Tetovë, 5 Korrik 2019: (Sprovë për paraqitjen e profilit politik të Ibrahim Rugovës, si model i një lideri të vërtetë, përballë figurave të liderëve të vetëshpallur, të ngritur në skenën politike dhe të afirmuar rrejshëm nga grupe të ndryshme të interesit, shërbimet e huaja sekrete dhe mediat komerciale propaganduese në shërbim të interesave të huaja ndër shqiptarët.)
Për shkak të numrit të madh të miqve, shokëve dhe lexuesve të mi, që kanë shprehur mospajtime (private, jo publike) në lidhje me shkrimin tim të paradoditëve, me titull: “Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kanë pasur dhe mjerisht nuk kanë as sot lider të vërtetë politik!”.
I
Duke mos dashur të përmendi asnjë emër të përveçëm nga skena politike e shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë dhe jo vetëm, nga fillimet e demokracisë dhe sistemit shumëpartiak, në vitin 1990 e deri më sot, në vazhdim, me pak fjalë do t’ua paraqes pikëpamjet e mia dhe vlerësimin, pse këta politikanë, drejtues të disa partive politike të shqiptarëve në Maqedoni nuk mund sipas asnjë kriteri vlerësimi dhe mbi asnjë bazë të konsiderohen për lederë politikë (edhe përkundër një serë të argumenteve, dëshmive dhe fakteve), por, në mënyrë përmbledhëse do t’i paraqesim disa nga elementet dhe cilësitë që duhet t’i posedojë një lider politik, përmes vlerësimit në pika të shkurtëra të figurës politike të Ibrahim Rugovës, ish kryetar i LDK-së së Kosovës, Kryetar i parë i Republikës së Pavarur të Kosovës, i cili nga shumë studiues, njohës të rrethanave politike, veprimtarë dhe analistë të shquar, vendës dhe ndërkombëtarë, është vlerësuar si lideri i vetëm i shqiptarëve, i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, por edhe si lider i demokracisë në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në pika të shkurtëra, në vazhdim do t’i paraqesim disa argument se çfarë e kanë bërë Ibrahim Rugovën të vlerësohet si lider i pakontestueshëm, dhe përmes këtyre kritereve, lexuesit le t’i vendosin në peshojë profilet, figurat, punën dhe kontributet e ,,liderëve” të tjerë politikë shqiptarë, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe vise të tjera shqiptare, së paku në shrirjen kohore të tri dekadave të fundit.
II
Ibrahim Rugova u ngrit si lider në skenën politike të Kosovës në një situatë tejet të turbullt dhe pa shpresë, në rrethana tepër të papërshtatshme dhe specifike nën ukupimin serb, nga dhjetori i vitit 1989, me formimin e partisë së parë politike të shqiptarëve në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ibrahim Rugova, si kryetar i parë historik i një partie politike që do t’i kundëvihej regjimit okupator serb në Kosovë dhe do ta trasojë rrugën e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, shtet demokratik dhe i pavarur, rrugë që ia siguroi simpatinë, përkrahjen dhe mbështetjen e shumicës absolute të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, sidomos në viset shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, por edhe në Shqipëri dhe në mërgatën shqiptare.
Këtë lider e përkrahën pa rezervë gati të gjitha institucionet e shqiptarëve në Kosovë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (kryetar i së cilës ishte Ibrahim Rugova para se të hyjë në dyert e mëdha të politikës), profesorë universitetesh, intelektualë të shquar dhe sidomos mediat e pakta elektronike dhe të shtypura që arritën të mbijetojnë në gjendje të rëndë të okupimit serb dhe jugosllav mbi Kosovën.
III
Përmasave të kësaj figure në skenën politike të Kosovës së asaj periudhe, Ibrahim Rugovës do t’i japin një shtysë të madhe për ndërtimin e besimit të shqiptarëve në këtë lider, në filozofinë e tij politike dhe lëvizjen politike që ai do ta drejtojë nga viti 1989 deri në vitin 2006, por edhe nga mbështetja e hapur qo do t’ia jep faktori ndërkombëtar, sidomos politika zyrtare dhe diplomcia e SHBA-ve, e Gjermanisë dhe disa shteteve të tjera të BE-së.
IV
Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk është angazhuar për interesa të ngushta partiake, të partisë që ai e drejtoi, por në interes të të gjitha partive të tjera politike të kësaj periudhe, në funksion të interesave të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës, në funksion të çlirimit të saj, të afirmimit ndërkombëtar të çështjes së Kosovës dhe të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo dëshmohet edhe përmes këtyre fakteve:
– me shpalljen e Deklaratës së 2 Korrikut, nga përfaqësuesit legjitim të popullit të Kosovës;
– mbajtjen e Kuvendit të Kaçanikut dhe shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990;
– mbajtjen e Referendumit për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, të vitit 1991;
– organizimin e zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale, të vitit 1992;
– krijimin e Qeverisë së Republikë së Kosovës; dhe
– krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe të forcave të rezistencës kombëtare të armatosur, si bartëse kryesore të Luftës çlirimtare në vitet 1998/99, pa të cilat asnjëherë nuk do të sigurohej përkrahje ndërkombëtare dhe nuk do të krijohej legjitimiteti demokratik për krijimin e shtetit të Pavarur të Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, me aktorë të ri në skenën politike, vetëm se e konfirmoi këtë proces historik të filluar me Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe të përfunduar me Luftën çlirimtare të Kosovës, 1998-1999, kryesisht me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Gjermanisë, BE-së, NATO-s dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë.
V
Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk ka kërkuar armiq në radhët e shqiptarëve, nuk ka hapur fronte armiqësie dhe nuk ka ushqyer e promovuar asnjë formë të përçarjes mes shqiptarëve, mes partive politike dhe drejtuesve të tyre, përkundrazi e ka forcuar unitetin mes tyre, frymën e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, si dhe e ka inicuar formimin e Këshillit koordinues të partive politike, edhe atë në dy nivele: të partive politike brenda Kosovës dhe të partive politike të shqiptarëve në nivel rajonal, të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
Ibrahim Rugova nuk ka shpallur asnjëherë tradhtarë mes shqiptarëve, edhe pse ka pasur njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë e disa prej tyre, përkundrazi është angazhuar për afrimin, bashkimin dhe homogjenizimin sa më të madh të shqiptarëve, brenda vendit dhe në mërgatën shqiptare.
Ibrahim Rugovës asnjëherë nuk i ka penguar krijimi i partive të reja politike, përkundrazi, i ka ndihmuar ato, i ka afrur drejtuesit e tyre sa ka mundur rreth qëllimit të përbashkët, dhe këtë e ka dëshmuar me krijimin e Këshillit të partive politike, edhe atë në dy nivele.
Ibrahim Rugova ka krijuar dhe mbajtur raporte të shkëqyera edhe me drejtues të lëvizjeve qytetare, me sektorin joqeveritar, krerët fetarë, autoritetet shkencore dhe akademike, diplomatë dhe politikanë të shteteve të rajonit dhe në arenën ndërkombëtare, sidomos me ata të SHBA-ve dhe Gjermanisë. Prandaj edhe e ka gëzuar mbështetjen e pakontestueshme të popullit të Kosovës. Edhe pas përfundimit të Luftës çlirimtare, ai mbeti në skenën politike si lider i pakontestueshëm dhe kryetar historik i Republikës së Kosovës.
Ja, ky është modeli se si duhet të jetë një lider politik, jo cilido drejtues i një partie politike, pa strategji, pa koncept, pa vizion dhe pa rezultate pune e veprimi, ndërsa në rrafshin intelektual, disa intelektualë të tjerë me format xhepi nuk kanë mundur as t’i afrohen hijes së figurës gjigante të Ibrahim Rugovës, liderit historik të demokracisë shqiptare dhe të Pavarësisë së Kosovës.
Për kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj filozofie politike, jo të kundërshtarëve personalë të Ibrahim Rugovës, do të bëjmë fjalë një herë tjetër.
(4 korrik 2019)