS – MIGJENIT

Pashtriku.org, 10. 05. 2014 – (Një shkëputje biobibliografike nga studimi i Doktoratës: “Gruaja te Migjeni dhe Flober-i) Ç’janë një miljon vjet para eternitas? – (Shkroi Migjeni, poeti që e parandjeu përjetësinë). Jeta dhe letërsia reflektohen me një peizazh të begatshëm ngjarjesh, në Shqipërinë e fillimviteve ‘20 – ‘30, të shekullit XX, ngjarje këto ca të trishta, të lëna pas (rënia e Perandorisë Osmane), ca entuziaste e shpresëdhënëse, si Pavarësia e vendit më 1912. Edhe jeta letrare e kulturore e kësaj kohe është përplot, me ngjarje të rëndësishme e mbresëlënëse, sidomos me vendosjen e regjimit të ri – Mbretërinë Shqiptare. Me këtë rast, edhe letërsia shfaqet me forma tjetërfare, nën ndikime të ndryshme: herë komformiste, qoftë edhe e përligjur, herë reaksionare, ideologjike, mistike, sentimentale…
Kjo periudhë tipizohet edhe me Migjenin, shkrimtar me bindje të formësuara natyrshëm, i ndikuar nga krijimtaria evropiane, që vargun poetik dhe filozofinë prozaike e krijon në frymën e Niçes… Është ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që spikat amoralitetin kohor, absurditetin e zakoneve të mbrapshta, injorancën e regjimit despotik, ky përfaqësues i denjë i letërsisë realiste, mjaft i frytshëm për artin e shkruar. Përfaqëson një ndër personalitetet më të spikatuara të letërsisë së viteve 1930 – ‘40, të shek. XX.

Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni vjen në jetë, pikërisht në kohën kur Shkodra, kjo qendër e lashtë kulture, përjeton kundërthënie të shumta fetare, meqenëse është qytet ku ndeshen besimet fetare, si: katolicizmi, ortodoksizmi dhe islamizmi. Në Shqipërinë e kohës, në një atmosferë të zymtë e të padurueshme mjerimi… Thuhet se …Ishte ditë vjeshte. 13 tetor 1911. Familjes Nikolla i lindi djalë. Prindërit ia dhuruan një emër të thjeshtë – Millosh… Ndërkaq më të afërtit e përkëdhelnin me një emër tjetër – Mirko. Kur po shkelte hapat e parë në jetë, Shkodra ende kishte rrugica të ngushta plot baltë, shtëpiza përdhecke ku dëgjohej fjala – nuk kam… nuk kemi… plot xhami, kisha, katedrale… Nëpër rrugë njerëz të papunë, pleq të lënë pasdore, fëmijë pa shpresë…
Milloshi ishte më i përkëdheluri i familjes Nikolla, sepse ishte më i vogli i motrave: Jelena (Lenka), Jovanka, Cvetka, Ollga dhe i vëllait, Nikollës. Ishte me fat mbase lindi në një familje të ndershme shkodrane, nga i gjyshi Nikollë Dibrani dhe gjyshja Stake Milani – Nikolla, e cila më vonë zë një vend të rëndësishëm në jetën e Milloshit, posaçërisht pas vdekjes së prindërve Gjergj Nikollës dhe Sofia Kokoshit – Nikollës, ajo përkujdeset për Mirkon, madje si më i vogël i familjes Nikolla, ai pati: kujdesin dhe dashurinë më të madhe të të gjithë neve, rrëfen e motra, Lenka.
Me bashkimin e familjeve: Nikolla dhe Kokoshi, lind Migjeni. Familja Nikolla pa ndonjë gjendje të mirë materiale, por e ndershme dhe fisnike, ndërsa Kokoshët ishin pasanikë me tradita të larta qytetare. Migjeni u rrit në një familje me vështirësi ekonomike, si shumë familje tjera shkodrane, gjendje e cila i pamundësoi ndonjë zgjedhje solide për shkollim, teksa Shkodra ishte qyteti ku ndeshen sheshazi besimet fetare. Në jetën e Migjenit ndodhën ngjarje tronditëse: në moshën pesëvjeçare e përjeton vdekjen e të atit, ndërsa në moshën tetëvjeçare i vdes edhe e ëma. Këto kujtime të pakëndshme e përcjellin gjatë në jetë, dhe pasojnë me vdekjen e një motre dhe të vëllait të vetëm. I vëllai Nikolla, vdes i ri, vetëm 24 vjeçar, poashtu edhe dy motrat Voina (njëvjeçare) dhe Ollga .

Si natyrë ishte shumë mirëqenës, gjë që e shfaq nga fëmijëria. Për shpirtin e tij delikat dhe dobësinë për të mjerët janë shënuar me dhjetëra ngjarje.
Një ditë teksa shkon në shkollë me kushërirën Leposavën, në një kënd pranë kishës ai sheh një plak të mjerë që kishte ngrirë nga i ftohti dhe i drejtohet Leposavës: – Leposavë, sot qenka shumë ftohtë! Shiko atje! Ai plak i mjerë po dridhet prej të ftohtit. Paska ngrirë i mjeri! Pas kësaj ai, ia dha vrapit si pa frymë, për një çast u gjend në shtëpi: – Ma nep atë pallton e madhe të babës. Atë që rri e varur pas dere! Një plak, fukaraja, po dridhet nga të ftohtit. Atje në një qoshe të kishës është strukur.
– Nuk pata zemër. Ja dhashë. E mori dhe vrapoi drejt plakut. Në fytyrën e njomë të tij, shkrepi gëzimi. Edhe sot më përfytyrohet ajo buzëqeshje e tij, ndërhyn Jovanka. Vërtet, rrëfime të këtilla e të shumta e përvijojnë portretin e Migjenit.
Mundësitë për shkollimin e Mirkos ishin të pakta, ndonëse ishte fëmijë inteligjent dhe i zellshëm. Atëbotë, në Shkodër me të madhe qenë hapur seminare fetare, andaj Migjeni s’ka alternativë, edhe pse kishte shumë shkolla private e të huaja, shkolla: jezuite, françeskane, italiane, serbe, por ato nuk i plotësonin as kushtet minimale pedagogjike. Pjesa më e madhe e popullatës ishte analfabete, prandaj intelektualët dhe dashamirët synonin që të hapen shkolla popullore.
Familja e Mirkos që i përkiste besimit ortodoks, si dhe në pamundësi materiale për ta shkolluar kudo, vendos ta edukojë në frymën religjioze, duke e regjistruar në shkollën serbe të qytetit.
Mirëpo, qysh herët Milloshi ndahet nga vendlindja e tij, meqë me vdekjen e së ëmës, atë e transferojnë në Tivar, ku jetonte e motra e martuar Lenka, ndërsa më 1928 e regjistron Seminarin ortodoks në Manastir. Sikurse …dihet, shkollën fillore Migjeni e kreu në Shkodër, në vitin 1923. E, si kreu dhe mësimet gjysmë të mesme, pjesërisht në Tivar e pjesërisht në Manastir, për vitin shkollor 1927 – 1928 regjistrohet në seminarin ortodoks të Manastirit, të cilin e kryen në qershor të vitit 1932. Kjo kohë përfshin një kapitull të veçantë të jetës dhe të baritjeve shpirtërore të poetit. Edhe në Tivar e në Manastir, sikurse në Shkodër, Migjeni ndeshet me të njëjtën shtypje dhe varfëri, pamje kjo që i fanitet gjithmonë, e më pas i shkruan si kujtime në veprën e tij.

Si seminarist ai dallohet me poezi dhe shkrime eseistike, ndër më të mirat, përderisa merr pjesë në diskutime dhe polemika letrare të shoqatës. Fjala e tij është e thellë. Mendimi i tij rreth problemeve letrare shpreh maturi dhe seriozitet. Me këtë, ai që në fillim sinjalizon se është mjaft i informuar për krijimtarinë letrare novatore që zhvillohej në Evropë e më gjerë. Nganjëherë binte në sy të profesorëve, sidomos atij të gjuhës (serbe) para të cilit shtron dilema dhe i kundërvihet me argumente. Merret edhe me shkrime analitike, por fatkeqësisht të gjitha shkrimet atë kohë bëheshin kopje dhe një prej tyre dorëzohej në drejtorinë e shkollës, kuptohet për cenzurë (ndoshta ato kopje gjenden në arkivin e Seminarit të Manastirit). Shpesh ai ndalohej t’i lexonte punimet para grupit letrar, sepse profesori i gjuhës gjente hala në brendinë e tyre dhe akuzonte për përmbajtje me thumba antifetarë. Mbase, pikërisht pleksja fetare: ortodokse, katolike e myslimane, si dhe ndeshja e kulturës me konservatoren, projekton jetën në mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo qe ndoshta nxitja reale që Migjeni të shkruajë dhe letërsia u bë burim i pashterrshëm i frymëzimit poetik dhe shtytje për vrojtime estetike, si skica të shkëputura të jetës. Shkruan dhe boton me pseudonimin Migjeni, një lidhje e sajuar nga shkëputja e dy shkronjave të para nga emri i tij, emri i të atit dhe mbiemri – Millosh Gjergj Nikolla.
Migjeni, tani më, një i ri i sapo diplomuar kthehet në vendlindje, i ndikuar nga letërsia evropiane, kryesisht ajo ruse, frenge e angleze. I apasionuar pas veprave të Niçe-s, Frojd-it, Dostojevski-t, Gork-it, Balzaku-t, Ygo-s, Shekspir-it, e ndonjë tjetri mbase, në mënyrë po aq filozofike e trajton çështjen shqiptare, si problematikë e njohur e shoqërisë, të ndarë në dy klasa ekstremisht të ndryshme: e privilegjuara – aristokracia e vendit dhe e shtypura – shtresa e gjerë popullore.
Si një vështrues i thuktë e analizues i vëmendshëm i dukurive të realitetit të kohës, ai mundëson përjetime reale, në një rrafsh kuptimor, plot shtresa ideore të një bote humane…luftoi edhe për emancipimin ideopolitik të shqiptarit dhe se me të fillon një epokë e re zhvillimi i kulturës shqiptare. Shfaq prirjet humane të një poeti të ndjeshëm e modest që pati ofertë për të studiuar në Sorbone, por më shumë se sa t’i jepej një filozofie teologjike, të largët e të panjohur për të, ai parapëlqen të qëndrojë mik i skamnorëve dhe i të përvuajturve. Migjeni është poet i masës popullore për nga tematika që trajton, ndonëse i një niveli të lartë artistik, me të cilin brumos vargun. Motoja e tij ishte e vërteta. Atë e rebelon padrejtësia dhe shfrytëzimi, siç shprehet Nonda Bulka: Ky, ëngjëll i revoltuar kundra perëndive të vjetëruara, zgjodhi një zot të ri. Në të vërtetë, ai kërkon rrugën e drejtë, konceptin tjetërfare të lirisë.

Kujtimet që zakonisht mund të shkëputen nga jeta e Migjenit kanë të bëjnë me qëndrimin në Tivar, Ulqin dhe Manastir. Kthimi i tij në Shkodër i ngjan kthimit të Faik Konicës, kur pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh kthehet në Shqipëri, dhe posa zbarkon në portin e Durrësit, e ndien që dashuria e malli për ta parë vendin kthehet në dëshpërim të papërshkrueshëm. Po e njëjta ndjenjë e përshkon edhe Migjenin.
Pas mbarimit të studimeve në Seminar, që i filloi në Tivar dhe i mbaroi në Manastir, emërohet mësues në Vrakë, një fshat në malësinë e Shkodrës. Milloshi e filloi punën si mësues në Pukë më 18 prill 1936. U emërua drejtues i “Shkollës fillore të përzieme”, që varej, nga ana administrative, prej Inspektorisë së Arsimit të Shkodrës. Duke i njohur rrethanat e Shkodrës, Migjeni që herët filloi ta vrojtojë realitetin e hidhur. Gjatë punës si mësues, gjithmonë ballafaqohet me akuzat e priftit të fshatit, sepse në atë mjedis malësor, ku feja ka ndikim të madh, Migjenin e presin me veladonin e priftit, ndërsa entuziazmi dhe përpjekjet e palodhshme të tij, në mësimin dhe edukimin e fëmijëve bëhen pengesë e madhe për predikimet dhe ndikimin e priftit.
Njohja e së vërtetës mbi hipokrizinë fetare e shtyn Migjenin të heq dorë nga studimet e mëtejme teologjike. Ai ka qëndrim të prerë kur shmanget nga kisha, s’e ndërron bindjen as kur i ofrojnë për të studiuar në Oksford, vetëm pse ishte Fakulteti i Teologjisë.
Krijimtaria e Migjenit, poezia dhe proza (sipas shumë studiuesve është shkruar brenda pak vitesh, 1934 – 1937, ndonëse ka të dhëna se ai është marrë me shkrime që nga studimet në Seminar), pasqyron zgjuarësinë e një talenti të ri dhe synimin e një eruditi për tendenca të reja në letërsi.
Vëllimin poetik Vargjet e lira që Migjeni e dërgon për botim, censurohet nga regjimi i kohës dhe nuk lejohet në qarkullim, sepse ka një kredo shumë të fuqishme njerëzore, si vetë revolta dhe jehona e njeriut për një të ardhme më të mirë. Pikërisht për këtë arsye, edhe Migjeni, si të gjithë poetët e masës, e jo të elitës pushtetare, përbuzet, mohohet e ndalohet, madje edhe Platoni, në shtetin ideal të tij i dëbon poetët si prishës të moralit e të rendit shoqëror.
Vepra është krijuar me një liri tematike, të cilën e redakton vetë poeti. E ndanë në pesë cikle: Kangët e Ringjalljes, Kangët e Mjerimit, Kangët e Përndimit, Kangë në vete, Kangët e Rinis, ndërsa më vonë u bashkangjitet edhe Kangët e fundit, të cilëve u paraprin vjersha hyrëse Parathanja e parathanjeve. Në këtë të fundit, ai e shpreh qëndrimin antiklasor dhe antiklerikal, e paralajmëron lindjen e një kohe të re, kur njerëzimi s’do të lejojë që të mashtrohet nga filozofia boshe biblike. Është nga ata poetë që shkroi pak, por tha shumë, kur dihet që …fatin e një poezie e të një poeti e vendos cilësia e jo sasia. Kjo dhunti nuk i mungon një shkrimtari si Migjeni, meqenëse formohet duke i lexuar revistat e kohës dhe përkthimet e kolosëve, si: Shekspiri, Gëteja, Shileri… ndërsa të pranishme në tryezën e tij të punës ishin veprat e: Dostojevskit, Tolstojit, Gorkit, Londonit, Sinklerit…
Migjeni edhe e ka emërtuar dorëshkrimin e tij Vargjet e lira, një fletore të hollë, tani më të dërguar për botim. Vëllimit duhej t’i bashkangjitet edhe poezia Kanga që s’kuptohet, si zbrazje e fundit shpirtërore, si një lloj testamenti ku riepilogohet gjithë jeta e tij poetike në nji lamtumirë t’idhtë, e në të vërtetë: Ua plasi zemrën poetëve Shqipëria, do të shprehet Fatos Arapi.
Në Vargjet e lira ndihet shpirti i lirë i krijuesit plot elegancë, i topitur në sinqeritet e krenari, edhe pse vepra e posashkruar nuk pati fat që të bjerë në duart e lexuesve. Disa vite më vonë, vepra botohet, por …më 1944, vëllimit iu shtuan tetë vjersha që Migjeni nuk i botoi me gjallje. Gjashtë prej tyre, botonjësit i renditën në një cikël më vehte, që mbyllte librin e që mori titullin “Kangët e fundit”. Dy të tjerat hynë te “Kangët e përndimit”. Sipas dorëshkrimeve origjinale, të gjashtë këngët e sipërme u shkruan në vitet 1936 – ’37.
Kjo vepër poetike shpalos një personalitet të çmuar të letërsisë, edhe pse vepra mbeti e pabotuar në të gjallë të poetit, të cilit jeta iu venit herët. Libri i paplotësuar u kopjua me dorë, u daktilografua, dhe qarkulloi nëpër popull. Të së njëjtës periudhë sikurse Vargjet e lira janë edhe prozat e Migjenit, të cilave ai u vë titullin Novelat e Qytetit të Veriut. Më vonë …nën përkujdesjen e Skënder Luarasit, u botua tërë opusi i tij krijues (vjershat, tregimet, skicat, letërkëmbimet, etj.) në një vëllim të veçantë. Pra, vepra, e cila u dërgua në shtyp më 1936, u censurua nga qeveria zogiste, duke mos e lejuar shpërndarjen e saj, megjithatë përjeton edhe një botim të dytë më 1944, pas vdekjes së autorit. Qeveria e atëhershme e lejon ribotimin, pa e shmangur censurën vetëm mbi poezinë Parathanja e parathanjeve, sepse në të qartë aludohet se: Përditë prendojnë Zotat, e cila tingëllon si paralajmërim i një ndryshimi të madh shoqëror.
Me thellësinë filozofike e mesazhet e fuqishme që përmban, vepra e Migjenit mirëpritet, si nga kritika, ashtu edhe nga lexuesit, meqë: Si me jetën e vet ashtu edhe me veprën-me jetën e shkurtë e veprën fizikisht të vogël-Migjeni asht shprehje e paradokseve të kohës së tij. Është e qartë se …të gjitha shkrimet e Migjenit kanë nji rezonancë-mjerimin. Pra, në opinion paraqitet me një vepër që kërkon vullnet e përpjekje të mëdha, ku njohja e studimi, jo vetëm i karaktereve, por edhe i lëndës që e shtjellon, kërkon durim e përvojë të një talenti të latuar. Shfaqet me një vepër jovoluminoze, ku gjen shprehje shpërthyese talenti i ri, pavarësisht se shkruan në kohë tejet të kufizuar, vetëm 3-4 vjeçare ndoshta, nga vitet 1934-‘36, ndërsa gjatë viteve ’37 dhe ’38 shkruan vetëm dy proza. Mos vallë kjo dëshmon se shkrimtari e parandjen fundin e jetës dhe dita-ditës i shterret forca fizike, e kurrsesi delli krijues?!

Siç duket, ai e ndien fare pranë fundin e jetës, mirëpo qëndron stoik. Këtë e shpreh në disa poezi, sidomos në ato të fundit, si në Një natë pa gjumë, ku shkruan se shpirti tani më është afër agonisë. Vetmia, shoqëruesja e vetme, përpos miqve të rrallë, tani më e pushton shpirtin e tij të molisur nga dhembjet dhe një natë të tmerrshme ai dergjet n’errsinë pa gjumë edhe pa dritë, mes jetës e vdekjes. Si në agoni, me gjithë shpirt lutet për: Pak dritë! Pak dritë! Pakë dritë o shok o vlla,/Të lutem pak dritë në ket natë kur shpirti vuen,/kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum’/nuk ka,/urren, nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don. Sëmundja torturuese mundohet ta mposht për të triumfuar mbi jetën, mirëpo poeti e sfidon vdekjen përmes Vargjeve të lira, ku këndohet pa pra. Madje, këtu sikur zë vend thënia e Moikom Zeqos: Por ç’ësht vdekja fizike? Një truk, ose një konvencion, që vë në pah tërë altruizmin e poetit që e bën të pavdekshëm, sepse humanizmi i Migjenit është i përmasave mitike. Me ndjenjën e patjetërsueshme që Kangët e pakëndueme të bëhen zë jetik i secilit, Migjeni shkruan: unë djepi juej, ndoshta varr i juej, ku bota e brendshme shpirtërore e poetit shpërthen hovshëm të sfidojë kohën e kufizuar, me parandjenjën e jetës së pakët, sado që përplot me ideale të reja. Fatkeqësisht, …Poeti i kushtrimit dhe i brengës e la këtë botë, jo me ballin e stolisur prej kurorash dafine si Petrarka, po me kurora gjembash si Danteja dhe Pushkini. Sipas kritikës letrare, ky poet merret si hero i mendimit, tek i cili kultin e trimërisë epike e zë kulti i fuqisë mendore. Migjeni la një kryevepër letrare, sado që, me bashkëkohasit e tij: Serembe, Naimi, Mjeda, Çajupi, Asdreni… u akuzuan si shkrimtarë që reformoheshin përmes interpretimit nën dritën e boshtit ideologjik, pastaj Fishta, Konica, Kuteli, Camaj, Pipa, Koliqi, braktiseshin si agjentë të austriakëve, italianëve, i dreqit e të birit…
Shumë shkrimtarë përjetojnë golgotë pengesash, censurash e përçmimesh gjatë jetës, ndërsa vetëm pas vdekjes, vepra e tyre zë të çmohet. Ky fat e ndjek edhe Migjenin, por jo për gjatë kohë. Vëllimi poetik Vargjet e lira botohet edhe në gjuhë të huaja, duke dalë jasht kufinjve të Shqipërisë. Sidomos vlen të përmendet kur …më 1965, në Paris u botua një përmbledhje poezish të Migjenit me titullin Poemes (Poema), të përkthyera nga Kolë Luka dhe me një parathënie të Andrea Varfit.

Shkrimtarët, të cilët për Migjenin, më së shumti lanë të dhëna jetësore dhe letrare, përmes monografive të tyre, janë: Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Mensur Raifi, Petro Janura, Skender Luarasi, Ollga Nikolla (e motra e Migjenit), Ali Llunji, etj. Mirëpo, për Migjenin nuk reshtin shkrimet, si: monografi, revista, artikuj, ese, komente, analiza, kritikë…, që vijnë nga një vargan i pafund studiuesish e kritikësh letrarë: Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Gertruda Ejntrei, Qemal Draçini, Rrahman Dedaj, Rexhep Hoxha, Nazmi Rrahmani, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Resmije Kryeziu, Gjergj Zheji, Mirlinda Krifca-Beqiri, Sefedin Fetiu, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Sali Bashota, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Ndriçim Kulla, Ali Xhiku, Kujtim Shala, Luan Topçiu, Rinush Idrizi, etj.
Studimet e shumta për personalitetin e Migjenit dhe veprën e tij, ofrojnë sa më shumë të dhëna dhe dije, që si rrjedhojë shpërthimesh emocionale e prekin origjinalitetin e artit të shkruar, të ngritur mbi imazhin e shpirtit, ëndrrës e reales të shoqërisë shqiptare të kësaj kohe.

 

KU ËSHTË MIGJENI SOT?

 ______________________________________

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura