Tetovë, 26 nëntor 2017: Bashkimi Europian, Rusia dhe Turqia nuk mund të prodhojnë stabilitet të jashtëm, përderisa nuk kanë stabilitet politik të brendshëm.
Bashkimi Evropian, në aspektin të interesave të veçanta mes shteteve anëtare nuk është homogjen, si i tillë nuk është i qëndrueshëm në perspektivë, sespe në vete përmban hipoteka nga e kaluara, dy luftërat botërore, periudhën e kolonializimit, luftën e ftohtë dhe qëndrime të veçanta të shteteve anëtare ndaj këtyre çështjeve, prandaj edhe nuk mund të jenë faktor me ndikim për zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e paqes së qëndrushme në Ballkanin Perëndimor. Me këto raporte forcash mes shteteve anëtare brenda BE-së, një kohë të gjatë do mbetet në tavolinën e bisedimeve, ëndrra serbe për ndarjen e Kosovës, për copëtimin e Bosnje dhe Hercegovinës, çështja e Maqedonisë, e Qipros së ndarë; në një të ardhme të afërt, ndoshta edhe ndarja e Greqisë dhe e Serbisë (Vojvodina, Sanxhaku, Lugina e Preshevës, Timoku).
Me krijimin e rrethanave të reja në Europë, me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Murit të Berlinit, përveç luftërave të përgjakshme, krimeve masive dhe gjenocidit, gjatë shpërbërjes së ish federatës jugosllave dhe krijimit të shteteve të reja të pavarura, asgjë të re nuk ka sjellë BE në rajonin e Ballkanit.
Nga përvojat e derisotme dhe analizat e hollësishme të marrëdhënieve mes shteteve anëtare dhe strukturave të BE-së, shtetet ballkanike, me probleme të pazgjidhura nga e kaluara, nuk duhet të presin zgjidhje fatlume, të dobishme, afatgjatë, as paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan.
Shqipëria është shteti i vetën në këtë rajon, i çliruar nga ky ndikim, nga eksklusiviteti i burokracisë europiane. Këtë rrugë duhet ta ndjekin edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen aktualisht, për sigurimin e progresit ekonomik, stabilitetit, paqes dhe sigurisë së tyre.
Janë katër prioritete që duhet t’i ndjekin shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina:
1. Pastrimi i skenës politike nga: elementet mbështetëse të ndikimit rus, radikalizmi fetar, strukturat e ish regjimit komunist dhe rrjeti i strukturave kriminale të krijuara gjatë ,,tranzicionit demokratik” në këto shtete;
2. Anëtarësimi në NATO, si e vetmja garanci për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këto shtete (disa nga këto shtete janë anëtare të Kartës së Adriatikut, A-5);
3. Krijimi i marrëdhënieve të veçanta, partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si forcë ekonomike dhe ushtarake e vetme në botë për ruajtjen e paqes së qëndrushme, si faktor vendimtar dhe i dëshmuar për zgjidhjen e krizave në botën e sotme, për sigurimin e progresit ekonomik dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit të trazuar, të paqes së cënuar rëndë gjatë viteve të fundit, me gërshetimin e interesave gjeostrategjike në këtë rajon, sidomos mes Rusisë, Turqisë dhe BE-së, të cilat nuk mund të prodhojnë stabilitet të jashtëm, përderisa nuk kanë demokraci të konsoliduara dhe stabilitet të brendshëm në vendet e tyre.
4. Me shtetet tjera, sidomos me Gjermaninë, mund të krijohen marrëdhënie të mira vetëm në nivel të shteteve, jashtë strukturave të BE-së.
(26.11.2017)