SADRI RAMABAJA: DILEMAT HEBREJE

(Prishtinë, 19 janar 2013) – Në prag të zgjedhjeve në Izrael fituesi duket të jetë më se i qartë: blloku i djathtë në krye me Benjamin Netanjahun. Arsyeja duket të jetë fare e thjeshtë: opozita vazhdon të mbetet tepër e dobët dhe e shpërndarë. Bazuar në interesat amerikane paqja në Lindjen e Mesme do të duhej të imponohej. Sidoqoftë, gjasat janë më të mëdha për një Intifadë të tretë e me këtë zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Afërt shtyhet për kalendrat greke.
Sipas sistemit politik izraelit i gjithë territori shtetëror paraqet një zonë zgjedhore. Për shkak të rrethanave politike dhe gjendjes së luftës zgjedhjet në Izrael mbesin sekret shtetëror. Në zgjedhje çdo qytetar edhë në kutin e votimit nga dy lista: përmes njërës ai jep votën për partinë e preferuar, ndërkaq me tjetrën për kandidaturën e kryeministrit.
Në çdo legjislaturë në Kneset janë përfaqësuar 10-15 parti politike, duke prezantuar vlera politike të grupimeve dhe shtresave të ndryshme të qytetarëve të Izraelit.
Dy partitë më të mëdha – ajo që prezanton vlerat e socialdemokracisë – Partia e Punës, në njërën anë, dhe ajo që prezanton vlerat nacional-liberale, Likud-Bllok, në anën tjetër, në vetvete prezantojnë historinë dhe vlerat politike izraelite, që zënë fill që me lindjen e shtetit izraelit.

Benjamin Netanjahu

Asnjëra prej partive pjesëmarrëse në Kneset nuk fiton dot më shumë se 50 vende, nga 120 sa ka gjithsejtë parlamenti. Pjesën tjetër të Knesetit e përmbushin përfaqësuesit e partive më të vogla të një spektri të gjerë politik: spektri i partive konservatore ultra fetare, partitë e majta liberale, partitë e djathta nacionaliste, partitë arabe dhe partitë komuniste. 
Zgjedhjet aktuale të një rëndësie jetike
Nuk është e rastësishme përse zgjedhjet aktuale që pritet të mbahen në Izrael gjatë shkurtit si për Knesetin ashtu edhe për kryeministrin, nga vëzhguesit e jashtëm shihen si të një rëndësie jetike. E kundërta, brenda vet Izraelit, një masë e madhe e qytetarëve, zgjedhjet i sheh me një indiferencë të jashtëzakonshme! Ky fakt nuk do të thotë në asnjë mënyrë që shumica e qytetarëve hebre janë të kënaqur me qeverisjen aktuale. Protestat me karakter social që herë me intensitet më të lartë (siç ishin para dy vjetëve), e herë më të ultë, siç janë tashti, dëshmojnë se të pakënaqurit mbeten tutje aktiv.
Megjithëkëtë, anketat e zhvilluara së fundmi dëshmojnë se një shumicë të lehtë aktualisht e gëzon krahu i djathtë. Madje në këto anketa rezultati shkon në favor të qartë pro Natanjahut, duke dhënë mundësi të ndjeshme atij për krijimin e një koalicioni qeverisës që angazhohet për një Izrael të fortë, me një armatë të fuqishme që garanton jo vetëm sigurinë e Izraelit, por edhe shtrirjen e tij tutje në zona arabe përmes politikave koloniale. Ndërkaq, tutje një pjesë e mirë e qytetarëve izraelitë, ka më shumë se 20 vite, gjithnjë e më zëshëm po shprehet për dhënien fund të kësaj politike koloniale dhe krijimin e parakushteve për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme. Natyrisht se, kjo paqe nënkupton njohjen e shtetit palestinez. Por një rrymë tjetër e qytetarëve izraelitë, pavarësisht se e vogël në numër dhe pa farë peshe politike, nuk ngurron të shprehet edhe publikisht për një formë bashkëjetese. Ky grupim politik kishte gjasa të forcohej para dy vitesh, kur në qendrat e fuqishme hebreje pati protesta të fuqishme sociale. Gjasat ishin që nga kjo lëvizje sociale të lindte një parti politike e fuqishme, por kjo dështoi.
“Etërit izraelitë përherë e kishin përsëritur se, Izraeli do të duhej të ishte një dritë -fanarë i kombeve, një krijesë model në rrafshin moral dhe social për gjithë botën”, shprehet Eliaz Cohen, poet, lektor, bashkëpunëtor social dhe aktivist që angazhohet kundër një zgjidhjeje që nënkupton krijimin e dy shteteve. Zgjidhja e vetme, sipas tij është konfederata. Diçka e ngjashme me Unionin Evropian: me ekonomi të integruar, një monedhë, me të njëjtat rregulla dhe të drejta për të gjithë qytetarët”.
Por si grupimi që angazhohet për dy shtete, si ky për një konfederatë, që nënkuptojnë një zgjidhje paqësore, por që nuk po gjejnë partner serioz nga pala palestineze. Shih për këtë një shumicë e lehtë voton për të djathtën që në aparencë duket se ofron një lloj sigurie, madje edhe duke qenë në gjendje që lirinë dhe sigurinë ta bëjë nëse është e nevojshme edhe me luftë. Ndërkaq fakti se pothuajse të gjitha luftrat që janë zhvilluar deri sot, që prej vitit 1948, janë udhëhequr pothuajse nga qeveritë e majta.
Partia kryesore opozitare në Izrael, Partia e Punës, tashmë është e vetëdijshme se koalicioni i ekstremit të djathtë ka përzgjedhur si tema qendrore të fushatës pikërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit dhe mbrojtjen. Shih për këtë Partia e Punës, q[ mbetet opozita kryesore, duket se po shmang temat në fjalë, duke u përqendruar tek shpërfaqja e temave që kanë të bëjnë me ekonominë dhe ato shoqërore. Prandaj ajo mbetet duket tutje në opozitë, meqë nuk është në gjendje tutje të bëjë një kombinim të duhur të këtyre çështjeve që ligjërisht i preokupojnë qytetarët.
E ardhmja e SHBA-ve drejt Azisë
Dilemat hebreje duken të turbullojnë perspektivën e rajonit. Në këtë plan rol të ndjeshëm do të luaj politika e jashtme e administratës amerikane, por edhe qasja e re e disa qarqeve politike evropiane.
Pas rizgjedhjes së dytë të Obamës në pozitën e presidentit, udhëtimin e parë jashtë vendit ai e bëri drejt Azisë, pikërisht në Birma. Ky udhëtim nuk ishte krejt i rastësishëm. Madje mund të thuhet se më shumë sinjalizon orientimin e SHBA-ve në këtë legjislaturë të re. E ardhmja e SHBA-ve dhe interesat më jetike janë në Azi.
Pavarësisht kësaj, partneriteti gjeostrategjik më i rëndësishëm për SHBA mbetet Evropa, Gjermania para së gjithash, por edhe Izraeli…
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden (Joe Biden), gjatë shkurtit do të takohet me kancelarin gjermane Angella Merkell. Ky takim do të shërbej edhe më shumë, jo thjeshtë misionit pajtues, por për të dëshmuar peshën e Gjermanisë brenda Unionit Europian.
Në këtë kuadër, qeveria e re izraelite, Netanjahu III, jo rastësisht i ka dhënë përparësi lidhjes më të ngushtë të aleancës së tij qeverisëse me forca të ekstremit të djathtë. Sipas ekspertëve të sigurisë, pikërisht ky fakt, do të prodhojë pashmangshëm kundërefekte në bllokun radikal palestinez, që do të identifikohet si Intifada e tretë.
Emërimi i Xhon Kerrit (John Kerry) në postin e Sekretarit të Jashtëm dhe Kuk Hagellit (Chuck Hagel) në postin e Ministrit të Mbrojtjes është sinjal i mirë për Izraelin dhe Evropën. Duke qenë se që të dy politikanët në fjalë kanë kaluar tashmë në të ashtuquajturën moshë të tretë, (mbi 65 vjet jetë), ata i takojnë asaj klase politike dhe mendimi politik që ka kultivuar dhe dominuar marrëdhëniet e mira në rrafshin transatlantik që prej mbarimit të Luftës ës Dytë Botërore e deri më 11 shtator 2001, pa përjashtuar edhe aktualitetin e mbarsur me ndeshtrasha ekonomike e politike. Ndërkaq ky i dyti, Hageli, duke qenë edhe njëri prej përfaqësuesve eminent të ekspertëve amerikan dhe koautorëve të politikave të sigurisë, në opinionin e analistëve si në Izrael ashtu edhe në Evropë, paraqet figurën e duhur që i përafrohet konceptit evropian edhe në lëmin e mbrojtjes, që nënkupton kooperimin në raste të pashmangshme të marrjes së vendimeve historike. Ky koncept i vete në ndihmë dilemave hebreje, meqë mesazhi amerikan duket të artikulohet edhe më qartë se sa ishte në vitin 2005, kur presidenti Barak Obama shkruante se bazuar në interesat amerikane paqja në Lindjen e Mesme do të duhej të imponohej.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura