Shkup, 6. 12. 2016: (Në 75-vjetorin e hapjeve të shkollave shqipe në Tokat e Liruara) – Rilindja kombëtare shqiptare të gjitha forcat e veta i orientoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe me moton: “se pa emancipim kulturor nuk ka as emancipim politik”. Prandaj shqiptarëve nuk u mbetej asgjë tjetër, përveç që nëpërmjet të shkollës në gjuhën amtare të mund të ngritnin vetëdijen kombëtare shqiptare pa dallim feje e krahine.
Ata së pari kërkonin bashkimin e të gjithë kombit dhe nën flamurin kuq e zi të luftonin krahas pushkës edhe me pendë për shpëtimin e Atdheut. Rilindja kombëtare, e sidomos Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shqiptarët i nxori në arenën botërore si popull i veçantë, që nuk kishte lidhje as me turqit e as me të tjerët. Dhe me tërbim pyetnim Fuqitë e Mëdha kush janë këta, çka kërkojmë dhe sa janë? Edhe pse romantiku shqiptar Jeronim De Rada disa herë qe drejtuar Evropës se e ka borxh ta ruajë këtë popullsi, dhe se të vetmit shqiptarët u bënë ballë të gjitha stuhive e rrebesheve okupuese gjatë shekujve, por ata nuk i zhdukën nga faqja e dheut, prapëseprapë ajo (Evropa) mbeti e shurdhët.(1).
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i bëri realitet qëllimet shqiptare para botës si komb i veçantë dhe kërkonte bashkimin e të gjitha tokave shqiptare. Por edhe për kundër kryengritjeve të përgjakura, Fuqitë e mëdha si dhe shtetet sllave të Ballkanit e copëtuan Shqipërinë që sa më lehtë t’i realizojnë aspiratat e tyre. Një mospërfillje të këtillë ndaj shqiptarëve u shfaq jo vetëm me vendimet grabitqare të Kongresit të Berlinit, por edhe më 1913. Dhe kështu mbi trojet shqiptare u vërsulën një lukuni ujqish me qëllim secili për hesap të vet të gllabërojnë copa sa më të mëdha nga trungu shqiptar. Populli shqiptar u copëtua në banovina e krahina sllave e greke. Erdhi viti 1939, gjegjësisht 1941 kur në këto troje erdhi një pushtues i ri, ai Italian.
Ministri i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, Ernest Koliqi…
Lufta e Dytë Botërore solli edhe disa pamje të reja për shumicën e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo ndodhi 17 ditë pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave. Shqiptarët të bashkuar, por pa kushte për ndonjë konsolidim, ishin të detyruar që të kërkojnë ndihmë nga shtetet fqinje dhe të huaja. Duke u mbështetur në ndihmën e të huajve, vendet shqiptare, që kishin qenë nën okupim të Mbretërisë Jugosllave, u ndanë në zona. Zona më e madhe që përfshinte shqiptarët de fakto i takonte Italisë, ndërsa tjetra i takonte Gjermanisë dhe Bullgarisë. Zona që i takonte Italisë de jure ishte zona ku qeverisin shqiptarët dhe quhej Mbretëria Shqiptare. Shqiptarët, të përkrahur nga pushteti italian, për një kohë shumë të shkurtër ngritën administratën e pushtetit të tyre. Për të pasur sa më shumë sukses, ata i përdorën të gjitha mjetet materiale dhe shpirtërore që sa më tepër të ngjallin admirim ndaj tyre, duke dhënë të drejta që shqiptarët e këtyre viseve kurrë nuk i kishin gëzuar. Si detyrë parësore ishte sa më shpejt të ngrihet arsimi. Ata menjëherë i hapën shkollat laike dhe sollën mësuesit më të ditur dhe më të ngritur, si në aspektin didaktik, ashtu edhe në aspektin moral dhe profesional. Ata zhvilluan një rrjet shumë të gjerë shkollash dhe arritën që të grumbullojnë një numër të madh nxënësish shqiptarë në këto shkolla.
Shqiptarët e Maqedonisë e të Kosovës jo pa arsye e quajtën çlirim se për herë të parë e bashkuan pjesën më të madhe të trojeve shqiptare me shtetin amë. Ky bashkim u solli shqiptarëve për herë të parë të dëgjohet e të shkruhet edhe fjala shqipe që aq fort e deshën rilindësit tonë, si dhe u hapën shkolla me mësues e administratë shqipe.
Me rastin e fillimit të vitit shkollor, Ministri i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, Ernest Koliqi lëshon një qarkore me 25. 10. 1941, në të cilën thuhet: “Për herë të parë themelohet shkolla jashtë kufijve të vjetër shtetëror, të cilat në kuptimin e plotë janë me vlerë historike, të cilat premtojnë se do ta çrrënjosin prapambeturinë dhe do t’i shërojë plagët e robërimit dhe se shkolla shqipe do të jetë në shërbim të popullit”.(2).
Edhe pse gjendja e shqiptarëve kudo e sidomos në këto treva ishte tepër e mjeruar në çdo fushë, nuk u kursyen as mjetet e as vullneti që shqiptarët e këtyre anëve të arsimohen në gjuhën amtare. Një angazhim të tillë e të pamohueshëm e dha Mbretëria Shqiptare me në krye Ministrin e Arsimit, zotin Koliqin. E këtë angazhim në mënyrë ilustrative na përshkruan shkrimtari i njohur Martin Camaj kur flet për meritat e Ernest Koliqit në parathënien e librit të novelave të tij ku shkruan: “Në kohë të vështira si ishte Lufta e Dytë Botërore, la gjurmë të pashlyeshme në arsimin kombëtar, në organizimin e shkollave dhe në pajisjen e tyre me tekste, për të parën herë trajtuar me kritere moderne, ndërsa qysh tash historia ia njeh se Koliqi mori guximin me përgjegjësi personale të themelojë shkollat shqipe në Kosovë (këtu hynë edhe trevat ku janë të banuara me shqiptarë etnik nga pjesët e Maqedonisë – A. M.); si Ministër i Arsimit më 1941-1942 dërgoi në Kosovë nga Shqipëria mbi 200 mësues shqiptarë, të cilët pas mbarimit të luftës i vunë themelet e forta të arsimit në gjuhën shqipe”.(3).
Ishte tepër vështirë të organizosh një sistem edukativo-arsimor në trevat ku pushtuesi kishte punuar natë e ditë që të ndryshojë realitetin historik me dhunë dhe me propagandë për të harruar identitetin e vet. Objektivat kryesore të pushtuesve ishin pasoja të drejtpërdrejta të gjenocidit të ushtruar mbi to, që të bëhej shpërngulja e shqiptarëve nga vatrat stërgjyshore.
Shqiptarët kurrë nuk e përfillën fashizmin si ideologji, por vetëm si simbol bashkimi, sepse periudhat e vuajtjeve të shqiptarëve në të kaluarën kishin lënë gjurma të pashlyeshme në vetëdije. Në një dokument të asaj kohe thuhet: “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, vetëm serbi e të na hiqet qafe”.(4).
Kjo ishte një periudhë shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë u vunë themelet e arsimit në gjuhën shqipe. Dhe tani punohej në shumë fronte, jo vetëm me nxënës të rregullt, por edhe me kursistë, seminaristë dhe me tjerë që dëshironin të arsimoheshin në gjuhën amtare, duke përfshirë edhe ata që kishin mbarur shkolla të ndryshme serbe apo fetare. Një pjesë e tyre dërgoheshin në kurse kualifikuese në Shkollën Normale “Sami Frashëri”, në Prishtinë, e një pjesë dërgoheshin në kurset verore në Shqipëri dhe kështu kualifikoheshin edhe mësues nga këto treva.(5).
Problem më të madh paraqiste pajisja e nxënësve me mjete shkollore, gjegjësisht me tekste shkollore. Edhe pse kuadri i caktuar që vinte në këto treva kishte traste plotë me libra, kjo përsëri nuk mjaftonte, kështu që ndodhte që në ndonjë shkollë të punohej vetëm me një abetare. Përveç abetareve në këtë periudhë u përdorën edhe libra leximi për klasë të ndryshme.
Mbretëria Shqiptare si dhe pishtarët që merreshin me organizimin e hapjeve të shkollave në këto treva ishin shumë të vetëdijshëm se ndjenjat fetare në Viset e Liruara që përfshinte Kosovën, Tetovën, Strugën dhe Dibrën ishin një faktor vendimtar në përfshirjen e nxënësve dhe hapjen e shkollave. Në baze të Qarkores së Ministrisë së Arsimit në Tiranë dërguar Inspektorisë së Arsimit në Kosovë e Dibër lëshohet udhëzimi mbi zhvillimin e lëndëve mësimore dhe bashkangjitur me te edhe Plani dhe programi i shkollës fillore pesëklasëshe, ku mësimbesimi parashihej si lëndë fakultative dhe ajo të zhvillohej në mejtepet që funksiononin edhe gjatë okupimit serb në këto troje.(6). Kjo ndodhi kështu sepse shkolla kombëtare ishte laike dhe se në planet dhe programet mësimbesimi nuk ekzistonte si lëndë.
Mirëpo, Komiteti Mysliman Shqiptar me shkresën dërguar më 29 shator 1941 i drejtohet kabinetit të Kryeministrisë midis atij edhe Komitetit të Ministrisë së Arsimit që kërkohej që mësimbesimi të figurojë si lëndë mësimore dhe të vlerësohej me notë. Por, në bazë të shkresës me nr. 436/125 të datës 04. 01. 1941-XIX dhe të shkresës nga ana e Ministrisë së Arsimit me nr. 198 të datës 04. 01.1941-XIX ku e njoftojnë Komitetin Mysliman se së shpejti pritet të sillet ligji i ri e deri sa nuk sillet ky ligj, aplikimi i notave nuk mund vihet në veprim.(7).
Shkolla shqipe në shumë fshatra nuk vijohej me rregullsi e sidomos problem ishte me gjininë femërore, sidomos nëpër fshatra, meqë ato nuk vijonin shkollimin, edhe pse në listat zyrtare ishin te evidentuara. Një problem tjetër ishte se nxënësit shqiptarë së pari ndiqnin kurset fetare e pastaj shkollën e rregullt. Ky mësim thuhej se i lodhte shumë dhe se vëmendja në procesin mësimor ishte i dekoncentruar, prandaj u pa e nevojshme që sa më parë të sillet Ligji dhe të zgjidhet kuadri për mësimbesimin , koha e ndjekjes së kësaj lëndeje si dhe numri i orëve.
Që nga shkurt-marsi i vitit 1942, Ministria e Arsimit njofton Prefekturat dhe Nënprefekturat për dhënien e lejes që edhe mësimbesimi të jetë pjesë përbërëse e plan-programeve mësimore në shkollat kombëtare shqipe me nga dy orë në javë dhe me pagesë. Në vitin shkollor 1942/43, mësimbesimi hyri në plan-programet mësimore, por si mësim moral e qytetar.(8).
Komiteti Islam në Tiranë, në krye me Kryetarin Behxhet Shapati dhe me Kryetarin e Ylemave, Sherif Langun, u ngarkuan që sa më parë të përgatisin elaboratin mbi futjen e mësimbesimit në shkollat shtetërore. Në bazë të një qarkoreje, që mban nr. 447, Kryesia e Këshillit t’Ylemave të Komitetit Mysliman njofton Kryemyftinjtë, Myftinjtë e Nënmyftinjtë, Kryesinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Shqipëri që me dekret të posaçëm të ngarkojë Kryetarin dhe Këshillit e Ylemave të Komitetit Mysliman në gjithë Shqipërinë për projektimin e një Statuti të ri për Komitetin e gjithë Myslimanëve”. Në Statutin e ri një prej detyrave ishte edhe futja me dekret e mësimit fetar për të gjitha shkollat shtetërore. Njerëzit që do të angazhoheshin për mësim feje duhet të ishin së pari shqiptar dhe të kishin kryer ndonjë shkollë fetare, ndërsa si detyrë parësore parashihej që të gjitha ata që do të angazhoheshin, të kenë për qëllim “rrënjosjen e ndjenjave fetare, bashkimit e dashtunimit vllaznuer fetarë e kombëtarë shqiptar”.(9).
Të interesuarit së pari duhej të drejtoheshin me lutje Kryesive, sipas konfesioneve të tyre, e këto pastaj i drejtojnë në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas marrjes së lejes dërgoheshin në Ministrinë e Arsimit, e cila i njoftonte Inspektoratet pranë Prefekturave dhe nënprefekturave në Tokat e Liruara.
Pas aprovimit të Statutit të ri dhe marrjes së lejes për mbajtjen e mësimit të fesë, caktimi i mësueseve të mësimbesimit bëhej me përgjegjësinë e udhëheqësve të shkollave dhe të Inspektoratit për Arsim. Kryetari i Ylemave i pranonte të gjitha lutjet dhe propozonte se cili mund të ishte mësues feje. Përparësi kishin ata të cilët shiheshin se u janë zgjuar ndjenjat kombëtare nacionaliste. Kështu, sipas dokumentit nr. 19 të datës 3. XIII/41 së pari lajmërohet shkolla e Ulqinit me propozim që mësues mësimbesimi në këtë qytet të emërohet Izet Zejnuni, i cili njëherazi ishte edhe imam zyrtar për myslimanet dhe njeri i dëshmuar i çështjeve shqiptare, kurse për besimin katolik, Dom Nikol Tusha, i cili pa ashtu kryente detyrën e famullitarit të kishës në Ulqin, ndërsa për ortodoksët thuhet në dokument se nuk mund të gjejnë njeri të përshtatshëm “se asnjë nga popat nuk zotërojnë gjuhën shqipe”. Por, që të mos ketë padrejtësi ndaj komuniteti ortodoks, për mësimbesim angazhohet mësuesi i shkollës, Mina Nikolla Grega. (10).
Prej vitit shkollor 1942, gjegjësisht prej fillimit të vitit shkollor, varësisht nga personi dhe rregullimi i dokumentacionit, fillohet me dekret të emërohen mësues të mësimbesimit në të gjitha vendet e Mbretërisë Shqiptare, përfshirë edhe Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Sipas dokumenteve arkivore, mësues të mësimbesimit emërohen sipas përkatësive fetare të shqiptareve. Kështu, sipas dokumentit të arkivit që gjendet një listë e personave që propozohen të emërohen mësues besimi në Kosovë dhe në Maqedoni, si: Ahmet Haxhi Vehabi mësues besimi në Tetovë, Rexhep Ferati në Tetovë, Sali Abdyrahmani në Prishtinë, Et-hem Tahir Pishnjari në Reçiçë të Tetovës, Zulfi Naziri po ashtu në Reçicë, Hafiz Nexhat Veseli në Xhepshitë të Tetovës, Hafiz Shaban Halili në Zhelinë të Tetovës, Jahja Baftir (Baftjar) Mënjaku në Shipkovicë të Tetovës, Shefki Ademi në Gajre të Tetovës, Iljaz Idrizi në Pallçishtë të Tetovës, Ramadan Osmani në Gradec të Gostivarit, Nixhmi Abdullahu në Zhelinë, Haki Selmoni në Reçicë, Ajet Kamberi në Strimnicë të Tetovës dhe Zeqir Teufik Lazami në Kamjan të Tetovës.(11).
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Dr. Bexhet Shapati, me shkresën nr. 851/1 i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar leje që të emërohen të gjithë ata që kanë shprehur dëshirë dhe që i plotësojnë kushtet. Në shkresën nr. 50 të datës 19.02.1942 thuhet se në viset e Lirume si kandidatë për mësues besimi kanë shprehur dëshirë: Emshi Ismail Rexhepi për shkollën e katundit në Dobërdoll të Gostivarit e Hafiz Ymer Spahija në një shkollë të qytetit të Prizrenit. Për Shkollat e Pejës, Myftinija e Pejës propozon që për mësues të mësimbesimit, sipas cilësive të duhura, të jetë Hafiz Sulejman Pajaziti dhe z. Beqir Mulla Zeqa, pasi këta të dy e “dinë mirë shqipen në të folme e ne të shkruar dhe se është (janë) të aftë për mësim”.
Në Dibër për këtë kurs të mësimbesimit emërohet Devish Jahja, i cili ngarkohet me 7 orë në shkollën fillore “Skënderbej” dhe me nga dy orë në shkollën fillore “Lirija” të Dibrës për klasat e dyta dhe të treta. Meqenëse numri i shkollave edhe i nxënësve po shtohej, Kryesia e Komitetit Mysliman e ndjek me vëmendje këtë gjendje, duke kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të angazhojë mësues të fesë edhe në vendet me më pak nxënës, me shpresë se numri do të rritet. Kështu, në Pallçishtë të Tetovës, për shkak të numrit të madh të nxënësve, Kryesia e Komitetit Mysliman detyrohet ta pranojë Sherif Sherifin nga i njëjti katund, kurse Abdyl Qerimin në fshatin në Ladorishtë të Strugës.
Në bazë të dokumentacionit që disponojmë, shihet se disa mësues të mësimbesimit janë shumë të ngarkuar, si për shembull Ali Hamidi nga Qarku i Prishtinës, i cili është i ngarkuar me 17 orë në javë dhe mban mësim në tri shkolla të qytetit të Prishtinës. Edhe mësuesit e fesë, si Rexhep Ferhati nga Tetova, jep mësim në klasën I, II dhe III; kurse Ahmet Vehapi në klasën IV dhe V në Tetovë. Abdyl B. Mehmeti mbante katër ore në javë në Kamjan, kurse Ahmet Hasani që nga viti 1932 punonte si mësues besimi në nënprefekturën e Kërçovës. Ai mbante pesë orë në javë në të pesë klasat në fshatin Sërbicë (Kastriot) të Kërçovës, ku u mbante mësime 138 nxënësve. Detyrën e mësuesit e kishte marrë më 9 mars 1941 me një pagesë prej 60 frangave shqiptare. Po ashtu kemi edhe pasqyrën e të ngarkuarve me mësime në kursin e besimit në Prizren, si: Pjetër Berisha me 9 orë për elementin e besimit katolik, Sami Xhemaili me 26 orë në shkollën “Bajram Curri” dhe “Adyl Frashëri”, Maksut Spahiu me 22 orë në javë në shkollat: “Stjefan Gjeçovi” dhe “Haxhi Ymeri” në Prizren, ndërsa Ali Hamiti i punësuar në shkollën nr. 1 në Prishtinë me 14 orë dhe Islam Emini në shkollën femërore nr. 2, po në Prishtinë me 12 orë në javë, ku shërbimi pagesor kapte shumën prej 84 frangash shqiptare.
Nga dokumentet mësojmë se për shkak të vonesës së pagesës, disa nga mësuesit e mësimbesimit në disa vende të Shqipërisë janë larguar nga detyra, kurse nga vendet e Lirueme asnjë nuk e kishte vënë këtë çështje në diskutim. Përkundrazi, në Vendet e Lirueme kemi kërkesa për angazhim. Kështu, në bazë të një dokumenti shohin se Baftjar Fazliu nga Prishtina njoftohet se dokumentet e tij ende nuk kanë arritur në Inspektorinë e Arsimit që të mund të angazhohej për mbajtjen e mësimbesimit.
Është mjaft interesante që të përmendet se në këtë kohë kemi edhe kërkesa nga ana e femrave, si p. sh. Lutfije Zejnullahu dhe Xhevrije Ali Hysejni nga Prishtina. Mirëpo, të dyja zonjat nuk pranohen, “sepse nuk ka nevojë” thuhet në dokument për shtesë të personelit. Ata të cilët kishin biografi të mirë, njohje të mirë të gjuhës shqipe dhe dëshmonin patriotizëm, nuk i largonin, por i angazhonin në kurse të ndryshme, si p.sh mësuesin Baftjar Fazliu, i cili kishte konkurruar për lëndën e mësimbesimit dhe i plotësonte kushtet që ta ushtrojë këtë detyrë.
Dëshira për lëndën e mësimbesimit nga ana e prindërve dhe e nxënësve ishte e madhe. Në bazë të letrës protokolluar me nr. 668 , të lëshuar nga Dibra, drejtuar Ministrisë së Arsimit, vërehen ankime të shumta pse në shumë shkolla fëmijët nuk marrin mësim feje dhe pse nuk angazhojnë mësues të fesë se “popullsija e këtyre vendeve janë tepër të dhanun mas fejet një trashëgim në ketë pikë sjell një mos kënaqësi në popull dhe len vend thash e themeve të shumta”.(12).
Ndërkohë të gjithë mësuesit e mësimbesimit gjatë vitit 1942 ishin në sprovë. Ata ndiqeshin nga Inspektori i Arsimit dhe nga përgjegjësit e shkollave. Qëllimi kryesor i përgjegjësve ishte të ndjekin te të gjithë se si e flasin dhe shkruajnë gjuhën shqipe dhe sa e lidhin fenë me traditat e vendit tonë. Në një Raport të lëshuar nga Drejtoria e shkollës fillore “Skenderbeg” të Tetovës jepen sqarime për punën e A. Vahipin, R. Feratin dhe Abdylbaki Memetin. Nga shkresa nr. 153/16 e datës 3.3.1942 shihet se për Abdylbaki Memetin kërkojnë që të pushohet nga puna, sepse ai shumë pak e njeh gjuhën shqipe ose të dërgohet në “katundet Pirok, Çolopek apo Kamjan ku nxënësit janë të gjithë shqiptarë qe nuk dinë me fol tjetër gjuhë veç asaj shqipe. Atje Bakiu do të shtërgoheshte me mësue mirë shqipen”.
Nga dokumentacioni i shumtë shohin se ka shumë kërkesa nga hafëzë, hoxhallarë e myderrizë për t’u inkuadruar në mbajtjen e mësimbesimit. Kështu, nga deponimi i dokumentacionit me biografitë dhe ixhazetnametë e tyre, të përkthyera në gjuhën shqipe, dalin në shesh të dhënat për lëvizjet e punës së tyre, kurse atyre që u mungonin ixhazetnametë merrnin dëshmi nëpërmjet njerëzve të firmosur para kompetentëve, si imamëve njerëzve të bashkisë dhe të gjykatës.
Nga biografitë e tyre shihet edhe shkalla e kualifikimit dhe e punësimit të tyre. Kështu, Ali Hamiti, myderriz nga Prishtina, thuhet se ka dhënë mësim në gjimnazin turk në Prishtinë në vitin 1911. Punën e këtij myderrizi e dëshmojnë Mahmut Rexhepi, imam në xhaminë e Prishtinës dhe Mehmet Shabani, polic në Bashkinë e Prishtinës, vërtetuar nga Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Salatin Kelemendi. Por, Inspektorati i Arsimit kërkon sqarime për kandidatin se sa e njeh gjuhën shqipe dhe se a ka nevojë për mësues të fesë në këtë qytet. Sipas shkresës nr. 153/82 të 16.5.1942, ky mësues feje ngarkohet me detyrë në tri shkolla me 17 orë mësimi në javë me një rrogë prej 80 frangash shqiptare. Ka edhe të tillë të cilët nuk pranohen, sepse nuk e njohin gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe. Kështu ndodh me Abaz Selam Kabashin, të cilin e drejtojnë dhe e udhëzojnë “që të mësojë mirë gjuhën shqipe në të shkruem e në të folur dhe rishtazi të bëjë kërkesë”.
Po kështu kemi edhe kërkesën e Azem Dalipit nga fshati Tuhin i Kërçovës, i cili dëshiron të mbajë mësimbesimin në shkollën e Tuhinit dhe të Jagoll-Dolencës. Në biografinë e tij shkruan: Azem Dalipi i lindur në katundin Tuhin të Nën/prefeturës së Kërçovës. Në vitin 1902 ka mbarur Ruzhdijen në Kostur të Greqisë. Pastaj ka ndjekur mësimet në gjuhën arabe në medresenë e Kërçovës. Pas mbarimit të mësimeve 6-vjeçare vazhdon shkollën Normale në Manastir ku edhe është diplomuar. Emërohet mësues në fshatin Veleshtë të Strugës. Me ardhjen e fuqisë Jugosllave është detyruar që ta lëshojë punën dhe merr rrugën për në Turqi. Atje emërohet mësues praktike pranë shkollës Normale të Kostamanit. Pas 6 vjetësh shërbimi ai emërohet Drejtor i shkollës fillore në Bolli dhe në këtë post qëndron deri në vitin 1923 ku thotë se u ktheva në Atdheun tim dhe punova si mësues feje dhe detyrën e mbajta deri në shembjen e regjimit barbar Jugosllav. Gjithashtu thotë se “dinë mirë me shkrua e me këndue gjuhën amtare (Shqipen). “Tash që lumnisht që vendi im u bashkue me Nënën Shqipni, dëshiroj të emnohem mësues besimi në shkollën e Tuinit e Dolencit….Me nderime Azem Dalipi”. Lutja biografike si duket është shkruar nga mësuesi i mirënjohur Petref Therrepela, mësues nga Shqipëria, ngase me ndihmën dhe rekomandimin e tij ai emërohet mësues feje në Tuhin dhe Dolencë.
Nevoja për mësimbesim ishte e madhe tek elementi ortodoks. Në bazë të një shkrese kuptojmë se si Kryesia e Ylemave i drejtohet Sinodit të Shenjtë për emërimin e mësuesve të mësimbesimit ortodoks. Kërkesat më të mëdha ishin në Tetove, Dibër e, sidomos, në fshatrat e Rekës së Epërme dhe në prefekturën e Prizrenit. Edhe pse pagesa ishte 150 franga shqiptare, përsëri kuadër nuk mund të gjendej. Në Tetovë emërohet Dimitri Risto nga ky qytet, i cili thuhet se e “zotëron gjuhën shqipe”. (13)
Mësimbesimi në shkollat shqipe në këtë periudhë ishte në funksion të gjuhës shqipe dhe të formimit moral e qytetar të nxënësve.
______________
Referencat:
1.Avzi Mustafa, Figura mesuesish shqiptar 1, BKSH, Tetove,1995, f..3-4.
2. Këtë dokument e ka ruajtur pishtari i arsimit shqip Vlash Gjelaj i ardhur nga Obodi i Shkodrës që punoi në Maqedoni dhe Kosovë.
3..Shih: Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, botoi Ndërmarrja botuese, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 1991, f, 5.
4. Abdullah Vokrri,Shkolla dhe arsimi në anën e Llapit (1878-1944), f. 92.
5. .Mehmedali Hoxha dhe Isen Kaloshi i pari ishte nxënës në Normalen e Prishtinës, kurse i dyti mësues në këto shkolla.
6.Abdylazis Veseli, Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, Tetovë,2000,f. 95.
7.Tokat e Liruara 1941-1944, përmbledhje dokumentesh, përmbledhur nga Qerim Lita, botoi Logos_A, Shkup, 2016.f. 149 (dok. nr. 662).
8. Shiko dëftesat shkollore që kjo lëndë radhitet pas sjelljes.
9. AQSH, Qarkore, që mban nr. 447, Kryesia e Këshillit t’Ylemave të Komitetit Mysliman.
10 .AQSH, F. 814, D. 14 .Fl. 7. Dok. 195/942.
11. AQSH f. 195 v. 1942 d. 263, n. 8
12. AQSH, F.dok. 668 të datës 28. 07. 1942.
13. AQSH. F. 195: V. 1942. D. 296. FL: 29111.