DOLI NË QARKULLIM VËLLIMI ME LIRIKA “QIELLI I SHPIRTIT TIM” E POETES VERA ISTREFAJ

 Pashtriku.org, 01. 09. 2014: Në korrik të këtij viti doli nga shtypi vëllimi me lirika “Qielli i shpirtit tim” e poetes Vera Istrefaj, botuar nga SHB:”ADA”. Vera Istrefaj ka lindur në Kukës, më 1 nëntor 1975. Ka mbaruar gjimnazin në vendlindje, në vitin 1994. Eshte diplomuar ne shkencat humane. Aktualisht punon si juriste per Sherbimin Kombetar te Punesimit , ne Drejtorine Rajonale Kukes. Që në vegjëli ka botuar poezi dhe skica në revista dhe gazeta të kohës. Cikle me poezi ka botuar edhe në revista të bashkatdhetarëve tanë në Amerikë. Ndërkaq në vitin 1991, në një almanak të krijuesve të rinj kuksianë u paraqit me 76 poezi dhe me një skicë. Ka marrë pjesë në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime. Me këtë rast vlen të veçohet çmimi i parë, që iu dha në Akademinë Letrare “Esat Mekuli”, në Prishtinë.


– Vera Istrefaj – 

Vera Istrefaj krahas krijimtarisë poetike është marrë edhe me gazetari, kryesisht në televizionin e Kukësit. Ka ndjekur një sërë seminaresh e trajnimesh për gazetari, psikologji, menaxhim, këshillim e drejtësi. Si juriste mbron të drejtat e grave dhe vajzave dhe për këtë qëllim ajo është drejtore Ekzekutive e Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale, si dhe koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, për Qarkun e Kukëst. Si veprimtare e shoqërisë civile, ka një përvojë 20 vjeçare. Në vitin 2009 ajo është nderuar edhe me Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në shkallë kombëtare. Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Vera Istrefaj ka botuar katër vëllime poetike: “Shiu i fundit” (Prizren 1999), “Nënqeshja e ëmbël” (Prizren, 2001), “Në akuj digjem” (Prishtine 2003) dhe “U jepem udhëve” (Prishtinë 2005), ndërsa “Qielli i shpirtit tim” është vëllimi i pestë i saj. Ndërkaq në vjeshtë pritet ta nxjerrë në dritë vëllimin e gjashtë me poezi. Pavarësisht nga shumësia e punëve të përditshme, Vera Istrefaj do të mbetet, si gjithmonë e thjeshtë, delikate në dukje, nën peshën e mendimeve dhe emocioneve të forta, nën mantelin e jetës si femër, grua, nënë e veprimtare shoqërore, përballë sfidave të kohës. (Përgatiti: Sheradin Berisha)

LEXONI LIBRIN: “QIELLI I SHPIRTIT TIM” TË AUTORES VERA ISTREFAJ:
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/vera-istrefaj-qielli.pdf

““““““““““““““““““““““““““““““““““““““““““““

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura