DR.MOIKOM ZEQO: FRAKLINI DHE MIU

Tirtanë, 4 shkurt 2018: Shumica e librave të botës shkruhen për t’u harruar. Shkrimtarët mëtojnë pavdekësinë. Por pak, shumë pak arrijnë tek kjo ëndërr mikluese, më shpesh zhgënjyese.
Para vdekjes Benjamin Fraklini e shkroi një epitaf, që mund (jo domosdo) të vihej mbi monumentin mbivarror.
Epitafi qe: “Këtu prehet Beniamin Fraklini, ish tipograf. Trupi i tij do të hahet nga krimbat, por libri i tij s’do të harrohet. Do të ribotohet me fletë që prishen, me kopertinë më të praruar, në ditën e Gjykimit nga Tipografia Qiellore.”
Gjysmë shaka, gjysmë e vërtetë! Dorëshkrimin e epitafit e la mbi tryezë. U hap dritarja, një fllad ajri e lëvizi letrën, që ra në një qoshe të dhomës. Fraklini kishte dalë nga dhoma. Një mi i rastësishëm, por me një sens hyjnor e hëngri letrën dhe kuptimi i rreshtave testamentarë humbi. Kur Fraklini u kthye në dhomë u ul në tryezën e shkrimit. U përqendrua në një meditim të gjatë. Donte të kujtonte diçka. Por s’mundej dot. Po më le kujtesa, mendoi. Ndoshta e humba një ide. E pra disa çaste më parë kishte parandjerë një ide, e kishte perceptuar, por ironikisht perceptimi i çastshëm qe shpërbërë lehtësisht, sikur të mos kishte qenë kurrë.
Sytë e tij përmes syzeve befas e panë në qoshen e dhomës miun. Edhe miu po e shihte me sytë e tij të veckël dhe të shndritshëm.
Ah, një mi, tha me vete gati i ngazëlluar plaku madhështor Beniamin Fraklini. Kam vite që nuk kam parë një mi të gjallë. Tërë shembëlltyra e jetës lëvizte misteriozisht tek ky mi.
Sa mi i bukur, tha me zë Fraklini. Pastaj ra në një dremitje me sytë e mbyllur. Mbi tryezë zbardhte një letër e pashkruar. Që s’do ta shkruante dot asnjëherë.
Durrës, 1989

Benjamin Franklin (1706 – 1790)

STATUJA E KOHËS

Mendohet (thuhet) se koha e pafundme përbëhet nga çaste të fundme. Mendja njerëzore e koncepton. Praktikisht veçimi (ndarja) e çasteve është e pamundur.
Në Olimp në shekullin IV para Krishtit ekzistonte një Statujë bronzi kushtuar Kohës. Të bëje statuja për zotat, njerëzit, ndoshta dhe për drurët, zogjtë, kafshët qe logjike, gati e rëndomtë. Por një statujë Kohe, që është e paklasifikueshme, kudo, por dhe përtej gjithçkaje ?
Statuja e Kohës në Olimp u bë nga skulptori i famshëm Lisipi. Talenti i tij qe i madh, përfytyrimi gati alegorik, pra jo shterues dhe përfundimtar.
Statuja paraqiste një atlet me një tufë flokësh mbi ballë me një gjest nxitimi të pambarim. Te pjesa e prapme të kokës qe pa flokë fare. Një kokë gjysmë e rruar. Kjo frizurë e flokëve qe tronditëse, gati qesharake, e pakuptimtë, ndoshta dhe e pashpjegueshme.
Një poet pak i njohur, kureshtar, pasionant dhe djerrakohës, (si armatoset e gjetjes së fjalëkryqeve në kohërat moderne, gjithsesi të mprehtë, kërkues,) i quajtur Posidip shkroi për statujën e Kohës një mbishkrim epigramatik. Ka humbur teksti origjinal. Ruhet në një përkthim në latinisht, përfshirë në “Antologia Palatina”
Mbishkrimi mëton një shpjegim që është dhe ide më shumë se sintezë metaforash. Një vizitor i njohur (mbase vetë poeti Posidip) bën një dialog me statujën. Ja teksti i përafërt: “Pyetjes së parë “Kush je?”, statuja e Kohës i përgjigjet: – “Jam Koha që mposht gjithçka!” – “Përse nxiton në majë të këmbëve?” – “Vetëm vrapoj, s’ndalem dot!” – “Pse e ke tufën e flokëve mbi ballë?” – “Që të mundet të më kapi kush të më takojë!” – “Pse flokët pas kokës janë të rruara?” – “Të mos më kapi askush nga pas – sado të përpiqet me ngulm!”
Statuja e Kohës ka humbur. Por nuk ka humbur kuptimi, trilli, shqetësimi. Jetët dhe vdekjet përsëriten, Koha është po ajo. Mund të shohim përballë vetëm të Padukshme. Si një horizont të mjegullt. Befas shkrepin vetëtimat – tufa e flokëve të ballit, duhet zgjatur dora për t’i kapur, ndonëse kjo dorë e guximshme dhe e pafajshme mund të shkrumbohet a të bëhet hi në eter. Tërë ata që e kanë kapur Kohën e kanë ndjerë dhimbjen përvëluese. Megjithatë këta duardjegur janë njerëzit me fat: e kanë takuar kohën përballë. Ata të tjerët pas kohës s’kanë arritur të vërtetojnë ekzistencën e tyre të limituar, s’dinë absolutisht asgjë për Kohën!
Durrës, 1992
RINGJALLJA

Clode Levy Stross e tregon një parabolë. Një misionar i krishterë në shekullin XVII diku në Afrikë, a në Zelandën e Re (Vendi në të vërtetë nuk saktësohet përfundimisht) shkoi midis fiseve të egra. Pamja e tij e habiti të egrit e paepur, gati lakuriq, që mbanin gjerdanë prej dhëmbë krokodili dhe vertebra gjarpri. S’e shpjegonin dot praninë e njeriut të bardhë. S’e ngacmuan nga ndrojtja e tyre (ndoshta e shenjtë.) Të egrit qenë kanibalë. Hanin kërmij, tru të gjallë majmunësh, ndonjëherë peshq, por më shpesh kundërshtarët luftëtarë. Gjallimi i tyre qe përleshja rituale. E pabesueshme: prifti misionar e mësoi gjuhën e tyre primitive, ku foljet « jetoj » dhe “ha” ishin e njëjta gjë, kurse koncepti për vdekjen nuk ekzistonte. Të egrit nuk e kuptonin se ç’ishte vdekja as për të tjerët as për veten e tyre. Prijësi i të egërve, që mbante në veshët e shpuar një kthetër jaguari dhe një kthetër shqiponje shprehte simpati (gjeste mirëkuptimi) me priftin e bardhë.
U bë e zakonshme të bënin biseda lakonike, të çuditshme. Me kuptimshmëri të pamjaftueshme.
Prifti i foli (aq sa mundej) për ungjijtë, Krishtin. I egri i lemeritshëm por dhe madhështor përpiqej të mësonte diçka (pavarësisht se qytetërimi s’perceptohej dot prej tij si botë tjetër më vete.)
I bardhi synonte t’i shpjegonte ç’është vdekja. Qe absolutisht që i egri ta kuptonte vdekjen. Jetën po. Vdekja s’kishte asnjë kuptim. Ahere misionari e bëri një lloj shpjegimi, fatkeqësisht teologjik. Ai tha qeniet e gjalla vdesin sepse kështu do Zoti i madh dhe i vetëm. I egri duke mos e kuptuar (ditur) vdekjen s’arrinte dot dhe tek ideja universale për Zotin. Ahere misionari i mëshirshëm i foli për ringjalljen, njerëzit që e donin Zotin, çmoheshin nga Zoti dhe mbas vdekjes i ringjallte për të jetuar një jetë të re, më të mirë, më të ndritshme.
I egri e dëgjoi këtë me kërshëri. E pyeti disa herë për ringjalljen. Koncepti i ringjalljes ju duk më i afërt, shumë më i kuptueshëm. Kjo bisedë u bë në muzg buzë një lumi me krokodilë, nën një palmë shekullore. I egri e pyeti sërish për ringjalljen. I bardhi buzëqeshi. I tha se ai ishte njeri i Zotit, gjithçka që shpjegonte qe tërësisht e vërtetë. U duk disku i madh i Hënës. Mbaroi dita, që s’ngjante me të tjerat. I egri u duk sikur po ngazëllohej. I pëlqente shumë ky njeri i bardhë, i pafuqishëm, por që atij po i mësonte diçka. Kjo ju duk shumë miqësore. Gati një zbulim për trurin e tij brenda natyrës, por shumë pak të aftë për çdo gjë jashtë natyrës.
I egri ngriti dhe uli krahët disa herë, shenje e një ekstaze.
Mëngjesin e nesërm i egri e hëngri të bardhin pikërisht se besoi tek ringjallja që ja mësoi i bardhi. Qe një formë naive dhe fillestare e besimtarisë. E hëngri që ta kishte brenda trupit të tij, tërë trupin e misionarit i cili me siguri do të ringjallej nga Zoti i tij. Me këtë mënyrë të sigurtë, të padyshimtë, do të ringjallej dhe ai vetë, pra do të kishte dy ringjallje! Pohim i dyfishtë për Zotin e vetëm dhe largpamës.
Clode Levy Stross-i subjektin e parabolës e sheh në rrafshin e antropologjisë strukturaliste, gjakftohtë, pa rënë në mëkatin e komenteve shterpe, ku ngatërohen tërë letrarët por sidomos filozofët, e njëjta racë me teologët. Komentet e abstragojnë (e artificializojnë) natyroren. Akti i prijësit të të egërve (tashmë të zhdukur dhe të paverifikueshëm në xhunglat afrikane) ishte në harmoni me natyrën. Lëviz, s’humbet sëbashku me natyrën. Përjetësisht.
Durrës 1993

Dr.Moikom Zeqo 

TI EFEMERA IME

Ti efemera ime (e imja?),
Vetëm një çast të putha dhe e kuptova
Se emri yt s’ishte pavdekësia,
Vetëm një çast
Dhe ti ishe e tëra ky çast !
E ç’është një kometë e panjohur,
Që duke dashur të shkëputet nga e panjohura
Bëhet i njohur,
Por prap ikën
Tek e panjohura!
Një kometë,
Që përplaset në polin e dashurive tona,
Bjen, thërmohet
E shpërthen në shira mirazhesh –
Ishte dhe s’është më!
Eja, eja, eja!
Herë toka do të zhveshë stinët
Në garderobën e muzgut,
(Kinkalerinë e yjeve,)
Herë unë
Në gjendjen time ambivalente dhe kaotike
S’jam unë siç isha në fillim
Kur vjen vjeshta e moshës.
A s’janë pranvera dhe vjeshta
Si pozitivi dhe negativi
I së njejtës fotografi ?
Ti ikën, ikën. Ti mbase s’kishe ardhur,
Ndaj s’kishe dhe si të ikje!
Se nëqoftëse në të vërtetë s’erdhe tek unë
Çdo ikje s’ka kuptim!
Durrës 2 korrik 1971
***
Mëngjes. Dielli në gjoks. Pyll flake.
Vrap. Gazeta. Herbert Uellsi dhe i Padukshmi.
Gota e çajit. Letra. Kaprolli në Hënë.
Vetëm. Tri dete dhe unë i katërti.
Pse merimanga s’bën mjaltë? Tym.
Lesh qelqi – metaforat ! Zogj të ngecur.
Treni që lëviz si puro e ndezur. Hiç.
Tri mosha. Vene Vidi Vici. Cezari.
Përsëri Herbert Uellsi. Pushtimi i botërave.
Durrës 3 korrik 1971
***
FANTAZMAGORI

Dielli më ndez në gjoks një pyll fluturues !
Degët e rrezeve luhaten : botë fantazmagorike.
Dielli. Unë. Era. Dielli.
Simbolet abstrakte seksuale të Frojdit:
Lashtësia dhe kohërat moderne,
Simbole të zbrazëta si zgavra kafke !
Ato shkunden, bijen.
Bijen. Zhurmë. Tmerr i muzikës !
Bijen. Dëgjoj. Shoh.
Fantazmagoria e shqisave.
Pesë shqisa si pesë dritare
Nga hyn tek unë bota
Tek unë, tek unë
Në miniaturë tërë bota e mdhe!
Hapësira të kondesuara
Në një bombël ajri.
Jam plot presion në vetvete.
Presion, presion, dendësi fantazish,
Më ngjesh nga brenda.
Zhduket kufiri midis së jashtmes dhe së brendshmes.
O, thith imazhe
Imazhe, imazhe
Si polumbari oksigjen
Në thellësitë e detit
Si kozmonauti oksigjen
Në lartësitë e galaktikave
Thith imazhe
Ajër me imazhe, plot trafik imazhesh
Si trafiku i planeteve
E tek një gjithësi planetare
Gravitacioni universal je Ti e dashur!
Ti Dielli
Dielli, Dielli !
Simfoni e pambaruar. Ah Shuberti !
Pambarim.
Pafund.
Zbrazësi brenda dendësisë –
Shpellë në gur.
Zbrazësi si në një varr pa të varrosurin.
Zbrazësi si në një pallat pa njerëz.
Zbrazësi si në një tempull pa zota.
Zona të tilla ka jeta,
Po unë u shmangem,
U largohem,
Vij dhe iki prap
Me një shpejtësi të pamenduar.
Duke u vërtitur
Mësoj se ç’është planeti,
Orbita e tij qoftë rripi im i mesit,
Me ekuatorin i lidh pantallonat!
Fluturoj,
Fluturoj.
Yjet zmadhohen si miliona dritare
Të një qyteti metropol kozmik.
Yjet e pabanuar
Yjet, më magjikët e përrallave
Me fanitje të ndritshme në terr.
Po ku janë xhuxhëmaxhuxhët ?
Shtatëpëllëmbëmjekrat tripëllëmbëtrupat ?
E megjithatë i shpik disa xhuxhëmaxhuxhë,
Që shportën e kësulkuqes
E mbushin me kryeqytete, katedrale,
Kontinente, ishuj.
Shportë e thurur
Me paralele dhe meridiane –
Rrjeta gjeografike e ditëve,
Rrjeta e kohës më shumë se e Hapësirës!
Ditë horizontale:
Vija të bardha,
Që shndërrohen në piktura të lëvizshme,
Por mbyten dhe prap ngrihen.
Dielli. Dielli.
Dielli: pyll flake
Me krahët e Ikarit.
Krahët – gjethe disfate.
Dy gjethe të mëdha zjarri.
Vjeshtë zjarri.
Netë vertikale.
Gjithçka mbrapsht.
E sipërmja – e poshtme.
Herakliti! Efesi në shkrumb!

***
Mendoj për Dedalët avionë,
Dedalët reaktivë.
Dedalë që zbresin në krateret e Hënës
Si imazhi i munguar,
Që s’e panë zgavrat e kafkës
Të etur në shekuj.
Engjëj biblikë me helika në prapanicë
Me përfytyrime moderne të mistikëve,
Përfytyrime që copëtohen,
Lëkunden si sipërfaqja e pellgut
Kur fryn era
Thërrmohen si ekran televizori
Thyhen, thyhen, thyhen
Si arra të vjetra mes dhëmbëve shkencorë,
Mes dhëmbëve të zemërimit,
Revoltës.
***
Kockat e Djallit të gjetura
Në shtresat gjeologjike të Parajsës së Humbur !
Kockat e Djallit të kërkuara
Nga paleontologët e mendjeve !
Halucinacione peizazhesh,
Peizazhe ëndrre,
Ndryshimshmëri e shpalosur
Me një elasticitet të pashembullt, epik,
Ah, kockat e Djallit, Diabolis, Demon,
Ribëni me to arkitekturën e Ferrit!
***
Jam i lodhur, i mërzitur.
Shqisat i kam të rënduara nga asosiacionet
Si pesë bulevarde plot trafik
Si pesë pëllumba në një kafaz
Si pesë peshq në një akuarium
Shqisat e mbyllura.
Bota përtej shqisave !
Bota shkëputet
Papritur !
Durrës, 5 korrik 1971
E SHKRUAR NË 10 KORRIK 1971

Udhëtim tek të gjallët.
(Të vdekurit më përkasin mua
Ashtu si kockat e tyre tokës)
S’shosh fantazma.
Jam i gjallë. Në shqisat më rendin ankthi i lëvizjes.
Jeta më bëhet transparente, e prekshme,
E ndjeshme, epshore.
Epshi i lindjes dhe i vazhdimit,
Epshi i mendimit dhe fjalës.

Unë jam Ti e dashur,
Ti je Unë!
Të dyzuar në vetvete,
Rënkojmë nga vetmia,
Ulërijmë, qeshim,
Puthim të Panjohurën!
Kokat tona fluturuese –
Dy balona
Në festën e dashurisë
***
Fluturoj në fantazinë e qiellit!
Godas me shkelm
Prapanicat burokratike të reve!
Shoh në atraktin, ekuilibrin
E muzgut të ditës dhe mbrëmjes!
Sipër yjet, hojet vigane të tyre,
Poshtë hojet e arkitekturave të qytetit.
Tek pemët mbijnë
Në vend të gjetheve
Shpata të lashta!
Ja Robinsoni në ishullin,
Ku është bërë gur, shpellë, erë, kripë, dallgë!
Metamorfozë e relievit!
Gjeografia e shpirtit të tij
I shtohet gjeografisë së tokës!
Ah Robinsoni! I vetmuar dhe tek ishulli i Hënës!
Kockat e tij
Si hekurat e një rakete të ardhur
Nga hapësirat ndërplanetare!
Raketë qivur
Si qivurët e Foskolos!
***
Shoh gjithçka
Dhe hesht.
Dëgjoj gjithçka,
Zërat si një ambient plot akustikë
Tek unë bëjnë rezonanca!

Mbreti Lir me duart e ngritura në shtrëngatë,
Duke dalë nga opera e Berliozit !
Duart e tij – dy trajektore kozmike,
Dy ylberë,
Dy projektorë,
Duart e tij – dy bulevarde,
Që dali nga e njëjta qendër e qytetit!
Duart e tij
Tek duart e mia
Të thurura si liane
Në xhunglën e ndjenjave,
Në xhunglën e tragjedive tronditëse !
Duart e tmerrëshme!
Mjekra e tij e gjatë
Si mjegull e përgjakur
Nga del figura e Afërditës me një mollë në duar
Figura e Afërditës e gjetur nga arkeologët në kodrat e Durrësit
………………………………
23×2 + yxz100 = 0, e kuptoni vallë këtë ekuacion?
E them thjesht për kaotizëm?
Përroi i ndërgjegjes?
Jam pak rrëmujë.
Më dhemb pak zemra?
Ah Julia, vajzë e bukur,
Ah pushka e detit, akualangu
Ah matësi i thellësive, maska,
Maska si përkrenare xhami,
Ah flluskat e ajrit gati yjore
Një polumbar në fund të digës së një hidrocentrali
Unë vetë në fund të dritës
Fantazmagori,
Fantazmagori!
S’jam i qetë – ja e vërteta
Jam kaotik, sidoqoftë çdo gjë kalon,
Aeroporte. Zogu përrallor Rok, veza e tij
Porta e shtëpisë së Salvator Dalisë
Ky kokrra vezë mbi portë –
Skulptura të origjinës. Detet. Nata
Sytë e Robinsonit. Stuhitë prej guri.
Shtëpia e Gogenit,
Ku atë e mbyllën
Kur u sëmur nga lebra ! Ah !
NË MENDIME PËR TY
Hapësira e vjeshtës rri e mbështetur
Mbi bryla vigane shkëmbenjsh!
Gjithë bota ka rënë në mendime për ty!
Vetëtimat shkrepin, zhduken
Si metafora të guximshme poetësh!
Gjithçka është mendimi im dhe i botës për ty!
Shkodër e hënë 15 nëntor 1971
***
Në xhamin e urbanit
Pikat e shiut shkasin si mornica të kaltra
Urbani vjen nga periferia në qendër
Ti je mbështetur tek unë
Por jo si gjithmonë e dashur.

Jam i shqetësuar. Parandiej diçka.
S’dua që ditët e ardhshme
Të shkasin në trupin e dashurisë si mornica
S’dua që fytyrat tona
Të mjegullohen si xhamat e urbanit në ngrica!
Shkodër, e hënë, nëntor 1971
***
Unë ta putha fytyrën tënde të bukur
Por kjo s’ishte dashuri!

Duart e mia u pleksën mbi flokët e tua,
Ti kërkoje me ngulm të të pushtoja,
Por kjo s’ishte dashuri!

Kur u ngritëm
Me epshin e shuar
Pashë sytë e tu me një shkëlqim s’di se si.

Jo kjo s’ishte dashuri !
Shkodër, nëntor 1971

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura