DR.ENVER REXHA: PËRVETËSIMI I TRASHËGIMISË SHQIPTARE NGA KISHA ORTODOKSE SERBE! (II)

Pashtriku.org, 23. 01. 2014 – Ndikimet e stilit të ndërtimit perëndimor do të shihen më së miri edhe në Kishën e Manastirit të Deçanit ose siç edhe quhet Pandakratori, e rindërtuar ose ndërtuar gjatë sundimit të Stefan Deçanit dhe Dushanit (1327-1335). Karakteristika kryesore e këtij objekti është stili romanik i ndërtimit që tregon A. Stefanoviq. Sipas të dhënave, Manastirin e Deçanit e ndërtoi arkitekti shqiptar At Vita Kuçi – Cuci me 18 skulptorë e gurskalitës. Manastiri i Shën Stefanit ose Bajska që gjendet në Banjë të Mitrovicës, u rindërtua nga mbreti Millutin. Murimi i tij u realizua gjatë viteve 1312-1317. Sipas autorit D. Bogdanoviq, është e mundur që këtu edhe më herët të kishte ekzistuar një manastir. Se ky objekt ishte rindërtuar mbi themelet e një tempulli të vjetër mbështetet dhe nga autorët V. Markoviq, A. Stefanoviq e po ashtu dhe nga revista e Patrikanës Serbe “Pravoslavlje” që botohet në Beograd. Po ashtu, kemi të dhënat që tregojnë edhe për një numër mjeshtërish – skulptorësh të shquar shqiptarë të ndërtimit të kishave që veçoheshin asaj kohe, siç janë: Miho (Mikel) Tivarasi i shekullit të XIV’të, Gjin Aleksi dhe Mark Nikollë Gega etj.

– Vallëzimi i shqiptarëve në oborrin e Manastirit të Graçanicës –

Mbështetje për qëndrimet tona që paraqiten gjatë gjithë këtij punimi, se kishat dhe manastiret ortodokse u rindërtuan ose më mirë të themi, u adaptuan me ndërhyrje gjatë ri-ndërtimeve për t’u transformuar nga stili katolik në at ortodoks, siç kuptohet nga shumica e rasteve të sipërtheksuara, do të gjejmë edhe tek disa studiues serbë që shquhen me punimet e tyre për këto çështje. Gj. Sljepçeviq, tregon se: nemanjidët, sundimtar të Rashkës nuk patën dije për ndërtime as të kishave e as të manastireve, ata vetëm i shfrytëzuan objektet dhe kulturën bizantine duke qenë një herët kopjues dhe imitues të tyre. Kjo, sipas autorit, tregohet edhe me selit (rezidencat) e përkohshme të mbretërve të tyre që do të lëvizin gjatë gjithë periudhës së sundimit. Ata, nuk kishin një vend (qendër, qytet apo pallat) të përhershëm. Shefi i katedrës për arkeologji mesjetare në Beograd, Dr. Gj.Jankoviq, thekson se, sa është e ditur Kosova, Mali i Zi dhe Hercegovina janë territoret që më së shumti kanë kisha që shërbenin në vazhdimësi që prej njëmijë (1000) vjetësh. Nga këto, kemi objekte të ndërtuara qysh gjatë shek. të VI’të dhe të VII’të ose ato të shek. të IX’të dhe të XI’të, siç janë edhe kisha në Lipjan, Graçanicë dhe Zonja Prene (Ljevishka) në Prizren. Akademiku, D.Bogdanoviq, tregon se, dy qytete bizantine që i okupoi Stefan Nemanja, Prizreni dhe Lipjani, që aso kohe ishin qendra fetare. Kur arkimandriti Sava e organizoi kishën autoqefale “rashkase”, at e ndan në dhjetë (10) ipeshkvi, e nga ato tri(3) gjendeshin në territoret e sotme të Kosovës. Zhvillimi i territorit të sotëm të Kosovës, sipas autorit, si “qendër shpirtërore” e popullit “serb” gjatë mesjetës mbështetet me përqendrimin e madh të kishave dhe manastireve. Ai vazhdon, deri sot nuk mund të dihet se sa kisha kanë qenë ose janë ruajtur nga epoka para-nemanjide, sepse kërkime, hulumtime sistematike si dhe arkeologjike nuk janë kryer, duke shtuar, numër bukur i madh i kishave nemanjide (rashkase) sigurt se janë ngritur në themelet e vjetër të tempujve bizantinë. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve, V. Markoviq, na tregon se, historia e kishave dhe manastireve ortodokse siç shkruhet dhe përshkruhet nga tradita dhe historiografia serbe, nuk lënë tjetër, veç të kuptohet se, veprat-ndërtimet e fundit, ato nemanjide, të janë ngritur mbi llogarinë e të parave. Kështu, nemanjidëve i përshkruhen shumë manastire, të cilat janë shumë ma të vjetra se koha e tyre. V. Markoviq, tregon edhe se, mbreti Millutini (1282-1321) nuk ndërtoi asnjë manastir të ri, ai vetëm i rindërtoi manastiret e vjetra e të lëna. Për këtë, historiografia jonë e vjetër dhe e re e paraqesin Millutinin si themelues-ndërtues i shumë manastireve. Karakteristikë e kohës së tij është se, Millutini rindërtoi shumë manastire në territoret që okupoi nga Bizanti, më shumë se sa në territoret e vjetra “serbe”. Historiani, St. Stanojeviq, thekson që edhe para Stefan Nemanjës, në kufijtë me Rashkën kishte bukur shumë manastire dhe udhëheqës fetarë dhe nuk fillon krejt me Nemanjën, siç donë ta paraqesin historiografët tanë… Autori, V. Petkoviq, vjen në përfundime se, fiset “serbe” (sllave, E. R.) që nga ardhja dhe vendosja e tyre në këto territore (ballkanike) e deri në shek. e XVIII’të, shënuan lëvizje të mëdha. U ndërtuan dhe rindërtuan kisha e manastire e për çka “nuk mundemi të pohojmë e vërtetojmë se këto vepra janë ekskluzive serbe”.
Në këtë drejtim, siç potencuam edhe më sipër, kemi të bëjmë me propagandën pseudoshkencore serbe e cila tenton që territorin e Kosovës ta paraqet si “qendër shpirtërore të popullit serb” gjatë mesjetës, që sipas tyre, mbahet me numrin e madh të konceptuar të kishave serbe dhe manastireve në këtë territor. Duhet theksuar edhe tendencat e një pjese të madhe të autorëve të historiografisë serbe, që tentojnë me të dhëna të argumentojnë se, selia e kishës ortodokse e Rashkës do të bartet në Pejë gjatë gjysmës së shekullit të XIII’të, më konkretisht kinse që në vitin 1253, nga Zhiça, selia e arkipeshkvisë kalon në Pejë. Mirëpo, në këtë drejtim duke iu referuar po të dhënave të autorëve serbë, theksohet që Peja tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të bëhet qendër ose seli e arkipeshkvisë së Rashkës. Sipas tyre, selia e arkipeshkopatës pas sulmeve mongole dhe djegies së Zhiçës më 1284 bartet në Pejë. Sipas të tjerëve, selia e kishës kalon nga Zhiça në Pejë tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të kur sulmohet nga tatarët dhe kumanët që e plaçkitin dhe e djegin, të cilët i hakmerren Rashkës për një sulm që udhëhoqi ndaj tyre mbreti Millutin (V. Jankoviq). Po ashtu, edhe autorë të tjerë mbështesin faktin se tek në fund të shekullit të XIII’të, pas pësimit të Zhiçës, Peja bëhet seli e re e arkipeshkopatës rashkase (V. Boshkoviq, S. Qirkoviq). Në këtë drejtim tendencat janë që pjesët e territorit të Kosovës së sotme, konkretisht treva e Drenicës paraqitet si “Drenica mali i dytë i shenjtë serb”. Lidhur me këtë është interesant të përmendim se, autori thekson që në shekullin e XIV’të në trevën e Drenicës gjendeshin 13 manastire dhe 5 kisha (T.Vukanoviq). Po ky autor më pas, duke theksuar se kinse me rezultatet e tija hulumtuese të vendbanimeve, të cilat “bazohen në të vërtetën shkencore” nxjerr përfundime se: në trevën e Drenicës së sotme kanë ekzistuar gjithsej 9 manastire dhe 42 kisha, d.m.th. bie në konfuzion në librin e njëjtë. Po ashtu, vlen të theksojmë propagandën nacionaliste të kishës ortodokse serbe që gjithherë ishte veçuar dhe veçohet për kah falsifikimi dhe spekulimet lidhur me çështjen në fjalë. Sipas hartuesve të librit “Memorandumi për Kosovë e Metohi” i botuar nga kisha ortodokse serbe, theksohet se: “Kosova e Metohija”, “Tokë e shenjtë” e “popullit serb”, për ne paraqet atë, që për popullin “hebre paraqet Jerusalemi”. Për këtë, më së miri dhe më së forti dëshmojnë më se 1300 kisha dhe manastire që gjenden atje. Po kështu edhe autorë të tjerë mbështesin këto qëndrime duke theksuar se: “Hapësira e krahinës jugore të Serbisë mbulohet me 1300 kisha dhe manastire me emrin zyrtar “Kosovo” (me Metohinë e cila që nga viti 1968, me dëshirën e shqiptarëve kosovarë hiqet nga zyrtariteti, dhe më pastaj nga komunikimi politik ditor), që në gjuhën serbe është simbolike, fjala më me rëndësi e cila pas emrit të Zotit, emrit të Shën Savës (themeluesit të kishës ortodokse serbe në shekullin e XIII’të), shënon njëkohësisht edhe identitetin kulturor e nacional të të gjithë popullit serb” (D. Bogdanoviq). Propaganda në këtë drejtim vazhdohet: “… në territorin e Kosovë e Metohisë…, populli ortodoks serbë dhe kisha e saj kanë 1300 kisha e manastire nga shekulli i XII-të deri në atë të XX’të, të punuara gjatë tetë shekujve…” (Novosti, Beograd, 2004). Po ashtu theksohet se sipas evidencave në trevën e Kosovës duhet të ketë aty afër 200 objekte të ruajtura ose të shkatërruara, por në të vërtetë ka më shumë sikur të numëroheshin dhe hulumtoheshin lokalitetet arkeologjike të paidentifikuara (gërmadhat e kishave). Sipas A. Urosheviq, gjendja e të pamurit të kësaj treve (është fjala për Kosovën) në mesjetë flet për një numër të madh gërmadhash të kishave, mbetje të kishave të vjetra dhe sipas tij, shenja të tilla kishte pothuajse në të gjitha fshatrat, edhe serbe e shqiptare, ndërsa në disa fshatra janë edhe nga dy e më shumë gërmadha të kishave (A.Urosheviq). Edhe D.Bogdanoviq, shprehet se, sipas hulumtimeve arkeologjike vërtetohet se në territorin e Kosovës ishin 1300 kisha e manastire e monumente tjera serbe.
Të dhënat e tilla si më lart, të ndërtuara dhe të udhëhequra nga historiografia e edhe nga politika ditore e qeverisë serbe, pra, mundohen të mbështesin konceptin mbi monumentet e kultit të krishterë që ekzistojnë në Kosovë duke rritur numrin impozant që shihet, për çka dhe Kosova sipas tyre paraqet vlera të “jashtëzakonshme”. Për të sqaruar më mirë çështjen lidhur me ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve fetare në territorin e Kosovës në periudhën nemanjide, ofrojmë dhe të dhënat që tregojnë se, mbreti Millutin (1282-1321) rindërtoi afër 30 manastire, në mes të cilave në territorin e Kosovës vetëm tri, në Prizren, Bajskë dhe Graçanicë. Mbreti Stefan Deçani (1321-1332) ndërtoi vetëm Deçanin. Gjatë periudhës së Dushanit u ndërtua Manastiri i Shën Arkangjelit (M. Kashanin, revista “Pravoslavlje”). Gjatë periudhës Osmane, burimeve që dalin aso kohe, të cilat i paraqesim nga M.Kashanin, tregohet se, që nga periudha e patrikut Makarije në gjysmën e shek. të XVI’të, u ngritën nga gërmadhat dhe u rishkruan-vizatuan përsëri me qindra kisha në territoret e sunduara nga Osmanët (mendon në Kosovë, Serbi dhe Sanxhak). D. T. Batakoviq duke u thirrur në burime osmane (regjistrat osmanë) tregon se gjatë shek. të XV’të dhe XVI’të ekzistonin dhjetë deri katërmbëdhjetë tempuj ortodoksë që ishin aktiv. Udhëheqësit e kishës ortodokse të Pejës (1557-1766) duke u mbështetur në traditën mesjetare të sundimtarëve nemanjid dhe shtetit të Rashkës, tani me një territor më të madh se i tyre, rindërtuan kultet e vjetra dhe vendosën edhe të reja. U bë jetësimi – funksionimi i kishave dhe manastireve, ku vetëm në Kosovë u ndërtuan njëzetë (20) kisha të reja, ndërsa shumë nga të vjetrat u aftësuan duke edhe u rishkruar-vizatuar (D. T. Batakoviq, R.Samargjiq, Gj.Sljepçeviq). Defterët osmanë për Sanxhakun e Vushtrrisë – Prishtinës (njësi administrativo-politike territoriale në Perandorinë Osmane), të viteve 1490-1491, 1525-1526, 1530-1531, 1544-1545 dhe 1561 tregojnë se ishin të evidentuar 42 manastire dhe 11 kisha, ndërsa në at të Prizrenit shënohen 2 manastire dhe 15 kisha (D. Batakoviq). Do të jetë interesante të paraqesim të dhënat që na ofron episkopi Artemije (Radosavljeviq) i Prizrenit, i cili në shkrimet e tija publikuar në “Raspeto Kosovo”, kur flet për rrezikun dhe dëmet e kishave dhe manastireve që gjinden në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, paraqet edhe regjistrin mbi një numër të tyre. Nga ky regjistër del të jenë kisha dhe manastire të ndërtuara gjatë periudhave: nëntë të shek. të XIV’të; nëntë të shek. të XV’të dhe XVI’të; pesë të shek. të XIX’të dhe pesëdhjetë e tri (53) që janë ndërtuar në shek. e XX’të. Këto të dhëna nga ky regjistër i paraqitëm me qëllim që të tregojmë se një numër i kishave janë të periudhës Osmane e çka është ma me rëndësi, këtu qartë shihen se pesëdhjetë e tri (53) kisha janë të evidentuara që janë ndërtuar në shek. e XX’të. Këtu, shohim që kishat e shekullit të XX’të, janë kisha thjesht “politike”. Këto kisha politike do të ndërtohen nga Serbia me qëllimin për të arsyetuar para botës se, Kosova është “tokë e tyre”. Por gjithë bota tani e dinë se, Kosova u pushtua nga Serbia në vitin 1912-1913 dhe Serbisë ju qel rruga për ndërtimin e numrit kaq të madh të kishave gjithnjë deri në vitin 1999, kur Kosova do të jetë jashtë saj.
Për të vërtetuar se me të vërtetë qëllimet, qëndrimet dhe të dhënat e historiografisë serbe, janë pretenduese, qëllim-këqija e nacionaliste, tregon numri i madh e i pa argumentuar i paraqitur për monumentet e krishtera ortodokse – kishave dhe manastireve që kinse kanë ekzistuar në Kosovë, që sipas tyre sillen prej 1300 e herë-herë deri në 1500 objekte. Për këtë mendojmë sigurt se, nuk ka as burime historike e as studime që mbështeten në fakte, se kishte aq shumë kisha në këtë trevë aso kohe e as sot, përveç konstruksioneve me prapavijë politike. Për këtë, lirisht vijmë në përfundime se, shkrimet e tilla janë falsifikim i qindpërqindtë i realitetit historik e shkencor.
Për fund, si bazë të fortë e argumentuese e gjithë qëndrimeve tona të paraqitura në këtë punim, ofrojmë dëshmitë mbi gjendjen reale të monumenteve të trashëgimisë kulturore, që tregojnë saktësisht se sa është numri i kishave dhe manastireve të krishtera në Kosovë që karakterizohen në radhën e monumenteve kulturore’historike. Po paraqesim të dhënat e sakta që ruhen në dokumentacionin e Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë, të vitit 1990 (sot, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës). Të dhënat nga arkiva e këtij institucioni, na tregojnë dhe vërtetojnë që: në territorin e Kosovës sot, janë të evidentuara 183 objekte (të tipave dhe gjinive të ndryshme), kisha të krishtera, kryesisht ortodokse, prej të cilave 126 sosh kanë tretman monumenti, ndërsa 57 objekte janë vetëm të evidentuara (të dhënat marrë nga Dr. Fejaz Drançolli). Objektet në fjalë janë të regjistruara në regjistrin qendror të monumenteve në këtë institucion dhe nga këto monumente, mund të themi se, një numër i tyre i takojnë stilit bizantino-kosovar, posbizantin si dhe të karakterit lokal (F.Drançolli).
Këto të dhëna të fundit i theksuam me qëllim, sepse tregojnë se treva e Kosovës gjatë mesjetës e më vonë, nuk ishte epiqendra e veprimtarisë së kishës ortodokse të Rashkës- “Serbisë” siç pretendohet nga historiografia serbe, çështje që dëshmohet nga të dhënat e sipërpërmendura. Si përfundim, theksojmë se, kultura materiale e arbërve gjatë mesjetës e më pas shqiptarëve në territoret e Kosovës ishte pre e sundimeve të huaja, në rastin tonë atij më ekstrem – të Rashkës gjatë mesjetës. Theksuam se, në Kosovë gjatë kohës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit, si katolike, ortodokse që shërbenin aso kohe si për arbërit-shqiptarët ashtu edhe për popullatën tjetër që asokohe dhe sot jeton në këtë vend. Nga të dhënat që theksuam shihet se kisha ortodokse rashkase-“serbe”, përvetësoi shumë nga këto monumente të kulturës, kisha e manastire vendëse iliro-arbërore ku ndërtoi dhe rindërtoi mbi to, siç u pa sidomos gjatë shekullit të XIV’të, kisha të quajtura më vonë të veta, duke i shndërruar ato në kisha ortodokse. Këtej kultura materiale e Kosovës ndër shekuj u shkatërrua, u plaçkit duke vazhduar me tendencat (që nuk ndalën as në ditët e sotme) për t’u përvetësuar në forma të ndryshme siç i paraqitëm. Këto qëndrime i paraqesim, me qëllim të tregojmë se, Serbia dhe historiografia e saj pothuajse pa përjashtime, pretendon edhe sot të qëndrojë me këto parime: që Kosova është “Djep i serbizimit”, “Tokë e shenjtë serbe”, “selia e kishës ortodokse serbe” dhe qëndrime të tjera antishkencore e jo humane, që sipas argumenteve shkencore nuk qëndrojnë, e për më tepër lënë pasoja të dëmshme në raportet e së ardhmes ndërmjet popujve. Sot numri i objekteve sakrale mesjetare, të kishave katolike, bizantine e ortodokse paraqesin gjurmë të kulturës materiale të dikurshme që e karakterizojnë kulturën materiale të popullit të Kosovës e më gjerë.
Duke i hedhur poshtë qëndrimet dhe tendencat që paraqiten prej historiografisë serbe, nga të dhënat e sipërshënuara, sot mund të themi se, në Kosovë kemi monumente të kultit të krishterë që janë ndërtuar nëpër kohë që nga antika e deri më sot, dhe jo vetëm ato të krishtera, katolike e ortodokse të mesjetës, por edhe duke vazhduar me monumentet kulturore islame që sot i kemi një numër të madh të tyre, sot i trajtojmë për trashëgimi të kulturës vendëse dhe ato i takojnë popullit dhe qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, pa bërë dallime të trashëgimisë kulturore në asnjë aspekt. Në këtë drejtim do të shtojmë edhe mendimin se, është obligim shoqëror, intelektual, institucional e shtetëror, që monumentet e trashëgimisë kulturore, çfarëdo qofshin ato, të mbrohen, konservohen, restaurohen etj., të mbahen në jetë, sepse i takojnë kulturës materiale dhe shpirtërore të njerëzimit, në rastin tonë popullatës vendëse të Kosovës dhe kulturës universale botërore.
Për fund, kishte me qenë mirë t’i tregojmë edhe historishkruesve serbë, çështje për të cilën jam i bindur që e dinë por nuk e theksojnë dhe shkruajnë, se, të dhënat historike dëshmojnë që iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë historisë jetuan dhe vepruan në këto treva dhe më gjerë që nga kohët e vjetra, dhe mundën të mbijetonin pushtuesit dhe sunduesit e ndryshëm, si ata romakë, bizantinë, sllavë, osmanë dhe serbë deri në kohën e sotme. Gjatë kësaj kohe, dëshmohet se, mbijetoi dhe një pjesë e monumenteve të trashëgimisë kulturore’historike e tyre (duke përfshirë në këtë kuadër edhe, kishat e krishtera, kishat dhe manastiret ortodokse si dhe objektet e kulturës islame – xhamitë, teqetë etj.) të cilat qenë ndërtuar nëpër kohë e që një pjesë mbijetuan deri më sot. Po këta, iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë kohës, kanë pranuar kulturën fetare të besimit të krishterë më se dhjetë shekuj (prej shek.të I’rë deri në shek. e X’të). Më pas, ata do të gjinden pjesërisht edhe nën ndikimin e krishterë ortodoks bizantin për afro tre shekuj (shek. i X’të dhe i XIII’të), afër dy shekuj nën trysninë e kishës ortodokse sllave’rashkase (XIII’të e XIV’të) e që vazhdon me pranimin e fesë islame që nga (shek. i XV’të dhe i XIX’të). Gjatë këtyre shekujve rrugëtimi, populli shqiptar përqafoi tri konfesione si, atë katolike, ortodokse dhe islame. Konfesionet që bashkëjetuan tek populli shqiptar e që i besojnë dhe sot, i bëjnë që edhe monumentet fetare të trashëguara gjatë historisë t’i respektojnë, mirëmbajnë dhe vlerësojnë si pjesë e pa ndarë e kulturës së tyre.
*) Autori është Koordinator Shkencor në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

___________________________

PJESA E PARË:
DR.ENVER REXHA: PËRVETËSIMI I TRASHËGIMISË SHQIPTARE NGA KISHA ORTODOKSE SERBE! (I)
HAPE KËTË LIDHJE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2298

===============================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 10 000 FJALË!
Kishat dhe manastiret në Kosovë, të cilat me Pakon e Ahtisaarit janë përcaktuar si zona me status të veçantë – mbrojtës, historikisht kanë qenë të mbrojtur nga vetë shqiptarët. Këto kisha e manastire po quhen padrejtësisht trashëgimi kulturore dhe fetare serbe, për faktin historik, sepse ato u rinovuan apo u ndërtuan mbi rrënojat e kishave paleokristiane dhe kishave e manastireve ortodokse mesjetare arbërore, në të cilat stërgjyshërit tanë ndër shekuj i janë lutur Zotit.
Sa për t’i argumentuar këto fakte historike, në vijim ju ftojë t’i shikoni këto fotografi:

Zhuj Veseli (i ashtuquajtur nga Serbët Sulo Vojvodiç) 

nga Rugova, para patriarkanës së Pejës.

Ram Kaplani Nikçi, anëtar i shtëpisë së Zhuj Veselit (këtu 11 vjeçar),i cili gjatë Lufës së II’të Botërore e ka mbrojtur Patriarkanën e Pejës

Salih Rusta, mbikqyrës i vjetër i Mansatirit të Deçanit.

Avdil Plaku nga Llausha e Drenicës, famijla e të cilit ndër vite bashkë me drenicakë të tjerë e kanë mbrojtur Kishën e Deviçit.

===============================

(Shtojcën me ilusrime e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura