ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (II)

ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (II)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku Prill 2024

ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (5)

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ-së, Xhafer Durmishi (Shpendi) lidhur me takimet në Adapazar dhe në Ankara me diplomatin Bujar Hoxha, shkruan:

“Pas tri ditë bisedash në Adapazar (më 14-16 shkurt 1982), në mbrëmjen e 16 shkurtit u nisëm me Sabriun për në Ankara, atje ku ishte vendosur udhëheqja e PKMLSHJ-së. Së pari në Ankara, në paraditën e 17 shkurtit, takuam Bujar Hoxhën (në Ambasadën Shqiptare) dhe biseduam për gjëra të përgjithshme (edhe për vendosjen e familjes Gërvalla në Shqipëri). Ai e dinte se ne do të bisedonim për bashkimin (me PKMLSHJ). Ai shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë: Pse unë isha kundër asaj që organizata e krijuar të quhet parti, dhe shtoi më pas: “Bashkohuni!” Ndërhyrja e tij kishte një peshë. (Burimi: Xhafer Durmishi – Skenderi: Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979 – 1985, maj 1992.

Sheradin Berisha

ZHVILLIMET PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 … (6)

Tani të kthehem te biseda që kam zhvilluar (kohë pas kohe) me përfaqësuesin e LNÇKVSHJ-së, Shpendin (Xhafer Durmishin), si pjesëmarrës në arritjen e marrëveshjes së 17 shkurtit 1982 për bashkimin e dy organizatave: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ në një organizatë me emrin “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ)”. Me Xhaferin kam biseduar për historinë e dokumentit 17 shkurtit 1982, të shkruar me dorë nga përfaqësuesi i PKMLSHJ-së, Halimi – Osman Osmani në këto bisedime, dhe jo vetëm.

Xhafer Durmishi tregon se, dokumenti i bashkimit të 17 shkurtit 1982 i arritur në Ankara, në origjinal e me nënshkrimet origjinale i është dhënë diplomatit në Ambasadën Shqiptare në Turqi, Bujar Hoxhës. Një kopje e këtij dokumenti origjjinal si Komunikatë përmes veprimtarëve të Lëvizjes është dërguar dhe shpërndarë në Kosovë. (Ky dokument si komunikatë i shpërndarë në Kosovë dëshmohet në aktgjykimin e anëtarit të LNÇKVSHJ-së, Qerkin Peci etj). Para se t’i jipet dokumenti në origjinal (BH), Osman Osmani me miratimin tonë e ka rishkruar atë, në banesën e Sabri Novosellës, duke përfshirë këtu edhe rishkrimin e nënshkrimeve tona, me dorë të Osman Osmanit (Halimit).

Pasi Dokumenti origjinal (si Komunikatë) është përpiluar vetëm në një ekzemplarë, të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces të bisedimeve (deri në arritjen marrëveshjes për bashkim), kanë konsideruar se nuk ishte e domosdoshme të nënshkruhet edhe dokumenti i rishkruar me dorë të Osman Osmanit.

Xhafer Durmishit i kujtohet shumë mirë se, këtë dokument në dorëshkrim e ka marrë me veti Osman Osmani, më 22 shkurt 1982 kur kanë udhëtuar së bashku, me aeroplanin Lufthansa nga Stambolli për Mynih të Gjermanisë, tashmë si përfaqësues të organizatës së themeluar me akronimin LRSHJ. Më 22 shkurt, Xhafer Durmishi (Shpendi) dhe Osman Osmani (Halimi) shkojnë në shtëpinë e Jusuf Gërvallës në Untergrupenbach ku vazhdonin të qëndronin akoma bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës dhe jo vetëm.

_______

P.S. Dokumenti i Bashkimit të 17 shkurtit 1982 me dorëshkrim të Osman Osmanit, më vonë i është dhënë Faridin Tafallarit, i cili e ruan edhe sot e kësaj dite në arkivin e tij voluminoz të Lëvizjes. Gjatë përgatitjeve që i bënte KVG (Komiteti Vëllezërit Gërvalla) për demonstratën e organizuar më 3 prill 1982 në Bon të Gjermanisë, ky dokument (së bashku me “Zërin e Kosovës” nr.3, mars 1982) u përgatitë si Traktë për ta shpallur bashkimin e 17 shkurtit 1982, duke e shpërndarë gjatë mbajtjes së demonstratës, por një veprim të tillë e kundërshtoi Osman Osmani (Halimi), prandaj dhe trakti nuk u shpërnda!

***

Dëshmi arkivore: Dy biletat e aeroplanit (Lufthansa) të Xhafer Durmishit e Osman Osmanit, të cilët më datë 22 shkurt 1982, udhëtuan në linjën – Stamboll – Mynih:

Sheradin Berisha

DOKUMENTI I BASHKIMIT: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ, MË 17 SHKURT 1982 NË ANKARA TË TURQISË

Kur jemi te çështja e diskutueshme lidhur me: marrëveshjen e Bashkimit të 17 shkurtit 1982 (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ) në Ankara të Turqisë, Fatmir Z Arifi (i cili ka publikuar disa radiograme të muajve janar – shkurt 1982) gjatë një diskutimi, më shkruan: “Po ta them me kompetencë, sipas dokumenteve që deri tani unë i disponoj, muaji shkurt i vitit 1982, nuk ka asnjë referencë për bashkim në mes të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ.”

Referenca për bashkimin e 17 shkurtit 1982, që i mungon Fatmir Z Arifit (në dosjen e tij të radiogrameve), nuk është fakt që dëshmon se, një dokument i tillë arkivor nuk ekziston.

Unë tashmë e kam bërë publike një dokument – marrëveshje për bashkimin: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ me emërtimin LRSHJ, më 17 shkurt 1982 në Ankara të Turqisë, por Fatmir Z Arifi dhe Ibrahim Miran Kelmendi nuk janë bindur për vërtetësinë e këtij Dokumenti.

Dokumenti (si procesverbal) i ka tri faqe të shkruar me dorë nga përfaqësuesi i PKMLSHJ-së në këto bisedime, Osman Osmani me pseudonimin Halimi. Osman Osmani e ka konfirmuar publikisht se, ky dokument është shkruar me dorën e tij, dhe si i tillë ruhet në arkivin e Lëvizjes, që e ka Faridin Tafallari, njëri nga bashkëpunëtorët e Jusuf Gërvallës.

Në vijim ju ftojë të lexoni këtë dokument:

D O K U M E N T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – shënim im) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi (Sabri Novosella – shën. im) dhe Shpendi (Xhafer Durmishi – shën. im).

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi (Abdullah Prapashtica – shën. im ) dhe Halimi (Osman Osmani – shën. im), anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemajli (Faton Topalli – shën. im) si përcjellës i këtyre bisedimeve.

Pas afër tre muajsh bisedime dualëm me propozime konkrete.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).

LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ qendror.

LRSHJ të i formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë në Federatën Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi (Xhafer Durmishi – shën. im) deklaron:

– Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi (Abdullah Prapashtica – shën. im) deklaron:

– Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella – shën. im) deklaron:

– Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani – shën. im) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi – shën. im) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica – shën. im), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.

Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”ZËRI I KOSOVËS”, pasi ky emër shpreh Zërin e Kosovës, kurse organi i rinisë të LRSHJ të quhet “REPUBLIKA”.

Në lidhje me këtë propozim Halimi (Osman Osmani – shën. im) deklaron:

– Jam i mendimit që këto dy organe të ekzistojnë por me një renditje tjetër. Për arsye se qëllimi i LRSHJ është Republika edhe organi i LRSHJ të jetë me po këtë emër, kurse si organ i rinisë së LRSHJ, pasi rinia jonë ndjek Zërin e popullit të Kosovës (në kuptimin e gjerë) emri i organit të rinisë së LRSHJ të jetë “Zëri i Kosovës”, dhe shtoi: Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësitë e dy organizatave tjera të njohura OMLK (Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës – shën. im) dhe FKP (Fronti i Kuq Popullor – shën. im) me bashkimin e tyre në LRSHJ.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ shton (Kushtrimi) / Abdullah Prapashtica – shën. im/:

– Sa i përket emrit të organit qendror të LRSHJ jam i mendimit se mund të botohet me emrin “Zëri i Kosovës” apo “Republika”, pasi që jam i mendimit që edhe njëra edhe tjetra e kanë kuptimin e Zërit të popullit shqiptar në Jugosllavi.

Sa i përket organeve të organizatave tjera të LRSHJ ato vetë të caktojnë emrin e organeve të tyre.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, Shpendi (Xhafer Durmishi – shën. im) në lidhje me këtë problem deklaron:

– Duke patur parasysh se vet LRSHJ ka të bëjë me Republikë, ky titull të sintetizohet me kërkesën për Republikë. Mendoj se është e drejtë, kur të kihet parasysh se veç ekziston një organ për “Republikën e Kosovës” të cilën nesër mund ta kemi në radhët tona, organi qendror të quhet “Zëri i Kosovës”.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ, Qemajli (Faton Topalli – shën. im) deklaron:

– Edhe pse në këtë mbledhje marrë pjesë si përcjellës i bisedimeve, jap mendimin tim në lidhje me çështjen e bashkimit. Pajtohem plotësisht që organizata e përbashkët të quhet LRSHJ dhe që brenda saj sipas mundësive të organizohen të gjitha organizatat që ka një republikë në federatën jugosllave. Në lidhje me organin e LRSHJ jam i mendimit që organi të quhet “Zëri i Kosovës”. Për emrin e organeve të organizatave tjera vendosin vet organizatat.

Mërgimi (Sabri Novosella – shën. im) shton:

– Të lihet mundësia, gjegjësisht t’u bëhet thirrje edhe të gjitha organizatave, grupeve patriotike e revolucionare që veprojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi të i bashkohen LRSHJ.

Me këtë propozim, d.m.th. për thirrje që t’i bashkohen LRSHJ të gjitha organizatat dhe grupet patriotike revolucionare pajtohen të gjithë përfaqësuesit.

V E N D I M

I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

1. Organizata e re e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).

2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.

3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.

4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.

5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.

6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës”.

Qemajli – Shpendi – Halimi – Kushtrimi – Mërgimi

——–

Shënimi im P.S:

Qemajli (Faton Topalli)

Shpendi (Xhafer Durmishi)

Halimi (Osman Osmani)

Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)

Mërgimi (Sabri Novosella)

………….

Dëshmi: faksimili i dokumentit (me tri faqe) i shkruar nga Halimi (Osman Osmani)

Fatmir Z. Arifi

Sheradin Berisha glorifikimet nuk janë argument mik i respektuar…!

***

Sheradin Berisha

Fatmir Z. Arifi

Që ta kuptojnë edhe më injorantët fjalën glorifikim! Fjala glorifikim ka kuptimin e lavdërimit, lartësimit, të adhurimit, apo dhe të krijimit të famës për dikë, duke ia lartësuar meritat! Tani, a mund të konkretizosh, çka ka të lartësuar apo të lavdëruar në këtë dokument?

*** 

Sheradin Berisha

MË 16 JANAR 1982 NUK KA NDODHUR BASHKIMI: LNÇKVSHJ – PKMLSHJ!

Fatmir Z Arifi në vazhdim të tezës që shtron këtu për debat, shkruan: “më 17 shkurt 1982 (sipas dokumenteve të shtetit shqiptar, 16 janar 1982 ka ndodhur ky bashkim), në Ankara të Turqisë janë bashkuar drejtuesit e LNÇKVSHJ, Sabri Novosella dhe të PKMLSHJ, Abdullah Prapashtica;

Historiani Fatmir Z Arifi, jo një herë i ka bërë temë diskutimi radiogramet (kabllogramet) e diplomatit shqiptar në ambasadën e Shqipërisë në Turqi, Bujar Hoxha, dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë.

Dhe radiogrami (kabllogrami) më i pëlqyer i tij dhe i Ibrahim Miran Kelmendit për diskutim ishte pikërisht radiogrami me dy faqe i datës 16 janar 1982, që deshifruan më 18 janar 1982, në ora 12:00 – 12:40, (një ditë pas atentatit në Untergruppenbach, ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës).

Duket që ky dokument është pëlqyer me qëllim që të vihet në dyshim, Bashkimi i 17 shkurtit 1982 (në Ankara) midis LNÇKVSHJ-së, (i përfaqësuar nga Sabri Novosella dhe Xhafer Durmishi), dhe PKMLSHJ-së, (i përfaqësuar nga Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli), në një LËVIZJE me emërtimin “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ)”.

Për të mos e përsëritur vetveten në këtë çështje, në vijim po i sjellë dy faqet e radiogramit, datë 16 Janar 1982, që u deshifruan nga shifranti FH, më 18 janar, në orën 12:00 – 12:40.

***

DESHIFRIM

TEPER SEKRET

Nr. Fletës 60

Nr. 1736, nga Ankara

Nr. 83 – Data 16. 01. 1982

MINISTRISE JASHTME

Sefedini (*) me dha dy dokumente. Njeri mban firmën e Xhelalit (**) dhe te Sefedinit dhe eshte dokument qe ben fjale per bashkimin e dy organizatave perkatese. Por ky dokument nuk vendos perfundimisht bashkimin e tyre. Megjithate eshte pozitiv. Sefidini, duke folur për bashkimin, tha se ne baze punohet me te vertete per te. Aksionet e perbashket e prodhojne kete. (vijon)

…….

Deshifrimi filloi më 18. 01 ora 12:00

Deshifrimi mbaroj më 18.01. ora 12:20

Firma e shifrantit FH.

***

DESHIFRIM

TEPER SEKRET

Nr. Fletës 61

Nr. 1737, nga Ankara

Nr. 84 – Data (mbaroi)

PKML do te vazhdoje presionin e saj. Por ajo eshte marre vesh me shoket e saj që te mos kalohet ne fazen e kryengritjes te armatosur. Ajo ndjek kete taktik. Te mos hiqet dore nga kerkesa per republike.

Bujari (***)

……

Deshifrimi filloi më 18. 01 ora 12:20

Deshifrimi mbaroj më 18.01. ora 12:40

Firma e shifrantit FH.

——–

(*) Sefidini – Abdullah Prapashtica (PKMLSHJ)

(**) Xhelali – Sabri Novosella (LNÇKVSHJ)

(***) Bujar Hoxha, diplomati i ambasadës shqiptare në Ankara të Turqisë.

___________

Pa u futur në disktum të gjerë për gjithë përmbajtjen e radiogramit dyfaqësh, po ndalemi vetëm tek kryetema që po diskutojmë.

Në faqen e parë të Deshifrimit të radiogramit (kabllogramit) diplomati Bujar Hoxha me fjalinë e parë njofton ministrinë e jashtme se:

– “Sefedini me dha dy dokumente.”

Me fjalinë e dytë informon se:

– “Njeri (dokument) mban firmën e Xhelalit dhe te Sefedinit dhe eshte dokument qe ben fjale per bashkimin e dy organizatave perkatese.”

Me fjalinë e tretë konstaton:

– “Por ky dokument nuk vendos perfundimisht bashkimin e tyre”.

Ndërsa me tri fjalitë e fundit pasqyron angazhimin (e Sefidinit) për të ndodhur ky bashkim në bazë përmes aksioneve të përbashkëta.

Konkretisht shkruan:

– “Megjithate eshte pozitiv. Sefidini, duke folur për bashkimin, tha se ne baze punohet me te vertete per te. Aksionet e perbashket e prodhojne kete.”

(Lexo në fund faksimilin në foto).

***

Duke pas parasysh disa dhëna të publikuara nga përfaqësuesi i PKMLSHJ, Osman Osmani dhe kujtimet e përfaqësuesit të LNÇKVSHJ-së, Sabri Novosella, për mua (si studiues i kujdesshëm) këto dy dokumente që përmenden në radiogramin e z.Bujar Hoxha, janë materiale jo përfundimtare (siç theksohet edhe në radiogram) të një procesi bisedimesh midis LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së, i cili ka nisur në dhjetor 1981 dhe kanë përfunduar më 17 shkurt 1982, kur u arritë marrëveshja për bashkimin: LNÇKVSHJ+ PKMLSHJ = LRSHJ.

Dhe krejt në fund, meqë në këtë radiogram (kabllogram) përmenden këto dy dokumente, atëherë Fatmir Z Arifi duhet t’i bëjë publike për të kuptuar saktësisht përmbajtjen e tyre.

Sepse ky radiogram informues si i tillë, nuk ka vlerë pa këto dy dokumente!

VIJON …

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura