TRADITA …

Shoqëria Kulturore Artistike “Tradita”, prezantuese e denjë e vlerave autoktone  trashëgimore të Anës së Malit

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin – 3 shkurt 2023

Me këtë emër, në kuadër të Biznis Klubit “Ana e Malit”  (BKA-së) në vitin  2013 u themelua  ky ansambël me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kulturore dhe artistike të zonës së Anës së Malit. Kryetari i kësaj shoqëria artistike Selatin Gjeloshi, na njoftoi se të gjithë  anëtarët e tjerë të kryesisë janë anëtarë të ish-grupeve të shoqërive kulturore-artistike të mëparshme “Buna”, “Lipoja” dhe Zgjimi” të cilat kanë vepruar e kontribuar  në këtë trevë, sikurse edhe anëtarë të rinj me synimin që të bashkohen  si një trup i vetëm, i përbashkët për ruajtjen e kulturës  sonë.  Gjatë veprimtarisë së saj  të suksesshme disavjeçare  ka marrë pjesë në manifestime kulturore  të organizuara në Anë të Malit, Komunën e Ulqinit dhe në festivale të ndryshme kombëtare e mbarëkombëtare, ku u shpërblye  me mirënjohje  e çmime, si vijon:

1. Në prill të  vitit 2014 SHKA ”Tradita”  ka marrë  pjesë në ”Lojnat Popullore Fest” – edicionin e 7-të, që u mbajt në Oblikë ( Shkodër ) me ç’rast  dy shoqëri artistike nga dy pjesët e Anës së Malit, SHA ” Tradita” nga Komuna e Ulqinit, bashkë me SHKA ”Ana e Malit” nga Shkodra, u paraqitën dhe konkurruan në këtë festival me emrin e përbashkët “Ana e Malit e Bashkuar”. SHKA ”Tradita” si përfaqësuese e Anës së Malit të Komunës së Ulqinit fitoi dy çmime. Vendin e parë  për ansamblin më të mirë  dhe çmimin e dytë për  vallen  me motive folklorike ” Rituali i ceremonisë së dasmës” .

2. Në qershor 2014 SHKA ”Tradita” ishte pjesëmarrëse në Festivalin e Këngëve dhe Valleve ” Gurra Popullore” i cili u mbajt në Gjilan të Kosovës  ku morën pjesë  12  ansamble dhe grupe folklorike  nga të gjitha trevat shqiptare. Në këtë festival, SHKA ” Tradita” fitoi çmimin për punë në kontinuitet dhe ruajtjen e traditës.

3. Me ftesë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” – Nju Jork   kjo shoqëri ka marrë  pjesë në ceremoninë e festave të Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë në SHBA,  respektivisht në Mbrëmjen Festive të 102 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  më 23 nëntor 2014  në hotelin Hilton Garden në Staten Island.

4. Ky ansambël  ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar   në Gjirokastër  ( 10-16 maj 2015).  Në këtë  festival, në të cilin   nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi  morën e pjesë edhe SHKA “Ana e Malit“ dhe SHKA” Buzuku”,  kënga tradicionale e Anës së Malit e interpretuar në Gjergjef  në kuadër të “Dasmës së Anës së Malit” të prezantuar  nga ansambli “Tradita” e kënduar nga Egzona Salaj, u vlerësua nga juria profesionale e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës  me çmimin e parë.

Këngëtarja Egzona Salaj mori çmimin e parë me motivacionin “Këngëtari më i mirë i Festivalit Folkorik Kombëtar Gjirokastër 2015″. Ajo me prezantimin e melosit tradicional të Anës së Malit u vlerësua këngëtarja më e mirë në mesin e 1.300 pjesëmarrësve të FFKGJ 2015. Shoqëritë “ Tradita”, “ Ana e Malit” dhe “Buzuku”  në këtë   festival  zunë vendin e tretë.

4. Shoqëria Artistike “Tradita” ka fituar Çmimin e Dytë në Festivalin Folkorik Mbarëkombëtar, “I këndojmë lirisë – Klinë 2015”, i cili mbahet  për nder të  ditëlindjes së komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi.  Gjatë tri netëve  konkurruese në skenë janë  ngjitur 33 shoqëri kulturore nga të gjitha  trojet shqiptare  me mbi  700 artistë.

5. SHKA “ Tradita”  në Festivalin  “Oda Dibrane” i cili u mbajt  nga data 17-19 nëntor 2015 në Peshkopi  të Shqipërisë,  u shpërblye për  lojën popullore të kitrrës.

6. Kjo shoqëri kulturore gjatë punës së saj gjashtëvjeçare u shpërblye edhe me disa mirënjohje në Strugë( 2015), Shkodër ( 2015), në Austri (2015) etj.

7. Po ashtu është pjesëmarrëse në Festivalin e Arteve e Kulturës Tradicionale ,,ETNO FEST’’ në Prishtinë në fshatin Kukaj përballë Kalasë së Artanës (7 gusht 2015), në Festivalin Mbarëkombëtar “Rapsha” në Vitojë – Malësi e Madhe.

8.SHKA “Tradita, ka shpalosur  disa herë vlerat e  trashëgimisë  kulturore  autoktone të trevës edhe në Katërkollë me rastin e manifestimeve kulturore siç janë: “Pranvera në Anë të Malit”, “Dita e Shegës” dhe në Ulqin me rastin e hapjes së sezonit turistik, manifestimeve të ndryshme  kulturore që janë organizuar në këtë qytet.  

Nga ajo që thamë mund të nxjerrim përfundim se falë punës aktive të stafit drejtues dhe përkushtimit të solistëve dhe valltarëve në ushtrime dhe prova ky ansambël shpejt u bë vendi  më i pëlqyeshëm i adhuruesve të ruajtjes së vlerave të mirëfillta folklorike të zonës  së Anës së Malit.

Për gjashtë vjet  ky ansambël  shpalosi vlerat më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore dhe artit shqiptar. Pas shumë performancave në festivale, koncerte e evente të ndryshme brenda dhe jashtë me karakter kombëtar e ndërkombëtar, ky ansambël bëri që  të shpërblehet  dhe të vlerësohet  kudo që është paraqitur.

Veprimtaria aktive e këtij ansambli të suksesshëm  folklorik, i cili denjësisht prezantoi vlerat folklorike të kësaj zonë në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, është pezulluar para diç më shumë se tri vitesh në mungesë  të mjeteve  të qëndrueshme financiare. Ky ansambël figuron vetëm në letër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura