LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (III)

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (III)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

3. Letër Enver Hoxhës, prill 1980

      I dashur shoku Enver!        

      Djali im i vogël, dy vjeç e gjysmë, po llafosej me të motrën, tetë vjeçe, ndaj të gdhirë, “Dua”, i thoshte asaj, të vij me ty në shkollë! “Kur të rritesh edhe pak” , ia ktheu ajo dhe shtoi me një dlirësi të dhembshur fëmijënore: “Kur t`i bëhesh ti motrës për shkollë, ne do të jemi në Shqipërinë tonë të dashur!”

      Cicërrimë më të ëmbël, po edhe më prekëse, për të më nxjerrë gjumin e një mëngjesi të gdhirë me përtesë në dhe të huaj-thuaja se nuk kish.

      Isha i lumtur që fëmija im s`e hiqte mendjeje mundësinë për të jetuar në Shqipërinë tonë të dashur. Por fjalët e saj më prekën shumë se sendërtimin e dëshirës së fëmijëve të mi dhe gjakimin tim, nuk e kisha unë në dorë.

      Më 14 dhjetor të vitit të kaluar, UDB-ja e Pejës e arrestoi në shtëpinë  e lindjes, në katundin Dubovik (afër Deçanit), vëllaun tim të madh, Hysen Gërvalla. Po këtë ditë, UDB-ja e Prishtinës mua ma kishte bastisur banesën në Prishtinë, pa prezencën time. Lajmin e hidhur ma solli në punë (në gazetën “Rilindja”) shoqja ime, menjëherë pas bastisjes dhe pas largimit të inspektorëve të UDB-së nga banesa. Lidhur me arrestimin e vëllaut tim të madh dhe me materialet ilegale që kishin shtënë në dorë organet e Pejës, atë, gruan time, e kishte informuar një kushëriri im i parë. Materialet propagandistike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës si dhe makina ilegale e shkrimit, në rast dorëzimi, do të më ngarkonin me shumë vjet burgim të rëndë. Pos kësaj, në sajë të mjeteve moderne që përdor UDB-ja gjatë hetimeve, nuk ishte e përjashtuar mundësia që, pa marrë parasysh këmbënguljen time, UDB-ja mund të zbulonte edhe ndonjë sekret lidhur me Lëvizjen.

      Prandaj, duke marrë pëlqimin e shokut të parë të Lëvizjes, anëtar i Komitetit Qendror, unë u arratisa aty për aty. Më datë 21 dhjetor arrita në Ludvigsburg të RF Gjermane dhe u strehova te vëllau im i vogël Bardhosh Gërvalla, i cili këtu punon që nga viti 1974.

      Në vendlindje, Dubovik, mbetën nëna plakë, vëllai më i ri me grua dhe një fëmijë dhe familja e vëllait të arrestuar, gruaja me shtatë fëmijë; kurse në Prishtinë, gruaja ime dhe tre fëmijët të cilët do të vijnë tek unë një muaj më vonë.

      Unë, me të arritur në Ludvigsburg, i bëra telefon Ambasadës Shqiptare në Vjenë dhe prej shokëve të atjeshëm kërkova ndonjë këshillë se si mund të ruhem nga gabimet në një botë ku nuk kisha qenë kurrë më parë dhe ku, pasi kisha ardhur pa pasaport e më duhej të kërkoja azil politik, kishte mundësi edhe për ndonjë gabim. Pak ditë më vonë, këtë gjë si dhe kërkesën për shqyrtimin e mundësive që të më jepet mundësia e strehimit në RPS të Shqipërisë, ia komunikova edhe me gojë njërit prej shokëve të Ambasadës së përmendur.

      Nga ajo kohë u bënë afro katër muaj dhe lidhur me kërkesën time nuk mora ndonjë përgjigje.

      Ndërkohë, me iniciativën time, në të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, u botua një artikull i gjatë për situatën aktuale në Kosovë, pas arrestimeve masive të shqiptarëve, të cilët duhet të përgjigjen para gjyqit jugosllav për vepra “kundër popullit dhe shtetit”. Pos kësaj, gazetës së këtushme majtiste “Tageszeitung” i dhash edhe një intervistë po për gjendjen e përmendur. Shkrova edhe një numër artikujsh për gazetën ilegale shqiptare “Bashkimi”, e cila qarkullon në radhët e punëtorëve shqiptarë me punë në Gjermani dhe në Kosovë.

      Nga shokët e Kosovës më vinin kohë pas kohe porosi që të ruhesha, sepse UDB-ja, e cila është mësuar t`i qërojë me likuidime fizike hesapet me disa ustashë kroatë, kinse nuk qenka larg vendimit që një praktikë të tillë ta aplikojë edhe me shqiptarët në botën e jashtme. Nuk mund të them se s`më kanë bërë ndonjë përshtypje këto sugjerime të shokëve, por as njerëzve të UDB-së këtu, megjithë marrëveshjet dhe bashkëpunimin jugosllavo-gjerman, nuk ua kam aq shumë frikën. Mjafton që këtu nuk ka si të më kërcënojë uniforma e policisë jugosllave, pa për të tjerat bëhet disi, rroftë arma.

      Por, që nga çasti i parë i arratisjes, unë e kam pasur mendjen të strehohem në Shqipëri. Prandaj, shoku Enver, mora kurajon të Ju drejtohem Ju personalisht. Kam njoftime për marrëveshjen shqiptaro-jugosllave lidhur me ekstradimin reciprok të personave të vënë jashtë ligjit në të dy vendet. Por, sipas Nenit 65 të Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ku thuhet: “Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë u jepet e drejta e strehimit shtetasve të huaj që ndiqen për shkak të veprimtarisë së tyre në dobi të revolucionit e të socializmit, të demokracisë e të çlirimit kombëtar si edhe të përparimit të shkencës e të kulturës”, konsideroj se mua më takon kjo e drejtë. Nuk dua të them se ma mohon kush, por, procedura e rëndomë e realizimit të saj po më dëmton fizikisht e shpirtërisht, shoku Enver. …

      Nuk ishte punë e lehtë për mua të vendos që të Ju drejtohem Ju, shoku Enver, për një çështje që ndoshta nuk është e denjë te merreni me të. Në krahasim me të ligat që kanë rënë mbi kokë familjes sime para dhe pas lufte, me të ligat që kam përjetuar vetë dhe me situatën e përgjithshme shumë të vështirë në Kosovë, gjendja ime është, siç i themi ne nga Kosova, lule e dritë. Por, edhe deveja ka rënë më gjunjë për një lëkurë lepuri që i është shtuar barrës së saj të rëndë.

      Kur i marr parasysh çështjet në gjithë gjerësinë e tyre, kërkesa për të m`u dhënë e drejta e strehimit në atdheun tim, më duket si një luks, dhe atëherë më rrëmben një ndjenjë turpi. Por i vetëdijshëm se në Kosovë, përderisa gjendja të mos ndërrojë rrënjësisht, këmba ime s`ka si shkel më sa të jem gjallë, e në anën tjetër, me këtë botë të huaj s`më lidh asnjë cikërrim dhe këtu nuk shoh kurrfarë perspektive, e vetmja rrugë e drejtë dhe e njerëzishme më duket jeta në Shqipëri.

      Jam i vetëdijshëm edhe për disa probleme të pahijshme, që kanë shkaktuar disa kosovarë, duke dalë me qëllime të ulëta në territorin e RPS të Shqipërisë. Për fat, makinacionet e UDB-së, që në Kosovë e viset e tjera shqiptare brenda kufijve politikë të Jugosllavisë kanë bërë kërdinë në dëm të popullit tonë, në shtetin shqiptar s`kanë gjetur shesh për të bërë përshesh. Mirëpo, duke qenë njeri i përvuajtur, i thjeshtë dhe i vetëdijshëm për dashurinë që kam ndaj nënës Shqipëri, jam i sigurtë se unë s`do të merrja në asnjë mënyrë rrugën e atyre djemve bastardë të Kosovës, që janë vënë në shërbim të armikut, por do të ndiqja shembullin e ca të tjerëve, si Ajet Haxhiu, Agim Gjakova e ndonjë tjetër të cilët kurdoherë kanë mbetur burra të ndershëm.

* **

   Suzana Gërvalla: ”Pas varrosjes së tyre unë kam kërkuar me shkua në Shqipëri me fëmijët. Se Jusufi kishte dëshirë me i shkollua fëmijët në Shqipëri. Kamë bërë kërkesë, tri herë ma kanë kthye negative.  Nuk më pranonin. Të katërtën herë kërkesën e kam dërguar në Turqi dhe atje ka qenë një person që e ka rregullua dhe më pranuan me shkua. Kemi shkuar përmes Austrisë në Athinë, e nga Athina në Tiranë.” (Suzana Gërvalla, Intervistë/Pjesa e dytë, Oral History Kosovo, YouTube, 3 gusht 2017, koha në film 21:33-22:10)

4. Letër Enver Hoxhës, 19 gusht 1980

      I dashur shoku Enver!

      Ne – shqiptarët e shkëputur nga atdheu i lirë dhe të mbërthyer me dhunë mbrenda kufijve politikë të Jugosllavisë – ndjekim me krenari çdo hap të Shqipërisë mëmë në përforcimin dhe përparimin e atdheut dhe të socializmit. I gëzohemi prej së largu çdo prove të suksesshme të unitetit të pathyeshëm parti – popull dhe kjo na bën më të fortë edhe ne. Mburrja dhe entuziazmi ynë s’kanë kufi kur kujtohemi që Shqipëria, nga një vend i varfër dhe i prapambetur feudalo – borgjez, u kthye në një vend të përparuar e të zhvilluar, pa analfabetizëm e papunësi në një vend të socializmit të mirëfilltë, që jo vetëm po ja del ta ruajë në gji të shoqërisë së vet të paprekur kështjellën e marksizëm-leninizmit, por edhe t’i ndezë shkëndijat revolucionare te pjesa dërmuese e popujve të Planetit. Pa frikë se po biem në ndonjë eufori, nesër, kur këto shkëndija të kthehen në zjarre të vërteta revolucionesh socialiste, ne jemi të bindur që bota do t’ia njohë një pjesë të madhe të meritave pikërisht atdheut tonë, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

E qartë, duhej një punë e mundimshme jashtë mase për të arritur në shkallën e sotme. Jemi në dijeni për një pjesë të madhe problemesh, me të cilat u ballafaquan Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar në rrugën e tyre të ndritshme. Ajo që na mburr dhe na jep shpresë më së shumti, është fakti se në gjithë këtë punë, prej titani PPSH dhe populli shqiptar i lirë, në udhëkryqin e njërës nga sprovat më të mëdha historike, ka zgjedhur rrugën e sinqeritetit dhe të guximit të pashembullt, me të cilat është mëkuar ndër shekuj populli ynë i shumëvuajtur;, rrugën që i jep dorë të bëhet zëdhënës i ideve më përparimtare të njerëzimit, duke ndarë si me thikë të mirën nga e keqja në botë.

      Epoka e lavdishme shqiptare e Gjergj Kastriotit nxorri në pah një përmasë të rëndësishme të shpirtit të popullit tonë: gatishmërinë e flijimit në shkallën më të lartë dhe të frymëzimit të papërsëritshëm të njeriut të kohës për mbrojtjen e atdheut. Dhe hyri me të drejtë në histori si epokë e Prometheut kundër të gjithë perëndive. Epoka e sotme shqiptare, me Partinë e Punës dhe me Ty në krye, shoku Enver, nxori në shesh edhe një dimension tjetër: etjen e madhe të shqiptarit për punë dhe për ndriçimin e plotë të mendjes. Doli në shesh njeriu i ri, vërtet nga gjiri i njërit nga popujt më të vegjël në botë, por i aftë për t’u bërë shembull për të mirë në mbarë botën. Skena e dramës së sotme shqiptare është po ajo e Prometheut të pesëqind vjetëve. Bota e krishterë ishte ajo që pat nisur luftën kundër kuçedrës anadollake. Dhe sa u duk që ajo botë po i gëzohej titanit Skënderbe, që po i çonte në vend tek e fundit dhe interesat e Evropës, u prapsën një pas një fuqitë e kohës. Kishte një cikërrimë që nuk durohej në personin e Gjergjit dhe të popullit shqiptar: seriozitetin dhe këmbënguljen mbinjerëzore, që çështjen e shtrenjtë të lirisë e bënte të kuptohej në gjithë njëmendësinë e saj. Kështu u sprapsën dalëngadalë edhe forcat që kishin hyrë përpara Shqipërisë  “së vogël“ në lojën e madhe të dramës komuniste. Shqipëria e “vogël”, me seriozitetin dhe njëmendësinë e saj, atyre ua nxorri gjithë merakun në kushte të një temperature të lartë të “lojës” së nisur prej tyre. Marrëveshjet paqësore dhe krushqitë e Venedikut, Raguzës, Serbisë me kuçedrën anadollake, në një kohë që Shqipëria po e lante në gjak çdo pëllëmbë të tokave të veta, nuk ndryshojnë aspak nga tradhtia sovjetike, jugosllave, kineze…që ia kthyen shpinën marksizëm-leninizmit, duke mos qenë të gatshëm t’i bëjnë ballë frymëzimit të lartë komunist dhe duke parapëlqyer rrugën e rezistencës së ulët ndaj armikut të egër të epokës – imperializmit dhe kapitalizmit. Ne ndjekim me indinjatë bllokadën e egër ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që e nisën imperializmi e kapitalizmi, për ta vazhduar revizionistët tradhtarë. Por zemra na bëhet mal kur shohim që atdheu ynë marshon sypatrembur, duke çarë një pas një rrethimet dhe bllokadat mizore dhe duke ndjekur me frymëzim e besnikëri të pashembullt rrugën e sigurt të socializmit, që është e ardhmja e afërt e gjithë njerëzimit.

      Në saje të ekzistimit të kësaj Shqipërie të mbarë, të fortë e vigjilente dhe në saje të traditave revolucionare të popullit tonë, përgjithësisht, edhe ne, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të përfshira me dhunën e me padrejtësinë e pashembullt historike brenda kufijve të Jugosllavisë – ndonëse jemi dëmtuar në masë të madhe nga shtrëngimi i vazhdueshëm i darëve të shovinizmit serbo-malazezo-maqedonas – ia kemi dalë të ruhemi bukur mirë nga ujërat e zeza ideologjike të revizionizmit titist- rankoviçist. Larg ndenjës revanshiste, nacionaliste e shoviniste, te ne është ndezur shkëndija e luftës së pashmangshme nacionalçlirimtare, konturet e së cilës po duken në horizont. Të nxiret pjesa e robëruar e tokave dhe e popullit shqiptar nga kthetrat e përgjakshme të socialshovinistëve titistë dhe të çohet në vend vullneti i ndryshuar i popullit tonë: bashkimi me vendin amë, Shqipërinë socialiste, është një e drejtë historike, që iu mohua por nuk iu çrrënjos kurrë popullit tonë të vënë me shekuj përballë padrejtësive të mëdha historike po të papërkulur kurrë.

Në dëshmi të përpjekjeve dhe të luftës sonë flasin vetë kampet jugosllave të përqëndrimit, me barkun e tyre të akullt, që s’po resht së gëlltituri qe tridhjetë e pesë vjet me mijëra e mijëra patriotë dhe revolucionarë shqiptarë; në dëshmi të tyre flet vetëdija e zgjuar kombëtare dhe klasore e shqiptarëve me banim në Jugosllavi. Na bën të lumtur fakti se Partia e Punës e Shqipërisë dhe Ti, shoku Enver, jo vetëm që keni ndjekur në hap të gjitha konjugacionet e gjenocidit sllavomadh të ushtruar mbi ne, por keni qenë edhe të vetmit denoncues të denjë të këtij gjenocidi në sy të botës. Deri sa ne kemi duruar urie; deri sa ne kemi shikuar me sedër të vrarë kombëtare si zbret dhe si ndalohet flamuri shqiptar; deri sa nga vatrat tona na kanë dëbuar me dajak, me presione e shantazhe dhe deri sa na kanë vënë në tortura të pashembullta; gjithë kohën që ne kemi shijuar mjetet të gjenocidit nga ana e socialshovinistëve serbo-malazezo-maqedonas, i vetmi sadisfaksion për ne ka qenë forcimi dhe zhvillimi i mbarë i Shqipërisë mëmë dhe denoncimi i hapët nga ana e PPSH i të zezave të zbrazura me rrebesh mbi kokën tonë. Dhe, në vend të ndonjë ndjenjeje të braktisjes nga Shqipëria mëmë (këtë ndjenjë provoi një kohë të gjatë të injektonte në qenien tonë kombëtare gënjeshtra e ligë titiste), qenien tonë e mbushi ndjenja e fuqishme se ka kush na del zot dhe kush e davarit mjegullën historike, me të cilën titistët donin të mbështillnin historinë tonë të vërtetë dhe planet e tyre shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve.

Të shtypur në pikëpamje ekonomike, sociale, nacionale e kulturore me breza të tërë intelektualësh e revolucionarësh të asgjësuar fizikisht nga pushtuesit serbo-malazezo-maqedonas; pa institucione dhe literaturë të përshtatshme, nga do të rridhnin informata  e njohuri, në bazë të të cilave do të mund të hetohej aktualiteti politik ndërkombëtar dhe çështja jonë jetike, aktivitetin e djalërisë patriotike shqiptare në këtë pjesë të robëruar të atdheut tonë e karakterizonte një kohë të gjatë vetëm instinkti kombëtar dhe entuziazmi i pashuar. U desh një kohë relativisht e gjatë që ne të kuptonim një fakt fare të thjeshtë; se kufijtë e Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, në kushtet e sotme dhe në shkallë ndërkombëtare, janë të pacenueshëm dhe se çdo intervenim i hapët i Shqipërisë në çështjet e shqiptarëve të robëruar mund të konsiderohet përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë e kështu edhe të sjellë pasoja të rënda intervecioniste edhe për vetë atdheun tonë, pavarësia e të cilit ka kushtuar çdo pëllëmbë e gjak. Po tani që vetëdija jonë politike po begatohet gjithnjë e më shumë, rrezikun e Shqipërisë mund ta hetojmë më lehtë dhe më lehtë t’i bëhemi prag atij. Sidomos atë të madhin, rrezikun e intervenimit ndërkombëtar në Shqipërinë socialiste, nuk e aprovojmë në asnjë mënyrë, dhe jam i bindur se djalëria jonë përparimtare dhe përgjithësisht populli shqiptar brenda kufijve politikë të Jugosllavisë, më parë do të duronte asgjësimin e vet sesa zhbërjen e Shqipërisë. Për këtë arsye dhe për arsyen se çështja e luftës dhe e revolucionit tonë na përket në radhë të parë neve, shqiptarëve të kolonizuar, ne gjithnjë më shpejt po pajtohemi me faktin se ndihmën e RPS të Shqipërisë duhet ta presim vetëm në çastin vendimtar të luftës sonë, kur lufta të kalojë në konflikt të armatosur. (Por, gjithashtu ne prekemi thellë në sedër sa herë që, nga mosbesimi në ne apo nga konspiracioni i thellë, ndonjë shtetas i RPS të Shqipërisë ngul këmbë sesi në Jugosllavi nuk jemi ”gjithaq keq” dhe se ”Shqipëria nuk ka fare të bëjë me çështjen tonë!” Fjalë të tilla edhe pse nuk kanë fare të bëjnë me të vërtetën sa i përket qëndrimit të Shqipërisë socialiste ndaj tokave të veta të pushtuara, sjellin dekurajim dhe pakënaqësi në mesin e popullit tonë të shumëvuajtur.)

      Nga ana tjetër, ne aprovojmë pa rezervë parimin marksist-leninist të PPSH, lidhur me rivendikimin e kufijve. Mirëpo, nga përvoja 35 – vjeçare me titizmin, a mund të priten rrethana të rivendikimit në rrethana marksiste-leniniste? Te ne nuk do të lëkundet kurrë besimi në revolucionaritetin e popujve. Kjo vlen edhe për popujt jugosllavë. Ti, i dashuri shoku Enver, ke konstatuar vetë se klima politike në Jugosllavi është e atillë që në të mund të pritet shpërthimi i revolucionit socialist. Dhe kushtet ekonomiko-shoqërore për një shpërthim të tillë ekzistojnë qëmoti në këtë vend revizionist, sidomos sot, në kohën e krizës më të madhe në të cilën është katandisur ky vend. Aparati fashist jugosllav ia ka dalë t’i shuajë grevat e shumta të punëtorëve, që janë zhvilluar kohëve te fundit, po edhe ta minimizojë jehonën e tyre, duke i ruajtur ato në fshehtësinë më rigoroze.. Këto greva vërtet mund të merren si shkëndijë e një revolucioni të ardhshëm, sado që ato, përsa mund të hetohet, nuk dalin me ndonjë program të qartë marksist-leninist. Sa i përket opozitës së regjimit të sotëm titist, sidomos kur është fjala për pjesëtarë të kombit kroat nga Kroacia dhe Bosnja, veprimtaria e saj propagandistike dhe agjitatore i ka rrënjët në emigracionin e orientuar thuajse kryekëput nga imperializmi dhe kapitalizmi perëndimor. Kjo opozitë, me një bazë fare të dobët në vend, po bën presion të vazhdueshëm që populli kroat, krahas luftës për pavarësi të plotë nga Jugosllavia, të orientohet nga ”demokracia” perëndimore, që do të thotë nga regresi i shkelur para dyzet vjetësh, kundër të cilit është derdhur gjaku i popullit kroat.. Pos kësaj, regjimi social – shovinist i Beogradit ia ka dalë të helmojë me ndjenjë shoviniste dhe të ndërsejë kundër popullit shqiptar një pjesë të madhe të popullsisë serbe, malazeze e maqedonase, sidomos brenda tokave shqiptare dhe në regjionet që kufizohen me viset tona. Prandaj, ne jemi skeptikë se për realizimin e aspiratave tona shekullore, të drejta, për bashkimin e tokave dhe të popullit tonë, mund të priten rrethana të rivendikimit në baza marksiste-leniniste. Ose, së paku, deri sa të arrijë një kohë e tillë, ka rrezik  për dëmtime të mëdha të popullsisë shqiptare që lëngon nën regjimin e egër titist.

      Aktualisht, siç e di  edhe Ti, shoku Enver, te ne vazhdon eksploatimi i paskrupullt ekonomik i viseve shqiptare nga ana e qeverisë së Beogradit. Vazhdon me të madhe papunësia dhe shitja e krahut të lirë të punës te kapitalistët perëndimorë. (Kohët e fundit, qeveria “shqiptare” e Kosovës deklaroi me mburrje në shtyp sesi janë duke u bërë përpjekje për t’u siguruar punë edhe së paku dhjetëmijë kosovarëve – në Libi, pastaj në RDGJ etj.) Krahas zbrasjes së mëtejshme të Kosovës nga krahu vital i punës (dhe i pushkës), titistët po i shërbejnë, kështu të thuash, pa pengesa edhe një qëllimi sa të lashtë aq edhe aktual sllavomadh: duke sjellë kolonistë të rinj në vend të shqiptarëve të mënjanuar në një mënyrë a në një tjetër, t’u ndërrohet fizionomia etnike tokave të mirëfillta shqiptare.

Në kushte të papunësisë, të pagave të ngurtësuara në një anë dhe çmimeve që po ngrihen në mënyrë përditë më të shfrenuar në anën tjetër, populli shqiptar nën  Jugosllavi po çon jetë të mjeruar prej skllavi. Ndërsa rezervat e mëdha ekonomike të viseve tona merren nëpër këmbë dhe me to ushqehet makineria e egër e sistemit revizionist jugosllav dhe ngrihen qendrat e çetnikëve dhe administratorëve serbo-malazezo-maqedonas. Kështu, pakënaqësia e popullit shqiptar, që gjithmonë ka qenë i pakënaqur nga regjimet jugosllave, po rritet dita me ditë.

Për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare, pakënaqësia e popullit tonë ka qenë shlagfort i qartë, për të cilin ata janë kapur rregullisht për ta thënë replikën e tyre luftarake. Pakënaqësia në rritje e popullit tonë, njëherazi, është edhe pasqyrë e luftës politike ndërmjet titizmit dhe popullit shqiptar. Dhe kjo pakënaqësi sot ka arritur në atë shkallë, sa mund të thuhet që lufta jonë politike kundër këtij pushtuesi të egër revizionist është fituar gati në mënyrë përfundimtare. Ky është një faktor i fuqishëm shtytës i revolucionit tonë.

      Ndonëse të zbuluara e të ndëshkuara, në luftën tonë të përgjithshme kanë kontribuar shumë grupet dhe organizatat patriotike e revolucionare të shqiptarëve në Jugosllavi, që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Është mbarësi e posaçme që pjesa e tyre dërmuese ka pasur platformë të shëndoshë ideopolitike. Ato mund të mburren, se kanë ndjekur rrugën e luftës nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, duke synuar në mënyrë permanente bashkimin e tokave dhe të popullit e me vullnetin e popullit, me vendin amë, Shqipërinë socialiste të Partisë së Punës dhe të shokut Enver. Në këtë mënyrë ato janë bërë pararojë dhe shprehje e qartë e vullnetit të popullit shqiptar, të ndrydhur nga tradhtia e madhe e P”K”J dhe nga interesat e fuqive të mëdha. Por, megjithëse numerikisht kanë aktivizuar në gjirin e tyre një pjesë bukur të mirë të patriotëve dhe revolucionarëve shqiptarë, këto grupe e organizata nuk mund të mburren për konsolidimin e mjaftueshëm të forcave tona përparimtare dhe për punën me efekte të larta në goditjen e armikut. Thuajse rregullisht, veprimtaria e tyre është zbuluar dhe është ndëshkuar që në gjysmë të rrugës. Atyre u ka munguar konspiracioni i thellë, i domosdoshëm në veprimtarinë ilegale. Organizimi i tyre është bërë shpesh në suaza regjionesh të caktuara, të ngushta dhe vetëm në ndonjë rast të rrallë ato (si bie fjala më 1964) janë përhapur në ndonjë trevë më të madhe të tokave tona. Përjashtim bën Lëvizja nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, për të cilën mendoj se jeni në dijeni dhe anëtar i së cilës jam dhe unë. Kjo Lëvizje vazhdimisht ka pasur parasysh si një nga qëllimet kryesore përfshirjen në gji të vet të patriotëve dhe revolucionarëve nga të gjitha viset shqiptare. Pos kësaj, edhe anëtarët e saj kanë qenë nga të gjitha strukturat shoqërore, gjë që organizatës i ka dhënë një karakter të përgjithshëm popullor. Megjithë të metat që janë përcjellë në aktivitetin e grupeve dhe të organizatave patriotike revolucionare të shqiptarëve në Jugosllavi, ne, para se t’i sulmojmë me kritikën tonë lidhur me ndonjë aspekt të posaçëm të tyre, ndihemi krenar dhe mirënjohës. Mendomë se aktiviteti i tyre më në fund, siç është fare e natyrshme, ka qenë në përputhmëri me mundësitë që ofrojnë kushtet e përgjithshme shoqërore ndër ne.

      Po tash, meqë lufta jonë politike ka hyrë në fazën e vet përfundimtare, e cila po zhvillohet në favorin tonë, janë të domosdoshme edhe forma më të larta organizimi të aktivitetit revolucionar. Edhe  nga kjo pikëpamje ne, me një vonesë të konsiderueshme, kemi arritur në përfundimin se luftës sonë i duhet një emërues i përbashkët dhe i fuqishëm. E ky emërues mund të jetë vetëm kufta në baza rigoroze të marksizëm-leninizmit dhe në gji të një partie marksiste-leniniste.

Për themelimin dhe mirëvajtjen e një partie komuniste marksiste-leniniste të shqiptarëve me banim në Jugosllavi është e domosdoshme një ndihmë konkrete nga ana e Partisë së Punës të Shqipërisë. Një ndihmë e tillë, konsiderojmë ne, është e drejtë e patjetërsueshme si për PPSH – në, ashtu edhe për djalërinë patriotike e revolucionare shqiptare në pjesën e robëruar të atdheut tonë të përbashkët. Kështu do të përligjej dhe do të fuqizohej edhe lufta jonë e drejtë, po edhe përkrahja që do të merrnim nga PPSH.

Ndihma, natyrisht nuk ka munguar as deri më tash. Literatura revolucionare dhe patriotike, që ka depërtuar në masë të madhe edhe te populli ynë këndej, ka rëndësi të madhe dhe ka ushtruar ndikim të madh. Një rol të rëndësishëm ka luajtur deri më tash sidomos Radio Tirana me emisionet e saj. Dhe një nga masat më të qëlluara për afrimin dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare, shoqërore, politike e ideologjike të popullit tonë në pjesën e robëruar të Shqipërisë, konsiderojmë ne, ka qenë ajo e 28 Nëntorit të kaluar, qëkur shqiptarët në Jugosllavi mund ta ndjekin edhe programin e Televizionit Shqiptar. Mirëpo për t’ia dalë në mënyrë sa më të denjë dhe sa më efektive qëllimit  tonë të lartë, mendojmë se në mesin tonë duhet të punojë një dorë e rysur komuniste, që do të na i trasmetonte drejtpërsëdrejti bazat e shëndosha të veprimtarisë së një partie komuniste marksiste-leniniste në kushtet e ilegalitetit të thellë.

Nga ana jonë mund të themi se një gjë është fare e sigurt:  njerëz përparimtarë nga të gjitha strukturat shoqërore te ne janë të gatshëm të punojnë pa kursyer asgjë për atdhe dhe për idetë e larta komuniste. Pos kësaj, në mesin tonë dita ditës po nxjerr kokë një mendim i përgjithshëm: brezi ynë i sotëm e ndjen veten të thirrur ta bëjë një hap të madh përpara në luftën për liri dhe bashkim me vendin amë, në mos edhe ta realizojë përfundimisht revolucionin e pashmangshëm.

Prandaj, të sigurt se kjo çështje është e denjë për kujdesin Tënd, të Partisë së Punës dhe të mbarë popullit shqiptar, ne presim që kërkesa e mbarështruar këtu për ndihmën e përmendur nga ana e PPSH-së, të hasë në mirëkuptim dhe të shqyrtohet në nivelin për të cilin do të konsideroni ju se është adekuat.

      Duke çmuar lart kohën Tënde të shtrenjtë, shoku Enver, shpresoj se do të kesh mirësinë t’i propozosh ndonjërit nga shokët e afërm të Partisë së Punës të më përgjegjet në këtë letër. Çdo fjalë, çdo mendim a porosi do të jetë shumë efektive dhe jo vetëm për mua.

      Në përfundim të  kësaj letre, kam nderin e jashtëzakonshëm të Të uroj punë të mbarë në ndriçimin e idesë së lartë komuniste dhe shëndet të çeliktë në udhëheqjen e popullit të lirë shqiptar dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë.

      Untergruppenbach            JUSUF GËRVALLA

      19 gusht 1980       Habichthöhe 40

    7101 Untergruppenbach               RF e Gjermanisë

5. Jusuf Gërvalla, letër Nënës

Nanë e dashtun!

Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.

Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhe, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me luftue për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun.

Të përqafojmë me mall prej së largu, djemtë, rejat e nipat.

Letër Nënës, në Dubovik – Shtator 1980, Untergrupenbach, RFGJ

(VIJON)

© Pashtriku.org

——————————————

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (IV)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura