Pashtriku.org, 22. 04. 2015 – Në 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, gazetari i ‘Zërit të Amerikës”- Gjekë Gjonlekaj, ka zhvilluar një intervistë me historianin, Dr.Athanas Gegaj, nga Malësia e Madhe, i cili ka shkruar edhe një libër kushtuar Skënderbeut: “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të”. Gjekë Gjonlekaj në një shënim të tij shkruan: “500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi. Në këtë përvjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria në krye me Profesor Aleks Buda. Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skënderbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën në Prishtinë filmin “Skënderbeu” dhe disa relike të tij. Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale për Skënderbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzemërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se intervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua në atë kohë me shumë vemendje sidomos nga familjarët e tij në Malësi të Madhe në Mal të Zi. Trieshi që është vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, duke i dhënë shkollës tetëvjeçare emrin Gjergj Kastriot-Skënderbeut, që e mban me guxim e respekt për gati një gjysmë shekulli, pavarësisht kërcënimeve të ndryshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi, mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagëzuan shkollën e tyre – Gjergj Kastriot-Skënderbeu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombetare në trojet tona të pushtuara nga sllavët e Ballkanit.”
Në vazhdim portali pashtriku.org, për lexuesit e tij boton të plotë këtë intervistë, që ka zhvilluar gazetari, Gjekë Gjonlekaj me Dr.Athanas Gegaj.
***
Gjekë Gjonlekaj: Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbenë ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Përsa kohë punuat për këtë vepër dhe kur e mbaruat?
DR.ATHANAS GEGAJ: I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të“. At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërisë. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra që e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai çmonte në kulm çdo gjë që ka të bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb.
Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në shek. XV” kam punuar dëndur dy vjet. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp, por duke qenë thezë doktorale, m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain, ku kisha kryer studimet e mia. Libri u gjet interesant dhe autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.
Gjekë Gjonlekaj: Ku i bëtë kërkimet dhe,në qoftë se i mbani mënd, nën cilët profesorë?
DR.ATHANAS GEGAJ: Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanarishtë në “Bibliothèque Nationale” të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurijoziteti im u ngjallë veçanarishtë kur për kombinacion, më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco, i shkruar frengjisht: ”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”, botuar në formë broshyre nga Shkolla Rumune në Paris më 1923. Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përketë historisë së Skënderbeut e relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firenze dhe në Venedik, duke u ndaluar për ca kohë dhe në Milano. Në arshivat dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur, që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprovimin e tij për botim, ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.
Gjekë Gjonlekaj: Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbenë?
DR.ATHANAS GEGAJ: Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroj i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është aj personalitet që ka nderuar dhe nderon në çdo kohë popullin shqiptar. Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanarishtë kur arrijti nga Amerika “Historia e Skenderbeut” botuar në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër entuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare, sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur, por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë, për t’i paraqitur, edhe botës së jashtme Skenderbeun sipas nevojave të kritikës historike, duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.
Gjekë Gjonlekaj: Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?
DR.ATHANAS GEGAJ: Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u çveshja nga cdo simpathi e ndjenjë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në cdo kohë janë bërë mbi Skënderbeun. E qe një problem i rëndë, sepse Skënderbeu, si në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe në mua, mbetej përherë hero i kombit, që gjësend nuk mund ta shëndrrojë ftyrën e tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vërtetë me botime të panumërta mbi Skënderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur një Skënderbe sipas dhënjeve historike; po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo kusht me çdo mjet, që Skenderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova, por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.
– Dr.Athanas Gegaj –
Gjekë Gjonlekaj: Cilat janë disa nga gjërat e reja, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?
DR.ATHANAS GEGAJ: Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skënderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skënderebeut, dhe ato që paraqiteshin si histori kritike, kishin mungesa të shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve, duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave të Skënderebeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vërtetë e Skënderbeut.
Gjekë Gjonlekaj: Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?
DR.ATHANAS GEGAJ: Rëndësia e këtyre zbulimve për rreth historisë së Skënderbeut është kryekreje në methodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skënderbeun në dritën e vërtetë të jetës së tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skënderebeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skënderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër, por historia e kritika, gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë, nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftar, si strateg, si hero i një kohe dhe i një kombi.
Gjekë Gjonlekaj: Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohë të sotme?
DR.ATHANAS GEGAJ: Jeta e veprat e Skënderbeut janë një shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara, ashtu edhe sot, jeta dhe veprat e Skënderbeut janë të bazuara mbi vëllazërim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta të çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skënderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve, ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim, ashtu siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri, pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.
Gjekë Gjonlekaj: Cili është shkaku që Skënderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?
DR.ATHANAS GEGAJ: Shkaku kryesor që Skënderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare, qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë, që të ishte gati të përballoj ushtritë e sulltanëve, që po marshonin ngadhenjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë në principata, pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij, që nuk pati përkrahje, dhe sa herë ngriti krye, qe përulë nga ushtritë e sulltanëve. Me gjithë këtë Skënderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthehej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re, Hungaria po luftonte në brigje të Danubit, atëherë Skënderbeu gjeti kohën e volitëshme, u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane. Deçizioni i Skënderbeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë ottomane është një nga deçizionet më me përgjegjësi të historisë. Vetëm një Skënderbe mund të merrte një deçision të atillë! E për këtë gjë, ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.
Gjekë Gjonlekaj: Cilët kanë qënë faktorët që Skënderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?
DR.ATHANAS GEGAJ: Faktorët kryesorë që Skënderbeu me një ushtëri të vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë, sipas mejtimit tim, janë këto: Skënderbeu ishte strateg i përsosur, një komandant, që nuk dinte çka është frika, një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skënderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skënderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një rezervë dhe shtegun të hapur, që të mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skënderbeu qe aj që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj përballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skënderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kërkonte të bëjë atë gjë që bënte Skenderbeu! Më në fund Skënderbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë. Për këtë gjë Skënderbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV. Kjo është epopea më e bukur e çdo kohe.
Gjekë Gjonlekaj: Skënderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse disa vende të Evopës, sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?
DR.ATHANAS GEGAJ: Nuk ka dyshim se Skënderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua thej hovin fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali dhe në Europën qëndrore. Skënderbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit, si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedik, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë; dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skënderbeun, por qe tepër vonë.
Gjekë Gjonlekaj: Pas “Lidhjes së Kapedanëve” që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skënderbenë, çfarë forma administrative u shtuan aso kohe në Shqipëri?
DR.ATHANAS GEGAJ: Sipas Lidhjes së Lezhës, Skënderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vehtjes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kufizuara e shpesh të okupuara nga Turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skënderbeut përkrahjen me ushtarë, por shpezat e luftës i përballonte Skënderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons, papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës. Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku. Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë, duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë, prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.
Gjekë Gjonlekaj: Sipas mendimit tuaj, çfarë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërisë sikur Skënderbeu të kishte jetuar më gjatë?
DR.ATHANAS GEGAJ: Po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu, sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërisë do të ndryshonin. Aj me 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive shqiptare veneciane. Për më tepër Skenderbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin, kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane, do të mund t’i siguronte Shqipërise lirinë dhe indipendencën; këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Gjekë Gjonlekaj: Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skënderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skënderbeut?
DR.ATHANAS GEGAJ: Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skënderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta; këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë. Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te ”Fondazionit Cini”, që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skënderebut nga shumë pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.
(Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut – kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës, më 18 e 19 Janar të vitit 1968)