DR.ABDULLA MEHMETI: REGJIMET DIKTATORIALE NUK MUND TË FALEN, AQ MË PAK TË RIAFIRMOHEN!

Tetovë, 7 nëntor 2018: Apel drejtuar deputetëve të partive parlamentare të shqiptarëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Veriore
Mos votoni para se t’i lexoni me kujdes Rezolutat e Këshillit të Evropës, nr. 1096 (1996) dhe nr. 1481 (2006)!
E ndjej për obligim qytetar dhe intelektual t’ua bëj me dije deputetëve të partive parlamentare të shqiptarëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Veriore, të mendojnë dhe veprojnë me mendje të kthjelltë, gjakftohtësi dhe arsye të plotë gjatë diskutimit dhe votimit për miratimin e Preambulës së Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë Veriore, duke pasur parasysh të vërtetën historike, vlerat themelore të demokracisë dhe përgjegjësinë qytetare, me kujdesin më të madh për të mos i dëmtuar interesat e shtetit, as të qytetarëve të tjerë pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, konfesionale, gjuhësore apo çfarëdo përkatësie tjetër, por njëherësh të mos i dëmtojnë as interesat e qytetarëve shqiptarë, me votat e të cilëve i kanë fituar këto mandate; të përpiqen maksimalisht që me miratimin e ndryshimeve të reja kushtetuese të kenë parasysh sidomos se, përfshirja e përmbajtjeve nga vendimet e KAÇKM përbën shkelje të rëndë mbi parimet universale të të drejtave dhe lirive të njeriut, të aspiratave të popullit shqiptar për liri, barazi dhe vetëpërcaktim, sepse me instalimin e pushtetit të atëhershëm kominist sipas vendimeve të KAÇKM është vendosur pushteti i dhunshëm komunist dhe sundimi i popullit jugosllav (maqedonas) mbi shqiptarët dhe të tjerët, si në Maqedoni dhe gjithë territorin e ish Federatës Jugosllave, ndërsa përgjatë gjithë periudhës së sundimit të atij regjimi diktatorial, jodemokratik, johuman dhe kundëhistorik, janë kryer krime të rënda dhe gjenocid mbi popullin shqiptar.

Akti i pranimit të përmbajtjeve në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore, që lidhen me atë periudhë dhe atë regjim, nënkupton pranim, falje dhe legjitimim të krimeve nga ish regjimi komunist mbi shqiptarët në Maqedoni dhe si i tillë përbën akt jodemokratik, jocivilizues, kundërhistorik dhe antikombëtar.
Askush nuk ka mandat në emër të zgjedhësve të tij t’i fal krimet e ish regjimit komunist jugosllav mbi popullin shqiptar.
Kjo le të mbetet një dëshmi përpara historisë, që këta përfaqësues në të ardhmen të mos mundohet ta shfajësojnë vetveten me arsyetim se nuk kanë qenë të informuar dhe nuk kanë ditur se çfarë u ofrohet “imponohet” të votojnë.
Sjellja e vendimeve historike bartin me vete privilegje dhe merita, por edhe përgjegjësi historike dhe dënim për gabimet e qëllimshme eventuale!
Sipas propozim amendamentit për Preambulën, të propozuar nga Qeveria, deputetët e partive parlamentare të shqiptare nuk duhet të pajtohen assesi me atë përmbajtje, por maksimumi që mund të pranojnë do të ishte kjo përmbajtje e përshtatur sipas saj, me të cilën besojmë të mos dëmtohen interesat e popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore:
“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë Veriore, duke e marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre; të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për viktimat, përkushtimin, përpjekjet dhe luftën për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë Veriore; përgjegjës para gjeneratave të ardhshme për ruajtjen dhe zhvillimin e të gjithë asaj që është e vlefshme nga trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, si dhe bashkëjetesa në Maqedoni; të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre për të mirën e përbashkët të Republikës së Maqedonisë Veriore në përputhje me traditat shtetformuese të popujve vendës, popullit maqedonas dhe popullit shqiptar, si dhe të bashkësive të tjera etnike, turke, vllehe, serbe, bullgare, rome, boshnjake dhe të tjerë, sipas vendimeve në kthesat historike më 1903, 1944 dhe me Referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë Veriore si shtet të pavarur dhe sovran, me qëllim që të vendoset dhe forcohet sundimi i së drejtës, të garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, të sigurohet paqja dhe bashkëjetesa, drejtësia sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës individuale dhe e përbashkët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Veriore, të zgjedhur në zgjedhjet e lira dhe demokratike, e nxjerrin këtë KUSHTETUTË…“
(7 nëntor 2018)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura