DR.ARBEN HOXHA: SHKRIMTARËT JANË PËRFAQËSUESIT E NJË FORMATI KULTUROR TË NJË KOMBI

Prishtinë, 04. 12. 2014 – “Shkrimi si ‘gjësend mental’ që e konstituon kulturën letrare i tejkalon kufijtë e brendshëm të gjuhës, sepse nëpërmjet tij, siç do të thoshte Hajdegeri, emërtohet një botë, me ç’rast ndodhë procesi i veçimit të diçkaje në mënyrë të veçantë dhe për arsye të veçantë për t’u bashkuar në një tërësi unike të veçantë… Hajdegeri gjithashtu thotë se Njeriu është vendi ku banon ekzistenca, ndërsa Poezia është vendi ku banon qenia. E unë do të thoja se gjuha standarde është vendi ku ekziston qenia e kombit tonë!” – kështu ka thënë Dr.Arben Hoxha për emisionin “Shqip”, (në Programin e Dytë të RTK’së), me temën “Fjala dhe shkrimtari”, e cila u drejtua nga gazetarja Mentore Murati. Më poshtë e sjellim të transkriptuar intervistën e plotë të tij:
Mentore Murati: Si shkruhet në ditët e sotme?
Arben HOXHA:
Pyetjes suaj se “Si shkruhet në ditët e sotme?”, në kuptimin e përdorimit të shkrimit, siç e quan Lëfevëri, “gjësend mental”, i cili shpreh dhe konstituon kulturën letrare të një populli, nuk do të mund t’i përgjigjemi objektivisht nëse në gjykimin tonë do të merrnim për bazë vetëm aspektin e brendshëm të niveleve të gjuhës: leksikun, morfologjinë, sintaksën; dialektet apo nëndialektet. Shkrimi si “gjësend mental” që e konstituon kulturën letrare i tejkalon këta kufij të brendshëm të gjuhës, sepse nëpërmjet tij, siç do të thoshte Hajdegeri, emërtohet një botë, me ç’rast ndodhë procesi i veçimit të diçkaje në mënyrë të veçantë dhe për arsye të veçantë për t’u bashkuar në një tërësi unike të veçantë. Gjuha në këtë tip shkrimi nuk është një entitet autonom, por është i ndërvarur nga kultura dhe mendimi. Kultura dhe mendimi janë burim prej nga fjalët që emërtojnë objektet, pamjet, situatat, personazhet, ngjarjet etj., pajisen me fuqi semantike, dhe anasjelltas fuqia semantike e fjalëve, e fjalive i zgjeron kufijtë e mundësive të mendimit dhe të kulturës. Për shkak se gjuha në rastin e parë shikohet si entitet i pavarur apo si “një fushë loje” e asociacioneve të ndara nga kuptimi, dhe nga ana tjetër për shkak se gjuha trajtohet si entitet vertikalisht i subordinuar nga kultura, në praktikën tonë të krijimtarisë letrare e hasim fenomenin e shpërputhjes ndërmjet sasisë së madhe të përdorimit të fjalëve, figurave, simboleve dhe vëllimit të vogël të rrezatimit semantik të tyre, dhe anasjelltas. Në praktikën tonë letrare ndodhë që fjalët, simbolet, metaforat etj., shkrimtarët t’i përdorin si dekoracion të jashtëm për ta mbuluar zbrazëtinë dhe cektësinë ndjejore e intelektuale që përmbajnë trajtat përshkruese të ligjërimit të tyre letrar. Një fenomen i tillë ka ndodhur me një pjesë të letërsisë shqipe të krijuar në Kosovë në vitet 70-të, dhe kjo tanimë po ndodhë me një pjesë të krijimtarisë letrare që po krijohet në Shqipëri. Në këtë rrafsh induktiv të të menduarit për raportin e fjalës me shkrimtarin mund të thuhet se nuk është e çuditshme që shkrimtarët tanë na ofrojnë për konsum botë shpatuke, të rrafshëta, lehtësisht të harrueshme, sepse janë tmerrësisht nënçmuese për kujtesën letrare të lexuesit.

M. Murati: A ka një krizë gjuhësore në shoqërinë shqiptare sot, që do të mund të përkufizohej si “rënia e gjuhës”?
Arben HOXHA:
Mund të thuhet se krizë ka në pikëpamje të kufizimit të mundësive tona subjektive për ta projektuar veten tonë në të ardhmen në bazë të potencialiteteve që përmbajmë si shoqëri, si komb. Pra, ka krizë ideali. Ajo që thoni ju “rënia e gjuhës” është dukja dhe shprehje e thelbit të krizës së idealit. Për rilindësit tanë puna rreth dhe për gjuhën ka qenë shprehje e idealit që ata kishin për kombin dhe anasjelltas ideali i tyre kombëtar për krijimin e shtetit-komb materializohej në angazhimet e tyre për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Pyetja që duhet të shtrohet është: cili është ideali ynë si shoqëri, si kulturë, si komb?
Mund të thuhet se idealet tona janë rrëgjuar në përmasën e aktualitetit të mundësive tona, duke e abstakuar qëllimisht përmasën e potencialiteteve që i kemi si komb. Ideja për ekzistencën e kombeve dhe shteteve-kombe nuk është krijuar pa idenë e ekzistencës së përmasës së potencialitetit të një populli. Kombet dhe shtetet-kombe janë krijuar duke u mbështetur në këtë përmasë të ekzistencës së tyre. Të njëjtës logjik i është nështruar edhe krijimi i gjuhës standarde: në praktikën e krijimit të saj te popuj të ndryshëm ajo është konstituuar duke marrë për bazë jo vetëm përmasën e aktualitetit të ekzistencës të saj, por në mënyrë të veçantë, përmasën e potencialitetit të ekzistencës të saj. Përdorimi i gjuhës shqipe tek ne tashmë është bërë shprehje e aftësisë sonë që “të ekzistojmë” por jo edhe “të jetojmë”, e kjo domethënë e aftësisë që ta bëjmë veten tonë subjekt të historisë.
Nëse në shkencën e gjuhësisë shqiptare sot mund të flitet për “çarje epistemologjike’, ajo nuk ka ardhur si rezultat i përplasjes së mundshme ndërmjet përmasës së potencialitetit dhe aktualitetit të ekzistencës së standardit të gjuhës, ku përmasa e parë do t’i shmangej ligjshmërive të përmasës së dytë dhe si rrjedhojë gjuha do të futej në një krizë, e cila është rrejdhojë e dinamikës së brendshme e zhvillimit të saj. Përkundrazi, mund të thuhet se “çarja epistemologjike” në gjuhësinë tonë është shfaqur si rezultat i përveçimit që i kemi bërë përfytyrimeve regjionale e krahinore të aktualitetit tonë ekzistencial nga tërësia unike e përfytyrimit që duhet ta kemi për potencialitetin tonë si komb. Prodhimi i “krizës” (që në fakt nuk është krizë) nga një rrafsh i tillë i ekzistencës sonë politike, sociale e administrative, gjuhën nuk e shpie në një proces zhvillimi, por në hullinë e një procesi anakronik e prapakthyes kulturor, shoqëror, kombëtar e njerëzor.
M. Murati: Prishtina, metropol apo fshat urban për punë të asaj se si e flet shqipen standarde sot?
Arben HOXHA:
Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, as në pikëpamje të planifikimit të hapësirës urbanistike, as në pikëpamje arkitektonike, as në pikëpamje të strukturës sociale, as në pikëpamje të prodhimit dhe shpërndarjes së vlerave diturore e kulturore, si dhe ndikimit që ato duhet të ushtrojnë në skajet tjera të Kosovës (kritere këto qe e përcaktojnë të qenit e një qyteti metropol), nuk mund të quhet metropol. Hapësira e çrregullt urbanistike është materializim i thelbit kaotik në orientime dhe përcaktime ndaj vlerave shpirtërore që përmban ky qytet. Prishtina është bërë kryeqytet i Kosovës me një vendim administrativ-politik në kohën e ish Jugosllavisë, por potencialet e ekzistencës së saj politike, sociale e kulturore vazhdojnë të përcaktohet nga potencialet e hapësirës së saj urbanistike. Prishtina, si qytet dhe si kryeqytet në hapësirën shqiptare, për shkak të asaj që thamë më lartë nuk është e aftë të kujdeset për ”higjienën e vet fizike”, e aq më pak të kujdeset për “higjienën shpirtërore” të 6-7 milion shqiptarëve në Ballkan. Përdorimi dhe shkalla e përvetësimit të gjuhës standarde do të përcaktohet nga mundësitë gjithnjë në rritje të zhvillimit simetrik e të gjithanshëm të të gjitha pjesëve që e krijojnë tërësinë e kombit shqiptar, por assesi prej proceseve suburbanizuese dhe shtresave suburbane, agresiviteti i të cilave është shprehje e nevojës që grupe të caktuara sociale të dalin nga periferia për t’u vendosur në qendër, gjithnjë me pretendimin për t’u shndërruar në kriter përcaktimi dhe orentimi vleror gjuhësor, kulturor, social, politik etj., për krejt hapësirën shqiptare.
M. Murati: Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një evropian në përmasën gjuhësore?
Arben HOXHA:
Mendoj se thelbin përbashkues apo kufirin dallues ndërmjet një qytetari shqiptar dhe një qytetari evropian nuk e përcakton përmasa gjuhësore, por formati i të dhënave kulturore. Ne mund ta njohim mirë gjuhën standarde, ashtu si edhe mund t’i njohim edhe disa gjuhë evropiane, gjë kjo që na mundëson që të përfitojmë në kulturën tonë nga kultura e të tjerëve (në këtë rast të evropianeve), por ky është vetëm një kusht, në vetvete jo i mjaftueshëm. Vetëm nëpërmjet formatimit të të dhënave tona kulturore në shkallën e formatit të të dhënave kulturore evropiane, përmbajtja e të cilave i tejlakon kufijtë e përmbajtjes së emërtimeve të tyre sado të sakta gjuhësore, mund të krijojnë një lloj njohurie për atë çka është e përbashkët për të dy palët dhe midis tyre të vendoset komunikimi nëpërmjet përdorimit të gjuhës. Krijimtaria letrare dhe gjuha e përdorur në te është një fushë e mundshme për ekspertizën e raportit midis përmasës gjuhësore dhe të dhënave kulturore shqiptare e evropiane.
M. Murati: Cilat janë sfidat e letërsisë me gjuhën?
Arben HOXHA:
Sfida themelore është konceptimi i drejtë që shkrimtarët duhet t’i bëjnë marrëdhënies ndërmjet gjuhës, mendimit dhe kulturës. Histroia e letërsisë dhe e artit përgjithësisht është histori e zgjerimit të percepteve, të objeteve të perceptimit dhe afekteve, të cilat janë shkrirë artistikisht në përmasën e lëndësisë së një kulture, në përgjithësi, apo të një letërsie, si lloj i artit, në veçanti. Niveli i ulët artistik i letrësisë sonë nuk është rrjedhojë i potencialit të ultë shprehës të gjuhës sonë, por rrjedhojë i potenciali të dobët të formatit të përgjithshëm kulturor, i cili përmban vëllim të ulët objeketesh perceptimore në ndërgjegjën e krijuesit, rrjedhimisht edhe atë të lexuesit. Shkrimtarët janë përfaqësuesit e një formati kulturor të një kombi, por, njëkohësisht ata duhet të jenë bartësit për ndryshimin e një formatimi kulturor, i cili është retrograd për strukturën emotive e mendore të një kombi. Që të jenë në përputhje me këtë përgjegjësi ata vet duhet që të formohen kulturalisht. Nëpërmjet një rruge të tillë ata do të aftësohen që të ndërtojnë koncepte të reja ndjejore e intelektuale, me anë të të cilave, në veprat e tyre, ata do t’i materalizojnë vizionet dhe kuptimet e tyre për jetën, për njeriun, për botën, për universin dhe pozitën e njeriut në të.
M. Murati: Çfarë është shqipja standarde për ju?
Arben HOXHA:
Hajdegeri thotë se Njeriu është vendi ku banon ekzistenca, ndërsa Poezia është vendi ku banon qenia. Në kontekstin e bisedës sonë unë do të thoja se gjuha standarde është vendi ku ekziston qenia e kombit tonë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

NJË VARG …

“Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin” Të dielën, më 1 tetor 2023, nxënësit e ”Shkollës…