Prishtinë, 2 prill 2018:
1. Demokracia mediale si “kolonizatori” më i sofistikuar i politikës bashkëkohore, sot përmes infuzioneve dhe përmbajtjeve të reja informative në mënyrë radikale po e ndryshon si rolin ashtu dhe amanetin tradicional të ofertave dhe joshjeve publike politike.
2. Në fakt, në kohën tonë mediet kanë “pronësuar”, pothuajse në mënyrë të habitshme dhe të rrufeshme rolin e ndërmjetësuesit (“big social sandwich”) tradicional, që vijëzohej zakonisht; mes “publikut të gjerë” dhe “politikës së pakët”! Partitë politike dhe politikanët e kotit, përmes doktrinës së njohur të spinë doktorëve, po e arrijnë ta kontrollojnë (lexo; manipulojnë) dhe menaxhojnë mjeshtërisht “frymëmarrjen” aktive të opinionit publik të shoqërive transitive.
3. Sa më shumë që mediet publike e reduktojnë diskursin politik (p.sh. për temat madhore të interesit kombëtar e shtetërorë) në një prezantim të thjesht argëtues, aq më shumë i realizojnë pritjet e publikut të gjerë. Sepse, ato në periudhën e transicionit, kur ende nuk janë stabilizuar as “përgjegjësia”, e as “sundimi i ligjit”, e kanë shumë më lehtë të lozin rolin e “viktimës në sandviç”! Injoranca e programuar dhe e financuar nga disa qarqe; antishtetërore e antishqiptare (padyshim!), ca matrapazëve lokal medial e ca mercenarëve tanë politik (që janë bërë “kockë e asht”), kohëve të fundit në gjitha shoqëritë shqiptare në Ballkan, është duke iu dhënë hapësirë enorme mediatike! Shtrohet pyetja, se çfarë po ndodhë në fakt, me këto shoqëri (që nga goja e burokratëve të Brukselit identifikohen si: periferike!)?
4. Kjo tendencë mediale, apo “frymë” tipike antikombëtare, që ndryshe në shkencat sociologjike identifikohet dhe shquhet si mënyra dhe metoda më e sofistikuar e “operacionit” pa dhimbje, për publikun e gjerë naiv dhe ende të pa emancipuar sa duhet politikisht dhe ekonomikisht, ka marr një turravrap mjaft interesant?! Më e keqja, e gjithë këtij “pushtimi” të pahetuar nga publiku i gjerë, por jo edhe nga sociologët dhe ekspertët mediatik qëndron në atë; se përveç kurdisjeve tematike që bëhen me të gjitha mjetet propaganduese (rrjetet sociale, Tv-ët private, në këtë periudhë të transicionit të stërzgjatur!), ato, janë duke i kontaminuar tmerrësisht dhe qëllimisht, pothuajse të gjitha sferat e jetës sonë.
5. Duke i “skanuar” disa nga këto “norma e vlera imponuese”, kryesisht në mediet dhe rrjetet sociale mbarëkombëtare nga ana e këtyre matrapazëve dhe injorantëve mercenar, ne me “briskun” tonë sociologjik kemi kuptuar që kjo injorancë e programuar dhe orkestruar nga “qendra kibuci”, nuk janë as të rastësishme, e as të paqëllimshme! Nuk janë të rastësishme, shkaku se përsëritjen e “lajmeve dhe temave” (natyrisht; gjithnjë të përzgjedhura me kujdesin maksimal!) që ata i imponojnë publikut të gjerë, pra masës amorfe dhe deri diku naive, e të pa emancipuar politike sa duhet, ia gatuajnë dhe servojnë me do pretekste dhe elokuenca të një trendi e “produkti”, kinse masovik, e global!? Ajo çfarë fillimisht bie në “syzet” tona pa dioptri, janë forma dhe përmbajtja e veprimit të tyre në union, dhe në situata e tema të karakterit shtetërorë e kombëtar!?
6. Si ato që vijnë me etiketa lindore; por, të “promovuar”, nga mercenarët “identitar” shqipfolës!, ashtu edhe ato perëndimore; por, të “prodhuara” nga injorantët vetëmohues të identitetit tonë shqiptar!? Tani, shtrohet pyetja një milionëshe nëse, është në pyetje “testimi” i shkallares së atrofimit të gjykimit tonë qytetar për të kaluarën e pakthyeshme dhe përplot dilema identitare, e hamendje historike, e kulturore; apo, është në pyetje përzgjedhja e mënyrës sonë më të shpejt për t’u “arratisur” nga përditshmëria gjithnjë më e zymtë dhe më e pa perspektivë?!
7. Të njëjtat “qendra kibuci” e gazetar mercenar, (të trajnuar enkas) me metoda shumë të sofistikuara mediale, rrjeteve sociale, etj., po mundohen që publikut të hutuar dhe të frikësuar t’i “amputojnë” heshtazi dhe me aplikativitet sa më masovik, disa; ligje, norma, rregulla e kode gjëja të reja; sociale (duke rritur qëllimisht dozën e histerisë së “terapisë” publike!); politike (duke na imponuar; hipokritët, injorantët, dhe të korruptuarit, si modele lidershipi!); fetare (duke injektuar kontaminimin në tradita e etnopsikologji antifetare, e antikombëtare!); kulturore; (duke përdorur “shpëlarjen e trurit”, për të krijuar huti dhe konfuzion në publikun e pakënaqur indiferent, me rrjedhat e gjertanishme të pasluftës!);
8. Këshilla ime; Mos bini pre e manipulimit dhe injorancës së tillë mercenare! Debati publik, ka degradua në pothuajse gjitha sferat e jetës aq shumë, sa që të mbushet mendja që jemi në gjendje kolapsimi e kome të thella vlerërore, intelektuale, e kulturore, sa që vetëm “vaksinat e tyre” të reja mendore mediatike, mund të na shpëtojnë si shtendërtimin, ashtu edhe vendin ku po jetojmë! Duke harruar kështu, se në këto hapësira jemi edhe ne do tjerë, që anipse, nuk hyjmë qëllimisht në “konkurrencën” e tyre jo lojale e tejet djallëzore, i përcjellim dhe i kuptojmë taksativisht si “lojërat” e tyre të ndyta, ashtu edhe qëllimet e tyre antishtetërore e antikombëtare.
9. Degradimin e gjuhës së komunikimit publik po e bëjnë kryesisht injorantët dhe tipat mercenar, të cilëve u ka humbur si “busulla” orientuese e kohës dhe humanitetit, ashtu edhe ekuilibri etik publik! Tipat e tillë denigrues, përmes injorancës dhe mercenarizmit të ngjizur më së miri pasqyrojnë si nivelin e emancipimit të tyre, ashtu edhe defektet dhe varfërinë e mendjes së tyre intelektuale e identitare! Por, çfarë është natyrshmëria e varfërisë identitare?
10. Natyrshmëria identitare, ruhet, mbrohet, kultivohet…etj. kryesisht përmes origjinës së vetës sonë sociale e kulturore. Çdo “arratisje” eventuale improvizuese, e qëllimshme, apo qoftë edhe e detyrueshme (sado kudo e përkohshme!), e zbehë dhe e shqetëson identitetin e origjinës sonë fillestare. Pra, duket që “stacionimi” social dhe ai kulturor në origjinë tonë identitare, frymon shumë më natyrshëm, më arsyeshëm, më akomodues, e besa edhe më qëndrueshëm. Nê fazën e parë “emancipuese”, ky njeri i ekzaltuar me modelin e ri identitar…joshet në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha anët e mundshme! Bile, shkohet aq larg me premtime e joshje…sa që (ne fazat e mëvonshme e me një tretman beneficues) atë e trajtojnë edhe si subjekt relevant, ne gjithë jetën sociale, politike e kulturore!
11. Në mënyre qe ne fazat e mëvonshme, ai (pra ky njeri!) duke qene i shtrënguar nga “kërkesat” dhe joshjet statusore (edhe morbide e skizofrene!) shtesë…ai shndërrohet nga subjekti në objekt….! Tani, realizimi i tij si objekt, duhet ta “mbath” një trajtesë shumëdimensionale; filozofike, sociologjike, psikologjike, sociale, kulturore. Që në kushtet dhe rrethanat e ndërtimit të raporteve të reja, në procesin e transicionit shpeshherë rrëshqet në një model të ri kapitalizmi…pra, një tip kapitalizmi që shumica e sociologëve të sotëm e identifikojnë si (predatory capitalism) kapitalizëm grabitqar!
12. Shoqëria kosovare si një shoqëri akoma tipike e transicionit, duke qenë e hendikepuar me faktin e mungesës së një lloj tradite sado kudo të vogël dhe të natyrshme në ndërtimin e raporteve kapitaliste, pra raporteve dhe logjikave të pamëshirshme tipike konkurruese përmes të cilave pa dyshim do të profilizoheshin, si: shtresat e ndryshme sociale ashtu edhe elitat e reja politike, ato ekonomike, kulturore e sociale. Shoqëria kosovare, duke qenë e privuar nga ky rrugëtim i natyrshëm i ndërtimit të kapaciteteve dhe institucioneve demokratike shkaku i fenomenit të“katapultimit” të saj nga një shoqëri tipike postsocialiste(bile edhe fisnore!) në një shoqëri të re demokratike, kujtoj është interesant për çdo eksplorues social të bëjë krahasimet e duhura sociologjike, në mënyrë që të kuptojë si specifikat ashtu edhe përvojën (nëse dëshmohen si të tilla) e ndërtimit të këtyre raporteve deri tani të panjohura.
13. Rrugëtimi i Kosovës në ndërtimin e një kapitalizmi identik me vendet e tjera që tradicionalisht kanë kultivuar një tip të natyrshëm të këtyre raporteve ka dështuar. Dhe se ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë ka të bëjë me një lloj kapitalizmi grabitqar…i cili pamëshirshëm po e rrit dhe zbulon veten e vet përmes ushtrimit të monopolit në politikë dhe gllabërimit të sferave të tjera të jetës ekonomike, në vend që të krijojë parakushte ligjore e ekonomike për një shtresëzim të natyrshëm social që do të duhej të kultivohej sipas logjikës së një konkurrence lojale me rregulla strikte të arritura përmes një konsensusi të gjatë dhe maratonik midis botës së biznesit dhe shtetit si rregullator i këtyre raporteve.
14. Bartësit e këtij lloji të kapitalizmit të vrazhdë dhe pa dyshim joproduktivë për gjithë shoqërinë kosovare, në fakt janë jo biznesmenët e ngritur në bazë të konditave dhe parametrave ekonomikë, por politikanët e katapultuar dhe rekrutuar, përmes ushtrimit të fuqisë që u mundësoi (fuqia politike) aparati shtetëror dhe mekanizmat e ndryshëm institucionalë që për imperativ ekskluziv e kanë pasurimin brenda natës përmes shitjes së pasurisë shtetërore. Tani shtrohet pyetja bazike, nëse mund të shërbehemi edhe më tej me teorinë marksiste mbi klasat klasike, apo duhet të identifikojmë një proces të shtresëzimit, që strukturalistët bashkëkohor e kanë kogja problem ta identifikojnë
15. Do të ishte krejt e natyrshme sikur procesi i shtresëzimit social në Kosovë të ushtrohej përmes konkurrencës së tregut, ku nismëtarët e rinj apo pronarët e vegjël në tregun e brendshëm të fuqizoheshin dhe të pasuroheshin sipas kësaj logjike, por procesi i krijimit të shtresës së të pasurve shkoj në një drejtim tjetër interesant. Në realitet rolin e kapitalisteve të rinj, e morën politikanët, të cilët deri dje s‘kishin në pronësi të tyre pothuajse asgjë pranë vetes, ndërsa tani janë bërë pronarë të shumë kompanive shtetërore, apo të paktën kanë aksione në këto kompani të cilat u sollën më parë me “meritat” e tyre në greminën e bankrotit në mënyrë që më vonë të njëjtat përmes procesit të privatizimit të egër (të ndodhur të spinofit të famshëm) t’u shiten kompanive transnacionale.
16. Dukuria e kooperimit të mafisë politike lokale dhe bosëve të kompanive të mëdha dhe të dyshimtë për fshehje të tatimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë në krijimin e kastës së re kapitaliste në vendet e transicionit është një proces do të thosha tejet i ri edhe nga ekspertët e lëmenjve të tjerë, por esenca është se ky fenomen në fazën e parë të ndërtimit të kapaciteteve kapitaliste, pra akumulimit të parë të kapitalit në një mënyrë apo tjetrën (siç e vlerësojnë ata) ishte në favor dhe funksion të fillimit të krijimit të kapitalit fillestar. Dukuri kjo që për shumicën e sociologeve ishte pa dyshim një shteg i radhës që pak a shumë e ndihmoi procesin tjetër të kriminalizuar dhe të njohur si “shpëlarje të parave” të një vendi që nuk ka ndonjë tradite në konsolidimin e legjislativit dhe të sundimit të ligjit.
17. Tani kur të kihet parasysh që efektet e privatizimit në rastin e Kosovës akoma nuk janë të prekshme në kuptimin e shifrave të reduktimit të papunësisë për shtresat e gjera të punëtorëve, atëherë bëhet shumë më e qartë se shteti i ri i Kosovës është në rrugë të dështimit në menaxhimin e resurseve dhe pasurisë se gjithëmbarshme nacionale që qe ngritur me djersen e gjeneratave të tera në ish-regjimin e komunizmit. Zakonisht për një përshtypje të këtillë shërbehen parametrat ekonomikë dhe ata socialë, që gjenden jashtë atij vendi apo atij shteti që ndodhin këto keqpërdorime dhe këto manipulime në nivele herë herë aferash e skandalesh sikurse ishte ai i vetëvrasjes së ish-kryetarit të AKP-së dhe aferave të tjera kriminale që në rastin e Kosovës, janë evidentuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë këtë proces.
18. Shtresëzimi social, që prodhoi ky fenomen i kolapsit të pasurisë shtetërore, në favor të grupeve apo klaneve që ishin afër apo më mirë me thënë menaxhonin procesin e ndërrimit të titullarit të pronës shtetërore, bëri që tani kemi një tipologji interesante dhe do të shtoja specifike të elitave ndër ne këtu në Kosovë.
19. Aktualisht mund në vija të trasha, mund të identifikojmë ca lloje elitash; elitat makrobiznesore që u rekrutuan nga sfera e politikës së pasluftës dhe elitat e tjera biznesore që përpëlitën dhe varën tërësisht nga ajo e lartcekura. Elita e cilësuar si makrobiznisore në rastin tonë menaxhohet kryesisht në parime familjare, fisnore, krahinore, etj. dhe në fakt tani edhe de jure është në proces të pronësisë së shumicës së kompanive dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore. Ndërsa, elita biznesore që realisht është ajo e kompanive të vogla të cilat kane hy me rreziqe në konkurrencës jolojale vendore edhe për shkakun se bosët e makrobizneseve ushtrojnë haraç si përmes taksave të ndryshme që ua shtojnë këtyre të dytëve në cilësinë e shtetarëve, ashtu edhe përmes financimit të dyshimtë të fushatave elektorale gjatë kohës së zgjedhjeve në nivele lokale dhe nacionale.
Autori është Profesor Universitar dhe Kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës